Wednesday, June 8, 2011

Vetëm 20 nxënës u kapën me kopje sivjet, e dini pse...?

Duhet të numërohen me gishtat e dorës ata që nuk kanë menduar ndonjëherë që të kopjojnë! Kjo është e ëprbashkëta, ndërsa ajo që i dallon është fakti se secili ka një metodë të vetën për ta realizuar diçka të tillë. Mënyrat e kopjes sot janë art më vete, kjo për shkak se teknologjia sa vjen dhe zhvillohet dhe jo vetëm thjeshtëzon jetesën e njeriut, por edhe kopjen e studentëve, së fundmi.


Kufja Magnetike


Kjo është një risi në "fushën" e kopjes. Realizohet përmes një kufjeje 2 milimetërshe, e cila vendoset në vesh dhe nuk mundet të shihet me sy të lirë. Fijet e saj vendosen në trup, dhe përbëhen nga një bateri që realizon lidhjen e kufjes me kabllin, mikrofoni dhe fija që lidhet me celularin. Kjo kufje është bërë shpesh herë objekt diskutimi ndër profesorë pasi mbart probleme të ndryshme. Ajo madje mund të ngecë në vesh dhe për ta hequr do duhet ndërhyrja e mjekut ORL. Çmimi i tyre varion nga 3500 - 5000 Lek.


Doktorët konfirmojnë: Ka dhjetëra raste dëmtimesh


Dy doktorë që Shekulli kontaktoi pranë spitalit ORL në Qendrën Universitare "Nënë Tereza" në Tiranë e konfirmuan lajmin se ditët e fundit, që përkojnë edhe me zhvillimin e provimeve të Maturës, ka patur dhjetëra raste të nxënësve dhe studentëve që kanë kërkuar ndihmë mjekësore për shkak të përdorimit të kufjeve. Doktorët kërkuan të mos identifikohen. Sipas tyre, kufja "mund të sjellë dëmtime në kanalin e veshit dhe në raste të rralla mund të dëmtojë daullen e veshit e mund të shkaktojë edhe trauma akustike".

Sipas mjekëve, dëmtimet shkaktohen kryesisht nga tentativat që bëjnë studentët për ta hequr vetë kufjen. Për këtë arsye ata këshillojnë nxënësit që të shkojnë më mirë në spital. Atje, metodat janë të ndryshme për heqjen e kufjeve. Përdoret metoda e lavazhit të veshit, ose heqja me magnet e në raste të rralla përdoret anestezi lokale për ta hequr kufjen me një grep të posaçëm.


Kufjet normale të transformuara në kopje


Këto kufje janë normale dhe blihen në çdo dyqan elektronik. Ato ngjiten në dorë dhe sup dhe mund të vihen edhe në vesh.


Kufjet Bluetooth


Përdoren gjërësisht nga shoferët e automjeteve, por studentët kanë filluar t'i përdorin edhe për të kopjuar. Ato nuk kanë lidhje kabllore por lidhen me anë të teknologjisë Bluetooth.


Me anë të mesazheve telefonikë


Kjo arrihet duke marrë mesazhe nga jashtë sallës së provimit të cilat përmbajnë zgjidhjen e pyetjeve. Pyetjet mund të dergohen jashtë me anë të fotos që i bëhet tezës në momentin që merret dhe i dërgohet dikujt jashtë me MMS ose Bluetooth.


Letra të vogla të zvogëluara


Përmbajnë leksione ose shënime të ndryshme. Mund të ngjiten nëpër këmbë, mund të mbulohen me dorë, mund ti fusësh në xhep të pantallonave, ndërsa disa vajza shpesh herë i fusin në pjesën e gjoksit.


Një metodë e lashtë sa vetë shkolla që vazhdon ende...


Ju jeni mësues dhe keni një vajzë përpara që ju e dini se në kofshët e saj ka bërë kopje. Çfarë do bënit?


Më klasikja është kopja spontane në klasë, ku një shok apo shoqe të tregon apo jep ndonjë letër ku të ka shkruajtur një kopje. Dikur një profesor shprehej: "Sikur studentët ta përdornin vetëm gjysmën e vullnetit që kanë për të kopjuar, në lidhje me mësimet atëherë do kishin dalë më të mirët."


Kopja sot nga disa persona shihet si një gjenialitet i individit duke qënë se arrinë të krijojnë mënyra nga më të ndryshme dhe duk përdorur çdo mjet për të kopjuar. Dikur, porn ë fakt edhe sot femrat mund të shkruajnë tek kofshët e tyre formulat dhe leksionet ose nëpër gjoksin e tyre duke vendosur në gjëndje sikleti çdo profesor, pasi për t'i kontrolluar duhet t'u ngresh fustanin ose t'u ulësh bluzën, kështuqë do të ishte një shenjë e turpshme për këdo.


Sot kopjet kanë pësuar edhe ato "Revolucionin Teknologjik" duke u sofistikuar gjithnjë e më shumë dhe duke u bërë gjithnjë e më pak te dukshme.


Por gjithnjë profesorët dhe ata që merren me këto çështje ngrejnë pyetjen sa vlen realisht ajo notë e marrë me kopje? Dhe në fund sa vlen diploma e marrë nga "kopjacët"? Po sikur këta "kopjacë" të jenë diplomuar në mjekësi dhe të punojnë në spitale, apo çfarë do lloj profesioni tjetër, si do jetë shërbimi nga këta persona?


Aq serioz është bërë ky problem për mësuesit sa vetë ministri i Arsimit dhe Shekncës, Myqerem Tafaj u shpreh pak kohë më parë se dikasteri që ai drejton ka ndërmarrë masa të rrepta për ndëshkimin e kujtdo nxënësi apo studenti që kapet me kopje, apo që tenton të kopjojë gjatë provimeve të Maturës.


Sipas tij, në rastet kur kapet dikush me kufje, atëherë atij apo asaj do t'i digjet matura dhe do të detyrohet që të bëjë një vit pushim, për ta ripërsëritur më pas edhe njëherë nga e para Maturën Shtetërore. Vetëm 20 "kopjacë" janë kapur këtë vit në provimet e para të Maturës. Ne pyesim: ky numër kaq i vogël, të ketë lidhje me efikasitetin e masave të ndërmarra nga Ministria e Arsimit, apo të ketë lidhje me sofistikimin e metodave të kopjimit në atë formë që zor se zbulohen...?


"Kampion" i Kopjes


Taulant Muzaka, 22 vjeç, student në vitin e tretë për Ekonomi, tregon për Shekullin: "Kopja është jetë. Kam nga klasa e pestë që nuk kam hapur një libër për ta mësuar. Deri më sot të gjitha provimet i kam marrë falë kopjeve. Unë personalisht preferoj të kopjoj në dy mënyra: ose me anë të celularit duke hedhur në të leksionet ose duke marrë sms nga jashtë, ose me anë të letrave të vogla që përmbajnë leksionet. Të kopjosh duhet zgjuarsi dhe shkathtësi, por nuk është e vështirë ta bësh. Deri më sot nuk jam kapur asnjëherë duke kopjuar në një provim."


Këtë lloj mentaliteti, në fakt, e kanë shumë të rinj sot! Nuk është, për fat të keq, asgjë më shumë kjo se e vërteta e hidhur në të cilën lundron sot sistemi arsimor në Shqipëri.


37 000
Është numri i përafërt i studentëve që morën pjesë në Maturën shtetërore këtë vit.


20
Është numri i atyre që u kapën me kopje, sipas Ministrisë së Arsimit. Vetëm 20... Pse kaq pak...?!


10
Herë më pak është ky numër i kopjacëve të kapur mat, krahasuar me një vit më parë

Shekulli

Monday, June 6, 2011

"Lesbishat", futboll për lesbiket në Tiranë

Vajzat që shikoni në foto janë pjesë e një skuadre futbolli që është krijuar në Tiranë, jo për të shembur mite, apo për të sfiduar mentalitetin, por thjesht e vetëm për të bërë qejf e për të luajtur! 
Pesë vajzat të cilat në foto duken teksa stërviten në një nga hapësirat e Liqenit Artificial në Tiranë kanë formuar skuadrën "Lesbishat" dhe luajnë futboll çdo të dielë, së bashku me një skuadër tjetër, edhe ajo e përbërë ekskluzivisht nga vajzat.


Ndonëse nuk e kishin për qëllim të thyenin mitet, ato në fakt, po e bëjnë këtë gjë, pasi një element tjetër që i bashkon nuk është vetëm futbolli: ato të gjitha janë lezbike dhe ashtu si edhe shumë persona të tjerë me orientim homoseksual, edhe ato po tentojnë të krijojnë një mjedis të tyren ku të ndihen të sigurta dhe të mbrojtura.

Secila ka një jetë personale mëse të zakonshme. Njëra prej tyre, Linda (të gjitha emrat e përdorura në këtë shkrim janë të sajuara nga vetë vajzat të cilat kërkojnë të mos identifikohen) punon si bebisiter pasi i pëlqen të punojë me fëmijët; tjetra Anisa, është menaxhere shitjesh në një kompani private në Tiranë; Eri është studente në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja; ndërsa Ana dhe Elona janë partnere me njëra tjetrën. Eshtë mëse e vërtetë se u ka pëlqyer futbolli që kur kanë qenë të vogla.


Madje njëra prej tyre Eri, thotë në një prononcim për Shekullin: "Futbolli më ka pëlqyer që në fëmijëri, por meqënëse djemve nuk ju pëlqen të luajnë me vajza, unë jam e lumtur që tani jemi një grup vajzash që kemi të njëjtën dashuri për një sport kaq të dashur si futbolli". Dhe jo vetëm kaq: luajnë edhe për të fituar! "Kam filluar të luaj futboll që kur isha e vogël. Sigurisht, në fillim me kalamajtë e lagjes, të cilët u mësuan kollaj jo vetëm të luanin me mua por edhe të humbisnin", thotë me humor Elona, pjesëtare tjetër e skuadrës "Lesbishat" në Tiranë.


Fakti që komuniteti gej mblidhet për të festuar, organizojnë madje dhe aksione me grafiti në Tiranë apo zhvillojnë seanca këshillimi për njëri tjetrin tregon se të paktën në Tiranë jeta e tyre po ndryshon për mirë. Në fakt, gjithçka e rëndësishme duket se filloi kur tre vjet më parë kryeministri Sali Berisha deklaroi në një mbledhje qeverie se ishte dakort edhe për martesat mes së njëjtës gjini. Ka tashmë 3 organizata që punojnë për të drejtat e tyre.


Njëra bashkëpunon me hollandezët dhe me COC Netherlands, një tjetër organizatë është partnere e ILGA-Europë, ndërsa e treta sapo ka nënshkrua r një marrëveshje me ArciGay në Itali. Madje Presidenti kombëtar i Arcigay në Itali, z. Paolo Patanè, i cili tre vjet më parë ironizoi politikën italiane duke thënë se gjithë homoseksualët italianë do të merrnin gomonet për të jetuar në Shqipëri, nëse Berisha do miratonte ligjin për martesat gej, deklaratë kjo e bërë pak pasi Sali Berisha tha se ishte në favor të një ligji të tillë në vend, ka dalë dje me një deklaratë në mbrojtje të komunitetit gej në Tiranë. Deklaratën e bëri pas nënshkrimit të një marrëveshje me Pro LGBT në Tiranë.

Alba Ahmetaj, G. Shekulli

Sunday, June 5, 2011

Pasardhësi i Skënderbeut, pas gjysmë shekulli në Shqipëri: Ne ekzistojmë

Giorgio Maria Castriota Scanderbeg ka shkelur për herë të parë pas 55 vjetësh tokën shqiptare. Është pasardhës i heroit kombëtar nga linja e Napolit. Jeton në Kazerta, afër Napolit së bashku me gruan, Stefania dhe dy djemtë. Ka mbërritur dje në portin e Durrësit, aty ku 500 vjet të shkuara u largua familja e Skënderbeut e ka udhëtuar më pas drejt Krujës. 

Giorgio Maria Castriota Scanderbeg ka shkelur për herë të parë pas 55 vjetësh tokën shqiptare. Emri e lidh pashmangshëm me Skënderbeun. Është pasardhës i heroit kombëtar nga linja e Napolit. Zyrtarisht njihet edhe linja e Leçes, ndërsa ka shumë të tjerë që abuzojnë me këtë emër. Jeton në Kazerta, afër Napolit së bashku me gruan, Stefania dhe dy djemtë. Ka mbërritur dje në portin e Durrësit, aty ku 500 vjet të shkuara u largua familja e Skënderbeut. Me ftesë të drejtorit të Institutit Kombëtar të Diasporës në Ministrinë e Jashtme, z. Roland Bimo, do të njohë nga afër vendin e të parëve. Ka mbërritur rreth orës 10.00 në Tiranë dhe pak më pas ka udhëtuar drejt Krujës. Nuk i përshkruante dot emocionet e kësaj vizite të parë. Sot do të udhëtojë drejt Peshkopisë, ku me mbështetjen e kryetarit të bashkisë, Ilir Korsit dhe kryetarit të qarkut, Naim Gazidede, do të zhvillohen edhe festimet kryesore pranë shtatores së Skënderbeut në këtë qytet, realizuar dy vjet më parë nga artisti Sadik Spahiu me mbështetjen e Zaim Krosit. Një udhëtim në fshatin e vendlindjes së paraardhësve në Sinë dhe pastaj udhëtimi drejt Dibrës së Madhe, ku do t’i presë kryetari i bashkisë, Argëtim Fida. Aktivitetet do të vazhdojnë me një pritje të ministrit të Jashtëm, z. Haxhinasto e më tej Giorgio (Xhorxho) do të shkojë në Arkivin e Shtetit për të dorëzuar dokumentin e pemës gjenealogjike të familjes marrë nga Arkivat e Këshillit të Konsultës Araldike. Në një intervistë për gazetën “Shqip”, Giorgio Maria Castriota Scanderbeg tregon historinë e tij dhe të familjes.

Kjo është hera e parë që ju vizitoni Shqipërinë. Cilat janë ndjesitë apo mendimet që ju vijnë?
Hera e parë është një ndjesi shumë e veçantë. E pres këtë moment prej më shumë se 55 vjetësh. Emocionet janë të pafundme. Kam jetuar me to gati një muaj më parë, kur Ylli Polovina, me të cilin jam njohur më herët në Itali, më tha se mund të ishte mundësia të udhëtoja drejt Shqipërisë me një ftesë zyrtare. Kjo më nderoi shumë. Shpresoj të jem në lartësinë e duhur të përfaqësoj denjësisht familjen time Kastrioti Skënderbe në vendin nga i cili u nisëm 500 vjet më parë. Shqipëria do të ishte i vetmi vend ku nuk do të vija këmbë nëse nuk do të kisha pasur ftesë zyrtare, dhe kjo jo për të fituar një lavdi të kotë. Ne na dallon nga të tjerët fakti që kemi pasur fatin të lindim Kastrioti Skënderbe dhe duhet ta prezantojmë denjësisht figurën e tij. Mundësinë për të ardhur zyrtarisht në Shqipëri ne e kemi pasur. Familja është përfaqësuar nga xhaxhi im, i cili së bashku me kushërirën time, Maria Luisa kanë ardhur me Urdhrin e Maltës për të sjellë ndihma në ditët e vështirat të vitit 1997. Kjo i paraprinte një vizite zyrtare. Unë ecja me pasaportën në xhep në pritje që të dilte çasti i duhur për të ardhur e për të parë tokën tonë. Janë çështjet historike që na kanë detyruar të mos vijmë. Duhet ta pranoj se këtu Skënderbeu është një hero kombëtar, por në Itali është keqtrajtuar figura e tij. Unë mendoja se ishte e drejtë të fillonim të bënim një emigracion nga e kundërta. Kjo do të thotë se është Skënderbeu që rikthehet në shtëpi dhe kthehem së bashku me gruan time Stefania. Të vegjël mendonim se nuk do të mund ta vizitonim kurrë këtë vend. Na dukej se ishte i ndaluar për njerëz normalë, e jo më pastaj për ne që mbanim këtë mbiemër. Ndiheshim si në ekzil, por tani ndihem si në shtëpinë time. Unë vij nga një familje që nuk ka kërkuar asnjëherë të shpërfaqet. Ne nuk duam gjë tjetër, veçse të themi se ekzistojmë.

Për të gjithë lexuesit, a mund të na sqaroni degën familjare përmes së cilës ju jeni pasardhës i Skënderbeut? 
Pas vdekjes së Skënderbeut në vitin 1468, familja (Gjoni me të ëmën Donikën) u transferua në Mbretërinë e Napolit. Falë marrëdhënieve të mira dhe ndihmës që Skënderbeu i kishte dhënë kësaj mbretërie, mbreti Ferdinand i Aragonës i ktheu respektin familjes. Si në çdo familje tjetër, në vitet që pasuan lindën shumë fëmijë, disa prej të cilëve zgjodhën rrugën e tyre për të mos qëndruar në Napoli. Ne jemi trashëgimtarë nga Achille Scanderbegh (Akilit). Ne jemi linja e Napolit. Ekziston edhe linja tjetër trashëgimtare e Leçes me Alessandro Scanderbegh (Aleksandër Skënderbe) nga Pardo. Ne nuk e mohojmë. Të dy jemi Kastrioti Skënderbe, të dy jemi krenarë që jemi përfaqësues të heroit të madh. Nuk kemi marrëdhënie të ngushta me ta, por s’ka vend as për aludime të tjera. Më duket e parëndësishme të thuash që unë jam trashëgimtar direkt e tjetri indirekt. Sipas dokumenteve që ne zotërojmë, të thuash që unë jam direkt apo indirekt më duket e parëndësishme. Por për të shpjeguar këtë rast, po marr një shembull të thjeshtë. Unë kam dy djem: Filipo Maria Kastrioti Skënderbe dhe Aleksandro Maria Skënderbe. Nëse djali i madh, Filipo nuk do të mundet të ketë fëmijë ose nuk do të ketë fëmijë meshkuj, të drejtën e pasardhësit do ta gëzojë Aleksandri. Ne rrjedhim nga një familje së cilës më 1945, me vdekjen e trashëgimtarit direkt Françesko, i kaloi nderi për të përfaqësuar Skënderbeun. Në këtë linjë, unë jam i fundit trashëgimtar deri sa kjo t’i kalojë djalit tim, Françeskos. Të gjitha këto që po them janë të dokumentuara në Arkivat e Romës, lehtësisht të verifikueshme.

Gjatë këtyre viteve ka pasur shumë persona që kanë pretenduar apo e kanë shpallur veten pasardhës të familjes së heroit kombëtar. Jeni në dijeni edhe ju?
Përmes internetit fillova të lexoja pasaktësi për sa i përket  familjes Kastrioti Skënderbe dhe fillova të rebelohesha. Ne nuk kërkojmë asgjë, por historia duhet të respektohet. Unë përfaqësoj  trashëgiminë aktuale direkte të heroit shqiptar. Shpresoj që vetëm në nivel emri të jemi të nderuar që i përkasim atij dhe të tregojmë se i përkasim. Ndaj kam sjellë me vete një broshurë që përmban tre dokumente: Janë pemët gjenealogjike të familjes, njëra prej tyre e njohur më 1910 edhe nga Arkivi i Këshillit të Konsultës Araldike (familjet fisnike), të cilat do t’i dorëzohen Arkivit Qendror Shtetëror.

Ju thatë se Skënderbeu është i keqtrajtuar në Itali. E thoni këtë krahasuar me kontributin e tij për këtë vend?
Kultura italiane ndaj figurës së Skënderbeut është indiferente. Ai është një hero që i ka dhënë shumë jo vetëm Shqipërisë, por gjithë Europës, por fatkeqësisht nuk është i vlerësuar ashtu si në vendin tuaj, madje më lejoni të them, në atdheun tonë. Në Itali, ne të familjes Kastrioti Skënderbe jemi njerëz normalë, ashtu siç është e drejtë të jemi: punëtorë dhe prindër. Roma ka sheshin “Albania” me monumentin e Skënderbeut, po aty është edhe pallati i famshëm me emrin e tij, i cili duhet të ishte një vend ku të tregoheshin marrëdhënien e shkëlqyera italo-shqiptare, por për fat të keq atje është muzeu i makaronave. Është i pashpjegueshëm për mua fakti pse nuk ka njohje për figurën, njeriun dhe historinë e Skënderbeut. Kjo ndoshta vjen edhe për faktin se politikani i vërtetë sot në Itali ndoshta nuk ekziston, sepse politikani historik kulturalisht ishte shumë i përgatitur. Unë vet ndjehem i papërgatitur përballë Skënderbeut nga i cili rrjedh, imagjinoje ai që nuk ka asnjë lidhje, çfarë mund të dijë për të. Historia e një heroi që ka punuar shumë për Europën sot nuk njihet, përveçse nga arbëreshët apo nga ata me origjinë arbëreshe. Sigurisht që nëse takoni djalin tim, ai do t’u përgjigjet.

E meqenëse flasim për arbëreshët, ata janë ende dëshmi e gjallë e asaj që ndodhi në vitet ‘500. Si janë raportet tuaja me ta?
Arbëreshët përfaqësojnë historinë dhe traditat që sipas meje, nuk gjenden më këtu, edhe pse nuk mund të flas me siguri për Shqipërinë. Ata flasin ende shqipen e vjetër, janë krenarë, të mrekullueshëm dhe kanë gjak shqiptar, që rrjedh në mënyrë të vrullshme. Kontaktin e parë që kam pasur me arbëreshët ka qenë vitin e shkuar. Patëm nderin të ftoheshim nga Portocannone (Porkanun) në një festë të përvitshme, ku na trajtuan shumë mirë. Do të ishim edhe këtë vit, po të mos kishim marrë ftesën për në Shqipëri, në të cilën nuk mund të mungoja. Doja të sillja edhe djemtë, por do të ishte e ekzagjeruar.

Do të udhëtoni në Krujë, në Peshkopi, në Dibër të Madhe. Çfarë prisni të gjeni në këto qytete?
Krujën e konsideroj si qytetin tim. Një vizatim i saj qëndron përballë tryezës sime të punës së bashku me një flamur shqiptar dhe shqiponjën. Do të më duhet t’i vizitoj më parë e pastaj të flas.

A trashëgoni objekte me vlerë historike nga familja, libra apo dokumente?
Ruaj ende një pikturë të shkëlqyer të Skënderbeut. Në fakt është e vendosur te shtëpia e Nënës në Napoli, por më përket mua. Ruaj po ashtu edhe një pikturë që motra e gjyshit tim Ferdinandos donte ta sillte si dhuratë në dasmën e Mbretit Zog. Më kanë treguar se Mbreti Zog kishte pasur mundësinë të martohej me një pasardhëse të Skënderbeut që ishte halla ime, Matilda. Kjo lidhje nuk u bë, nuk e di as se pse dhe nuk dua të ngatërrohem. Por Matilda, kur u martua Mbreti Zog, kishte ndërmend t’i dërgonte një pikturë që përfaqësonte Skënderbeun si luftëtar. Nuk pati guximin ta dërgonte, sepse kishte thënë se e kishte realizuar vetë, por në fakt ishte e një piktori tjetër. Janë gjëra të vogla të familjes. Janë edhe disa tekste të 1800-s që dëshmojnë për vazhdimësinë e dinastisë Skënderbe.

Çfarë angazhimi keni ju në jetën e përditshme?
Një ditë e zakonshme e jona, nëse nuk do të ishim në Tiranë, do të na gjente më Napoli ose Kazertë ku jetojmë. Në idenë e vjetër, princat jetonin në një botë ekstravagante, plot me luks. E jona është një jetë normale. Unë jam drejtor i një banke, ndoshta jam më mirë se të tjerët, por ka edhe më të mirë se unë. Bashkëshortja ime Stefania është e zonja e shtëpisë dhe administron familjen. Të premten, deri në orën 14:00, kam punuar në bankë duke paguar çeqe, mora skuterin (është kali im) dhe u ktheva në shtëpi. Psikologjikisht u përgatita të marr një tjetër pozicion dhe shpresoj të përfaqësoj denjësisht familjen time.

Çfarë do të merrni me vete kur të ktheheni?
Gjithçka, mendoj se nuk do më mjaftojnë lekët (Qesh). Do marr me vete kujtimin më të mirë. Sapo arrita, më njoftuam se do të kem takime të ndryshme dhe aktivitete që në njëfarë mënyre do të përcillen mediatikisht, duke e bërë më të njohur familjen time. Unë dua që të gjithë të kuptojnë që nuk kam ardhur të bëj asgjë, veçse të prek me këmbët e mia territorin shqiptar, qytetin tim Krujën, fshatin e origjinës Sinën dhe është lumturi e pashpjegueshme. Kush nuk quhet si unë, nuk mund ta kuptojë.

Olivert Lila, G. Shqip

Friday, June 3, 2011

“RoboDet” – detektori i minave “made in Kosova”

Prej tetorit të vitit të kaluar, katër studentë të Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike të UP-së kanë punuar në jetësimin e idesë së tyre. Një detyrë shkollore që ata e kishin propozuar ishte krijimi i një roboti që do të detektonte mina.

Njësoj si te filmi “The Hurt Locker”, i regjisores Kathryn Bigalow, që në vitin 2010 ishte shpërblyer me gjashtë “Oscar”, ku vendndodhja e minave detektohet nga një robot në formë tanku, Besnik Gashi, Valon Gojani, Kenan Hyseni dhe Drilon Bunjaku, nën udhëheqjen e profesorit të tyre Shaban Buza, kanë krijuar një të tillë.

Prezantimi i tij është bërë mesditën e së mërkurës, në amfiteatrin e këtij fakulteti, të stërmbushur nga kureshtarët. “RoboDet” është emri që ata i kanë dhënë krijesës së tyre. Profesor Buza ka thënë se jo rastësisht lansimi i tij është bërë më 1 qershor, në Ditën Ndërkombëtare të Fëmijëve.
“Për të treguar se lindi një ‘fëmijë’”, ka thënë Buza, teksa ka treguar se pagëzimi i tij ka kuptimin e një roboti që detekton.

Një tepih i gjelbër që paraqet fushën, i vendosur mbi tavolinë të rrethuar me paralajmërimet se aty “ka” mina, ishte simulimi që ishte bërë prezantimit. Rreth 90 centimetra gjerësi, aq sa është hapësira që ekipet dominuese krijojnë kur futen në fushë për të çminuar, është vënë në dispozicion. Ai dirigjohet nga distanca dhe reagon në metal në 10 centimetra largësi.
Mbeturina të ndryshme mekanike do t’u hynin në punë pesëshes krijuese. Zinxhirë të biçikletës, të shoqëruar me goma të prera e të përshtatura kanë shërbyer për të mundësuar lëvizjen e “tankut”, që mundohet nga tre motorë, që janë bateri të fuqisë 12- voltësh.
Secili nga studentët ka prezantuar nga një pjesë të punimit të tyre, teksa kanë folur edhe për sfidat që kanë pasur. Ndër kryesoret ka qenë kostoja financiare. Fakulteti i Inxhinierisë Mekanike ka pasur mundësi të ndajë vetëm 500 euro për këtë prodhim. Shaban Buza ka thënë se e ka të vështirë të përcaktojë koston e shpenzimeve për të bërë robotin në gjendjen çfarë u prezantua.
“Shumë pjesë kemi gjetur në place të ndryshme të mbeturinave mekanike, ndërsa pjesë që na janë dashur t’i blejmë i kemi marrë me më pak se gjysmë çmimi nga miqtë tanë”, ka thënë Buza.
Studenti Valon Gojani ka thënë se puna 8- mujore për krijimin e “RoboDetit” ka qenë plot sfida.
“Kemi pasur mirëkuptim mes vete dhe përkrahje nga profesori”, ka thënë Gojani.
Buza ka treguar se kjo ide ka lindur bashkërisht, teksa kanë parë se në 12 vjet të pasluftës në Kosovë minat kanë marrë 114 jetë të qytetarëve dhe nga to kanë mbetur të lënduar 449 të tjerë. Megjithatë “RoboDet” ende nuk është i denjë për të dal në terren.

“Nëse duhet të përdoret nga trupat që bëjnë çminimin e fushave në Kosovë, i duhet të sofistikohet edhe pak”, ka thënë Buza.
Dekani i Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike, Musli Bajraktari, është shprehur krenar që studentët e fakultetit që drejton kanë prodhuar një robot.

“E kanë prodhuar vetë nga pjesa e parë deri te kjo gjendje në të cilin po e shohim. Çdo pjesë e tij pothuajse është nxjerrë nga mbeturinat”, ka thënë Bajraktari. /kd/

Wednesday, June 1, 2011

ÇUDIA/ Të gjitha krimet e Berishës ndodhin… “1 herë në 100 vjet”



Në këto 20 vite nuk kam dëgjuar në asnjë rast që SALI BERISHA të pranoj dhe të jap përgjigje të sinqerta e konkrete pranuese për ndonjë gabim, skandal ose krim që ndodh në pushtetin e tij. “Tradita” e SALIUT është kjo: Ose hesht, ose anashkalon faktin, ose justifikohet me “pakujdesi të procesit”, ose mashtron publikisht, ose thotë “nuk di asgjë, sot po e dëgjoj”, ose i konsideron krimet “dukuri natyrore dhe çudira hyjnore, të cilat ndodhin rrallë në këtë botë”.
Por, nëse i referohesh fakteve e autorëve të këtyre ngjarjeve, “çuditërisht” të gjitha ndodhin vetëm në pushtetin dhe politikën e SALI BERISHËS! Këto ditë, kam shfletuar disa shënime për ngjarje kryesore që kanë ndodhur në Shqipëri dhe kam konstatuar këtë çudi: Të gjitha krimet e pushtetit dhe politikës “SALI”,na është thënë se “nuk janë përgjegjësi e pushtetit, por janë fenomene, dukuri e rastësi që ndodhin përherë vetëm nga 1 herë në 100 vjet”. Po flasim konkretisht, sipas deklarimeve të bëra prej SALI BERISHËS dhe “përforcuesve” të tij politikanë e ministra.

Firmat piramidale: “Ndodhin 1 herë në 100 vjet”

SALI BERISHA: Kjo që ndodhi në Shqipëri me firmat piramidale është një katastrofë kombëtare në aspektin financiar të familjeve të shqiptarëve dhe në aspektin shoqëror konsiderohet humbje e koshiencës qytetare si komb. Kjo u ka ndodhur dhe kombeve të tjerë, por siç e dimë nga të dhënat që kemi, kjo është një dukuri, që ndodh 1 herë në 100 vjet. Edhe vetë lulëzimi i firmave piramidale nuk është proces qeverisës, por është një ç’ekuilibrim i pa vullnetshëm, që çdo shteti i ndodh 1 herë në 100 vjet.


TRITAN SHEHU: Kjo katastrofë që ndodhi ndaj vendit e mes shqiptarësh, nuk ishte thjesht një dramë kombëtare, por një dukuri shoqërore me zanafillë tek historia e formimit njerëzor e cila ka vërtetuar se vetë-shpërthime të tilla kundër vetes ndodhin 1 herë në 100 e 200 vjet në të gjithë popujt e vendeve në zhvillim.

RITVAN BODE: Kjo ishte një çmenduri popullore. Nuk ishte çështje humbjeje e lekëve të shqiptarëve në piramidat, por një humbje e kontrollit të logjikës qytetare, e daljes jashtë arsyes, fenomen ky që ndodh rrallë, me probabilitet të këtyre rasteve me shfaqje 1 herë, në 100 vjet.
GENC POLLO: Me sa e njoh unë historinë e popujve të 100 viteve të fundit, ky zemërim popullor me pasojë shkatërrimin e vetvetes, nuk cilësohet reagim logjik i komunitetit, por dukuri shoqërore që ndodh 1 herë në 100 vjet. Për këtë arsye, shqiptarët nuk mund të bënin përjashtim nga kjo dukuri njerëzore.

JOZEFINA TOPALLI: Puna e piramidave rentiere ka ndodhur edhe në Maqedoni, Bulgari, Rumani, Itali e deri në SHBA. Ndodhi edhe tek ne, por një gjë duhet mbajt parasysh e duhet ta dinë shqiptarët: Nuk ishte punë qeverie, por një fenomen njerëzor që ndodh 1 herë në 100 vjet.


Shpërthimi i Gërdecit: “Ndodh 1 herë, në 100 vjet”

SALI BERISHA: Ju them sinqerisht, që unë nuk dija gjë fare për Gërdecin nëse ekzistonte ose jo si qendër demontimi municionesh. Por sa e mësova ngjarjen, u konsultova me ekspertët më të mirë të qeverisë time e ata të vendeve fqinje dhe ata më thanë se është një moment teknik i paparashikueshëm, që ndodh 1 herë në 100 vjet. Sipas të dhënave, kjo ka ndodhur dhe në disa vende të tjera me teknikë e ushtri të avancuar, por që ciklin e rastësisë për t’u përsëritur e ka 1 herë, në çdo 100 vjet.

FATMIR MEDIU: Gjeneralët ushtarakë të NATO dhe ekspertët e fushës së demontimeve me të cilët kam kontaktuar, konfirmojnë se shpërthime të tilla të municioneve vijnë prej krijimit të temperaturës konservuese të trupave të lëndëve municion. Këto kanë ndodhur dhe në bazat demontuese e bazat stërvitore ushtarake të botës, por janë raste që përsëriten vetëm 1 herë, në 100 vjet.

JOZEFINA TOPALLI: Askush nuk e dëshironte të ndodhte kjo tragjedi, por sipas ekspertëve të municioneve, kjo nuk ndalej sepse nuk parashikohej. Jo vetëm qeveria e Sali Berishës, por edhe qeveria e çdo vendi tjetër më modern, dorëzohet përpara fenomeneve të tilla, pothuajse apokaliptike, që ndodhin 1 herë në 100 vjet e që nuk dihet se kur dhe ku ndodhin. Këtë nuk e them as unë, as Sali Berisha, as Fatmir Mediu e asnjeri prej deputetëve të mazhorancës, por e konfirmojnë studiuesit dhe ekspertët e fushës së demontimeve.

ARBEN IMAMI: Kjo që ndodhi në Gërdec, nuk është vepër e qeverisë Berisha, as e Ministrit të Mbrojtjes, zotit Mediu, por është vetëm një gabim njerëzor që nuk është çudi të përsëritet prapë pas 100 vjetësh, sepse historia ka treguar, që edhe pushka mbushet vetë 1 herë në 100 vjet. Kështu edhe shpërthimi i municionit në Gërdec.


Vrasja e Trebickës: “Rasti ndodh 1 herë, në 100 vjet”

SALI BERISHA: Me sa kam dëgjuar dhe me sa jam njohur këto ditë nga ekspertët, për raste të tilla aksidentesh, një spostim i tillë i trupit të viktimës me afro 100 metër nga makina, ka lidhje me forcën shtytëse që i ka dhënë trupit mjeti gjatë rrotullimeve. Sipas ekspertëve të fushës, kjo cilësohet si fenomen tepër i rrallë në historinë e aksidenteve rrugore, mbasi ndodh pothuajse 1 herë në 100 vjet.

JOZEFINA TOPALLI: Ky është aksident si gjithë aksidentet e tjerë rrugorë, por që ka si veçanti faktin, se ka një dukuri e cila nuk ndeshet shpesh në aksidentet e zakonshëm që ndodhin. Distanca e spostimit të trupit të viktimës aq larg mjetit me të cilin udhëtonte, nuk përbën shkas për dyshime për krim, mbasi sipas specialistëve dhe ekspertëve, kjo ka ndodhur dhe në vende e raste të tjera të botës, pavarësisht se ndodh shumë rrallë, për të mos thënë se aksidente të tillë të çuditshëm ndodhin 1 herë, në 100 vjet.

BUJAR NISHANI: Ekspertët po merren me këqyrjen e aksidentit në fjalë. Por sipas kontakteve të para me ekspertët e linjës, rezulton se kjo është një mospërputhje e rrallë mes trupit të viktimës dhe vendit të ndodhjes së mjetit të aksidentit. Janë raste të rralla, por historia e aksidenteve në botë, tregon dhe konfirmon se këto ndodhin vetëm 1 herë, në 100 vjet.


Përmbytja e Parë e Shkodrës: “Hëna, kishte pozicionin e saj 100 vjeçar”

SALI BERISHA: Përmbytja e Shkodrës nuk ka lidhje me ato që thotë opozita për hapje digash e mungesë investimesh në lumin Drin dhe Bunë. Por ju garantoj, se e gjithë kjo tragjedi është natyrore dhe ka lidhje vetëm me Hënën. Sipas studimeve, ditën që uji vërshoi dhe përmbyti Shkodrën, rezultoi se Hëna kishte pozicionin agresiv ndaj lumenjve, pra kishte ciklin e saj hënor 100 vjeçar. Pozicioni i Hënës ishte i tillë, që provokon shpërthime ujërash përmbytje ujore katastrofike. Sipas kalendarit hënor, kjo ndodh 1 herë në 100 vjet.

JOZEFINA TOPALLI: Përmbytjen e Shkodrës nuk e bëri qeveria e Sali Berishës, por një dukuri natyrore që ka lidhje me pozicionin dhe veprimin eklipsor të hënës. Siç thonë specialistët dhe faktet nga historia e njerëzore e përmbytjeve, Hëna gjendet në pozicion të disfavorshëm me tokën, vetëm 1 herë në 100 vjet dhe ky pozicion nxit vërshime lumenjsh, që krijojnë përmbytjet.


Përmbytja e dytë e Shkodrës: “Kjo ka ndodhur edhe 100 vjet më parë”

SALI BERISHA: Nuk është mungesë e kujdesit të qeverisë time, për të frenuar e disiplinuar lumenjtë e digat e hidrocentraleve, se atë e kemi bërë me kujdesin më të madh. Ky është një fenomen natyror i pa parashikueshëm. Një banor i vjetër i Shkodrës, më dërgoi sot një mesazh, ku më thoshte: “Zoti kryeministër, nuk na përmbyti qeveria juaj, por fenomeni natyror, sepse Shkodra është përmbytur edhe në vitin 1913”. Pra, kjo është punë e Zotit, ne jemi të detyruar të nënshtrohemi përballë fuqisë dhe vullnetit të tij.

JOZEFINA TOPALLI: Çdo familje shkodrane, ka në kujtesë historinë marrëdhënieve të qytetit më Bunën e Drinin. Digat e hidrocentraleve nuk kanë asnjë lidhje me këtë situatë, sepse ato janë menaxhuar me kujdes dhe eficencë. Ky qytet është përmbytur edhe 100 vite më parë nga lumenjtë. Fotografitë dhe rrëfimet e shkodranëve, flasin se kjo përmbytje ndodh vetëm 1 herë, në 100 vjet.


21 Janari: “Rikoshetat plumb-trung peme, ndodhin 1 herë në 100 vjet”

SALI BERISHA: Ekspertët po bëjnë punën e tyre. Nga informacionet e para të laboratorit të ekspertimit të predhave të gjetura në trupat e viktimave, rezulton se ata janë vrarë pasi plumbat kanë bërë rikoshetë në trungjet e pemëve përballë të cilave ata qëndronin. Unë nuk jam ekspert që të them se si ndodh kjo rikoshetë, por specialistët më kanë konfirmuar me prova shkencore e historike se rikosheta e plumbit nuk ndodh vetëm në gurë, beton e metal, por 1 herë në 100 vjet ndodh edhe në trungjet e pemëve.

JOZEFINA TOPALLI: Analizat balistike të armëve dhe ekspertiza e plumbave tregon se viktimat janë shkaktuar nga vrasjet nëpërmjet rikoshetës së plumbave. Pasi kanë dalë nga armët, plumbat kanë ndeshur në trungjet e pemëve përballë Kryeministrisë e Kryesisë së Kuvendit dhe kanë përfunduar në trupat e viktimave. Kjo nuk është shpikja jonë. Sipas fakteve historike të kriminalistikës botërore dhe sipas mendimit të specialistëve, kjo ndodh 1 herë në 100 vjet.

LULËZIM BASHA: E gjitha është shkaktuar jo nga shënjestrat e policëve të Gardës së Republikës e të policisë së shtetit, por nga rikoshetat e plumbave me pemët, të cilët janë rikthyer e kanë goditur viktimat. Kjo ka ndodhur dhe në raste të tjera në botë. Sipas ekspertëve, një rikoshetë e tillë specifike ndodh 1 herë në 100 vjet.


Rezultati me 10 vota diferencë: “Ndodh 1 herë, në 100 vjet”

SALI BERISHA: Ky rezultat i ngushtë në garën elektorale mes dy kandidatëve, mund të quhet çudi, por ja që është fakt dhe ne jemi të detyruar ta pranojmë edhe po të ishte fitore për rivalin. Në historinë e zgjedhjeve në Shqipëri kjo nuk ka ndodhur asnjëherë. Studiuesit dhe ekspertët thonë, se kjo ndodh rrallë, pra vetëm 1 herë në 100 vjet.

JOZEFINA TOPALLI: Kjo fitore e zotit Basha me rezultat kaq të ngushtë në 250 mijë vota, mund të quhet rast historik. Pas interesimit tim për këtë rast unikal konkurrence zgjedhore, mësova se një fenomen i tillë ka ndodhur dhe në vende te tjera, por mundësia është, që kjo dukuri të ndodh vetëm 1 herë, në 100 vjet.

Nga Kledian Lula, kledianlula@yahoo.com

G. Tema

Monday, May 23, 2011

Më shumë se 100 vajza nga Shqipëria janë martuar në Serbi

Momir Kovaçeviq, përfaqësues i shoqatës “Stara Rashka”, ka theksuar se më shumë se 100 vajza nga Shqipëria katër vitet e fundit janë martuar në Serbi, në Novi Pazar, Sjenicë, Tutin dhe Nova Varosh, transmeton njoftimin e medieve INA.

“Ky aksion mund të vlerësohet si shumë i suksesshëm, pasi kemi të bëjmë me martesa të lumtura, është parandaluar vdekja e shumë fshatrave” ka thënë Kovaçeviq, i cili shton se vajzat nga Shqipëria nuk hezitojnë të martohen me djemtë e kësaj ane.

Me djelmoshat e pamartuar në vendet fshatare të këtyre vendeve martohen kryesisht vajza që vijnë nga veriu i Shqipërisë, kryesisht nga rrethi i Shkodrës.

Sanxhaku është rajoni në jugperëndim të vendit, në kufi me Bosnjë-Hercegovinën, Malin e Zi dhe Kosovën, me popullsi prej 420 mijë banorësh, dhe që dominohet nga shumica boshnjake dhe pikërisht sepse nuk janë serbë kanë katandisur ndër zonat më të varfra dhe më të prapambetura ekonomikisht të Serbisë.

Monday, May 16, 2011

Vidhet faqja Stop Injorancës

Më datë 13.05.2011 kanë vjedhur fjalëkalimin e profilit Ndal Paditurisë, i cili ishte edhe drejtuesi që krijoi dhe administronte faqen Stop Injorancës në facebook, e cila në prag të 2-vjetorit nga krijimi i saj (18.05.2009) sapo kishte kaluar 50 mijë anëtarë të rregjistruar, prej të cilëve mbi 30 mijë ishin çdo ditë aktivë.

Ndërkohë që jemi ende duke punuar për të rikthyer atë faqe tek i zoti i saj, me anë të ndihmës së anëtarëve, por edhe sipas kallëzimit penal që kemi bërë, i lutemi anëtarëve të rregjistrohen paraprakisht tek faqja jonë e re http://www.facebook.com/NdalPaditurise2 derisa të marrim një vendim përfundimtar.

Ju kërkojmë ndjesë për këtë amulli dhe ju sigurojmë që do ta vazhdojmë edhe më fort nismën tonë. Të vjedhësh punën, mundin, identitetin e dikujt tjetër, nuk është veçse një krim moral, por edhe ligjor dhe hajduti që zotëron ende atë faqe, duke e bastarduar nivelin e saj me mënyrën e paskrupullt siç shkruan, duhet të dijë shumë mirë që herët a vonë do të zbulohet dhe do të marrë dënimin e merituar.

Pistat e arsyes të sulmit janë të ndryshme dhe lidhen pashmangërisht me çështje bindjesh politiko-fetare.


Faleminderit për mbështetjen, të gjithë anëtarëve tanë të nderuar! Me respekt: Stafi i Stop Injorancës!
 http://www.facebook.com/NdalPaditurise2

Wednesday, May 11, 2011

Reja



Unë jam reja,
pikturoj qiellin,
mjegulloj hënën
e maskoj diellin.


Vërtitem mbi ju

atje lart
pluhurin tuaj


mbi vete mbart


shpirtrat e lirë përqafoj
...dëshmitare në paranojë.




Në ngjyrë të purpurt valëvitem,
në pafundësi formash venitem,
nënë të ngrohtin e të ftohtin baba
motër rrufenë e rrebeshin vëlla.


Konturet e tua të brishta njom
e aromën në ajër të ndjell
e trishtë, e vetme s'je kurrë
kur lotët e mia në faqe të sjell.


Më urre, më duaj
më krijo, më shuaj
m'u afro e mos u druaj
bashkë me mua luaj.

Edhe pse s'mund të më prekësh
nuk jam e huaj.....

Shkroi: Stop Injorancës http://www.facebook.com/NdalPaditurise2

Thursday, May 5, 2011

Perëndia im, nuk perëndon...

E kujtoj si sot muzgun e asaj pasdite, kur vështroja përmes xhamit të dritares shokët e mi, të luanin plot gaz e gumëzhima në lulishten poshtë palltatit.
T'u luta të bashkohesha me ta, por këpucët e vogla i kisha lidhur pisk, siç dhe i kisha hequr prej këmbëve dhe nuk po mundja ti vishja.
Do të dalësh vetëm nëse i zgidh, por mos u vono, sepse po u err nuk ke më ku të dalësh - më the.
Nxitoja ti zgidhja e jashtë errësira dukej sikur nxitonte më tepër se unë. Po djersija nga marazi, që lidhëset e këpucës ngatërroheshin edhe më keq e nuk pranonin ti dorëzoheshin doçkave të pasprovuara. Isha gati të qaja, kur ti more këpucët e mia duke i zgidhur ato lidhëse "të mallkuara" me një lëvizje vetëtimthi të dorës dhe me tjerën më godite të pasmet duke më thënë : "Shko tani e luaj me shokët".

Ka kaluar shumë kohë, afro një çerek shekulli prej kësaj dite dhe yt bir tashmë është bërë burrë, e fiton vetë jetesën, larg teje, i gatshëm për të qenë dhe vetë baba, e përpara teje ende ndjehem ai fëmija i vogël dhe i pafuqishëm.

Gjithmonë, e akoma më shumë sot, kam e kam patur nevojë për përkrahje.
Kam nevojë të më mbështesësh, të më udhëzosh ende në rrugën e drejtë, të më qortosh kur gaboj dhe të më japësh kurajo kur dorëzohem.
Kam nevojë të më hapësh shtigje të reja, të më ndezësh dritën kur befas ndodhem i humbur në errësirë. Kam nevojë të më godasësh tek shpatullat kur pëpiqem, kam nevojë për atë fjalën tënde të mirë.

Në këtë botë prerjesh drejtëzash të padrejta, kam nevojë ende për ty babai im.
U linda dhe u rrita me baba, ky nuk është faji im, por sot po të shoh ty, të dorëzuar para jetës. Rrudhat të kanë mbuluar fytyrën, ato pak flokë që nga mbetur nga kaçurrelat e tua tashmë pothuajse janë zbardhur. Nuk lexon dot më pa syze, ushqimin nuk e shijon më me dhëmbët e tua. Lëvizjet të bëhen gjithmonë e më të ngadalta dhe gjumi yt, gjithmonë dhe më i shkurtër.
Dhe sikur të mos mjaftonte as mplakja e parakohshme e qindra mijërave betejave të guximshme që ke përballuar, presioni i lartë i gjakut, shkaktuar nga qindra shqetësime që ende mban mbi supe, ta goditi fort zemrën bujare dhe një pjesë të trurit, duke e vdekur përfundimisht atë.

Zemrën tënde nuk mundi të ta mposhtë dot ai tension i lartë, por zemrën time e theri aq fort, sa ndjeva botën të më shkërmoqej para syve. Djersë të ftohta më mbuluan.

Si mund të ishte goditur kështjella ime, si mund të rrëzohej im atë?
Përse kaq fuqishëm e papritur ky tërmet?



Nuk e di si e mbajta veten kur neurologu me një ftohtësi vrasësi profesionist fliste rreth babait tim, se truri i ishte atrofizuar nga stresi, se gjysma e trupit mund ti paralizohej dhe kjo ishte vetëm një minë me sahat e pa ç'montueshme, për të cilën duhej të përgatisnim veten nga çasti në çast, të dëgjonim shpërthimin.
Ndoshta ishte shpresa e pavetëdijshme se kjo ishte gjithçka një gabim. Kurrë një njeri i maturuar nuk mund të flasë për dhimbjen e dikujt tjetër në rolin e një mospërfillsi gaztor. Ndoshta ishte pafuqia ime, ndoshta ishte ideja se po ai doktor mund të ishte shpëtimi im, e gjithsesi ia doli mbanë të dalë i pashpërfytyruar nga ajo bisedë vrastare, madje duke marrë edhe paratë që kërkoi.

Nuk isha më unë.
Mes meje dhe botës u kris arsyeja, u zhubros jeta.
Si i marrë i dhashë makinës të të gjendesha me një frymë, sa më parë tek ti. Sapo më pe tek dera e reanimacionit, buzëqeshe forcërisht, por nuk munde të fshihje dot atë shikimin e trembur e të trishtë, atë shikimin e atyre syve që më kanë shpjeguar shkëlqimin, që më shumë se kurrë ishin fshehur përmes fytyrës tënde të bërë zjarr. U orvate të çoheshe në këmbë, me tubat e serumit varur nëpër krahë.

Ti kishe nevojë të më gënjeje, unë akoma më shumë të të besoja, por zëri yt kishte humbur atë kumtimin krenar, dora forcën për atë shtrëngimin unik at-bir.
Unë, borxhliu i përjetshëm, larg teje, një skllav metropoli, që puna për të fituar bukën e gojës e ka burgosur dhe nuk më lejon të të jem pranë, ti lidh e zgidh këpucët, babait tim....

Ti ishe, je dhe do të jesh gjithmonë.
PERENDIA IM, NUK PERENDON...!

Shkroi: Stop Injorancës http://www.facebook.com/NdalPaditurise2

Tuesday, May 3, 2011

Bukuroshes së bukuroshes sime!

Po te presim...

Dukesh e lumtur!
Ti si një peshk në botën magjike ujore, bën kollotumba në barkun e nënës tënde. Kur të flas e të pyes nëse të pëlqen emri që do të të vemë, ti shkelmon me këmbë apo duartroket me duar , sikur do të më thuash: "Babi, mos u tall me mua..."

Numërojmë ditët e orët që kanë mbetur, orë e çast. Jemi lidhur aq shumë pas teje, saqë çdo bisedë përfundon gjithmonë tek ti. Të kemi ruajtur edhe testin e shtatëzanisë, çdo fotografi ekoje dhe kemi filmuar çdo seancë gjinekologjike, ku duket sikur me doçka na përshëndet. Nuk kisha parë kurrë kaq nëna shtatëzëna e fëmijë në karroca më parë. Gjithçka në televizor e radio duket sikur flet vetëm për fëmijët.

Nuk e përfytyrojmë dot si do të jesh. Cilit do ti marrësh buzët, e cilit syrin.
Të duam pa e ditur si do të jesh, si do të bëhesh. Ti je kurorëzim i dashurisë sonë dhe duhet të na besosh që je ngjizur në një prej netëve më të pasionante që kemi kaluar.

Nëna jote nuk ndërmerr më udhëtime të gjata. Në hidhërime nuk ka shkuar e në gëzime shumë pak ka kërcyer. Në banjë e nëpër shkallë, kalon gjithmonë me kujdes. Gjithë dyqanet e Tiranës kemi kërkuar për qershi në dimër dhe akoma sillemi rrotull për gjithçka nënës tënde i shkon ndërmend.
Ajo nuk po pi më as kafe në ato pasditet tona të përkushtimit ndaj njëri-tjetrit dhe as një cigare për qejf nuk po e ndez. As darkave gotën e verës, që ka ndezur shpeshherë netët tona, nuk po e troket. Pasditeve bën apelin e të gjitha familjeve të pallatit, çfarë ka gatuar njëra e çfarë ka gatuar tjetra.


Ndoshta shumë netë do të na lësh pa gjumë, ndoshta shumë herë zemrën sa majtas-djathtas do të na e rrotullosh, por ajo e qara jote do të jetë sigurisht tingulli më i ëmbël në këtë botë.
Një tingull i ri, fryt i dashurisë sonë.
Je ti në qendër dhe ne të dy që të rrotullohemi si satelitë.

Eh...! Sa do të donte babai yt që të të priste me gjithë të mirat e botës! Të të rregullonte një krevat princesash, në një shtëpi plot diell...

Por ja që jeta është kaq e padrejtë, kaq e vështirë dhe kjo bota jashtë e egër, bukuroshja ime e pafajshme. Aq e egër sa dhe pjesa më e madhe e prindërve nuk mbushen plot gëzim, kur sjellin në jetë vajza, në botën djallëzore të profetëve-meshkuj.

Nuk do të të edukoj për një botë ideale e të përfundosh thjeshtë një viktimë e njerëzve të pakulturuar, ashtu si u edukuam dhe e pësuam ne. Jo, asnjëherë. Ti do të jesh tmerri i hipokritëve, pseudomoralistëve e gjithçkaje të pështirë mban kjo botë gri. ngjyra ime...

Jemi zotuar të bëjmë çmos që edhe ti të rritesh si gjithë fëmijët e tjerë. Nuk e dimë sa të aftë do jemi, por do jemi bashkë të tre.

Ne si të marrosur po të presim, ti vetëm hajde shëndoshë e mirë.
Shkroi : Stop Injorancës http://www.facebook.com/NdalPaditurise2