Monday, November 23, 2009

“Ekonomia e vendit ka arritur nivelin kritik, kriza na ka dobësuar”

Banka e Shqipërisë ka dhënë alarmin se ekonomia e vendit ndodhet në një situatë kritike, pavarësisht masave të herë pas hershme që janë marrë si nga qeveria ashtu dhe nga vet Institucioni Bankar Qendror.

Këtë lajm e ka dhënë disa ditë më parë vet kreu i BSH-së, Guvernatori Ardian Fullani, i cili ka qenë i pranishëm në forumin e 6-të Ekonomik të Vjenës, ku ka dhënë opinionet e veta dhe masat që ka marrë institucioni më i lartë mbikëqyrës në vend për të përballuar efektet e krizës në Shqipëri. Deklarata e Fullnit ka ardhur në një kohë kur situata jo vetëm në tregun bankar shqiptar por në të gjithë ekonominë e vendit po precipiton me shpejtësi. Për herë të parë BSH-ja po vëren se si portofoli i kredive me probleme po i afrohet kufirit maksimal prej 10 për qindësh. Po ashtu BSH-ja nuk po arin të zhbllokojë as situatën e vështirë të moskreditimit të ekonomisë vendase nga bankat private, si dhe nuk po frenon dot nga ana tjetër as rënien e shpejtë të vlerës së monedhës vendase përballë valutave të huaja. Fullani ka informuar gjatë këtij forumi ndërkombëtar se BSH-ja ka arritur të furnizojë tregun me sasinë e nevojshme të likuiditetit gjatë periudhës së krizës, por sërish rezultatet kanë qenë jo pozitive. Gjithsesi, sipas tij, duke konsideruar pamundësinë e Bankës Qendrore Evropiane, për të shërbyer si ofrues likuiditeti, hapësirat që ka pasur në dispozicion BSH-ja në kuadrin e aspektit ligjor e rregullativ aktual janë ezauruar gjithmonë nga këndvështrimi i likuiditetit.



Deklarata

“Do të thosha kemi arritur një nivel kritik, poshtë të cilit nuk ka më hapësirë për veprim. Kriza nxori në evidencë shumë nga ‘defektet’ e përafrimit të shpejtë apo siç njihet ndryshe ‘catching up process’. Analiza duhet të shkojë më tej sesa pranimi i marrë si i mirëqenë i këtij procesi”, - tha në fjalën e tij Guvernatori Fullani.

Sipas tij, BSH-ja, në mënyrë të ngjashme me BQE-në dhe bankat e rajonit, ka arritur të furnizojmë tregun me likuiditet të bollshëm, duke kombinuar një shumëllojshmëri instrumentesh dhe taktikash operacionale. “Kuptohet, që më të lehtë e kemi me likuiditetin në monedhë kombëtare. Ndërkohë, që për atë në monedhë të huaj, të paktën në rastin e BSH-së, në asnjë rast nuk kemi menduar që të marrim rolin e burimit të fundit të financimit të sistemit bankar me mjete financiare valutore”, - tha Fullani. BSH-ja e gjykoi të domosdoshme monitorimin e situatës, duke ndërmarrë një sërë veprimesh që zbutën trysninë mbi sistemin bankar. Fullani nënvizoi krijimin e një grupi “task-force” për ndjekjen ditore të situatës për çdo bankë të veçantë. “Konkluzioni ynë ishte se analiza duhej të zbriste në nivel mikro, në çdo qelizë të sistemit dhe në çdo tregues të veçantë. U adoptuan një sërë lehtësirash për furnizimin pa ndërprerje të sistemit me likuiditetin e duhur. U ndryshua tipi i ankandit kryesor të injektimit në ankand me çmim fiks, u zgjerua baza e kolateralit për marrëveshjet repo, u rrit norma e përdorimit të rezervës së detyruar nga 20 në 40 për qind dhe u zvogëlua diferenca midis normës bazë të interesit të BSH-së dhe kredisë njëditore, nga 175 pikë në 75 pikë”, - tha Fullani. Kësaj i shërbeu edhe kërkesa për rritjen e kapitalizimit të veprimtarisë bankare, si një garanci më shumë për shëndetin financiar.

Situata e lekut

Ekspertët thonë se në rast se Banka e Shqipërisë e tërheq stimulin monetar të dhënë gjatë këtij viti dhe nuk e rrit blerjen e borxhit të qeverisë, atëherë ka gjasa që leku të forcohet gjatë muajve të ardhshëm. Por kërkesa e qeverisë për borxhe në këtë pikë merr një rol vendimtar. Vetë qeveria ka dhënë pak shpresa në këtë drejtim. Në tetor, sasia e borxhit publik të blerë nga BSH u rrit më tej dhe Ministria e Financave njoftoi se për vitin e ardhshëm ka ndër mend të kërkojë një sasi të konsiderueshme borxhi të ri për të financuar shpenzimet e buxhetit. Qeveria bëri të ditur se mund t‘i drejtohet tregut ndërkombëtar për borxhe, në rast se tregu i brendshëm nuk ka likuiditete ta blejë të gjithë shumën. Vlera e lekut përballë valutave është përcaktuar në mënyrë domethënëse gjatë dekadës së fundit nga politikat monetare e fiskale. Leku filloi të forcohej ndjeshëm që nga viti 2003 e më pas kryesisht si pasojë e një politike të shtrënguar monetare. Vlera e lekut arriti kulmin në vitin 2008.

BSH: Depozitat bankare rikthehen në nivelin e tetorit 2008

Rikthehen në nivelin e një viti më parë depozitat bankare. Sipas buletinit statistikor të publikuar prej Bankës së Shqipërisë, në fund të shtatorit në bankat që operojnë në vendin tonë ishin 641.1 miliardë lekë depozita, në monedhën vendase apo në valutë të huaj. Kjo është e njëjta shifër, saktësisht me atë të totalit të depozitave në muajin tetor 2008. Prirja e shqiptarëve për të tërhequr paratë e depozituara, filluar në shtator-tetor të vitit të kaluar, shënoi kulmin e saj rënës në mars të vitit në vazhdim, kur totali arriti në 604 miliardë lekë. Gradualisht, pas këtij muaji duket se është rikthyer besimi i ndrojtur në institucionet bankare, për të arritur në 611 miliardë lekë depozita në korrik, 637 miliardë në gusht, e për të shkuar në mbi 640 miliardë lekë në fund të shtatorit. Në rikthimin e depozitave ndikoi edhe rritja e shumës së garantuar nga shteti. Pas miratimit të një ligji lidhur me rritjen e nivelit të garantimit të depozitave bankare, shqiptarët mund të jenë më të qetë lidhur me paratë që depozitojnë në banka. Kjo, pasi ky ligj ka detyruar tani rritjen në 25.000 euro, ose ekuivalentin e saj në lekë apo valuta të tjera të kufirit të shumës, që garantohet nga shteti shqiptar në rast falimentimi të një banke të nivelit të dytë. Ligji ishte një kundërmasë si pasojë e "hemorragjisë" së depozitave. Një tërheqje e depozitave në masën rreth 240 milionë euro, ndodhi vjet në muajt tetor e nëntor, kur u përhapën njoftimet e para se kriza globale kishte filluar pikërisht në sektorin bankar. Por, gjatë muajve të parë të vitit 2009, ndonëse frika nuk u eliminua asnjëherë, tregu është qetësuar dhe një pjesë e parave të tërhequra është rihedhur në depozitat bankare.

Referenca për produktet e importit rrit çmimin e ushqimeve

Çmimet e referencës për shumicën e produkteve bujqësore të importit janë më të larta sesa çmimet e blerjes. Tregtarët importues thonë se në doganë nuk u njihen faturat me çmimet reale të blerjes, edhe pse këto veprime i kryejnë nëpërmjet bankave. Vendosja e çmimeve të referencës rrit gati dyfish a më shumë vlerën e produkteve që zhdoganohen, gjë që pasqyrohet direkt në treg. Sipas tregtarëve, praktika e ndjekur nga qeveria për rritje të çmimit të referencave, me qëllim mbrojtjen e prodhimit vendas, nuk ka pse të kalojë në kurriz të importuesve. Një shembull konkret është çmimi i referencës për rrushin. Në një kohë kur në treg nuk ka më prodhim vendas, çmimi i referencës për këtë produkt vazhdon të jetë i njëjtë me atë të muajit korrik 1,015 euro. Importuesit i kërkojnë qeverisë të ndërhyjë dhe të përcaktojë çmime reale të përcaktuara dhe sipas sezoneve për produktet bujqësore. Një tjetër problem që sipas importuesve u hapet në dogana në momentin e zhdoganimit, është kontrollimi i mallit duke e zbritur të gjithin jashtë kamionëve, pa pasur kushtet e nevojshme frigoriferike për magazinim, duke sjellë kështu dëmtim të cilësisë.

Reaksioni: Aksioni blic, Tatimet u vendosin 400 milionë lekë gjoba karburanteve.

Një aksion i Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve ka përfshirë pothuajse gjithë kompanitë e karburanteve që tregtojnë me shumicë në rang vendi. Bëhet fjalë për verifikimin e aktivitetit në përputhje me legjislacionin tatimor, nga ku rezulton se pjesa dërrmuese nuk kishin respektuar udhëzimet e lëshuara nga Ministria e Financave. Masa e gjobave që u është vendosur shumë subjekteve i ka kaluar të 400 milionë lekët ose rreth 5 milionë dollarë, ndërsa mësohet se janë mbyllur dhe 15 pika të shitjes së karburantit me pakicë. Aksioni për verifikimin e zbatimit të udhëzimit për shitjen e naftës me çmimin e shumicës, sikurse e kërkoi ministri Ridvan Bode, duket se nuk është respektuar nga të gjitha subjektet. Megjithatë, këta të fundit pretendojnë se përgjegjësia bie mbi pikat e pakicës, të cilat nuk kanë zbatuar siç duhet kontratat. Goditja më e madhe është lëshuar ndaj grosistëve, të cilët duhet të lidhnin kontratat me shitësit e vegjël në funksion të kontrollit të çmimit. Ministria e Financave miratoi vitin e kaluar disa udhëzime rresht, që përcaktonin në thelb kontrollin e çmimit që nga importuesi. Pra, vetë kompanitë “sh.a.” (shumica) duhet të binin në konsensus me “sh.p.k.”-të (pakicën) në vendosjen e çmimit. Ndarja e fitimit mes tyre do të bëhej në varësi të komisionit, kurse qeveria do ta kishte më kollaj t‘i vilte të ardhurat që tek importuesit.

Ervin Koçi, G. Albania

No comments: