Janarin e kaluar u mbushën 90 vjet nga dita kur Ismail Qemali vdiq më 26 janar 1919 në mënyrë të papritur në qytetin Peruxha (Perugia) të Italisë. Vdekja e papritur e Plakut të Vlorës, ngjalli dyshime në opinionin publik shqiptar që ditët kur ai ndërroi jetë.
Vdekja
Kur mbaroi Lufta e Parë Botërore, më 11 nëntor 1918, Ismail Qemali ndodhej jashtë Shqipërisë. Ai ishte larguar nga Atdheu fill pasi më 22 janar 1913 dha dorëheqjen si kryetar i qeverisë së përkohshme shqiptare të krijuar nga Kuvendi Kombëtar i Vlorës më 28 Nëntor 1912. Ai qëndroi në mërgim edhe gjatë viteve të Luftës së Parë Botërore, për arsye se Shqipëria qe pushtuar prej fuqive ndërluftuese. Në mërgim ai qëndroi në vendet perëndimore. Gjatë luftës mbajti anën e Antantës. Megjithatë, në mbarim të luftës, ai u zemërua nga fuqitë e Antantës. Kjo, për arsye se më 1918-n, pa mbaruar ende lufta, u mor vesh se anëtaret e saj - Anglia, Franca, Rusia dhe Italia - kishin nënshkruar më 26 prill 1915 Traktatin e fshehtë të Londrës. Dihet se me këtë traktat ato merrnin përsipër se po ta fitonin luftën do ta copëtonin Shqipërinë duke e kënaqur Serbinë dhe Malin e Zi me një pjesë të viseve veriore, Greqinë me një pjesë të viseve jugore dhe juglindore, Italinë me qytetin e Vlorës së bashku me rrethinën e saj. Me pjesën që do të mbetej në Shqipërinë Qendrore do të formohej një principatë e vogël myslimane nën protektoratin e Italisë. Vetëkuptohet se me zbatimin e këtij traktati, vepra kryesore e Ismail Qemalit, Shqipëria e Pavarur, fshihej nga historia. Ismail Qemali
Vdekja
Kur mbaroi Lufta e Parë Botërore, më 11 nëntor 1918, Ismail Qemali ndodhej jashtë Shqipërisë. Ai ishte larguar nga Atdheu fill pasi më 22 janar 1913 dha dorëheqjen si kryetar i qeverisë së përkohshme shqiptare të krijuar nga Kuvendi Kombëtar i Vlorës më 28 Nëntor 1912. Ai qëndroi në mërgim edhe gjatë viteve të Luftës së Parë Botërore, për arsye se Shqipëria qe pushtuar prej fuqive ndërluftuese. Në mërgim ai qëndroi në vendet perëndimore. Gjatë luftës mbajti anën e Antantës. Megjithatë, në mbarim të luftës, ai u zemërua nga fuqitë e Antantës. Kjo, për arsye se më 1918-n, pa mbaruar ende lufta, u mor vesh se anëtaret e saj - Anglia, Franca, Rusia dhe Italia - kishin nënshkruar më 26 prill 1915 Traktatin e fshehtë të Londrës. Dihet se me këtë traktat ato merrnin përsipër se po ta fitonin luftën do ta copëtonin Shqipërinë duke e kënaqur Serbinë dhe Malin e Zi me një pjesë të viseve veriore, Greqinë me një pjesë të viseve jugore dhe juglindore, Italinë me qytetin e Vlorës së bashku me rrethinën e saj. Me pjesën që do të mbetej në Shqipërinë Qendrore do të formohej një principatë e vogël myslimane nën protektoratin e Italisë. Vetëkuptohet se me zbatimin e këtij traktati, vepra kryesore e Ismail Qemalit, Shqipëria e Pavarur, fshihej nga historia. Ismail Qemali
Nga fuqitë që fituan luftën, vetëm Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk e kishin nënshkruar Traktatin e Londrës, pra nuk ishin të detyruara për zbatimin e tij. Veç kësaj, nga nënshkruesit e traktatit Rusia, tani pas fitores së Revolucionit të Tetorit, kishte hequr dorë nga Traktati i Londrës. Kështu, çështja shqiptare tani varej kryesisht nga vullneti i Anglisë, Francës, Italisë, sidomos nga kjo e fundit, e cila përfitonte prej tij.
Në kohën kur Traktati i Londrës mbahej ende i fshehtë, Roma, me oreksin e saj për ta gllabëruar krejt Shqipërinë, kishte shpallur në Gjirokastër më 3 qershor 1917 një proklamatë me të cilën deklaronte se ajo do ta ruante pavarësinë dhe tërësinë tokësore të Shqipërisë, por nën protektoratin e Italisë. Me këtë projekt, Roma shpresonte të gjente mbështetjen e shqiptarëve, të cilët, sipas saj, përballë copëtimit të thellë të Atdheut, copëtim i barabartë me zhdukjen, do të mbështetnin protektoratin e Italisë.
Sapo në verën e vitit 1918 ranë në dijeni të Traktatit të fshehtë të Londrës, qarqet patriotike shqiptare u vunë në lëvizje. Në atë kohë, Ismail Qemali ndodhej në Spanjë. Aty kishte zënë miqësi të ngushtë me ambasadorin e ShBA-së. Në themel të miqësisë ishte simpatia që po tregonte ambasadori amerikan në Madrid për çështjen shqiptare. Meqenëse qarqet politike shqiptare, brenda dhe jashtë Shqipërisë po përgatiteshin të dërgonin delegacione në Paris, ku do të mblidhej Konferenca e Paqes edhe Ismail Qemali u vu në lëvizje. Për të siguruar një mandat përfaqësimi, Ismail Qemali u lidh me shoqërinë patriotike "Partia politike" e emigrantëve shqiptarë, e cila vepronte në ShBA, me qendër në Worcester, Massachussets dhe kishte për kryetar Kristo Dakon. Ajo nxirrte organin periodik "Koha", me drejtor Mihal Gramenon. "Partia politike" kishte ngritur një organizëm të veçantë me emrin "Komiteti për shpëtimin e Shqipërisë". Komiteti kryesohej nga Sevasti Qiriaz Dako, themeluesja e Shkollës Shqipe të vashave në Korçë, më 1892. Ajo ishte një intelektuale e rrallë nga radhët e gruas shqiptare, publiciste dhe aktiviste e palodhur e çështjes kombëtare. Gjatë luftës ajo drejtonte revistën patriotike kulturore "Ylli i mëngjesit".
Sapo u nënshkrua, më 11 nëntor 1918, armëpushimi, Ismail Qemali u nis për në Paris, ku do të mblidhej së afërmi Konferenca e Paqes. Por, qeveria franceze, e cila në atë kohë përkrahte qeverinë fantazmë të Esat Pashë Toptanit, përveçse e pengoi Ismail Qemalin të zhvillonte korrespondencë me "Partinë politike" në Amerikë, e detyroi atë të largohej nga Franca. Për më tepër, edhe ambasadori i ShBA-së në Paris nuk pranoi që korrespondencën midis tij dhe Sevasti Dakos në ShBA ta kalonte nëpërmjet postës së ambasadës amerikane. Atëherë, Ismail Qemali vrapoi në Madrid. Atje, korrespondenca midis Ismail Qemalit dhe Sevasti Dakos u zhvillua nëpërmjet mikut të tij, ambasadorit të ShBA-së. Midis akteve që Plaku i Vlorës i drejtoi zonjës Dako është dhe programi që Ismail Qemali do të mbronte në Konferencën e Paqes, në favor të çështjes shqiptare. Thelbi i saj parashihte pavarësinë e plotë të Shqipërisë. Synimi për pavarësinë e plotë të Shqipërisë binte në kundërshtim të plotë me programin që kishte përpunuar qeveria italiane, e cila sikurse u tha, përmbajtjen e Traktatit të Londrës përpiqej ta zëvendësonte me formulën e shpallur në Gjirokastër më 3 qershor 1917. Madje, qeveria e Romës kishte siguruar përkrahjen në favor të platformës së shpallur në Gjirokastër, të disa personaliteteve shqiptare, si Mehmet Konica, Myfit Libohova, Medi Frashëri, Feizi Alizoti, Mustafa Kruja e të tjerë. Madje, ata po përgatiteshin të krijonin një organ politik në Shqipëri, i cili të miratonte platformën e Romës - Shqipëri autonome nën mandatin italian, pa Vlorën dhe krahinën e saj.
Ismail Qemali ishte kategorikisht kundër synimeve italiane, të cilat binin në kundërshtim me veprën që ai kishte shpallur vetë më 28 Nëntor 1912, pavarësinë e plotë të Shqipërisë. Me pëlqimin e "Partisë politike", Ismail Qemali vendosi të ndërmerrte një udhëtim për në Romë. Qëllimin e udhëtimit na e thotë shkoqur drejtori i gazetës "Koha", Mihal Grameno, i cili shkruante më 12 dhjetor 1918: udhëtimi i Ismail Qemalit në Romë na gëzon shumë, pasi atje ai do të ketë mundësi t‘i parashtrojë qeverisë italiane dëshirat e kombit shqiptar dhe ta largojë synimin e Romës për një protektorat italian mbi Shqipërinë dhe ta bindë që Italia të përkrahë të drejtat e shqiptarëve duke e siguruar atë se kombi shqiptar do t‘i jetë asaj mirënjohës përjetë. Sikurse del nga përmbajtja e artikullit, luftëtari rilindës Mihal Grameno kishte besim vetëm tek Ismail Qemali, tek aftësitë e tij diplomatike, mbasi nga të tjerët, theksonte ai, deri atëherë kishin dëgjuar vetëm gjepura (Artikulli "Ç‘thotë Plaku i Shqipërisë", në "Koha", Boston, Mass., 12 dhjetor 1918).
Në Romë, Ismail Qemali nuk arriti kurrë. Kur hyri në Itali, Roma e njoftoi të qëndronte në qytetin Peruxha e të priste atje përgjigjen e kërkesës së tij. Ai bujti në hotelin "Brufani".
Ndërsa priste përgjigjen nga Roma, kundërshtarët e platformës së Ismail Qemalit, pra përkrahësit shqiptarë të platformës së Romës, e kritikuan ashpër misionin e tij. Me këtë rast, Mihal Grameno njoftonte, më 15 janar 1919, se Ismail Qemali në një letër që u kishte drejtuar krerëve të "Partisë politike", u thoshte ndër të tjera: "Lërini të tjerët me ëndrrat e tyre që të punojnë ashtu siç u pëlqen, për mbrojtjen e Shqipërisë dhe patriotët e vërtetë duhet sot që të mos humbasin asnjë sekondë për shpëtimin e së dashurës Shqipëri se koha është shumë kritike" ("Koha", Boston, Mass., 15 janar 1919).
Qartësia diplomatike e Ismail Qemalit detyroi krerët e federatës "Vatra" të hiqnin dorë nga kritikat e ashpra që kishin zhvilluar deri atëherë kundër Plakut të Vlorës dhe të pranonin se vetëm ai po ua "rrokulliste planet e bukura" miqve të Italisë.
Sidney Sonnino Vittorio Emauele Orlando
Nga Peruxha, Ismail Qemali i nisi një letër më 15 janar 1919 Kryeministrit italian V. E. Orlando, të cilin ndërsa e njoftonte se priste me padurim takimin me të, e lajmëronte se kishte përgatitur një parashtresë ose një punim, sikurse e quan ai, për ta paraqitur në Konferencën e Paqes në Paris, në emër të shoqërisë shqiptare të Amerikës. Parashtresën ia dorëzoi prefektit të Peruxhës për t‘ia përcjellë Romës. Sipas njoftimit që na jep Renzo Fallaschi, bashkëshorti i Nermin Vlora Fallaschi-t, kjo një stërmbesë nga vija amësore e Ismail Qemalit, letra arriti në Romë pas tri ditësh, mbrëmjen e 18 janarit dhe në kancelarinë e Kryeministrit mbërritja e saj u regjistrua të nesërmen, më 19 janar. Pikërisht atë ditë Kryeministri italian Orlando u nis së bashku me ministrin e Jashtëm, S. Sonnino, për në Paris për të marrë pjesë në Konferencën e Paqes.
Njëri nga djemtë e Ismail Qemalit ka deklaruar në ato ditë se qëndrimi i Romës e dëshpëroi shumë babanë e tyre. Për të mos e lënë në harresë misionin e tij, Ismail Qemali ftoi më 23 janar 1919 në hotelin "Brufani" ku kishte bujtur, korrespondentët e disa gazetave italiane që ndodheshin në Peruxha. Ismail Qemali, Luigj Gurakuqi dhe dy djemtë e Ismailit.
Sipas të birit, Et‘hemit, kur Ismail Qemali, pasi kishte ngrënë drekë doli para gazetarëve që po e prisnin, sapo filloi të fliste u zverdh dhe filloi të dridhej e të belbëzonte. Ali Asllani, kryetari i Bashkisë së Vlorës, tregon se Ethemi i kishte thënë që Ismail Qemali "kërkoi ta shoqëronin në banjë. Atje e mbyti shkuma e të vjellët". Pas tri ditë sëmundjeje ai vdiq më 26 janar 1919.
Vdekjen e tij e njoftoi, ndër të tjera, me një komunikatë të veçantë gazeta italiane "L‘Unione Liberale", organ i Partisë Liberale të Italisë, e qendrës së djathtë, me këto fjalë:
"Dje në mbrëmje, më 26 janar, në orën 23.30 pushoi së jetuari në hotel ‘Brufani‘ mysafiri i shquar i qytetit, Ismail Qemal Bej Vlora.
Ai përfaqësonte denjësisht një familje të madhe dhe të lashtë nga Vlora. Meqenëse ishte patriot i flaktë, mik i Italisë sonë, i frymëzuar nga parimet e lirisë dhe drejtësisë, shihej me sy të keq nga qeveria turke, e cila e kishte dënuar dhe detyruar të kërkonte shpëtim në mërgim.
Ishte 75 vjeç, ruante mendimin e kthjellët dhe fuqinë trupore, i palodhur në punë, sikur të ishte i ri dhe i përzemërt me të gjithë.
Hemorragjia cerebrale e goditi më 23 janar dhe si pasojë paralizimi. Për të përballuar sëmundjen nuk patën dobi as mjekimi më i kujdesshëm i mjekut që e kuroi, doktor Leone Pernossi dhe të konsulentëve, prof. Silvestrini dhe prof. Righetti dhe as prania e dhembshur e djemve, të cilëve po u dërgojmë me zemër të pikëlluar ngushëllimet tona".
Lajmërimi i gazetës "L‘Unione Liberale".
Kjo radhë ngjarjesh - ndalesa me urdhër qeveritar në Peruxha, refuzimi i takimit me të me ministrin e Jashtëm italian, veshin e shurdhër që bëri Kryeministri i Italisë Orlando, i cili nuk iu përgjigj po ose jo kërkesës së Ismail Qemalit, udhëtimi i tyre për në Paris pa e njoftuar diplomatin shqiptar, më në fund vdekja e tij e papritur, kur nuk ishte ankuar asnjëherë më parë për shqetësime shëndetësore - dhanë rast për të lindur dyshime se për t‘ia mbyllur gojën Plakut të Vlorës, e kishin helmuar. Këtë tezë, e cila më parë qarkullonte në heshtje, e shpalli publikisht Skënder Luarasi në biografinë që ai botoi për Ismail Qemalin në vitin 1962. Skënder Luarasi shkruan tekstualisht se kur I. Qemali mori vesh se edhe Kryeministri italian u largua për në Paris pa iu përgjigjur fare kërkesës së tij, u revoltua jashtë mase. "Më prenë në besë", paskësh thënë plaku i prekur thellë në sedrën e vet. Sipas Ismail Qemalit, urdhri për të pritur në Peruxha përgjigjen ishte një mashtrim. Megjithatë, vazhdon S. Luarasi, shkaku i vërtetë i vdekjes duhet të ketë qenë një dozë helmi e dhënë nga një dorë e fshehtë para konferencës së shtypit.
Tezën e helmimit të Ismail Qemalit nga organet e sigurimit italian e ka kundërshtuar diplomati italian Renzo Fallaschi, sikurse u tha, bashkëshorti i Nermin Vlora Fallaschi-t. Në jetëshkrimin që ai ka hartuar për Ismail Qemalin, si shtojcë në vëllimin e kujtimeve që ka diktuar vetë Plaku i Vlorës, ai pranon se shkaku i vdekjes së Ismail Qemalit ishte një hemorragji cerebrale e shkaktuar nga një vrull i furishëm zemërimi, i krijuar tek ai nga njohja e papritur e një lajmi, që ai kishte qenë viktimë e një mashtrimi të rëndë. Mbetet të zbulohet - vazhdon ai - se cili ishte shkaku i emocionit që e shpërtheu zemërimin e tij e që sigurisht lidhet me thirrjen përbuzëse për "njerëzit e pabesë". Por - vazhdon R. Fallaschi - rrethanat e përjashtojnë që Ismail Qemali t‘i drejtohej për pabesi Orlandos. Sipas tij, mungesa e përgjigjes nga Orlandoja nuk mund të ishte arsyeja e zemërimit të Plakut të Vlorës, mbasi dihej se Kryeministri italian do të shkonte në Paris, pra nuk kishte kohë të takohej me të. Ai shton se edhe ministri i Jashtëm italian, Sonnino, nuk kishte mundësi t‘i përgjigjej, pasi edhe ai u nis për në Paris për përgatitjen e Konferencës së Paqes. Si rrjedhim - përfundon ai - shkaku i zemërimit të thellë duhej kërkuar gjetkë. Me këtë rast, ai supozon se revoltimi mund të jetë shkaktuar, ngase Ismail Qemali mund të ketë zbuluar këtë pabesi të re nga po ata kundërshtarë të vjetër. Renzo Fallaschi shkruan tekstualisht: Ismail Qemali mund të ketë zbuluar një pabesi të re nga kundërshtarët e tij të vjetër, gjë që zemra e tij fisnike të mos e ketë përballuar dot.
Raporti i vdekjes së Ismail Qemalit
Për kundërshtarët e vjetër të Plakut të Vlorës, ndoshta R. Fallaschi e ka fjalën për personalitetet shqiptare, të cilat shkaktuan më 1913-n dorëheqjen e Ismail Qemalit si kryetar i qeverisë së parë të Shqipërisë dhe që tani ishin miq të Italisë.
Që atëherë kanë kaluar 90 vjet. Përveç S. Luarasit dhe R. Fallaschi-t, me shkaqet e vdekjes së tij nuk është marrë më njeri. Ne, sigurisht, nuk jemi në gjendje të merremi me të. Për ne, më tepër se dyshimet e të parit dhe hamendjet e të dytit, hëpërhë mbetet për t‘u marrë në konsideratë raporti mjekësor i hartuar nga profesorët e spitalit të Peruxhas, në të cilin mbi vdekjen e Ismail Qemalit flitet thjesht për hemorragji cerebrale.
Mbi varrimin e parë
Ismail Qemali vdiq në një kohë kur në Shqipëri, për shkak të okupacioneve të huaja, nuk ekzistonte shtypi i lirë shqiptar. Nuk ka dyshim se vdekja e tij shkaktoi një dhimbje të përgjithshme në mbarë bashkatdhetarët. Këtë e dëshmojnë pak organe shtypi që botoheshin atë vit, ndonjëra në Shqipëri e të tjerat jashtë.
Nikolla Ivanaj në gazetën "Koha e Re", që nxirrte në Shkodër, kur qyteti ndodhej nën pushtimin ushtarak frëng, shkruante pesë ditë pas vdekjes së Ismail Qemalit, më 31 janar 1919: "Na mbërriti lajmi i zi si korbi, i ftohtë si akulli e i mprehtë si shpata e mejdanit: Vdiq Ismail Qemali i Vlorës." Më tej: "Historia e Shqipërisë së re, në kohën e vet do të flasë më gjerë e gjatë për këtë burrë të shkëlqyeshëm të atdheut tonë." N. Ivanaj e mbyllte fjalën e tij: "Ne, sot i lutemi shpirtit të tij që të na ndihmojë në këtë kohë të vështirë e kritike, ku na lypej ende trupi e mendja e tij, më tepër se kurrë deri sot."
Gazeta "Kuvendi", organ që dilte një herë në javë në Romë, nën drejtimin e Sotir Gjikës, në shqip e italisht, njoftonte më 8 shkurt 1919, vdekjen e Ismail Qemalit, me këto fjalë:
"Më 26 të janarit 1919, në hotel Brufani të qytetit Perugia (Itali), vdiq në duart e të bijve, Etem e Qazim, Ismail Qemal Bej Vlora, ish-kryetar i Qeverisë së Përkohshme të Shqipërisë e tani përfaqësues në Europë i ‘Partisë Politike‘".
Shumësia e lëndës nuk na jep leje sot të merremi gjatë me biografinë e burrit të shtetit shqiptar. Padyshim, Ismail Qemali do të zërë një faqe të gjerë në historinë e Përlindjes shqiptare, se veçanërisht i shquar është roli që luajti ky burrë me mendje të madhe i farës sonë.
Ai pati fatin të ngrejë në Vlorë më 28 Nëntor 1912 flamurin e mëvetësisë shqiptare, ngjarje që e bëri të mbetet fytyrë historike, meritë të cilën nuk do t‘ia hedhin dot poshtë as kundërshtarët e tij më të rreptë.
Kuvendi merr pjesë në këtë zi kombëtare e i dërgon së fort të helmuarës familje të ndjesëpastit ngushëllime të përzemërta.
Qeveria italiane bëri, nga ana e saj, fort fisnikërisht, ç‘duhej për ta shpënë trupin e Ismail Qemalit në Vlorë".
Mihal Grameno, në një artikull me titull "Humbja e Ismail Qemalit", botuar më 12 mars 1919, në gazetën e tij "Koha" (Boston, Mass.), shkruante ndër të tjera:
"Si vetëtima u përhap lajmi i hidhur për humbjen e Plakut të Shqipërisë, Ismail Qemalit, jo vetëm në Shqipëri, por në të gjithë anët e botës.
Ky lajm ishte si rrufeja edhe një nga më të mëdhatë goditje për kombin shqiptar, se humbi burrin më të madh që kishte nxjerrë, pas Skënderbeut, Shqipëria. Humbi diplomatin e madh e të famshëm, humbi shtyllën e çelniktë të programit kombëtar, humbi Atin e kombit, i cili e shpëtoi nga rreziku, humbi luanin që dërrmoi zinxhirët e robërisë dhe që ngriti flamurin e Skënderbeut e shpalli vetëqeverimin e Shqipërisë.
Jemi shumë të vegjël edhe fuqia jonë është e dobët që të mund të përshkruajmë veprat e larta dhe të shenjta që ka sjellë Plaku i pavdekur, përmbi altarin e atdheut."
Luftëtari rilindës përvijon në artikullin e tij këtë portret njerëzor për Plakun e Vlorës: "Tek Ismail Qemali përmblidheshin gjithë virtytet e mira, të cilat mund të gjenden në botë." (Gazeta "Koha", Boston, Mass., 12 mars 1919).
Për të treguar se kishte respekt ndaj Ismail Qemalit, qeveria e Romës mori përsipër ta zhvillonte varrimin e Plakut të Vlorës me ceremoni zyrtare dhe me shpenzimet e veta. Ajo iu përgjigj menjëherë ftesës së Bashkisë së Vlorës për ta përcjellë trupin e Ismail Qemalit për në qytetin e tij të lindjes, në Vlorë. Varrimi i burrit të shquar në Vlorë, që konsiderohej si Ati i Pavarësisë së Shqipërisë, përveç rëndësisë politike përmbante me vete edhe probleme politike. Vlora ndodhej nën pushtimin ushtarak italian. Veç kësaj, Roma e ndiente veten të sigurt, se me vendimin që do të merrte Konferenca e Paqes që po zhvillohej në Paris do ta aneksonte, në bazë të Traktatit të Londrës, qytetin e Vlorës së bashku me rrethinën e saj. Pasi ta aneksonte, ajo mendonte ta përfshinte krahinën e Vlorës në provincën italiane të Puljes. Por, në Vlorë ekzistonte një frymë e theksuar patriotike për rezistencë kundër synimeve italiane. Sikurse pohon një dëshmitar i kohës, Sali Hallkokondi, në një punim të botuar në vitin 1923, komanda italiane e pushtimit e kishte ndaluar që më 17 maj 1916 përdorimin e flamurit shqiptar në Vlorë, kurse më 20 gusht 1916 e kishte nxjerrë jashtë ligjit (Sali Hallkokondi, "Historia e Shqipërisë së Re", Vlorë 1923, fq. 241).
Dy muaj para vdekjes së Ismail Qemalit, më 28 Nëntor 1918, në përvjetorin e shpalljes së pavarësisë Kombëtare, në Vlorë shpërtheu një demonstratë patriotike, gjatë së cilës Avni Rustemi dhe Bajram Hallkoja në fjalimet që mbajtën dënuan synimet imperialiste të Romës ndaj Vlorës (Sali Hallkokondi, "Historia e Shqipërisë së Re", Vlorë 1923, fq. 241-242). Si pasojë e kësaj demonstrate, me dhjetëra qytetarë qenë burgosur dhe jo pak figura të shquara ishin internuar në ishullin e Sazanit. Në mënyrë të veçantë, komanda e trup-ekspeditës ushtarake italiane në Vlorë me në krye gjeneralin Settimio Piacentini druheshin se ardhja e arkivolit me trupin e Ismail Qemalit në Vlorë do të shërbente si shkëndijë për manifestime të reja patriotike. Si rrjedhim, ajo tregonte shumë kujdes në organizimin e procesionit të varrimit të trupit të Ismail Qemalit në vendlindje dhe në qytetin ku ai kishte shpallur pavarësinë e Shqipërisë. Këshilli bashkiak i qytetit, ku mbisundonin patriotët, propozoi që varri i Ismail Qemalit të vendosej në sheshin qendror të qytetit, pranë selisë ku ishte shpallur më 28 Nëntor 1912 Pavarësia Kombëtare e Shqipërisë. Por, komanda ushtarake italiane, duke u kapur pas projektit ende në studim të rregullimit të sheshit qendror të qytetit, nguli këmbë që trupi të vendosej në kalanë e Kaninës, të paktën përkohësisht, aty ku qenë vendosur stërgjyshërit e Ismail Qemalit, pinjollët e familjes Sinanaj apo të Sinanpashallarëve, gjatë shekujve të kaluar. Madje, ajo vetë mori përsipër organizimin e ceremonisë së varrimit, por vuri si kusht që gjatë procesionit të mos shpalosej asnjë flamur kombëtar shqiptar dhe të mos kishte shpërthime patriotike. Ajo kërkoi gjithashtu të censuronte dhe fjalimet e përmortshme që do të mbaheshin. Pas disa debatesh u arrit marrëveshja e komandës italiane me këshillin bashkiak shqiptar, që gjatë kortezhit vetëm arkivoli të ishte i mbuluar me flamurin shqiptar. Kryesia e bashkisë, nga ana e saj, me qëllim që t‘i kryente homazh të madh birit të shquar të Vlorës dhe të Shqipërisë, një homazh të madh pa incidente, të cilat mund të prishnin varrimin, u lëshoi një thirrje qytetarëve dhe fshatarëve të zonës së okupuar që të merrnin pjesë në varrim jo me flamurin kombëtar në dorë, por ta nderonin në heshtje patriotin e madh me praninë e tyre sa më të shumtë gjatë ceremonisë së varrimit.
Në të vërtetë, kështu ndodhi. Nga Peruxha, trupi i pajetë i Ismail Qemalit, i cili fill pas vdekjes u balsamos, i shoqëruar nga djemtë e tij, u nis drejt Brindisit. Aty u vendos mbi luftanijen italiane "Alpino" dhe arriti në Vlorë në mbrëmjen e 10 shkurtit 1919. Atë natë arkivoli u vendos në komandën ushtarake italiane që ndodhej në skelë. Aty qëndroi dy ditë.
Ceremonia e varrimit u krye dy ditë më pas, ditën e mërkurë më 12 shkurt 1919. Përcjellja e trupit nga skela filloi në orën 10.00 paradite. Aty qenë të grumbulluar gjithë popullsia e Vlorës, si edhe reparte ushtarake italiane me bandën e tyre muzikore. Kortezhin e prinin 12 kurora lulesh të dërguara nga populli i Vlorës, organet e qarkut e të krahinës së Vlorës, shkollat fillore të qytetit, qyteti i Fierit, shoqëria "Djelmoshat e Vlorës". Një nga kurorat ishte e gazetës "Kuvendi", në të cilën thuhej: "Ismail Qemal Vlorës! Diplomatit të vlerët". Edhe në këtë formulim shihej censura italiane, e cila lejonte që Ismail Qemali të nderohej jo si patriot, as si Ati i Pavarësisë së Shqipërisë, por si "diplomat i vlerët".
Kur kortezhi u nis nga skela për në qytet, në krye qëndronin anëtarët e shoqërisë "Djelmoshat e Vlorës", që mbanin kurorat. Pas kurorave vinin anëtarë të tjerë të "Shoqërisë djaloshare". Pas tyre vinte banda ushtarake, e cila ekzekutonte melodinë e përmortshme "Jone" të kompozitorit italian Petrella. Më tutje, një grup ushtarësh të regjimentit të 86, si dhe një repart italian mitraljerësh. Pas tyre vinte karroca që mbante arkivolin e mbështjellë me flamurin kombëtar. Karrocën e tërhiqnin gjashtë kuaj të murrmë. Anës karrocës ecnin dy rreshta ushtarësh. Më pas vinin hoxhallarët. Pas tyre tre djemtë e Ismail Qemalit. Pastaj vinte gjenerali Settimio Piacentini, kundëradmirali Lubetti, autoritetet ushtarake e civile të krahinës, parësia e qytetit dhe e qarkut, qytetarët, nxënësit e shkollave fillore të qytetit dhe një tufë ushtarësh kalorësie.
Duke ecur me hap të ngadalshëm, kortezhi i përmortshëm arriti në qytet. Atë ditë, thotë korrespondenti i gazetës "Kuvendi", Vlora ishte në zi. Tregu ishte mbyllur. Në dyqane qenë ngjitur letra nekrologjie me rrip të zi anash, ku ishte shkruar: "Zi kombëtare për të madhin patriot Ismail Qemalin." Duket se flamurin kombëtar të ndaluar nga komanda e pushtimit, qytetarët vlonjatë e zëvendësuan me nderimin nëpërmjet shpalljeve nekrologjike për Ismail Qemalin, "patriotin e madh".
Nëpër dyert dhe dritaret e shtëpive, shkruante korrespondenti, kishin dalë gra dhe vajza, për të nderuar "Plakun e Shqipërisë", disa nga të cilat e kishin njohur në rini. Kur arriti në tregun e qytetit kortezhi u ndal. Aty u mbajtën dy fjalime të përmortshme. Mbi ceremoninë e varrimit kemi dy burime historike - një nga autoritetet ushtarake italiane të pushtimit, tjetrën nga kujtime qytetarësh vlonjatë të atyre kohëve.
Në lidhje me këtë ceremoni, gjenerali S. Piacentini i raportonte Ministrisë së Jashtme të Romës po atë mbrëmje: se anija luftarake "Alpino" arriti në skelë mbrëmjen e ditës së hënë më 10 shkurt 1919; se më 12 shkurt ora 10.00 paradite u krye ceremonia e varrimit; se arkivoli me trupin e Ismail Qemalit u nis nga skela në orën 10.00 paradite; se sipas programit të parashikuar, mori pjesë batalioni i këmbësorisë së ushtrisë italiane me muzikë e flamuj.
Ai nënvizonte se nuk pati "asnjë flamur shqiptar, përveç atij që mbulonte arkivolin. U mbajtën dy fjalime nga paria shqiptare, të cilat, theksonte gjenerali italian, më ishin bërë të njohura më parë (sigurisht për t‘i censuruar - F. B.). Pjesëmarrja ishte e madhe. Rregulli qe maksimal. Nuk pati asnjë incident."
Autori R. Fallaschi, i cili ka botuar relacionin e S. Piacentini-t, shënon nga ana e vet se "mbushesh me hidhërim mbi varrimin e Ismail Qemalit, kur mendon se në qytetin e tij të lindjes, ku vetëm gjashtë vjet më parë patrioti i madh shpalli pavarësinë e Shqipërisë me entuziazmin e kombit dhe me pëlqimin e Italisë, tani ai nderohej jo nga ushtarë të vendit të tij, por nga trupat ushtarake italiane e që i vetmi flamur shqiptar i pranishëm ishte ai që mbulonte arkivolin e tij." Pjesë nga ditari i komandës italiane në Vlorë.
Edhe pse mungonte aty ushtria shqiptare, në orën e varrimit tërë popullsia e qytetit dhe e rrethit qe rreshtuar anës rrugës nga skela në Kaninë nga do të kalonte arkivoli, ndërsa fshatarët mbushën dhe kodrat. Sipas dëshmitarëve nga mizëria e fshatarëve kodrat dukeshin si koshere bletësh.
Gjenerali italian nuk na thotë se cilët qenë dy personalitetet që mbajtën fjalimet e përmortshme në tregun e qytetit. Emrat e tyre i njofton korrespondenti i gazetës "Kuvendi". Ata qenë Jani Minga dhe Qazim Kokoshi, dy delegatë që kishin marrë pjesë bashkë me Ismail Qemalin si përfaqësues të Vlorës në Kuvendin Historik që shpalli Pavarësinë Kombëtare, më 28 Nëntor 1912. Madje, ai na jep edhe fjalimet e tyre.
Vlorë, 12 shkurt 1919. Pamje nga ceremonia e varrimit të Ismail Qemalit.
Jani Minga tha ndër të tjera: "Popull i përzishëm!
Shumë të brengosur dhe shumë të vrenjtur të shoh sot. Jani Minga
Vallë ç‘gjëmë e tmerrshme të ka ngjarë e ç‘mandatë të zezë ke dëgjuar? Pyes me pikëllim shpirti. Pyes me zemër të dridhur. Po mjerisht kudo ku rrotulloj sytë, kudo ku mbaj veshët një zë përgjigjet për çdo anë, nga çdo fytyrë e venitur dhe e shkëmbyer e juaja del një zë i helmueshëm dhe i shëmtuar dëgjohet "Vdiq Ismail Qemali! Vdiq Plaku i Vlorës! Plaku i Shqipërisë!" Heu! Thuaj më mirë o i mjerë popull "vdiq burri më i madh i Shqipërisë, luftëtari më i fortë i mendjes, i ndjenjave dhe i mendimeve kombëtare, vdiq mburoja më e fortë dhe më e madhe e kombit, vdiq politikani ynë më i madh dhe diplomati ynë më i dëgjueshëm në fushë të politikës e të diplomacisë europiane."
Nga fjala që mbajti Qazim Kokoshi përpara trupit të Ismail Qemalit, shkëputim këto rreshta: "Helmi dhe dëshpërimi që goditi gjithë bashkatdhetarët nga kjo gjëmë ishin aq të mëdha sa na pëlqente në ditën e shpalljes së pavarësisë Kombëtare,
që të mos ta besonim, donim të shpresonim që lajmi të mos ishte i vërtetë dhe Ismail Qemali të mos kishte vdekur që kësisoj ai me gjalljen e tij të mund të kryente plotësisht qëllimin e shenjtë që kishte filluar që në kohën e djalërisë dhe për të cilin kishte marrë në sy pësimet e mërgimin me shumë rreziqe, me shumë rruajtje e të këqija. Qazim Kokoshi. Por, mjerisht, këto shpresa nuk u vërtetuan pse thonjtë e tmerruar të vdekjes e rrëmbyen Ismail Qemalin. Një e tillë humbje, sidomos në një kohë kur atdheu i tij priste shërbimin më të madh, priste nga fuqia e mendjes së tij kurorëzimin e të drejtave dhe të dëshirave kombëtare, një e tillë mynxyrë, në një kohë të tillë, kur fati i të gjorit komb shqiptar është duke u shqyer përjetë, na duket se e shton helmin e dëshpërimin tonë më shumë se çdo herë."
Qazim Kokoshi e mbylli fjalën e tij kështu: "Ismail bej!
Të përunjemi dhe të sigurojmë që Shqipëria, ndonëse e vogël, e varfër dhe e paditur, të çmon dhe kujtimin tënd do ta ketë si rrënjë të idealit të saj."
Pas fjalimit të tyre, ushtria italiane i bëri nderimin e fundit Ismail Qemalit, duke ekzekutuar himnin mbretëror, sigurisht të Italisë. Që këtej reparti i kalorësisë italiane së bashku me të parët e fesë, parësinë e qytetit e një masë e madhe qytetarësh vlonjatë e shoqëruan arkivolin drejt e në Kaninë, ku u varros. Në këtë mënyrë mori fund dhe ceremonia e varrimit.
Fatjon Balliu, Shqip
Vijon ...
No comments:
Post a Comment