Saturday, November 21, 2009

Të pathënat mbi shpëtimin e hebrenjve në Shqipëri

Pse hebrenjtë kërkuan strehim në Shqipëri gjatë Holokaustit? Çfarë roli ka luajtur qeveria zogiste e më pas ajo e Medi Frashërit në shpëtimin e tyre? Pse nuk u larguan dot gjatë viteve të komnunizmit? Si i trajtoi regjimi i Hoxhës? Sa ka qenë numri i hebrenjve të shpëtuar në këtë vend? A ishte Shqipëria një vend asnjëanës i caktuar nga Lidhja e Kombeve dhe marrëveshja me Rajhun apo hebrenjtë u përndoqën edhe këtu?

Janë një sërë tezash të diskutueshme, të cilat përplasin studiuesit, më saktë, burimet në të cilat referohen, por edhe interpretimet e të dhënave që nuk arrijntë të ndriçojnë gjithçka deri në fund. Gazeta “Ballkan” përmes intervistave me dy studiuesit që janë marrë gjerësisht me çështjen hebreje, dr. Apostol Kotanin dhe prof. Shaban Sinanin si dhe nëpërmjet dëshmive të grumbulluara gjatë bisedave me trashëgimtarë të familjeve pritëse si dhe të hebrenjve të pritur, pranëvendos të gjitha mundësitë dhe detajet e panjohura, për të cilat së fundi, të dy autorët kanë përgatitur nga një botim të ri.



“Apostol Kotani, atutoriteti kryesor i historikut të hebrenjve në Shqipëri dhe bashkëkryesues i shoqatës së Miqësisë Shqipëri-Izrael”, sipas vlerësimit që i ka bërë kongresmeni amerikan me origjinë shqiptare, Sherli Di Guardi, jep në një intervistë të plotë për gazetën “Ballkan” situatën dhe të vërtetat mbi faktet e dyshimta, se si arritën të shpëtonin hebrenjtë në Shqipëri gjatë Holokaustit.

-Cili ka qenë momenti i parë, kur nisët hulumtimet nëpër arkiva dhe në terren për historinë e qëndrimit të hebrenjve në Shqipëri?

Ishte viti 68 kur më morën në Institutin e Marksizëm -Leninizmit për vëllimin e katërt të Historisë së Shqipërisë. Kur ende nuk isha larguar nga Instituti, vjen një kërkesë nga një profesor francez për Enver Hoxhën, i cili i kërkonte të dhëna për trajtimin e hebrenjve në Shqipëri. Kjo detyrë mu kërkua mua, që të them të drejtën, e mora pa qejf, se nuk dija shumë për këtë popull. Megjithatë, në dhjetor të vitit 68 dorëzova 17 faqe daktilografike për hebrenjtë në vitet e luftës.

-Ju bën përshtypje sot, fakti që E Hoxhës, iu kërkua informacion për hebrenjtë dhe që ai u tregua i gatshëm, kur dimë se regjimi nuk fliste për këtë vepër të popullit të tij?

Bota e dinte se Shqipëria kishte kontribut, dinte më shumë sesa dihej këtu nga mjetet e propagandës. Në vitet 86-87, kur filluan përpjekjet për të vendosur marrëdhëniet diplomatike me Izraelin, më vijnë gazetarë të huaj dhe më pyesin se ku i kisha gjetur faktet. Bile, më erdhën edhe nga Komiteti Qendror, sepse nuk po e gjenin kopjen në arkiv. Më morën me makinë, më çuan në bibliotekën kombëtare, ua gjeta dhe ua dhashë. Një shkrim më të zgjeruar për hebrenjtë e botova në “Studimet Historike” nr. 4 në fillim të vitit 90. Njëkohësisht, një kopje të këtij materiali ia dërgova Institutit të Yad Ëashemit në Izrael që merrej me Holokaustin. Një kopje ia nisa një izraeliteje, që ka qenë në Vlorë, sot në Nju Jork.

-A keni akoma fakte të pazbuluara, që ju mundojnë?

Që nga viti 68 nuk i jam ndarë kësaj pune. Por më ka mbetur një merak, që do tjua them më pas…
Iu futa punës në arkiv dhe shftytëzova të gjithë dokumentacionin. Ndërkohë, takova familje izraelite dhe strehuesish. Mbi 120 familje. Mbi këtë bazë hartova librin e parë në 93-shin. Është botuar vetëm anglisht për arsye fondesh, pasi libri ishte në dy gjuhë. Pas një viti, botova variantin shqip-anglisht. Ky libër është shpërndarë në të katërt anët e botës. Ky libër më çoi mua në Izrael në Konferencën e Parë Ndërkombëtare. ku ishin mbledhur nga 30 shtete të botës. Aty organizatorja e konferencës, Guen Shou prezantoi librin tim. Më pas në 2004-n, erdhën gazetarët amerikanë, mes tyre Norman Geshman të cilët i kam shoqëruar gjithandej: Në Elbasan, në Berat, edhe në Kosovë.

-Në cilat vende të Shqipërisë u vendosën pjesa më e madhe e hebrenjve; në cilat qytete, lagje e fshatra?

Ka pasur më shumë në Berat, në Kavajë dhe në Krujë, por edhe në vende të tjera.

-Sa hebrenj ishin gjithsej, duke përfshirë ata që kishin qenë më parë në Shqipëri dhe ata që u strehuan në kohën e Holokaustit?

Këtu ishin 1200 hebrenj. me gjithë ata të paraluftës. Ka mendime se kanë qenë 3000 apo 4000, Por unë i kam verifikuar me dokumente dhe i kam mëse të sakta. Sepse ka edhe shkresa në arkiv, që thonë p.sh. se një familje hebreje nga Manastiri, kërkon që të vijë në Shqipëri. Por a erdhi nuk dihet. Dhe nëse ka ardhur, a ka qëndruar apo ka kaluar. Unë jam bazuar në listat, që ekzistojnë në arkivën e shtetit, jam bazuar në shkresa të veçanta, jam bazuar edhe në thëniet e dëshmitarëve.

-Ka mendime si ai i prof. Shaban Sinanit, që numri i hebrenjve duhet të jetë edhe më i madh, pasi një pjesë e tyre paraqiteshin me emra të rremë, nuk janë rregjistruar me emrat dhe kombësinë e vërtetë.

I kam edhe këto raste. Me të gjithë këta, bëhen 1200 hebrenj.

-Dr. Apostoli, si e shpjegoni ju, faktin që hebrenjtë preferuan të vinin në Shqipëri, kur filloi fushata e përndjekjes së tyre? Çfarë dinin ata për Shqipërinë dhe mikpritjen shqiptare?

Më 2006 kam shkuar në Sarajevë, ku mbajta kumtesën me titull: “Pse kur filloi genocidi nazist kundër hebrenjve, sytë dhe mendja u drejtuan nga Shqipëria?”. Aty argumentova këtë për të cilën ju pyesni. Hebrenjtë e parë kanë ardhur në Shqipëri rreth viteve 70, pas një lufte 4-vjeçare të romakëve për të pushtuar Izraelin. Atëherë romakët morën disa anije me skllevër hebrenj, si shenjë e fitores. Një nga këto anije u përplas në bregdetin tonë të Jonit dhe mendohet që këta hebrenj të jenë vendosur në fshatin Fterrë. Aty ka shumë emra njerëzish dhe toponime me prejardhje hebraike.

-Ku bie fshati Fterrë?

Bie 10 km larg Sarandës. Nuk ishte e rastit, që në Sarandë pranë shtëpisë së Kulturës, është zbuluar një mozaik me një shandan hebre. Studimet arkeologjike nxorrën në dritë aty një Sinagogë dhe ajo i përket viteve 70 të erës sonë. Ndërsa në vitet 1490, kur filloi genocidi ndaj hebrenjve në Portugali dhe në Spanjë, një numër i madh prej tyre erdhën këtu, zbarkuan në Vlorë tek Triporti, që për fat të keq, sot është mbuluar me rërë dhe po ndërtohet TEC-i i famshëm. Pikërisht aty ku ka qenë qyteti më i zhvilluar në jug deri në shekullin V, që pastaj në luftrat iliro-romake, u shkatërrua. Kështu, hebrenjtë e parë u vendosën në Vlorë, Berat dhe Elbasan. Në shek. XVII ata u larguan. Ardhja e dytë e tyre ka qenë rreth vitit 1848. Erdhën këtu duke pasur një kujtesë për mikpritjen e shqiptarëve. Ardhja vazhdoi deri në vitet 30. Studimin e parë për hebrenjtë në Shqipëri e ka bërë konsulli amerikan Herman Bernshtein më 32-33. Dhe unë e kam shfrytëzuar.



-Shtegtimi i fundit i hebrenjve drejt Shqipërisë, ai që njihet më mirë, përkon me kohën e Mbretërisë. Çfarë qëndrimi mbajti Zogu ndaj tyre? A është e vërtetë se autoritetet vendase u lëshonin pasaporta false për ti maskuar?

Kur filloi genocidi nazist në 1933 në Gjermani me parrullën : “Çifutët po dekompozojnë kombin gjerman”, fillimisht ndaj tyre u morën masa administrative, u hoqën nga postet drejtuese në Ekonomi, Shkencë, Financë etj. Në këtë kohë, vëmendja drejtohet nga Shqipëria dhe Komisariati i Lartë për Refugjatët e Luftës dhe disa komunitete hebraike të Francës, Zvicrës etj. i propozojnë qeverisë Zogiste, që të investojnë 8000 franga ari për të bonifikuar Bunën dhe Drinin dhe për të vendosur aty disa qindra familje hebreje. U zhvilluan bisedime në rang diplomatik, u arrit gati në përfundim të marrëveshjes, mirëpo në këtë kohë, ndërhyn qeveria italiane, e cila donte të sillte kolonë italianë këtu. Dërgoi edhe ministrin e Ekonomisë, Orlando Krolën dhe kështu u pezullua nënshkrimi i marrëveshjes.
Nuk kemi pse ti atribuojmë mbretit Zog, një meritë që nuk e ka. Madje, ai e ka penguar ardhjen e tyre...

Denisa Kona tek G. Ballkan

No comments: