Sunday, November 22, 2009

Tamiflu nuk bëri efekt

Disa raste rezistente ndaj Tamiflusë, medikamenti kryesor antiviral kundër gripit të derrave, janë konstatuar pranë kufirit mes Shteteve të Bashkuara dhe Meksikës, beri te ditur Organizata panamerikane e shëndetësisë (OPS).

"Kemi gjetur disa raste rezistence ndaj Tamiflu-së në kufi.

Kemi vërejtur disa raste, për disa prej të cilave jemi të sigurt, në El Paso dhe pranë McAllen, në Teksas deklaroi Maria Teresa Cerqueira, shefe lokale e zyrës së OPS-së, në një konferencë për gripin A (H1N1) në Kaliforni. Cerqueira shpjegoi se personat tek të cilët është zbuluar një rezistencë ndaj Tamiflusë, një antiviral i laboratorit farmaceutik zviceran Roche, e kalonin shpesh kufirin mes Shteteve të Bashkuara dhe Meksikës dhe se këta pacientë e kishin marrë vetë mjekimin.



Në korrik, është konstatuar një rast i rezistencës ndaj Tamiflusë në Kanada.. Disa raste rezistence ndaj antiviralit janë vërejtur edhe në Danimarkë, në Japoni dhe në Hong Kong. "Në Shtetet e Bashkuara, Tamifluja jepet me recetë, por ajo është në shitje të lirë në Meksikë dhe në Kanada dhe merret që me teshtimën e parë, ndërsa kur ke me të vërtetë nevojë, ajo nuk bën efekt", bëri të ditur Cerqueira. Laboratori Roche ka njoftuar se pret 0,5 % rezistencë ndaj antiviralit sipas rezultateve të provave klinike.

Që prej shfaqjes në fillim të vitit, gripi A (H1N1) ka shkaktuar 353 të vdekur në Shtetet e Bashkuara dhe 143 në Meksikë, mësohet nga autoritetet e këtyre dy vendeve.

Adela Zeza, Alsat

No comments: