Saturday, June 19, 2010

Ka ardhur koha e Qytetarit?

Pas diktaturës 48-vjeçare, Shqipëria nuk ka pasur asnjëherë një qeveri demokratike.

Që prej vitit 1992, jeta në Shqipëri drejtohet nga njerëz të paaftë, delirantë, të korruptuar që me cilësitë e tyre i kanë bërë gropën të ardhmes së këtij populli, që ka mbijetuar deri sot me sakrifica të mëdha.


Kur shikoj këtë realitet shqiptar pyes veten; jemi komb pa dinjitet, që na shijon më shumë vuajtja dhe ligësia? Apo jemi thjesht frikacakë llafazanë, që mbushim kafenetë ku kritikojmë tërë ditën, pa pasur guximin t'i themi hajdutit në fytyrë se je hajdut?

Vjen kjo nga e keqja e gjatë që kemi përjetuar, që na ka zhbërë çdo cilësi të mirë njerëzore? Kaq e dhimbsur qenka kjo jetë pa dinjitet që bëjmë për një copë bukë, ku shikojmë se si na poshtërojnë çdo ditë, pa pasur të drejtë për të kërkuar të drejtën tonë as në gjykatat e Shqipërisë, na punësojnë vetëm nëse i përkasim partisë ose shefave, na vjedhin pronën, na vrasin fëmijët me moralin e paskrupullt që po kultivohet?

Para dhe Karrierë. Imoralitet dhe korrupsion. Ky është motivi Shqiptar në këto vite të qeverisjes post komuniste saliniane dhe fatosiane.

Klasa që ka fituar sot në Shqipëri është ajo që mbolli korrupsionin i këtyre viteve, janë fidanët e Saliut dhe Fatosit që tani do mbrojnë çka kanë vjedhur me dhunë. Ky produkt, anonim si bari i keq, që vuri paranë me dhunë dhe kriminalitet, me arrogancë dhe brutalitet, vodhi prona dhe bleu diploma, ka marrë drejtimin e jetës dhe ekonomisë.

Vepra e tyre është të na mohojnë emrin, pronën, aftësitë, moralin. Qëllimi i tyre të na marrin frymën e lirisë dhe demokracisë, të krenarisë dhe dinjitetit.

Ky qëllim do realizohet ndaj të gjithë atyre që nuk i përshtaten skemës së bindjes e skllavërisë. Të bindurit që sot u shërbejnë qeveritarëve, që vjelin taksat e korrupsionit dhe për të paguar qeveritarët, do shpërblehen me dënim kur nuk do jenë më të vlefshëm. Por qeveritarët kanë bërë gabime, ata harruan se ç'të mbjellësh do korrësh.

Këtë e tregon dhe revolta e banorëve të Vlorës ndaj prishjes së ndërtimeve informale. Njerëz që u lanë të lirë të dhunojnë dhe të vjedhin pronën e tjetrit dhe të ndërtojnë me paratë e kontrabandës njerëzore, ngrihen tani me dhunë kundra këtij shteti që jua dha këto mundësi.

Sepse fatkeqësisht, këta njerëz nuk e kanë kuptuar që ata deri tani u lanë të lirë të ushtrojnë kriminalitetin si vegla të arritjes së qëllimeve të kësaj qeverie, që për 18 vjet me radhë me ndihmën e tyre shkatërroi pronarin e mirëfilltë, që e vuri pronën me mund e gjak për shumë breza, dhe jo si disa sot për shumë ditë. Tani këta njerëz nuk i duhen më, tani e kanë radhën ata. Fatkeqësisht, këto politika antinjerëzore nuk i sheh dot çdo njeri.

Nënave të Vlorës nuk u janë tharë akoma lotët e 1997 e të kanalit të Otrantos. Trupat e fëmijëve të tyre janë akoma në det, por ato në vend të ngrihen të gjejnë autorin e kësaj tragjedie njerëzore, që kjo të mos përsëritet përsëri, kërkojnë të mbrojnë shtëpitë informale të ngritura mbi jetën e tjetërkujt. Kjo kërkesë e tyre është e gabuar. Fjalët e mia janë të rënda, por të vërteta.

Rruga e këtyre njerëzve që përplasen sot me ligjin, është e gabuar. Ne duhet të dalim në rrugë të gëzojmë kur në Shqipëri zbatohet ligji, edhe pse në rastin e Vlorës kjo bëhet vetëm se u ka ardhur ora realizimit të planeve të pushtetarëve.

Në qoftë se ky shtet do zbatonte ligjin që në fillim kur e shkroi atë, sot nuk do kish prishje të shtëpive informale, s`do kish tragjedi gomonesh, droge, prostitucioni, vrasjesh, Gërdeci, Otranto, firma piramidale, 1997, e sa e sa shumë të tjera.
Por, ne nuk kemi qeveri, ne kemi vetëm qeveritarë që abuzojnë me jetët tona, duke keqpërdorur besimin tonë.

Pyetja është deri kur do lejojmë të na vënë brirë? Deri kur do vazhdojmë të sakrifikojmë jetët tona për të mirën e qeverisë?

Analiza e karakterit të shqiptarit është tronditëse. Ne jemi gati të luftojmë pushtuesit shumë më të mëdhenj në numër, të hipim në anije dhe të vdesim në fund të detit, jemi gati të vrasim vëllanë e shokun, të shesim vajzat e fëmijët, të braktisim atdheun e të dergjemi burgjeve për kriminalitet, por s´kemi kurajë as ta kundërshtojmë Saliun që e kemi zgjedhur vetë.

Nuk ia bëj këtë pyetje atij fukarait që s´ka bukë të hajë, por atyre qytetarëve, që rrinë kafeneve dhe diskutojnë plot zjarr në se është më e mirë PS apo PD, Edi apo Saliu, kur para u shtrohet pyetja Diktaturë apo Demokraci, korrupsion apo moral shoqëror. I drejtohem qytetarit, që duke dyshuar gjithmonë tek e mira i bëhet mbështetje së keqes.

Shoqëria është një familje e madhe ku njerëzit jetojnë me njëri-tjetrin duke respektuar rregullat, normat dhe ligjet që ajo ka vënë vetë. Mosrespektimi i tyre të çon në anarki dhe kjo është faza qe të çon në luftë civile.

Në çdo shoqëri ka njerëz të ligj dhe të mirë. Është detyra e këtyre të fundit që të angazhohen në këtë proces. Njerëzit e një shoqërie që konstatojnë të keqen dhe nuk bëjnë asgjë kundra saj, tregojnë se nuk kanë mirësi të mjaftueshme.

Pohimi i këtyre të vërtetave është i hidhur dhe të dekurajon, por unë kam shpresë se qytetari shqiptar që e ka në gen të transmetuar mirësinë do gjejë forcë dhe kurajë t'i thotë ndal edhe njëherë kësaj murtaje të madhe të korrupsionit që na kanë imponuar qeveritë.

Korrupsioni, për të cilin unë flas, janë qeveritë e këtyre 18 viteve në Shqipëri që me paaftësinë, keqpërdorimin e besimit të votës sonë kanë shkaktuar që Shqipëria në vitin 2010, të jetë vendi më i varfër i Europës, (megjithëse në bazë të burimeve natyrore që ka, çdo shqiptar lind i pasur), me shkallën më të lartë të korrupsionit 92%, me emigracion 30%, trafikimi i qenieve njerëzore, drogës, vrasjeve, vetëvrasjeve.

Në shoqërinë tonë, ku sot fiton imorali s'ka ç'të duhet morali, ku fiton paaftësia s´ka ç'të duhet aftësia. Është kjo ëndrra e qytetarit shqiptar?? E imja, jo. Dhe jam e bindur që si unë jam shumë. Ne kemi vetëm një problem, nuk kemi thënë mendimin dhe nuk kemi kërkuar të drejtën tonë. Ka ardhur koha për ta bërë këtë.

Me dhimbjen që jetojmë çdo ditë, në vend që të tkurremi në guaskën e frikacakut, llafazanit, indiferentit, të kërkojmë realizimin e qëllimit tonë për një shoqëri demokratike dhe të drejta njerëzore. Në anën tjetër përballë dobësisë sonë, ngrihet arroganca e hajdutit, imoralit, të paaftit që një ditë do na marrin edhe "qetësinë e kafesë" që kemi aq qejf.

Një klasë injorante, imorale, abuzive sado të zhvillohet do të zhduket një ditë. Këtë e ka treguar historia njerëzore kudo ku mbiu kjo farë e keqe, qoftë dhe në mbretëritë dhe diktaturat më të mëdha të kohës. Domethënia është që njeriu synon gjithmonë të shfrytëzojë njeriun, por gjithmonë ka pasur përkohësisht sukses. Dhe suksesit të kësaj kategorie i ka ardhur fundi.


Mimoza Boçari,G. Shekulli

Prishtinë, protestë kundër ndalimit të ferexhesë në shkolla

Disa mijëra qytetarë kanë protestuar në Prishtinë, përpara Qeverisë së Kosovës, në kundërshtim me udhëzimin administrativ të Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, me të cilin ndalohet bartja e uniformave fetare në institucionet e shkollimit.

Protestën e sotme e kanë organizuar disa organizata joqeveritare, të cilat këtë udhëzim administrativ e kanë cilësuar si shkelje të të drejtave të njeriut.


Protestuesit, kanë parakaluar nëpër rrugën kryesore, duke brohoritur dhe mbajtur dhjetëra pankarta në duar, qe apelojne pro mbajtjes se shamise dhe kunder diskriminimit.


Protestuesit më vonë kane ndaluar para ndërtesës së Ministrisë së Arsimit të Kosovës.

Shekulli

Mashkulli ideal? Njihet nga zëri

Eksperimenti është kryer nga shkencëtarët e Universitetit të Kalifornisë. Një grup meshkujsh kanë përsëritur të njëjtën frazë. Tonet e ulëta dhe të thella janë konsideruar sinonim i burrërisë. Madje, edhe femrave u mjaftojnë dy fjalë për ta vërtetuar këtë.

Jane e kishte kuptuar menjëherë, sapo kish dëgjuar ulërimën e Tarzanit, se mund të mbështetej te një burrë me një zë të tillë. Nuk ka rëndësi trupi, gjatësia, pesha, muskujt, është zëri që tregon forcën e një mashkulli, agresivitetin e tij, por edhe fuqinë seksuale. Ky është përfundimi i një studimi shkencor, i publikuar në revistën “The Proceedings of the Royal Society”.

Shkencëtarët e Universitetit të Kalifornisë kanë bërë një studim për të analizuar sekretet e zërit mashkullor dhe kanë zbuluar se femrat kanë një aftësi të jashtëzakonshme për të kuptuar këtë cilësi që zotërojnë meshkujt, vetëm duke i dëgjuar të flasin (pavarësisht gjërave që thonë). Vetëm duke analizuar zërat mashkullorë të regjistruar, edhe pse flasin gjuhë të huaja, zonjat kanë përzgjedhur meshkujt më të fortë, pavarësisht pamjes fizike.

Më thuaj si flet, të të them kush je: burrëria nuk personifikohet nga një tip i heshtur, i cili tregon muskujt, por përkundrazi, duke e dëgjuar të flasë, pavarësisht pamjes së shëmtuar që ka dhe zërit të trashë.

“Në fakt është zëri i meshkujve ai që i drejton gratë”, shpjegon revista “Times”, e cila i ka kushtuar një faqe të veçantë studimit. Zakonisht ne jemi mësuar t’i personifikojmë meshkujt bukuroshë me aktorët Cary Grant, George Clooney, Richard Burton, Russell Crowe. Është zëri i trashë dhe i plotë, ai që prek kordat misterioze dhe afron qeniet njerëzore, duke treguar ndryshimet dhe duke kontribuar në garantimin e komunikimit të specieve.

Eksperimenti ka nisur duke regjistruar zërat e meshkujve të ndryshëm (nga përfaqësuesit e një fisi të rëndësishëm bolivian, tek pastorët e Andeve, nxënësit e një kolegji në Rumani dhe Shtetet e Bashkuara), të cilët përsërisnin të gjithë të njëjtën frazë me një ton normal. Forca fizike u mat në bazë të shtrëngimit të dorës, gjerësisë së gjoksit dhe bicepsëve, si dhe në bazë të ndeshjeve fizike që kishin pasur katër vitet e fundit. Çdo subjekt u gjykua në bazë të një shkalle me shtatë nivele.
“Fuqia e zërit është shumë e rëndësishme te një mashkull. Një karakteristikë e tillë e bën atë më të pëlqyer për femrat”, thotë Trevor Cox, profesor i inxhinierisë akustike në Universitetin e Selfordit, Mançester. Gjithashtu ai pohon se një bashkëbisedim mund të bëhet intim kur toni është i ulët, i qetë, duke u përpjekur të krijojë bashkëpunim. Teknika është përdorur nga joshësit e mëdhenj të ekranit: mjafton të shohësh aktorin Cary Grant në versionin origjinal të “Notorious”, se si i përshtatet bukurisë së Ingrid Bergman.

Që në lashtësi zërat mashkullorë kanë qenë më të fuqishëm se ato femërorë.
Burrat primitivë luftonin për të siguruar bukën dhe për të mbrojtur tokën: duhet t’i ngjallnin armikut respekt dhe frikë, jo vetëm duke përdorur forcën fizike. Në vitin 2007, një grup studiuesish amerikanë të Universitetit të Harvardit, së bashku me disa kolegë të Universitetit Mekmaster dhe Floridës, duke studiuar fisin Hazda, në Tanzani, zbuluan që femrat tërhiqeshin më shumë nga meshkujt që flisnin me zë të ulët, madje një timbër i ulët dhe i ëmbël konsiderohej sinonim i burrërisë. Ky lloj zëri tregon në fakt se ka sasi të lartë testosteroni, gjithashtu mund të jetë tregues i aftësive të mëdha në gjueti dhe në mbrojtjen e të vegjëlve. Megjithatë sipas shkencëtarëve, zëri është një element i rëndësishëm për të hedhur dritë mbi evoluimin e njerëzimit.

Femrat e magjepsura pas meshkujve të heshtur, duhet medoemos të dëgjojnë të paktën dy fjalë prej tyre, për të dalluar tonin e zërit që kanë. Nëse zëri u bën përshtypje dhe lë shenjë tek to, atëherë ky është një fillim i mbarë. Këtë studiuesit thonë se e kanë mësuar nga mbretëritë e kafshëve. Për shembull në tributë e majmunëve, ulërimat më të forta u nevojiten femrave për të kuptuar se cili është mashkulli dominues, pra më i forti. Shoku ideal me të cilin të krijojnë një familje.


Shqip, Ndryshe

Misteri i Xhon Titor, ushtarit të ardhur nga viti 2036!

Xhon Titor, në një mision për llogari të qeverisë amerikane, kthehet mbrapa në kohë për të rregulluar një kompjuter të vjetër. Në vitin 2000 u bë i gjallë në një forum interneti dhe ka treguar se si do të jetë e ardhmja jonë.
Hero apo biznesmen? Kushedi…


“Përshendetje. Unë jam një udhëtues në kohë. Vij nga viti 2036. Po kthehem në shtëpi pasi rregullova një kompjuter Ibm 5100 nga viti 1975”. Nënshkruar: Timetravel_0 (Udhëtim në kohë_0). Ky mesazh lakonik është shfaqur në 2 nëntor 2000, në forumin e sitit www.timetravelinstitute.com. Dhe askush nuk e besoi.

Por pastaj, udhetari, duke u prezantuar me emrin e vertete, Xhon Titor, ka dhene te tjera detaje mbi historine e tij, duke stimuluar kuriozitetin e internauteve. Qe e kane vene ne rreth me pyetje provokuese, pastaj me te tjera gjithnje e me kurioze mbi te ardhmen qe na pret. Por pergjigjet e tij– dinake ne lidhje me fituesit e rradhes se kampionateve te futbollit, por te detajuara mbi skenaret politike planetare– kane bindur shume njerez mbi arsyeshmerine e historise se tij. Qe diskutohet ende dhe sot. Po kush ishte (ose thoshte se ishte) Titori? I lindur ne Tampa (Florida, SHBA) ne vitin 1998, eshte nje ushtar qe ne vitin 2036 (ne moshe 38 vjecare, pra) do te dergohet nga qeveria amerikane mbrapa ne kohe, ne vitin 1975. Objektivi: Te merrte nje model funksionues te nje kompjuteri te vjeter te zhdukur prej dekadash (Ibm 5100), i cili kishte nje te vecante unike dhe sekrete: mund te perkthente njeheresh gjuhet informatike te kompjutereve me sistem Unix, Apl dhe Basic. Nje kerkese themelore, meqenese ne vitin 2038 eshte parashikuar nje difekt i kompjuterave te bazuar mbi sistemin operativ Unix (eshte e vertete: nese nuk nderhyhet, ata do te llogarisin si date vitin 1901).

Perse atehere Titor eshte shfaqur edhe ne vitin 2000? Perse, pasi arriti te gjeje kompjuterin, ne vend qe te rikthehej ne vitin 2036, beri nje ndalese te shkurter ne epoken tone?

Nje vizite vetvetes

Mbi te gjitha, per te qene i pranishem ne “Millenium Bug” (difektin e mijevjecarit) ne vitin 2000 (e mbani mend), nga i cili priteshin katastrofa te medha. Madje, ka dhe nga ata qe hipotezojne se ishte pikerisht Titori ai qe arriti ta ndalonte kete katastrofe informatike ne kalimin e datave nga i pari tek mijevjecari i dyte. Per te marre pjese ne kete ngjarje epokale, Titor vendosi te shkonte ne Florida, ku jetonin prinderit e tij dhe… ai ishte ne moshen 2 vjecare.

Fantashkenca ne fakt, thote se nuk eshte kurre nje ide e mire te kesh kontakte direkte me vetveten ose familjaret ne te kaluaren, sepse mund te sjelle pasoja te paimagjinueshme ne te ardhmen: perse atehere, Titor ndermori kete rrezik? Titor mundi te shmange te gjithe problemet qe lidheshin me paradokset e udhetimit ne kohe fale bazave te parashikuara nga teoria e universeve paralele. Besueshmeria e tij shkencore eshte ende objekt debati, por ne themel te kesaj teorie ekzistojne universe te pafund, ne te cilet ndodhin njekohesisht te gjitha gjerat e mundshme.

Universet paralele

Sipas Titorit, duke udhetuar mbrapa ne kohe, nuk pershkohet e kunderta e rruges kohore si te ishte nje binar treni, por kalon ne menyre te pashmangshme ne nje tjeter, (keshtu, ne nje tjeter univers), qe eshte me i ngjashem me te parin dhe pse madhesia e udhetimit eshte me e reduktuar. Makina e kohes humbet pak nga pak me zgjatjen e udhetimit.

Ne themel te nje logjike te tille, Titor duhet te kete ardhur ne nje “linje te universit” (sipas Ajnashtajnit, bashkesia e ngjarjeve (gjerave) qe i perkasin cdo qenieje qe jeton ne kohe dhe hapesire), te cilit nuk i perket, ku teorikisht mund te beje cfare te doje, madje edhe te vrase veten tjeter, pa pasur pasoje ne te ardhmen. Ky shpjegim eshte ne favor te udhetarit te supozuar: E ardhmja jone mund te evoluoje ndryshe nga e tija, meqenese gjendemi ne nje linje tjeter universi. Dhe Titori nuk mund te sulmohet kollaj ne rast se parashikimet e tij nuk dalin…

2015: Lufta atomike

Por, le t’i rikthehemi historise se tij. Perpara se te shkonte ne vitin 2000, jeta e Titorit nuk kish qene e lehte: Lufta e trete boterore, qe shpertheu ne 12 mars 2015, vrau 3 miliarde njerez dhe kishte shuar shume qytete.

Tregimet e Titorit mbi te ardhmen qe na pret, jane katastrofike. Shperthimet atomike do te erresojne Diellin ne nje lloj “ferri nuklear”; uji do te ndotet dhe te mbijetuarit do te transferohen ne fshatra. Shoqeria e konsumit do te fshihet: Per te mbijetuar, pasardhesit tane duhet te bashkepunojne. Nje pjese e mire e ushqimit do te prodhohet nga cdo korrje ne tokat e pa ndotura nga radiaktiviteti. Jetegjatesia e njerezve do te zbrese ne 60 vjec: asistenca sanitare do te jete nga Far Eest, mjeket do te shqetesohen mbi te gjitha te kurojne plage dhe fraktura dhe te lindin femije; kush do te semuret rende do te zhduket.

Trena dhe bicikleta

Megjithate, ne kete panorame te shkretuar, progresi teknologjik nuk do te ndalet: edhe pse kompanite e medha informatike do te zhduken, Interneti do te ekzistoje dhe do te behet i vetmi mjet komunikimi: nuk do te kete me kinema dhe televizioni nuk do te transmetohet me nepermjet eterit. Transportet lokale, ne fund, do te bazohen mbi kuajt dhe bicikletat, por do te ekzistojne prape rruge dhe automobile dhe nje sistem trenash super te shpejte do te lidhe qytetet e medha. Por, cfare do ta ndeze luften e trete boterore? Nga nje lufte civile qe do te plase ne SHBA mes viteve 2004 dhe 2005… dhe ketu nis pjesa e profecise se Titorit, qe nuk i permbahet provave dhe fakteve.

Origjina e halleve

Sipas atyre qe ka thene Titor, ne SHBA do te shtohet kontrolli shteteror ne drejtim te te drejtave civile te banoreve. Per t’i shpetuar kesaj zgjedhe policeske, shume amerikane do te transferohen ne fshatra, duke formuar nje milici civile spontane qe do t’i kundervihet qeverise duke shkaktuar nje konflikt me qytetet. Sipas Titorit, viti 2008 do te jete viti kur qyteterimi keshtu sic e njohim ne sot, do te pushoje se ekzistuari.

Ne mars te vitit 2015 Federata Ruse, duke perfituar nga rremuja e pergjithshme, do te nise nje sulm nuklear ne metropolet kryesore amerikane. SHBA do te reagoje, pa meshiruar Evropen, per te cilen Titor nuk jep detaje, ndersa limitohet ta pershkruaje situaten si nje “katastrofe”. Nderkohe, Kina do te pushtoje Taivanin, Korene dhe Japonine: do te ndalet vec nga Australia. Per fat, lufta civile e parashikuar nga Titor nuk u realizua. Dy vjet nga nisja e rremujes se hipotezuar, Amerika nuk shfaqet aspak drejt nje konflikti te brendshem, edhe pse shume e cilesojne “Aktin Patriotik” (Patriot Act) te vitit 2003, ligji qe redukton te drejtat civile te amerikaneve per t’i bere balle terrorizmit, si fillimin e tendences se sinjalizuar nga Titor.

Pertej skeptikeve, ndonje parashikim Titor e ka goditur. Per shembull parashikoi luften ne Irak dhe mos gjetjen e armeve te shkaterrimit ne mase. Ka thene gjithashtu se brenda vitit 2002 Cern do te hidhte bazat per udhetimet ne kohe: Ne fakt, ne fund te vitit 2001, laboratori i famshem nderkombetar i fizikes ka komunikuar se ne te ardhmen mund te krijohen “vrima te zeza” ne permasa mikroskopike: nje prej kushteve te nevojshme per te bere te funksionoje nje makine te hipotetizuar kohe.

Por ka edhe me shume: Titor jep alarmin edhe per lopen e cmendur qe ne te ardhmen do te marre mijera jete njerezish; le te kuptohet se presidenti i ardhshem i SHBA do te jete nje grua, ndersa zbulon se ne epoken e tij ne do te konsiderohemi “nje tufe delesh injorante, dembele dhe egocentrike”.

Kthimi ne te ardhmen

Xhon Titor u kthye ne vitin 2036, ne 24 marsin e vitit 2001. Pa lene asnje gjurme: Askush deri me sot nuk ka rremuar mbi “Xhon Titorin” banues ne Florida dhe qe sot duhet te jete 8 vjec. Dhe debati mbi arsyeshmerine e kesaj historie eshte ne vazhdim.

C’të themi?
Fotot e makines se tij te kohes nuk jane shume te qarta per t’u studiuar. Ilustrimet teknike te makines (dhe bazat shkencore) jane dhene ne menyre te vagullt, edhe duke iu referuar teorive te konsoliduara mbi vrimat e zeza. Qe mund te profetizojne gjithcka (ose te kunderten e gjithckaje) mbi te ardhmet e mundshme.
http://www.youtube.com/watch?v=S3MwJleG2Dg

Për më tepër http://www.abovetopsecret.com/forum/thread61544/pg1

http://johntitor.strategicbrains.com/TimeMachine.cfm

http://www.youtube.com/watch?v=OcPIxsyqeKM&feature=player_embedded

Friday, June 18, 2010

Historia e Shkodrës dje dhe sot

Është qyteti që prej shekujsh njihet si djepi i kulturës dhe civilizimit të lartë brenda trojeve etnike shqiptare.

Historia e saj është e mbushur me ngritje dhe ulje ndër shekuj. Ajo gjithnjë ka qenë në qendër të vëmendjes gjatë gjithë historisë kombëtare shqiptare. Shkodranët kanë qenë ndër shekuj nderi dhe lavdia, të parë në të gjitha këndvështrimet, duke zënë në këtë mënyrë një vend nderi në histori.


Do të mundohem që të cek nga pak majat e krenarisë së qytetit dhe të vetë banorëve të saj ndër shekuj, duke u bazuar në shumë burime historike, që janë dëshmi e mbijetesës së lavdishme të zonës dhe qytetit dhe të vetë banorëve vendas kulturëdashës.

Shkodra, ky qytet i lashtë 2500-vjeçar, është një nga qendrat më të shquara qytetare të Shqipërisë e të Ballkanit, i njohur si kryeqendër tradicionale e kulturës shqiptare.

Duke ndier në këmbët e saj përplasjen e dallgëve të liqenit të Shkodrës dhe në gjoks gurgullimën e lumenjve të Bunës, Drinit e Kirit, me një dorë të mbështetur në bedenat e kështjellës legjendare të Rozafës dhe tjetrën në Alpet shqiptare, Shkodra të ofron bukuri të virgjëra natyrore që rrallë i has në një vend tjetër të globit.

Në rrjedhë të shekujve, veç etjes së saj për liri e pavarësi, ka afirmuar vlera të patjetërsueshme në rrafshin e kulturës e të artit, tradita të cilat kanë ardhur me bukurinë e tyre deri në ditët tona.

Gjurmët më të hershme të veprimtarisë njerëzore të zbuluara në pellgun e Shkodrës i përkasin periudhës së paleolitit të mesëm, por duke filluar nga periudha e bronzit, ato kanë një prezencë intensive e të pandërprerë.

Ky territor ka qenë i banuar nga fisi ilir i Labeatëve, lundërtarë e tregtarë të zotë. Ishin shkëmbimet tregtare me zonat e tjera, që u bënë shkak për themelimin e qytetit të Shkodrës si një treg e vendbanim ilir. Kështu, që në shekullin e IV p.K. e fillon jetën ky qytet ilir, i cili njihej në histori me emrin Scodra, Scobre, Skodrai, Skodre, Skydreonopolis, sot Shkodra.

Pushtimet e ndryshme ia kanë ndërprerë zhvillimin, e kanë shkatërruar shpesh dhe nga themelet, por Shkodra është ngritur edhe nga hiri. Në afro pesë shekuj të pushtimit osman shkëlqimi i qytetit u venit, por në shek. XVII do të jetë përsëri një qendër e rëndësishme jo vetëm administrative, por edhe ekonomike e Shqipërisë. Në këtë periudhë kishte 1800 shtëpi dhe 25.000 banorë dhe gradualisht bëhet një qendër e rëndësishme kulturore. Në Shkodër lindën institucionet e para kulturore në vend.

Qyteti është themeluar në shek e IV para Krishtit, prej fisit të Labeatëve, gjatë sundimit të Gentit (181-168) përreth kështjellës Rozafa.

Zona përreth vendit ku ndodhet sot Shkodra ka qenë e banuar që në kohët parahistorike. Këtu janë gjetur gjurmë të paleolitit të mesëm, ndërsa që nga neoliti gërmimet kanë zbuluar vazhdimësi jetese që vjen deri në ditët tona. Objektet e gjetura ruhen në muzeun e qytetit, në atë të Tiranës dhe në muzetë e Evropës. Kjo, sepse zona ka një kombinim të rrallë faktorësh fizikë për jetesë. Rrëzë kodrave të Tepes, në anën jugore të qytetit të sotëm, materialet arkeologjike fillojnë nga bronzi i hershëm (2000 para Krishtit). Në shekullin V-IV para Krishtit filloi ndërtimi i kalasë me gurë ciklopikë të puthitur pa llaç. Kalaja është e vendosur mbi një kodër në hyrje të qytetit, në një lartësi 130 m.

Në atë periudhë treva banohej nga fisi ilir i Labeatëve. Në këtë kohë qyteti merr një zhvillim ekonomik, gjë që dëshmohet nga prerja e monedhës në qytet që në vitin 230 para Krishtit. Nga monedha mësojmë emrin që ka pasur qyteti në atë kohë, Scodrinon.

Në vitin 181 para Krishtit bëhet kryeqytet i Mbretërisë së Ilirisë, me sundimtar Gentin, dhe kishte një shtrirje të madhe në pjesën veriore. Gjatë shekullit II para Krishtit, në kalanë e qytetit zhvillohen luftërat me Romën dhe në vitin 168 pushtohet nga Roma dhe bëhet një nga qendrat e njësive administrative të Perandorisë Romake. Me reformat e Dioklecianit bëhet qendër krahinore. Aty kalonin rrugë tregtare të rëndësishme drejt bregut Dalmat, nga veriu, dhe nëpërmjet luginës së Drinit për në Kosovë, nga lindja.

Ajo pushtohet dhe bëhet kryeqendër e shtetit të Zetës në shekullin e Xl. Më pas vjen pushtimi i shkurtër bullgar. Në shekullin XIV bëhet qendër e rëndësishme autonome me institucione të zhvilluara dhe në vitin 1360 bëhet kryeqendër e principatës së familjes Balshaj. Më 1396 kalon nën sundimin e Republikës së Venedikut, e cila rikonstrukton kalanë dhe qytetin e quan Scutari. Qyteti ka institucione dhe ligje si çdo qendër e zhvilluar veneciane në Adriatik.

Mbas vdekjes së heroit kombëtar Gjergj Kastrioti, i cili drejtoi rezistencën e popullit shqiptar ndaj pushtimit të Perandorisë Osmane, në vitin 1479 Sulltan Mehmeti II rrethon përsëri Shkodrën me mbi 100.000 ushtarë, si qyteti i fundit shqiptar i papushtuar.

Mbrojtja vazhdoi mbi shtatë muaj nga një garnizon prej 1600 vetash, i cili u dorëzua me kusht. Kjo qëndresë u përshkrua nga historiani i parë shqiptar dhe dëshmitar i kësaj ngjarjeje, shkodrani françeskan, humanisti At Marin Barleti. Libri i tij "Rrethimi i Shkodrës" u botua në Evropë në vitin 1504.

Pas pushtimit qyteti u rrënua, por dalëngadalë u rimëkëmb dhe në shekullin e XVII u bë qendër sanxhaku e Perandorisë Osmane. Në këtë periudhë qyteti ka mbi 1800 shtëpi dhe ka filluar të shtrihet në fushën ku është sot. Zhvillohen zejtaria, punimi i armëve, punimi i mëndafshit, i bakrit dhe i stolive prej argjendi.

Në shekullin XVIII bëhet qendër pashallëku nën sundimin e familjes vendase të Bushatlinjve. Më 1787, Mahmut Pasha i Bushatlinjve tentoi për herë të parë krijimin e një principate të pavarur shqiptare, që më vonë u shtyp nga Perandoria Osmane.

Më 1718 janë hapur në Shkodër agjencitë e para konsullore. Më 1730 krijohet Dhoma e Tregtisë. Nga viti 1807 deri më 1809 ndërtohet bexhisteni në zonën tregtare në rritje të qytetit.

Në shekullin e XIX rritja ekonomike ecën me ritme të larta. Qendra tregtare, ose pazari, ka rreth 2500 dyqane dhe është më i madhi në Ballkan. Qyteti arrin në 50, 000 banorë dhe bëhet qendër vilajeti. Këtu prodhohen veshje kombëtare, pëlhurë, lëkurë, duhan, barut, që eksportohen. Ushtrohen 80 profesione. Në qytet janë 6 konsullata të fuqive evropiane dhe vendeve fqinje. Në vitin 1867 qyteti bëhet qendër e Arqipeshkvisë. Ka institucionet tregtare të kohës, gjykatë, drejtori postale, doganë.

Më 1865 kalaja braktiset, pasi lumi Drin ka ndryshuar shtratin. Qyteti është kthyer në port lumor dhe tregton me botën nëpërmjet skelave ndërmjetëse si ajo e Obotit, Shëngjinit, Ulqinit, Tivarit. Qyteti shquhet për mjedise të gjelbëruara dhe oborret me lule.

Në vitin 1878 krijohet Lidhja e Prizrenit për moscopëtimin e trojeve të Shqipërisë. Shkodra bëhet një vatër e rëndësishme e lëvizjes kombëtare. Ushtritë e Shkodrës luftojnë për mbrojtjen e territoreve shqiptare të Plavës, Gucisë, Hotit, Grudës, Ulqinit dhe Tivarit. Fillon kështu një periudhë trazirash për qytetin, që reflektohet në rënien e shpejtë të numrit të popullsisë. Shkodranët morën pjesë aktive në luftën për shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë, duke luftuar me armë dhe duke nxjerrë figura të shquara udhëheqësish dhe njerëzish të pendës.

Pas fillimit të Luftës së Parë Botërore Shkodra sulmohet nga ushtritë malaziase, të cilat më 1915 hyjnë në qytet. Në janar të 1916-ës pushtohet nga austriakët, të cilët e bëjnë Shkodrën qendër të zonës së tyre të pushtimit. Me mbarimin e Luftës së Parë Botërore, në Shkodër vendoset një administratë ndërkombëtare. Mbas Kongresit të Lushnjës, më 1920, qyteti administrohet nga qeveria shqiptare që doli nga ky kongres.

Në vitin 1945 u vendos diktatura komuniste dhe qyteti vuajti për 45 vjet nga represioni që donte ta privonte qytetin nga prirjet e tij demokratike dhe kulturore, nga marrëdhëniet me botën dhe nga ekonomia e tij tradicionale. U persekutuan personalitetet më të spikatura të qytetit. U vu dorë mbi institucionet e kulturës dhe të kultit, duke i transformuar sipas ideologjisë së re. U bë çdo gjë që qyteti të humbiste identitetin e tij mijëravjeçar. Megjithatë, ishin shkodranët që dhanë sinjalet e para në Shqipëri për rrugën e re të demokracisë, që në janar të vitit 1990.

Trashëgimia kulturore e Shkodrës për kombin shqiptar fillon që në shekullin XV, me shkrimet e para në gjuhën shqipe. Kemi në këtë qytet shkrimtarët, gjuhëtarët, historianët e parë të vendit. Në shekujt XVIII-XIX kemi institucionet e para shtetërore që pasqyrojnë lidhjet e Shkodrës me botën e qytetëruar evropiane. Për herë të parë në Shqipëri zhvillohet arti, sporti, lindin muzetë dhe bibliotekat. Fillon arti fotografik, shtypshkrimi dhe më vonë kinemaja dhe energjia elektrike.

Firmat e fuqishme tregtare bëjnë tregti me të gjithë botën deri në Japoni, duke sjellë në qytet prodhime ekzotike. Në familjet shkodrane nuk mungojnë pianofortet dhe pikturat e klasikëve botërorë.

Zanafilla e Shkodrës...

Në kohën kur popullsia ilire e territorit shqiptar kishte arritur zhvillimin më të lartë ekonomik e kulturor, në vitin 181 para Krishtit bëhet kryeqytet i Mbretërisë Ilire.

Me ndarjen e Perandorisë Romake, Shkodra, sikurse e gjithë Iliria e jugut kalon nën kontrollin e Bizantit, por vazhdoi të varej nga Kisha Katolike e Romës.

Duke përballuar pushtimet e shumta të barbarëve, që pushtuan territoret shqiptare ndërmjet shekujve XI-XIV, Shkodra përjeton edhe një periudhe vetëqeverisjeje.

Në vitin 1040 qyteti u bë kryeqendra e Zetës, qendër e rëndësishme, komunë autonome me institucione të zhvilluara. Ajo në vitin 1360 bëhet kryeqendra e shtetit feudal të familjes Balshaj. Po në këtë kohë rikonstruktohet kështjella legjendare dhe qyteti merr emrin Scutari.

Në vitin 1396 qyteti antik do të pushtohet nga Venediku, sundimi i të cilit u ndërpre nga një varg kryengritjesh të popullsisë.

Kështjella Rozafa është monumenti historik më i vjetri, e cila filloi të ndërtohet në shek V-IV para Krishtit, ndërmjet lumit Drin dhe Buna. Ajo është vendosur në pikë strategjike për të kontrolluar fushën bregdetare, hyrjen në liqenin e Shkodrës, si dhe kalimin në thellësi të vendit e të Ballkanit në Lindje. Kështjella ka një histori të gjatë luftarake dhe lidhur me qytetin e Shkodrës ka një gojëdhënë popullore.

Në muret rrethuese të kalasë, të cilat përfshijnë rreth 9 ha tokë, dallohen qartë ndërtimet e katër periudhave: Balshajve (shek. XIV), zotërimi venecian (shek. XV), pushtimi osman (shek. XVI-XVII), dhe e Bushatlinjve (shek. XVIII-XIX).

Kisha më e vjetër në Shkodër është ajo e Shna Ndout dhe Kisha e Shën Kollit, në anën tjetër të Bunës.

Nuk ka ndonjë dokument konkret për të argumentuar të dhënat e ndërtimit të Kishës së Zojës së Këshillit të Mirë, që njihet si Pajtorja e Shqipërisë. Por nga brezi në brez besimtarët katolikë kanë mbajtur gjallë me veneracion bindjen në mrekullinë e datës 25.04.1467, ku këtë ditë figura e Zonjës së Shkodrës, që gjendej në një afresk të Kishës në fjalë, u shkëput nga vendi dhe e ndjekur prej dy katolikëve shkodranë të quajtur De Xhorxho dhe De Skavis, shkoi e zuri vend në kishën e Genazzano (në Itali).

Karnavalet në Shkodër festohen që para ardhjes së pushtuesve osmanë.

Më 1499-1500 ndërtohet ura e Bunës nga osmanët. Thuhet se ka qenë ndërtuar një tjetër më parë përballë ish-fabrikës së çimentos, por se kur nuk dihet.

Që në vitin 1565 Shkodra do të ketë shtypshkronjë. Në shek. XVII, në Shkodër ndërtohet rruga “13 Dhjetori” nën ndikimin venecian.

Më 1718 Shkodra do të ketë 7 selitë e konsullatave të Fuqive të Mëdha të Evropës. Si port përdorej Oboti e Ulqini e më vonë Shëngjini. Në vitet 1757-1831 Shkodra është nën sundimin e Bushatlinjve. Familja feudale shkodrane e qeverisi pashallëkun e Shkodrës në formën e një dinastie të trashëguar thuajse të pavarur.

Më 1807-1809 ndërtohet bexhisteni, i cili përmbante 2.500 dyqane të stilit persian (iranian). Pazari i Vjetër ishte një kompleks i rëndësishëm, i ngritur përbri kodrës mbi të cilën ngrihet kalaja Rozafa, dhe ku ushtroheshin rreth 80 lloje zejesh. Afër Pazarit ekzistonte një molo në lumin Bunë, ku akomodoheshin barka e anije të vogla, ndërmjet të cilave Shkodra dhe Pazari i saj lidheshin me Adriatikun.

Rreth viteve 1840 ngrihet ndërtesa e bibliotekës së Bushatlinjve. Biblioteka kishte afro 3 000 volume teologjike, jurisprudence, tekste shkencore, filozofike, astronomike e deri në ekzemplarë. Libra me vlera u grumbulluan më vonë edhe nga bibliotekat e urdhrave katolike jezuite e françeskane. Po këtë periudhë u themeluan shoqëritë letrare, kulturore e sportive, si “Bashkimi” dhe “Agimi”.

Arkitekti, piktori Pjetër Marubi fillon punimet e tij të para fotografike në vitet 1858-1859. Ai lidh miqësi me familjen e Rrok Kodhelit, fshatar nga Kodheli i Zadrimës. Djemtë e Kodhelit, Matia dhe Mikeli, të pasionuar pas fotografisë, do të drejtojnë punimet fotografike në vitet e mëvonshme dhe do të njihen me mbiemrin Marubi. Më 1970, fototeka e pasuruar prej 150.000 negativash iu dhurua shtetit.

Më 7 prill 1858 themelohet katedralja e Shkodrës, një ndër objektet kristiane më të bukura në Ballkan asokohe.

Fillimet e institucionit të Bashkisë në Shkodër datojnë në vitin 1865. Në fillim u quajt “Beledie”, deri në vitin 1913.

Prej këtij viti e deri më 1920 “Perlimtare” dhe më pas Bashki.

Shkodra në vitin 1870 kishte 50.000 banorë. Në vitin 1875 fillon ndriçimi i rrugëve natën me llamba vajguri nga Bashkia e Shkodrës. Deputetët e parë shkodranë në parlamentin turk në vitin 1877 janë: Jusuf Podgorica, Selim Gjyrezi, Ejll Paloka dhe Filip Risto Vuçkoviq. Në vitin 1878 ngrihet në Shkodër banda e parë muzikore e vendit. Po këtë vit hapet shkolla e jezuitëve, e para për popullin.

Themelohet më 1880 Muzeu i Jezuitëve, i cili ishte i ndarë në disa seksione me përmbajtje shumë interesante e tepër të hershme.

At Shtjefën Gjeçovi, diletanti i arkeologjisë, i cili ka qenë edhe mbledhësi dhe përpiluesi i Kanunit të Lekë Dukagjinit, themelon Muzeumin e Françeskanëve, në vitin 1890.

Sahati i Inglizit, objekt historik i periudhës së aristokracisë mesjetare, është ndërtuar me fondet e Lordit anglez Paget, i ardhur këtu rreth çerekut të fundit të shek. XIX.

Në Shkodër, në vitin 1890 ndërtohet “Teatri i Kolegjit Saverian”.

Qyteti më 1 qershor 1905 përjeton ngjarje katastrofale nga tërmeti që shkaktoi dëme të mëdha, vdesin 159 vetë dhe plagosen 250 të tjerë. Lëkundjet do të zgjasin afro një vit. Lagjet e vjetra pothuaj u sheshuan, si dhe u përmbytën shumica e tokave.

Shfaqja e parë kinematografike në Shqipëri njihet në Shkodër në vitin 1912 nga Kol Idromeno. Shkodra ka në vitet 1913-1914 shkollën e parë laike. Po në nëntor të këtij viti ngrihet për të parën herë flamuri kombëtar në bashkinë e vjetër. Më 1913-1914 qyteti administrohet nga Fuqitë e Mëdha, nga Komisioni Ndërkombëtar. Po në këtë periudhë u themelua seminari jezuit dhe kuvendi françeskan, me mbështetjen e klerit katolik.

Shkodra, si qytet i lashtë përkrah disa qyteteve të rëndësishme të Ballkanit dhe Evropës, ka luajtur një rol ekonomik, politik dhe kulturor shumëdimensional, që duket nga burimet e ndryshme që citova pak më lart. Shkodra e Gentit dhe e Teutës është sot për ne shqiptarët nderi dhe krenaria e përhershme, përpara së cilës unë dhe të gjithë shqiptarët përulemi me respekt të thellë.

GJON FRANI IVEZAJ, G. Metropol

E fejuara e Erion Korinit: “Më rrahu se i hapa adresën e Facebook-ut”.

“ S`e kam dhunuar, po ajo iku nga shtëpia”


Këngëtari që dhunonte të fejuarën është lënë i lirë nga Gjykata e Tiranës.

Erion Korini ka treguar mosmarrëveshjet me vajzën që desh të vetëvritej.

Pas ndalimit me shumë bujë, 34 vjeçari Erion Korini është lënë i lirë ndërsa ka shpjeguar para trupit gjykues se nuk e ka rrahur vajzën që është i fejuar me të, por ajo ka ikur vetë disa herë prej shtëpie.

Ndërsa historia e mosmarrëveshjeve mes çiftit të të fejuarve tashmë është thuajse ngjarje, gjykata e Tiranës ka vendosur ta lërë të lirë 34 vjeçarin, edhe pse tri ditë më parë ai u akuzua se kishte shtyrë në vetëvrasje vajzën me të cilën ishte fejuar. Korini është lënë me detyrim paraqitje ndërkohë që pritet të sqarohet saktë pozicioni i tij në aktin “kriminal” që në të vërtet tronditi policinë e Tiranës, aq sa në vendin e ngjarjes do të mbërrinin përveç bluve edhe forcat speciale RENEA. 24 vjeçarja kishte marrë përsipër vetëflijimin pasi sipas saj ishte dhunuar tmerrësisht nga i fejuari i saj, ndërsa nuk ka mundur më të durojë dhunën e tij. Dje i riu u la i lirë, ndërsa ende nuk dihet se çdo të bëhet me vazhdimësinë e tyre, pas gjithë asaj ngjarjeje që frikësoi policinë kryeqytetase.

Ngjarja sipas palëve
Këngëtari Erion Korini që doli dje para gjykatës për caktimin e masës së sigurisë ndaj tij pasi mbi të rëndonte akuza e “shkaktimit të vetëvrasjes, mbetur në tentativë” ndaj të fejuarës së tij Marvina Stefa, 24 vjeç, lihet i lirë, pasi 48 orësh mbajtjeje në qeli. Këngëtari i ka thënë policisë dhe më pas edhe gjykatës se kishte më se një muaj që nuk shkonte mirë me vajzën por ka mohuar kategorikisht të kishte ushtruar dhunë mbi të. “Më ka ikur dy herë nga shtëpia”, është shprehur këngëtari. Ai ka mohuar të ketë ushtruar dhunë ndaj 24-vjeçares duke thënë se edhe pse kishte ikur dy herë, ajo ishte kthyer sërish në banesën e tyre tek rruga “Babë Rexha” në kryeqytet. Këngëtari ka pranuar vetëm kontradiktat me vajzën por ka mohuar në mënyrë të përsëritur ushtrimin e dhunës. Ndërkohë e fejuara e tij, ka thënë se Erion Korini ka ushtruar ndaj saj dhune sistematike ç`ka është bërë shkak edhe për tentativën e vetëvrasjes duke u hedhur nga kati i katërt i ballkonit të shtëpisë.

Tentativa e vetëvrasjes
Vazhdohet të flitet edhe pse tashmë Korini ka lënë qelinë për ngjarjen që desh tronditi kryeqytetin. E ndërsa policia e Tiranës u lajmërua se në katin e katërt të një pallati gjendej një femër që donte të hidhej, shkoi atje dhe më pas nisen edhe negociatat që binden vajzën të mos vetëhidhej. Ndërkohë që pas marrjes në pyetje u mësua se personi që deshi ti merrte jetën vetes me vetëvrasje ishte 24 vjeçare dhe se shkak për këtë ishte dhuna që ushtronte sistematikisht i fejuari i saj mbi të. Pas rrëfimit të saj mësohet se dhunuesi ishte këngëtar dhe policia e arreston duke e akuzuar për shtyrje në vetëvrasje të një perosni.

Korini mohoi të kishte ushtruar dhunë ndërsa tjetër gjë dëshmone vajza e cila ka thënë se: “Më rrahu se i hapa adresën e Facce Book”. Megjithatë gjykata e ka lënë të lirë djalin ditën e djeshme, derisa të sqarohen rrethanat e ngjarjes.


Nikoleta Kovaçi, T. Observer

Thursday, June 17, 2010

Ushtria greke në Shqipëri, pushtuesit apo çliruesit?

Kjo temë lë shumë për të dëshiruar, jo vetëm mes personave tani te pakët që i kanë jetuar ato momente të një lufte të gabuar, por dhe ne mes të rinjve që janë të interesuar të mësojnë mbi ato ngjarjet.

Historia duhet të shkruhet siç është e bazuar në dokumente zyrtarisht të njohura pa anësi politike.
Sot ekzistojnë materiale të publikuara dhe të papublikuara që në një formë ose ne tjetrën mund të vlejnë për të njohur më mirë si erdhën ngjarjet e luftës italo-greke. E themi këtë se ajo shpesh herë është paraqitur me vështrime politike jo reale.

Në vitin 1923 marrëdhëniet e Greqisë dhe Italisë ishin keqësuar së tepërmi. Shkak qe bërë vrasja nga pala greke e gjeneralit Enriko Tellinit, në afërsi të kufirit me Shqipërinë. Ai qe caktuar nga Konferenca e Ambasadoreve si kryetar i komisionit italo-anglezo-francez për fiksimin e kufijve jugorë të Shqipërisë.
Fan. S. Noli që në vitin 1924 kërkonte ushtarakë të Italisë në mbrojtje të kufijve tokësorë të Shqipërisë.(fanoliada)

Më 28 tetor të vitit 1940 kryeministri i ardhshëm i Greqisë, Metaksas, i bënte thirrje popullit të tij duke i thënë “do luftojmë jo vetëm për ekzistencën tonë, por dhe ne favor të popujve të tjerë të Ballkanit, edhe për çlirimin e Shqipërisë. Luftojmë për vlerat që i kalojnë kufijtë tanë dhe kufijtë e Ballkanit për të zgjeruar në tërë njerëzinë”.

Nga ana tjetër Italia si protektore e Shqipërisë nuk mund të qëndronte e heshtur (gjer në atë kohë më Italinë fqinje ishin nënshkruar marrëveshje të njohura ndërkombëtarisht si: “Pakti i miqësisë dhe i sigurisë” ndërmjet Italisë dhe Shqipërisë, si një pakt protektorati më 27 nëntor 1926; “Aleanca ushtarake” ndërmjet Italisë dhe Shqipërisë në muajin nëntor të vitit 1927.

Indro Montenelli në librin e tij të historisë thotë se “dy ishin arsyet e luftës me Greqinë: 1- se Greqia strehonte flotën angleze në ishujt e saj të panumërta dhe 2- se ne Epir ekzistonte një minoritet çam i shtypur në të drejtat e tij.
Grekët në muajt e parë të luftës arritën të futeshin në territorin e Shqipërisë së Jugut duke u shtyrë deri ne Himarë, për të thënë më vonë se na kanë çliruar etj.

Pyetja me të drejtë bëhet:

“Ishte çliruese apo pushtuese, kur dihet që me Greqinë deri në atë kohë nuk ekzistonte asnjë marrëveshje apo pakt siç kishim me Italinë?”
Ushtarë grekë
Qeveria shqiptare e atyre viteve duke mos pasur tjetër alternativë i bënte thirrje popullit shqiptar për luftën kundër Greqisë, për çlirimin e trojeve shqiptare te Çamërisë. Në këtë thirrje lexojmë : “ëndrrat e të parëve tanë, shpresat me ankth të moshës së rinisë e të pjekurisë po realizohen me rikthimin e popullatës shqiptare të Çamërisë në gjirin e atdheut shqiptar”

Mbas luftimesh të ashpra divizionet që kishin pushtuar një të tretën e Shqipërisë u dorëzua më 22 prill 1941. Ata u sprapsën nga ushtria italiane deri në kufijtë e sotëm. Më 10 qershor u deklarua në Romë bashkimi i Çamërisë dhe Kosovës me Shqipërinë (lufta e harruar, fq 205)

Kjo luftë e gabuar nuk ishte vetëm një luftë ndërmjet Italisë dhe Greqisë, por ishte një luftë koalicionesh. Nga njëra anë Italia kishte aleate Anglinë më kolonitë ë saj të Australisë Zelandës së Re, Filipinet etj, të mbështetur edhe nga Franca. Në atë luftë të përgjakshme u vranë shumë italianë grekë, por edhe shqiptarë që në këtë kohë më siguri meritojnë të jenë të nderuar. Sot grekët kërkojnë gjetjen dhe sistemin në varre të eshtrave të të rënëve të tyre.

Po për eshtrat e shqiptarëve kush duhet të mendojë e të kërkojë?!
A nuk do të ishte më mirë që në Manastirin e Përmetit, ku u zhvillua njëra nga betejat më të përgjakshme, të ngrihet një përmendore për të gjithë të rënët ë pafajshëm?
Kaluan shumë vite nga ajo luftë e gabuar që për faje të një diktator,i dhanë jetën e tyre mjera ushtarë nga të dyja palët.

Çështja çame sot duhet të shihet si një lidhëse ndërmjet Shqipërisë dhe Greqisë, dhe secila palë në kërkesën e tyre të jetë e barabartë.

Zhuzepe Kotorri, G. Shqiptare

Vasil Bollano shpallet i pafajshëm, Apeli rrëzoi vendimin për dënimin

VLORË- Shpallet i pafajshëm kryetari i bashkisë së Himarës, Vasil Bollano. Vendimi është marrë sot nga Gjykata e Apelit të Vlorës, e cila ka rrëzuar vendimin e Shkallës së Parë, që e dënoi Bollanon me 6 muaj burg, 5 milionë lekë gjobë si dhe i hoqi për 3 vjet të drejtën e funksioneve publike.


Trupi gjykues nën drejtimin e relatores Iliba Bezati ka marrë vendimin e pafajësisë, duke ju referuar faktit se nuk është provuar fakti se kreu i bashkisë së Himarës të ketë konsumuar elemente të veprës penale, duke mbyllur njëkohësisht edhe "çështjen Bollano", aq shumë të përfolur vitet e fundit.

Bollano u akuzua se hoqi tabelat shqip në rrugën Qeparo-Llogara dhe vendimi për fajësinë në shkallën e Parë u mor nga gjykatësi Shkëlzen Selimi.

Sipas vendimit të Gjykatës për 3 vjet, Bollano nuk do të mundte të ushtronte asnjë funksion administrativ që deri më tani ja ka lejuar funksioni i tij si kryebashkiak i Himarës, por ndërsa vijoji çështjen në shkallën tjetër të gjyqësorit, në Apel, Bollano vijon të ushtrojë të njëjtat funksione. Sipas vendimit të sotëm të Apelit të Vlorës, të gjitha vendimet e shkallës së parë bien poshtë.

Shkak për hetimin dhe më pas gjykimin në Gjykatën e rrethit të Vlorës është bërë një urdhër, që është lëshuar prej kryetarit të Bashkisë, Vasil Bollano në muajin tetor të vitit 2007 për heqjen e tabelave në gjuhën shqipe në aksin rrugor Qeparo-Llogara, gjë që, sipas Prokurorisë, ka sjellë një dëm prej rreth 2.1 milionë lekësh.

Këto tabela ishin vendosur në kuadrin e një projekti për zhvillimin e turizmit i shtrirë përgjatë gjithë bregdetit nga Vlora në Sarandë, i financuar nga Ministria e Transportit, Punëve Publike dhe Telekomunikacionit dhe Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë e Sporteve.

Gjatë fazës së hetimit, Bollano ka pranuar se ka dhënë një urdhër për heqjen e tabelave në gjuhën shqipe, por ai ka pretenduar se për vendosjen e tyre nuk ishte marrë leje nga bashkia.

Shekulli

Turqia nuk tërhiqet: Do dërgojmë flotilje tjetër humanitare në Gaza

Turqia nuk tërhiqet në qëndrimin e saj pro palestinezve. Një grup turk propalestinez tha sot se do të dërgojë një flotilje tjetër në Gaza muajin e ardhshëm.


Fondacioni për të Drejtat dhe Liritë e Njeriut dhe Ndihmë Humanitare (IHH) u tha anëtarëve të Parlamentit Evropian se ka mbledhur gjashtë anije për flotiljen e re, dhe u bëri thirrje të tjerëve që t'i bashkangjiten.

Flotilja e fundit e grupit u ndalua nga Izraeli jashtë brigjeve të Gazës në 31 maj. Flotilja e radhës pritet të lundrojë nga mesi i korrikut.


Ndërkohe që Izraeli thotë se IHH ka lidhje me militantët myslimanë, gjë të cilën grupi e mohon.


Shekulli

Tiranë, policia: Diplomat false të Juridikut shiteshin për 7 mijë euro

Drejtoria e Policisë së Tiranës në një konferencë për media tha sot se katër personat e arrestuar në kryeqytet për falsifikime shisnin me shtatë mijë euro një diplomë false të Fakultetit Juridik.

“Në kuadër të operacionit policor të koduar “Juristi” i realizuar nga Seksioni Kundër Korrupsionit në Drejtorinë e Policisë Qarkut Tirane, pas nje hetimi disa mujor në bashkëpunim me Njësinë Taks Forcë, në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë, u bë e mundur kapja dhe më pas arrestimi i shtetasve :
- Medat Ruzhdi Kasa, 54 vjec, lindur ne Korce dhe banues ne Tirane,
- Anai Ramadan Muca, 46 vjec, lindur e banues ne Tirane,
- Fadil Isuf Gurri, 43 vjec, banues ne Domje Tirane, me pune ne sektorin privat – tregtare,
- Adriatik Resmi Koci, 45 vjec, lindur dhe banues ne Tirane, me profesion perkthyes ne disa gjuhë të huaja.

Sipas policisë, këta shtetas në bashkëpunim me njëri tjetrin si dhe persona të tjerë, bënin të mundur sigurimin e diplomave të Fakultetit të Drejtësisë kundrejt përfitimit të shumës së parave prej 7000 eurosh.

“Nga hetimet e kryera nga ky seksion, ka rezultuar se këto shtetas e kryenin këtë aktivitetet duke i depozituar këtë shumë eurosh, paraprakisht në filiale të ndryshme të bankave në Tiranë, si garanci për pregatitjen dhe dorëzimin e diplomës, afat i cili zgjaste rreth 2 muaj”
, deklaroi policia.


Sipas saj, në cilësinë e provave materiale u gjetën dhe u sekuestruan :
- Diplomë e Fakultetit të Drejtësisë e plotësuar.
- Listë notash e plotësuar.
- Shuma prej 7000 eurosh ( në këmbim te një diplomë ).
- Një sërë dokumentash të ndryshëm, si certifikata, fotografi, dokumentacion pronash, vula etj.

Policia tha se po vazhdon kryerja e veprimeve hetimore per zbardhjen e plote te kesaj veprimetarie kriminale, si dhe identifikimi dhe arrestimi i personave te tjere te implikuar.

lajmiifundit.com