Friday, April 15, 2011

Gabimi në përkthim sikletos Vatikanin

Një gabim në përkthimin e një libri të ri të katekizmit u shndërrua në problem të madh për Vatikanin, raportuan sot disa media ndërkombëtare.
Libri i sapobotuar synon të edukojë të rinjtë katolikë në të gjithë botën dhe atje përfshihen të dhëna të rëndësishme edhe rreth edukatës seksuale.

Midis 527 pyetjeve dhe përgjigjeve, ishte përfshirë edhe një pikë ku argumentohej nëse mund të përdoreshin kontraceptivë për të penguar shtatzanitë e padëshiruara.

Për befasinë e të gjithë katolikëve në libër thuhej po, ndërsa dihet se qëndrimi i Vatikanit është tërësisht kundër përdorimit të mjeteve që mund të pengojnë krijimin e jetës.
Reagimi që ngjalli gabimi detyroi Selinë e Shenjtë të dilte në një sqarim publik dhe të theksonte se ishte bërë një gabim përkthimi në 13 gjuhët që ai ishte botuar.

Si rrjedhojë, Vatikani vendosi që të hiqte të gjithë publikimet nga tregu.

T. Channel

Vajzat denoncojnë babanë-tutor

Shfrytëzonte të bijat e mitura si prostituta duke i detyruar të kryenin marrëdhënie seksuale me shtetas të ndryshëm përkundrejt pagesës.
Burimet zyrtare të policisë së Korçës bënë të ditur se u arrestua 52-vjeçari P.M., banor i qytetit të Korçës, ndërkohë që u vendos masa e arrestit "burg pa afat" për 62-vjeçarin Andrea Nameti dhe për Skënder Korollarin, 35 vjeç.


Gjithashtu u vendos masa e sigurisë "arrest shtëpie" për shtetasin Nevrus Kollani, 79 vjeç. Të tre këta shtetas, sipas policisë akuzohen se për "kryerje të marrëdhënieve seksuale apo homoseksuale me të mitur".


Burimet zyrtare të policisë njoftuan se hetimet për ngjarjen nisën tre muaj më pare, kohë në të cilën mësohet se është bërë denoncimi edhe nga vajzat e mitura. 52-vjeçari P.M, banor i qytetit të Korçës, i ndarë nga bashkëshortja shfrytëzonte të bijat e mitura për qëllime prostitucioni.

Policia deklaron se vajzat janë shfrytëzuar në vitet 2004, 2005 dhe 2006, periudhë në të cilën ato ishin në moshën rreth 8 dhe 10 vjeçe. Për të bijat, babai gjente klientë, për dy prej të cilëve gjykata ka dhënë masën e sigurisë "arrest në burg". Të dhënat zyrtare tregojnë se 62-vjeçari Andrea Nameti, banor i fshatit Mborje të Korçës, ishte dënuar edhe më parë për pedofili. E njëjta masë është dhënë edhe për 35-vjeçarin Skënder Korollari, banor i po këtij fshati.


Nga ana tjetër u vendos ndalimi edhe i një 79-vjeçari, për të cilin u vendos masa "arrest shtëpie". Të tre këta persona akuzohen se kryenin marrëdhënie me të miturat kundrejt pagesës që i bënin babait të vajzave. Mësohet se një gjë e tillë ka ndodhur në mënyrë sistematike përgjatë viteve 2004, 2005 dhe 2006.


"Hetimet për zbardhjen e këtij krimi nisën rreth 3 muaj më parë, ku në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Korçë, nëpërmjet aplikimit të metodave speciale të hetimit dhe veprimeve të tjera proceduriale, kanë bërë të mundur dokumentimin ligjor të aktivitetit kriminal të këtyre shtetasve. Materialet e përpiluara për këtë rast i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Korçë për hetime të mëtejshme", thuhet në deklaratën për shtyp të policisë.


Ndërkohë dy vajzat janë marrë nga policia dhe po i nënshtrohen pyetjeve në praninë e psikologut. Ato janë strehuar në një klinikë private. Nga ana e policisë po kërkohet për të tjerë persona që kanë kryer marrëdhënie seksuale me dy vajzat e mitura.


Nëna e të miturave: Vajzat mashtrojnë
E pyetur lidhur me ngjarjen, nëna e dy vajzave të mitura thotë se denoncimi që ato kanë bërë në polici për ish-bashkëshortin nuk është i vërtetë. "Burri im nuk është i përfshirë në një gjë të tillë", deklaron ajo. Madje nëna akuzon të bijat duke u shprehur se ato shkonin vetë tek 79-vjeçari, i cili u jepte para për të blerë çokollata.

Ambasada Amerikane ‘ndërpret marrëdhëniet’ me gazetën “Shekulli”

Teksti i letrës së Ambasadës Amerikane dërguar dje në redaksinë e “Shekulli”-t:


“…Po ju shkruaj për t’ju informuar që Ambasada e SHBA ka vendosur të ndërpresë marrëdhënien e saj profesionale me gazetën ‘Shekulli’ deri në një njoftim të mëtejshëm. Duke hyrë në fuqi menjëherë, Ambasada do të anulojë të gjitha pajtimet e saj me gazetën ‘Shekulli’, dhe stafi i gazetës nuk do të ftohet më për të marrë pjesë në aktivitete, apo trajnime, të sponsorizuara nga Ambasada. Gjithashtu, Ambasada nuk do t’i dërgojë më gazetës ‘Shekulli’ njoftime për shtyp, apo deklarata të Ambasadës.

Ambasada e ka marrë këtë vendim në përgjigje të një opinioni nga Ilir Yzeiri, botuar në gazetën tuaj më datën 9 prill, me titull, “Intelektualët dhe Ambasadori i Vogël i një vendi të Madh.”
Më lejoni të jem shumë i qartë. Ambasada nuk kundërshton në asnjë mënyrë faktin që Z. Yzeiri nuk është në një mendje me disa prej pikëpamjeve të Ambasadorit Arvizu, apo politikën e SHBA. Në fakt, javën e kaluar Ambasadori Arvizu u takua me disa prej kritikëve të tij më të njohur në media për të diskutuar politikën e SHBA në Shqipëri. Megjithatë, artikulli i Z. Yzeiri shkoi shumë përtej kufijve të gazetarisë profesionale dhe opinioneve. Përkundrazi, kapërceu kufirin dhe u shndërrua në një sulm personal të papërshtatshëm dhe ad-hominem ndaj Ambasadorit Arvizu dhe Shteteve të Bashkuara. Përgojimet e lidhura me racën dhe etninë veçanërisht ishin të pavend për një gazetë, e cila pretendon të përfaqësojë opinionin kryesor.
Jam në dijeni se në faqet e gazetës për editorialet dhe opinionet ka një shënim të redaksisë për pikëpamjet e shprehura. Megjithatë, nuk ka asnjë shënim redaksional që mund ta shfajësojë këtë botim nga përgjegjësia për të mos lejuar artikuj opinioni që qartazi sulmojnë individët mbi bazat e prejardhjes së tyre racore etnike.
Gjatë njëzet viteve të kaluara, Shtetet e Bashkuara kanë punuar me organet e mediave shqiptare të të gjitha llojeve për të mbështetur krijimin e mediave të pavarura e profesionale në Shqipëri, sepse dimë që një media e lirë, e përgjegjshme, dhe e pavarur është me rëndësi kritike për funksionimin e një shteti demokratik. Përgjegjësia juaj është e madhe, sepse me gazetën tuaj keni fuqinë të ndikoni debatin dhe të informoni qytetarët. Shpresoj që në të ardhmen gazeta ‘Shekulli’ do të marrë këtë detyre më seriozisht dhe do të ribashkohet me radhët e gazetarisë së përgjegjshme…”

* * * * *
Përgjigje për letrën e Ambasadës


I nderuar Ambasador Arvizu!
Së pari konsideroni që kjo përgjigje ndaj letrës së Ambasadës Amerikane që ka mbërritur dje pasdite në redaksinë e “Shekulli”-t, është një detyrim ndaj lexuesve tanë, jo ndaj jush.
Nëpërmjet letrës në fjalë u njohëm me vendimin tuaj për të ndërprerë, siç shkruani ju, “marrëdhëniet” me gazetën “Shekulli”.
Besoj jua kanë thënë edhe këshilltarët tuaj që ky vendim është i paprecedentë; është fare pa kuptim në sensin juridik, por megjithatë shumë i rëndësishëm për publikun shqiptar, i cili ka nevojë të njohë pikëpamjet tuaja mbi demokracinë dhe rolin e medias.
Ky “vendim”, siç ju e quani në letrën tuaj, me gjasa është i pari i këtij lloji në historinë e gazetarisë; sigurisht i pari që aplikohet në Shqipëri, (ndoshta në botë) nga një ambasadë drejt një gazete dhe të kujton kohë krejt të tjera, por pak rëndësi ka kjo.
Ju keni zgjedhur një rrugë ekstreme që jua keni shkëshilluar më forcë të tjerëve: bojkotin.
Ju mund të zgjidhnit një formë reagimi publik normal ndaj opinionit që kontestoni, pra një replikë, apo diçka të ngjashme dhe ne do ta botonim atë. Kurse reagimi në një formë të tillë dëshmon nervozizëm, që ndoshta ju vjen nga performanca shumë e kritikueshme publike që ju zoti ambasador keni konsumuar këto muaj të qëndrimit tuaj në Shqipëri.
Nëse nuk është nervozizëm, dhe ka arsye të tjera, atëherë thuajani publikut shqiptar arsyet e vërteta; është e sigurt që do të dëgjoheni me vëmendje.
Për sa i përket opinionit, ndaj të cilit ju keni rezerva, pra ai me titull “Ambasadori i vogël i një vendi të madh”, me autor z. Ilir Yzeiri, merrni në konsideratë sa më poshtë vijon:
Ne i respektojmë opinionet dhe kontributin e bashkëpunëtorëve tanë, dhe jemi shumë të vëmendshëm ndaj etikës. Me kuptimin që i keni dhënë një fjalie të këtij artikulli, thjesht keni rikonfirmuar që ju, i nderuar, nuk e njihni as Shqipërinë, as shqiptarët. Por nuk po zgjatemi në këtë pikë, përgjigjen mund ta merrni nga vetë autori i artikullit të botuar në faqet e opinioneve të “Shekulli”-t. Ajo është një faqe e lirë me të gjitha vijëzimet e nevojshme për publikimet.
Në respekt të lexuesit, që ndoshta nuk e ka në kujtesë opinionin në fjalë, ne po e ribotojmë sot atë me lejen e autorit dhe po ia lëmë lexuesit të gjykojë, nëse aty ka “përgojime të lidhura me racën dhe etninë”, siç shkruhet në letrën tuaj.

Së fundmi, më lejoni t’ju përgjigjem drejtpërdrejt për disa rreshta që i konsideroj krejt të panevojshëm në këtë letër:
- Ju shkruani se keni marrë vendim që (citoj): “stafi i ‘Shekulli’-t nuk do të ftohet më për të marrë pjesë në aktivitete, apo trajnime, të sponsorizuara nga Ambasada”.
I nderuar mik! Po ju njoftoj paraprakisht që edhe pasi ju të “rilidhni marrëdhëniet” me “Shekulli”-n, stafi refuzon çdo trajnim të sponsorizuar nga ju, apo institucione të tjera.
Veç të tjerash, kjo është e ndaluar për gazetarët tanë.

Ju shkruani më tej: “Gjithashtu, Ambasada nuk do t’i dërgojë më gazetës ‘Shekulli’ njoftime për shtyp, apo deklarata të Ambasadës…”.
Ju kujtojmë që në çdo rrethanë jemi ne që vendosim, nëse do të botojmë një njoftim për shtyp dhe jo anasjelltas.
Në fund të letrës, ju shkruani diçka fyese. Citoj: “Shpresoj që në të ardhmen gazeta ‘Shekulli’ do të marrë këtë detyrë më seriozisht dhe do të ribashkohet me radhët e gazetarisë së përgjegjshme”.

I nderuar ambasador! Është e dyta herë që merrni përsipër të fusni “Shekulli”-n nëpër klasifikime. Ndoshta është rasti t’ju themi që gazeta “Shekulli” ka 15 vjet që është në opozitë. Ju jeni i ri në Shqipëri, u lini radhë të tjerëve, të gjykojnë, nëse opozicioni ynë për të cilin kemi paguar dhe vijojmë të paguajmë kosto të larta, është “i përgjegjshëm”, apo jo.
Ushqejmë si gjithë populli shqiptar ndjenjat më miqësore ndaj popullit amerikan. Mos e mbivlerësoni veten dhe mos përfitoni nga kjo ndjenjë.
Siç ju kam shkruar edhe në një redaksionale të mëparshme, si kryeredaktor i gazetës, në emër të lexuesve tanë, ju them se jemi thellësisht të shqetësuar për qëndrimet tuaja pas 21 janarit. Për herë të parë në histori, në komentet dhe reagimet e shqiptarëve mbi deklaratat tuaja, kanë nisur të hasen ndjenja shqetësuese antiamerikane.

Pranoni një sugjerim, ashtu si ne pranojmë përditë sugjerimet tuaja: Nuk ia vlen barra qeranë që për një qeveri gangsterësh, të mbillni në zemrën e një prej popujve më filoamerikanë në botë, ndjesi të tilla.
Adrian Thano
Kryeredaktor i “Shekulli”-t

* * *
Opinioni i kontestuar nga Ambasada Amerikane.
Intelektualët dhe ambasadori i vogël i një vendi të madh
Nga dr. Ilir Yzeiri
Java që lamë pas u shënjua nga skandali i madh i akuzës publike që Hysen Shoshori, një hero i rezistencës antikomuniste, i bëri kryeministrit S.Berisha përmes transmetimit të një interviste regjistruar disa vjet më parë nga vetë i dëmtuari.
Një vend jo të vogël, megjithëse të shtërzuar, mori edhe lajmi se disa intelektualë kërkonin një ballafaqim me dy kandidatët për kryetar bashkie të Tiranës, ballafaqim që u realizua në një panel ku rrinin të ngjitur njëri bri tjetrit disa nëpunës të lartë të administratës publike e private shqiptare dhe profesionistë të njohur gjithashtu dhe kandidati Basha që ngjante më shumë si një student province që po mbronte temën e diplomës përpara një jurie që nxirrte veçanërisht në dritë portretin e Rektorit të Universitetit të Tiranës, Dhori Kule, akuzuar kohë më parë nga shoqata e ambientalistëve pse doli në krah të qeverisë dhe mbështeti projektin për prishjen e një pjese të Kopshtit Botanik në emër të ndërtimit të Unazës së Madhe.
Përdorja e termit intelektual dhe e rolit që duhet të luajë ai në jetën publike, u bë edhe njëherë temë e ditës nga disa komentatorë të shtypit, të cilët, herë me të drejtë e herë të nervozuar, u shprehën se përdorimi në këtë mënyrë i nëpunësve të lartë është një fyerje për ta, se përpjekja që po bënte qeveria që të përdorte edhe këtë armë ndaj kundërshtarit të vështirë Edi Rama, vetëm sa e zhvlerësonte rolin dhe emrin e intelektualit.
Në fakt, cili mund të jetë roli i intelektualit në shoqërinë pluraliste, në një shoqëri thellësisht të politizuar, ku palët e ndara si me thikë, kanë polarizuar gjithçka. Shqipëria ka dhjetëra universitete publike e private, por ka pak intelektualë që e drejtojnë mendimin publik, që thirren sa herë që shoqëria gjendet në udhëkryq. Këto ditë m’u kujtuan dy shembuj.
Po e nis nga ai më i freskëti. Bernard Henri Lévi është një filozof me plotë kuptimin e fjalës dhe një intelektual i shquar francez me një ndikim të madh, jo vetëm në jetën e vendit të tij, por edhe më gjerë. Në një intervistë dhënë “TV5 Monde” disa ditë pasi filloi bombardimi në Libi, ai u pyet nga gazetari, i cili i tha se a nuk të duket se ju po dubloni ministrin e Jashtëm francez se me mbështetjen që po i jepni Presidentit për të sulmuar Gedafin kini krijuar përshtypjen se luftën e kini filluar ju?
Dhe ai u përgjigj pak a shumë kështu. Unë nuk po zëvendësoj ministrin e Jashtëm. Unë isha në Benghazi me miq të mi profesorë universiteti në kohën kur Ghedafi po sulmonte këtë qytet dhe pashë se si po vriteshin njerëz të pafajshëm. Atëherë, ngrita telefonin dhe i telefonova presidentit të vendit tim duke i thënë se Europa nuk duhet të lërë një gangster që të vrasë popullin e tij.
Pas kësaj, Franca nisi të lëvizë dhe ndodhi ajo që të gjithë e dimë. Ky është një model i intelektualit që mund të jetë i kritikueshëm nga një tjetër pikëpamje. Në Shqipëri u vranë katër njerëz të pafajshëm dhe unë nuk pashë asnjë nga ata intelektualë që merrnin në provim kandidatin Basha të ngrinte zërin. Të gjithë ata që merren me shkencën e komunikimit e dinë se roli i intelektualit në hapësirën e opinionit publik nis e përvijohet me artikullin e Emil Zola-së «J’accuse – Unë akuzoj».
Në shoqërinë pluraliste ky njihet si një nga kontributet e para të zgjerimit të hapësirës publike edhe me ndërhyrjen e intelektualëve. Është fjala për atë që, më vonë, në literaturën publicistike hyri me emrin «Çështja Drajfus». Në origjinë të kësaj çështjeje është dënimi i kapitenit Drajfus i akuzuar se i kishte dorëzuar Perandorisë gjermane dokumente sekrete.

Më pas u zbulua se kjo akuzë nuk ishte e vërtetë dhe se ishte bërë një gabim juridik.
Në sfond të kësaj akuze ishte spiunazhi dhe një frymë antisemite, meqenëse kapiteni ishte me origjinë hebre. E gjithë kjo ndodhte në kontekstin social të aneksimit të Alzasës dhe një pjesë të Lorrainës prej gjermanëve. Historia është e gjatë, por ajo ka mbetur në kujtesën kolektive si rasti ideal ku u përleshën ajo që quhet «raison d’etat» dhe opinioni publik i përfaqësuar nga një intelektual i kalibrit të Emil Zola-së.

Mjaft të themi që në vitin 1906 Gjykata e Kasacionit e shpall të pafajshëm kapitenin Drajfus.
Natyrisht, këto janë shembuj që tani rrinë nëpër almanakë dhe tekste universitetesh dhe u përsëriten studentëve nëpër leksione. Intelektualët e postdiktaturës në Shqipëri janë rralluar dhe ata të paktët si prof. Qosja ndoshta nuk mjaftojnë për të deligjitimuar krimet që kryhen në Shqipëri në emër të antikomunizmit.
Fat i madh është se shtypi ka krijuar një grup të qëndrueshëm gazetarësh me integritet moral që gjenden gjithmonë në opozitë me çdo qeveri që hyn e del në këtë vend. Ndërsa teatri banal me intelektualë të emëruar e të përdorur nuk është ndonjë shfaqje e re. Kjo është norma e jetës sonë publike, është dëshmia e prapambetjes sonë tragjike.


Ambasadori i vogël i një vendi të madh
Ambasadori Arvizu ishte i ftuar në një emision televiziv dhe paraqiti edhe njëherë performancën e tij si një ambasador i vogël, (jo për nga shtati, por për nga statura), i një vendi të madh.
Zhgënjimi kur e dëgjon dhe e sheh këtë ambasador nuk është vetëm mënyra se si ai flet, por është mënyra se si na trajton ne shqiptarëve. Zoti ambasador ka zgjedhur të heshtë dhe të mos fajësojë qeverinë shqiptare pse ajo sillet si një qeveri autokratike, që është e pleksur me krimin e organizuar, që ka mbytur tregun dhe që e kontrollon atë me klientët e vet, që ka mbytur median dhe që e ka kthyer Televizionin Publik Shqiptar në një qendër zëri të shëmtuar të reparteve ushtarake të kohës së komunizmit.
Por, ajo që është më flagrantja, ky ambasador ka zgjedhur të mbrojë dhe të justifikojë një kryeministër që ka në biografinë e tij njëherë mbi 3000 të vrarë në krizën e vitit 1997 dhe 30 të vrarë të tjerë në ngjarjet e Gërdecit dhe 21 janarit.
Ambasadori i vogël i vendit të madh përmendi me cinizëm se edhe në Amerikë Garda ka vrarë në vitet ’70. Po është e vërtetë dhe shqiptarët e dinë se në Amerikë është vrarë edhe presidenti Kenedi, edhe Martin Luter Kingu, por askush në Amerikë nuk ka qenë në krah të vrasësve dhe askush në Amerikë nuk ka menduar qoftë edhe një ditë të vetme që të përkrahë vrasësit dhe të dënojë viktimat siç bëni ju, zoti Ambasador. Nga ana tjetër, nuk është e gjetur përpjekja që bëni ju për t’u treguar se jeni një njeri i dashur me popullin. Këtyre në shqip ne u themi “kinezërira”.
Ju e njihni mirë psikologjinë e kinezëve të Maos dhe heroin Lej Fen. Ju mund të lexoni edhe romanin “Koncert në fund të dimrit” të shkrimtarit tonë të madh Kadare. Atje vizatohet bukur ajo që ne i themi “kinezëri”. Në fakt, historia që treguat mbrëmë me atë që ju bëtë kur shkuat të darkoni me zotin Kantrimen te “Tajvani”, pra historia që treguat ju me atë gruan me fëmijën që ju e takuat dhe përkëdhelët edhe fëmijën, të më ndjeni, po nuk ishte e gjetur. Ky lloj populizmi në Shqipëri nuk ngjit, përkundrazi bën efekt të kundërt.
Ne shqiptarët e kuptojmë shumë mirë vështirësinë që ka sot diplomacia amerikane për të ndikuar në botë. Pas dështimit në Irak e Afganistan, pas krizës së tmerrshme ekonomike, Amerika nuk e ka më atë fuqi që kishte dikur.
Natyrisht, ne e dimë shumë mirë se Amerika nuk mund të vihej në krye të revolucioneve arabe, se ajo u tregua e matur qoftë me Mubarakun, qoftë me Ben Alinë, se për të ndërhyrë në Libi, u desh që iniciativën ta marrë Franca.
Pra, të gjitha këto ne i mirëkuptojmë dhe jemi të vetëdijshëm se Amerika nuk mund të na shpëtojë nga autokracizmi dhe nga mafia që na qeveris. Ne e kuptojmë shumë mirë se për ju është i shenjtë stabilizimi, se demokracia do kohë të mësohet, ndaj edhe ju me cinizëm na kujtoni shembujt me vrasje të viteve ’70 që kanë ndodhur në Amerikë.

Të gjitha këto ne i mirëkuptojmë, ashti siç edhe ju duhet ta dini se ndjenjat tona proamerikane nuk kanë të bëjnë me asnjë ambasador të përkohshëm që vjen në Tiranë.
Vetëm se ju duhet ta dini i dashur ambasador se me sjelljet tuaja dhe me mbështetjen që i bëni qeverisë në emër të stabilitetit, po i dëmtoni ndjenjat proamerikane të shqiptarëve.
Në atë intervistë ju do të duhet të përgjigjeshit edhe për një letër të hapur që ju ka dërguar një shqiptaro-amerikan i njohur me emrin Geri Kokalari, por ju zgjodhët të flisni me një gjuhë konspirative duke thënë shpesh e më shpesh se më kanë ardhur disa njerëz e më kanë thënë kështu, më kanë ardhur ca të tjerë e më kanë thënë ashtu.
Cilët janë këta njerëz që vijnë e ju raportojnë zoti Ambasador? Uroj të mos jenë “të pakënaqurit nga opozita”.
Do të ishte mirë që ju të mos i dekonspironit këta dashnorë të stabilitetit. Nuk kam ndërmend të analizoj me detaje intervistën dhe sjelljet tuaja, zoti Ambasador. Ajo që më shqetëson është perceptimi dhe imazhi që ju po krijoni me shpejtësi në këtë vend. Dhe një pyetje të fundit, a e kini parë portretin e Anës, vajzës së Ziverit që u vra më 21 janar?
Në një shkrim timin atë e kam quajtur “Perëndesha e dhimbjes sonë”. Ajo dhimbje që ndjeva atëherë për atë vajzë me buzë të mbledhura dhe me dy pika lot në sy, nuk më është fshitur ende.
Por kur të pashë e të dëgjova në atë emision televiziv m’u shtua indiferenca ndaj jush dhe ndjeva dhimbje pse Amerika e madhe zgjodhi një ambasador të vogël në vendin tim gjithashtu të vogël.

Tema

Termi ‘kosovar’ të përdoret vetëm si krahinë e Shqipërisë

Ish-presidenti i Shqipërisë, Alfred Moisiu ka kërkuar që termi “kosovar” mos të përdoret për t’i dhënë kuptim tjetër, por vetëm atë kuptim që ka, si krahinë e Shqipërisë, ashtu siç është Labëria, ose Mirdita.
Këto komente Moisiu i ka bërë në akademinë përkujtimore me rastin e 12-vjetorit të rënies së Agim Ramadanit dhe dëshmorëve të Betejës së Koshares.

“Sigurisht Kosovën e quaj krahinë të Shqipërisë, sepse ashtu është, siç është Labëria, siç është Mirdita, e siç janë viset tjera të Shqipërisë. Pra mirditorët janë mirditorë, labët janë labë dhe kosovarët janë kosovarë, por shqiptarë janë të gjithë. Pra pikërisht ne duhet të mësohemi, jo ne se ne këtë e dimë, por gjithë të tjerët duhet të mësohen, që jemi një komb që padrejtësisht na ndanë, në mënyrë shumë grabitqare na ndanë, por edhe sot mos të flemë gjumë, sepse një fjalë e popullit thotë `uji fle, por hasmi nuk fle’”, ka thënë Moisiu.

Ish-kreu i shtetit shqiptar, ka shprehur kundërshtimet e tij për tendencën për të bërë ndarje mes kombit shqiptar, duke nxjerrë termin kosovar si komb të ri.
Ndërrkohë, Moisiu ka thënë se Beteja e Koshares është ndjekur me interesim më të veçantë se betejat tjera të Kosovës, të cilat po ashtu kanë qenë të lavdishme, por kjo betejë kishte një rëndësi strategjike për faktin se kishte të bënte me komunikimin direkt ndërmjet Shqipërisë dhe pjesës së çliruar të Kosovës.
Në këtë akademi u tha se Agim Ramadani ishte jo vetëm luftëtar dhe komandant i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, por ishte edhe vizionar dhe faktor unifikues i luftës së Kosovës.

Infosot

Nuk kam frikë nga gjykimi i popullit tim

A mundet ndonjë përfaqësues i politikës shqiptare të dalë para popullit e të thotë me guxim, se "nuk kam frikë nga gjykimi i popullit", siç tha Nikolas Sarkozi para zgjedhësve të vet?
Në ajrin e politikës shqiptare dhe në zërin e medias, si përherë zhurmojnë makinacionet partiake, dhe s'dëgjohet a shkruhet gjëkundi për ndonjë pyetësor, shtab specialistësh (profesionistë dhe jo më emocione partiake) apo, ndonjë program konkret për të zgjidhur problemet e shumta që ka vendi.
Shqiptarët, indiferentë ndaj pazarllëqeve partiake, vazhdojnë ritin migjenian, shtëpi-punë e anasjelltas, ata që e kanë atë fat, të tjerët, e kush pyet për të tjerët!
Franca e Iluminizmit dhe e ideve të Revolucionit, me shembullin e saj gjatë kësaj fushate zgjedhore, vazhdon edhe sot të na ndriçojë rrugën që duhet të ndjekë politika shqiptare, që nuk duhet të bëjë të paditurin për nivelin e ulët të saj.

Duke hapur faqen e internetit të Z. Sarkozy shikojmë krahas biografisë së jetës, punës dhe aktivitetit politik të tij, ndodhet edhe ajo e vlerave ku shkruhet: "Besoj, para së gjithash tek Franca dhe francezët. Besoj tek respekti i ndërsjellët i gjithë secilit. Besoj tek puna dhe shpërblimi i saj. Besoj tek solidariteti me më të dobëtin. Besoj në forcën e së vërtetës. Besoj në ndryshimin. Besoj në një Francë të nderuar (të respektuar) në botë. Besoj se gjithë çka është e mundur".
Në praktikën e politikës shqiptare, meritat partiake dhe të funksioneve në parti, herë të diskredituara e të dyshimta për nga vlerat, janë treguesit e vetëm që iu serviren zgjedhësve tanë për t'i bindur. Megjithatë, kureshtja më shtyu të rrëmoj në internet për të gjetur ndonjë faqe, të zërit të vetëm të vetëshpallur (Fatos Nano). Një mundim i kotë.

Kaq pak vlerë ka zgjedhësi shqiptar për politikën tonë?
Për të gjykuar mbi nivelin e ideve dhe veprimtarisë të politikës së sotme shqiptare, duhet që ato të krahasohen me idetë dhe veprimtarinë e politikanëve të shteteve të përparuara perëndimore.
A nuk e ka vënë shteti ynë, hyrjen në familjen evropiane të Shqipërisë, si parësore të politikës dhe veprimtarisë së tij?
Shumë fjalime të nivelit u mbajtën nga pretendentët francezë për postin e Presidentit, por për një shqiptare si unë, me emocionoi ai i mbajtur me 24 prill 2007 në Rouen, nga Nicola Sarkozy ditën që u shpall fitues i turit të parë. Franca është një nga fuqitë ekonomike me peshë në Evropë dhe në Botë e, sigurisht, problemet e saj do të duken të largëta për zgjedhësin shqiptar. Por çuditërisht ky fjalim mu duk shumë i afërt për problemet që shqetësojnë shqiptarët. "Qëllimi i politikës është mirëqenia e popullit, jo ajo e administratës. Qëllimi i politikës është t'i shërbejë vendit të tij, dhe jo t'i shërbejë partisë së saj?


Franca nuk ka nevojë për sektarizëm. Sektarizmi është e kundërta e Republikës.
Republika është tolerancë?
Mendoj se në politikë gjithashtu ka një moral, fjala "moral" nuk më frikëson dhe kriza e sotme e politikës shkaktohet nga kriza morale në politikë. Kur nuk ka më moral, nuk ka më një politikë të vërtetë. Mendoj se Francezët presin të tjera gjëra nga politika se sa goditjet e pamoralshme personale? Zgjedhja e presidentit nuk është një komedi.

Nuk është një teatër hijesh. Është një zgjedhje e vështirë, e rëndësishme.
Dua t'i respektoj Francezët. Dua t'iu flas për idetë e mija, për bindjet e mija, për projektin tim. Dëshiroj të shkoj në takimet e tyre. Dëshiroj t'i dëgjoj. Dëshiroj të ndaj me ta gëzimet, vështirësitë dhe vuajtjet e tyre. Dëshiroj të kuptoj frikën dhe ankthet e tyre. Dëshiroj t'iu jap përvojën time.
Si mund të japësh përvojën kur nuk i kupton ?
Në rast se fitoj, dua të fitoj vetëm në saj të popullit, që është gjëja e vetme që më intereson, të jem kuptuar nga populli francez. Jo nga partitë, jo nga elitat, jo nga klasat politike, por nga populli i Francës. Ky është projekti im politik"...

Një komunikim i tillë, i bërë me sinqeritet e i bazuar në rezultatet e punës konkrete të mëparshme, do të ngrohte dhe do t'ua kthente besimin në zemrat e çdo shqiptari.
Por a mundet ndonjë përfaqësues i politikës shqiptare të dalë para popullit e të thotë me guxim se "nuk kam frikë nga gjykimi i popullit" siç tha Nicola Sarkozy para zgjedhësve të vet ?
Këta guximtarë, mund t'i numërojmë me gishta.

Krahina e Rouenit, ku u zhvillua takimi, është e përmendur për figurat e shquara në historinë e Francës dhe të botës, si Corneille, Horace, Cid, e sidomos për figurën legjendare të Jeanne d'Arc-es që në moshën 19 vjeçare, drejtoi ushtrinë mbretërore në luftën çlirimtare kundër pushtuesve të atdheut të saj, e për të cilin edhe u dogj në turrën e druve (30 maj 1431).
Përmendja e vlerave të historisë së shkuar të Francës zinte një vend qendror në fjalimin e tij;
"Në rast se një kandidat për president të Republikës franceze nuk flet për Francën, për kë duhet të flasë?
Dhe kur ai flet për Francën dhe nuk flet për historinë e saj sepse nuk di gjë për vendin e tij, pra, nuk është i përgatitur për ta përfaqësuar. Kjo është e vërteta?
Kjo kulturë është pjesë e vetes sonë dhe nuk kemi të drejtë ta mohojmë, ne e kemi për detyrë t'ua përcjellim fëmijëve tanë. Dëshiroj që shkollat të bëhen vendi i transmetimit të kulturës. Atyre të cilëve kjo nuk ju pëlqen, nuk janë të detyruar të qëndrojnë në territorin e Republikës franceze."

Dua t'iu bëj një pyetje shqiptarëve, në se kanë dëgjuar këto 20 vjet të flitet me respekt e përkushtim ndaj Shqipërisë, shqiptarëve dhe HISTORISË sonë, nga ana e politikanëve të të gjitha ngjyrave?
Ka 20 vjet që patriotizmi, në punën dhe fjalimet e politikanëve, ka dalë jashtë mode. Se sot në modë është vetëm fjalëkryqi "integrim në Evropë"?

A nuk duhet që të jenë politikanët të parët që të përmendin vlerat dhe historinë e vendit që përfaqësojnë brenda dhe jashtë Shqipërisë?
Në rast se Presidenti i Francës kujton, me të drejtë, vlerat 2000 vjeçare të katolicizmit në vendin e tij, a nuk duhet me po atë të drejtë, ta përmendin edhe shtetarët tanë faktin se kur Evropa Perëndimore dhe ajo Lindore ishin pagane, në tokat e Ilirëve (ku sot bën pjesë edhe shteti Shqiptar) praktikohej me kohë kristianizmi dhe jo të identifikohet Shqipëria me islamizmin, siç është bërë e zakonshme sot?

Përse në shkollat tona vazhdon të bëhet një histori e shplarë nga shumë fakte të rëndësishme jo vetëm për kombin tonë por edhe për historinë botërore?
Përse atashetë kulturore në Ambasadat tona në botë nuk gjurmojnë çdo botim që bëhet për Shqipërinë dhe shqiptarët, apo çdo botim të kësaj natyre tu bëhet i njohur bashkatdhetarëve tanë kudo që gjenden, por çdo gjë mbetet në duart e rastësisë dhe të iniciativave private?
Përse nuk përmenden kurrë në përvjetorët dhe takimet e shteteve të huaja, kontributi shumë i madh, që ata kanë pasur nga bijtë e popullit shqiptar për ndërtimin, modernizimin e shtetit të tyre, kulturës, mbrojtjes dhe në fushat e tjera?
Është e paimagjinueshme për çdo shtet në botë, që të mohojë e të mos ua mësojë brezave të rinj të popullit të tij, se nga e kanë prejardhjen, tashmë të provuar katërcipërisht nga studiuesit jashtë dhe brenda vendit.
Është një turp për Institucione të tilla si Akademia e Shkencave, Ministria e Arsimit dhe Kulturës, me gjithë institucionet që varen prej tyre të cilat mohojnë me kokëfortësi periudhën PELLAZGE dhe vlerat e rolin e gjuhës shqipe në historinë botërore, duke bërë një krim për brezat e ardhshëm që nuk arrijnë të njohin veten e tyre.
Dëshiroj të rivendos Francën në zemër të politikës, sepse kriza e identitetit francez po bëhet shqetësuese. Dëshiroj ta vendos Francën në piedestalin e nderimit nga politika, sepse nuk mund të integrohet asnjeri, po nuk e di ai vetë, se kush është. Nuk mund t'i bësh të tjerët të të duan, pa mësuar të duash veten tende. Dua të mbroj industrinë tonë, artizanatin tonë, bujqësinë tonë kundër vizionit teologjik të konkurrencës. Fjala mbrojtje nuk më frikëson. Pohoj se detyra e një Presidenti të Republikës është të mbrojë popullin që e ka zgjedhur, sepse kur uzinat do te jenë larguar (në vende të tjera), në se bujqësia do te zhduket, në rast se artizanët nuk do të mund të mbijetojnë, çfarë do të mbetet, do të zhduket gjithashtu?
Po të mos bëjmë asgjë, e të vazhdojmë të pranojmë presionet sociale, ekologjike, monetare, fiskale dhe në rast se do të vazhdojmë të tolerojmë konkurrencën e pandershme, Evropa, para se të katandiset në një shkretëtirë ekonomike, do të bëhet një shkretëtirë industriale dhe një shkretëtirë bujqësore. Mos më llogarisni mua për të pranuar këtë logjikë. Do të luftoj me të gjitha forcat e mija".
E ç'mund t'u themi ne, politikanëve tanë që luftojnë me heroizëm të paparë për të formuar qeveritë e tyre (sigurisht me mbështetjen e fondeve të mëdha monetare), e që i humbasin forcat, zërin dhe të gjitha financat e që i ngrijnë në akullin polar ligjet, që duhet të mbrojnë dhe zhvillojnë biznesin, bujqësinë, artizanatin e kulturën shqiptare?
Në ç'vend të botës hajdutët e lashtësisë rrëmbejnë pasurinë historike në mes të ditës dhe zhduket pjesa më e madhe e ujërave të një lumi të tërë, siç qe rasti i lumit Vjosa nga shteti grek?

Nga informacioni që ka mbërritur tek gazetat, vetëm për reklamat elektorale janë shpenzuar nga partitë 24 milion dollarë për zgjedhjet e 18 shkurtit 2007 ("Tirana Observer" 1.03.2007), pa llogaritur shifrat marramendëse, që partitë nuk i kanë zbardhur. Ndërkohë që si specialistët shqiptarë ashtu edhe ata të huaj, e kanë ngritur zërin me forcë, për nevojën urgjente për të restauruar, mirëmbajtur dhe mbrojtur pasurinë arkeologjike, ndërtimore dhe natyrore të vendit tonë, e cila nuk mund të zëvendësohet (siç është p.sh. kompleksi i Voskopojës, Linit e shumë të tjerë në të gjithë vendin) e që janë lënë pas dore për shkak të mungesës së fondeve.
Me çfarë do t'i tërheqë turistët e huaj shteti shqiptar?
Mos vallë me gërmadhat e gërmadhave që do të mbeten?! Reklama më e mirë për çdo parti dhe politikan është të tregojë se sa PATRIOT është ai në idetë dhe punën e tij, ndaj popullit dhe vendit të tij.
"Dua të jem një President që do t'i japë moral kapitalizmit financiar, dua t'i japë përparësi logjikës së prodhimit mbi logjikën e spekulimit ?
Ai që fiton shumë para dhe sjell begati, shkëlqyeshëm. Kush fiton shumë para kur drejton biznesin e vet me sukses, në rregull. Kush fiton shumë para kur investon dhe ndihmon në shtimin e punësimit, shumë mirë. Por të fitosh shumë para kur drejton një biznes me humbje, nuk mund ta pranoj sepse besoj tek puna, meritat, shpërblimi por nuk besoj tek spekulimi. Kjo është Franca ku ne duam të jetojmë."

Kështu duam edhe ne të bëhet Shqipëria ku të jetojmë, e nderuar, e mbrojtur e krenare për historinë, kulturën ,natyrën dhe shtetin e politikën tonë. "Ju keni vetëm një vend, vetëm një Atdhe. Juve ju takon të zgjidhni, jeni Ju, që do të bëni që 6 maj të jetë zëri i së ardhmes, apo ai i ngecjes në vend. Kam nevojë për ju, jo si shikues (për dekor), por si aktorë" Ky ishte mësimi që mora unë nga zgjedhjet franceze të 2007, kur dëgjova atë fjalim të mrekullueshëm të Presidentit francez Nicola Sarkozy.

Një fjalim që me kujtoi patriotizmin e Rilindasve dhe të politikanëve tanë të para luftës. Është në dorën tonë që t'ua japim votën jo Partive, por Programeve, që do të na shtrohen përpara.
Në të kundërt, s'kemi pse t'ua hedhim fajin të zgjedhurve tanë (politikanë) që nuk bëjnë gjë tjetër, veçse atë që dinë të bëjnë më mirë, d.m.th. të mendojnë vetëm për pasurimin e tyre personal, pavarësisht çmimit që paguan populli dhe Shqipëria.

Fatbardha Demi

Është nxirë qielli shpirt.

Kam vujatur deri në qelizen më të brishtë...teksa numëroj vitet që ikin pa ty pranë.

Ikin vitet apo vinë vite pa ty?

-Është nxirë qielli shpirt...ti mbret i diellit në perëndim. Perëndim i kuq, përgjakur qiellit tim të vetmuar. Gjashtë vite , gjashtë lule, gjashte lotë, gjashtë herë emrin tënd thërritur mes netësh. Gjashtë rrahje të një zemre të shkalluar nga vuajtja , për mos prezencen tënde aq jetike. Gjashtë kujtime me buzëqeshjen qëndisur e stolisur më mbajne gjallë sot, teksa të shkruaj këto fjalë:

Është nxirë qielli shpirt, o rreze dritë në vëgim ndriçomë!

-Të kam thënë që më mungon? Ti o ritual ndjesor i ditëve të mija. Ti o shok , vëlla i madh, prind...çati e lartë krenare...kulmi dhe themeli im. Më ndjen pranë, errësires pushtuese o shpirti im? Mos më thuaj që ke ftohte...Unë shpirtin kam djegur ndër vite veç ty të të ngroh...sado pak. Atje thellë nën tokën plakë , nën dheun e heshtur që mban mbretërit e vertetë. Mbreti im imzot...

-Të njome më le, ende më e vogel ndjehem sa herë nata zbret e ti mbreteron errësires se jetës muzg...Të mendoj kur shtrihem...e mbaj kokën larte, por shpirtin e ndrydhur zhys nën pëlhurat e shtratit të jetimes. Dramë!-Sa e vogël ndjehem, sa brishtë para gropës së humbjes tënde.

-Shpeshherë qëndroj në buzët e shqyera të kësaj grope thithëse, vë qënien mbi to dhe premtoj të vij tek ty...Ndjej zhurmën dhe britmat e humbjes të vijnë nga poshtë. Ndjej afshin e vetmise tënde mbi flokë të mi, por asgjë nuk ndodh...Asgjë! Shtrirë mbi gojë të shqyer të gropes vrastare, pres një shenjë tënden...Ti hesht...përsëri dhe une o shpirt hodha mbi të lulen e gjashtë...

Edhe sa kopshte për ty do ç'rrenjos? Ti rrënja e qënies timë fëmijë!

"Me shpirt të gjunjëzuar dhe me sy nga qielli, të pyes o Zot a vdes ëngjëlli?"
                                                                                                                                                                               Për tim atë.                                                                                                                                                            
                                                                                                                                                              Shkroi: Argita Lleshi                                                                                             Red. Stop Injorancës                                                                                                                                                                                                     

Kur shqiptarët shesin eshtrat për para

Një pazar ballkanik që ngërthen të kaluarën, ngërthen historinë, tokat e shtrirjen e shteteve.

Disa, jo pse në puthadoras apo servilë, por thjeshtë të pangopur nga babëzia janë të gatshëm të shesin edhe kockat e veta a të të parëve thjesht për të marrë ca para më shumë.

Duket se mbi këtë temë, Edmond Budina ka ngritur një film të tërë. "Ballkan Pazar", është një film historia e të cilit zë fill e merr jetë në një ngjarje të vërtetë.
Në kohën kur ndodhi u quajt skandal dhe qe një ndodhi që tërhoqi vëmendjen e shqiptarëve e grekëve për një kohë të gjatë: skandali i zhvarrimeve në Kosinë të Përmetit.
Ndodhia që ngërtheu opinionin publik dhe "ndezi gjakrat" plot katër vite më parë, pati në qendër të saj zhvarrosjen e eshtrave të vdekurve të fshatit Kosinë.  
Këto kocka u shitën si eshtra të ushtarëve grekë.
Por Budina, teksa e sheh atë me sytë e artit, e ka veshur ngjarjen me tisin e kinemasë. "Ballkan Pazar", pasi ka marrë jetë ndikuar nga ai skandal vjen i parë me një tjetër sy dhe pikërisht përmes humorit. Filmi, i xhiruar në Gjirokastër, me një kastë të zgjedhur aktorësh. Regjisori Edmond Budina ka marrë në filmin e tij aktorë nga Shqipëria, Greqia apo Maqedonia, por nuk është ndalur këtu, pasi i ka kërkuar ata edhe në perëndim si në Francë e Itali. Në mediat shqiptare ai është shprehur se "Ballkan Pazar" është një film tragjikomik, që në fakt nuk ka një qëndrim të caktuar për sa i përket mesazhit që përcjell. Filmi do të shfaqet që nga data 14 prill në rrjetin e kinemave 'Imperial', qendra 'Kristal' dhe kinema 'Agimi'. "Ballkan Pazar" është një prodhim i 'Erafilm Productions' me regji të Edmond Budinës. Premiera e tij jepet në Kinema Kristal, ditën e enjte, ora 20:30
"Kosinë - Varrezat greke me eshtra shqiptarësh"
Tema
A do t'i shisnit eshtrat e babait apo gjyshit, nëse ky do të ishte një biznes shumë fitimprurës?
Kjo është pyetja që shtron Budina në trailerin e filmit. Jolie franceze dhe Orsola italiane, nënë e bijë pas aventurës së humbjes së eshtrave të babait dhe gjyshit të tyre, dhe dërgimit gabimisht në një fshat në jug të Shqipërisë, zbulojnë mbase pazarin më të çuditshëm, atë të eshtrave me anë të të cilave mund të blihet dhe shitet historia në Ballkan. Pse të mos përfitonin dhe ato duke i shitur eshtrat e babait dhe gjyshit të tyre në këmbim të një dashurie të vërtetë

Historia jonë mbështetet në fakte të vërteta të ndodhura disa vjet më parë në jug të Shqipërisë, është një histori e ngatërruar mes kombesh të vjetra që e dinë mirë proverbin ballkanik: Aty ku kohës i ka mbijetuar varri i një bashkëkombësi tënd do të thotë se është një tokë për të cilën ja vlen të vdesësh.
Vetë Budina interpreton njërin prej roleve të filmit, e pikërisht priftin e Kosinës që ka parë të arsyeshme të bëjë biznes duke shitur eshtrat në varrezat e fshatit. Teksa dy gra (nënë dhe bijë), kërkojnë eshtrat e gjyshit dhe babait, gjejnë dhe dashurinë në fshatin e humbur në jug të Shqipërisë. Pa e ditur fare se çfarë gjëje e madhe po ndodh në atë fshat të humbur, vajza dashurohet me një gazetar një shqiptar po ndjek ngjarjen e rëndë. Ndërkaq, as nëna nuk mbetet pas. Ajo dashurohet me një grek, që ndodh të jetë biznesmeni i eshtrave. Kjo është një tjetër pikë e fortë e filmit, ku shohim realitetin ballkanas dhe shitblerjet e tij, dhe një realitet tjetër europian.

Filmi
Në prononcimet e tij mbi filmin, Budina është shprehur se kishte menduar si titull për të "Vallja e flamujve". Më tej i erdhi ideja e titullit aktual dhe kjo sipas Budinës ka një shpjegim të thjeshtë. Ai e titullon "Ballkan pazar" sepse i shkon më shumë për shtat absurditetit të këtij gadishulli, ku sipas regjisorit çdo gjë shitet e blihet, nga kockat tek idetë, nga pasuritë e deri te historia. Teksa e konsideron një fenomen më së shumti ballkanik, Budina thotë se "ne e njohim më mirë këtë realitet, por besoj që kudo ndodh pak a shumë e njëjta gjë, përgjithësisht në vendet ku ka konflikte, po pse jo edhe në vendet e qytetëruara, sigurisht në një formë më të lehtë". Në opinionin e tij, në Ballkan ky realitet është më i dukshëm, sepse edhe marrëzia është më e madhe. "Nuk e di në ç'zonë tjetër do të zhvarroseshin të vdekurit e viteve tetëqind për t'i paraqitur si ushtarë të vrarë më 1940, e të ndërtohej edhe një varrezë monumentale që prej vitesh është bosh" - është shprehur Budina, teksa flet për realizimin e tij më të fundit kinematografik.

G. Shqiptare, Fatmira Nikolli


Këtu mund të ndiqni trajlerin e këtij filmi: http://www.youtube.com/watch?v=1Llr4oasHwY
Stop Injorancës

Tuesday, April 12, 2011

Ne, të vrarët

Lajmet për shqiptarët ndodh shumë rrallë të jenë të gëzueshme, për të mos thënë nuk ndodh kurrë.

Mesditën e djeshme një lajm më i hidhur se mitingu i Berishës në Librazhd apo takimi i Ramës në njësinë numër dhjetë të kryeqytetit, tronditi mbarë opinionin publik. I biri i një të vrari drejtpërdrejtë nga dora e qeverisë shqiptare, i dha fund jetës në kushtet e një depresioni të thellë që unë do e cilësoja si dëshpërim dhe zhgënjim nga e tërë shoqëria.

Djali i Faik Myrtajt nuk është as i pari dhe as i fundit që i jep fund jetës në Shqipëri, por ajo çka e bën më të kobshëm këtë lajm është fakti se ai me paramendim të plotë i dha fund jetës së tij në moshën 22-vjeçare, jo për bukën e gojës siç bëjnë shumë e shumë të tjerë gjatë një viti. Bardhoshi shkrehu pistoletën në kokën e tij duke gjetur vdekjen e menjëhershme sepse ai nuk e takoi të atin për së gjalli pas protestës së 21 janarit.


Unë kam bindjen e plotë se Bardhoshi sikurse dhe ne të tjerët, ka pësuar zhgënjimin më të rëndë që mund të përjetojë një popull në demokraci; atë të gjetjes së fajtorit e mos dënimit të tij. Tronditja e madhe që pësoi mbarë shoqëria shqiptare pas vrasjeve në mes të bulevardit i solli dëshpërim dhe pasiguri mbarë opinionit publik.

E si mund ta priste ndryshe nga ne të tjerët djali i Faikut vrasjen e të atit?
Unë me cilësinë e qytetarit të ndershëm, korrekt me këtë qeveri dhe ligjet e saj, bëj fajtor drejtpërdrejte Ministrinë e Punëve të Brendshme për plumbin 8 milimetra në kokën e Bardhosh Myrtajt, po aq sa e bëj fajtore edhe për ato plumba të automatikëve mbi trupat e dhjetëra qytetarëve më 21 janar.


Vrasja e Bardhoshit është po aq e kobshme dhe për faktin se ai nuk kishte ngurruar të shkruante dy orë para se t'i jepte fund jetës, një mesazh në rrjetin social "Facebook' ku shprehej se "nëse ke zgjedhur rrugën tënde, atëherë zgjidh më të mirën sepse unë fitova llahtarinë".


Askush nuk mund ta fajësojë Bardhoshin për vetëvrasjen, kur ai me sytë ë tij pa gardistë që zgërdhiheshin në sallën e gjyqit dhe kur kuptoi se as thirrja e mbarë opozitës dhe as ato të familjarëve nuk e ndërgjegjësonin drejtësinë shqiptare.


Fajtore e pashembullt në këtë vetëvrasje është Ministria e Brendshme dhe mbarë qeveria shqiptare, jo vetëm se i vrau të atin në mes të Bulevardit Dëshmorët e Kombit, por dhe për një fakt tjetër. Bardhosh Myrtaj vetëm 22 vjeç kishte një pistoletë, armë luftarake kjo që nuk i takon atij ta mbajë dhe e dalë nga depot e ushtrisë apo policisë shqiptare.

Vdekja e Bardhoshit duhet konsideruar gjithashtu si vrasje e drejtpërdrejtë sepse vetë logjika e kryeministrit të vendit dhe larove që rrinë pranë tij, e cilësojnë si të tillë. Të gjithë jemi dëshmitarë të debatit për vrasjen e ish kryeministrit Mehmet Shehu rreth 30 vjet më parë dhe që vazhdon ende të diskutohet.


Versioni zyrtar i Sali Berishës dhe palaçove rreth tij ndryshe nga ai i grupit hetimor është se Mehmetin me të vërtetë s'e kanë vrarë, por fjalët e rënda të Enver Hoxhës në mbledhje e bënë që të vriste veten dhe ky i fundit është indirekt vrasës. E pra, përse fjalët e Enver Hoxhës paskan ndikuar më shumë tek Mehmet Shehu se sa fjalët e Sali Berishës tek Bardhoshi apo plumbat mbi të atin?


Si ta kuptojmë neve këtë kur kryeministri i vendit, nënën e Bardhoshit dhe e të gjithëve ne i ka cilësuar si lavire, ndërsa baballarët dhe vëllezërit si të droguar. Unë gjej vetëm një përgjegjës tek vrasja e Bardhosh Myrtajt. Ajo është qeveria shqiptare dhe organet e policisë që pikërisht në fushata elektorale bëhen më agresive se kurrë duke provokuar dhe dhunuar këdo, në çfarëdolloj rrethane dhe pa iu dridhur qerpiku fare duke i vënë vetes vulën e zezë dhe kjo ndodh sa herë që qeveria shqiptare drejtohet nga ky njeri që kemi sot mbi krye.


Policia e Shtetit si kurrë më parë për vrasjen e Bardhoshit nuk dha arsyen dhe shkaqet sepse nuk ka fytyrë ta pohojë këtë. Kam bindjen e plotë se janë gati të bëjnë çdo gjë për ta nxjerrë vetëvrasjen e tij si pasojë e një borxhi të madh që nuk e shlyente dot, që dhe në se e ka pasur, tregon mjerimin e kësaj shoqërie që s'bëri kurrë përpara. Vrasja e Bardhosh Myrtajt nga fshati Kreshpan i Fierit, nuk është e para.

Një vit pas shpërthimit në Gërdec ku po kjo qeveri me këto surretër si ministra vrau 26 vetë, një baba i dha fund jetës.
Ai ishte Kujtim Osmani, i cili kishte humbur nga flakët e Fatmir Mediut, të bijën e tij Resmie Osmanin, vetëm 18 vjeç. Kujtimi si dhe Bardhoshi nuk mundën kurrë të merrnin përgjigje dhe të shihnin fajtorët para drejtësisë sepse vrasësit e familjarëve të tyre nuk ishin një person i vetëm, por një qeveri e tërë.


Deri atëherë sa guximi dhe drejtësia të na rikthehen dhe vrasëse apo avokate e krimit të jetë vetë qeveria, duhet të kuptojmë se kemi rënë në gjak me qeverinë.  

Ndryshe nuk kanë si shpjegohen makinat e blinduara qindra milionëshe dhe rrethimet e rrugicave të ministrave me kompani të tëra ushtarësh. Plumbi që depërtoi në kokën e 22-vjeçarit Bardhosh Myrtaj duhej të ishte ngulur diku tjetër. Në atë vend që e kemi të gjithë në mend, por nuk na e mban ta themi se i trembemi fatit të Kosta Trebickës.
Ardit Rada, Shekulli

Adoleshenti shkonte me gruan e politikanit, por dhe me vajzën e tij!

Susan Brock para gjyqit!
Gruaja e një politikani në Arizona, SHBA, është burgosur me 13 vite për shkak se kishte një aferë tre vjeçare me një adoleshent.

Susan Brock nisi ta mashtronte adoleshentin me lojëra të tilla si Xbox që kur ai ishte 11 vjeç.

Nëna e tre fëmijëve nisi të bënte seks me adoleshentin kur ishte 13 vjeç dhe lidhja vijoi deri kur ai u bë 17 vjeç.



Por në të njëjtën kohë, edhe vajza e saj, 18 vjeçarja Rachel, shkonte me adoleshentin. Edhe ajo do dalë në gjyq, por pritet të marrë një dënim më të ulët.

Burri i saj, drejtues në një bashki të Arizonës, ka kërkuar divorcin.

Tema

Rruga e Arbrit, fituesi i paracaktuar

Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve ka zhvilluar në datën 8 prill dy tendera.
I pari ka qenë ai për ndërtimin e ‘Rrugës së Arbrit’ (segmenti Ura e Brarit – Hyrje tuneli Qafë Murrizë), me fond limit të përcaktuar, vlerën prej 1.945.051.750 lekësh.
Ndërsa tenderi i dytë ka pasur për objekt prokurimi sistemim-asfaltimin e rrugës Librazhd-Qafë Stude (loti 3). Fondi limit i përcaktuar ka qenë 1.894.399.110 lekë. Për të mundësuar që të dy këto tendera të fitohen me vlerën e tyre të plotë, nga ana e DPRR-së është vendosur një kriter diskriminues, që aktualisht e plotësojnë vetëm dy firma.
Bëhet fjalë për kompanitë “Gener 2” dhe “Victoria Invest”, të cilat dyshohet se janë paracaktuar si fituese.

Tek kërkesat e kualifikimit të të dyja prokurimeve, kriteri diskriminues i vendosur nga ana e DPRR-së është se “kandidati/ofertuesi duhet të dorëzojë licencën profesionale për ekzekutimin e punëve me kategorinë NS-10 G (shtresa dhe mbistruktura speciale) me vlerë të punimeve të kryera mbi 800 milionë lekë”.  
Pikën e licencimit NS-10 G, deri para dy muajsh, nuk e ka disponuar as edhe një shoqëri e licencuar në Shqipëri në fushën e ndërtimeve.
Kjo pikë licence iu jepet firmave për punime speciale siç janë pistat aeroportuale dhe nuk ka të bëjë fare me ndërtimin e rrugëve. Për të shmangur konkurrencën, “Gener 2” dhe “Victoria Invest” iu është dhënë kjo pikë licence vetëm para dy muajsh. Duke qenë të sigurt se nuk ka asnjë firmë tjetër që e plotëson kushtin NS-10 G, atëherë nga ana e Drejtorisë së Përgjithshme të Rrugëve është përdorur ky kriter tek të dy tenderat. Dyshohet se “Gener 2” dhe “Victoria Invest” janë futur në tender, tek njëra në vend të parë dhe tjetra plotësuese dhe tek tenderi tjetër anasjelltas. Të bindura se në të dy prokurimet nuk mund të marrë pjesë asnjë firmë tjetër vlera do të jetë e plotë pa ulje. Tendera të tillë të zhvilluar vetëm pak kohë më parë janë ulur me mbi 30 për qind.
E kontaktuar dje nga “Gazeta Shqiptare”, zëdhënësja e Ministrisë së Transporteve, Arminda Qylafku nuk ka preferuar të bëjë as edhe një koment lidhur me fatin e tenderit për ndërtimin e rrugës së Arbrit apo asfaltimit të rrugës Librazhd-Qafë Stude. Në rast se në datën 8 prill, fitues të të dy tenderave janë shpallur “Gener 2” dhe “Victoria Invest”, atëherë prapa skandalit dyshohet se fshihet edhe një aferë e madhe korruptive, pasi në vlerë totale të dy prokurimet kapin shifrën rreth 4 miliardë lekë.

Pronari i shoqërisë “Gener 2” është Bashkim Ulaj, në pallatin e ndërtuar prej të cilit, banon aktualisht kryeministri, Sali Berisha. Ulaj njihet gjithashtu dhe si një prej biznesmenëve më të afërt pranë shefit të qeverisë.
Avokati i Prokurimeve në raportet e tij vjetore të dy viteve të fundit (2009 dhe 2010) në mënyrë të përsëritur ka ngritur si shqetësim kryesor vendosjen nga autoritetet shtetërore kontraktore të kritereve diskriminuese në hartimin e dokumentit të tenderit.  
Sipas Avokatit të Prokurimeve, kriter diskriminuese kanë si synim favorizimin e subjekteve të caktuara, firmave tenderuese, duke krijuar premisa për shmangien e konkurrencës së ndershme.

G. Shqiptare, Tedi Blushi