Monday, February 8, 2010

Një në dy shqiptarë vdes nga sëmundjet e zemrës

ISHP: Një në dy shqiptarë vdes nga sëmundjet e zemrës.

Shqipëria vazhdon të regjistrojë shifra të larta vdekjesh nga sëmundjet kardiovaskulare duke e renditur atë në vendin e parë të listës së vdekshmërisë në vend. Instituti i Shëndetit Publik deklaron se një në dy shqiptarë vdes nga sëmundjet kardiovaskulare, në një kohë që këto vdekje mund të parandalohen.

Sipas një studimi të kryer nga ISHP, gati gjysma e numrit të vdekjeve janë nga problemet e koronareve.
Të gjithë ekspertët e shëndetësisë sot besojnë se sëmundjet koronare mund të parandalohen krejtësisht apo mund të shtohen në kohë duke shmangur një numër të madh vdekjesh të parakohshme.

Sipas tyre, një kontribut të rëndësishëm në uljen ose mbajtjen nën kontroll të rasteve me sëmundje kardiovaskulare ka edhe trajtimi i hershëm i faktorëve të rrezikut, të cilët janë diabeti, duhanpirja, hipertensioni, hiperkolesterolemia, obeziteti, familjarë me sëmundje të zemrës.

Në studim thuhet se sëmundjet koronare janë shumë më të larta në disa vende në krahasim me disa vende të tjera, kështu në vendet në veri dhe në lindje të Evropës si Britania e Madhe, Vendet Skandinave, Polonia, Rusia etj, kanë një prevalencë shumë më të lartë (deri në dy e më shumë herë më të lartë) se sa vende të tilla si Franca, Italia, Spanja apo Greqia.

Telegrafi

“Green Tirana”

Një ndër arsyet e ndotjes në qytetin e Tiranës janë edhe plehrat që hidhen pa kriter.

Sa raste ka të banorëve që hedhin qese me plehra nga dritaret. Disa i shikon duke u përpjekur të bëjnë 3-pikësh, jo nga 7 ose 9 metra, por duke dashur të imitojnë basketbollistët më “të çmendur”, hapin krahun dhe e lëshojnë qesen me plehra nga dritarja e katit të 6-të për te kazani nga një distancë që e kalon dhe gjatësinë e fushës së basketbollit.
Edhe kur Bashkia vendos kosh të veçantë për hedhjen e kartonave, shikojeni rezultatin...

Më fantastiket janë ato gra e plaka që shkundin mbulesën e tavolinës nga thërrimet mbas drekës. Natën e kanë dhe më të lehtë të kamuflohen dhe të kryejnë misionin duke u avantazhuar nga errësira, edhe pse tani ndriçimi edhe natën është i bollshëm. Kohët e arta për to, kur nuk kishte drita gjithë lagjja, kanë kaluar.

Sigurisht që në këtë rast faji nuk është vetëm i strukturave të Bashkisë së Tiranës (po marrim si shembull Tiranën si qyteti më i rëndësishëm në vend, por dhe më problematiku), por edhe i mungesës së ndërgjegjësimit nga ana e qytetarëve. Ata duhet ta kuptojnë se ajo që hedhin jashtë dritares, nuk do të ngelet thjesht jashtë, por në një mënyrë a një tjetër do t’u kthehet përsëri, “në mos brenda shtëpisë, brenda mushkërisë”.

Kjo është e vërtetë si drita e diellit dhe kjo duhet t’i bëjë ata më të kujdesshëm dhe më të thellë në gjykim, për të analizuar pasojat e çdo veprimi që ata kryejnë.


Por, për të qenë realist këtë formë ndërgjegjësimi social e qytetar mund ta gjesh vetëm në disa nga vendet më të zhvilluara, si disa nga vendet e Evropës Qendrore, vendet nordike dhe vendet e ulëta. Në këto vende mund të gjesh vërtet qytetarë të përgjegjshëm, që me veprime individuale, kontribuojnë përditë në pastrimin e ambientit dhe mosndotjen e tij. Aty gjen mbledhjen e diferencuar të mbeturinave, në depozita letre, xhami, plastike etj. Ky realitet duhet të jetë synimi ynë si qytetarë të Tiranës, por dhe i gjithë atyre të Shqipërisë. A do të kishte sukses kjo nismë në Tiranë dhe në gjithë Shqipërinë sot?

Kjo ngelet për t’u parë. Një përgjigje do të na vijë së shpejti nga Lezha, ku po zbatohet projekti i diferencimit të mbeturinave nga ana e qytetarëve.

Dikush nga “shoqnia civile” pati deklaruar në një emision se edhe në Tiranë para disa vitesh u bënë përpjekje në këtë fushë dhe u vendosën depozita të tilla për të diferencuar mbeturinat në disa pika të kryeqytetit, por sipas deklaruesit, kjo nuk rezultoi një nismë e suksesshme, pasi nuk u mbështet nga qytetarët, të cilët nuk e ndiqnin këtë lloj procedure, pra nuk i ndanin mbeturinat që në shtëpi në plastike, xhami dhe letre.

Sipas mendimit tim, gabimi i deklaruesit qëndron në këtë fakt:

Deklaruesi në këtë rast ka harruar të përmendë një element, i cili do të luante një rol shumë të rëndësishëm në suksesin e kësaj nisme. Ky element është Promovimi

Nëse një kompani dëshiron të shtojë mundësitë e suksesit të saj, ajo duhet të promovojë produktet e saj, filozofinë e saj të punës dhe rezultatin që mund të arrihet falë këtyre elementëve. E njëjta logjikë vlen dhe për këtë rast.

Bashkia është një ndërmarrje e madhe, e cila duhet që të adoptojë të njëjtat ligje ekonomike që përdor çdo ndërmarrje biznesi private apo publike për të pasur sukses në nismat dhe projektet e saj.

Nëse Bashkia e Tiranës do të kishte zhvilluar një fushatë të gjerë informimi e ndërgjegjësimi të qytetarëve për këtë problem, shanset për sukses do të ishin më të mëdha. Fushata nuk realizohet vetëm me disa minitabela plastike që ka vendosur Bashkia e Tiranës afër disa kazanëve të mbeturinave, por me anë një nisme të gjerë mediatike në radio, TV, gazeta, projekte me shoqatat e mjedisit, takime sensibilizimi e ndërgjegjësimi me qytetarët nëpër lagje etj.

Kjo e fundit mund të duket e çuditshme, por është fakt se në vendet si Shqipëria, të cilat nuk kanë një demokraci të zhvilluar dhe një kulturë qytetare të lartë këto lloj promovimesh janë rezultative.

Është për të ardhur keq kur shikon se jemi katandisur deri në atë pikë sa shoqatat e huaja vijnë e na tregojnë se si duhet të mbajmë pastër mjedisin e të mos e dëmtojmë.

Kjo gjë u vu re në rastin e një shoqate angleze, e cila para disa kohësh mblodhi disa të rinj kryeqytetas, u dha nga një shkop me një gozhdë në majë të tij dhe i vuri të mblidhnin letrat e fushës që ndodhet para teleferikut në Dajt.

Gjatë kohës që të rinjtë tanë punonin duke ndier në të njëjtën kohë gëzim dhe habi për këtë eksperiencë të re për ta, “Anglezi” jepte një intervistë për një media audivizuale ku shpjegonte rëndësinë e kësaj nisme dhe shpresën që kishte se kjo do të shërbente për të ndërgjegjësuar qytetarët të mbanin pastër ambientin.

Sigurisht që “Anglezi” (i cili duhet përgëzuar për dashamirësinë e tij) nuk mund të dinte se këto aksione kanë qenë të zakonshme shumë kohë para tij, që në kohën e Xhaxhit Enver.

Imagjino sa mbrapa jemi kthyer sot, kur si shembull pozitiv duhet të marrim të shkuarën e dhimbshme. Edhe Bashkia e Tiranës, në mos gaboj, ka bërë një apo disa “aksione” të tilla nëpër lagje, para disa vitesh me fëmijët e shkollave.

Kjo ndoshta ka ndodhur gjatë periudhës së fushatës për kryetar bashkie, për t’u lënë mënjanë më pas.

Suksesi i një nisme nuk qëndron vetëm tek idetë, por dhe tek vazhdueshmëria konstante e aplikimit të tyre.

Është pikërisht kjo një nga ato vlera pozitive, të cilat mungojnë në drejtimin aktual të bashkisë. Këtu qëndron dhe faji i “The City Hall - Bashkisë” për dështimin e nismës për diferencimin e plehrave të “Bllokut”, plan ky i ngelur në mes apo i braktisur pa filluar ende mirë. Dhe kryetari i bashkisë është si trajneri i skuadrës së futbollit. Po dështoi me strategjitë e tij, zakonisht largohet ai dhe jo futbollistët e skuadrës apo tifozët e saj. Këtë duhet ta kuptojë dhe deklaruesi mediatik.

Bashkia e Tiranës duhet të punojë që të marrë fund gjithashtu dhe ndotja e turpshme që i krijojnë njerëzit qytetit me derdhjen e papastërtive të trupit të tyre nëpër rrugë, pemë e mure. Një shënjestër e preferuar e tyre duket se janë këmbët e urave të Lanës. Nuk është e rrallë të shikosh “punëtorë të matrapikut”, pensionistë, jabanxhinj t’i turren me vrap ndonjë ligustre, cepi muri, shkalle pallati ose këmbe ure “për të gjetur shpëtim”. Sikur këmbët e urave të Lanës të kishin zë, do të kishin kënduar me nota vaji vuajtjet e tyre.

Të tjerë i vërsulen dishezës së Lanës dhe bëjnë “detyrat”, duke i kthyer shpinën rrugës, pa menduar ose pa u interesuar se Lana ka dy brigje dhe ajo që është shpinë për një breg, për tjetrin është pamje ballore. Një ushtri e përditshme, e cila në mënyrë të palodhur dhe konstante si të ishte një “perpetum mobile” përsërit këtë ritual kafshëror.

Dhe e gjithë kjo ndodh në sytë e nënave dhe motrave tona. Vetëm kjo do t’u mjaftonte qytetarëve ose mediave në një çfarëdo qytet të Evropës për të hedhur nga karrigia cilindo që do të ishte përgjegjës për menaxhimin e qytetit.

Nënat dhe motrat tona. Pse nuk keni respekt për to?!

Bashkia prishi para disa kohësh edhe të vetmen banjë publike që e kishim trashëguar nga koha e Xhaxhit Enver. Është përsëri e dhimbshme që si shembull pozitiv marrim një të kaluar jo të tillë, por ja që kjo është e vërteta.

Është e domosdoshme që bashkia të vendosë pika të këtij lloj shërbimi e me ujë të rrjedhshëm, në gjithë Tiranën dhe të detyrojë qytetarët që t’i përdorin, në vend që të dalin e të plehërojnë parqet e lulishtet. U desh preteksti i një proteste të Partisë Socialiste para Kryeministrisë që në Tiranë të shikonim banja të lëvizshme, që u shërbyen protestuesve të PS-së ato dy net qëndrimi para Kryeministrisë. Kjo u bë sepse logjikisht ata nuk duhej dhe nuk mund të “ujisnin ose plehëronin” pemët apo të “vizatonin” muret aty përreth, pasi kjo do të konsiderohej kafshërore nga pala tjetër dhe nga gjithë opinioni publik dhe për rrjedhojë edhe gjithë nisma e liderëve të tyre do të dëmtohej rëndë.

Po nëse kjo gjë do të konsiderohej e rëndë dhe pse vetëm në dy ditë, çfarë duhet thënë për atë që ndodh përditë prej vitesh afër dhe poshtë urave të “Lanës Bionde” apo në çdo cep të Tiranës, haptazi dhe fshehtazi.

Kjo është ajo çfarë realisht duhet të bëjë bashkia, të jetë në shërbim të qytetarëve, duke kuruar çdo aspekt të jetës së përditshme komunitare. Për këtë janë votuar drejtuesit e saj dhe për këtë paguhen, kanë apo jo nevojë.

Bashkia e Tiranës nuk është krijuar vetëm për të vendosur “kllapa të kuqe” në rrotat e makinave, ndërkohë që qytetarët nuk kanë vend ku t’i parkojnë makinat, pasi bashkia nuk ka punuar fare për krijimin e vendeve të reja të parkimit, ndërkohë që trafiku automobilistik rritet natyrshëm. Kjo është arsyeja kryesore që makinat vijnë vërdallë, duke ndotur dhe më shumë ambientin. Nëse Bashkia e Tiranës nuk ka ndërmend të krijojë vende të reja parkimi për automjetet e reja që matrikullohen përditë e më shumë, pse nuk po punon për krijimin e transportit alternativ, d.m.th. tramvaj, autobus, trolly apo fundja dhe karroca me kuaj.

Trojka matrioshkash dhe slita me qen Husky në rast se bie bore siberike ose Antarktide.

Kështu si ka nisur kjo punë, nuk është ndonjë çudi e madhe që të zgjohemi një ditë të bukur, po të bukur shumë, dhe të ndodhemi para ndonjë spektakli apokaliptik.

Do t’i bjerë të shikojmë makina të parkuara mbi makina alla “Shaolin Soccer” ose makina duke ecur mbi makina, si të ishim pjesë e një kantoni nga Kina.

Policia Bashkiake e një qyteti evropian nuk shërben vetëm për të kontrolluar tregjet e ligjshme apo të paligjshme të shitësve ambulantë (nuk e di sa i vërtetë është një rast që më kanë treguar, në të cilin një polic bashkie trim, pa asnjë arsye, paska shkelur me këmbë një kokërr shege nga ato që shiste një “none” e vjetër nga katundi i Tiranës.)

Policia Bashkiake duhet që të kontrollojë dhe sigurojë mosdëmtimin e parqeve, pemëve, luleve, mosndotjen e mjedisit në çdo lloj forme nga njerëzit etj.

Këtu duket e çuditshme po të përmendësh se në Londër “kalbesh në gjoba” nga ndonjë “Bobbie” - polic londinez - po të pa duke hedhur një “Chewing gum” në tokë, sepse u dashkan 300 vjet që ajo të dekompozohet.

Të gjitha këto e bëjnë të dhimbshme gjendjen në të cilën ndodhen banorët e Kryeqytetit të Shqipërisë, i cili duhet të ishte motori i ndryshimit dhe i vendosjes së standardeve të larta të jetesës në të gjitha fushat e saj, jo vetëm atë ekonomik.

Këtë e them pasi kam konstatuar se në Shqipëri, çuditërisht, po instalohet një mentalitet i mbrapshtë, sipas të cilit, i vetmi standard që duhet arritur në jetë, është ai ekonomik.

Por për çfarë duhet monedha, nëse nuk ekziston mentaliteti dhe infrastruktura që do të bënin të mundur gëzimin e këtyre të mirave materiale.

Për çfarë i duhet “Ticianit” makina e shtrenjtë në Tiranë, kur ajo i vishet gjithë ditën me pluhur e baltë dhe detyrohet t’i bëjë për çdo ditë nga një “dush 500-leksh ke lavazhi i lagjes” .

Për çfarë i duhet leku “Kaios” kur nuk del dot në rrugë me një palë këpucë të reja (e mjerë nëse janë të zeza) sepse në kthim do të duken si “galloshe llaçi” nga pluhuri dhe zhuli që i ka mbuluar.

Me çfarë arsyesh duhen shpenzuar “xhixhat” për blerjen e një shampoje të shtrenjtë, kur në krye të një ore flokët janë bërë gati për një seancë tjetër.

Mund të vazhdonim gjithë natën e ditën me shembuj të këtij lloji, aq sa do lodheshim.

Shembujt janë të shumtë, kurse shkaku kryesor është vetëm një.

Ndotja e rrugëve me pluhur dhe baltë vjen nga mungesa e kontrollit të Bashkisë së Tiranës ndaj firmave të ndërtimit apo atyre subjekteve që i furnizojnë me materiale ndërtimi si dhe nga cilësia e dobët e shtrimit të rrugëve në Tiranë.

Tirana e fshehur mbas vellos së pallateve të larta pa arkitekturë moderne dhe planifikim urban është për momentin një nga shpresat tona të venitura.

Shpresë e venitur, pasi mbas viteve ’90, ajo duke qenë pa masterplan urban të zbatuar dhe pa ndonjë trashëgimi kulturore të veçantë, kishte mundësi të ndërtohej nga fillimi, duke krijuar projekte moderne dhe origjinale mbi gjelbërimin e saj, banesat funksionale, objekte shërbimesh moderne, qendra për parkimin e automjeteve, duke ulur në këtë mënyrë trafikun dhe ndotjen.

Tirana me rrugët që prishen çdo 6 muaj, për arsye të cilësisë së dobët të punimeve dhe mosndërtimit të një sistemi modern dhe eficient kanalizimesh, gjë që sjell në përmbytje të shpeshta, është për momentin një bast i humbur. Tirana me lagjet e mbushura me kafshë ferme të çdo lloji, si: qenë, kuaj, lopë, dele, gomerë, është shumë larg të qenit një qytet me frymë dhe erë evropiane.

Shumë e zgjidhin duke thënë: “Po pse o budallë, këtu e ke mendjen me jetu ti, po lekët duhen me bo qejf në Francë a në Spanjë, pse pak vila ka Nizza dhe Mallorca. Këtu bojm lekët, atje bojm jetën”. Kurse unë personalisht, edhe pse kam jetuar plot 6 vjet në “Roma - Caput Mundi” ushqej një ndjenjë të madhe dhembshurie dhe dashurie për Tiranën. Ndihem keq që gjendja është e tillë dhe do të bëja çmos, po ta kisha mundësinë për ta ndryshuar. Jam gjithashtu i sigurt se nuk jam i vetmi që e kam për zemër qytetin e Tiranës dhe gjithë Shqipërinë. Ky nuk është një problem që shqetëson vetëm Tiranën, por të gjitha qytetet e Shqipërisë. Ato vuajnë nga të njëjtat probleme, por që për arsye të mungesës së informacioneve të sakta nuk mundemi sot t’i analizojmë.

Janë të shumtë ata që do të donin standarde të larta të jetueshmërisë, jo vetëm të jetesës.

Por vetëm dëshira nuk mjafton, nevojitet ndërgjegjësimi qytetar dhe impenjimi real i institucioneve të pushtetit qendror e lokal për të ndryshuar gjendjen në të cilën ndodhemi.

Miq të dashur, nëse ne nuk do të arrijmë që të ndryshojmë situatën ambientale të vendit tonë, e cila aktualisht është në kufijtë minimalë të jetueshmërisë (kjo, nëse u referohemi standardeve të vendeve të zhvilluara evropiane), atëherë pasojat negative do të jenë edhe më të mëdha sesa dështimi ynë moral.

NGA ENEA SHERIFI, G. Standart

Vlera më e madhe e budallenjve në shoqërinë e sotme

Akuzave të pabaza rreth budallenjve u shtohet dhe padrejtësia shkencërisht e gabuar ku këta shikohen si të pavlerë, pengues të shoqërisë së sotme apo parazitë. Ndoshta shumë herë shprehimisht urojmë përsëri në mënyrë të gabuar që këta të mungojnë mes nesh.

Problemi me budallenjtë nuk është i thjeshtë nëse së pari marrim parasysh vendin e qëndrueshëm dhe krejtësisht të nevojshëm që këta luajnë në diferencializimin e klasave shoqërore.

Kështu budallenjtë ndahen në dy kategori krejtësisht të ndryshme nga njëra tjetra, veç të dyja këto kategori i përgjigjen të njëjtave ligje shoqërore – diferencializimit.

Kategoria e parë, përfshin budallenjtë të vendosur në klasat e ulëta të shoqërisë.

Sesa e vlefshme është kjo kategori njerëzish, e kotë ta diskutojmë. Do na duhet të theksojmë gjithsesi se pa të shfrytëzuar, nuk mund të ketë zhvillim. Duke folur në gjuhën e shkencave shoqërore, pa këta nuk do kishte ndarje klasore, sepse në vend të pabarazisë, do kishim barazi. E njëjta gjë vlen edhe kur kjo ndarje e shoqërisë sigurohet mbi nivelin e nevojshëm, domethënë, sikur të gjithë të ishin të zgjuar, atëherë përsëri nuk do kishim qytetërim, do të ishte njësoj sikur të gjithë të ishin budallenj. Qytetërimi sigurohet vetëm nëpërmjet ekzistencës kategorike të të dy grupeve, si të mençurve, ashtu dhe budallenjve. I privuar qoftë prej njërës nga dy degët e tij, qytetërimi rrëzohet përfundimisht.

Në vazhdim pra, përmes teorisë të diferencializimit shoqëror, pa kontributin esencial të budallenjve, qytetërim nuk ka. Kështu, më së pari duhet të njihet vlera e madhe shoqërore e budallenjve. Madje në sociologji, kjo vlerë njihet shkencërisht.

II

Diskriminimi ndaj budallenjve vjen si rezultat i rendimentit të kategorisë së dytë ku ata përfshihen, e cila është më e bezdisshme se e para, por dhe kjo përfshirje e tyre bëhet e tillë nëse kalon kufijtë e llogjikës dhe shndërrohet në lëvizje antisociale dhe antishkencore. Këtu pra, akuzohen budallenjtë e kategorisë së dytë, ata që mbajnë poste të larta në rendin shoqëror.

Ky gjykim i situatës, shmang krejtësisht një padije të funksionimit diferencial shoqëror, i cili përmblidhet në rregullin elementar “Për 10 budallenj, duhet një i mençur”, “për 10 të paaftë, një i aftë”. Ky fenomen, tipik klasik, tepër i vjetër shekullor, ekziston për aq kohë sa është në jetë dhe shoqëria njerëzore, që nga fillimet e njerëzimit. A bëhet të jetë fenomeni në fjalë thjesht “rastësor”? Po rastësi konsiderohet çdo gjë që truri i njeriut nuk e kap dot. Asnjëherë veç, nuk është konsideruar rastësi ai çka quhet rregulli themeltar i diferencimit shoqëror. Dhe susta psikologjike siguruese e aleancave të atyre që janë “poshtë”, ndaj atyre që janë “lartë” është njëherësh e dhënë sipas ressentiment.

Aleanca e budallenjve, nuk është gjë tjetër veç një organizim mekanik sipas parimit të “përpjekjes më të vogël” në mënyrë që të luftojë një forcë më të madhe të përfytyruar tek një grup oligarkik apo te një njeri i vetëm. Ky organizim, i kufizuar në shtrirje, është emërtuar prej termit sociologjik si “klikë”.

Është e lindur tendenca e budallait, shumë shpesh madje e kthyer në mani, që të përfshihet në lëvizjet sa më të forta, sa më të shumta, në organizata shoqërore të çdo lloji e natyre.

Kjo tendencë shpjegohet së pari përmes lehtësisë të tufëzimit, (grupimit) të cilit i nënshtrohet si pasojë e mungesës së individualitetit. (Prej kësaj tendence rrjedh dhe urrejtja ndaj individëve apo individualistëve).

Arsyeja e dytë është paniku kafshëror individualist prej të cilit përfshihet vazhdimisht, dhe frika e arsyeshme se mund të përmblidhet në çfarëdo lloj proletariati. Këto tendenca, janë afërsisht fakte të pathyeshme për të vërtetuar cungimin shpirtëror të dikujt.

Në këtë mënyrë krijohen flukse të larta rrymash budallenjsh që vërshojnë nëpër organizata të çdo lloji. Nëse këto organizata, janë mbrojtëse të interesave, atëherë arrijnë ta ruajnë të paktën mbrojtjen qoftë sipërfaqësore të interesave që kanë. Po nëse këto organizata janë të natyrës shpirtërore, me kalimin e kohës degjenerojnë në budallo-adhurim.

Këtij fenomeni të fundit i janë nënshtruar psh degjenerimi i masonerisë, Lidhjet e kudondodhura Roteriane, akoma së fundi dhe ajo...Organizata e Kombeve të Bashkuara! Pra sipas të dhënave më sipër, tendenca shtytëse e budallenjve drejt organizatave të çdo lloji dhe natyre dhe tufëzimit të tyre me mani, antindividualizmi dhe grupimi pa ndërhyrje tjetër, na jep shembujt e ekonomisë së drejtuar në shembujt e socializmit, apo komunizmit. (të tjerë janë ata që shfrytëzojnë teori të tilla gjithsesi).

Në këtë mënyrë, më tej mund të shpjegohet përzgjedhja rigorozisht dhe rreptësisht e budallenjve në krye të organizatave shoqërore, të cilët përmes dhunës politike arrijnë të mbizotërojnë dhe si sistem ekonomik apo politik. Po nga ana tjetër, kritikat, privilegje e atyre personave që zotërojnë një llogjikë të fortë, të drejtuara ndaj udhëheqësve të organizatave të tilla, janë krejtësisht të padëshirueshme. Sepse e ushtruar nga të tjerë, bie ndesh me pushtetin e budallenjve, apo të atyre që mbajnë një pozitë të tillë interesi që i bën të ndjeshëm ndaj mendimit kritik. Mungesa e mendimit individual, lëvdatat, keqdashja (shikoni më poshtë) i bëjnë këto situata, ideale për tu klasifikuar si të zotëruara prej budallenjve. Përsëri tendenca e paluftueshme që budallenjtë kanë të mblidhen në tufëzim, përmes shfaqjeve publike, të ushqyera prej radiove, televizionit, modës, dhënies së vlerësimeve (diplomave, medaljeve) japin një pikturë të përgjithshme si shfaqje budallëku dhe përmes asaj çka pamë më lart, janë të vetkuptueshme.

III

3. Tani na duhet të gjejmë se kur duhet ta marrim si të dhënë mundësinë reale të ndikimit prej kopesë së budallenjve? Kjo mundësi, mund të vlerësohet objektivisht dhe pavarësisht sustës psikologjike (ressentiment) e cila nuk do të kishte asnjë ndikim aktiv shoqëror në diferencimin e klasave. Është vlerë e dhënë nëpërmjet pozitës që mbajnë budallenjtë në rendin shoqëror. Pozitë në të cilën shndërrohen në të pazëvendësueshëm, sepse është pozitë më e ulët por gjithashtu hallkë e nevojshme për funksionimin e të gjithë mekanizmit shoqëror, i cili bazohet absolutisht në hallkat e veta më të ulëta.

Më qartësisht duket kjo varësi në marrëdhëniet me hallkat më të larta në personazhe dhe pozita që këto hallka u përkasin. Qartësisht kjo lidhje duket te forma e santazhit, të cilën e njohin të gjitha qeniet shoqërore. Si shembull jepet shmangia, mbyllja e një dosjeje, apo mosdhënia e urdhërit të mandatit të arrestit kundrejt një të kërkuari kriminel, prej organeve (të ulëta në grada) policore të lidhura me persona të tillë etj.

4. Duke marrë parasysh, aktualitetin e kësaj gjendjeje në rangjet e ulëta të personave në diferencimin social, bëhet plotësisht e kuptueshme ngritja në pozitë e personave të tillë përmes aleancave duke vendosur veten dhe të tjerë në pozita të tilla paralizuese të sistemit dhe bojkotimin nga këta persona me këto aleanca nga njëra anë ndaj personave të aftë për të kryer një punë të caktuar, ndërsa në anën tjetër, vendosin shtytjen ndaj personave të njëjtë me ta drejt pozitave drejtuese. Ky fenomen emërtohet “klikë” .

Që një evolim të llojit të tillë, asnjë nuk mundet ta ndalojë kjo duket qartë, aq qartë sa duket dhe marrëdhënia e ndërvarur sipas të dhënave të mësipërme. Sipas kësaj vartësie, fenomeni “një budalla bie, një mijë ngrihen” vazhdon pambarimisht.

I ardhuri në pozitë kësaj here budalla, do të kërkojë më budallenj se vetja për t’i patur vartës deri sa një ndërhyrje e dhunshme nga jashtë, e detyrueshme herë prej nevojës, herë prej organizmave shoqërorë, apo një përçudnim i organizatës në fjalë do të jetë i rangut të tillë që të çojë në një tronditjeje nga themelet deri në fundin e saj.

5. Por edhe pa aleanca dhe organzime, pa “klika”, të ardhurit e rinj budallenj apo të paaftët përgjithësisht, sikur edhe individualisht të mbizotëronin vendosen të lidhur me diferencimin social në një rang të njëjtë me të organizuarit. Sepse objektivisht, pozitat të cilat mbajnë, nëse marrim parasysh si më sipër, janë të tilla që i bëjnë ose të mbivlerësuar, ose të ngrënshëm (durueshëm) prej të tjerëve, asnjëherë veç në këto pozita nuk kërkohet aftësi që të arrihet deri aty. Në të kundërt, njerëzit e aftë, shtypen dhe rrëzohen me rastin më të parë që arrijnë në majat më të larta të sistemit. Në këtë mënyrë, shumë të paaftë kanë arritur të kenë pozita të larta që nga presidenti i Republikës deri te “sekretari i Aleancës së shitësve të çarqeve të minjve”. Këto pozita shoqërore asnjëherë një njeri serioz nuk do kërkonte t’i kishte. Pozita të cilat shoqërohen me diploma, medalje, shfaqje etj.

Kolegu causeur i rasteve më lart përbën me të vërtetë një fshikullim shoqëror, sepse si causerie merr përsipër të flasë te kopeja e njerëzve mbledhur përpara tij çfarë u bë nëpër gazeta, çfarë dëgjoi në radio, çfarë i thanë njerëzit në rrugë etj. Gjithashtu kur vendos të komentojë mbi tema të vështira që kërkojnë mprehtësi intelektuale dhe hir shpirtëror si psh se gjatë natës mbizotëron errësira dhe pas shiut sigurisht ka lagështi. Në këto raste shtohet gjithashtu qëndrimi “vetëmbrojtës” ndaj njerëzve intelektualisht më lart se ai vetë, një nënvleftësim i qëllimshëm i tyre në emër të popullit etj.

IV

6 Interesant është përfundimisht dhe fenomeni i disa njerëzve të ditur të cilët instiktivisht e ndjejnë rolin e madh të budallenjve në shoqëri dhe karrierën e tyre të shndritshme – në prerjen e artë të modestisë sigurisht – vendosin të vishen me këtë rol të ngrihen dhe ata nëpërmjet metodës së infiltrimit ndër ta. Por ky rol është tejet i vështirë për dy arsye kryesore.

Së pari subjektivisht, ekzistenca e jetës shpirtërore dhe intelektuale ka një reflektim në fizionominë e jashtme, kjo edhe me aktrimin më të mirë të mundshëm është e vështirë të fshihet, veç në rastin kur kemi të bëjmë me talent aktrimi të jashtëzakonshëm. Thjesht, veç prania e një të mençuri është si rregull, tejet sfiduese për budallain. Kompleksi psikologjik i ndjenjave që vërshojnë drejt tij, është krejtësisht i njëjtë me atë të një kafshe në ikje e sipër, në gjendje paniku, ose të një njeriu në gjendje arratisjeje, apo pozicion mbrojtjeje. Urrejtja, frika, keqdashja, bashkë me guximin harbut përmblidhen në një mënyrë të tillë që shprehin për një sy të stërvitur qartë në çdo frazë, qëndrim të njëjtë nënvlerësues, apo përulës në një gjendje të rrezikuar.

Së dyti, sipas mënyrës të të menduarit të budallait, dyshimi instiktiv i lindur i tij, është e tillë që hipokrizia aktoriale e të mençurit bëhet e kotë. Nga ana tjetër, sinqeriteti i vërtetë i shprehur prej të mençurit konsiderohet si hipokrizi. Budallai është qënia më e afërt me mbretërinë e kafshëve, ka ndjenja dyshimi instiktiv të zhvilluar në mënyrë të tillë që bëhet i pamundur diagnostifikimi apo krijimi meditues dhe renditja llogjike e fakteve, të dhëna zgjuarsie këto, aftësi jo të mbështetura në instikte, por në dije. (budallai) i paarmatosur dhe i pambrojtur prej ofensivës inteligjente, përballë veprimeve llogjike të ftohta të një zgjuarsie të huaj, karakteristika që bëhen të pakapërcyeshme për të, dhe për t’i përballuar vë punë mjetin e vetëm që ka në dorë, pikërisht ato që përdorte dhe njeriu primitiv apo kafshët – dyshimin instiktiv.

Në këtë mënyrë shpjegohet dhe inferioriteti fizik, apo shpirtëror i popujve që frymëzohen kryesisht nga dyshimi instiktiv dhe nga vetëkënaqësia, karakteristika që i marrin si të dhëna inteligjence. Në kundërshtim me evropianët, të cilët nuk kanë asnjë nevojë për ndjenja të tilla dhe botkuptimi i tyre është mbështetur mbi llogjikën. Sipas kësaj gjithashtu, duket qartë se dyshimi keqdashës dhe pjella e tij, dinakëria, janë të dhëna krejtësisht të kundërta me inteligjencën, madje i kanë zënë vendin kësaj të fundit. Themi në “të kundërt” përsa i përket rolit, sepse dituria, nuk është e pavarur prej instiktit, përkundrazi, është zhvillimi i mëtejshëm i këtij të fundit që nga vlera e tij fillestare.

7. Dinakëria, është ushtrimi aktiv i dyshimit dhe stadi i dytë i tij, veprim i njëjtë me instiktet kafshërore të mbrojtjes, sepse për tu ushtruar presupozon varfërinë dhe inercinë shpirtërore të budallait, si kafshë instiktivisht dhe shpirtërisht nën panik. Dyshimi i thjeshtë është një mbrojtje me natyrë pasive e cila nuk u drejtohet personave të tretë. Ndërsa dinakëria është mbrojtje e natyrës aktive, sepse përmbledh aktivitet të trurit, renditje mendimesh dhe përfundimesh deri në veprim (kur themi ia hodhi psh), dhe si përfundim ushtrohet mbi persona të tretë. Vlera e cilësisë së mendimeve, meditimeve dhe përfundimve nuk ka lidhje me zgjuarsinë kur vetë përdorimi i këtyre na çon në ushtrimin e asaj çka quhet me një fjalë të vetme – dinakëri (shejtanllik), por përdorimi i përgjithësimeve në kombinim me nivelin e ulët intelektual çon në ushtrimin e disa veprimeve të njohura në funksion të dinakërisë (lavdërime, gënjeshtra, keqdashje, shpifje, kurvëllik, këndvështrim simpatik ndaj budallenjve akoma, duke zënë në gojë fëmijët e shumtë të tij, ofertë ndaj të “fortit” për shërbime të ndryshme, të lehta dhe të pamoralshme, spiunllik, “marrje pluhurash”, karagjozëllëqe, apo të bërit si Kazanova, puthje duarsh përpara “të Plotfuqishmit”, nxjerrje fjalimesh, thurje të vargjeve lëvdonjëse, mbartje qesesh me zarzavate etj)

8. Budallai mundet përmes “aftësisë” së tij dhe mjeteve të cekëta intelektualo-shpirtërore, (në mungesë të aftësive të larta intelektuale), të ushtrojë më pas dhe mashtrimin. Mashtrimi siç dihet, është fshehja e të vërtetës, apo parashtrimi i gënjeshtrës si e vërtetë. Sipas këtij përkufizimi, ushtrimi i mashtrimit, nuk i detyrohet mprehtësisë së atij që e ushtron, sepse si çdo njeri që mundet të parashtrojë të gënjeshtrën si të vërtetë, ashtu mundet dhe budallai në fjalë, por në mirëbesimin e viktimës. Arsyeja që i futet kësaj rruge si më e lehta mendërisht e mundshme, për budallain është mungesa e mprehtësisë së tij dhe paaftësia për të përdorur mjete të ndershme, karakteristikë kjo e njerëzve inteligjentë. Vetëm ata munden të përdorin vlera që kërkojnë një kalitje individuale shpirtërore.

Po si është e mundur atëherë që na del përpara shprehja e përhapur gjerësisht se mashtruesi nuk ka mundësi të jetë budalla, përkundrazi, është i mençur? Në të kundërt me analizën e mësipërme sipas së cilës del se mashtruesi nuk ka mundësi të jetë i mençur por budalla me vulë?

Kjo përshtypje e ka burimin nga “teoria” e lidhjes së budallëkut me mirëbesimin. Budallai është i prirur të “mendojë” jo prej një mekanizmi llogjik kuptues por nga përshtypjet e jashtme. Nuk kërkon arsyet madhore të cilat shpjegojnë fenomenin e caktuar, por kufizohet në gjetjet sipërfaqësore aq sa për të realizuar një mashtrim të suksesshëm. Veprimi në fjalë nuk lidhet vetëm me mirëbesimin e viktimave të veta dhe zgjuarsisë së mashtruesit.

Që mashtrimi nuk lidhet me zgjuarsinë besoj se e bëmë të kuptueshme mjaftueshëm. Por të thuhet që mirëbesimi është budallëk, kjo është me të vërtetë monument i budallëkut “të zgjuar”. Sepse mirëbesimi i dikujt, presuozon që të tjerët të jenë si ai, mirëbesues dhe të ndershëm, pra të mençur. Ky është pa dyshim treguesi më i lartë i arritjes kulturore dhe qytetëruese të dikujt.

Sa më lart të ndodhet dikush në shkallët e zgjuarsisë dhe të qytetërimit, qofshin këta popuj, apo individë (psh evropianët në lidhje me popujt e lindjes së mesme) aq më mirëbesues janë ndaj njeri tjetrit.

I fundit i budallenjve, do ta kishte të pamundur që të mashtronte një Kant apo një Betoven dhe i fundit i grekëve (lexo shqiptarëve po të duash ) një evropian. Hedhja e vështrimit keqardhës të “frëngëve naivë” drejt fatkeqëve “të mençur” banorë rreth Mesdheut, apo të Lindjes, le të jetë dënimi i budallenjve për këtë “teori” të tyren.

V

9. Jemi brenda të vërtetës nëse themi që budallai ndjek instiktin e vet të dyshimit keqdashës* (lexo supersticioneve*) dhe kjo është e padiskutueshme. Ai e vendos veten e vet brenda jetës sociale dhe “fatin” e tij në lartësi qiellore (brenda metafizikës psh), aty ku bota instiktive ka pësuar një degjenerim të lartë - përballë botës llogjike, duke humbur në këtë mënyrë çdo kontakt me realitetin.

Nëse pranojmë, ashtu siç lipset të bëjmë, se së pari: Instikti është i pagabueshëm, si i tillë i pashpjegueshëm dhe i pa cen. Së dyti; se bota instiktive është mbi të gjitha një botë prej natyre e shëndetshme. Së treti; se shoqëria (bashkësia) në vazhdimësi të natyrës, është një organizëm i shëndetshëm i përbërë prej individëve të shëndetshëm, atëherë përfundimi mbi zotërimin e budallenjve në botë nëpërmjet metafizikes në shoqëri, është një përfundim i nevojshëm dhe i parevokueshëm.

Përfundimi vërtetohet si nevojë e natyrshme dhe sociale me vlera të përbotshme përsa u përket të gjithë popujve, në të gjitha kohët. Që gjendjet metafizike mbizotëruan (jo lulëzuan) në epokat e errëta sociale, kjo nuk është rastësi. Budallai, siç u tha sa më sipër, duke ndjerë në dyshimin e vet keqdashës “sulmin” e të mençurve është në mënyrë të krejt të natyrshme brenda realitetit, sepse me të drejtë ndjen rrezikun që i kanoset për tu fundosur në klasat shoqërore më të ulta. Nëse mundet nëpërmjet dyshimeve të veta të mbijetojë në majën e piramidës shoqërore, kjo ësht temë tjetër.

Është e dukshme veç që instikti përbën një mjet orientimi (busull) dhe mbrojtjeje të njeriut primitiv. Por ky nuk vlen ama si mjet mbizotërimi dhe superioriteti në një shoqëri të zhvilluar që i ka të ndara paraprakisht klasat sipas aftësive, në formë të natyrshme.

Budallai ngjan në këto lloj shoqërish me një kafshë e cila prej instiktit di t’i shmanget çdo rreziku, përveç dhunës nga “lart”, sikur vjen prej xhunglës dhe hyn në një një rrugë kryesore të një metropoli atëherë do gjendet befasisht poshtë rrotave të një makine. Kjo makinë, e cila është e panjohur dhe e pashpjegueshme për të, mbështetet sigurisht në fund të fundit te instiktet e njeriut, por është ndërtuar prej zgjuarsisë së tij. Sesa shpesh mund të gjenden njerëz të ulët shpirtërisht poshtë rrotave të “makinave” sociale, na jep një tregues të vendit që mbajnë ata në klasat sociale.

Këtë lloj makine, nuk mundet as budallai sigurisht ta shmangë, sepse ngritja e tij mbi të është e kufizuar brenda caqeve të caktuara shoqërore. Dhe së fundi, metafizikja, as kafshën dhe as budallanë nuk mundet të mbështjellë nën rrota, sepse është e kuptueshme që ai ia ka hipur kalit me flatra Pegasus. (Ose ka fluturuar me zarzavate si i themi ne )

VI

10. Sipas prejardhjes shoqërore të budallenjve, vëmë re që prodhimi i tyre nuk kufizohet prej ndarjeve klasore. Natyra dinake, nuk i dha asnjë klase të caktuar këtë privilegj. Në mënyrë të përciptë mund të pohojmë se budallenjtë më të këndshëm natyra na i ka ofruar në rangjet e klasave të larta, por gjithsesi, nuk ndau asnjë klasë nga ndikimi simbolik i tyre. Ministri budalla i bërë reckë nga nëpunësit dhe vartësit e tij, apo matrapazi ndërmjet punëtorëve që shfrytëzon mundin dhe djersën e kolegëve, janë dy raste të kundërta që vërtetojnë më së miri se budallëku vendlindjen nuk e ka të natyrës klasore.

Përmbajtja e budallëkut është kryesisht psikologjike për të formuar më tej variacionet e veta paralele midis budallenjve. Fils a papa i klasës superiore, i cili për shkak të atrofizimit fizik dhe natyrës bulemike të karakterit, merr seriozisht në konsideratë rradhën e pafundme të rregullave të vendosura prej familjes së vet, duke humbur kështu vlerën e mendimit kritik, katandiset në njeri pa pikën e karakterin dhe quhet prej klasës së vet përfaqësuese si “çun i mirë”, kur në mënyrë llogjike të përkufizimit do duhet të ishte “budalla përsëmbari”. Ndërsa “njeriu i popullit” nën shembullin paralel do duhet të quhej gjerësisht prej shoqërisë veç “trap”.

Me të drejtë duket më i rreptë përkufizimi në masat popullore. Nëse psh fils a papa i klasës superiore, në moshën shkollore del të jetë i pamjaftueshëm llogjikisht, ai mbështetet me mjetet që posedon klasa e vet, madje arrin të qëndrojë në pozita të larta shoqërore nëpërmjet kësaj mbështetjeje. Ndërsa njeriu i popullit, edukohet më me rreptësi nga prindërit dhe prej bashkëmoshatarëve të vet, derisa arrin një lodhje mendore të tillë përmes nënvleftësimit, sharjeve, talljeve, farsave, dhe dhunës që nuk i krijon mundësi të mjaftueshme të ngjitë në shkallët e klasave të tjera më të larta. Ky lloji i fundit i budallait, edhe më simpatik është, më modest, më i padëmshëm dhe më pak qesharak, gjithashtu e ka humbur vetëvlerësimin, në kundërshtim me budallain e klasave të larta që bulemia dhe mbrothtësia familjare, i shton karakterit të tij një lloj natyre femërore.

VII

11. Së fundi, lidhja e moralit ndërmjet budallait dhe rengpunuesit, apo mashtruesit është papritshmërisht e ndryshme nga ajo që ka parasysh “opinioni publik”. Njeriu i thjeshtë, mendon se rengpunuesit dhe mashtruesit janë vërtet të pamoralshëm, por gjithashtu një nënkategori e të zgjuarve. Në të kundërt, do të thoja se mashtruesit janë kategori e budallëkut. Dhe ja se si: Nga sa thamë më sipër, dinakëria përveç kur kjo përdoret si mjet prej të mençurve kundër budallenjve, përbën dhe karakteristikë natyrale të këtyre të fundit, gjithashtu konkluzion llogjik të faktit se për shkak të natyrës së prishur të mekanizmit llogjik të budallenjve, dinakëria përbën mekanizmin e vetëm mbrojtës që këta kanë në dorë ndaj sulmeve të jashtme.

Për vërtetësinë e këtyre argumentave na duhet edhe një hap i vetëm akoma: pikërisht që dinakëria është e nevojshme ndër budallenj, për t’i bërë këta të zotërojnë pozita dhe pushtet. Asnjë njeri me vlerë nuk e ka të nevojshme të bëhet dinak, apo mashtrues. Eksperienca shoqërore e përditshme na mëson se këto lloj epitetesh (mashtrues, dinak etj) asnjëherë nuk arritën të ishin pronë e njerëzve të mëdhenj, të cilët sipas aktivitetit të tyre janë cilësuar si “të këqinj”, “të mefshët”, “skuthë”, por asnjëherë si mashtruesa apo rengjepunues, madje edhe kur kanë qënë konservatorë, antisocialë në lidhjet me njerëzit, kanë arritur të mbizotërojnë.

Pasoja absolute të gjymtimit shpirtëror të budallait janë jo vetëm tendenca e tij për tu kthyer në kope, shtytja përpara me shpatulla pas murit në legjionin e njerëzve të sërës së vet, mungesa e kritikës, përdorimi i robërimit moral, lajkat etj. Por dhe shmangia sistematike e çdo përplasjeje dhe çdo beteje. Dhe kur budallai në formën e mashtruesit apo dinakut, do t’i duhet të polemizojë, këtë do e bëjë nëpërmjet mjeteve më të lehta të mundshme, madje ato më imorale: Gënjeshtrës,kurvëllikut, ligësisë dhe shpifjes.

Prej kësaj del dhe teorema e patundshme që: edhe imoraliteti është komplet privilegj vetëm i budallenjve.

Elushe, forumivirtual.com Perkthim nga nje gazete juriste

Saturday, February 6, 2010

Parajsa

Ja dera e madhe e parajsës. Pas saj një grumbull i madh njerëzish që shtyhen e shtrëngohen me njëri-tjetrin në rradhë. Dikush i jep rojes një zarf në dorë, dikush tjetër i thotë më ka dërguar Muhamedi duke treguar mjekrrën e tjetri ka mik Jehovain dhe i bën te fala nga filani.

Pastaj me pak dredhi arrin të futesh brenda. Aty ka dritë e lule plot aromë, por bletë jo. Nëpër fusha sheh plot femra bjonde kaçurrela, të veshura si në mitologji, që vetëm u shkëlqejnë dhe i qeshin sytë. Dhe është përherë kështu. Këtu nuk ka as familje, as nënë, as atë, as miqtë e tu, as këngën tënde të preferuar nuk mund ta dëgjosh. Ketu ka vetëm verë, lumenj vere dhe nuk rritet bima e mrekullueshme e cannabis. Dielli nuk perëndon kurrë dhe ti nuk ke ëndrra. Nuk bie as shi, as borë dhe as rrebesh. Gjithçka është e veshur në ar, por ari nuk ka asnjë çmim.

Këtu nuk luan dot futboll sepse edhe topi ka shpirt. Ushqimet janë nga më të ndryshmet, por je i detyruar të shijosh vetëm brendafutjen e tyre. Këtu nuk rritesh dhe nuk bëhesh kurrë plak i urtë plot me mbesa. Këtu nuk sheh kurrë një fëmijë që çan gjurin teksa rrëzohet, në rropatje për të mësuar të ecë...

As të qarën e parë të një fëmije që lind, një prind nuk e dëgjon kurrë. Këtu njerëzit vetëm dëfrejnë papushim. Eshtë gjithmonë ngrohtë dhe dy njerëz nuk kanë nevojë të mblidhen e të mbështillen me njëri-tjetrin për të gjetur ngrohtësi. Në parajsë njerëzit nuk flenë dhe ti nuk mund ta sodisësh kurrë njeriun tënd të zemrës, si dëshmitar dhe shkaktar të qetësisë së tij.

Në parajsë nuk ka xhelozi, nuk ka smirë, nuk ka dhimbje, nuk ka garë, nuk ka fitues e humbës. Këtu askush nuk ka nevojë të mësojë, të dijë, të përparojë. Nuk ka dallim mes racash, gjinie e moshe. Janë të gjithë njëlloj, si një fotokopje e bukur, pavarësisht se konceptet i bukur, i mirë, i drejtë, i fortë nuk ekzistojnë. JEMI NE PARAJSE !

Megjithatë, një të mirë të padiskutueshme parajsa e ka. Do të shpëtojmë njëherë e mirë nga propaganda fetare.
http://www.facebook.com/NdalPaditurise2
Shkroi dhe përgatiti : Stop Injorancës - Gusht 2008

Temë e lirë për të shprehur imagjinatën tuaj.

http://stopinjorances.blogspot.com/2009/11/parajsa-dhe-ferri.html

Dritan Minxholli, facebook edhe në burg

Dritan Minxholli, një nga të burgosurit i akuzuar për tragjedinë e Gërdecit kërkon pushime. Nuk i ka dërguar letër, presidentit as kryeministrit apo drejtorisë së burgjeve për këtë dëshirë, këtë kërkesë e ka bërë në një vend tjetër. Ku do të thoni ju, ai është në burg.

E ka bërë në Facebook. Po, po, edhe ai ka një faqe të vetën në këtë rrjet social komunikimi. Dhe thonë pastaj që nuk lejohet celulari në burg. I lartpërmenduri, jo vetëm që ka celular, por e përdor atë edhe me internet.


Faqe e tij në FB, është e shoqëruar me foto, por edhe me citimi, si për shembull, atje ku thuhet shkruaj diçka për veten Minxholli shprehet: "Antisocialist, me bindje të qarta të djathta, jam "idealist" ky vend në gjirin e Europës do zhvillohet me reformat e të djathtës që reformohet nga dita në ditë. Zoti bekoftë PD dhe të gjithë shqiptaret".


Në faqe duket se i akuzuari e ka hapur këtë profil të vetin që në vitin 2009 dhe gjithashtu kuptohet që herë pas herë hynë aty dhe ve statuse të ndryshme, mes të cilave në mënyrë indirekte të bie në sy se i paska vajtur mendja për t'u "arratisur" këtë e lë të kuptohet shprehja e tij se; Dritan Minxholli "drejtoria vë e zbaton ligje, s'na ngelet gjë tjetër, vetëm të çajmë shtigje". Kuptohet që të gjitha hyrjet e tij online në këtë faqe janë nëpërmjet celularit.


Po Minxholli nuk është i vetmi i burgosur i akuzuar për tragjedinë e Gërdecit që ka hapur Facebook. Një tjetër është edhe Ylli Pinari.


Profili që mban emrin e tij nuk është i shoqëruar me foto dhe ka gjithsej 20 miq.

Mania e këtij rrjeti ka kapur edhe të burgosurit, të cilët nëpërmjet kësaj faqe komunikojnë më të gjithë njerëzit që duan, kjo ndoshta ua lehtëson faktin e të qenit të izoluar.
Shekulli

Nënë Tereza dhe Ministria e (Ç)Kulturës

Është i cuditshëm fakti se sa shpesh qeveria, sidomos Ministria Jo Vetëm e Kulturës, mendon dhe krijon projekte madhështore e që të çudisin me injorancën e tyre; duhet tu kujtosh se nuk dinë fort mirë se çfarë do të thotë fjala "memorial".


Që kjo e fundit, tregon një përmendore të bërë në monument për një përkujtim etj. Pra, është një monument që do të përkujtojë një ngjarje apo një person. Por, pyetja lind vetë: - Si mund ti bëhet një përmendore Nënës Terezë nëpër cepa?!


Sepse, kuptohet vetë nga fakti, që sa e sa herë do ketë raste të veçanta, ditëlindje, shenjë përkujtimi, ndodhi të ndryshme fetare për Nënën Terezë, delegacione të huaja, do vinë dhe do vendosin kurora me lule mbi emrin e saj.


Dhe në Shqipëri, që të tregohemi të sinqertë, kjo gjë nuk ka ndodhur më parë; pra të vendosësh kurora në memorialin e një njeriu që tashmë e njeh e gjithë bota, më shumë se Skënderbeu, Ushtari i Panjohur, apo edhe Nëna Shqipëri.


Pra, ky memorial duhe të jetë i një rëndësie tepër të veçantë.
Madje, ndër më të veçantët që mund të jenë bërë deri më tani në vendin tonë. Si për ne, por edhe për sytë e botës.


Nga të qënurit agnostik, më lind edhe pyetja tjetër: - Si mund ta vendosin këtë humaniste të njerëzimit nëpër cepa? Apo, nuk gjejnë dot një vend më të mirë se ai cepi pranë Korpusit?


Në datën 26 Janar, në shtyp u dha njoftimi për hapjen e këtij konkursi, që për 100 vjetorin e Nënës Terezë, pra më 26 Gusht të këtij viti, për një kohë të shpejtë do të vendoset guri i parë në themelet e kësaj vepre.


Por këto ditë, në një nga njoftimet e faqes zyrtare të Ministrisë së Ç'kulturës, shkruhet se: Pas diskutimeve të Komitetit Shtetëror për këtë çështje vendosi që Memoriali të ngrihet në pjesën ngjitur me Korpusin Qëndror të Universitetit të Tiranës, deri tek rruga afër Gardës së Republikës, pra nga pjesa përballë Akademisë së Arteve (pjesa jugore).


Me pak fjalë, rroftë injoranca e njerëzve që na drejtojnë dhe që jo vetëm nuk kanë shije, as estetike, por mbi të gjitha janë njerëz pa ndjenjë. Le të kenë mundësi që kësaj gruaje të tokës ti bëjnë sa më shumë buste, sidomos në Shqipëri.
Ajo është gruaja që nuk njihte mision feje.


Por ndër të tjera projekti shkruan se ajo mund edhe të vendoseshe në sheshin që mban po të njëjtin emër. Nuk mund të jetë atje sepse mbi të gjtiha për nga rëndësia duket sikur ndërtesa e Korpusit është një universitet fetar. Por shëmtia nuk paska fund. Si mund ta vendosësh anës anave një figurë kaq të madhe dhe ta lësh në cepa!


Por nëse është kështu, më mirë ajo do shkonte tek shatërvani i tharë pranë Korpusit. Gjë, që është e keqja më e vogël, që megjithëse një figurë e tillë si Nëna Terezë nuk shkon në sheshe; por në vende që të shfaq më shumë spiritualizëm dhe qetësi.


Dhë në fund, po lë ligjin që ne e zbatojmë të fundit, prej nga: Sheshi Nënë Tereza është monument kulture dhe quhet si ndërhyrje e pa ligjshme. Duhet ta dimë që shkon shumë, në një shesh që ka emrin dhe shtatoren e nje personi të caktuar.


Ku na lind problemi që ajo nuk mund të jetë edhe në këtë shesh?!

Nëse do të mund të vendosej do të shkonte shumë aty ky është shatërvani, ose të ishte në po atë vend me apo një shatërvan të thjeshtë, me kënaqësinë e të rrethuarit me apo nga uji. Mirë, deri këtu nuk jemi keq.


Sepse nëse kjo shtatore mund të vendoset në pjesën ku është sot shatërvani i tharë, atëherë jep një largësi më të madhe nga Universiteti Politenknik, dhe nuk i jep këtij të fundit ngjyra fetare.


Sipas kësaj ideje, mund të arrijmë të pretendojmë se prishja e shatërvanit do të mund të kalonte në shume komisione e këshilla kombëtarë, pasi duhet kujtuar që Sheshi "Nënë Tereza" është pjesë qe mbrohet me ligj në atë të Monumenteve të Kulturës (së bashku me Bulevardin "Dëshmorët e Kombit", kompleksin e ministrive, Akademinë e Arteve, Korpusin Universitar, etj), të cilat janë në mbrojtje nga shteti.


Ky shesh është pjesë e projektit të vjetër italian, që përbën dhe një nga trashëgimitë monumentale të Tiranës dhe si i tillë, do të duhet të hape disa probleme. Por ai shatërvan kaq shumë i pa bukur, nuk do mund të zëvendësonte vendosjen e shtatores.


Pastaj, nëse qeveria jonë e paska me kaq shumë nxitim sa duhet ta përurojë apo te vendosë tullën e parë, gjë që nuk dihet ende, pra më 26 gusht të këtij viti, atëher le ta vendosë në po atë vend që mban emrin e saj, dhe mbi të gjitha, të tolerojë përballë këtij fakti të shtatores.


Fundja, ai bulevard që është monument kulture çfarë nuk ka hequr për të mos u dukur monument kulture. Dhe nuk tolerokan dot, me komisione e me ligje që shtatorja të vendoset në sheshin me po të njëjtin emër?


Lër pastaj, që Sheshi Nënë Tereza, është vendi më bosh në Tiranë, dhe ajo shtatore do ta zbukuronte shumë. Edhe nëse do të rrethohej nga pëllumba, që do shkonin shumë në atë vend ku mund të vendosin Nënë Terezën.


Nëse e paskan me kaq shumë nxitim të madh dhe me kaq shumë dukje këtë projekt, atëher le të mendohen shumë më mirë sepse Tirana është një vend idiotllëk urban që vështirë të gjehet një park.


Nëse duan një park të mirë dhe të qetë, shkon më mirë parku ku është sot salla plenare e Kuvendit të Shqipërisë; nga ku ka një afërsi më të mirë edhe me katedralen e Shën Palit.


Mundësi tjetër mund të jetë që ajo të vihet në ndonjë nga kodrat e Saukut të Tiranës, ku të shkuarit për tek ajo të bëhet në formë peligrinazhi, në një ngjitje me shumë shkallë, dhe natën të jetë e ndriçuar dhe shumë e dukshme nga të gjitha lartësitë dhe afërsitë pranë shtatores së madhe.


Duket që bëhet fjalë për një memorial, dhe një gjë e tillë e tipit qetësues për nga pamja, duhet të jetë në një vënd që ka më shumë qetësi dhe më shumë gjelberim. Duhet të të ngjalli edhe spiritualitet.


Por deri tani, meqë projekti paska kaq shumë dëshirë anet apo cepat, le të zgjedhin sheshin që mban emrin e saj ose nje nga kodrat e Saukut.. Ky projekt i Ministrisë së Ç'kulturës, për nga përmasat nuk duket idiot si ato të zakonshmet e qeverisë.


Madje më shumë se serioz. Por të shohim në do ketë vepra ndonje shëmti të rastit ashtu siç kanë shumë vepra arti tek ne shëmtinë e autorëve të tyre dhe një shëmti tjetër më urbane. Si nuk pashë në këtë vend një vepër arti që të ketë më shumë kënaqësi për të gjithë e ti kënaqë të gjithë; e që shëmtia të mos jetë kaq shumë në modë. Të shohim si do jetë kjo vepër.


Më çudisin shumë këto ide politikanësh injorantë, apo njerëzish pa ndjenjë të politikës sonë, që kur bëjnë projekte kaq shumë të shpejta, pse mos bëjnë edhe projekte të paktën më të ngadalta për të ndërtuar një Teatër Kombëtar, apo edhe një Stadium Kombëtar; që sikur të paktën të dya të jenë në periferi por veç të jenë moderne dhe të mëdha.


Pra, nëse duan një Nënë Terezë të qete, le ta vendosin në ndonjë nga kodrat që rrethojnë Tiranën, sepse një vend i tillë për nga përmsast e kësaj figure nuk shkon aspak në sheshe.


A nuk e keni vënë re se asnjë nga skulpturat që janë për Terezën nëpër parqe, nuk shkojnë dhe aq me urbanizimin?! Sepse ajo kërkon një vend të qete. Ajo që më bën përsëri çudi është edhe fakti se, a kanë pyetur ndo pak ndonjë përfaqësi të katolikeve?


Sëkendejmi, kam një këshillë shumë miqësore, për ata që po bëjnë këtë projekt ndaj Nënës Terezë: Nëse kanë ndërmend ti bëjnë gjërat e mëdha ashtu siç e kanë zakon qoft edhe në pamje, le të ftojnë Papa Benediktin e XVI, që ta përurojë atë vepër arti, sepse është në të mirë të imazhit të vendit tonë.

Eljan Tanini, Shekulli

Rritet numri i fukarenjve në listat e dyqaneve

Varfëria po rritet çdo ditë e më shumë jo vetëm në kryeqytet, por në të gjithë vendin. Kjo gjë duket shumë qartë që nga fakti se njerëzit duhet të konsumojnë më pak ushqime. Tavolinat e shqiptarëve çdo ditë e më tepër po varfërohen.

Rritja e varfërisë në kryeqytet tregohet më së miri me shtimin e emrave të familjarëve që blejnë me lista nëpër dyqanet e lagjeve. Sipas pronarit të një dyqani pranë rrugës "Jordan Misja", varfëria po rritet çdo ditë e më shumë, gjë që duket dhe te numri i madh i njerëzve që marrin me listë. Jo vetëm se jemi në sezonin e dimrit, por për shkak të varfërisë fasulet janë ende produkti ushqimor më i kërkuar i familjeve shqiptare. Varfëria që ka ngërthyer gjithë vendin, ka bërë që fasulet të jenë ende një ndër pjatat më të shpeshta që konsumohet. Sipas shitësve, në listat e familjeve që marrin me listë, veç fasuleve shumicën e vlerës e zënë buka, djathi dhe vezët.

Listat
Në çdo pikë shitjesh në kryeqytet janë shtuar emrat e familjeve që blejnë me listë. Kjo gjë konfirmohet nga vetë shitësit, të cilët thonë se dy muajit e fundit janë shtuar shumë emrat e personave që marrin ushqime dhe lekët i paguajnë më vonë. "Ka shumë familje në këtë lagje që bëjnë blerje pa paguar lekët; lënë emrat shënim dhe i paguajnë më vonë paratë që na detyrohen. Normalisht që ne u japim atyre familjeve që i njohim, se kemi disa vite që e kemi hapur dyqanin. Por nuk ndodh vetëm në këtë lagje, pothuajse çdo dyqan jep ushqime me listë", - tregon Sazani, pronar i një dyqani ushqimor në Kombinat. Ndërkohë nga ana e tyre familjarët tregojnë se të ardhurat mujore nuk u mjaftojnë për të blerë ushqimet që mund t'i duhen një familjeje për një muaj.
"Çmimet e ushqimeve po rriten përditë, ndërsa rrogat tona në vendnumëro.
Marrim, si unë dhe burri së bashku 50 mijë lekë sepse punojmë në shtet. Nuk kemi çfarë të bëjmë më parë me këto lekë. Kemi fëmijët në shkollë, duhet të paguajmë taksat, ujin e dritat çdo muaj dhe normalisht detyrohemi që të blejmë ushqime duke iu thënë shitësve se do t'ua japim lekët pesëmbëdhjetëditëshin tjetër ose muajin pasardhës. Na vjen dhe turp kur e bëjmë këtë gjë, por nuk kemi çfarë të bëjmë, vetëm të vdesim", - tregon Jetmira, nëna e tre fëmijëve. Çdo ditë e më shumë po shtrenjtohen çmimet e produkteve ushqimore. Një kilogram oriz ka shkuar 170 lekë, fasulet 200 lekë, vaj 180 lekë, miell 100 lekë.

Gjithashtu, çmime të larta kanë edhe frutat e perimet, të cilat janë edhe produktet më të kërkuara. Shitësit tregojnë se nuk është faji i tyre për këto çmime, pasi dhe ata vetë po i marrin artikujt gjithmonë e më shtrenjtë nga pikat e shumicës.

G. Shqiptare

Vajza e Çipsave!

Mania e pokerit online, joshja nga misteri dhe fitimi. Loja që mbledh në një tavolinë njerëz nga vende dhe kombësi të ndryshme. "Fiksimi" i Manjola Sopikut.

Nëse bashkëmoshatarët e saj do të jenë duke qëndisur pajën për martesë, ajo është duke "luftuar" për të fituar çipsat e radhës në lojën e pokerit. Është dashuria më e fundit e Manjolës, vajzës së diplomuar për Histori në vitin 2007. Bionde, sytë ngjyrë ulliri, e shpenguar në veprime e në të folur. Aktualisht punon në një kompani private që nuk ka lidhje me studimet që ka përfunduar. Ndërsa jeta e rrëmben në përditshmërinë e saj, diçka tjetër ka filluar t'i "hajë" shumë kohë, pasioni për të marrë sa më shumë çipsa pas vetes. E ka filluar si lojë, por ja që tashmë është kthyer në mani që zor të shkëputet më nga ajo. Madje, i është bërë si vakt buke, pa "dozën" e së cilës nuk bën dot asgjë. Pasioni për pokerin ka filluar me shoqërinë, ka vazhduar duke luajtur në internet dhe tani tundimi shkon më tej. Ku? Aty ku janë kazinotë dhe hidhet milionat! Ajo që e tundon Manjolën të "hapë" derën e fatit është një karakteristikë që ajo i ka vënë re vetes, por që një gjë të tillë ia kanë venë në dukje edhe të tjerët. 23-vjeçar-ia ka shumë fat në lojë! "Jam njeri me fat, këtë e kam kuptuar por edhe jam habitur me veten herë pas here".
Ajo na tregon fillimet e saj në lojën e pokerit: "Para dy vitesh në fundin e studimeve ishte koha e ekspeditave që zhvillonte departamenti i Historisë në Universitetin e Tiranës. Nisi si shaka, por që ambicia që kam unë për të fituar vetë më bëri të rrija më orë të tëra me miqtë e mi me dëshirën për t'i mposhtur ata në lojë". Dhe jo vetëm poker... tavull, xhol, 31-ish, murlan. Duke folur me pasion për lojërat e saj të preferuara, Manjola na rrëfen edhe faktin se është tip bixhozxhie. E kam të trashëguar nga familja shprehet ajo, im atë luan shumë dhe është i zoti në lojërat e bixhozit. Ndërsa tani gjërat kanë evoluuar.
Atë mund ta gjesh në pesë të mëngjesit para kompjuterit duke luftuar me një afganistanas apo bullgar e me çfarë do lloj kombësie, për çipsat e radhës.
Dhe të gjithë këto bëhen në internet. Manjola është lojtare e rregullt në këto faqe dhe nuk bënë mungesa. Kombësitë e miqve të saj lojtar janë nga më të ndryshmet dhe nga e gjithë botë. Për sa i përket preferencave. Më me qejf ka të luaj me Italianët, pasi janë më të qetë. Fakti që je femër ta vështirëson pak punën, por po dite t'ia tregosh vendin nuk e ke aspak të vështirë thotë ajo. E veçantë e kësaj lojë është se ti mund të luash me persona të kombësive të ndryshme që në të njëjtën kohë kanë të njëjtin mendim si ti. Ndërsa i kërkojmë personazhit tonë një foto të sajën, kundërshton, duke pranuar të jetë vetëm në profil. Eh, ja dhe një kompleks.

"Së fundmi janë të shumtë miqtë e mi që më nxisin të futem në kazino, pasi më thonë që kam shans. Unë shkoj shumë rrallë dhe kur shkoj nuk luaj më shumë të mëdha lekësh. Por, të them të drejtën me tundon ai ambient misterioz në dhomat e pokerit ku luhet për miliona. Nga ana tjetër është i vërtetë fakti që kam fat, pasi shpesh kam fituar. Nuk dua të abuzoj më këtë pjesë, më duket e rrezikshme", pohon Manjola. Kur e pyesim, nëse e ka parë ndonjëherë këtë si humbje kohe? Nuk e prish shumë terezinë. Me pëlqen dhe kaq thotë ajo. Është diçka që më ngre adrenalinën dhe argëtohem pa masë. E di që mund të jem ndryshe nga të tjerat, po kjo nuk do të thotë asgjë. Atë e kap ora 5 e mëngjesit duke luajtur para kompjuterit. Në fjalorin e saj fjalët më të reja janë çipsa, të gjithë numrat na 2-shi e deri tek As-i.


Poker Online
Pokeri online është bërë një nga lojërat më të popullarizuara vitet e fundit. Pjesë e mirë e poker-it në internet është se lojtarët që duan të luajnë atë vetëm për argëtim mund ta bëjnë këtë pa investuar para të vërteta. Kjo lojë tani është një nga industritë më fitimprurëse online. Operatorët kanë investuar miliona dollarë për zhvillimin e softwerave e me këto ritme dhe etje që kanë njerëzit, duket se ia kanë arritur qëllimit.


Rregullat
Loja poker luhet në shumë forma, por ajo më e luajtura në botë është "Texas Holdem". Synimi i lojës është të fitosh ato para që investohen në një pot të përbashkët. Loja luhet me dy letra përmbys dhe me pesë letra të përbashkëta. Gjithsej ka katër raunde të bastit. Lojtari me pesë letra më të mira e fiton potin. Të gjitha aksionet zhvillohen në drejtim të akrepave të orës.
Shekulli

Thesare shqiptare në Bibliotekën Apostolike të Vatikanit

Biblioteka Apostolike e Vatikanit është një ndër bibliotekat më të pasura në botë për historinë e krishterimit, dhe ndoshta më e pasura në botë për sa i përket historisë së trojeve shqiptare brenda dhe jashtë kufijve të sotëm politik-administrativë.

Në të gjenden të gjitha veprat monumentale që ndihmojnë për të shkruar një histori të plotë të trojeve shqiptare, dhe pothuajse të gjitha librat e shkruar për krishterimin e këtyre trojeve. Nuk e teprojmë aspak po të themi që nuk ka vend tjetër në botë, ku të gjitha veprat monumentale të shkruara që nga shek. XV-të e deri më sot, të gjenden të gjitha në një vend dhe në rafte të hapura për përdorim të lirshëm për studiuesin, dhe nuk ka kënaqësi më të madhe për një studiues që të punojë i papenguar nga burokracitë institucionale me një material të tillë burimor dhe sekondar, pa llogaritur pastaj kënaqësinë që mbart me vete zbulimi i një dorëshkrimi apo inkunabule të shfrytëzuar pjesërisht ose të pashfrytëzuar që mund të dhurojë puna me dorëshkrimet që ruhen në këtë bibliotekë. Deri më 1 janar të vitit 1996, Biblioteka Apostolike e Vatikanit zotëronte 1, 600.000 libra të botuar, 8.300 inkunabula (nga të cilat 65 janë të shtypur në vellum, pergamen), 150.000 vëllime dorëshkrimesh, 100.000 shtypshkrime dhe gravura, 300.000 monedha dhe medalje, dhe rreth 20.000 objekte arti.

Si u grumbullua kjo pasuri e paçmuar në Bibliotekën Apostolike të Vatikanit?

Koleksione librash në Romë ose Vatikan kanë ekzistuar që prej antikitetit, por ato përdoreshin ekskluzivisht nga papët dhe nga Kuria, dhe ishin të mbyllura për publikun e gjerë. Në përgjithësi, ekzistenca e këtyre koleksioneve është bërë e njohur nga referenca të gjendura aty-këtu. Megjithatë, biblioteka e papës Bonifaci VIII (Benedetto Caetani, 1294-1303), katalogu i të cilit u hartua në vitin 1295, është mjaft e famshme, ashtu siç është edhe biblioteka e Avinjonit, e cila pjesërisht u transferua në Romë nga Gregori XI (Pietro Roger de Beaufort, 1370-1378) në vitin 1377.
Papa Nikolla V (Tommaso Parentucelli, 1447-1455), humanist dhe pronar i një koleksioni jashtëzakonisht të madh, ishte i pari që duke përdorur edhe koleksionin e tij privat vendosi të hapte një bibliotekë publike në Vatikan. Biblioteka filloi me 350 dorëshkrime latine, që deri në atë kohë ishin përdorur kryesisht për nevojat e Kurisë Papnore, të cilave iu shtua dhe biblioteka personale e papës, në të cilën përfshiheshin shumë vëllime që ai kishte blerë, kopjuar apo dhuruar. Madhështia e kësaj sipërmarrjeje mund të shihet nga inventari i përpiluar me rastin e vdekjes së këtij pape, ku janë regjistruar rreth 1.500 kodikë.
Iniciativa e Nikollës V, u përkrah nga pasardhësit e tij, dhe veçanërisht nga papa Siksti IV (Francesco della Rovere, 1471-1484), i cili i dha bibliotekës formën juridike me bulën Ad decorem militantis ecclesiae të 15 qershorit 1475. Ai gjithashtu bëri një zgjerim të bibliotekës dhe caktoi një fond të ardhurash fikse për të. Në të njëjtën bulë, ai emëroi edhe bibliotekarin e parë, i cili ishte Bartolomeo Patina, gjithashtu edhe prefekt i bibliotekës. Si ndihmës iu dhanë tre asistentë dhe një libralidhës. Vendi i tyre i punës i kishte dritaret mbi oborrin e Belvederes, dhe përbëhej nga katër dhoma të zbukuruara me afreske të pasur. Këtu ruheshin edhe dorëshkrimet greke, latine dhe shumë nga kodikët më të çmuar. Në atë kohë ishte e mundur që librat të huazoheshin dhe për këtë dëshmojnë regjistrat e ruajtura nga vitet 1475-1547. Brenda një kohe shumë të shkurtër, nga viti 1475-1481, numri i dorëshkrimeve u rrit aq shumë (nga 2.527 në 3.500) saqë lindi nevoja për hapësira të reja për to, dhe këto hapësira u dhuruan nga papa Gjulio II (Giulianno della Rovere, 1503-1513). Megjithatë shpejt pas kësaj ndodhi fatkeqësia e madhe e plaçkitjes së Romës (1527) dhe koleksionet e Vatikanit u dëmtuan shumë nga kjo plaçkitje, ndërsa duhet theksuarkëtu se një pjesë tepër e madhe dorëshkrimesh dhe librash qoftë në gjuhën shqipe, qoftë që kishin të bënin me Shqipërinë dhe shqiptarët u zhdukën përgjithmonë.

Midis viteve 1587-1589, papa Siksti V (1585-1590) porositi Domenik Fontanën të ndërtonte Sallonin Sistina, ku vëllimet e ruajtura në kabinete posaçërisht të ndërtuar për to, ndenjën deri në kohën e papa Leonit XIII (1878-1903). Salloni Sistina është një sallë e madhe 70 m e gjatë e 15 m e gjerë, e zbukuruar me afreske te shumta dhe me dy nishe. Kabinetet e mbështetura në mur dhe rreth e rrotull shtyllave, në të cilat ruheshin dorëshkrimet, mund të shihen edhe sot e kësaj dite, megjithëse kjo sallë tani i përket muzeut të Vatikanit.
Në kohën e Palit V (Camillo Borghese, 1605-1621), u vendos që dokumentet arkivore të bibliotekës të ruheshin në një vend të veçantë, por fqinj. Në këtë mënyrë u krijua edhe Arkivi Sekret i Vatikanit. Duhet theksuar që sot Arkivi i Vatikanit (Arkivi Sekret) është një institucion i ndarë dhe i pavarur nga biblioteka, me prefektin dhe stafin e tij.
Në shek. XVI, Biblioteka e Vatikanit, e cila në atë kohë ishte më e madhja bibliotekë e botës perëndimore, vazhdoi të rriste koleksionin e saj të dorëshkrimeve, falë shumë blerjeve dhe dhurimeve. Rreth fundit të shekullit, kardinali Guiglielmo Sirleto, i dhuroi koleksionin personal bibliotekës, dhe gjesti i tij u ndoq nga kardinali Antonio Carafa në vitin 1591. Pas kësaj, karakteri humanist i bibliotekës, u pasurua me kalimin e shekujve nga shumë dhurime të rëndësishme si p.sh. Biblioteka Palatine e Heidelbergut (1623), dorëshkrimet e dukës së Urbinit (1657), dorëshkrimet e mbretëreshës Kristina të Suedisë (1690). Papa shqiptar Klementi XI (Giovanni Francesco Albani, 1700-1721) iu drejtua kryesisht lindjes për të pasuruar bibliotekën në fjalë, dhe themeloi një koleksion të pasur oriental, kryesisht me vëllime të sjella nga Siria dhe Palestina, por edhe Shqipëria.
Ai u përpoq që të mblidhte edhe dorëshkrimet shqiptare dhe t’i ruante në këtë bibliotekë, por për fat të keq kjo iniciativë e tij u shoqërua me një fatkeqësi të madhe për ato dorëshkrime, të cilat nuk arritën kurrë të shkonin në Itali, ngase në forma të ndryshme ato u penguan për të arritur në destinacionin e duhur. Psh. një pjesë e mirë e tyre u shit, një pjesë tjetër humbi pa gjurmë, siç ishte rasti me një qerre të mbushur plot me dokumenta dhe dorëshkrime origjinale që u mbyt në lumin Drin, etj. etj.

Në shek. XVIII, koleksionet e Markezit Alessandro Giorgio Capponi (1746) dhe papa Aleksandri VIII (Pietro Ottoboni, 1689-1691) shtuan koleksionit me emrin e familjes Ottoboni (1748). Gjatë kësaj periudhe, filloi edhe një projekt për të publikuar një katalog të plotë të koleksioneve të dorëshkrimeve. Nuk ishte mbaruar akoma, kur një zjarr në vitin 1768 shkatërroi variantin e punës së vëllimit të katërt dhe kopjet e tre vëllimeve të parë, ku ndër të tjera, pothuajse ishin indeksuar të gjitha dorëshkrimet që kishin të bënin me Shqipërinë ngase katalogu kishte renditje alfabetike.
Në vitin 1797 dhe 1809, trupat e Republikës Franceze, dhe më vonë ato të Napoleonit, e transferuan një pjesë të madhe të dorëshkrimeve dhe pasurive të tjera të bibliotekës në Paris, të cilat u kthyen pas Kongresit të Vjenës (1815), por me shumë dëme dhe humbje. Koleksionet e librave të botuar u pasuruan në vitin 1855 nga koleksionet Cicognara, që kryesisht përfshinte libra mbi artin dhe antikitetin. Nga viti 1891 e tutje, duke filluar me dorëshkrimet Borghese, bibliotekës iu shtuan shumë koleksione të tjera kryesisht dorëshkrimesh si fondi Barberini (1902), Chigi (1923), Ferrajoli (1926), arkivat Rospigliosi (1926) dhe Caetani (1935), si dhe arkivat e Kapitullit të Shën Pjetrit (1940) dhe koleksioni Patetta (1945). Vitet e fundit janë shtuar edhe koleksionet persiane dhe etiopiane të Cerulli-t, dhe koleksioni etiopian Raineri.
Në kohën e Leonit XIII (Gioacchino Pecci, 1878-1903), filloi një proces modernizimi. I filluar tashmë nga Kardinali Jean-Batist Pitra, i udhërit të Benediktinëve, puna u udhëhoq nga prefekti (më vonë Kardinali bibliotekar) Franc Ehrle S. J., i cili hapi sallën e sotme të leximit, për librat e shtypur (Sala Leonina) dhe luajti një rol vendimtar për adaptimin e rregullave të detajuara për katalogizimin e botuar të dorëshkrimeve, që akoma është në përdorim sot. Janë rreth 400 vëllime vetem me katalogë librash.
Katalogu i librave të botuar u kodifikua shpejt pas luftës me titullin “Norme per il catalogo degli stampati” i cili është ribotuar disa herë dhe është përkthyer edhe në gjuhë të ndryshme.

Sot Biblioteka e Vatikanit është një bibliotekë kërkimesh shkencore, me koleksione të mëdha të famshme në të gjithë botën, veçanërisht përsa i përket fushës së shkencave humane dhe shoqërore, por edhe të tjerave. Të gjithë librat, duke filluar që nga ato të shek. XVI-të janë në rafte të hapura për përdorim të lirshëm nga ana e studiuesve, dhe janë të organizuara kryesisht sipas emrave të shteteve, dmth. rendit alfabetik dhe brenda për brenda tyre edhe sipas provincave apo sipas subjekteve më të rëndësishme. Përveç këtyre janë edhe ndarjet e mëdha sipas fushës, ndër të cilat më të rëndësishmet janë seksionet e paleografisë dhe papirologjisë, heraldikës e epigrafisë, artit e arkitekturës, hagjeografisë e vjetarëve pontifikë, biografive e bibliografive, e së drejtës kanonike dhe e së drejtës civile, seksionet e koncileve, urdhërave fetarë, patrologjisë e shkrimeve të shenjta, historisë kishtare, por edhe historisë së përgjithshme, teogjisë e filozofisë, studimeve të ipeshkvive, manastireve, papëve e kardinalëve, orientit e bizantit, letërsisë greke e latine, mesjetare e paramoderne etj. etj.
Sigurisht që nuk mungojnë as leksikonet, enciklopeditë, dhe fjalorët më me emër të të gjitha kohërave, në të gjithë vëllimet e tyre seriale, si Fjalori historiko-eklesiastik i Moronit (nga vitet 1840-1861), Enciclopedie d’Islam, Enciclopedia Dantesca, Lexicon des Mittelalters, etj. etj. dhe deri tek botimi i vitit 2003 i The Neë Catholic Encyclopedia. Ndër fjalorët e të gjitha vendeve dhe kohërave, një vend mjaft të rëndësishëm zënë edhe ato të gjuhëve orientale.
Brenda përbrenda këtyre gjenden koleksione që rrallë mund të gjenden në ndonjë vend tjetër në formë kaq të plotë. Kështu seri të tilla monumentale si: Acta Praedicatorum, Acta Salmanticensia, Acta Sanctorum, Annales de Literature, Annales Ecclesiastici, Annales Ecclesiastique, Basilicon, Bullarium Franciscanorum, Bullarium Praedicatorum, Bullarium Romanorum, Codex Diplomaticus, Codex Theodosianus, Codicem Juris Canonici Orientalis.Corpus Juris Canonici, Du Cange, Fontes Pontificia Commissio ad redigendum,Illiricum Sacrum, Lequin, Monumenta Germaniae, Monumenta Ragusina, Monumenta Slavorum, Muratori, Patrologia Latina dhe Patrologia Graeca, Tabula Peuntigeriana,Theiner, etj. etj. të gjitha janë të plota dhe në rafte të hapura, për përdorim të lirë, ku ndër të tjera, pjesa dërmuese ka të dhëna për shqiptarët dhe Shqipërinë.
Ndër librat që janë ekskluzivisht për historinë e Shqipërisë, janë veprat e Barletit; 25 vëllimet e Valentinit (Acta Albaniae Veneta), përveç Acta Albaniae Juridica, dhe Saggio di un Regesto Storico dell’Albania, të punuar bashkë me Fulvio Cordignano, veprat e Thalloczy-t, Jirecek-ut, Theineri-t, Ughello-s dhe Šufflay-t: Acta e Diplomata Res Albaniae illustrantis, si dhe studimet e tyre në Illyrisch-albanische Forshungen, Studimet e Borgia-s, të Hahn-it, të Petrott-ës, të Almagia-s, të Fulvio-s, të Tacchella-s, etj. etj.
Në serinë Studi e Testi që sponsorizohet dhe botohet nga vetë Biblioteka Apostolike e Vatikanit, botohen herë pas here edhe studime që kanë lidhje me Shqipërinë si psh. studimi i Matteo Sciambrës për doktrinën e krishterë të përkthyer nga Lukë Matranga, apo ribotimi dhe transkriptimi i Mesharit të Buzukut nga Namik Resuli. Po ashtu është edhe përmbledhja me dokumente latine Acta Albaniae Vaticana i Igantius Parrinos, etj.
Salla e periodikëve përfshin të gjithë periodikët më me zë në botë, duke filluar që nga periodikët e vjetër të École Française de Rome si: Acta orientalia, Analecta Bollandiana, Archivio storico della Calabria, Archivio Storico per la Dalmazia, Ars islamica, Beihefte zur mittelateinischen Jahrbuch, Biblioteca orientalis, Bibliotheque de l’ecole de Chartes, Oriens Christianus, Rivista degli studi orientali, Bolletino di studi latini, Bulletin du Cange, Revue du Moyen age latin, Byzantinische Archiv, Byzantinische Forschungen, Byzantinische Zeitschrift, Civilta Cattolica Archiv für literatur und Kirchengeschichte des Mittelalters,Civilta classica e Cristiana, Classica et mediaevalia, Croatica Christiana periodica, Medieval and renaissance studies, Mélanges d’archéologie et d’histoire, Melanges de l’ecole francaise, Mitteilungen zur geschichte der Medizin, Oientalia Christiana analecta, Orientalia christiana periodica, Revue d’Histoire ecclesiastique, Rivista di studi bizantini e slavi, Rivista Storica Calabrese, Studien und mitteilungen aus dem Benedictiner und dem Cisterciensen Orden,The journal of medieval latin, Zeitschrift für slavische Philologie, e shumë e shumë të tjerë, ku ka me mijëra studime e artikuj që kanë lidhje të drejtpërdrejtë ose indirekte me Shqipërinë.

Ndër perlat e vërteta të kulturës shqiptare në sallën e periodikëve mund të konsiderohen pa frikë: Lajmtari i Zemers s’Jezu Krishtit, që filloi të botohet në vitin 1891, në Shkodër; Shejzat po ashtu janë të ruajtura kompletë në dy seri, në këtë bibliotekë; Shpirti Shqiptar që ka filluar të botohet që nga viti 1954; Rivista d’Albania, e drejtuar nga Francesco Ercole dhe e botuar në Milano që nga viti 1940 deri në vitin 1943 dhe shumë revsita të tjera.

Katalogu i librave të botuar mund të kontrollohet edhe online që nga viti 1985, kurse katalogët e botuar dhe ribotuar, indekset e shtypur dhe inventarët me shkrim dore mund të kontrollohen vetëm duke qenë prezent në bibliotekë dhe në dhomat përkatëse të saj.

Dr. Musa Ahmeti/ Dr. Etleva Lala, G. Shqiptare

Wednesday, February 3, 2010

Louis Benloew: Shqiptarët, kombi më i vjetër i kontinentit

Në vitin 1877 filologu i shquar francez Louis Benloew shkruajti një vepër që tronditi rangjet shkencore e historike. Ky libër i titulluar “Greqia përpara grekëve” sapo është sjellë në shqip përmes botimeve “Plejad”.

Benloew, na intrigon që në krye të librit, ndërsa shkruan: “Duke filluar punën time, kam besuar se trajtoj thjesht një çështje gjuhësore dhe etnografike, gjithashtu më duket se kam prekur edhe një çështje të qenësishme, madje drithëruese, një çështje kombësie. Dhe çfarë kombësie! Kombësia më e vjetër e kontinentit tonë, së bashku me atë të Baskëve”. Benloew flet për kombin shqiptar.
“Greqia përpara grekëve” është një studim linguistik dhe etnografik i shkruar përpara një shekulli. Autorë të shumtë të huaj e kanë trajtuar çështjen pellazge dhe shqiptare dhe njëkohësisht kanë komunikuar midis tyre, por edhe me intelektualët shqiptarë të kohës, kudo që ata ndodheshin nëpër botë si andej edhe këtej Adriatikut.

Benloew shkruan: “prej shumë vitesh kam besuar se në një numër emrash gjeografikë dhe historikë apo parahistorikë të Greqisë së lashtë, kam hasur tregues të një popullsie zanafillore më të hershme se Helenët. Një ditë, ndërsa shihja fjalorin e shqipes të Xylanderit hamendësimet e mia, sipas mendimit tim, arritën një farë shkalle gjase, për të mos thënë edhe më shumë. Gjuha shqipe dukej se i jepte kuptim disa emrave të përveçëm, të cilët nëpërmjet rrugësh të tjera ishin të pashpjegueshëm, të tillë si Male, Pilos, Andani, Olimpi”.

Sipas tij pista që mendonte se kishte zbuluar, kishte qenë ndjekur edhe nga të tjerë dhe se një ndihmë të madhe i dha Dora d`Istria, duke e njoftuar për punimet e bashkatdhetarëve të saj, me vendbanim në Itali, të shoqërurar me këshillat, të dhënat, botimet filologjike dhe historike si dhe broshurat e të gjitha llojeve. Gjithashtu arriti të njihej edhe me gramatologjinë shqipe të Demetrio Camardas, të gramatikës së De Radës dhe të shkrimeve të Vincenzo Dorsa.

Mendimi i autorit është se tashmë kishte ardhur momenti për të sakatosurit e historisë, për të harruarit e familjes së madhe europiane, për t‘i bërë të ditura ankesat e tyre, për të vlerësuar meritat e tyre në interes dhe madje për mirënjohje nga popujt e qytetëruar, se duhej admiruar forca e gjakut të fisit që triumfon edhe mbi urrejtjet fetare dhe jep mësime tolerance për të gjithë anëtarët e të njëjtës racë.

Idenë qendrore të këtij libri apo boshtin i tij, autori e paraqit qartë dhe me prova nëpërmjet thënies: “Sot ka dalë sheshit se në një epokë që nuk mbahet mend, Greqia nuk ka qenë e banuar nga grekët; kur këta të fundit depërtuan në vendin, të cilin ata duhej ta paraqisnin me emrin e tyre, ky vend nuk ka qenë shkretinë. Në tokën e Greqisë ka gjurmë të shumta të një qytetërimi më të hershëm në kohë sesa qytetërimi i grekëve. Stralli, veglat dhe sëpatat e një formë krejt zanafillore, të cilat gjenden aty me shumicë e provojnë këtë, ndërkohë që Grekët nuk kanë pasur asnjë kujtim të zanafillës së tyre dhe se në periudhën më të bukur të historisë së tyre ata nuk ngurruan që ta shpallin veten autoktonë.

Autori shprehet se grekët ishin të tretët në rradhë, të mbërritën në këtë tokë dhe se emrat e vendeve, maleve, lumenjve, personazheve legjendarë, të cilët nuk shpjegohen nëpërmjet mitologjisë greke dhe që duket se bëjnë pjesë në fjalorin e një idiome të huaj. Shumë nga këto qytete u përkisnin Pellazgëve, Lelegëve, Kaukonëve dhe Dardanëve.
Deri më sot një gjuhë e vetme duket se arrin të na i bëjë të kuptueshëm emrat e këtyre viseve: kjo është gjuha shqipe.

Prandaj autori i veprës është i prirur të mbështesë tezën se shqiptarët e ditëve të sotme janë pasardhësit e popullsive, të cilat përpara mbërritjes së grekëve, zinin viset që shtrihen nga deti Adriatik deri në Halis.

Admirina Peçi, G.Shqiptare