Politologu Koço Danaj komentoi dje performancën e politikës dhe diplomacisë shqiptare pas anëtarësimit në NATO, procesin integrues, rolin e opozitës, vizitën e Metë në Serbi, të ardhmen e Maqedonisë, domosdoshmërinë e bashkimit te shqiptareve në një shtet.
Duke ju referuar çështjes së vizave, Danaj theksoi se BE është një klub i krishterë, që merr vendime fetare dhe kjo sipas tij u vërtetua vitin e kaluar, kur Shqipëria u penalizua si vend me popullsi përkatësisht myslimane.
Danaj shprehu bindje se vendimi për vizat është më shumë politik dhe nuk ka të bëjë aq sa flitet me plotësimin e kritereve teknike. Sipas tij shkaku i mos liberalizimit të vizave është fetar dhe politikanët tanë për interesa të pushtetit nuk kanë pasur asnjëherë guximin t’ua thonë të vërtetën shqiptarëve në sy.
Danaj u ndal edhe tek qëndrimi i opozitës pas zgjedhjeve të qershorit, ku ndër të tjera theksoi se opozita është marrë vetëm me kutitë për një vit rresh, pra me pushtetin e saj, duke lënë mënjanë problemet që shqetësojnë vërtetë shqiptarët. Politologu Danaj komentoi edhe vizitën e Metës në Serbi. Ai pohoi se Ministri i Jashtëm Shqiptar duhet ta shtonte në diskutim me palën serbe shkeljen që serbët i kanë bërë marrëveshjes ndërkombëtare të Konculit për Luginën e Preshevës, ku parashikohej respektimi i simboleve kombëtarëve për shqiptarët. Danaj ka folur edhe për Platformën e Shqipërisë natyrale, domosdoshmërinë e saj dhe arsyen e jehonës në median serbo malazeze.
Z. Danaj, Shqipëri sapo ka festuar një vjetorin e anëtarësimit në aleancën e sigurisë më ta madhe në botë, NATO. Si ka evoluar diplomacia shqiptare gjatë kësaj periudhe?
Duhet ta pohojmë të gjithë se anëtarësimi në NATO ishte një fitore e madhe e kombit shqiptar, e popullit shqiptarë dhe e politikës shqiptare në tërësi. Pra, kemi të bëjmë ndër ato të pakta raste, kur opozita dhe maxhoranca gjejnë një gjuhë të përbashkët, gjejnë një konsensus për një ngjarje madhore. Dhe, pikërisht, duhej që festimi i një vjetorit të pranimit në NANO, përsëri shqiptarët t’i gjente bashkë. Pra, duhej që për një çast të lihej mënjanë ajo që quhet politikë e ditës dhe ajo që quhet politikë e pushtetit për hir të politikës së kombit, gjë që nuk ndodhi, sepse u festua në të dy krahët veç e veç. Mazhoranca festoi më vete, opozita festoi më vete.
Ndaj, më duhet të them se ka ardhur momenti që ngjarje të mëdha kombëtare të mos jenë më pronë politikanësh, apo grupe politikanësh, apo partish politike, por të jenë vetëm pronë dhe atribut i të gjithë popullit, e një kombi të tërë, pasi ka ardhur koha që në ngjarje të tilla politika e pushtetit duhet të heshtë dhe vendin e saj duhet ta zërë politika kombëtare. Ngjarje të tilla janë evenimente madhore në historinë e një kombi. Imagjinoni që pranimi në NATO ndodhi 15 ditë pas tragjedisë së Gërdecit. Pra, nëse duhet të flitej për kushte, situata ishte e atillë për të thënë jo, por pranimi në NATO ishte një vendim politik, për kontributin që dha kombi shqiptarë gjatë tërë kësaj periudhe dhe meqë ishte një vendim politik nuk hodhën në tavolinë kushte nëse keni plotësuar apo kriteret, por u hodh në tavolinë jetësimi i një kërkesa, i një vendimi politik, se shqiptarë dhe Shqipëria e meriton të jetë anëtare e NATO-s, për atë kontribut shumë të madh që ka dhënë për stabilitetin dhe paqen në rajon.
- Ç’mendim keni për punë e diplomacisë shqiptare në tërësi për të promovuar në qarqet ndërkombëtare ecurinë e reformave dhe plotësimin e kushteve për marrjen e vizave?
Ne nuk mund ta mohojmë se Shqipëria është një vend i vogël. Nuk mund ta mohojmë se ky vend i vogël, ky shtet i vogël, kufizohet mbi 80 % të kufirit të tij me veten e tij. Ne nuk mund ta mohojmë që Shqipëria ka ende probleme që kanë të bëjnë me mirëqenien, me konsolidimin e reformave demokratike, apo më shumë me konsolidimin e mentaliteti demokratik, jo thjeshtë në gjirin e shoqërisë, por në mjaft raste në gjirin e asaj që quhet shtresë politikanësh. Dhe, në këtë aspekt ndodh që në mjaft raste politika apo diplomacia i nënshtrohet një lloj fatalizmi, meqë jam i vogël nuk kam nevojë të flas sepse nuk më dëgjon kush, në një kohë që harrohet se në sistemet demokratike dëgjohet si i vogli ashtu edhe i madhi. Për shembull, Gjermania është kontributorja më e madhe në Bashkimin Evropian, por ka vetëm një ministër në Komisionin Evropian. Qipro është vendi më i vogël i BE, por gjithsesi ajo ka prapë një ministër dhe fjala e komisionerit qipriot është e njëjtë dhe e barabartë më atë të komisinerit Gjerman. Të drejtën e vetos, siç e ka Gjermania, ashtu e ka edhe Qipro. Pra njohja e mekanizimit e veprimit të BE, duhet ta çojë diplomacinë shqiptare në eliminimin e këtij lloji ballkanizmi dhe në përpunimin e atyre ideve që kanë të bëjnë në radhë të parë me dinjitetin e Shqipërisë. Domethënë, më shumë se kushdo, luftën, përpjekjen, për dinjitetin e kombit shqiptar duhet ta kryejë diplomacia shqiptare kudo që ajo vepron. Jo thjeshtë si qendër institucionale në Tiranë, por në të gjitha ato vende të botës ku ekzistojnë ambasadat e Shqipërisë. E dyta, duhet që kjo diplomaci të përpunojë ato teza dhe ato ide, të cilat shqetësojnë sot Shqipërinë në veçanti dhe popullin shqiptar në përgjithësi. Pra, sot popullin shqiptarë në veçanti e shqetëson çështje e liberalizimit të vizave. Atëherë, është detyra numër një e diplomacisë shqiptare, jo vetëm për të bërë deklaratat propagandistike se ne e meritojmë liberalizimin e vizave, jo vetëm për të thënë - takuam atë apo këtë diplomat të Brukseli - por për të thënë edhe të vërtetën.
- Cila është e vërteta z. Danaj?
E verteta në këtë rast ka të bëjë jo me këto deklarata, e vërteta ka të bëjë që Bashkimi Evropian lidhur me çështjen e liberalizimit të vizave ndaj Shqipërisë, mbajti një qëndrim të gabuar, mbajti një qëndrim me ngjyrime fetare dhe etnike. Më lejoni t’ju them që ish-komisioneri për zgjerim i KiE, Oli Ren, në fjalën e tij që mbajti në Parlamentin Evropian lidhur me plotësimin e kushteve nga Serbia dhe Mali i Zi për liberalizimin e vizave, u shpreh që Serbia nuk i ka plotësuar shumicën kushteve, Mali i Zi nuk i ka plotësuar shumicën e kushteve, por duhet ta marrim këtë vendim politik. Unë shtroj pyetjen, pse s’u tha edhe për Shqipërinë që nuk i ka plotësuar kushtet, por duhet përsëri ta marrim këtë vendim politik, por u la jashtë për një arsye që fatkeqësisht diplomacia shqiptare nuk thotë. U la jashtë për arsye fetare. Por, një nga nga eurodeputetët u shpreh hapur: T’ua liberalizojmë vizita që me 19 dhjetorë vëllezërve tanë në Mal të Zi, Serbi dhe Maqedoni, që ata t’i gëzojnë dhe t’i shijojnë krishtlindjet evropiane. Këtu del qartë shkaku i mos liberalizimit të vizave. Fatkeqësisht politika shqiptare, për interesin e pushtetit nuk e thotë këtë, por flet për kushte, flet për kritere, flet për arsye teknike, të cilat ekzistojnë, por në qoftë se do të mbetemi tek ato, nëse vendimi do të varet tek ato, të jemi të sigurt që asnjëherë nuk do të ketë vendim pozitiv. Vendimi në radhë të parë është politik.
- Z. Danaj, pas zgjedhjeve të 28 qershorit opozita shqiptare ka mbajtur një qëndrim radikal ndaj institucioneve dhe maxhorancës. Sa e ka dëmtuar imazhin e Shqipërisë në sytë e ndërkombëtarëve kjo sjellje agresive?
Unë gjykoj dhe analiza na çon në konkluzionin se më shumë sesa imazhin e Shqipërisë, opozita ka dëmtuar imazhin e vet, pasi për afro një vit opozita ka luajtur në boshllëk, për afro një vit opozita nuk ka hedhur asnjë ide. Opozita ka kërkuar vetëm të hapen kutitë. “Të hapen kutitë” nuk është ide, është luftë për pushtet. Pra për afro një vit nuk u hodh asnjë ide. Cili është qëndrimi i të majtës shqiptare për mirëqenien e kombit? Cili është kontributi i të majtës shqiptare lidhur me reformat që duhet të kryejë Shqipëria për të plotësuar atë bllok reformash që ka kryer çdo vend i BE?
Duke thënë këtë, kam parasysh që, të gjithë këtë periudhë opozita më shumë ka dëmtuar veten e saj, ka dëmtuar imazhin e saj, sepse më shumë ka bërë luftë deklaratash politike të shkruara e të lexuara dhe asnjë gjë tjetër, e cila mund të përgatisë vetë këtë opozitë, që nesër kur të vijë në pushtet të dijë të qeverisi vendin. Të qeverisësh vendin nuk do të thotë të mbetesh rob, nuk do të thotë që të mendosh vetëm për pushtetin tënd. Të qeverisësh në vend, do të thotë që të mendosh sesi do të zhvillohet ky vend, sesi do të zhvillohen zona të veçanta, e që t’i bësh këto objekt i një diskutimi të gjerë. Për shembull, opozita ka një fondacion “Qemal Stafa”.
A dini gjë ju që ky fondacion është mbledhur një herë për të diskutuar ato probleme që shqetësojnë qytetarët shqiptarë? Jo. Pra, për ta përfunduar dua të them që nuk është dëmtuar imazhi i Shqipërisë. Në luftën për pushtet nuk dëmtohet imazhi i një vendi, dëmtohet imazhi i atyre politikanëve, të cilët harrojnë Shqipërinë për hir të interesit për pushtet.
- Z. Danaj, ish-ministri i Jashtëm Lulzim Basha është nisur dy ditë më parë drejt Brukselit për të prezantuar plotësimin e kushteve për heqjen e vizave, çfarë impakti do të ketë kjo vizitë në vendimin e samitit të 2 qershorit?
Këtë po e lidh me atë çka thashë më lart, me arsyen e mos marrjes së vendimit për liberalizimin e vizave për Shqipërinë dhe Bosnjën qysh vitin e kaluar. Shpreh bindjen se BE do të marrë vendimin për liberalizimin e vizave, pasi nuk do ta përsërisë më gabimin e vitit të kaluar. Prandaj, kjo vizitë e ministrit të Brendshëm, i cili do te ketë një seancë dëgjimore, të jeni të sigurt që do të dalë me sukses sepse vendimi që është marrë nuk kthehet. Pra, vendimi është politik. Brukseli është i detyruar t’i liberalizojë vizat, për ndryshe duhet të pranojë se është një klub i krishterë. Dhe këtë nocion “Klub i Krishterë”, nuk jam unë i pari që e them, shumë politikën dhe analistë përpara meje e kanë thënë. Pra, Brukseli nuk duhet të sillet si klub i krishterë ndaj shqiptarëve, të cilët janë me shumicë të përkatësisë myslimane.
- Disa javë më parë, kryediplomati shqiptar Ilir Meta, zhvilloi një vizitë në Beograd, vizitë e cilat u komentuar shumë në dy aspekte - një palë e cilësuan si kundër interesave të Kosovës, ndërsa pala tjetër e konsideroi të suksesshme dhe hap drejt rivendosjes së marrëdhënieve me Serbinë. Ju çfarë mendoni për këtë vizitë?
Çdo vizitë e çdo politikani shqiptarë, kudo që bëhet apriori është e rëndësishme, për më tepër vizita ministrit të Jashtëm Shqiptarë në një vend me të cilin Shqipëria ka pasur dhe vazhdon të ketë probleme të mprehta. Pra, problemi nuk është i tillë. Ministri i Jashtëm mund të shkojë kudo dhe duhet të shkojë kudo për hir të interesave të kombit shqiptarë, për hir të interesave të vendin që përfaqëson. Dhe në këtë aspekt, çdo vizitë duhet konsideruar si pozitive. Por, thelbi i problemi nuk qëndron nëse duhet të shkonte apo nuk duhen të shkonte, siç janë shprehur disa që nuk duhet të shkonte, duhet të shkonte edhe në Sarajeve, edhe në Podgoricë, edhe në Zagreb, nuk ka rëndësi kjo, pasi kjo është detyra.
- Atëherë ku qëndron problemi i vizitës z. Danaj?
Ajo që është e rëndësishme dhe që meriton analizë është se çfarë mesazhesh përcjell vizita, cila është problematika, e këtu, përveç anëve pozitive unë kam rezervat e mira. Cilat janë këto rezerve? Po marr të parën. Ministri i Jashtëm i Shqipërisë e ka për detyrë të dijë që në vitin 2001 është nënshkruar një marrëveshje ndërkombëtare për Luginën e Preshevës, e firmosur nga ish-përfaqësuesi special i NATO-s, Piter Fiejt dhe nga ish-komandanti i përgjithshëm i UÇKMB, Shefqet Myslimi. Ajo quhet Marrëveshja e Komculit. Kjo marrëveshje ndërkombëtare, e cila më vonë iu dërgua edhe autoriteteve serbe ka një sërë klauzolash. Unë e kam lexuar, studiuar dhe ballafaquar, ku del se kjo marrëveshje në 80 % të saj jo vetëm që nuk është zbatuar, por është injoruar. Atëherë ky ishte problemi i parë që duhej të trajtohej me homologun e tij serb dhe me presidentin e Serbisë. Problemi i dytë ka të bëjë që ministri i Jashtëm i Shqipërisë shkoi në Luginën e Preshevës dhe kjo ishte një gjë shumë pozitive. Por kush jeton në Luginën e Preshevës? Jeton një pjesë e popullit shqiptarë? Po. Kjo pakicë shqiptare një nga simbolet kombëtare ka flamurin shqiptar. Si ka mundësi që nuk u lejua të përdorej asnjë flamur shqiptar! Pritej Ministrit i Jashtëm i Shqipërisë për herë të parë pas 50 vitesh. Ç’të keqe kishte të përdorej flamuri shqiptar? Kush ka frikë nga flamuri shqiptar? Pra përgjegjësia bie te qeveria serbe, e cila ka injoruar marrëveshjen, duke mos lejuar shqiptarët e Preshevës të përdorin simbolet e tyre. Pikërisht kjo qeveris serbe duhet të bënte gjestin fisnik duke thënë: po përdoreni shqiptarë flamurin tuaj sepse ju vjen ministri shqiptar, i kombit tuaj. Dhe të mos thuhet se bëhet në Beograd që shqiptarët e Luginës së Preshevës duhet të gjejnë një flamur tjetër.
Çfarë flamuri të gjejnë?
Të shpikin një flamur tjetër si ai i Kosovës? Unë do të t’i thosha homologut serb po të isha se nga Lugina e Preshevës në vitin 2001 kanë ikur 30 mijë shqiptarë të cilët sot janë në Kosovë. Çfarë bëhet për rikthimin e tyre? Sot Metvegja dikur shqiptare është serbe. Tani kanë mbetur vetëm 7 % shqiptarë. Pra, do të thosha se demokraci dhe marrëdhënie e fqinjësisë së mirë nuk do të thotë spastrim etnik i krahinave ku jetojnë pakicat. Pra, unë e kam fjalën në këtë aspekt, ne duhet të takohemi me këdo, por duhet t’i paraqesim shqetësimet tona kujtdo dhe jo për hir të asaj që të mos na quajnë nacionalistë të harrojmë problemet reale, duke dalë më sloganin e fqinjësisë së mirë. Fqinjësi e mirë do të thotë secili me dinjitet në shtëpinë e vet. Në qoftë se nuk jeton secili me dinjitet nuk ka fqinjësi të mirë, përkundrazi ka racizëm.
-Z. Danaj, tashmë është hedhur ideja e Shqipërisë natyrale. A mendoni se ka ardhur koha që shqiptarët të kërkojnë Shqipërinë natyrale, pra të bashkohen si shtet?
Koha më shumë sesa është ajo po ikën, sepse kjo është thelbi i saj, ajo ik, nuk qëndron. Dhe nuk mund të qëndrojë të presë shqiptarët se kur do të zgjohen nga gjumi. Prandaj bashkimi i shqiptarëve në një shtet, të cilin unë e quaj Shqipëri natyrale, sot është një realitet, sot është një domosdoshmëri, sot është një kërkesë e cila duhet të realizohet sa më parë për disa arsye. Arsyeja e parë ka të bëjë më vetë Shqipërinë. Pra, shqiptarët nuk mund të jenë më kaq artificial në ndërtimin e shtetit të tyre. Nuk ka artificialitet më të madh në botë për një komb sesa ai të kufizohet në 80 % të kufirit me veten e tij, që fillon nga Hani i Hotit, vazhdon në Qafën e Prushit, Vazhdon në Qafën e Morinës, vazhdon në Qafën e Thanës etj. Atëherë duke qenë ky artificialitet, ky absurd kaq i madh, shqiptarët duhet të kërkojnë që edhe ata të jenë si kombet e tjerë, që t’u lejohet e drejta të bashkohen. Me këtë nuk kam parasysh që shqiptarët të vazhdojnë luftën, nuk kam parasysh që shqiptarët të derdhin gjak. Shqiptarët, për gjatë një shekulli me radhë kanë derdhur aq shumë gjak sa të bëjnë pesë Shqipëri. Tani nuk ka më nevojë. Nëse deri dje shqiptarët thoshin të vdesim në këmbë, sot duhet të thonë të jetojmë në këmbë. Të jetosh në këmbë do të thotë të kesh dinjitet nacional dhe shqiptarët duhet ta bëjnë këtë. Pra, po i rikthehem pyetjes suaj, koha po ikën dhe prandaj shtohet urgjentisht bashkimi i shqiptarëve në një shtet. Sot më shumë se kurrë kjo mund të realizohet.
- Pse mund të realizohet?
Janë disa arsye. E para, ne të gjithë pranojmë se sot jetojnë në një rajon demokratik, pra pranojmë se ka demokraci. Atëherë, demokraci do të thotë të mos ketë tabu, Vetëm në sistemet totalitare nuk të lejohej të flisje për çdo gjë. Në sistemet demokratike të lejohet dhe e ke për detyrë të flasësh. Sot, për shembull po bëhet gjithë kjo zhurmë e madhe, madje angazhohet edhe diplomatë të fuqive të mëdha për të drejtat e homoseksualëve. Kjo bëhet në kuadër të demokracisë dhe nuk ka asgjë të keqe. Po kur ka angazhim kaq të madh për homoseksualizmin, pse të mos këtë një angazhim shumë herë më të madh për bashkimin etnik të shqiptarëve? Kujt i prish punë kjo? Përkundrazi kjo kërkon përkushtim në radhë të parë, e dyta kërkon që të jesh politikan dhe të mos mendosh vetëm derisa sa të kesh pushtetin, por të jesh politikan dhe të mendosh për kombin sa të kesh jetën. Pra, në radhë të parë të jesh shqiptarë me mendësi progresiste, e jo europeist me origjinë shqiptare. Problemi i dytë. Të gjithë qeveritë shqiptare, të gjithë politikanët shqiptarë, kanë festuar 28 nëntorin e vitit 1912 si ditën e shpalljes së pavarësisë. Po ç’është 28 nëntori?
28 nëntori është shpallja e pavarësisë së Shqipërisë natyrale dhe jo e kësaj Shqipërie artificiale. Kjo e fundit u vendos më 29 korrik të vitit 1913 nga Konferenca e Londrës. Të gjithë politikën shqiptarë që nga Ismali Qemali, Ahmet Zogu, Mit’hat Frashëri, Enver Hoxha etj., kanë festuar 28 nëntorin, pra në heshtje nuk e kanë pranuar vendimin e Konferencës së Londrës, në heshtje kanë pranuar Shqipërinë natyrale. Së treti. Tashmë bashkësia ndërkombëtare është duke i riparuar gabimet e së kaluarës. Është riparuar gati 80 % Konferenca e Versajës, e cila mbas shpërbërjes së perandorisë Austro-Hungareze, krijoi mbretërinë Serbo-Kroate-Sllovene. Po ju jep një shembull. Mali i Zi deri në vitin 1919 ishte shtet i pavarur, Konferenca e Versajës ia mohoi pavarësinë sepse e futi brenda mbretërisë, ashtu siç bëri me Bosnjën. Ndërkohë sot kemi pavarësinë për të gjithë këto shtete. Pra u rregulluan gabimet e Konferencës së Versajës, ku tashmë ka mbetet ende pa u rregulluar gabimet e Konferencës së Londrës. Prandaj, unë kam hedhur idenë që sot ka nevojë për një konferencë ndërkombëtare Londër 2, natyrisht me pjesëmarrjen e aleatit më të afërt të shqiptarëve, SHBA. Pa u rregulluar me Londrën 2, nuk do të ketë as progres dhe as paqe për vendet e Ballkanit. Shqiptarët nuk po e hedhin për herë të parë këtë tezë ka një shekull që e kanë kërkuar bashkimin. Shqiptarët janë vrarë për këtë ide, për bashkimin e trojeve shqiptare. Tani problemi shtrohet që duke përfituar nga fakti se jemi në një sistem demokratik ky problem duhet të zgjidhet. Ky problem nuk ka të bëjë vetëm më shqiptarët, por edhe me vetë rajonin e Ballkanit.
- A e ndalon Kushtetuta jonë bashkimin e trojeve shqiptare?
Ne e pranojmë në Kushtetutën e Shqipërisë të drejtën legjitime të shqiptarëve për t’u bashkuar. Kjo Kushtetutë u miratua edhe nga Komisioni i Venecias. Pse nuk e hoqi Komisioni këtë pikë? Po t’u thoshte, të jesh i sigurt që partitë tonë do të ndryshonin Kushtetutën siç e kanë ndryshuar herë të tjera brenda natës. Pra e la dhe shqiptarët u pranuan në NATO. Po të jenë ndërkombëtarët kundër bashkimit të shqiptarëve, ekspertët e NATO-s para se të merrnin vendimin e pranimit, e kanë studiuar Kushtetutën e Shqipërisë më mirë sesa vetë ne dhe e kanë parë në Kushtetutë të drejtën legjitime për t’u bashkuar. Dhe nuk thanë asnjë gjë. Atëherë, është një detyrimi Kushtetues e drejta për t’u bashkuar. Duke qenë një detyrim i tillë, mos angazhimi për bashkim është shkelja më e rëndë që i bëhet Kushtetutës. Dhe kjo ka të bëjë me të gjithë politikët shqiptarë, të cilët propagandojnë Shqipëria Evropiane dhe jo Shqipëri Natyrale. Shqipëria Evropiane është në thelb Shqipëri otomane. Në thelb sot kemi mbeturina të perandorisë otomane, ku kishim vilajet, pavarësisht kostumit modern dhe deklaratave moderne. Shqipëria natyrale është Shqipëria Evropiane. BE nuk mund të pranoje mbeturina otomanizmi, pa u bashkuar trojet shqiptare. Nuk pranon vilajet me kostum modern. Prandaj them se koha po ikën dhe ne duhet me çdo kusht të bashkojmë trojet e copëtuara nga Konferenca e Londrës.
- Pas rikthimit të idesë nga ana juaj për Shqipërinë Natyrale, deri më tani në mediat elektronike dhe të shkruara serbe janë botuar mbi 100 artikuj, natyrisht kundër kësaj ideje. Si e shpjegoni këtë superndjeshmëri për një kohë kaq të shkurtër?
Shumica e mediave serbe dhe malazeze njëkohësisht e kanë shprehur këtë mospajtim. Ndjeshmëria ka të bëjë me diçka tjetër, sepse në platformën që i është dhënë publikut, e cila është botuar në serbisht, greqisht, maqedonisht dhe anglisht, ka disa elementë që politikës serbe i kane hequr armen kryesore nga dora për të atakuar dhe për të etiketuar shqiptarët si destabilizues. Në platformë nuk bëhet fjalë për dhunë as për armë, platforma ka një devizë - domosdoshmëri e Shqipërisë natyrale me dialog me këdo, edhe me serb, me grek etj. Dialog për gjithçka. Ejani të ulemi në tavolinë. Nëse ju keni argumente më shumë, ne tërhiqemi. Nëse ne kemi më shumë argumente, pra nëse nuk kemi me vete vetëm të drejtën historike, por edhe realitetin aktual, atëherë ne tërhiqemi. Ato hedhin tezën e rrezikut te prishjes së monumente serbe që ndodhen në trojet shqiptare. Kjo tezë nuk ekziston, është një tezë që nuk ngjit dhe e vjetruar, Pse? Ku kanë qenë këto monumente para 100 vjetësh? A kanë në qene ne mes të shqiptarëve? Po. Pse nuk i prekën atëherë? Përkundrazi i mirëmbajtën. Murgjit manastireve serbe aty kanë qenë dhe janë. E dyta, diplomacia serbe ka nevojë të njohë më mirë historinë. Nën logjikën e diplomacisë serbe duhet të themi se Bregdeti i Izmirit në Turqi është tokë greke, sepse në këtë gji para shumë shekujsh lindi ajo shkollë e madhe filozofësh që quhet shkolla e Miletit, e drejtuar nga tre filozofët e shquar grek. Por. Turqia, ende sot e mban si një monument të lartë kulture atë vend ku kanë jetuar dukur ato tre filozofë të shuar. Po marr Sicilinë. Në Sicili, ne Krotone, ka jetuar Pitagora, Portagora, Anaksagora Ksenofani. Po të ecim me logjikën e diplomacisë serbe duhet që Greqia të çojë trupat ushtarake në Sicili. Pra dalëngadalë logjika nacionaliste serbe po çmontohet ne saje te argumenteve qe sjellin shqiptaret. Kështu do te ndodhe edhe me Shqipërinë natyrale. Ata kane frike nga dialogu, nga Tavolina, prandaj patën edhe atë ndjeshmëri qe thate ju.
- Para vizitës së Presidentit Topi në Maqedoni, kryetari i PDSH, Mendu Thaçi, hodhi idenë e federalizimit të Maqedonisë. Po ashtu, Arbër Xhaferri, një nga nënshkruesit e Marrëveshjes së Ohrit ka hequr firmën që hodhi në vitin 2001. Cila është e ardhmja e Maqedonisë?
Po jo vetëm nga detajet që përmendët ju me të drejtë në pyetjen tuaj, por edhe nga një takim të zhvilluar para disa ditësh me ekspertë dhe juristë të njohur shqiptarë, u hodh dhe u argumentua domosdoshmëria e federalizimit të Maqedonisë, për një arsye madhore. Maqedonia nuk mund të jetojë dot këtu siç është, pasi kemi një nacionalizëm gjithnjë e më agresiv të partive maqedonase, siç kemi një përulje të partive shqiptare. Pra, nuk kemi në Maqedoni opozitë etnike shqiptare, kemi vetëm opozitë politike. Atje problemi etnik është ende i pazgjidhur opozita etnike është domosdoshmëri. Shqiptarët në Maqedoni marrin pjesë formalisht në Parlament. Marrëveshja e Ohrit e vitit 2001 e shpëtoi Maqedoninë. Po mos ta kishin shpëtuar shqiptarët, sot Maqedonia do të ishte më dysh. Sot Qafa e Thanës nuk do të ishte pikë kufitare, por do të ishte thjeshtë një nocion brenda një territori. Shqiptarët asokohe dëgjuan ndërkombëtarët, por edhe besuan se pala maqedonase ishte ulur me këmbë në tokë. Tani Marrëveshja e Ohrit ka vdekur, nuk ekziston më. Por, politikanët shqiptarë kanë frikë të thonë të vërtetën, sepse po të thonë të vërtetën duhet të japin dorëheqjen. Presidenti i Shqipërisë ndodhet për një vizitë në Maqedoni, por nuk e di a ja kanë thënë se shqiptarët e atjeshëm nuk lejohen ta përdorin flamurin e tyre. Në vitin 2004 u miratua një ligji në Parlamentin Maqedonas për përdorimin e flamurit nga grupi etnik shqiptarë, por në marrëveshje të fshehtë një grup deputetësh nacionalistë e çuan këtë vendim në Gjykatën Kushtetuese. Dhe Kushtetuesja Maqedonase në 2007 mori vendim për mospërdorimin e flamurit shqiptarë. Sot flamuri përdoret pa leje, që do të thotë që mund të ndodhë çdo gjë.
Federalizimi i Maqedonisë është i pashmangshëm. Ashtu siç është i pashmangshme me vone bashkimi me Shqipërinë.
G. Sot