Edhe një sy jo fort i vëmendshëm nuk do të hiqte shumë për të vënë re, se debati publik në Shqipëri vuan më së pari e më së shumti nga fakti, që njerëzit, në vend të ballafaqojnë idetë e tyre, merren me njëri-tjetrin.
Numërohen me gishta ata që dinë e që duan të fokusohen tek tezat e hedhura, apo tek qëndrimet e mbajtura. Të tjerët merren me autorët, bëjnë biografira, gjurmojnë njolla të mundshme në të shkuarën dhe interesa të supozuara në të sotmen, interpretojnë lidhje e kontakte humane të dyshimta, etj, etj, Dhe nuk është se kjo është qasja e njerëzve të sërës së dytë, të tretë apo të katërt në skenën publike; përkundrazi, është ajka e kulturës, ajka e gazetarisë, ajka e politikës, etj, etj, që sillet në të njëjtën mënyrë.
Numërohen me gishta ata që dinë e që duan të fokusohen tek tezat e hedhura, apo tek qëndrimet e mbajtura. Të tjerët merren me autorët, bëjnë biografira, gjurmojnë njolla të mundshme në të shkuarën dhe interesa të supozuara në të sotmen, interpretojnë lidhje e kontakte humane të dyshimta, etj, etj, Dhe nuk është se kjo është qasja e njerëzve të sërës së dytë, të tretë apo të katërt në skenën publike; përkundrazi, është ajka e kulturës, ajka e gazetarisë, ajka e politikës, etj, etj, që sillet në të njëjtën mënyrë.
E mbani mend diatribën që I.Kadare e R.Qose i rezervuan sho-shoqit para nja dy vitesh?
Debati midis tyre, edhe pse e barti që ç’ke me të farën e një ballafaqimi serioz idesh midis dy personalitetesh, degjeneroi më në fund në një kacafytje të paprinciptë midis dy personash. Ka qënë ajo hera, kur personalisht zura ta shoh sëmundjen në fjalë, jo si një sëmundje endemike të përhapur tek-tuk në shoqërinë shqiptare (në faqet e të përditshmeve apo në forumet virtuale, ku bëhet nami me sharje, fyerje, shpifje,anatemime), por si një patologji të kulturës sonë.
Është për të ardhur keq, apo jo?
E megjithatë, Kadare e Qose, ngaqë shkruajnë rrallë në shtypin e përditshëm, e ngaqë shkrimet polemike i kanë edhe më të rralla, nuk mund të shihen si krijuesit e nxitësit e dukurisë së përbaltjes. Këta të fundit duhet t’i kërkojmë tek ata që janë aktorë të ditëpërditshëm në jetën publike shqiptare, dmth tek gazetarët, publicistët, polemistët, politikanët, etj, të cilët bëjnë e kushtëzojnë mean-stream-in kulturor në Shqipërinë e ditëve të sotme. Dhe në këtë pikë ka shumë gjëra për të thënë.
Deri dhe Artan Fuga, i cili është një nga penat më të shtruara e më të kujdesshme të këtij vendi, s’e pati për gjë nja tre vjet më parë, në një polemikë që bënte me mua, të nënvizonte një ciflosje timen që, edhe sikur të ish e dokumentuar, s’kish të bënte fare me çështjen, për të cilën debatonim. Ishte një gjepur, prapëseprapë (Bënte fjalë për një gjoja varësi timen prej Fatos Nanos!?!? Në fakt, sendërgjia e varësisë time prej Edi Ramës në ditët e sotme edhe mund të kapet në një degë, në atë të rrështimit tim të hapur elektoral në favor të PS-së, por ajo e Fugës s’kish asnjë degë ku të kapej). Nuk i jam kthyer asnjëherë asaj polemike as në bisedat me Fugën. E kam marrë për një caduta di stile. Dhe ka shumë gjasa që të jetë kështu, pasi, siç e thashë, Fuga duket se është nga ata që hedhin ide, e jo nga ata që pickojnë njerëz.
Mero Baze është bartësi par excellence i kësaj sëmundjeje.
Sot është më pak se sa dje, por “viktimat” e penës së tij gërryese nuk harrojnë t’u kthehen kohëve, kur Mero Baze nuk merrej fare me çfarë ata thoshin, por merrej me çfarë ata bënin e me çfarë ata ishin. Sigurisht, në tentativën për të bërë gazetari investigative në këtë Shqipërinë tonë, ku qeverisja, vendimmarrja e bëmat e pista të pushtetit janë të blinduara, mund të qëllojë që ta kalosh fare lehtë kufirin që ndan idetë nga personi. Dhe Mero, për hir të së vërtetës, është i vetmi që bën gazetari investigative në Shqipëri; nuk ka dyshim që e bën shumë shpesh me mjete e me logjikë kryqtari, që ngre po aq shpesh akuza të rënda me tahmin, e që “gjahu” që bën është selektiv, por mbulohet ca në këtë “zullum” nga fakti, që ca të vërteta të mëdha ai i ka thënë i vetëm dhe i pari. Mbulohet ca, thashë. “Zullumi” mbetet zbuluar, prapëseprapë. Dhe zullumi është ai i fillimit: injorimi i ideve, zhvlerësimi i qëndrimeve, përbaltja e denigrimi i personit.
Fatos Lubonja ka treguar gjithashtu se nuk i mjaftojnë idetë që ka.
Përveç kësaj, duket se ka qejf t’i vërë të tjerët poshtë edhe në terma etiko-moralë. E në këtë mes, s’e ka për gjë të hedhë baltë kundër të tjerëve. Ç’arrin me këtë? Asgjë, veçse ua heq vëmendjen lexuesve nga idetë e veta (kur qëllon që ka), dhe ua fokuson tek bëmat e supozuara të të tjerëve. Sapo e bëri këtë në shkrimin lidhur me Mero Bazen, ku bënte çmos t’ia zhvleftësonte qëndrimet këtij të fundit me ca akuza, të cilat nja dy ditë më pas i pamë të shkoqitura e të shpjeguara më mirë në një shkrim të Aleksandër Frangajt në mbrojtje të Fatosit. E keqja është se, në kundërshtim me atë që synon Fatosi e bash për faj të Fatosit, shkrimi nuk la pas ndonjë ide (edhe pse kishte ide), por la pas pyetje hipotetike, nga ato që prodhojnë baltë, të llojit: Po pse vallë është prishur Mero me Berishën? Po me Argitën si është puna? Po çfarë pazaresh paska dashur të bëjë Mero, që nuk i paska mbajtur dot kandari i Berishës? Po vetë Berisha pse nuk e denoncon “pazarxhiun” e zemëruar Mero? Po ky Fatosi pse na u marrka me ca pazare të prishura të Meros me Berishën e nuk merret me pazare të tjera të kopsitura mirë e mirë midis Berishës e ndonjë tjetri?
Kjo është jehona që lënë pas shkrime të tilla. Dhe kjo lloj jehone nuk i lipset askujt. Ndoshta u lipset veç atyre, që e kanë plaçkitur dhe po e plaçkisin këtë vend, pasi vetëm kështu gjithë bëmat e tyre të ndyra gjejnë strehë nën tezën, se “këtu të gjithë nëjsoj janë:. E ç’është më e rëndësishme, kjo lloj qasjeje nuk na lë të bëjmë ballafaqimin e ideve.
Mustafa Nano, Korrieri
No comments:
Post a Comment