Publikimi i skandalit të korrupsionit në majën e kupolës së qeverisë shqiptare ka tronditur opinionin publik shqiptar. Në një forum të organizuar menjëherë pas transmetimit të emisionit të mbrëmshëm të “Fiks Fare”, një numër i madh politikanësh dhe përfaqësuesish të shoqërisë civile kanë reaguar, duke e cilësuar ngjarjen si një dëshmi e rëndë për qeverinë, por edhe për vendin. Ndërkaq, në një deklaratë të sajën, LSI e konsideron montazh filmimin e transmetuar mbrëmë, duke e komentuar atë si një “përdorje e Priftit për llogari të Edi Ramës”. Ndërkaq politikanë të djathtë dhe të majtë kërkojnë largimin e Metës dhe reagimin e shpejtë të Berishës.
Deklarata
LSI: Montazh i neveritshëm i Edi Ramës“Është përdorur sërish Dritan Prifti, këtë radhë në një shfaqje të neveritshme, realizuar përmes një montazhi të pështirë, ku në rolin e një çimke të komanduar nga Edi Rama përpëlitet në grahmat e fundit, i detyruar ta hedhë vallen sipas vijësjelljes së klaneve kriminale dhe korruptive, që me largimin e tij nga qeveria humbën instrumentin për realizimin e interesave të tyre kriminale. Për Lëvizjen Socialiste për Integrim, shfaqje të tilla – pjellë e krimit të organizuar, nuk përbëjnë asnjë shqetësim. Përkundrazi, lufta pa kompromis e deri në qelizën e fundit ndaj krimit të organizuar dhe veprimtarisë mafioze e korruptive mbetet një konstante e pandryshueshme, prioritet gjithnjë i pazëvendësueshëm, nga i cili nuk mund të na largojnë makinacionet dhe montazhet e një çimke të skaduar. Në respekt të shtetit ligjor dhe të institucioneve të zbatimit të ligjit, LSI e fton çimkën dhe atë që e përdor, e cilindo që disponon fakte dhe prova, t’i drejtohen organit të Prokurorisë, që të zbardhet e vërteta dhe cilido që rezulton i implikuar të vihet përpara drejtësisë”.
Ish-drejtuesi i LSI-së
Sabit Brokaj: Dëshmia e batakut ku ka rënë shoqëriaNë fakt, nga ajo që pamë, nuk ka ndonjë gjë të jashtëzakonshme. E them këtë, sepse ne këtë dukuri e kemi hasur edhe më parë, jo nga ecuria e tyre si proces, por nga konkluzionet e veprimeve të qeveritarëve. Kjo karakterizon qeveritë shqiptare prej disa vitesh tanimë. E reja në këtë rast është se një prej ministrave filmon tjetrin dhe e transmeton çështjen në pamje vizive dhe auditive. Tani dëshmohet se deri në ç’batak kemi rënë ne si shoqëri dhe jo vetëm qeveria që është promovuese e të gjitha të këqijave. Në momentin kur edhe një ngjarje si Gërdeci, ku për të fituar para, u vranë 26 njerëz, po mbyllet përfundimisht, pa asnjë reagim nga institucionet e Drejtësisë, natyrisht që është e qartë se rasti në fjalë është një nga të shumtit që karakterizojnë momentin e tanishëm. E përsëris, kjo dëshmon se deri ku kemi rënë ne si shoqëri dhe nuk e kuptoj se çfarë pret më populli për të reaguar rreptësisht ndaj kësaj qeverie, që po del hapur se si vepron. Sa i përket asaj se nëse mund të ketë një reagim politik apo një ndryshim qeverie, unë gjykoj se kjo nuk ka gjasë të ndodhë. Nuk ka ndodhur për krime apo ngjarje të tjera më të rënda.
Nënkryetari i grupit të PS-së
Erjon Braçe: U vërtetuan akuzat tona për korrupsionin
Kjo konfirmon mot a mot atë çfarë kemi thënë ne për sa i përket korrupsionit me koncesionet e hidrocentraleve dhe naftës, çfarë ndodh me “Albpetrolin” etj., në këtë vend. Ky tanimë nuk është problem i opozitës, por është problem i popullit. Natyrisht opozita ka pjesën e saj të detyrimit dhe angazhimit, por kjo çështje, në përmasën që ka marrë, është problem i popullit shqiptar. Ajo çfarë ne pamë, në përmasën e vet, dëshmon sesi veprohet në këtë vend, sesi qeveria operon me interesat e qytetarëve. Ne jemi dyshuar, jemi parë me skepticizëm kur kemi denoncuar rastet e korrupsionit, kjo e gjitha tanimë e fakton vërtetësinë e deklarimeve dhe akuzave tona. Është problem i popullit, e ritheksoj, sepse nevojitet një pastrim gjeneral, i plotë. Për një parandjenjë rastësore, unë kam propozuar edhe platformën antikorrupsion, e cila parashikon pikërisht nevojën e një politike tjetër, që të instalojë kulturën e ndëshkimit në Shqipëri.
Anëtari i Kryesisë së PD-së
Aleksandër Biberaj: Një qeveri e zhytur në korrupsion
Ky është treguesi më i qartë i korrupsionit të kësaj qeverie. Një qeveri e zhytur në korrupsion totalisht nga i pari te më i fundit. Natyrisht që kjo është vetëm maja e ajsbergut, sepse korrupsioni i kësaj qeverie është i përmasave shumë më të mëdha. Korrupsion i cili do t’i japë Partisë Demokratike një kosto dhe një njollë historike, të cilën nuk e meritojnë demokratët e vërtetë. Si në çdo vend demokratik, duhet të veprojë sistemi i drejtësisë, në mënyrë që bartësit dhe mbrojtësit e korrupsionit të përfundojnë përpara drejtësisë. Ndryshe demokracia shqiptare është në një rrezik të jashtëzakonshëm. Ngritja e korrupsionit në sistem dhe çimentimi i këtij sistemi korruptiv dëmton rëndë të ardhmen europiane të Shqipërisë. Dhe dëmton interesin e brezave të ardhshëm. Në çdo vend tjetër demokratik, Kryeministri me qeverinë do të jepnin dorëheqje, nuk do t’i njihnin vetes imunitete dhe do të përgjigjeshin përpara sistemit të drejtësisë për shkeljen e ligjit dhe përpara zgjedhësve për mashtrimin dhe keqpërdorimin me votën e tyre.
Analisti
Artan Lame: Filipi na ka sfiduar të gjithëveËshtë dorashka e radhës e sfidës që Filipi na hedh të gjithëve. Në radhë të parë është një sfidë që i bëhet Prokurorisë, për të provuar veten edhe një herë tjetër nëse mund të çojë në fund një çështje. Veç kësaj është një sfidë edhe ndaj së gjithë shoqërisë shqiptare se deri ku mund të durojë.
Drejtuesi i opozitës
Spartak Ngjela: Berisha ka vetëm dy zgjidhjeJanë një grup banditësh, të cilët tani nuk kanë më mbulesë. Pyetja është ç’do ndodhë? E para, ose Berisha do të japë dorëheqjen, sepse ka marrë pushtetin me vota të vjedhura dhe tani kuptohet përse, ose do të vendosë terror. Këto janë dy arsyet. E treta është kjo, shqiptarët duhet t’i japin fund kësaj valle vdekjeje. Opozita do të përgjigjet shumë fort.
Kreu i PDK-së
Nard Ndoka: Mazhoranca, e ngjizur nga korrupsioniNormalisht një mazhorancë e tillë, që është ngjizur mbi vjedhjen e votave, mbi pazaret politike këtë përfundim do të kishte. Tani shikohet qartë kapja e Berishës nga korrupsioni dhe nga pamundësia e tij për të bërë lëvizje politike, pasi ky është edhe fundi i tij përfundimtar. Unë jam i bindur se Berisha nuk do distancohet nga korrupsioni dhe do të vijojë me lojërat e tij të çimkave dhe me demagogji të tilla, për shkak se një pjesë e mirë e zyrtarëve të tij, duke përfshirë edhe atë vetë, janë të zhytur në afera korruptive.
Drejtuesi i opozitës
Erjon Veliaj: Meta të largohet nga posti që mbanSë pari ndiej neveri. Vetë pamja e një burri trashaluq që shfleton bllokun e pazareve me gishtat me pështymë, si një kambist i rëndomtë tufat me para, më erdhi për të vjellë. E sigurisht, s'mund të mos më kujtohej ajo fushatë ku bashkë me shumë të rinj denoncuam dy vite përpara këtë bandë vulgare. Në pak minuta, pamë zv.kryeministrin që pshurri mbi të gjithë shtetin shqiptar, administratën, ARMO-N, Hec-et, kryegjyqtaren e lartë, në pak kohë na demonstroi që “kish folur me Berishën” e kjo mjaftonte për të zhvatur në 7 sekonda 700 mijë euro. Sot Meta duhet të largohet përfundimisht nga politika, nëse duam të japim një fije shprese për këtë vend. Kujtoni Ivo Sanaderin, e kuptoni pse Kroacia është më europiane sot. Natyrisht, Berisha s'mund të reagojë, se ndryshe do ta kishte bërë për katër minuta siç hoqi Pangon për reçipetat. Berisha është ortak, se po të mos ishte s'do kish pritur kaq gjatë.
Më e rënda, Berisha sot është impotent, nuk mund të trembë më as kënd, as Metën, as të vetët, në gjoja luftën për korrupsion. Dje ra kjo qeveri, dhe u provua ajo që themi se kjo nuk është një qeveri e shqiptarëve, vodhi votat për të vjedhur më pas shqiptarët. Ndaj i gjithë populli duhet organizuar që këta njerëz të mos prekin më zyrë shteti me këmbë.
G. Shqip