Thursday, November 5, 2009

Rriten me 30% tarifat e shërbimeve në poliklinika e spitale

Rriten shërbimet mjekësore në poliklinika dhe në spitalet e vendit. Nga dita e djeshme ka hyrë në fuqi vendimi i ministrit të Shëndetësisë, Petrit Vasili, për rritjen me 30% të tarifave të këtyre shërbimeve.


Tashmë në çdo shërbim mjekësor parësor, të specializuar dhe spital universitar janë të vendosura çmimet e reja për çdo shërbim shëndetësor që ato ofrojnë. Tarifat paguhen në masën 100% nga qytetarët e pasiguruar, ndërsa për të siguruarit pjesa më e madhe e shërbimeve mbulohen në masën 100%, ndërsa për ekzaminimet e shtrenjta ata detyrohen të paguajnë 20% të tarifës së shërbimit.

Shërbimet

Rritja e tarifave ka ardhur për të gjitha shërbimet, duke nisur që nga vizita mjekësore tek mjeku i familjes, që kushton 10 mijë lekë të vjetra. Ndërsa për vizitën mjekësore tek mjeku i specializuar, tek poliklinika qendrore, vizita kushton 15 mijë lekë të vjetra. Gjithashtu, rritje kanë pësuar edhe analizat dhe ekzaminimet e ndryshme që ofrohen jo vetën në poliklinikat e lagjes, por edhe ato në spitale.

Dje

Burime pranë Ministrisë së Shëndetësisë pohojnë se rritja e tarifës së këtyre shërbimeve është bërë për shkak të zbatimit të sistemit të referimit, pasi çdo pacient duhet që të ndjekë hallkat e sistemit shëndetësor për të përfituar një shërbim mjekësor sa më efikas. Ndërkohë që po dje, nga vëzhgimi i gazetës në orët e para të mëngjesit, në disa qendra shëndetësore në Tiranë ka ndodhur kaos për arsye të prerjes së faturave në sportele, ku janë krijuar radhë të gjata me pacientë, të cilët prisnin për të prerë faturën e më pas për të marrë shërbimin shëndetësor. Bluzat e bardha në këto poliklinika shprehen se këto radhë krijohen për shkak se edhe pacientët e siguruar duhet të presin faturë me tarifë zero.



BLERTA MRISHAJ, Standart

Rritet çmimi i energjisë, rriten tarifat e shërbimeve në spitale, rriten e shtohen taksat, rriten çmimet e produkteve të konsumit të gjerë, rritet çmimi i karburantëve, rriten taksat e rregjistrimit në universitete apo akomodimi nëpër godina... vetëm qytetarët e fjetur shqiptarë rrezikojnë seriozisht rritjen...

No comments: