Saturday, November 21, 2009

Fëmijë pa fëmijëri

Nëse mund të bëhet një akuzë e vetme, pra vetëm një, për këto vite të tranzicionit, ajo është: Ju prindër të fëmijëve pa fëmijëri!

Dhe pas kësaj mund të shtosh sa pikëçuditëse të duash, fjalia dhe domethënia e saj i mban. Provuam gjithçka gjatë këtyre 20 viteve, çaste të larta e çaste të ulëta, ndjenjën e fitores e të humbjes, të pasurisë e të varfërisë, të pushtetit e të bindjes. Pra, provuam gjithçka që mund të provohet në demokraci. Veç një gjë nuk arritëm të bënim. Nuk qullosëm asgjë lidhur me fëmijët. Ndoshta këtu mund të gabohemi, sepse nuk po flasim për fëmijët personalë, të ushqyer e të veshur si agallarë të vegjël, me celularë e xbox-a si bejlerë, mbi peshë e mbi timonë makinash. Po flasim për fëmijërinë, për përvojën më të bukur të njeriut. Për atë moshë që duhet jetuar me hare e pa kokëçarje. Dhe këtu nuk kemi ditur se ç’kemi bërë.



Askush nuk të jep dot përgjigje përse shteti shqiptar është një nga shtetet më armiqësorë me fëmijët. Përse shoqëria shqiptare është një nga shoqëritë më armiqësore me fëmijët. Përse fëmijët shqiptarë nuk qeshin si bashkëmoshatarët e tyre evropianë, po veç zihen e rrihen. Përse mbajnë nga një çantë 10 kilëshe në kurriz, që siç e marrin e sjellin.

Përse jetojnë në shkolla-garnizone ku bëhet vetëm mësim, po ku nuk mësohet asgjë që ka lidhje me jetën. Ku prodhohen diploma, po jo qytetarë.

Në këtë pikë ka shumë për të thënë. Po pyetja e madhe është: Ku mund t’i gjejmë sot fëmijët shqiptarë, pra ku mund t’i takojmë? Ndoshta poshtë pallatit, në rrekjen e mundimshme për të mos vdekur të shtypur nga makinat. Po tjetër? Askund. Fëmijët nuk kanë mjediset e tyre ku mund të bubërrojnë. Dhe bëhet fjalë për fëmijët tanë, ata të vërtetët, jo për histori me turistë kinezë.

Por fakti është më pak i dhimbshëm se sa mendja që e ka prodhuar. Ajo mendje e shkretuar ndjenjash, e mbrujtur me halle e dhembje të pakufi, që sheh veç të rrëmbejë e të mos lërë gjë në këmbë, që po kujdeset ndonjëherë që stërstërnipërit të jenë zengjinë në lëndë, po të varfër në shpirt. Ajo mendje që sheh po që nuk vëren asgjë. Ajo mendje që kurrë nuk është ngritur në mbrojtje të të drejtave të fëmijëve, të fëmijëve të rrahur, të trembur, pa botë.

S’ka si të jetë ndryshe kur të gjithë kemi sy në ballë dhe i mbajmë mbyllur gjatë gjithë kohës. Si nuk e vuri re askush që fëmijët tanë nuk këndojnë. Ndoshta po gabohemi, sepse zëra fëminorë kemi dëgjuar.

Po çfarë këndojnë?

Këndojnë këngë për të rritur; shohin filma për të rritur; sillen si të rritur, shkurt janë gjithçka që mund të jenë veçse fëmijë jo. Dy nga televizionet kryesore, dinosaurë të vërtetë të medias, me peshë të madhe në jetën publike të shndërruar në jetë mediatike, sot po bëjnë terror fëminor. S’ka se si të jetë ndryshe kur një fëmijë dhjetë vjeç këndon duke shqyer zërin: “mos qaj për vdekjen o njeri”. Kur këngët e dashurisë së rraskapitur zënë vend në gojë fëmijësh që duhet të këndojnë veç këngë engjëjsh. Dhe kur prindër të paditur që i veshin fëmijët si të ishin prostituta të vogla, duartrokasin dhe e çojnë buzën veshmëvesh. Janë vënë në garë fëmijët, kush e kush të këndojë këngën më skandaloze, të projektuar për zëra specialë, dhe jo për grykë të bardha, për zëra të bardhë, për zëra të amshuar. Duan të zbulojnë talente apo duan thjesht të shfrytëzojnë fëmijët? Historia njerëzore ka njohur shumë raste kur fëmijët janë përdorur për seks, për luftë, për mall, për organe, e shumë të tjera. Nuk është ndonjë çudi e madhe që të përdoren për të prodhuar dy orë televizion skandaloz. Aq më tepër që ligji nuk të ndihmon shumë në këtë rast.

Po prapë fakti nuk është asgjë. Tmerri i vërtetë është mendja që e prodhon, mendja që nuk shikon, mendja që refuzon të besojë. Dhe të duket çudi që jeton në një vend të populluar nga 3 milion njerëz, ku mund të gjesh disa duzina me akademikë, disa duzina me politikanë, disa duzina me psikologë, sociologë e filozofë, disa dhjetëra shkrimtarë e poetë, kompozitorë e disa mijëra juristë e doktorë, të gjithë të verbër, të gjithë pa sy e mbi të gjitha, pa gojë. Po Sodoma e Gomorra s’kanë pse të përmbysen, kur flet delja e zezë, delja që do tregohet me gisht, delja plangprishëse.

Bota i ka zgjidhur me kohë çështjet fëminore. Fëmijët kanë Kartën e tyre të të drejtave. Fëmijët kanë këngët e tyre, filmat e tyre, librat e tyre, lodrat e tyre, vendet e tyre, e gjithçka tjetër që u përket veç atyre, edhe pse të rriturit kanë qejf e duan ta jetojnë prapë fëmijërinë duke u zhytur herëpasherë në këtë botë bollëku. Po tanët? Ku janë 100 OJQ që mbrojnë të drejtat e fëmijëve? Bëjnë nani-nani. Ku janë 200 OJQ e grave që kërkojnë kuota në parlament? Gërhasin. Ku janë moralistët, elitistët, estetët, otorinolaringologët? Kthehen për pesë minuta.


A do mund t’i zgjidhim problemet tona në pesë minuta? A do t’u kushtojmë fëmijëve pesë minuta? Librat e shtëpive të mëdha botuese kanë nga një pullë prapa që tregon moshën e lexuesve. Filmat në televizione prestigjioze kanë nga një pullë që tregon moshën e fëmijëve që duhet ta shohin. Mos vallë janë të paditur? Përgjigjen jepeni ju, se fëmijët tuaj janë.

Erion Kristo tek Peshkupauje

No comments: