Historiani i njohur Pëllumb Xhufi, deklaron se gjithë politika greke gjatë këtyre viteve të fundit, synon helenizimin e jugut të Shqipërisë. Sipas tij, kjo përpjekje synohet së fundmi që të arrihet me anë të regjistrimit të popullsisë, me anë të së cilës Greqia kërkon që të rrisë në mënyrë artificiale numrin e minoritarëve në Shqipëri. Ai shprehet se qeveria shqiptare tashmë i është nënshtruar Greqisë dhe nuk po mbron dhe kërkon të drejtat e popullit shqiptar, siç është çështja çame.
Shkrimtari i njohur, Ismail Kadare, pohonte pak ditë më parë në një interviste se marrëdhëniet Shqipëri-Greqi nuk kanë qenë kurrë të mira. Sa e vërtetë është kjo dhe nëse është, çfarë ka ndikuar në këtë raport?
Kadareja ka thënë një të vërtetë, ka bërë një konstatim, i cili i përgjigjet realitetit. Natyrisht, do pritej nga Kadareja, por dhe nga intelektualë të tjerë të shquar shqiptarë, që janë referenca të qarta për popullin shqiptar, të flitej dhe të diskutohej për tema të tilla, siç janë marrëdhëniet e Shqipërisë me Greqinë. Thashë se është një konstatim i vërtetë, sepse për fat të keq, që nga viti 1991, kur filloi ndryshimi i sistemit në Shqipëri, Greqia zyrtare dhe jo zyrtare, është paraqitur në vendin tonë në format e Greqisë së vjetër, të nacionalizmit, me të njëtat platforma, me të njëtat dosje të pluhurosura, duke zhgënjyer shpresat e shqiptarëve, të cilët kishin shpresa se Greqia mund të ishte një mbështetje dhe një fqinj i mirë, një pikë referimi për rrugën e re të Shqipërisë drejt Europës. Greqia është bazuar në marrëdhëniet me Shqipërinë mbi bazën e nacionalizmit dhe skemave të vjetra. Ajo ka injoruar gamën e problemeve që ekzistojnë midis dy vendeve, që nga koha e themelimit të shtetit shqiptar. I tillë është problemi i njohjes së kufijve, të caktuar dhe të njohur ndërkombëtarisht në Konferencën e Paqes. Pra, sot e kësaj dite, Greqia nuk i njeh këto kufij. I tillë është pastaj edhe ligji i luftës nga Greqia, i vendosur gjatë vitit 1940, i cili në mënyrë absurde mbahet në fuqi ende për qëllime të qarta. Një prej këtyre qëllimeve është për të mbajtur akoma të sekuestruara pasuritë e qytetarëve shqiptarë në Greqi, pasuri, e cila sipas vlerësimit që është bërë disa dekada më parë, arrin në miliarda dollarë.
Këtu e keni fjalën për pasuritë dhe pronat e çamëve?
Jo, këtu nuk bëhet fjalë për pasuritë e çamëve. Ky është një problem tjetër, i cili ka lindur para çështjes çame, që në vitin 1940 me shpalljen e ligjit të luftës nga ana e mbretit të Greqisë. Ky ligj u shoqërua me ngrirjen e pasurive të qytetarëve shqiptarë. Këtu bëhet fjalë për pasuri të mëdha tokësore, pyje, kullota, magazina, dyqane etj, të cilat shtrihen në zonën e Thesalisë dhe Maqedonisë, por dhe në trevat e tjera të Greqisë.
Një nga çështjet më të ndjeshme me Greqinë është ajo e çamëve. Ministri i Jashtëm grek, vetëm pak ditë më parë deklaroi se kjo çështje nuk ekziston..
Ky është një nga problemet më të mëdha të marrëdhënieve me Greqinë dhe po injorohet plotësisht. Në fillim të viteve 90 në fakt, kjo çështje ishte pranuar nga ana e Greqisë si një problem. Çamëria, pas pushtimit në vitin 1913 nga ana e Greqisë, është njohur si minoritet. Greqia u detyrua që ta bënte një gjë të tillë, pasi u njoh si i tillë nga Lidhja e Kombeve. Sot për çudi, pala greke, pas masakrimit dhe dëbimit të tyre me dhunë në dimrin e vitit 1944-45, nuk e njeh këtë si problem dhe thotë se nuk ekziston. Ndërkohë, këtu në Shqipëri ka 200-300 mijë çam nga ata të shpërngulurit, të cilët janë duke u shuar vit pas viti, megjithëse tashmë kanë lënë fëmijë dhe nipërit e tyre pas.
Sa kanë bërë qeveritë shqiptare për problemin çam dhe a duhet të këmbëngulet kaq shumë për këtë çështje?
Problemi është shtruar, biles është shtruar edhe nga shteti komunist në vitet e fundit të qeverisjes, kur pati kontaktet e para me Greqinë. Dihet që marrëdhëniet diplomatike me Greqinë u rivendosën në vitin 1971, por pala greke evitoi për vite me radhë kontaktet politike. Jam i bindur se kjo gjë ka ndodhur pikërisht për faktin se Greqia kërkonte që të shmangte ngritjen e problemeve të vjetra që Greqia kishte me Shqipërinë. Në vitin 1990 dhe 1991, gjatë takimeve të kryeministrit grek, Micotaqis me drejtuesit e fundit të qeverisë komuniste, Adil Çarçanin dhe Ramiz Alinë, pala shqiptare ka ngritur çështjen çame. Dhe kjo që ka ndodhur edhe me qeverinë e parë shqiptare demokratike, qeverinë “Meksi”. Kjo çështje është ngritur në mënyrë të përsëritur dhe pala greke, jo vetëm e ka njohur këtë si problem, por ka rënë dakord për ngritjen e një komisioni miks, për të trajtuar aspekte të ndryshme të çështjes çame. Por, tashmë ne kemi një kthim prapa. Sot pushtetarët grekë pretendojnë që nuk ka një çështje të tillë dhe thonë se çështja çame nuk ekziston. Të gjithëve besoj u kujtohet se si në vitin 2005, presidenti grek, Papulias, anuloi një takim me homologun e tij shqiptar në Sarandë, Alfred Moisiu, madje u kthye në mes të rrugës, sepse mori veësh që në vendin e takimit ishte mbledhur një grup paqësor çamësh, të cilët paraqisnin problemet e tyre me një frymë paqësore dhe aspak agresive apo nacionaliste. E gjithë Greqia zyrtare e përshëndeti këtë akt të paprecedentë dhe të turpshëm të presidentit Papulias, i cili shkaktoi një skandal diplomatik, për t’i qëndruar besnik një stereotipi që është krijuar nga politika greke, ajo e injorimit të çështjes çame. Problemi është se ky regres në çështjen çame, ka ardhur për faktin se qeveria shqiptare është tërhequr nga kjo çështje. E thashë edhe më sipër që, deri në vitiet 90, problemi çam, madje edhe problemi i kufijve dhe pronave të qytetarëve shqiptarë, të cilat po përdoren nga shteti grek, kanë qenë shtruar në tryezën e bisedimeve. Në këtë tryezë kanë qenë të shtruara edhe diskutimet për ndarjen e ujërave të brendshme, lumenjve, për të cilat ka pasur diskutime edhe para viteve ’90, në mënyrë që të arrihej një marrëveshje. Pra, ka një sërë çështjes, të cilat duhet të përbëjnë axhendën e qeverisë shqiptare. Kjo e fundit, në mënyrë të hapur, ka deklaruar se ka hequr dorë nga kjo axhendë. Këtë gjë e ka thënë kryeministri Berisha gjatë takimit të tij me ish-homologun grek Karamalisin pak kohë më parë. Berisha deklaroi se Shqipëria nuk ka asnjë problem me Greqinë, gjë që nuk është e vërtetë, gjë që është një kapitullim i politikës shqiptare ndaj interesave të vendit dhe popullit shqiptar. Unë gjykoj se një shtet me dinjitet dhe që ka sensin e sovranitetit, nuk duhet të heshtë, kur një shtet tjetër, qoftë edhe më i fuqishëm, i kërkon që të heshtë. Për çështjen çame, autoritetet greke kanë kërkuar që mos të diskutohet dhe mos të shtrohet më. Këtë gjë e kanë kërkuar në mënyrë laksative. Për fat të keq, qeveritarët shqiptarë kanë lëshuar përballë kësaj kërkese dhe gjatë viteve të fundit, në takimet e nivele të larta, kjo çështje nuk është ngritur. Politika shqiptare, duke braktisur axhendën dhe interesat e vendit, është vënë në zbatim të axhendës dhe interesave greke. Dhe çfarë ka ndodhur këto vite në Shqipëri? Është përmbysur Kisha Autoqefale Ortodokse, duke vënë në krye të saj zotin Janullatos, një prelad grek, por duke përmysur njëkohësisht edhe sinodin e kishës, i cili përbëhet kryesisht nga qytetarë grekë. Ne kemi parë që të hapen shkolla në gjuhën greke në Himarë dhe në Korçë, me një folklor dhe simbolikë të qartë nacionaliste, për të treguar që këto vende janë greke. Këtë e kanë thënë qartë zyrtarë të lartë të qeverisë greke, si ministri i Arsimit aoi zëvendësministri i Jashtëm grek, të cilët kanë ardhur për inaugurimin e këtyre shkollave. Është lejuar që të ngrihen simbole helene, siç janë varrezat e famshme apo komplekset monumentale në vijën virtuale të Vorio-Epirit, që nga Korça deri në Gjirokastër, siç janë varrezat e Këlcyrës, të cilat u shoqëruan me skandale dhe shkelje të rënda të ligjit. Përmendim këtu dhunimin e varreve të fshtarëve të Kosinës, të cilat u trafikuan dhe u tentuan që të paraqiteshin si eshtra të ushtarëve grekë. Shteti shqiptar dhe prokuroria shqiptare këtë çështje e lanë, në vend që të dënonin fajtorët, të cilët tashmë janë gtë identifikuar. Kanë ndodhur ndërkohë edhe ngjarje të tjera shumë të rënda.
E keni fjalën për paktin mbi ujërat detarë?
Por, pikërisht për marrëveshjen e ndarjes së ujërave territoriale, një marrëveshje e cila nuk ka qenë fare në axhendën e marrëdhënieve greko-shqiptare. Ajo është futur në mënyrë kontrabande dhe shkelte ligjet dhe Konventën Ndërkombëtare të Ujërave. Kjo çështje nuk ka ekzistuar asnjëherë dhe deri tre-katër vjet më parë, pala greke nuk e ka ngritur këtë si çështje. Pala greke nuk mund ta ngrinte çështjen e kufijve detarë, në një kohë që ajo nuk njeh kufijtë tokësorë. Greqia e ka ndërgjegjien e prishur, pasi nuk është në rregull me ligjet dhe konventat ndërkombëtare, nuk është në rregull me partnerin e saj, Shqipërinë, përsa i përket kufirit të vendosur 100 vjet më përpara dhe të njohur nga forumet më të larta ndërkombëtare, siç ishte Lidhja e Kombeve dhe Konferenca e Ambasadorëve. Kjo kërkesë është shtruar tre-katër vitet e fundit në mënyrë ultimative nga ana e qeverisë greke dhe qeveria shqiptare, skllave e veseve dhe korrupsionit të saj, që nuk është vetëm korrupsion politik, u vu në zbatim të kësaj marrëveshje, duke i hequr shtetit shqiptar mbri 300 km katror det, në një zonë ku kufiri detar mes Shqipërisë dhe Greqisë është vetëm 4 km në kanalin e Korfuzit. Kufiri grek vinte deri afër bregdeit shqiptar, të Ksamilit dhe Sarandës. Bëhet fjalë deri 700 metra afër kufirit shqiptar. Me të drejtë, Gjykata Kushtetuese e hodhi poshtë këtë marrëveshje në mënyrë kategorikë dhe me një votim të paprecedentë. Kjo marrëveshje ishte antikombëtare, pasi ishte një shitje e territoreve në favor të një shteti të dytë.
Vorio-Epiri është një axhendë reale e qeverisë greke apo është më shumë një frikë e shqiptarëve?
Unë besoj që po, pasi konsulli grek në Korçë, e deklaroi në mënyrë të hapur kauzën e Vorio-Epirit dhe madje shpalli të hapur luftën për Vorio-Epirin. Ky nuk është i vetmi, pasi ka edhe zyrtarë të tjerë të lartë grekë, sidomos pas vitit 1990, të cilët e kanë artikuluar gjithmonë e më shpesh kauzën e Vorio-Epirit. Unë mund të them me kompetencë dhe me bindje të plotë se gjashtë pikat që kryeministri Mitocaqis, ia paraqiti në mënyrë ultimative qeverisë shqiptare në vitin 1993, kanë të bëjnë me kauzën e Vorio-Epirit dhe me helenizimin e jugut të Shqipërisë. Lëvizjet e fundit, në një radhë lëvizjesh, që nga hapja e shkollave greke, që nga ngritja e simboleve greke gjithandej në jugun e Shqipërisë, duke përfshirë edhe varrezat monumentale që përmenda më sipër, që nga dhënia e pensioneve qytetarëve shqiptarë jo vetëm me kombësi greke, por edhe atyre me kombësi shqiptare, promovimi dhe mbështetja e bizneseve të caktuara, depërtimi i tyre në jugun e Shqipërisë, mosnjohja e kufirit etj, vijnë dhe përfundojnë tek hapi tjetër i turpshëm, regjistrimi i popullsisë.
Kjo puna e regjistrimit mos është një frikë e pabazë?
Fakti që qeveria greke ka reaguar me shqetësim të madh pas lëvizjeve të fundit dhe debatit që ka lindur në Shqipëri kundër këtij ligji, debat vërtet i shëndetshëm, shumë qytetar, civil dhe evropian, tregon se ka qenë pikërisht qeveria greke ajo e cila ka ushtruar presion mbi qeverinë shqiptare, për të bërë një regjistrim të popullsisë mbi bazën e etnisë dhe besimit fetar. Ky regjistrim është në kundërshtim me kartën e OKB-së dhe Kopenhagenit dhe me atë të Këshillit të Europës për mbrojtjen e minoriteteve, sepse asnjë nga këto dokumente nuk bën fjalë për përcaktime etnish.
Ata që janë pro këti regjistrimi thonë se kjo do të shërbente për të identifikuar numrin real të minoritarëve në Shqipëri. Ku qendron e keqja këtu?
Shqipëria është një shtet i vjetër tashmë, nuk është një shtet që ka lindur nga shpërbërja e ish-Jugosllavisë apo Bashkimit Sovjetik. Shqipëria është një shtet që ka lindur që në vitin 1912 dhe në vitin 1921, Shqipëria ka hyrë në Lidhjen e Kombeve, duke nënshkruar një traktat me komunitetet e shteteve. Me këtë traktat, Shqipëria njihte minoritetet në vendin tonë, në radhë të parë minoritetin grek, ashtu si atë malazez dhe maqedonas dhe mori përsipër të mbronte të drejtat e minoriteteve, duke filluar nga minoriteti grek. Çdo vit, Shqipëria ka paraqitur raporte të rregullta në Lidhjen e Kombeve, që nga viti 1922, kur ka deklaruar sa shkolla ka hapur në fshatrat minoritare. Zona minoritare është përcaktuar nga Lidhja e Kombeve dhe është pranuar edhe nga vetë Greqia. Kjo e fundit nuk pretendonte më pas vitit 1921 se Korça ishte greke, siç thotë sot konsulli grek në Korçë, i cili përfaqëson shtetin dhe qëndrimin e Greqisë. Absolutisht nuk pretendonte që Përmeti dhe Gjirokastra ishin greke. Madje atëherë nuk pretendonin që as Himara nuk ishte greke. Himara nuk figuronte në listën e fshatrave minoritare. Pra, minoritetet janë njohur në Shqipëri dhe u janë njohur të drejtat bazë, siç është p.sh arsimimi në gjuhën e tyre, që në fillimet e shekullit XX. Këtu Shqipëria nuk bën përjashtim nga vende të tjera, si Rumania, Jugosllavia, Polonia, Sllovakia, të cilat u detyruan që të njohin komunitetet minoritare. Kështu që, nuk mund të pretendohet sot për Shqipërinë se ç’popullsi minoritare ka. Shqipëria i ka një për një minoritarët të regjistruar në Regjistrin Themeltar dhe nëse dikush do të mësojë numrin e saktë të minoritarëve, mund të shkojë dhe të shohë tek ky Regjistër. Mund ta marrë vesh brenda ditës se sa është numri i minoritarëve në Shqipëri. Problemi është se qëllimi i regjistrimit të popullsisë është bërë i qartë. Këtë e tha qartë konsulli grek në Korçë, i cili pohoi se dëshiron që të regjistrojë ortodoksët shqiptarë në Korçë dhe popullsinë me origjinë arumune, si grekë, duke ngjalur edhe reagimin e ashpër të komunitetit arumun. Pra, qëllimi është të ndryshohet raporti i minoriteteve mbi një kriter jo objektiv, si është ai i regjistrimit të popullsisë mbi bazën e etnisë, ku gjithkush mund të deklarojë sipas dëshirës kombësinë.
A rrezikohet jugu i Shqipërisë që një ditë të helenizohet?
Gjithë kjo politikë që është zhvilluar këto 20 vitet e fundit nga shteti grek, për fat të keq edhe nga përfaqësues politikë të minoritetit grek në Shqipëri, që unë jam i bindur nuk përfaqësojnë interesat reale të komunitetit grek, ka pikërisht këtë qëllim. Qëllim që deri tani nuk është arritur, madje as në Himarë. Greqia, me presion të shumta, të cilat nuk janë vetëm politike, por ekonomike në radhë të parë, kërkon që të fryjë numrin e minoritarëve në Shqipëri. Në vitin 1922, minoriteti grek rezultonte në 16 mijë vetë. Ky numër, me kalimin e viteve është rritur, por këtu nuk bëhet fjalë për shuifrën e 400 mijë personave, siç pretendojnë qarqet e zellshme ekstremiste greke, as për 300 mijë, siç është shprehur ndonjë qeveritar i lartë grek dhe as për 100 mijë vetë. Ne e dimë se për shumë arsye, një pjesë e madhe e tyre janë vendosur tashmë në Greqi dhe numri i minoritarëve në Shqipëri është akoma shumë i vogël. Gjithsesi, edhe ata që kanë ikur dhe kanë marrë pasaportën greke, ne i konsiderojmë si qytetarë shqiptarë. Por, nëse në vitin 1989 rezultonte që në Shqipëri të ishin 60 mijë minoritarë grekë, megjithë dëshirën e mirë, absolutisht që ky numër nuk mund të shkojë më shumë se 100 mijë. Ky numër megjithatë mund të verifikohet shumë lehtë në bazë të Regjistrit Themeltar. Rëndësi ka që komuniteti grek i ka gëzuar të drejtat themeltare që në fillim të shekullit XX. Këto të drejta janë zgjeruar me kalimin e viteve. Pra, në Shqipëri nuk ka asnjë problem me minoritetet. I vetmi problem është qëllimi i qarqeve zyrtare dhe jozyrtare greke, që kërkojnë të vënë në zbatim planin e pluhurosur të aneksimit të jugut të Shqipërisë.
Bisedoi: Bledar Lumani, Tema