“Në
kohën e mashtrimit universal, të thuash të vërtetën është një akt
revolucionar”, - shkruante George Orwell e këtë thënie na e kujton sot
jo vetëm Wikileaks, por dhe situata politike ndërkombëtare, na e kujton
kriza ekonomike që “ikën e vjen”, terrorizmi e pasiguria, drejtësia e
korrupsioni, skandalet social-politiko-ekonomike, loja dhe fuqia e
fjalëve.
Noam Chomsky, gjuhëtari, filozofi e
studiuesi i njohur botëror, ka publikuar rishtazi esenë e tij “Dhjetë
strategjitë e manipulimit me anë të masmedias". Antikonformist e kritik i
palodhur ndaj çdo mjeti të informacionit ai stimohet vazhdimisht nga
çdo organ i tyre si një nga pilastrët e gjallë të kulturës intelektuale.
“New York Times” shkruan: “Ka arsye të konsiderueshme për të menduar
se Chomsky është intelektuali më i rëndësishëm aktualisht mbi tokë”;
“The Nation”: “Chomsky është një burim i pashtershëm diturie”; “The
Guardian”: “Së bashku me Marks, Shakespeare e Biblën, është midis dhjetë
burimeve më të cituara në historinë e kulturës”.
“Në kohën e
mashtrimit universal, të thuash të vërtetën është një akt revolucionar”,
- shkruante George Orwell e këtë thënie na e kujton sot jo vetëm
Wikileaks, por dhe situata politike ndërkombëtare, na e kujton kriza
ekonomike që “ikën e vjen”, terrorizmi e pasiguria, drejtësia e
korrupsioni, skandalet social-politiko-ekonomike, loja dhe fuqia e
fjalëve. Fjalët përfaqësojnë mendime e paaftësia për t’i shprehur këto
mendime humbet qëllimin e tyre. Orwell enfantizonte fuqinë e fjalëve,
mjaft shkrimtarë të tjerë Defoe, Zamyatin, London etj. e kanë bërë para
tij. Duke kontrolluar fjalën mbytet çdo mendim i pavarur. Po mendimi?
Edhe ai mund të kontrollohet e atëherë mund të evitohet çdo aksion rebel
i masës. Por si të gjithë që mendojnë se e keqja prek vetëm të tjerët e
jo atë, çdo kush adhuron bindjen se është i pamanipulueshëm e se
mendja e procesi mendor i tij mbetet i paprekshëm. Njerëzve u pëlqen të
mendojnë se vlerat, opinionet, bindjet, idetë e tyre janë të
padhunueshme e totalisht të kontrollueshme. Mundet pothuajse të pranojnë
me gjysmë zëri se influencohen fare pak nga publiciteti e konservojnë
mitin se të tjerët janë lehtësisht të influencueshëm e të dobët.
Fantazojnë realisht se manipuluesit të përballen hapur, të trembin e të
detyrojnë t’u bindesh e imagjinojnë Big Brotherin orwellian me uniformë
e me çizme mbi gju që me armë në dorë detyron çdokënd të ndryshojë
mendimet, ideologjitë, personalitetin. Por gjenialiteti i mendimit të
Orwellit është se kuptoi që ky manipulim nuk është fizik, por mendor,
kryhet në mënyrë delikate e të fshehur me teknika që “pushtojnë
mendjen”. Mjaft teori në shkencat sociale demonstrojnë një “Big Brother
buzagaz” me një fuqi influencuese ndaj mendimit e aftësisë
vendimmarrëse të një personi shumë më efikase sesa një “Big Brother
dukshmërisht i rrezikshëm”. Është një mekanizëm i shkrirë mirë e i
shfrytëzuar jo vetëm nga politikanët e ekspertët e marketingut, por dhe
nga njerëzit e çdo lloj pushteti.
Gjuhëtari e filozofi amerikan,
studiuesi “gjeni” i teorisë së gjuhësisë së shekullit XX, Noam
Chomsky, ka përpunuar së fundmi listën e 10 strategjive të manipulimit
me anë të masmedias, dhjetë rregulla të magjishme, konfuze në
perceptimin e tyre, që përziejnë realitetin me iluzionin, gënjeshtrën
me të vërtetën. Mendimi i tij i është drejtuar masmedias si skena e
vetme ku interpretojnë rolet pushteti e populli. Dhjetë strategjitë e
Chomskyt nuk ndalen veç ndaj politikës, por gjen tek to gjurmë evidente
të zgjidhjes së “problemeve” të krizës ekonomike, të shërbimit
strategjik e “gradual” të dokumenteve të Wikileaks, “të skandaleve” të
shumta në momentet më të papërshtatshme, “të rrëfimeve private” në
kulmin e kritikës mediatike. “Globalizimi nuk është një fenomen
natyral, por politik, i konceptuar për të arritur objektiva të
përcaktuara mirë”, - shprehet Chomsky duke u kritikuar shpesh për
teoritë e tij. Me një impenjim të fortë në analizën e mendimit politik
të kohës, Chomsky ka denoncuar instrumentalizimin total të mjeteve të
informacionit në duart e pushteteve lobiste ekonomike dhe ka evidentuar
shpesh me informacione të dokumentuara konformizmin e mërzitshëm të
medias. Me gjithë kritikat e skepticizmin e tij ndaj mjeteve të
informacionit, çdo organ i tyre shfaq ndaj studiuesit një konsiderim e
stimë të respektueshme. “New York Times” shkruan: “Ka arsye të
konsiderueshme për të menduar se Chomsky është intelektuali më i
rëndësishëm aktualisht mbi tokë”; “The Nation”: “Chomsky është një
burim i pashtershëm diturie”; “The Guardian”: “Së bashku me Marks,
Shakespeare e Biblën është midis dhjetë burimeve më të cituara në
historinë e kulturës”.
“Idealja për sistemin aktual botëror është
një individ përballë televizionit që nuk komunikon me askënd e që
lejon që truri t’i shtrydhet nga TV-ja. Në rast se individi nis të
komunikojë, mund të bëhet i rrezikshëm, rikuperon humanizmin e tij,
sensin e tij kritik, aftësinë për të ndërtuar alternativa”, - shkruan
Chomsky, përherë kritik ndaj politikës e ndaj tërë mënyrës së ndërtimit
të sistemit botëror.
Dhjetë strategjitë e manipulimit me anë të masmedias sipas Chomskyt
1-Strategjia e devijimit të mendjes
Elementi
kryesor i kontrollit social është strategia e devijimit të mendjes që
konsiston në heqjen e vëmendjes së publikut nga problemet e rëndësishme
e nga ndryshimet vendimmarrëse të elitës politike dhe ekonomike, duke
përdorur teknikën e stërmbushjes së vazhdueshme me informacione të
pakuptimta. Strategjia e devijimit të mendjes është edhe e domosdoshme
për të evituar interesin publik ndaj njohurive thelbësore të shkencës,
ekonomisë, psikologjisë, të neurobiologjisë e kibernetikës. Devijim të
vëmendjes së publikut nga problemet e vërteta sociale, duke e pushtuar
me tema pa asnjë rëndësi. Mbaj publikun të impenjuar, të impenjuar, të
impenjuar pa i dhënë kohë të mendojë, gjithmonë në kthim drejt fermës si
të gjitha kafshët.
2-Të krijosh problemin e më pas të ofrosh zgjidhjen e tij
Kjo
metodë quhet gjithashtu dhe “problem-reagim-zgjidhje”. Krijohet një
problem, një “situatë” që prodhon një reagim të përcaktuar në publik në
mënyrë që të jetë kjo arsyeja e masave që ata dëshirojnë të pranojnë.
Për shembull: lejimi i luftës o i intensifikimit të dhunës urbane, apo
organizimi i atentateve të përgjakshme në mënyrë që të jetë publiku ai
që pretendon ligje mbi sigurinë e politika në dëm të lirisë. Gjithashtu,
krijimin e një krize ekonomike për të pranuar si një të keqe të
nevojshme zvogëlimin e të drejtave sociale apo shpërbërjen e shërbimeve
publike.
3-Strategjia graduale
Për
të bërë të pranueshme një masë të papranueshme, mjafton që të
aplikohet gradualisht e me doza të numërueshme për disa vite me radhë.
Kjo qe metoda që kushtet social-ekonomike radikalisht të reja
(neoliberalizmi) imponuan në vitet ’80-‘90: një shtet minimal,
privatizime, pasiguri, fleksibilitet, papunësi në masë, pagesa të
pakënaqshme, shumë ndryshime që po të aplikoheshin njëkohësisht, do të
provokonin patjetër një revolucion.
4-Strategjia e shtyrjes
Një
mënyrë tjetër për të pranuar një vendim jopopullor është prezantimi i
tij “si i dhimbshëm e i nevojshëm”, duke fituar në atë moment
konsensusin e njerëzve për një aplikim në të ardhmen. Është më e lehtë
të pranosh një sakrificë në të ardhmen sesa në të tashmen. Në radhë të
parë pasi sforcimi nuk do jetë i menjëhershëm. Së dyti pasi njerëzit,
masa, ka gjithmonë tendencën për të shpresuar me naivitet se “gjithçka
do të shkojë më mirë nesër” e se sakrifica e kërkuar mund dhe të
evitohet. Në këtë mënyrë i jepet më shumë kohë njerëzve të mësohen me
idenë e ndryshimit e ta pranojnë sidoqoftë atë kur të vijë momenti.
5-T’i drejtohesh masës si t’i drejtohesh një fëmije
Shumica
e publiciteteve drejtuar publikut përdor fjalime, argumente,
personazhe me një intonacion veçanërisht infantil, shpesh me një zë të
dobët, sikur spektatori të ishte një krijesë pakvjeçare apo një i metë
nga trutë. Sa më shumë kërkohet të mashtrohet publiku, aq më infantil
është toni i përdorur. Pse? “Kur dikush i drejtohet një personi sikur
të kishte 12 vjeç apo më pak, për shkak të sugjerimit atëherë përgjigja
e tjetrit me shumë mundësi do të tentojë të jetë pa asnjë sens kritik
si përgjigjja e një 12-vjeçari o më pak në moshë se ai.
6-Përdorimi i aspektit emocional më shumë sesa reflektimi
Shfrytëzimi
i emotivitetit është një teknikë klasike për të provokuar një qark të
shkurtër të analizës racionale e të sensit kritik të individit. Përveç
kësaj, përdorimi i tonit emotiv i hap derën papërgjegjshmërisë për të
mbjellë apo injektuar ide, dëshira, frika, detyrime o sjellje.
7-Mbajtja e njerëzve në padituri dhe mediokritet
Bërja
e mundur e ruajtjes së paaftësisë së njerëzve për të kuptuar teknikat
dhe metodat e përdorura për kontrollin e skllavërinë e tyre. “Cilësia e
edukimit ndaj klasave sociale inferiore duhet të jetë sa më e varfër e
mediokre, në mënyrë që distanca e krijuar nga klasa inferiore e klasa
superiore të mbetet e pamundur për t’u mbushur nga pjesa inferiore”.
8-Stimulimi i publikut në favorizimin e mediokritetit
Nxitja e publikut për të besuar se është në modë të jesh budalla, vulgar e injorant.
9-Përforcimi i ndjenjës së fajit
Të
bësh të besojë individin se është ai ekskluzivisht përgjegjës i
fatkeqësive të tij, për shkak të pamjaftueshmërisë së inteligjencës,
aftësisë apo sforcos. Në këtë mënyrë, në vend që të rebelohet kundër
sistemit ekonomik, individi vetëvlerësohet e ndihet në faj, gjë që nga
ana tjetër krijon gjendjen e depresionit, efekt i së cilës është
mosreagimi. E pa reagim nuk ka revolucion.
10-Të njohësh njerëzit më mirë sesa ata njohin veten
Në
vitet ‘50, progreset e shpejta në shkencë krijuan një boshllëk midis
njohurive të njerëzve e njohurive të elitës dominuese. Falë biologjisë,
neurobiologjisë e psikologjisë së aplikuar, “sistemi” fitoi një njohuri
të avancuar të qenies humane si fizike ashtu dhe psikologjike. Sistemi
arriti të njihte individin më mirë se ai të njihte veten, gjë që sjell
që në shumicën e rasteve sistemi të ushtrojë një kontroll më të gjerë e
një fuqi më të madhe ndaj njerëzve, madje më të madhe se ajo që
njerëzit kanë ndaj vetvetes.
N. Chomsky
Sugjeruar nga :Edvin Arapi