Mësuesit nuk duhet të pranojnë dhurata apo ryshfete me synim rritjen e rezultatit të nxënësve..."
"Mësuesit dhe nxënësit nuk duhet të pranojnë të bëjnë kurse jashtë mësimit kundrejt pagesës me synim rritjen e të ardhurave të mësuesit"...
Duket sikur ky është një urdhër i ardhur nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës. Por, në fakt është një kod etike i hartuar nga vetë nxënësit. Ata kanë marrë situatën në dorë. Duan që mësuesit të jenë së pari model për ta. Në fakt, sipërmarrja e re ka ardhur nga nxënësit e shkollës "Qemal Stafa", të cilët një vit më parë hartuan një kod etike të nxënësit. Tani ata vetë kanë marrë përsipër të hartojnë dhe më tej, të përçojnë këtë kod etike për mësuesit.
Rëndësia e këtij kodi
Shoqëria jonë e ka të domosdoshme etikën e gjithanshme, pasi vetëm kështu ne mund t'i hapim rrugën botës perëndimore. Ditët e fundit mori jetë nisma e një viti më parë nga mësuesit dhe nxënësit e shkollës "Qemal Stafa", për të pasur një kod etike në shkollë. Njohja më kodin e etikës në shkolla të ndryshme të vendit u mbështet nga Fondacioni "Soros". Ky kod është shumë i rëndësishëm për të gjitha shkollat, pasi një institucion arsimor që fal dituri nuk mund të ekzistojë pa pasaportën e tij hyrëse. Kodi etik është një kusht paraprak dhe i domosdoshëm për një shoqëri dinamike, demokratike, që anëtarët e saj të njihen me vlera të caktuara demokratike dhe t'i mbështesin ato. Çdo brez i ri ka nevojë të mësojë vlerat e pjesëmarrjes në proceset demokratike dhe vlerësimin e rregullave që drejtojnë sektorë të ndryshëm të shoqërisë sonë. Ky kod nuk ka si qëllim të vendosë nxënësin në një kornizë për të kufizuar individualitetin, personalitetin dhe karakterin përkatës të tij, por të përcaktojë raportet e nxënësit me të gjithë faktorët që bashkëpunojnë.
Përmbajtja
Disa nga rregullat e projektligjit të nxënësve janë: mësuesit nuk duhet të pranojnë dhurata apo ryshfete me synim rritjen e rezultatit të nxënësve. Mësuesit dhe nxënësit nuk duhet të pranojnë të bëjnë kurse jashtë mësimit kundrejt pagesës me synim rritjen e të ardhurave të mësuesit. Mësuesit duhet të gëzojnë një imazh dhe reputacion të mirë edhe jashtë ambienteve të shkollës. Ata duhet të përfaqësojnë modelin e shembullit për brezin e ri, dhe jo vetëm. Mësuesit duhet të kenë një sjellje të shëndoshë me komunitetin dhe të jenë shembull për komunitetin. Parandalimi i sjelljeve instinktive, kërcënuese të nxënësit. Respektimi i karakterit laik të shkollës, etj.
Qëllimi i kodit
Synimi primar i këtij kodi është sulmimi i atij fenomenit tejet negativ që ne të gjithë e njohim, korrupsionit, vendosja e disa rregullave etike që kanë të bëjnë me sjelljen e nxënësve në orarin mësimor, me marrëdhëniet që ata krijojnë me njëri-tjetrin si edhe marrëdhëniet që krijojnë me mësuesit e tyre; me higjienën personale dhe normat e përgjithshme që kanë të bëjnë me sjelljen e tyre. Rritja e performancës së nxënësve dhe përgjegjshmërisë së tyre për përfitimin e modeleve më të mira të sjelljes, është qëllimi kryesor i këtij kodi. Gjithashtu, duhet theksuar se si objekt i këtij kodi është përcaktimi i rregullave të sjelljes midis nxënësve me njëri-tjetrin dhe binomit mësues-nxënës. Drejtoria e gjimnazit "Qemal Stafa", e ndërgjegjshme për rëndësinë e vendosjes në zbatim të këtij kodi etik, ka hartuar edhe rregulloren e brendshme të shkollës në përputhje me disa nga nenet këtij kodi.
Etika e Nxënësit
Një vit më parë mori rrugë kodi i etikës për nxënësit, çka ishte edhe një fillim i mirë nga vetë gjimnazistët e që ka çuar sot në kërkesën e llogarisë të tyre ndaj mësuesve. Synimi i 'kodit të nxënësve' është vendosja e disa rregullave etike që kanë të bëjnë me sulmimin e fenomenit të korrupsionit të vogël në shkolla, sjelljen e nxënësve në orarin e mësimit, marrëdhëniet që këta të fundit krijojnë me njëri-tjetrin ose me mësuesit, me higjienën e tyre dhe norma të përgjithshme që kanë të bëjnë me sjelljen e tyre. Qëllimi i këtij kodi është të rrisë performancën e nxënësve, përgjegjshmërinë e tyre dhe të përfitimit të modeleve më të mira të sjelljes dhe të nxisë komunikimin e përditshëm. Objekti i këtij kodi është përcaktimi i rregullave të sjelljes midis nxënësve me njëri-tjetrin dhe raportit nxënës-mësues. Duke zbatuar kodin etik, nxënësi arrin të kuptojë së paku ç'është e drejtë apo e gabuar, ç'është e lejueshme dhe çfarë jo në mjedisin shkollor dhe më gjerë.
Aktiviteti
Të gjithë e njohim mirë atë fenomen, i cili dita-ditës po kthehet në një kërcënim për mbarë shoqërinë shqiptare, korrupsionin. Kush më pak e kush më shumë, pak rëndësi ka, ajo që ka rëndësi është përballja me këtë fenomen që na përket të gjithëve. Gjimnazi "Qemal Stafa" ka qenë dhe do të jetë gjithmonë një promotor vlerash që ndihmojnë për mbarëvajtjen e njëpasnjëshme të brezave, prandaj ashtu si çdo herë tjetër ndërmori vitin e kaluar një barrë jo të lehtë mbi shpatulla, e cila lidhej ngushtësisht me hartimin e një kodi etike për mësuesit dhe nxënësit. Edhe pse i vetëm në pikën e nisjes, gjatë rrugës ai tërhoqi pranë vetes edhe shumë prej gjimnazeve të tjera të kryeqytetit, të cilët e përqafuan me shumë përzemërsi nismën e kësaj shkolle. Në përmbyllje të të gjithë asaj veprimtarie sensibilizuese të realizuar plot përkushtim gjatë një viti, tre prej gjimnazeve të kryeqytetit "Qemal Stafa", "Partizani" dhe "Andon Zako Çajupi" në bashkëpunim me Fondacionin 'Soros' realizuan të premten që lamë pas një takim festiv në të cilin u ndanë çmime për nxënësit që me punimet e tyre në letërsi dhe pikturë ndihmuan në përçimin sa më të qartë të këtij mesazhi. Tema për të cilën shkruan ese shumë prej gjimnazistëve të kryeqytetit lidhej me ekzistencën e korrupsionit të vogël nëpër shkolla. Në fakt, duket sikur e gjithë kjo që në fillim kishte si synim të vetëm sensibilizimin e nxënësve dhe mësuesve për t'i thënë 'Jo' korrupsionit, në fund mori ngjyrimet e një kompeticioni të rëndësishëm, për të cilin pati edhe çmime të vlerësueshme. Duke qenë se numri i nxënësve pjesëmarrës ishte shumë i madh dhe niveli i konkurrimit ishte tepër i lartë, drejtuesit e këtij konkursi ishin në mes të një përzgjedhjeje dilematike, por në fund arritën me shumë vështirësi të sillte edhe fituesit e tij. Në mbyllje të takimit, përfaqësuesja e Fondacionit 'Soros' falenderoi në mënyrë të veçantë drejtoreshën e gjimnazit "Qemal Stafa", e cila mesa duket ka dhënë një kontribut të paçmueshëm në realizimin me përpikëri të këtij projekti. Në mbyllje të ceremonisë u shtrua një koktej për mësuesit e nxënësit pjesëmarrës. Kokteji, i zhvilluar nën notat e këndshme të muzikës të realizuar prej DJ-it të ftuar posaçërisht, zgjati rreth një orë. Përfaqësuesit e Fondacionit 'Soros' së bashku me përfaqësuesit e shkollave pjesëmarrëse, patën mundësinë të takoheshin me nxënësit pjesëmarrës duke i inkurajuar ata për të vazhduar më tej, pasi vetëm eksperienca garanton sukses.
Eraldo Rexho, G. Shqiptare
No comments:
Post a Comment