Prej kohësh në një prej kanalëve televizivë më të ndjekur nga shqiptarët shfaqet emisioni Deja - Vu, që drejtohet nga analisti i njohur Z. Mustafa Nano. Ky emision është ndërtuar në një mënyrë shumë interesante dhe të veçantë, duke e pasuruar fondin e emisioneve shqiptare për publikun. I gjithë diskutimi merr fill prej fotove që shfaqen në monitorin e studios, e që aty rrjedh natyrshëm në formën e monologut apo bashkëbisedimit.
Të ftuar zakonisht janë figura të shquara nga politika, arti, sporti apo nga gjitha larmia e fushave të ndryshme të kulturës. Deri këtu gjithçka është në rregull, madje edhe më mirë se në rregull, por problemi qëndron diku tjetër.
Të ftuarit gjithmonë kanë informacion të plotë e të gjerë rreth subjektit të fotos. Madje ata arrijnë të kenë njohuri të plota e befasuese edhe për personazhe që historia i fsheh nëpër skutat më të errëta, të gjithë të ftuarit kanë njohuri të plota për çdo foto që paraqitet. Gjithashtu duke shtuar ndonjë koment aksidental të ndonjë të ftuari të pakujdesshëm, vetëkuptohet që të gjithë të ftuarit njihen paraprakisht me fotot për të cilat do të diskutojnë, për të mos thënë edhe që i përzgjedhin ato të preferuarat. Anormaliteti nis pikërisht në çastin kur të ftuarit ( të gjithë paprejashtim ) në çastin e parë kur u shfaqet fotoja në emision sillen si të shtangur, si të befasuar, marrin pozicione sikur nisin të mendojnë (në të vërtetë mund të jenë duke u përpjekur të rikujtojnë komentin që kishin përzgjedhur për foton përkatëse), që nuk di nëse duhet quajtur aktrim apo hipokrizi ?! Ndoshta televizioni ka një etikë të caktuar, personazhet e njohura nuk duhen të gjenden ngushtë, apo pa informacion, por nuk mendoj se kjo mjafton për të shpalosur një hipokrizi të tillë para gjithë teleshikuesve, të cilët në mënyrë të pandershme hiperbolizojnë figurat e ftuara në emision, duke hequr një paralele inferioriteti ndaj vetes.
Televizioni vërtetë sot e ndikon në mënyrë të drejtëpërdrejtë realitetin, por sigurisht nuk duhet ti humbasë lidhjet me të.
Deja Vu, vjen nga frengjishtja dhe në shqip përkthehet "e sapo-parë". Mesa duket prandaj ka marrë edhe emisioni këtë emër, sepse të ftuarit i kanë parë fotot, disa çaste më parë transmetimit televiziv.
Stop Injorancës http://www.facebook.com/NdalPaditurise2
No comments:
Post a Comment