Thursday, November 12, 2009

Parajsa dhe Ferri !!!

Një pjesë e konsiderueshme njerëzish besojnë tek pasjeta, një teori e vjetër sa vetë njeriu dhe e mbajtur gjallë deri në ditët tona nga propaganda fetare, si një jetë e pafundme, jetë të cilën "do ta jetojmë", pikërisht pasi të mos jetojmë më.


Sipas kësaj teorie, njerëzit pasi vdesin, gjykohet për veprat e tyre në jetë dhe në bazë të tyre, vendoset nëse ata pafundësisht do të jetojnë në parajsë, apo në ferr.



-Parajsa presupozohet të jetë vendi i gjithë të mirave që mendja njerëzore njeh, apo dhe nuk njeh. Në kuran parajsa psh. imagjinohet si një vend ku të presin 72 virgjëresha, që mbeten përherë të tilla, vendi është i mbuluar në ar, lumenjtë janë prej vere etj.
Pra me pak fjalë, parajsa është vendi i ëndrrave, vendi i kënaqësive,i dritës, i paqes, mirëkuptimit etj etj, që një njeri i cili është sjellë mirë gjatë jetës së tij ( me bilanc pozitiv të bëmave të tij), e përfiton këtë jetë të mrekullueshme, në një vend të mrekullueshëm, të mbushur me gjithë mrekullitë e mundshme, për ta jetuar në përjetësi.

-Ferri është vendi për njerëzit, të cilët mëkatet në jetë u peshojnë me tepër sesa të mirat. Eshtë simboli i gjithë dhimbjeve, vuajtjeve, errësirës, zjarrit, të këqijave që koshienca njerëzore njeh, apo jo. Mëkatarët do të përfundojnë në ferr, në vendin e djallit (ish ëngjëlli më i fuqishëm i Zotit), ku do të digjen e torturohen pafundësisht.



Pra pasjeta na premton të mirën dhe të keqen e përjetshme, parajsën apo ferrin, ku të gjitha krijesat njerëzore do të shkojnë pas kësaj jete, që thuhet që s'është gjë tjetër, veçse një provë për njeriun, të vendosur nga krijuesi i tij, i cili sipas 10 rregullave të tij, më pas dërgon krijesat e tij në njërën prej këtyre përjetësive, në përjetësinë e të mirës apo të së keqes.

Po ç'është e mira dhe e keqja në vetvete?

A mundet logjika njerëzore të kuptojë apo edhe të shpjegojë diçka që nuk e kupton ?

Si mundemi të kuptojë të mirën nëse e keqja mungon, si mundemi të kuptojmë dritën pa errësirën ?
Nëse mundohemi të kuptojmë më qartë se ç'janë të mirat e kësaj jete, materiale apo shpirtërore, ato janë në mënyrë të pashmangshme të lidhura drejtëpërdrejtë me të këqijat e kësaj jete.

Mendoni çdo kënaqësi që provoni në këtë jetë, ajo është pikërisht shpëtimi nga e keqja. Kemi uri kur jemi të pangrënë, kemi mall kur kemi kohë pa u parë, duam një person sepse ndryshe nga të tjerët, na bën të ndjehemi mirë, na pëlqen të shtrihemi kur jemi të lodhur, qeshim pas jemi të mërzitur etj etj.

Pra e mira në vetvete është shpëtimi nga e keqja dhe pashmangërisht e lidhur me të keqen.

Një citat thotë : Sadopak të zgjatet e bukura, pushon së qënuri e tillë.

Pra, të mirat nuk mund të zgjasin pafund, sepse më pas e humbasin bukurinë apo mirësinë e tyre. Janë të bukura dhe të mira pikërisht sepse kanë fund. Imagjinoni psh. të bëni dashuri apo çdo kënaqësi tjetër të jetës, ta kryeni e përjetoni për një kohë jashtëzakonisht të gjatë, ajo nuk do të quhet më diçka e bukur apo e mirë sepse ne mësohemi me të.

Një shprehje e S.I-së thotë : Monotonia nuk është asgjë tjetër, veçse një ditë e bukur, të cilën e jeton çdo ditë, njësoj si ditën e parë.

Pra ne gëzohemi që fituam një vend pune, pikërisht sepse nuk e kishim këtë vend më parë dhe është po ky vend pune, po ai të cilit iu gëzuam, nga i cili më vonë vendosim të shkëputemi, për të provuar e jetuar një emocion apo eksperiencë të re, që fillimisht do të na duket sërish i/e bukur.



Përfytyroni pra një të mirë, apo gjithë të mirat bashkë në pafundësi...
A do të kishte kuptim ? A mund të qeshë një njeri përjetësisht nëse mungon trishtimi, zhgënjimi, shpresa etj ? A mundet të vuajë një njeri përjetësisht, nëse i mungojnë gjithë të mirat ? A mundet të digjet një krijesë pafundësisht e rrjedhimisht të ndjejë dhimbje ? A quhet më dhimbje, nëse vazhdon njëtrajtësisht e pafundësisht, që rrjedhimisht edhe me një jetë qeni njeriu mësohet dhe e gjen të bukurën...

A mundet një prind të dënojë krijesën e tij pafundësisht (nqs e quajmë dënim), për10 rregulla të cilat krijesa e tij i shkeli ?

A ka dënim më të madh sesa përjetësia, mundet ta imagjinoni dot ?

Njerëzit duke iu trembur vdekjes, kanë krijuar një shpëtim prej saj, pa kuptuar që vdekja në të vërtetë është vetë shpëtimi. Duke menduar për vdekjen i japim jetës rëndësinë që meriton. Qëllimi i kësaj jete nuk është përjetësia, qëllimi i kësaj jete është vazhdimësia e llojit, duke e zhvilluar vetveten. Edhe pse jo detyrimisht ekzistenca jonë duhet të ketë një qëllim, ajo është si një pushtim i hapësirës së pafundme që nis nga një molekulë e saj, në një fraksion të shënuar të kohës. N.q.s ka një parajsë edhe një ferr, ato ndodhen në këtë jetë dhe jemi po ne humanët që ia bëjmë njëri-tjetrit jetën "ferr" apo "parajsë".

JETA DHE E VERTETA JANE TE SHENJTA !

Shkroi dhe përgatiti Stop Injorancës http://www.facebook.com/NdalPaditurise2

No comments: