Sunday, November 1, 2009

Vangjel Zhapa, shqiptari që ndërtoi perlat e Athinës

Në fillim të shekullit XIX, në vigjilje të përpjekjeve të Ali Pashë Tepelenës për t’u shkëputur nga Perandoria Osmane si dhe të shpërthimit të Revolucionit Grek, shqiptarët dhe grekët mendonin se do të luftonin të bashkuar.

Madje edhe për të ardhmen ata parashikonin një shtet të përbashkët, veçse, ndërsa grekët kërkonin një shtet panhelenik, ku të sundonin ata, shqiptarët ishin për një shtet të madh të pavarur shqiptaro-grek nën Ali Pashën ose nën shqiptarët. Partizanët më të zjarrtë të këtij projekti ambicioz ishin këshilltarët e afërt të Aliut, iluministi nga Përmeti, Kostandin Duka dhe Aleko Miço, Mantho Ikonomi etj.

Vangjel Zhapa i përqafoi këto ide dhe mbeti ithtar i tyre gjatë gjithë jetës. “Ai që kishte shërbyer që shumë i ri tek Ali Pasha dhe i kishte mbetur atij besnik deri në fund, ishte, me sa duket, në krye të herës, për një shtet shqiptaro-grek, ku shqiptarët të loznin rolin e madh që lozte Aliu” (Dh. Shuteriqi, "Gjurmime letrare", 1974, f. 220). Gjatë studimeve në gjimnazin "Zosimea", ku përvetësoi greqishten e vjetër dhe të re, V. Zhapa u magjeps nga kultura, arti, letërsia dhe qytetaria helene, për rigjallërimin, studimin dhe përhapjen e të cilave ai dedikoi një pjesë të konsiderueshme të aktivitetit dhe sidomos të pasurisë së tij.

Gjatë Revolucionit Grek luftoi me trimëri kundër turqve në vijën e parë të frontit, aty ku luftimet zhvilloheshin trup me trup. Edhe pse luftoi nga dita e parë deri në të fundit (1821-1830) dhe u plagos pesë herë, pushtetarët grek të kohës e shpërblyen vetëm me medaljen e argjendtë dhe me një copë tokë të rreshkur, diku në periferi të Greqisë. Me zemër të thyer largohet për në Rumani, ku vetëm pas 10-15 vjetësh u bë njeriu më i pasur i atij vendi, pa harruar asnjëherë padrejtësinë që i bënë grekët. Nuk rreshti kurrë së kërkuari medaljet dhe gradat që meritonte, derisa më vitin 1843 Mbreti Oton u detyrua të dekretonte dhënien e gradës së kapitenit të falangës. I pakënaqur edhe nga kjo gradë, ai u dërgoi letrën e fundit autoriteteve greke. Tashmë milioner, kërkonte “vetëm gradat dhe medaljet që meritonte dhe jo shpërblime e lehtësi të tjera për t'u bërë barrë atdheut (Greqisë)” (Q. Hila, “Vangjel Zhapa", faqe 65).

Ishte viti 1845, kishte kaluar shumë kohë, por grekët nuk kishin harruar se Vangjel Zhapa kishte qenë përkrahës i zjarrtë i idesë për një shtet të madh shqiptaro-grek, ku do të udhëhiqnin shqiptarët. Letra e përmendur më sipër nuk do të kishte përgjigje, kurse Vangjel Zhapa do të ngelte vetëm një kapiten falange në lirim.

Pjesa më e madhe e intelektualëve shqiptarë të viteve '30-'60 të shekullit XIX fillimisht ranë plotësisht në kurthin e “panhelenizmit”. Naum Veqilharxhi (1797-1854) kishte mendimin e ndritur që të zgjonte ndërgjegjen kombëtare të popullit shqiptar me anë të përhapjes së kulturës në gjuhën amtare, veçse ai e shihte zgjidhjen politike të çlirimit të Shqipërisë “nëpërmjet një shteti të përbashkët greko-shqiptar, ku shqiptarët do të fitonin të drejta të barabarta me grekët vetëm kur të afirmoheshin mirë me kulturën dhe zhvillimin e tyre të gjithanshëm” (Dh. Shuteriqi, "Gjurmime letrare", f. 226).

Edhe intelektualë të tjerë shqiptarë, që më pas u shquan si veprimtarë të Rilindjes Kombëtare Shqiptare, si Thimi Mitko (1820-1890), Jani Vreto (1822-1900), Eftim Brandi (1817-1882) si dhe Anastas Byku (1829-1878) ishin “infektuar” nga teoria pellazgjike dhe pjella e saj “panhelenizmi”. Të gjithë ata harronin se shqiptarët banonin jo vetëm në jug, po edhe ne veri të Shqipërisë, madje më të shumtë ishin në veri sesa në jug dhe vazhduan të propagandonin deri rreth viteve '70 shtetin dualist në formën e federatës në mes shqiptarëve të jugut dhe grekëve.

Panhelenizmi i Vangjel Zhapës nuk vihet në diskutim. Pikërisht “Pellazgos” do të quhej gazeta e parë shqiptare në Lamia të Greqisë (1859-1861) që botohej nga Anastas Byku, por që në të vërtetë ishte në pronësi të Vangjel Zhapës. Në letrën që Vangjel Zhapa u drejton autoriteteve greke më 1845, me anë të të cilës evidenton sakrificat e tij dhe ankohet për vlerësimin e pamjaftueshëm nga autoritetet greke, ai e quan Greqinë si “atdheun e tij”. Veçse në testamentin përpiluar 15 vjet më vonë, e konsideron vendlindjen e tij “atdheu i veçantë”, duke shtuar “vendi i shenjtë i takimit me Zotin”.

Vangjel Zhapa, si edhe bashkëkohësit e tij ortodoksë, ishin viktima të propagandës panheleniste, të dëshpërimit dhe pesimizmit që u krijua pas shkatërrimit të shtetit të Aliut dhe bashkë me të edhe të ëndrrave që u thurën nga të gjithë shqiptarët gjatë asaj periudhe dhe veçanërisht të dobësisë së Lëvizjes së Rilindjes, që deri ne fillim te viteve '70, la një “zbrazëtirë” në drejtim të aktivitetit patriotik.

Historiografia e periudhës komuniste ka ndërhyrë brutalisht në faktet dhe të vërtetat historike. Si në letërsi, kinematografi etj., edhe në histori janë krijuar personazhe të ngjyrosura vetëm bardh e zi, patriotë ose tradhtarë, heronj ose armiq. Për të krijuar këto personazhe, pjesërisht të sajuar, janë eliminuar ose anashkaluar shumë fakte historike dhe dokumente për disa dhe janë ngarkuar më tej disa të tjerë. Pas viteve '30 të shekullit XIX Vangjel Zhapa ka qenë panhelenist, ashtu si edhe Naum Veqilharxhi, Jani Vreto ose Thimi Mitko etj., veçse të paktën ai mbështeste idenë, mbase utopike, të një shteti të përbashkët shqiptaro-grek që do të drejtohej nga shqiptarët. Ky fakt plotëson figurën e këtij shqiptari trim dhe krenar, që kishte besim dhe adhuronte popullin e vet, i cili vërtet pjesërisht kishte bashkëjetuar dhe bashkëqeverisur me pushtuesin, por sipas Zhapës, kishte të mundur t’i mbizotëronte grekët e rinj, tashmë të harruar nga bota dhe të tulatur nga pushtimi i gjatë turk.

Në vitin 1854 në Jena të Gjermanisë botohet “Studime shqiptare” me autor Johannes Georg von Hahn-in e madh, mikun e shqiptarëve. Hahn-i shpjegoi me anë të gjuhës shqipe shumë toponime ilire dhe vërtetoi se mjaft emra vendesh të viseve shqiptare ishin vazhdim i drejtpërdrejtë i emërtimeve ilire. Ai në këtë mënyrë arriti në përfundimin se shqipja është vazhduese e njërit prej dialekteve të vjetra të ilirishtes. Vepra e Hahn-it, që vërtetonte autoktoninë e shqiptarëve, ishte e shkruar në gjermanisht dhe nuk do të bënte pjesë në bibliotekën e Vangjel Zhapës; si rrjedhojë ai nuk do të njihej me konkluzionet e albanologut të madhe në lidhje me autoktoninë e shqiptarëve

Vangjel Zhapa, në mes shqipes dhe greqishtes

Edhe pse i larguar prej kohësh nga Shqipëria, Vangjel Zhapa ka dhënë një ndihmë të jashtëzakonshme për botimin e librave në gjuhën shqipe, ngritjen e shkollave ku mësohej edhe shqip dhe për futjen e mësimit të gjuhës shqipe në shkollat greke. Vangjel Zhapën, tashmë milioner, e gjejmë në disa dokumente që vërtetojnë se gjatë viteve '40 të shekullit XIX, qëndronte shumë pranë Naum Veqilharxhit në Rumani dhe kishte “diskutuar me javë të tëra në lidhje me alfabetin e tij” (A. Buda “Studime historike”, 1965, nr. 2, f. 60).

Nikolla Naço (1843-1913), atdhetar dhe veprimtar i dalluar i Rilindjes sonë, që jetonte në Rumani, ka dëshmuar se “Vangjel Zhapa daroviti 25.000 florinta për gjuhën shqipe dhe punoi bashkë me të pavdekshmin Naum Veqilharxhi për të shkruar gjuhën shqipe dhe për të shtypur shumë kartëra, por që foleja e shejtanit, Patrikana, e ndoqi dhe e vrau me të pabesë”.

Librat e Naum Veqilharxhit, që panë dritë nëpërmjet donacioneve të Zhapës, janë “Evetari”, që në fakt është abetarja e parë e gjuhës shqipe (1844) dhe “Fare i ri Evetar shqip” (1845), nëpërmjet të cilëve gjuha shqipe u vu mbi baza shkencore. Këto abetare të Naum Veqilharxhit, të shtypura me paratë e Vangjel Zhapës, luajtën një rol të rëndësishëm në Rilindjen Shqiptare, pasi hodhën hapat e para të arsimit në gjuhën shqipe.

Historiografia shqiptare, duke mos njohur dokumentet ose duke i anashkaluar ato, mban për këtë rast një qëndrim të kundërt: “Naum Veqilharxhi iu drejtua pasanikëve shqiptarë në Rumani, Vangjel Zhapës nga Labova etj., që të jepnin përkrahjen e tyre për të shtypur libra shkollorë në gjuhën amtare të hartuar prej tij dhe për të hapur shkolla shqip. Por Vangjel Zhapa doli kundër orientimit të pavarur të veprimtarisë arsimore shqiptare” ("Historia e popullit shqiptar", vëll. II, f. 105). Sipas dokumenteve të shumta, Vangjel Zhapa, edhe pas vdekjes së Naum Veqilharxhit, vazhdoi të ishte aktiv në drejtim të problemeve të shumta lidhur me Shqipërinë, shqiptarët, gjuhën shqipe dhe futjen e saj në shkolla. Në frymën e Naum Veqilharxhit u shtrua në mënyrë propagandistike se “në qoftë se nuk e mësojmë një popull në gjuhën e tij amtare, nuk është e mundur ta edukojmë atë”.

“Për të arritur këtë qëllim, ishte hartuar një program i gjerë veprimtarish, që do të realizohej kryesisht me mbështetjen financiare të Vangjel Zhapës, i cili prej kohësh kishte dhuruar të holla për mbajtjen e shkollave në fshatrat e rretheve të Gjirokastrës, Tepelenës, Përmetit etj.” (A. Buda, Studime historike, 1965, nr. 2, f. 60). Sipas programit të hartuar nga Anastas Byku dhe Vangjel Zhapa, parashikohej botimi në shkallë të gjerë i librave shkollorë në gjuhën shqipe, hapja e shkollave fillore shqipe në çdo fshat për vajza dhe djem, ndërtimi i gjimnazeve në Gjirokastër, Berat, Përmet dhe i dy shkollave të mesme për vajza në Labovë. Në libra do të përdorej alfabeti i A. Bykut. Ata do të mbështeteshin mbi botimet shkollore greke (“Pellazgos” 25.05.1860 dhe 24.12.1860). Ndërkohë Vangjel Zhapa i kishte ofruar A. Bykut postin e drejtuesit ose inspektorit të shkollave të tij në Labovë dhe gjetkë.

Në numrin e datës 31.03.1861 të “Pellazgos”, Vangjel Zhapa boton një artikull, ku vë në dukje “veprimet e veta në favor të shkollave në Shqipëri, ku ka futur edhe shqipen me funksion ndihmës, për sa kohë që është e nevojshme për të mësuar greqishten”. Ky formulim, siç duket, ishte “çelësi” për të hapur dyert e shkollave greke që ishin në pronësi të Patrikanës.

Po në këtë numër ai polemizon edhe me A. Bykun, i cili propozonte për të ngritur “një sistem arsimor më vete për gjuhën shqipe”. Duke komentuar këtë polemikë, A. Buda beson se "ky qëndrim armiqësor i qarqeve heleniste në përgjithësi dhe V. Zhapës në veçanti u bë shkak që planet e A. Bykut të shembeshin dhe gazeta e tij të pushonte botimin”. Ngritja e një sistemi arsimor në gjuhën shqipe në Shqipërinë e mesit të shekullit XIX ishte utopi. Planet e Vangjel Zhapës, labovitit milioner me këmbë në tokë, synonin fillimin e menjëhershëm të mësimit të shqipes në shkollat e tij dhe në shkollat greke, që numëroheshin me qindra në Shqipërinë e Jugut.

Dhimitër Shuteriqi shkruan se “ Zhapa ndihmoi vërtet për futjen e shqipes në shkollat greke” (Dh. Shuteriqi, "Gjurmime letrare", f. 247). Ky kontribut i Vangjel Zhapës duhet më në fund të njihet nga të gjithë shqiptarët. Mësimi i shqipes në mesin e shekullit XIX nga nxënësit shqiptarë dhe për më tepër në shkollat greke, kinse për të lehtësuar mësimin e greqishtes, ishte një sukses i jashtëzakonshëm për ruajtjen e gjuhës dhe identitetit tonë kombëtar.

Shkolla e parë shqipe, Mësonjëtorja e Korçës, u lejua të hapej vetëm me miratimin nga qeveria e Stambollit më 7 mars 1887, pas një lëvizjeje të mirorganizuar nga rilindësit shqiptarë brenda dhe jashtë vendit, presionit efikas të vëllezërve Frashëri në Stamboll dhe për më tepër kur Perandoria Osmane ishte në prag të shpërbërjes. Kaluan edhe 23 vjet të tjera dhe labovitët, që guxuan të çelnin shkollën e parë shqipe në rrethin e Gjirokastrës, më 10 prill 1910, përfunduan në burgun turk të Tepelenës të paditur nga Mitropolia dhe konsullata greke, ndërkohë që u shkishëruan të gjitha familjet që dërguan fëmijët e tyre në shkollën shqipe, e cila u mbyll mbas disa javësh. Për sa i përket planit të Anastas Bykut për të ngritur “një sistem arsimor më vete për gjuhën shqipe”, ai u bë i mundur të realizohej nga qeveria shqiptare vetëm pas Luftës së Parë Botërore, më vitin 1920.

Ndërkohë që Jani Vreto u rekomandonte shqiptarëve "të hiqnin dorë me vullnet nga gjuha e tyre dhe të bëjnë të tyre greqishten, pra të ç’kombëtarizohen” (Dh. Shuteriqi, Lufta midis shqipes dhe greqishtes, në "Gjurmime letrare", f. 213), Vangjel Zhapa kishte një pozicion krejt tjetër. Në një artikull që botoi në të përkohshmen “Elpis” të Athinës më 5.11.1860, shprehet se “shqipja mund të shkruhej për nevojat e përdorimit familjar dhe si mjet për të fituar më shumë dije” (Dh. Shuteriqi, Naum Veqilharxhi, në "Gjurmime letrare", 1974, f. 259). Vangjel Zhapa nxiti botimet në gjuhën shqipe. Së bashku me Anastas Bykun botuan gazetën e parë në gjuhën shqipe, "Pellazgu" (1859-1861). Anastas Bykun e mbështeti financiarisht edhe për botimin e librit “Preludi i çështjes pellazgjike” dhe abetares së tij “Gramë për shqiptarët” (1861).

Në një periudhë shumë të vështirë për shqiptarët, kur Perandoria Osmane dhe Mbretëria e Greqisë shtuan përpjekjet e tyre për të zhdukur gjuhën dhe kombësinë e popullit tonë, ndërkohë që lëvizja kombëtare shqiptare qëndronte në nivelin më të ulët, ishte vetëm laboviti Vangjel Zhapa, që me energjinë dhe pasurinë e tij, bëri të mundur që shqiptarët të mësonin gjuhën amtare jo vetëm në shkollat që ndërtoi vetë, por edhe në qindra shkolla greke që funksiononin kudo në Shqipërinë e Jugut. Vetëm pas disa dhjetëvjeçarësh dhe pikërisht në fund të shekullit XIX, lufta për mësimin e gjuhës shqipe do të zinte një vend qendror në programin politik dhe kulturor të Rilindjes Kombëtare.

Labovitët e të gjithë brezave që jetojnë sot, krenarë për origjinën e tyre të lashtë dhe të lidhur ngushtësisht me atdheun, gjithmonë protagonistë kur përcaktohen fatet e tij, prej kohësh kanë shprehur trishtimin e tyre për faktin se përfaqësuesi më i spikatur i familjes Zhapa, Vangjel Zhapa, ka ndarë dashurinë e tij edhe me dy vende të tjera, përveç vendlindjes dhe atdheut të vet. Ai ka qenë nënshtetas rumun gjatë pjesës më të madhe të jetës, kurse për atdhe quante Greqinë, por “atdhe të veçantë” ose “vendi i shenjtë ku takohej me Zotin”, vendlindjen e tij, Labovën.


V. Zhapa kujtohet dhe nderohet me respekt në Rumani, pasuritë e tij të shumta kanë lumturuar dhe vazhdojnë t’i lumturojnë grekët, ndërsa ne, shqiptarët, inatçorë si gjithë popujt e tjerë të Ballkanit, por edhe të drejtuar keq nga historiografia jonë, vazhdojmë të mos e shohim në 360 gradë figurën e tij poliedrike dhe bëhemi xhelozë me popujt e tjerë të Ballkanit që, në kohën kur jetonte bashkëfshatari ynë milioner, ishin në gjendje të thithnin investimet dhe donacionet e shumta që ofronte ky bamirës shqiptar i jashtëzakonshëm. Krahas parave të shumta që dhuronte, me delikatesën që e karakterizonte, ai kishte gjithashtu kapacitetet e duhura të shpërndante paqe, dashuri dhe mirëkuptim midis popujve të Ballkanit, duke u integruar plotësisht në historinë e kulturës, të zhvillimit ekonomik dhe të qytetërimit panballkanik të mesit të shekullit XIX.

Ne, shqiptarët e sotëm, kemi filluar ta kuptojmë dhe ta pranojmë bashkëfshatarin tonë, me eshtra që i prehen në dy varre te ndryshme, ashtu si ishte ai në të vërtetë, me virtytet e rralla dhe të metat e tij dhe ta konsiderojmë tashmë si qytetarin pararendës të Evropës së Bashkuar, të cilën po përgatitemi, më në fund, ta prekim edhe ne.


Zhapa, jetëshkrimi i shqiptarit që ngjalli Lojërat Olimpike


Para mesit të shekullit të XIX, sipas dëshirës të kushërinjve Zhapa, në bazë të projekteve të ardhura nga Bukureshti dhe Athina, muratorët dhe teknikët më të mirë të Vilajetit të Janinës, ndërtuan në qendër të Labovës së Madhe tri ndërtesa jo të zakonshme për nga madhështia dhe bukuria e tyre. Ato do të ishin banesat e kushërinjve Zhapa dhe pasardhësve të tyre, si dhe shkolla e famshme e Labovës, ku kanë mësuar breza të tërë labovitësh, një pjesë e të cilëve i vazhduan studimet në Janinë dhe gjetkë.

Të tria këto ndërtesa u dogjën gjatë Luftës së Dytë Botërore, por ndërsa shkollën e ndërtuan vetë labovitët fill pas lufte, shtëpitë e fisit Zhapa vazhdojnë të jenë edhe sot gërmadha. Vite më vonë shkolla e Labovës u kthye në shtëpi kulture, muze dhe më pas, për çudi të labovitëve, dhe jo vetëm, u shit! Shkolla e famshme e Labovës, dhurata kryesore që i bëri Vangjel Zhapa Labovës dhe labovitëve, në oborrin e së cilës ai dëshironte të varrosej, u shit sikur të ishte një shtëpi e zakonshme fshati. Ky ishte shpërblimi që disa banorë të sotëm të Labovës, sigurisht të ardhur dhe të panjohur me historinë e lavdishme të fshatit tonë, i bënë bamirësit të madh Vangjel Zhapa. Për më tepër, shkolla e Labovës është e para shkollë në Shqipëri, ku mësohej gjuha shqipe që në vitin 1860, duke u bërë në këtë mënyrë simbol i përpjekjeve të labovitëve për mësimin e gjuhës sonë amtare dhe që ndihmoi fuqishëm për ruajtjen e identitetit dhe dinjitetit kombëtar në kohët e vështira të sundimit osman.

Restaurimi i pallateve-kështjella të Vangjel dhe Konstandin Zhapës dhe i shkollës sonë, ndërtuar me dhurimet e Vangjel Zhapës, ashtu si edhe shumë shkolla të tjera në jug të Shqipërisë, do të ishte jo vetëm një akt falënderimi dhe mirënjohjeje i labovitëve të sotëm dhe gjithë shqiptarëve, kudo që janë, në drejtim të bashkëfshatarëve tanë bamirës, por gjithashtu do të shënonte një hap të rëndësishëm në drejtim të ringjalljes së Labovës edhe si një qendër kulturore, arsimore, muzeore, turistike, klimaterike dhe jo vetëm.

JETA

Vangjel Zhapa lindi më 23 gusht 1800. I ati quhej Vasil Zhapa, kurse e ëma Sotira Meksi, të dy nga Labova e Madhe. U rrit në fshat, ku u njoh sidomos nga e ëma, me mjeshtërinë punimit të tokës, ndërkohë që njohuritë e para arsimore i morri nga prifti i fshatit që kryente, si zakonisht në ato kohë edhe rolin e mësuesit. Mbasi mbushi moshën 13 vjeç, si shumë labovitë, u largua nga fshati për në Janinë, ku u lidh me mjekun popullor Petro Meksi, kushëri i së ëmës, i cili shërbente në gardën e Ali Pashë Tepelenës. Në të vërtetë, njohuritë mbi kultivimin dhe përdorimin e bimëve mjekësore i kishte marrë nga e ëma, kurse Petro Meksi e stërviti për të ushtruar me sukses mjekësinë popullore.

Vangjeli në Janinë kreu gjimnazin "Zosimea", që e pajisi përveç të tjerash edhe me njohuri të mjaftueshme në gjuhën frënge dhe italiane. Ashtu si dhe shumë labovitë të tjerë shërbeu për disa vjet në ushtrinë e Ali Pashë Tepelenës. Në ato kohë Janina, kryeqendra e Vilajetit me të njëjtin emër që sundohej nga Ali Pashë Tepelena, përjetonte periudhën më të shkëlqyer të historisë së saj. Aty sundonte ligji i shtetit të Aliut, që kishte siguruar qetësi, prosperitet dhe marrëdhënie normale në mes shqiptarëve, grekëve, vllehve dhe turqve, që popullonin këtë vilajet. Në fillim të viteve '20 të shekullit XIX, shpërtheu Revolucioni Grek, ku morën pjesë mijëra shqiptarë, ndër ta edhe Vangjel Zhapa, që u dallua veçanërisht në luftimet trup me trup në vijën e parë të frontin. Ai gjithashtu mjekonte bashkëluftëtarët e plagosur gjatë luftimeve, duke punuar si kirurg. Kur lufta mbaroi, autoritetet greke e shpërblyen me medaljen e argjendtë dhe me disa toka në periferi të Greqisë, të cilat ai i konsideronte të pamjaftueshme në krahasim me heroizmat, sakrificat dhe pesë plagët e marra gjatë luftimeve me turqit. Për këtë arsye braktisi Greqinë e ngushtë, tërë male të thata, dhe mosmirënjohëse, për fushat pa fund dhe pjellore të Rumanisë, ku prej kohësh kishte një koloni të madhe shqiptare. Sidoqoftë ai iku nga Greqia me zemër të thyer. Për 15 vjet nuk rreshti së kërkuari gradat dhe medaljet që meritonte. Në Rumani punoi në fillim si bujk, duke ushtruar njëkohësisht dhe profesionin e mjekut popullor. I pajisur me mësimet e së ëmës, të Petro Meksit dhe me praktikën në terren me të plagosurit gjatë Revolucionit Grek, shpejt u bë mjeku popullor më i kërkuari në Rumani. Sipas të thënave mbreti i Rumanisë i dhuroi Vangjel Zhapës një mulli për shërbimet e kryera. Mulliri ishte i vetmi në një fushë pa fund që mbillej me grurë, por krahas kësaj ishte zgjuarsia, prakticiteti dhe largpamësia e Vangjel Zhapës, që e bëri pronar të gjithë asaj fushe të begatë! Më pas e ndihmoi dhe fati: një shoqëri anglo-persiane zbuloi se nëntoka në pronësi të Zhapës ishte naftëmbajtëse. Vangjel Zhapa nuk pranoi tua shiste tokën anglezëve dhe u bë një nga aksionerët kryesorë të kësaj shoqërie e më pas, me të ardhurat e realizuara nga shfrytëzimi i puseve, u pasurua së tepërmi. Me këto të ardhura bleu toka, pyje, mullinj të tjerë, hotele, fabrika, si dhe një pjesë të madhe të aksioneve të shoqërisë rumune të lundrimit. Si nismëtar e novator që ishte, falë edhe njohurive agronomike të përvetësuara gjatë studimeve të kryera në këtë fushë në Paris nga mesi i viteve '30, Vangjel Zhapa zbatoi me sukses metodat e reja të kohës në bujqësi, duke rritur në këtë mënyrë dukshëm rendimentet e kulturave bujqësore. Vangjel Zhapa përgjithësoi përvojën e tij dhe e përhapi atë nëpërmjet botimit të disa librave mbi reformën agrare, për shndërrimin e fshatarëve në pronarë të tokës, për bujqësinë intensive dhe ekonominë bujqësore. Ky njeri energjik dhe me njohuri të thella, jo vetën në bujqësi, por edhe në ekonominë në përgjithësi, u emërua “këshilltar” në oborrin e mbretit të Rumanisë. Pasuria e tij shtohej në mënyrë marramendëse. Fshatari nga Labova dhe mjeku popullor u shndërrua në një latifondist me të ardhura financiare të pallogaritshme. Veçse, ai shquhej nga të tjerët edhe për kulturën, klasën dhe sjelljen elegante, mënyrën evropiane të jetës që bënte dhe shoqërinë e tij të zgjedhur që përfshinte edhe princa e mbretër. Rezidenca e tij afër Bukureshtit përmendej, jo vetëm si vend i darkave madhështore që shtroheshin, dhe i shampanjës e verave franceze nga më cilësoret që shërbeheshin pa kursim, por edhe për bibliotekën madhështore, unike në Rumani, me libra të blera kryesisht në Paris. Pasuria e pafund që grumbulloi ia shtoi edhe më shumë fisnikërinë, duke i ngjallur gjithashtu pasionin për të ndihmuar të varfrit kudo që të ishin dhe për të dhënë donacione në përmasa të mëdha dhe të zgjedhura me shumë kujdes. Në Rumani ai vuri në dispozicion shuma të konsiderueshme të hollash për hartimin dhe botimin e Fjalorit dhe Gramatikës të gjuhës letrare rumune dhe përkthimin e veprave të klasikëve grekë dhe romakë si dhe për ndërtimin në Bukuresht të Akademisë, Universitetit dhe të një teatri madhështor të tipit helen. Në Greqi ai ndërtoi pallatin "Zappeion" të Athinës, që shërben edhe sot për ekspozita, Universitetin, Akademinë, Konservatorin, Bibliotekën Kombëtare, që janë edhe sot godinat më madhështore të kryeqytetit grek. Me këmbënguljen dhe financimin e Vangjel Zhapës u organizuan në Athinë, më vitin 1859 Lojërat Olimpike nën shembullin e Lojërave Olimpike të lashtësisë, të cilat u përsëritën edhe më 1870. Këto lojëra, në të cilat garonin vetëm atletë grekë, ngjanin më tepër me kampionatet kombëtare të atletikës, hipizmit etj. Sidoqoftë këto lojëra, që përmenden edhe sot në të gjithë botën me emrin “Lojërat Olimpike të Zhapës”, konsiderohen si “përpjekje për të përtëritur Lojërat Olimpike të antikitetit”. Përpjekja e parë ka filluar në Paris më 1796, fill pasi u zbuluan rrënojat e Olimpit të lashtë në Greqi. Ndër tentativat e tjera përmenden Lojërat e Rondo në Dophine, Francë (1832), Lojërat Skandinave (1834-1836), Festivalet Olimpike Britanike (1849), kanadeze (1851) dhe sikurse e përmendëm, Lojërat Olimpike të Zhapës (1859-1870). Sot pranohet njëzëri që Lojërat Olimpike moderne u konceptuan nga Baroni Pierre de Coubertin (Pier dë Kuberten) dhe filluan me lojërat e Athinës më 1896, që u quajtën Lojërat e para Olimpike moderne. Këto lojëra, ndryshe nga lojërat e lashtësisë dhe lojërat përgatitore, zhvillohen nën flamurin me pesë rrathë, që përfaqësojnë sportistët e pesë kontinenteve, të frymëzuar nga vlerat e olimpizmit dhe parimet kryesore të tij, sipas një filozofie të veçantë për jetën, ku vlerësohen dhe kombinohen në një të tërë cilësitë e trupit, të vullnetit dhe të shpirtit të gjithë sportistëve pa dallim race, seksi, klase shoqërore etj. Labova për Vangjel Zhapën ishte “atdheu i tij i veçantë”. Edhe pse jetonte prej kohësh shumë larg nga vendlindja, ai duket se nuk qe shkëputur shpirtërisht nga Labova dhe labovitët. Nga Rumania hartoi një program të plotë për rilindjen e Labovës, sipas të cilit u ndërtua shkolla, e njëjtë me shkollat më të mira të Greqisë, së bashku me konviktin. Përbri shkollës u ndërtua punishtja e avlëmendit, ku, në drejtimin e dy mësueseve të huaja, vajzat labovite mësuan, përveç endjes në avlëmend, edhe punë dore, qëndisje, rrobaqepësi etj. Sipas programit u ngrit gjithashtu qendra e shërbimit shëndetësor dhe farmaceutik, që u shërbente falas nxënësve dhe familjeve të varfra. Mjekët, që paguheshin nga fondet e Zhapës, u shërbyen labovitëve deri në vitin 1945. Sipas planit të Zhapës, u sistemuan gjithashtu ujërat e bollshme të fshatit, u ndërtuan gjashtë çezma, si dhe u shtruan me kalldrëm rrugët që vazhdonin deri afër Gjirokastrës. Të gjitha familjet e varfra të Labovës ndihmoheshin financiarisht çdo vit, ndërsa shumë vajza të varfra martoheshin me fondet e caktuara nga Zhapa. Në Bankën Kombëtare të Greqisë u depozitua një shumë e konsiderueshme parash, interesat e të cilave u përdorën për arsimimin e të rinjve nga vendlindja e tij në shkollat bujqësore të Evropës, si dhe për botimin e broshurave të thjeshta për kultivimin e bimëve dhe të drurëve frutorë. Vangjel Zhapa ndërtoi në Rumani, në Stamboll dhe në fshatrat e krahinës së Rrëzës disa objekte kulti (dy kisha, një manastir dhe një xhami). Të ngjashme me shkollën e Labovës, u ngritën dhe u mbajtën me fondet e Zhapës, të tjera shkolla në rrethin e Gjirokastrës, Tepelenës, Përmetit etj. Vangjel Zhapa vdiq më vitin 1865, por ndihmat për Labovën nuk reshtën, ngaqë ishin të përcaktuara me hollësi dhe saktësi në testamentin e tij, që u përpilua më 1860. Në testament fillimisht janë caktuar pagat e anëtarëve të Epitropisë të Labovës, që do të kujdeseshin për ndarjen e drejtë dhe të paanshme të të hollave. Procedurat e zgjedhjes së anëtarëve të Epitropisë së Labovës janë përcaktuar tekstualisht: “Çdo 2 shkurt të mblidhen në Labovë, që është vendi i shenjtë i takimit me Zotin, të gjithë ata që kanë mbushur moshën 25 vjeç dhe që nuk janë akuzuar për vepra kriminale, për të zgjedhur epitropët, të cilët, pasi të jenë zgjedhur me shumice votash, t’i japin komunitetit një dokument të nënshkruar për pasurinë e tyre deri në momentin e zgjedhjes”. Në testament ishin caktuar burimet financiare që duheshin për shtimin e numrit të klasave sipas rritjes së numrit të nxënësve, për pajisjen e vazhdueshme të shkollës me orenditë e nevojshme dhe mjetet e tjera didaktike, që do të ishin të njëjta me ato të shkollave më të mira të Greqisë, dhe veçanërisht për pajisjen e bibliotekës me libra, për plotësimin e fondeve të saj me libra të rinj, si dhe për rrogat e mësuesve.

Në testamentin e V. Zhapës përmenden edhe burimet financiare për mirëmbajtjen e kishave (në Labovë kishte rreth 7-8 kisha), për rrogat e priftërinjve, psaltëve, si dhe për ndihmën e përvitshme për të vobektit e tre fshatrave (Labovë e Madhe, Çeta e Vogël dhe Tërbuq).

Në testament shprehet edhe dëshira e fundit e Vangjel Zhapës. Ai kërkonte që, katër vjet pas vdekjes, të zhvarrosej dhe të rivarrosej përfundimisht: kafka e kokës në Kopshtin e pallatit Zhapa ("Zappeion") në Athinë, kurse eshtrat e trupit në oborrin e shkollës në Labovë (Qiriako Hila, Testamenti në “Vangjel Zhapa”, faqe 52-63)

Biografët e Vangjel Zhapës pa të drejtë e konsiderojnë sëmundjen e tij, që iu shfaq më vitin 1863, si sëmundje të karakterit psikik, meqenëse i errësonte me ndërprerje vetëdijen. Një sëmundje e tillë duhet të ketë qenë me origjine kardiake, si rezultat i çrregullimeve të sistemit elektrik të zemrës (bllok komplet atroventikular) me sinkopa. Vangjel Zhapa vdiq më 19 qershor 1865, u varros përkohësisht në Rumani dhe pas 22 vjetësh u zhvarros. Sipas dëshirës së tij, kafka u varros në Athinë kurse eshtrat e trupit u transportuan dhe u varrosën me madhështi në “Atdheun e tij të veçantë, në vendin e shenjtë të takimit me Zotin”. Dëshira e tij e shkruar në testament ishte që ato të varroseshin në oborrin e shkollës, por në të vërtetë ato u varrosën në varrezat e kishës. Sikurse dihet, kompleksi madhështor i varreve të kushërinjve Zhapa u shkatërrua barbarisht gjatë çmendurisë të viteve 1967-1968.

PROF. DR. FEDHON MEKSI, Standart

No comments: