Thursday, June 17, 2010

Vrasjet në shifra rekord

Ende pa u mbyllur gjashtë muajt e parë të vitit 2010, Shqipëria rezulton të jetë në një rritje të krimit të vrasjeve, krahasuar me 1, 2, 3 dhe kater vjet me pare.

Niveli i vrasjeve ka shkuar në atë të 2005-ës. Të paktën 53 vrasje janë regjistruar në vend, ende pa u mbyllur muaji i gjashtë i vitit. Kurba e krimit të vrasjes nuk ka qenë asnjëherë kaq i lartë që kur drejtimi i Ministrisë së Brendshme është marrë në fund të vitit 2005, nga ministra të maxhorancës aktuale. Dy prefektura mbeten në kuotat zero të këtij krimi janë Gjirokastra dhe Berati.

Ndersa vitin e shkuar Shqiperia arriti ne total ne 79 vrasje gjithsej, ne pese muajt e pare te ketij viti ka regjistruar vetem 25 me pak te tilla ose po ta krahasosh me të njejten periudhe 18 vrasje me shume.

Nje nga arritjet e qeverise aktuale, ne fushen e rendit dhe qetesise publike, ka qene fakti i uljes se ketij krimi ne nivele te ndjeshme. Shqiperia nuk kishte regjistruar qe pas vitit 1997, me pak se 100 vrasje, dhe e arriti kete ne 2006-2007, por vrasjet e ketij viti edhe pse perqindja e zbulueshmerise se tyre ka qene e larte japin një sinjal negative.

Edhe pse vrasjet po shtohen ne cdo muaj te ketij viti, ende ne polici nuk ka patur nje analize te thelle ne lidhje me kete rritje dhe aq me pak nje analize publike, apo terheqje vemendje nga ministri aktual i brendshem ndaj policise shqiptare. Te gjitha vizitat publike te tij deri me tani ne polici kane qene ne kuader te zhvillimit teknologjik qe po merr policia shqiptare ne kohet e fundit, si edhe per sigurimin e kufijve shqiptare.

T. Channel

Wednesday, June 16, 2010

Shqiptarët e Maqedonisë: Të na jepet shtetësia shqiptare

Shqiptarët në Maqedoni kërkojnë që Tirana zyrtare të mundësojë përfitimin e shtetësisë shqiptare nga gjithë shqiptarët jashtë kufijve. Një plan i tillë është zbatuar nga shtetet fqinje siç janë Maqedonia, Bullgaria, Serbia dhe vendet tjera ish-jugosllave.


Partitë politike shqiptare në Maqedoni nuk dëshirojnë të diskutojnë mbi këtë çështje, mirëpo ata theksojnë se vetë shteti shqiptarë duhet të vlerësojë se a duhet apo jo të krijohet mundësia nëpërmjet rrugëve konstitucionale, që të gjithë shqiptarët kudo që janë të pajisen me shtetësi shqiptare, pavarësisht se ata jetojnë në dy shtete apo më shumë shtete, por pajisja me shtetësinë shqiptare të bëhet sipas modelit të shtetësisë së dyfishtë, që lejohet nga shumë shtete.

Juristë dhe avokatë shqiptarë nuk përjashtojnë mundësinë që kryeministri Sali Berisha me dekretin e presidentit Bamir Topi të përmbush premtimin e dhënë në vitet e 90-ta, kur kishte pohuar se çdo shqiptar në botë është shtetas i Shqipërisë.

"Duhet të realizohet kjo, sepse kemi rastin konkret edhe të maqedonasve, të cilët kudo që janë posedojnë edhe shtetësinë e Maqedonisë. Sidomos një mundësi e tillë po shfrytëzohet nga shqiptarët që jetojnë në kufirin me Maqedoninë, të cilët deklarohen se kanë origjinë maqedonase", ka theksuar juristi Numan Limani.

Kohë më parë burime të afërta me Qeverinë në Tiranë nuk kanë përjashtuar mundësinë që Qeveria shqiptare të shqyrtojë një plan të tillë për dhënien e shtetësive për gjithë qytetarët shqiptarë edhe jashtë kufijve të shtetit shqiptar.

Ligji për dhënien e shtetësisë është një e drejtë që dekretohet nga Presidenti i Shqipërisë dhe se të drejtën e përfitimit të saj e ka ai shtetas i huaj që ka plotësuar 5 vjet të qëndrimit të rregullt në territorin e shtetit shqiptar. Në asnjë nen të ligjit të ndryshuar në vitin 1998, nuk parashikohet përfitimi përmes etnitetit dhe që mundëson që çdo shqiptar të ketë të drejtën e posedimit të shtetësisë shqiptare.

Në rast të ndryshimeve të paralajmëruara, atëherë të drejtën e pajisjes me shtetësi shqiptare do ta kenë mbi 5 milion shqiptarë në rajonin e Ballkanit.

(N.Pajaziti/INA)

Greqi, emigrantët shqiptarë aplikojnë për nënshtetësi greke

ATHINE-Në gjithë Greqinë kanë filluar aplikimet për marrjen e nështetësisë greke nga fëmijët e emigrantëve, ku shumica e të cilëve janë shqiptarë. Ndërkohë që kanë filluar edhe regjistrimet në listat zgjedhore, ku emigrantët pritet të votojnë për herë të parë në zgjedhjet për pushtetin lokal, këtë vjeshtë, madje dhe te kandidohen per tu zgjedhur.

Seksioni në shqip i BBC bën të ditur sot se për mënyrën se si funksionojnë strukturat shtetërore në Greqi, fakti i zbatimit shumë të shpejtë të ligjit për pjesëmarrjen politike të emigrantëve, që hyri në fuqi para një muaji, përbën një befasi të këndshme.

Ligji parashikon procedura të thjeshtëzuara për marrjen e nënshtetësisë greke nga fëmijtë e emigrantëve që kanë lindur në Greqi, apo që kanë kryer 6 vjet mësime në sistemin arsimor grek.

Sekretari i shtetit për politikën e emigracionit në ministrinë e brendshme, zoti Andreas Takis, thotë se ka një numër të konsiderueshëm, shumica e të cilëve shqiptarë, që po shkojnë të bëjnë aplikimin për nënshtetësinë, apo ndodhen në fazën e plotësimit të dokumentacionit.

“Kanë filluar të aplikojnë jo vetëm fëmijë që kanë lindur këtu, por edhe brezi i parë i fëmijve që erdhën në Greqi me prindërit, tani janë të moshës 25-28 vjeç dhe i përmbushin kushtet për marrjen e nënshtetësisë. Por kryesisht janë ata që i afrohen moshës së maturisë (18 vjeç) apo e kanë arritur atë dhe që objektivisht kanë ankthin më të madh për të ardhmen e tyre”.

Sekretari i Politikës së Emigracionit, shprehet optimist se procedura do të avancojë pa probleme. Ai shton se është bërë gjithë parapërgatitja e nevojshme njerëzore dhe logjistike, si dhe është rënë dakord me ministritë e tjera që implikohen në këtë proces, për të përshpejtuar dhënien e dokumentacionit të nevojshëm.

Sipas BBC, një tjetër risi, që shkaktoi disktuime të shumta dhe debate të ashpra parlamentare, është ajo që u mundëson emigrantëve pjesëmarrjen në zgjedhjet lokale, ku ata jo vetëm do të votojnë, por kanë të drejtë edhe të kandidojnë për anëtarë të këshillave komunale. Në të vërtetë, këtë drejtë emigrantët nuk e kanë masivisht, por vetëm ata që janë pajisur me leje afatgjata dhe që përllogariten në rreth 260 mijë vetë. Gjysma e tyre janë emigrantë me origjinë greke, por shtetësi të një vendi tjetër, homogjenë siç quhen këtu. Gjithsesi, ky ishte një vendim shumë i rëndësishëm politik i qeverisë Papandreu, por edhe përmbushje e një angazhimi paralektoral, që kryeministri i sotëm e kishte shpallur në prag të zgjedhjeve të tetorit të kaluar që e sollën në pushtet.
Për sekretarin e politikës së emigracionit, Andreas Takis, sanksionimi i të drejtës së votës, ishte një ndërhyrje e rëndësishme.

“Ky vendim, me gjithë reagimet që ishin të pritshme, është një akt ligjor që e nderon Kushtetutën dhe sanksionimin për të drejtën e pjesëmarrjes politike që sanksionohet në të. Tashmë kjo pjesëmarrje nuk përcaktohet mbi bazën e nocioneve abstrakte të gjakut apo të dheut apo ku ta di unë. Por përcaktohet me realitetin e jetesës së përbashkët dhe interesave të përbashkëta midis vendasve dhe emigrantëve, të shtrira në kohë.

Në këtë sens, besoj se është një ndërhyrje totale, e cila jo thjesht fillon, por përfundon një cikël. Përfundon moshën e trazuar adoleshente të shtetit grek dhe e vendos atë në një periudhë të re, ku demokracia, pjesëmarrja politike e gjithë komponentëve të jetës shoqërore, është themeli i bashkëjetesës tonë, i vendimeve tona të përbashkëta”, thotë sekretari për politikën e emigracionit, i cili për një kohë të gjatë ka punuar si ndihmës i Avokatit të Popullit dhe është marrë kryesisht me problemet e emigrantëve.

Sipas zyrtarit të lartë grek, dhënia e të drejtës së votës emigrantëve, do të thotë që ata tash e tutje të kenë zë dhe prezencë.
“Mendoj se emigrantët që fitojnë të drejtën e votës në këto zgjedhje, për herë të parë do të kenë zë, prezencë, do të na shohin ne grekëve në sy, në kushte të barabarta. Dhe do të jenë një auditor i cili jo vetëm dëgjon autoritetet lokale, por edhe i vlerëson, i gjykon dhe ndikon me votën e tij në zgjedhjen e tyre”.

Ministria e Brendshme ka filluar një fushatë sensibilizimi për t’i nxitur emigrantët që të shkojnë të regjistrohen në listat zgjedhore pranë bashkive të vendbanimit, madje, ministri i brendshëm nënshkroi një vendim që e zgjat afatin e regjistrimit edhe dy muaj të tjerë, deri më 31 gusht.

Ndërkaq, BBC ka komunikuar me emigrantë shqiptarë në zona të ndryshme të Greqisë, të cilët thonë se do të kandidojnë me formacione të ndryshme politike, për anëtarë të këshillave komunale, në zgjedhjet që do të zhvillohen më 14 nëntor.

Në bashki si Athina, apo në disa ishuj, emigrantët shqiptarë, përbëjnë një komunitet numerikisht të konsiderueshëm. “Dhe, nëse ligji i kufizon ata që të kandidojnë për kryetarë bashkie, me siguri duke votuar aty do të luajnë rol përcaktues në zgjedhjen e autoriteteve lokale”, citon BBC.

(d.b/BalkanWeb)

Kur në Oliena flitej shqip

Vëzhgoni periferinë e Sardenjës qëndrore që shihni këtu të fotografuar, e famëshme për verën e saj, për djathërat e saj, për eskursionet malore, për aktivitetet e saja kulturore dhe për faktin e të qënit vëndlindja e futbollistit sardenjas më të njohur në botë.



Besoj e keni kuptuar edhe vet (sepse e thot edhe vet titulli), në të kundërt ua them unë: kjo qelizë e vogël sardenjase është Oliena, ose ashtu si shqipërohet në ditët e sotëme Ulìana.

Ashtu gati si të gjitha qendrat e Sardenjës, mban një emër i cili i shpëton hetimeve të kryera shkencërisht, e dikush mendon se ka të bëje me vajin meqënëse zona është e mbushur me pemë ullinjsh (por ato i kanë sjell Pizanezët kur emri Olian egzistonte prej kohësh).
Po në zonat e Sardenjës ku nuk egzistojnë?
Të tjerëve u ka ardhur në mend Iliens-ët (bijt e …Ilio, nga ku thonë se rrjedhin një pjesë e sardenjasve Nuragic).

Hetimi im, që nis pikërisht këtu përpiqet të vëjë në dukje se si prapashtesa –ena, -ana është shumë e dendur në toponimet e substratit pre-romak; dhe pikërisht këtu shkolla mediterraneiste ka kundërshtuar: “punë afrikanësh”, ndërkohë hipoteza orientalizuese, e mbrojtur në Sardenjë vetëm nga Pittau përgjigjet : “punë etruskësh”.

Por le të shohim temën (pjesën e fillimit), e cila është Oli- dhe për momentin le të ndalemi këtu.

Duket sikur parardhësit tanë të largët, kanë dashur të na lënë qëllimisht aty këtu ndonjë gjurmë të kalimit të tyre mbi tokë, pasi duke gërmuar në nëntokën e Olienës në mesin e tetëqindës (shek. 19-të) arkeologu Giovanni Spano nxori në dritë një statujëz të epokës romake, e cila pas ribashkimit të pjesëve të thyera, u përcaktua në fillim se i përkiste Belzebù-s, mbretit të mizave të traditës semite (meqënse dukej i mbuluar nga mizat). Pastaj u përcaktua se i përkiste një figure, për të cilën deri në atë moment dyshohej nëpërmjet burimeve greke, se i përkiste Sardenjës prehistorike: asaj të Aristeo-s, prurës mitik i teknikave të reja në bujqësi, në vreshtari dhe sidomos në bletari, i ardhur, kushedi se kur nga Tebe në Boeci (klasikja dritë e lindjes “ex oriente lux” 1). Bletët e skalitura mbi gjoks tregojnë se bëhej fjalë për një statujëz kushtuar këtij shpikësi lindor; Jo vetëm kaq, por edhe vendi ku u gjet statujza fliste qartë: lokaliteti Su medde (ose “sa 'idda de su Medde”), është një variant lokal i gjuhës sarde “su mele” (mjalti) (dysor i latinishtes “Mel(l)e”). Por ajo për të cilën askush nuk u thellua në studime ishte fakti se statujza ishte gërmuar brenda në një fushë (salto 2) e njohur ndryshe: Dule (edhe sot njihet kështu).



Kjo fjalë nuk ka asnjë zbërthim të përshtatshëm në latinisht, ndërsa lexuesi shqipfolës e di që ajo bashkëtingëllon në mënyrë perfekte me shqipen: dyllë (që eshte fjalë origjinale shqiptare dhe nuk ështe huazim as latin, as turk dhe as sllav)

Atëherë, kjo mund të jetë nje rastësi, bota ështe e mbushur me ngjashmëri të rastësishme: ngjashmëria e famshme anglosaksone me atë persiane e fjalës “bad” që ka të njëjtin kuptim “i keq ”, por që origjinën etimologjike e ka të ndryshme. Pra mund edhe të jetë rastësi.

Por në librin tim gjenden edhe rrethana të tjera rastësore si këto. Madje, nëse nga një gjurmë e vogël duhet patjetër të nxirret një element deduktiv përfundimtar, unë rikthehem sërisht në Oliena për të bër një pyetje retorike: “ Një territor i cili na sjell që nga periudha e lashtesisë një statujëz kushtuar hyjnisë së bletarisë, a mund të ketë në thelb ndonjë arësye për tu përcaktuar si “vend i huallive të mjaltit”?

Përgjigja ime është po, pasi lexuesi shqiptar e njeh mire, sidomos e njeh mirë edhe ai Arbëresh (shqiptarët e Italisë), të cilët kanë ruajtur një variant akoma më të pastër të fjalës “huall” që në gjuhën e tyre tingëllon: hol-i !!!

Edhe kjo fjalë (ashtu si mendojnë studjuesit Meyer, Çabej, Demiraj dhe Orel) është indoeuropjane, e përafërt me latinishten alveus, me greqishten aulos, e mbi të gjitha me sllavishten ulьjь dhe lituanishten aulys që nënkuptojnë ”huall bletësh”.

Unë e di që në këtë pikë lexuesit skeptik do shtrembërojnë fytyrën, pasi natyrisht është e vështirë të bindesh; dhe kanë të drejtë duhet më tepër: toponomastika ka qënë gjithmon një argument i squllët me të cilën rezikon të rrëshqasësh dhe të mos ngrihesh më në këmbë.

Dakord o mosbesues, ja ku e keni të servirur.

Atëherë, në territorin e dëftuar (Oliena, Orgosolo dhe Ogliastra), ekziston një fjalë që prej dhjetra vjetësh ka çmendur në fillim Wagner (kontrollo të famëshmen DES në faqe 489), dhe më pas të gjithë gjuhëtarët: “eni”, “enis” ose “eniu”. Me këtë fjalë misterioze në këtë krahinë të Sardenjës dëftohet pema e Bërshenjës (klasifikuar, dhe ështe e rastit ta themi, me emrin taxus bacchata). Dikush mendonte se kishte lidhje me gjuhën Baske, e dikush tjetër ka thënë: nuk e di.

Është e kotë që ta them unë, shqipja e njeh tashmë: pasi për të njëjtën bimë përdor emërtimin e një (që tingëllon si emri i një këngëtareje irlandeze), e cila është një fjalë misterioze edhe për shqipen, dhe në librin tim kam kërkuar ta interpretoj ( me anë të zbërthimit indoeuropjan).

I dashur lexues, nëse deri këtu nuk kam mundur të të bind atëherë vijo të më ndjekësh: kjo ështe vetëm kopertina, faqe të tjera do vijnë, e kush e di, ndofta përgjatë rrugës për në Damastion 3, do konvertohesh edhe ti në ilirizëm!!!



1) ex oriente lux, është një frazë që përdoret për të treguar se kultura njerëzore e ka patur origjinën e saj në lindje.

2) salto, ështe një term sardo-latin me të cilin nënkuptohej një territor jashtë territorit qytetar.

3) Damastion, ishte një qytet antik në rrethinat e liqenit Ohër i banuar nga iliro-dardanët në të cilin mbreteronte në shek. e 4-ët para erës sonë mbreti ilir Bardhyli.

Bibliografia e përdorur:

Angiolillo S., “Aristeo in Sardegna” in Bollettino di Archeologia 5/61(1990), 1-9
CASTIA S., "Aristeo il protos euretes" in La Sardegna e i miti classici, Olbia 1996, 19-22
Çabej E., Studime etimologjike në fushë të shqipes, Tiranë 1982
Demiraj B., Albanische Etymologien, Amsterdam-Atlanta 1997
Meyer G., Etymologisches Wörterbuch der Albanesischen Sprache, Strassburg 1891
Orel V., Albanian Etymological Dictionary, Leiden-Boston-Köln 1998
Pianu G., “Il mito di Aristeo in Sardegna” in Zucca 2004, 96-98
Pittau M., I nomi di paesi città regioni monti fiumi della Sardegna significato origine, Cagliari 1997
Sanna S., “La figura di Aristeo in Sardegna”, in Zucca 2004, 99-111
Spano G., “Statuetta d’Aristeo in bronzo” in Bullettino Archeologico Sardo I (1855) 65-71 [testo in http://www.comune.oliena.nu.it/conosci_secondo.php?mpos=50&id=20&bar=arch]
Spiggia S., Le api nella tradizione popolare della Sardegna, Sassari, 1997
Wolf H. J, Toponomastica barbaricina, Nuoro (1998)
“ “ “La toponomastica preromana in Sardegna”, in Max Leopold Wagner. Lingua e cultura sarda, Atti Conv. Int. di ling. sarda (a cura di D. Turchi), Oliena 23-3 2003, 49-58 (2004)
Zucca R, (a cura di) LOGOS PERI THS SARDOUS. Le fonti classiche e la Sardegna, Roma 2004

(traduzione di Brunilda Ternova)

http://web.tiscali.it/sardoillirica/sardoillirica/oliena.ilirike.htm

Kadare: Historia e së keqes vazhdon në juglindje të Evropës

Kur në vitin 1993, shtëpia botuese franceze “Fayard” botoi të përkthyer në frëngjisht librin “Spastrimi etnik në Jugosllavi”, shkruar nga tre autorë kroatë Mirko Grmek, Mark Gjidara dhe Neven Šimac, zërat që dënonin krimet serbe në Ballkan ishin ende të ndrojtur. Ndonëse kishte vite që krimi po harlisej në ish-Jugosllavi, miqtë e shtetit më hipokrit të kontinentit, vazhdonin ta mbronin atë në të gjitha fushat: politike, ushtarake dhe ajo që ishte më e padurueshme; kulturore.

Kjo mbrojtje nuk ishte një rastësi. Ajo ishte vazhdimi i një tradite të shëmtuar që u krijua në Europë pas Luftës së Dytë Botërore, kur një armatë e pafund intelektualësh, duke braktisur parimet e mëdha të humanizmit, u vunë në mbrojtje të totalitarizmit komunist.

Filozofë, gazetarë, shkrimtarë, artistë e opinionistë, me agresivitet të pashembullt, duke krijuar një terror të vërtetë intelektual, u shpallën avokatë të krimit, duke filluar nga mizoritë e Stalinit e të Titos e gjer te ato të Maos e të Fidel Kastros.

Historia gati gjysmë shekullore e së famshmes “Luftë e Ftohtë” midis Perëndimit dhe Lindjes, nuk ka qenë gjë tjetër veçse një dyluftim i pafund, ku secila palë përpiqej të bënte për vete popujt, në mënyrë që në çastin fatal të vinte në gjunjë kundërshtarin. Në këtë ndeshje, ndërsa Lindja kishte në shërbim të saj armatën që u përmend më lart, Perëndimi kishte veçse disa emra të rrallë që të rrethuar nga terri, mezi dalloheshin si yje të largët.
Ndërkaq, Perëndimi kishte një aleate kolosale por të padukshme, etjen për liri. I strehuar në miliona njerëz pa emra të bujshëm, ajo etje do të bënte atë që nuk e bënë dot as armët, as agjencitë e inteligjencës, e as paraja: shembjen e kështjellës komuniste.

Pas rënies së komunizmit, armata e avokatëve të tij u duk se mbeti pa punë. Ashtu siç ndodh shpesh në kësi rastesh, pas hutimit të parë, ajo nisi të mbledhë veten. Kishte ende aty-këtu mbeturina të diktatorëve, dordolecë të papërshtatshëm si Kim Ir Seni, ose më të volitshëm si Fidel Kastrua. Në këtë kërkim diktatorësh mbeturina e armatës ra tek Millosheviçi.
Përkrahja që kishte ende ish-Jugosllavia millosheviçiane bashkë me krimet e saj, ende disa vite pas rënies së komunizmit, ishte shprehja e nostalgjisë për atë botë.
Millosheviçi ju ngjalli mallin e vrasësve së dikurshëm, e sidomos mallin për Stalinin, kriminelin e specializuar për “spastrime etnike” ndaj popujve të vegjël.
Ka gjasë që Millosheviçi kur ka bërë llogaritë e aventurës së tij të përgjakshme të ketë shpresuar midis të tjerash edhe në një përkrahje të armatës së avokatëve. Ajo u përpoq ta ndihmonte vërtet, por kohët kishin ndryshuar.
Një armatë tjetër po fuqizohej çdo ditë; ajo që po ngrihej kundër krimit. Libri “Spastrimi etnik në Jugosllavi” dhe tre autorët e saj kroatë, ishin pjesë e dëshmisë së madhe dhe e lajmit të mirë se krimi do të dënohej.
Propaganda serbe, ashtu siç e kishte bërë zakon, u përpoq të organizonte bojkotimin e librit “Spastrimi etnik”, por nuk ia arriti dot. Pas botimit frëngjisht të “Fayard”-it, ky libër u bë pikë kryesore referimi dhe ndër më të besueshmit për të mësuar tragjedinë që po ndodhte në këndin jugor të Evropës.
Përveç vlerës historike dhe emancipuese, libri e pasuronte letërsinë dokumentare evropiane për çështjet ballkanike me një vizion të domosdoshëm: vizionin ballkanik. I çliruar nga fryma e sëmurë kombëtariste, ky vizion kishte një përmasë të re, pa të cilën ishte e vështirë të kuptoje rrënjët e tragjedisë. Ai zbriste në thellësi për të ndriçuar disa nga zgafellat e errëta, atje ku krimi kishte zanafillën e tij. Psikologjia e krimit, paraqitja e kulturës së krimit si kulturë heroike, zhbirimi i së keqes jo vetëm nga faktet historike, por edhe më thellë: në epikën dhe në trashëgiminë gojore, këto e të tjera si këto, përbëjnë disa nga qasjet më origjinale të këtij libri.
Kur tre autorët kroatë e shkruan dhe e botuan këtë libër, egërsia serbe e dhjetëvjeçarit të fundit të shekullit ishte ende në dallgëzimet e para të saj. Nostalgjia projugosllave vazhdonte ta mbronte ende atë që mendjet më të ndritura të Europës e cilësonin si “nazizëm ballkanik”.

Të gjitha shenjat ishin shfaqur qartë: propaganda vulgare raciste, urrejtja për popujt e tjerë, masakrat masive, kampet e përqendrimit dhe, mbi të gjitha, doktrina e “spastrimit etnik”. Kjo e fundit përbënte edhe thelbin rreth të cilit mbështillej e keqja. Dhe meritë e autorëve kroatë është që e kapën pikërisht atë thelb, në kohën kur sytë e të tjerëve ishin të verbër. U desh të derdheshin përrenj të tjerë gjaku, u desh që krimi serb të harbohej në Bosnjë, për të arritur më pas paroksizmin e tij në Kosovë, që Evropa dhe bota të shkundeshin më në fund nga dremitja.
Që vëmendja të arrinte më në fund në skenën e mirëfilltë të tragjedisë, në Kosovë, popullit shqiptar iu desh të flijonte mijëra nga djemtë e vajzat e tij më të mira, qindra foshnje të prera me thikë, qindra gra e cuca të përdhunuara, mijëra shtëpi të djegura, dhjetëra mijëra fate njerëzore të përmbysura.

Në çdo fazë e në çdo shkallëzim të tragjedisë në ish-Jugosllavi, libri i autorëve kroatë, ndonëse i shkruar vite më parë, vazhdonte të ruante frymën e tij profetike. Atë frymë ai e ruan ende sot, madje sot është po aq i nevojshëm si në kohën kur u shkrua e u botua, ngaqë historia e krimit serb nuk është mbyllur. Është kjo arsyeja që botimi i tij në gjuhën shqipe, prej shtëpisë botuese “55”, të konsiderohet si një ngjarje.

Historia e së keqes vazhdon në juglindje të Evropës, sepse dosja e krimeve të mëdha nuk mund të quhet e mbyllur, në qoftë se e keqja nuk dënohet gjer në fund.
Fill pas çlirimit të Kosovës, në verën e vitit ’99 një valë e pashembullt u ngrit anembanë për të revizionuar të vërtetën e asaj që ndodhi. Armata e nostalgjikëve proserbë, ajo që nën trysninë e opinionit ndërkombëtar u tulat ca kohë gjithë frikë, dalëngadalë filloi prapë të gjallërohej. Fushata për të dënuar Aleancën Atlantike për ndërhyrjen e saj, për të nxjerrë të pafajshme Serbinë, vazhdoi sipas një logjike të përçudnuar të balanconte fajin midis serbëve dhe shqiptarëve, madje disa herë të bënte fajtorë shqiptarët në këtë konflikt.
Në krye të kësaj fushate ishin po ata intelektualë që dikur kishin bekuar haptas ose heshturazi krimet e stalinizmit apo të maoizmit. Për të kuptuar portretin e tyre, mjafton të përmendim vetëm njërin, filozofin francez Rezhis Debre. Ka botuar shumë libra e është quajtur shpikësi i “mediologjisë” (shkencës që merret me mediat), megjithatë ka dy shenja në jetën e tij që është vështirë të harrohen.

E para, ka lidhje me dyzet vite më parë, kur është akuzuar se ka tradhtuar Che Guevarën, akuzë e përsëritur tani vonë nga e bija e këtij të fundit. E dyta, kur në 1999 është akuzuar prapë për pabesi, këtë herë nga një grup pleqsh kosovarë, që vuanin bashkë me mijëra të tjerë në llucën e Bllacës në Maqedoni. Kur dëgjuan për deklaratën e tij, pleqtë e treguan ngjarjen kështu: “Erdhi pastaj një frëng i dijshëm, nga ata që u thonë filozofë. Por ai kishte kenë i pabesë”.
Rezhis Debre, me anë shpjegimesh të pafundme, duke përfituar nga terri që ka mbuluar ngjarjen e parë, duke përfituar nga vetë personazhi i diskutueshëm i Che Guevarës e nga faktorë të tjerë, është përpjekur ta lajë veten nga akuza e hershme. Mirëpo nga përsëritja e akuzës për pabesi, prej pleqve anonimë të Bllacës, dyzet vjet më pas, ai nuk lahet dot në jetë të jetëve.
Shprehja “E gjen nga s’e pret”, duket si e krijuar enkas për këtë rast. Në kulmin e konfliktit të Kosovës, Rezhis Debre, intelektual i angazhuar në “aksione të guximshme” u nis për në ish-Jugosllavi, më saktë, për në Kosovë. U nis për të parë me sytë e tij tragjedinë, për të dhënë gjykimin e tij, për të dënuar “si gjithmonë” xhelatët, për të mbrojtur “si gjithmonë” viktimat.
Rexhis Debre u nis disi në rrethana të errëta, pa e treguar nga kush shoqërohej, nga kush financohej, nga kush ishte ftuar. Ai mbërriti në Bllacë të Maqedonisë, atje ku mijëra shqiptarë të Kosovës po jetonin vuajtjet e ferrit. Ai qëndroi midis tyre katër ditë, dëgjoi rrëfimet e tyre, mori shënime, ngjalli shpresa se do t’i dëshmonte botës tmerrin që pa. U lehtësuan njerëzit kur nxorën një pjesë të krusmës, patën shpresë se fjala e “filozofit frëng” do të ndikonte që të zbutej disi ajo skëterrë.
Pas kësaj Rezhis Debre kthehet në Prishtinë, pastaj në Beograd,e në fund në Paris.
Në kohën që Franca priste dëshminë e tij, për habinë e të gjithëve ai boton një letër drejtuar presidentit të Francës, ku jo vetëm nuk tregon asgjë për ato lemeri që njerëzit i besuan në Bllacë, por përkundrazi, merr në mbrojtje Serbinë, Millosheviçin, kurse për viktimat shqiptare nuk shfaq veçse një mosbesim dhe vrer të ftohtë.

Opinioni i gjerë publik, intelektualët më të shquar të Francës, e pritën me përçmim dëshminë e filozofit. U bënë shumë pyetje, u kujtua historia e vjetër para dyzet vjetëve, u bënë shumë hamendësime. Ndonëse ai nuk pohoi se kush e ftoi, kush e shoqëroi, kush i pagoi biletat e udhëtimit, e vërteta filloi të pikonte aty-këtu: edhe ftesa, edhe shoqëruesit edhe paguesit ishin nga Beogradi. U kuptua qartë se Rezhis Debre u nis për në Kosovë, jo për të dëshmuar për tragjedinë e një populli, por për të marrë në mbrojtje xhelatët e tij. Shkurt ai u nis atje, ashtu siç qe nisur dyzet vjet më parë për të tradhtuar. Atëherë një njeri, këtë herë një popull. Libri për spastrimin etnik në Ballkan, duke qenë sfidë kundër shpërfilljes cinike, e cila i hapi rrugë aksionit kriminel të Millosheviçit, është njëkohësisht një qortim i heshtur për një pjesë të mendimit intelektual ballkanik, i cili, edhe në rastet kur ishte kundër kësaj doktrine ç’njerëzore, u tregua i mefshtë e i vonuar për t’i rënë kambanës së alarmit.
Nga ky qortim nuk përjashtohet asnjë pjesë e intelektualëve shqiptarë.
Është e nevojshme të përmendet sot kjo gjë për dy arsye:

E para, sepse është vështirë të gjendet një shembull tjetër në historinë e gjatë të popullit shqiptar, kur përkitja me krimin të ketë qenë kaq barbare, kaq e ngjeshur në kohë e kaq haptas e programuar si shfarosje.

Arsyeja e dytë është se, ndërsa ka mbaruar tragjedia e Kosovës, po bëhen përpjekje të krijohet një vazhdim i saj, njëfarë pastragjedie. Dukuritë që u përmendën më lart, tezat revizionuese, balancimi i krimeve etj., etj. e dëshmojnë këtë synim.


Që kjo përpjekje të dështojë, dhe ajo do të dështojë me siguri, kërkohet të mbahet gjallë gjithë syçeltësia jonë, dhe bashkë me të, gjithë vullneti ynë për të mos e lënë kontinentin tonë të vjetër të bjerë prapë në dremitje si dikur. Me këtë syçeltësi ne ndihmojmë, natyrisht, vetveten, por ndihmojmë, gjithashtu, qytetërimin evropian.
Është e domosdoshme të thuhet e të përsëritet vazhdimisht se ajo që ndodhi kohët e fundit me popullin shqiptar i ngjan një parabole kuptimplotë.

Për një kohë të gjatë, Evropa e ka pranuar Jugosllavinë bashkë me tumorin e zi që ndrynte brenda saj: Krimin kundër shqiptarëve.
Pastaj erdhi koha që ai krim nuk durohej më dhe Evropa bashkë me SHBA-në e dënuan Jugosllavinë. Por, siç ndodh nganjëherë, kur ke dënuar dikë që e ke pasur të afërt, fill pas ndëshkimit shfaqen ca si shenja pendimi. Që pendimi të përligjej u bë e dëshirueshme gjetja e gabimeve të shqiptarëve. Ndërkaq, gjëja më e lehtë në këtë botë është të gjesh gabime të shqiptarëve. Të tilla shqiptarët kanë bërë gjithmonë dhe nuk kishin si të mos bënin edhe në atë ndeshje të lemerishme me barbarinë serbe. Kanë bërë faje, me siguri kanë bërë vrasje, kanë bërë edhe krime. Dhe ato duhet të dënohen si gjithë krimet. Ndërkaq, kjo nuk ndryshon asgjë në ngrehinën dhe përmasat e tragjedisë. Balancimi në këtë rast do të ishte një falsifikim ogurzi. Shkurt, ai do të ishte kthimi prapa, në pikën zero, atje ku shqiptarët kishin qenë si skllevër.
Historia nuk mund të ecë prapa si gaforrja.
Koha e robërisë shqiptare në Ballkan ka vdekur përgjithmonë. Ndryshimi kolosal, që ka ndodhur kohët e fundit në historinë e këtij populli është se, liria shqiptare, këndej e tutje është pjesë e lirisë së Evropës. Le ta urojmë këtë për të gjithë popujt e Ballkanit. Bashkarisht ë çliruar nga e keqja, bashkarisht evropianë, do të jemi pa dyshim më të lirë. Ky libër, duke na kujtuar të keqen na ndihmon për t’i thënë lamtumirë asaj.


"Spastrimi etnik në Jugosllavi" vjen në shqip
Në një kohë kur ish-Jugosllavia ishte në grahmat e fundit, kur drejtuesit serbë, mundoheshin me çdo kusht të ruanin konfigurimin e vjetër, tre autorë kroatë Mirko Grmek, Mark Gjidara dhe Neven Šimac guxojnë të botojnë librin "Spastrimi etnik në Jugosllavi". Një libër që ofron një informacion të pasur faktik mbi planet dhe operacionet serbe të spastrimeve etnike, qysh në shek. XIX. Tashmë ky libër i rëndësishëm vjen edhe në shqip, gati 20 vjet pas botimit të tij të parë, nga shtëpia botuese "55", përmes përkthimit të Beqir Ajazit. Sipas drejtoreshës së botimeve pranë "55", Alda Bardhyli, ky është një nga librat më të rëndësishëm të shkruar mbi Kosovën. Libri është strukturuar në pesë pjesë. Në pjesën e parë, "Rrënjët" pasqyrohen që nga vendimet e Këshillit të Parë të Shtetit të Serbisë mbi spastrimin etnik (1807), por edhe ca poezi e këngë popullore serbe të mbledhura nga Karaxhiç.

Ismail Kadare, Panorama

Kilet e tepërta, ose paralajmëruesi i sëmundjeve

Obeziteti është sëmundja e shekullit.
Përveç kileve të tepërta shfaqen dhe probleme serioze shëndetësore. Prandaj duhet të mbani vazhdimisht nën kontroll peshën tuaj dhe të kërkoni rrugët e dobësimit.

Një mënyrë jetese pasive, energjitë e tepërta dhe ushqyerja në mënyrë të gabuar i hapin rrugë obezitetit. Obeziteti është shkaktar pikë së pari i sëmundjeve të zemrës, tensionit, diabetit dhe sëmundjeve të kyçeve. Ja, pra, duke parë peshën tuaj vendosni vetë nëse jeni i shëndoshë apo obezë.

Obeziteti është një sëmundje e cila përgatit terrenin e shumë sëmundjeve të ndryshme që ndikojnë në sistemin e tretjes, sistemin hormonal, të frymëmarrjes, të zemrës dhe enëve të gjakut. Shfaqet atëherë kur sasia e energjive të marra me anë të ushqimit kalon sasinë e energjisë së djegur nga aktiviteti fizik. Sëmundje si sëmundjet e zemrës, tensioni i lartë, diabeti, kolesteroli i lartë, shqetësime në frymëmarrje, sëmundjet e kyçeve, çrregullime të menstruacioneve, steriliteti, impotenca, sëmundjet e tëmthit, krijimi i gurëve, disa lloje të kancereve janë disa nga sëmundjet që kanë lidhje të drejtpërdrejtë me obezitetin.

Obeziteti mund të përkufizohet si një sëmundje e cila shkurton jetën e njeriut dhe ndikon negativisht në cilësinë e jetesës. Sipas studimeve të bëra, gjatë njëzet viteve të fundit obeziteti ka pasur një rritje drastike dhe vazhdon të përhapet si të ishte një epidemi. Edhe vendi ynë është prekur nga kjo epidemi.

Cilat janë shkaqet e obezitetit?
1. Këtu bëhet fjalë për një shëndoshje të trashëguar gjenetikisht. Fëmijët që kanë nënë dhe babanë obezë janë të rrezikuar dy herë më shumë se fëmijët prindërit e të cilëve nuk janë të rrezikuar nga kjo sëmundje. Tek personat në fjalë flitet për obezitet për shkak të ndryshimeve që ndodhin në shpejtësinë metabolike bazike. Siç e dimë pjesa më e madhe e energjisë së harxhuar gjatë ditës është energjia e përdorur në aktivitetin e metabolizmit bazik. Pra këtu na shfaqet një dimension gjenetik i obezitetit.

2. Përveç faktorëve gjenetikë edhe faktorët e ambjentit të cilët ndikojnë në kulturën e të ushqyerit luajnë një rol të rëndësishëm në krijimin e obezitetit. Ndryshimet sociale, kulturore, zakonet e të ushqyerit të ndikuara nga vetë këta ndryshime, niveli i aktivitetit, dhe faktorët individuale mendohet se ndikojnë në këtë proces.

3. Një mënyrë jetese pasive është një faktor shumë i rëndësishëm në shfaqjen e obezitetit. Rruga më e lehtë e harxhimit të energjive është shtimi i aktivitetit fizik. Sa më shumë aktivitet fizik aq më shumë energji të djegura dhe kile të humbura.

Si përfundim obeziteti shfaqet atëherë kur sasia e energjisë së marrë nga ushqimi kalon energjinë e djegur nga metabolizmi dhe nga aktivitetet fizike.

Yndyrnat e mbledhura në zonën e barkut, vithe dhe në pjesë tjera të trupit rrezikojnë edhe më shumë shëndetin tuaj. Ja risku i sëmundjeve metabolike të lidhura me belin:

Tek meshkujt: një perimetër beli mbi 94 cm tregon ‘ risk në rritje’ , mbi 102 cm ‘ risk të lartë’
Tek femrat: mbi 80 cm ‘ risk në rritje’ , mbi 88 cm ‘ risk i lartë’.


Masa më e përdorur për obezitetin është indeksi trupor "body mass index" (BMI)dhe matja e perimetrit të belit.

Llogaritni kilet tuaja
BMI (Indeksi trupor / Body Mass Index) , llogaritet duke pjesëtuar peshën e trupit me gjatësinë në (m)² . Kjo vlerë nuk ndryshon nga mosha apo seksi. Përveç kësaj përdorimi i BMI tek fëmijët, gratë shtatzëna apo tek njerëzit muskulozë nuk jep rezultate të sakta prandaj nuk duhet përdorur.

Vlera BMI
Personat nën 18,5 kg / m²: të dobët.
Mes 18,5-24,9 kg / m²: peshë normale.
Mes 25-29,9 kg / m²: të shëndoshë.
Mes 30-39,9 kg / m²: obezë
Mbi 40 kg / m²: obezë të theksuar.

Ja dy shembuj të llogaritjes BMI:

a. Flora ka një peshë 70 kg dhe gjatësi 1,60 m. Ja vlera në bazë të të dhënave: 70 / (1.60)² = 70 / 1.60 x 1.60 = 70 / 2.56 = 27.34 kg / m²

b. Pesha e Flamurit është 90 kg ndërsa gjatësia 1,70m. Ja vlera BMI: 90 / (1.70)² = 90 / 1.70 x 1.70 = 90 / 2.89 = 31.1 kg / m².

Në bazë të klasifikimit të mësipërm, Flora është e shëndoshë ndërsa Flamuri është obez.

(zaman/start)

Enciklopedia e re, akademikët shqiptarë: Do ikim, nuk na përfillin

MAQEDONI- Dy anëtarët shqiptarë të Redaksisë së re të Enciklopedisë së Maqedonisë, akademiku Alajdin Abazi dhe profesori Ramiz Abdyli, mendojnë të japin dorëheqje, për shkak të mospërfilljes së kërkesave të tyre nga Kryesia e Akademisë së Shkencave dhe Arteve e Maqedonisë (ASHAM).

Profesori Ramiz Abdyli ka deklaruar se nuk e sheh më veten në atë redaksi dhe Akademi, për shkak se nuk përfillet asnjë kërkesë e tij.

"Do të pres deri në shterjen e argumenteve, e pastaj do të marr vendim. Të gjitha kërkesat që kam dërguar deri më tani nuk janë respektuar", pohoi Abdyli.

Sipas tij, edhe pse Redaksia e re ka marrë vendime që të ndryshohet emri i enciklopedisë, ky vendim nuk është përfillur nga ASHAM-i.

"Po ashtu, morëm vendim që të ndalohet shitja e Enciklopedisë fyese, por ajo edhe më tej po shitet me të madhe në treg. Arsyetimi i tyre është së nuk mund ta ndalojnë për shkak se parapagimet janë bërë që më herët", tha Abdyli. Ai shprehet skeptik se në Maqedoni do të ketë një enciklopedi të re, për shkak të shantazheve që po i bën Kryesia e ASHAM dhe disa persona të caktuar të kësaj kryesie, të cilët publikisht shprehin albanofobinë e tyre.

"Kam kërkuar një vit për hulumtime, ndërsa për realizimin e tyre kam kërkuar vetëm 100,000 euro. Projekti hulumtues parasheh kërkime nëpër shumë qendra evropiane dhe botërore, e kjo shumë është sa një e katërta e shpenzimeve të bëra vetëm për botimin e Enciklopedisë së vjetër. Në ASHAM ka disa struktura që ndoshta kanë fobi ndaj çështjes shqiptare, janë me mentalitet të vjetër, dhe nuk mund të rinovohen. Andaj, nuk besoj se do të mund të bëhet Enciklopedia e Re", sqaroi Abdyli.

Sipas tij, rruga e vetme që të përfundohet pjesa e enciklopedisë që lidhet me shqiptarët është pavarësimi i plotë i akademikëve shqiptarë, të cilët për historinë e shqiptarëve duhet të vendosin së bashku me hulumtuesit nga Shqipëria.

"Nuk besoj se kjo çështje mund të zgjidhet, sepse çdo shkronjë që do ta shkruajmë ne, ata do të mundohen ta ndryshojnë", theksoi Abdyli.

E nëse deri në vjeshtë të këtij viti kryesia e ASHAM nuk ka mirëkuptim për kërkesat e anëtarëve shqiptarë, nga ASHAM duket se do të largohet edhe akademiku Alajdin Abazi.

"Të gjithë anëtarët e rinj duhet t'i dorëzojnë punimet dhe analizat shkencore deri në vjeshtë. Mirëpo, nëse nuk ka lëvizje nga enciklopedia e vjetër, çfarë do të kërkojmë më aty ne shqiptarët. Unë edhe z. Abdyli duhet të presim deri në vjeshtë, por në rast se kërkesat tona nuk përfillen atëherë nuk mbetet alternativë tjetër", tha Abazi.

Përveç obligimit që të hartojë enciklopedinë e parë të Maqedonisë, Redaksia e re ka edhe një detyrë tjetër shumë të rëndësishme, atë të kthimit të besimit të qytetarëve shqiptarë dhe të imazhit të këtij institucioni të lartë shkencor para faktorit ndërkombëtar. Ky imazh vlerësohet të jetë rrënuar pas publikimit të enciklopedisë kontraverse të Blaze Ristovskit, e cila ngërthente shumë të pavërteta rreth prejardhjes së shqiptarëve, ndonëse nuk munguan as fjalët ofenduese për NATO, SHBA dhe për ushtarët perëndimor, që emëroheshin si "agresorë".

G. Express

Sherri me armë Noizy- Stresi, pranga vëllezërve

TIRANË- Pas sherreve të vazhdueshme dhe pas përplasjeve me armë midis dy grupeve muzikore OTR dhe TBA, policia arreston dy vëllezër pjesëtarë të grupit muzikor OTR, të drejtuar nga Rigels Rajku, i njohur me emrin e tij të artit Noizy. Ata dyshohen si plagosjen e Denis Dollapajt si dhe të Dritan Vitrinës. Bexhet dhe Rigers Kruda, 20 dhe 21 vjeç, me banim në Tiranë, u arrestuan dje nga Policia e kryeqytetit, me akuzën e vrasjes me dashje e mbetur në tentative me pasojë plagosjen e një personi. Arrestimi i dy vëllezërve u konfirmua dje nga burime zyrtare të Policisë së Tiranës, ku thuhet se këta të fundit janë të kërkuar për plahsojen me me thikë, Denis Dollapajt, ngjarje e ndodhur në me 28 prill të këtij viti në Tiranë. Kjo përplasje vijoi edhe më vonë, kur në fund të muajit maj, Jetnis Dollapaj, tentoi të vriste me armë zjarri, Rigels Rajkun.


Në sherrin e parë me armë, ku u plagos 19 -vjeçari Dollapi u përfshinë fansat e dy grupeve muzikore, OTR, drejtuar nga Rigels Rajku ose Noizy dhe grupit TBA, drejtuar nga Arkimed Lusha, i njohur si "Stresi". Arrestimi u krye mbrëmjen e të hënës, nga policia e kryeqytetit, ndërsa ndaj tyre gjykata kishte nxjerrë një urdhër arresti, me akuzën e vrasjes së mbetur në tentativë në bashkëpunim. Viktima Denis Dollapi, u plagos në një lokal pranë rrugës së Barrikadave, jo shumë larg shkollës së mesme "Sami Frashëri"Sipas policisë së Tiranës, të rinjtë janë konfliktuar me fjalë para se të përdornin thikën, fillimisht pranë shkollës së mesme, duke qenë se prej kohësh janë në rivalitet me njëri- tjetrin ndërsa nuk kanë munguar as fyerjet dhe kërcënimet në internet dhe në "Facebook" mes palëve.

Në këngët e tyre shihen qartë tekstet që flasin për grupin rival, madje në një emision televiziv një nga pjesëtarët e grupit TBA, kërcënoi Rigels Rajkun. Pas përplasjes pranë shkollës, sherri u spostuar disa metra më larg, në rrugën "Bardhok Biba", ku edhe ndodhi plagosja e Denis Dollapit. Në konfliktin mes fansave të grupeve muzikore mbeti i plagosur dhe një person tjetër. Pas përplasjes, policia identifikoi të dyshuarit e ngjarjes, të cilët u shpallën në kërkim. Vëllëzerit Kruda u arrestuan gjatë operacionit policor të koduar "OTR", dhe të dy njihen si anëtarë të grupit muzikor të drejtuar nga Noizy. Ata dyshohen si autorë të plagosjes së Denis Dollapajt, 19 vjeç, Dritan Vitrinës, 15 vjeç.

Në ngarkim të tyre, policia dhe prokuroria kanë mbledhur prova dhe dëshmi të ndryshme që hedhin dritë mbi vrasjen e mbetur në tentativë ndaj Dollapajt dhe Vitrinës.

Shekulli

Monday, June 14, 2010

Velipojë, Golem, Vlorë, Sarandë, verë 2010!

Velipoja, bëhet gati për fluksin e pushuesve


Nisja e sezonit turistik ka ofruar pushuesit e parë pranë bregdetit të Velipojës.

Ashtu si vitin e kaluar, pushuesit nga Kosova janë më “besnikët” e këtyre ditëve të para të qershorit. Një pushues nga Kosova, Zenel Shkodra, duke folur për gazetën shprehet se “ky është viti i dytë radhazi që vijmë të pushojmë në Velipojë. Mbetëm mjaft të kënaqur vitin e kaluar, prandaj u kthyem sërish. Këtu rëra dhe uji i detit janë shumë të pastra, çmimet të arsyeshme si për fjetjen, ashtu edhe për ushqimet. Vitet e mëparshme kemi shkuar në Ulqin, por vendosëm të ndryshojmë dhe të vijmë në Velipojë, sepse është më afër dhe çmimet janë më të leverdishme”.

Ndërkohë, pronarët e hoteleve shprehen se në krahasim me një vit më parë, vihet re një shtim i numrit të kërkesave për dhoma. Sipas tyre, kjo vjen për faktin se çmimet janë tepër konkurruese për tregun. Ato variojnë nga 25-50 mijë lekë për një qëndrim prej 15 ditësh. Ndërkohë në dhoma garantohet ujë, drita dhe ajër i kondicionuar. Ndërsa lokalet dhe dyqanet e shërbimit duket se ende kanë punë për të përfunduar përgatitjet për fluksin e pushuesve që pritet të nisë muajin tjetër.

Ndërkaq, drejtuesit e Komunës Velipojë garantojnë se këtë verë, të gjithë pushuesve që do të zgjedhin plazhin e Velipojës, do t’u garantohet furnizim 24 orë me ujë të pijshëm dhe energji elektrike, mbajtje e rendit dhe qetësisë publike, shërbim 24-orësh për urgjencat shëndetësore.

Ndërkohë premtojnë se janë drejt përfundimit investimet që janë ndërmarrë për infrastrukturën, në mënyrë që plazhi i Velipojës të bëhet gjithnjë e më i kërkuar për pushuesit nga të gjitha trojet shqiptare. Velipoja i ngjason një bregdeti të virgjër, ende të pazbuluar nga guidat turistike. Rëra e pastër dhe uji i pastër i japin kësaj zone jo vetëm vlera të rralla turistike, por dhe kurative.

Vitin e kaluar plazhi i Velipojës u shpall plazhi më i pastër nga Ministria e Mjedisit, e ndoshta kjo është një nga arsyet që nga viti në vit ky bregdet po shndërrohet në një nga vendet më të lakmuara për të pushuar. Drejtues të Komunës Velipojë duke folur për gazetën shprehen se shumë shpejt do të ndërmerren një sërë investimesh të cilat do nisin të vihen në zbatim.

Të tilla janë: rruga e Baksit, ura e Rrjollit, shëtitorja në qendër të Velipojës, do të krijohen hapësira të gjelbra. “Të gjitha këto investime do të bëhen në funksion të krijimit të një zone turistike bashkëkohore dhe afrimin e sa më shumë pushuesve”, thonë drejtuesit e komunës.



Golem, pushuesit të pakënaqur nga papastërtia

Pushuesit kërkojnë më shumë investime në infrastrukturën rrugore dhe pastërti në zonën turistike të Golemit, ndërsa pushteti vendor deklaron se po punohet për zhvillimin në vazhdimësi të zonës.

Infrastruktura rrugore dhe niveli i pastërtisë në plazhe mbeten dy nga shqetësimet kryesore të pushuesve në bregdetin shqiptar, ndërsa çmimet që ofrojnë operatorët turistikë nuk janë të ndryshme nga ato të sezonit të kaluar.

Pushues nga Kosova dhe Maqedonia, që janë kthyer në frekuentues të rregullt të plazhit të Golemit, kanë zbarkuar këto ditë për pushimet e radhës buzë Adriatikut. Ata shprehen me rezerva për pastërtinë në këtë zonë turistike, si dhe infrastrukturën rrugore, ndërsa për të tjerët gjendja e plazhit është përmirësuar.

Qëndrimet janë të ndryshme, ndërsa plazhi ofron dukshëm më shumë pastërti. Ndonëse fundjava ka hyrë shumë e nxehtë, numri i pushuesve në plazh nuk ka qenë i lartë. Kryesisht janë pushues të moshave të ndryshme, dhe familjarë mes tyre, që vijnë nga vendet fqinje për pushime disaditore. “Çmimet janë të arsyeshme për dikë që vjen të pushojë në këtë fillim sezoni, por pastërtia dhe rrugët lënë shumë për të dëshiruar”, shprehen katër shokë që kanë ardhur nga Prishtina në Golem.

E ndërsa rëra duket e pastruar, me përjashtim të një brezi leshteriku që ka pushtuar vijën ujore, ata sqarojnë se në ambientet përreth hoteleve dhe moteleve ka shumë mbeturina urbane që nuk hiqen në kohë dhe mund të kthehen në vatra infeksioni. Një tjetër pushues nga Shkupi, që ka ardhur së bashku me familjen, thotë i kënaqur se po shijon pushimet dhe qetësinë e këtij fillimsezoni.

Ndërkaq, rrugët që të nxjerrin në plazh dhe ato mes blloqeve të godinave të akomodimit janë të paasfaltuara dhe krijojnë shqetësim për pushuesit këmbësorë, por dhe ata me makina. Lidhur me këto shqetësime, kryetari i Komunës Golem, Agron Agalliu, tha dje se sezoni turistik sapo ka nisur dhe aktiviteti i 30 punonjësve të ndërmarrjes së shërbimit komunal do të vijë në rritje. Ndërkaq, për sa i përket gjendjes së rrugëve, ai thotë se janë dy arsyet që ndikojnë në mosmarrjen e investimeve.

Studimi urbanistik i të gjithë kësaj zone turistike në zhvillim pret të shqyrtohet dhe miratohet në KRRTRSH, ndërsa investimi që po kryhet për ndërtimin e rrjetit të kanalizimeve të ujërave të zeza, pengon investimet në rrugë. Investime që mund të rrezikohen prej tyre, duke i kthyer në fonde të shkuara dëm. Kryekomunari Agalliu thotë se shtrirja e rrjetit do t’i kishte nxjerrë të padobishme investimet në rrugë.

Janë 5 milionë euro të akorduara nga Banka Gjermane për Zhvillim që po përdoren për zgjidhjen e një prej problemeve më gangrenë të kësaj pjese të zonës bregdetare, ku rrjeti i kanaleve të ujërave të zeza mungon dhe qindra godina shumëkatëshe dhe objekte të tjera funksionojnë me gropa septike, mbetjet e të cilave shpesh përfundojnë në det. Ndërtimi i kanalizimeve kryesore dhe dytësore synon të lidhë çdo pallat e shtëpi me rrjetin, ndërkohë që parashikohet dhe ndërtimi i disa puseve për thithjen dhe shtyrjen e ujërave drejt impiantit të pastrimit të ujërave të zeza në Karpen.


Vlorë, ndotet zona e Ujit të Ftohtë

Ndotet nga inertet bregdeti i Vlorës. Prej dy ditësh, mjetet e tonazhit të rëndë të disa firmave private kanë shkarkuar mbeturina të ngurta në plazhet publike të Vlorës.

Mbrëmjen e së shtunës, në zonën e Ujit të Ftohtë, dhe pikërisht në afërsi të Jonufrës, është formuar një pirg gjigand me mbetje inerte, që janë nxjerrë nga hapja e themeleve të një ndërtese që po ngrihet në afërsi të Ujit të Ftohtë.

Nuk ka mjaftuar vetëm zona e Pyllit të Sodës, që tashmë është kthyer në një varrezë gjigante të mbeturinave të gjithfarëllojshme, por papërgjegjshmëria e firmave po ndot dhe zonën e Ujit të Ftohtë, një nga më të frekuentuarat prej pushuesve. Ndërkohë, në breg uji i detit ka marrë ngjyrë të kuqe nga hapja e gropës mbi të cilën do hidhen themelet e ndërtesës.

Ajo është rrethuar me një gardh, ku shkruhet “Pronë private”. Sipas një banori të zonës, disa makina të tonazhit të rëndë kanë shkarkuar dhera gjatë gjithë natës, jo vetëm në det, por dhe në zonën e fshatit, e cila ndodhet mbi këtë territor.

“Tashmë kjo zonë është pushtuar nga dherat dhe nuk mund të quhet më ‘gjiri i kaltër’, siç njihej për shkak të kaltërsisë së ujit dhe rërës e pastër. Kjo zonë tani është ndotur dhe plazhi është mbushur me mbeturina inerte”, thotë një banor i zonës për “Shqip”. Fenomene të tilla kanë ndodhur dhe vite të shkuara përgjatë bregdetit të Radhimës, ku herë pas here “mbinin” pirgje mbeturinash, ndërkohë që pronarët e lokaleve zgjeronin hapësirat në det, duke krijuar mini-mole.

Megjithëse këta persona të papërgjegjshëm shkatërronin çdo ditë vijën bregdetare, nuk u mor asnjëherë ndonjë masë nga policia bashkiake apo institucionet e tjera shtetërore që mund ta ndalnin shkatërrimin e bregdetit.

Saranda, “sulmohet” nga toka dhe deti

Fundjava ka shtuar ndjeshëm numrin e turistëve të huaj në, ndërkohë që nuk kanë qenë të pakët të ardhurit nga qytete të tjera apo nga shteti fqinj, që e kanë zgjedhur Sarandën për të pushuar.

Mëngjesin e së shtunës, kalatën e portit të qytetit të turizmit e ka prekur sërish trageti “Rena 2”, në bordin e së cilës ishin 150 turistë. Turistët e huaj kanë qenë kryesisht: gjermanë, francezë dhe anglezë.

Ndërkohë, një fluks tjetër hyrjesh në Sarandë e në asetet turistike të saj është regjistruar nga pikat kufitare tokësore. Në 6 ka arritur numri i autobusëve me turistë të ardhur për fundjavë në Sarandë nga qytetet e Igumenicës dhe Janinës. Sezoni veror nga java në javë po u afrohet tureve të plota turistike.

Këtë e kupton edhe nga prania e trajlerëve ose “shtëpive”-automjete, numri i të cilave është shtuar dukshëm për këtë fundjavë, kryesisht me targa gjermane.

Shqip

Ofertë për zonjën Durham

Eshtë stërthënë që ballkanikët e kanë të shkurtër kujtesën; të dobët lidhjen sotdje; të cekët analizën shkakpasojë; të vakët e të mpakët vështrimin mbi historinë e mësim-pësimet e saj; të djerrë, dritëshkurtër (disa herë edhe të përdhosur) respektin për njëri-tjetrin; të ekzagjeruar adhurimin për figurat e ndritura të kombit e sidomos për folklorin; të mangët e të cekët gjykimin mbi udhëheqësit aktualë (të cilët vlerësohen realisht vetëm pasi vdesin, kur përmbysen ose arratisen), si dhe të flashkët atë që quhet kulturë demokratike, respekt për Ligjin e jetesën në komunitet, respekt për votën, për më të dobëtin e më të voglin, kujdes për ekosistemin në natyrë e në moral; zilia dhe mefshtësia tipike ballkanike vazhdon të komandojë gjykimin dhe drejtimin.

Nuk e di sa të vërteta janë gjithë këto.

Ca mangësi na i venë re ndërkombëtarët, ca ia hedhim vetes. Gjithsesi Ballkani mbetet produkt dhe skllav i paragjykimeve të së kaluarës, edhe pse homos balcanicus shpesh ngulmon të duket më amerikan se amerikani, më evropian se evropiani. Kjo natyrisht falë nacionalizmit, gjenit me brumë folklorik e sidomos arsyetimit prej fodulli të rritur keq në një fukarallëk-maskarallëk të tejzgjatur: o Zot, më nxirr mua një sy, mjaft që ai tjetri, fqinji im, të mbetet fare pa sy!...

I zhytur në përsiatjet e zonjës Durham kam ndjerë keqardhje teksa kam rilexuar ditët e fundit, kujtimet dhe shënimet e udhëtimit të saj “Brenga e Ballkanit”, shkruar para më se njëqind vjetësh. Sa pak kemi ndryshuar! Jam i bindur se, nëse në shkollimin e brezit tim, sigurisht nëpërmjet analizës, do të na jepeshin si tekste të historisë e të formimit këto kujtime të dëlira e të çmuara, në vend të ideologjizmave të historisë, të cilat me hir e pahir na nguleshin si gozhdë në kokë, sikur me demek ne shqiptarët paskemi qenë shqiponjat e lira e më krenare të Ballkanit, pse jo edhe të botës, se ne denbabaden kemi pas qenë “shkëmb graniti”, se “edhe në gojë të ujkut hidhnim valle” etj, me siguri që shumë nga mangësitë e mësipërme, nga brengat, paudhësitë, konfliktet, keqkuptimet apo, edhe nga shanset e humbura, do të kishin qenë më të pakta. Por, edhe nëse çlirohet nga këto zezona një popull, nuk e lënë të tjerët. Kështu që rrethi vicioz mbetet i mbyllur.
Sepse, a nuk gjykojnë po kështu edhe grekët për veten e tyre, edhe serbët, edhe rumunët, edhe bullgarët? Ky hendek e ka emrin Ballkan.
***
Ja ku erdhi për vizitë në Shqipëri një president ballkanik, ai i Rumanisë, që të na provonte se sa pak ka ndryshuar Ballkanëria, edhe ndër ato shtete që janë “evropianizuar” para nesh, duke u bërë anëtarë të BE-së. Ky shpirt e kjo mendje e kufizuar në territore e në interesa të ngushta, kjo mendësi ballkanike që vështron deri te hunda, synon pa u tutur të ndezë, sapo krijohet rasti, fitilin e vjetër në fuçitë e ndryshkura me barot, të cilat shumëkush beson se nuk ka më arsye përse të shpërthejnë në këto “kohë integrim-demokratizimesh”..

Mjaftoi vizita e zotit Trajan Basesku në Tiranë që të na thoshte se Shqipëria duhet të njohë urgjentisht si minoritet vllehët, arumunët, paçka se Rumania nuk ka për të njohur pavarësinë e Kosovës, që ne të kuptojmë se Ballkani është po ai Ballkan që ka pas qenë dy shekuj më parë. Nuk ia vlen të hyjmë në analizë e në debat nëse janë apo nuk janë pakicë kulturore vllehët, por politikisht mund të thuhet se presidenti rumun hyri në një absurd tipik e arkaik ballkanik, sa megaloman aq edhe sherrndezës, kur në mes të Tiranës mohoi pavarësinë e një shteti të njohur si të pavarur, dhe sakaq kërkoi njohjen e një minoriteti që realisht nuk ekziston si i tillë! Minimalisht, nëse Shqipëria do të ishte në pozita normale, sadopak të barabarta me Rumaninë, pra nëse edhe ne do të ishim anëtarë të BE-së, nëse do të kishim fituar legalizimin e vizave, nëse do të kishim një klasë politike kombëtare e nëse nuk do të qemë vetëleqendisur deri në këtë farë feje, ky president që vjen e hedh në Shqipëri sherret që ka në shtëpinë e vet e me fqinjët, nuk do të guxonte të bënte atë skandal. Në fund të fundit ky politikan rumun bëri atë që kanë bërë me ne grekët, jo vetëm me ujërat e detit e me varrezat, por edhe me homogjenizimin e shqiptarëve, madje edhe atë që po bëjnë maqedonasit me shqiptarët, atë që bëjnë së fundi edhe serbët me pasaportat e liberalizuara.
Hungarezët, p sh kanë nxjerrë një ligj që lejon të marrin pasaporta të gjithë hungarezët që jetojnë jashtë kufijve, e të tillë ka shumë në Rumani, në Serbi, në Vojvodinë, etj. Pra, nëse tani kufijtë shtetërorë nuk mund të ndryshohen as me luftë e as me diplomaci, del se kufijtë e popujve mund të lëvizin demografikisht me ndihmën e pasaportave, vizave, pensioneve speciale, bursave, “projekteve”, homogjenizimit, nacionalizmit, ndërtimit të varrezave, kishave, xhamive, me gjuhën e priftërinjve e hoxhallarëve, me sponsorizime, dmth me tjetërsim të popullatave më të varfra që janë në nevojë, si jemi aktualisht ne, shqiptarët...
E gjithë kjo histori të kujton fabulën e vjetër të lepurit me breshkën: i ndjekur nga ujku lepuri u fsheh në një ferrë ku rrinte breshka dhe kjo, meqë lepuri nuk lëvizte dot, ia hipi dhe lepuri u detyrua të belbëzojë: “bëj qejf, o breshkë, bëj qejf, se të erdhi dita”!

Tani duhet të presim që të vijë edhe presidenti bullgar në Tiranë të na thotë se Bullgaria shtrihet deri në Vlorë, meqë aty ka një fshat që quhet Novoselë; që Bosnja të kërkojë të njëjtën gjë meqë diku nga Shijaku ka ca boshnjakë; që Egjipti të kërkojë njohjen e magjypëve dhe evgjitëve; të hidhet edhe Maqedonia e Mali i Zi, nj’ashtu si Serbia për Kosovën, e Greqia për Himarën etj.

Po, si e kur mund të demokratizohet dhe evropianizohet Ballkani dhe ballkanikët me këtë mendësi?
“Ky ishte një shembull tjetër i halleve të Ballkanit : ata ishin më tepër të zënë me grindje kundër njëri-tjetrit, se sa me punën për arritjen e qëllimit të përbashkët”. Zonja Durham, e njëjta gjë ndodh edhe sot!
***
Paritë politike në Ballkan tradicionalisht nuk kanë ditur nga kanë ardhur, pse kanë ardhur në pushtet, e rrjedhimisht edhe ç’mision e ç’përgjegjësi kanë para historisë, e sidomos para popullit të vet...
Sepse fuqia e tyre ka qenë më së shumti e mbështetur mbi mercenarizmin dhe flirtet me të huajt, pse jo edhe me pushtuesit...

Ndaj flamurit të tyre të nacionalizmit i ka dalë shpejt ngjyra, sepse ata, në shumicën e rasteve, kanë punuar kundër njëri-tjetrit, vetëm për vete, për lavdi e sundim vetjak. E ndoshta më lapërdharët në këtë drejtim kanë pas qenë e ndoshta janë krerët tanë.
Për këtë arsye këta kujtojnë se historia, e pse jo, edhe fati i Shqipërisë, fillon e mbaron me fatin e tyre.
Ndikimi i qeverive dhe qeveritarëve, i politikanëve dhe oborrtarëve, i parisë dhe elitës, i pushtuesve dhe sundimtarëve, në mos ka qenë i mangët për popullin, - këtë mund ta kuptosh pasi lexon zonjën Durham,- e pse jo, jo rrallë, ka pas qenë edhe i dëmshëm.
“Sikur qeveria të kish harxhuar për të inkurajuar gjysmën e energjisë që kish harxhuar për ta shtypur atë, unë me gjithë mend do të besoja se Turqia (kupto: qeveria e kohës) do të ish një nga shtetet më të informuara të Evropës. (Prandaj)...e vetmja gjë që mund të zhvillohet lirisht është ligësia”.

Zonja Durham na ka lënë një pasqyrë historike e faktike që shërben jo vetëm të kuptojmë ish-in tonë, por edhe t’i vështrojmë evropianët në raport me ne ballkanikët.
Kjo do të thotë se shënimet e saj vlejnë sot e kësaj dite si një pasqyrë unikale që nuk të tradhton dot, sepse kjo pasqyrë e markës britanike nuk synon të tregojë fytyrën e ballkanikut e të shqiptarit në veçanti, ndryshe nga ç’ka qenë e nga ç’dëshiron të duket para botës. Defektet e fytyrës së sotme të Ballkanit e të homos balcanicus, parë në këtë pasqyrë, mund të verifikohen edhe sot, se sa pak kanë ndryshuar përgjatë një shekulli nëpër luftëra, keqkuptime, grindje, sherre e mosmarrëveshje të ndërsjella. “Medet për idetë e Perëndimit të cilat janë mbjellë jashtë kohe në tokën e Lindjes! Ndoshta armiqtë më të mëdhenj të popujve të Ballkanit janë ata mirëdashës që i nxisin të shpejtojnë…(O Zot, sa aktuale, sa dramatike e domethënëse është kjo!

Mos vallë edhe Krokodilin e Strasburgut, edhe EULEX-in në Kosovë, ne shqiptarët e sotëm i kemi marrë zët për këtë arsye?
“Brenda javës së kthimit tim në Ohër u bë e mundur që të gjitha partitë, me përjashtim të bullgarëve, të bëheshin merak se mos ndihma humanitare e Britanisë do të mbështeste kërkesat bullgare. Grekët dhe serbët më thanë se sa më shpejt t’i dorëzoheshin sundimit bullgar, aq më shpejt do të vendosnin të mbeteshin me Turqinë. Grekët, po të mos arrinin që vendin ta siguronin për vete të tyre, do të preferonin që ai (Ohri dhe pjesa e sotme e Maqedonisë ,- shënimi im) t’i mbetej Serbisë dhe serbët po atë mendim kishin për grekët...”

E njëjta situatë është edhe sot pas më se 100 vjetësh në këtë rajon, ku ata ndërkombëtarë që tentojnë të mbjellin idetë e Perëndimit “jashtë kohe”, duke synuar e projektuar sa më shpejt demokratizimin dhe integrimin - si thuhet sot, - pas do kohe shihen si armiqtë më të mëdhenj!

Krushqia e vjetër Serbi-Greqi, grindjet Greqi-Maqedoni, Maqedoni-Bullgari, Kosovë-Serbi, Serbi-SHBA e BE-Bosnjë-Serbi, Mal i Zi-Serbi...nuk janë shuar e as fashitur me ndërhyrje diplomatike, e në kriza etnike edhe me ndërhyrje ushtarake, madje as me investime, ndihma humanitare e premtime për anëtarësim të shpejtë në BE dhe në NATO.
“Vështirësia, ndoshta edhe pamundësia e kësaj detyre, është shkaku pse deri tani të gjitha ndërhyrjet e Fuqive të Mëdha të Perëndimit, me gjithë qëllimin e mirë, kur kanë liruar një nyje të ngatërruar të lëmshit të politikës së Ballkanit, përgjithësisht (ndërhyrja) ka dalë me sukses (atëherë) kur ka shtrënguar të gjitha të tjerat. Pasi ke menduar se ia ke gjetur fillin lëmshit, sheh se gjendja ka ndryshuar prapë. Nuk mund të shohësh me sytë e Lindjes, por as mund të shohësh me të Perëndimit...”

Citimi i mësipërm besoj se nuk ka nevojë për koment. Mund të sillen shembuj të pafund për ilustrim jo vetëm nga Shqipëria, Maqedonia, Kosova, Bosnja e Serbia, por edhe nga Bullgaria e Greqia të cilat janë anëtare të BE-së. Kriza greke dhe sherri për emrin e Maqedonisë, janë ndoshta nga më të spikaturit. Ballkani nga një fuçi baroti, sot është një kazan ku ziejnë të gjitha reliktet e shekujve të kaluar, e ku ka më shumë varreza makinash e njerëzish të vrarë nëpër rrugë.

“Na ishte një burrë në qytet, një refugjat nga anët e Dibrës. Kur ishte esëll fliste serbisht, i dehur fliste shqip...Ai ishte patriot bullgar. Ai më tregoi me mburrje se ishte njeriu që kishte hedhur helm në bukë e kishte helmuar pesëmbëdhjetë ushtarë turq. I thashë që të më largohej nga sytë se njerëz të tillë unë nuk mund t’i ndihmoja...”
Ballkani është një lesharap i kolokrepsur ku të gjitha racat: turqit, romakët, arabët, sllavët, shqiptarët, grekët, vllehët, jevgjit, magjypët, hungarezët, kanë nakatosur gjakun duke krijuar një hibrid që më shumë se në fe e në komb, në parime e në ligj, mesa duket, beson në aktin e mbijetesës me çdo çmim.

“Unë jam tetëdhjetë vjeç. Gjatë gjithë jetës sime njerëzit më kanë thënë se gjendja do të përmirësohet, por nuk ka dalë kështu. Tani po flasin për reforma. Për këto kam dëgjuar të flitet shpesh, por si duket do të vdes pa arritur gjë...-E pyeta për emrin. -Për turqit jam Sulejman, por i pagëzuar jam Kostandin. -Pastaj Kostandin Sulejmani ngriti kockën e shpatullës së pulës për të parë ngjarjet e së nesërmes. E ngriti drejt dritës së diellit për ta parë me hollësi... ‘Një prej nesh që jemi këtu do të vritet këtyre dy javëve’. Por nuk tha kush...”

Mos plaku i mençur e kishte fjalën për të ardhmen dhe zonja Durham nuk e ka kuptuar, nj’ashtu si shumë ngjarje e bëma të Ballkanit të sotëm, evropianët as nuk i shpjegojnë e as nuk i kuptojnë dot?!

G, Shqiptare, Kiço Blushi