Tuesday, June 29, 2010

Serbët, fyerje dhe dhunë ndaj shqiptarëve

“Duhet të vriten të gjithë shqiptarët që të mos ekzistojnë. Kosova është Serbi dhe do të mbetet pjesë e shtetit serb”.

Me këto thirrje rreth 1500 serbë përkujtuan betejën e Gazimestanit me një miting në Vidovan.

I pranishëm në këtë miting ishte edhe peshkopi Amfilohije Radovic, i cili ka bërë thirrje për një vendim të ri mbi statusin e Kosovës.

“Njerëzit në Kosovë të luten për drejtësi. Duhet një zgjidhje që do të ishte në të mirë të të gjithëve, jo vetëm të atyre që jetojnë në Kosovë”, ka deklaruar ai.

Dhjetra shtetas serbë, të cilët kishin hyrë në Kosovë me motorë, sulmuan makinat e mediave shqiptare. Ata dogjën edhe një flamur amerikan nën tingujt e këngëve serbe.

Në këtë miting ishin të pranishëm edhe ambasadori rus në Beograd, si dhe ministri serb për Kosovën, Goran Bogdanovic. E gjithë kjo ndodhi në praninë e policisë së Kosovës, e cila duhet të mbronte gazetarët.

Video: http://www.top-channel.tv/video.php?id=16543

T. Channel

Mafia ruse, italiane e izraelite mësyjnë ekonominë shqiptare

SHISH paralajmëron Komisionin e Sigurisë për kërcënimet kombëtare.

Trafikantë shqiptarë të drogës në Amerikën Latine, por edhe mafia më e egër italiane dhe ruse, po tentojnë të financojnë në Shqipëri në troje dhe ndërtim përmes praktikave korruptive.
Ky konkluzion del nga raporti i Shërbimit Sekret në vendin tonë, i cili ka raportuar para pak ditësh para deputetëve të Komisionit të Sigurisë Kombëtare në Kuvendin e Republikës. Në këtë raportim të Shërbimit Informativ Shtetëror flitet për kapjen e tregut, monopolet shtetërore dhe monopolet e transferuara nga shteti te operatorë privatë përmes praktikave korruptive. SHISH ka dhënë alarmin se Shqipërinë por e mbërthen mafia italiane, ruse dhe ajo izraelite, duke mos përjashtuar edhe trafikantët shqiptarë të drogës në Kolumbi.


Narkotrafiku i shqiptarëve

Gjatë raportimit, krerët e SHISH-it kanë vënë në dukje për deputetët e sigurisë kombëtare se disa trafikantë shqiptarë të drogës, rezidentë në vende të Amerikës Latine, po tentojnë të përfshihen në fusha investimesh të rëndësishme në Shqipëri, veprimtari që sipas SHISH-it krijojnë mundësi dhe terren për kamuflimin e trafikut të kokainës, si dhe riciklimin e produktit kriminal. Më tej, shërbimi sekret shqiptar vë dhe njëherë në dukje se produkti kriminal i përfituar nga narkotrafiku vijon të investohet në blerje trojesh, ndërtim, blerje të mjeteve të rënda që përdoren në industrinë e rëndë, por edhe në industrinë e lehtë dhe ushqimore.


Falsifikimet dhe pastrimi i parave

Veç narkotrafikantëve, një formë tjetër kriminaliteti e rrezikshme dhe e organizuar që po realizohet me efikasitet, për Shërbimin Informativ është prodhimi dhe falsifikimi i kartëmonedhave dhe bonove të privatizimit në vend, ose futja e tyre nga jashtë, me destinacion tregun shqiptar.
Në raportin e SHISH-it deklarohet se në të shumtën e rasteve origjina e këtij aktiviteti është Serbia, Bullgaria e Maqedonia.

Ndërkaq, një tjetër problem shqetësues për sigurinë kombëtare evidentohet edhe mashtrimi financiar. Sipas të dhënave në raport, mashtrimet financiare tashmë nuk evidentohen vetëm gjatë realizimit të kontrabandës, evazionit fiskal, prokurimeve publike, por edhe duke krijuar skema piramidale, kryesisht të kamufluara, si veprimtari në fushën e sigurimeve. SHISH është shprehur se origjina e këtij aktiviteti është edhe Shqipëria, por nuk përjashtohen Maqedonia dhe Kosova.

SHISH ka vënë në dukje më tej se mallrat që kontrabandohen po krijojnë realisht shqetësim për ekonominë e vendit. “Këto mallra kanë të bëjnë me ato të akcizës, kryesisht cigare, kafe dhe karburante. Gjithashtu është rritur tendenca e kontrabandimit të mallrave si konfeksione, elektroshtëpiake dhe mallra të tjera elektronike. Origjina e lëndës së parë apo e vetë këtyre mallrave është Kina”, shprehet Shërbimi Informativ Shtetëror.

Ndërsa Pastrimi i Parave është sofistikuar dhe rruga për evidentimin e këtij aktiviteti është vështirësuar, sipas SHISH, vepra kriminale e pastrimit të parave brenda Shqipërisë dhe në Ballkan po shkon drejt sofistikimit. Investimet direkte apo indirekte të produktit kriminal të përfituar po rrallohen, ndërkohë që grupe kriminale, kryesisht të huaja, po punojnë në këtë fushë përmes operacioneve të ndërlikuara bankare.


Mafia italiane, ruse dhe izraelite

Një tjetër shqetësim edhe më i madh për sigurinë kombëtare, i vënë në dukje nga SHISH, ka të bëjë me organizatat mafioze kalabreze, që po ndërveprojnë me shtetas shqiptarë nga një qark ndër më të mëdhenjtë e më të pasurit në Shqipëri. “Grupe kriminale kazaleze (napolitane) po shprehin dëshirën të investojnë në Shqipëri në drejtim të ngritjes apo blerjes së kazinove, ashtu siç është bërë në Mal të Zi dhe Maqedoni. Organizata mafioze, “Ndrageta”, nëpërmjet disa lidhjeve të saj, shtetas italianë të paraqitur në Shqipëri si investitorë të rëndësishëm, po synon investimin në fushën e ndërtimeve”, jep alarmin SHISH.

Më tej, ekspertët shprehen se informacione të shumta të mbërritura dëshmojnë se Shqipëria është tashmë në fokusin e investimeve të dyshimta ruse. “Konfirmohet interesimi për blerjen e tokave në bregdet dhe zona të ndryshme turistike. Gjithashtu disponohen të dhëna se edhe elementë të krimit të organizuar izraelit po synojnë tregun shqiptar të lojërave të fatit dhe investime në fushën e energjetikës”, raporton Shërbimi Informativ.


Paralajmërimet e shërbimit sekret

Nga analiza vlerësohet se gjatë periudhës së krizës financiare, por edhe më tej, qëllimi i grupeve të krimit të organizuar mund të jetë vendosja e kontrollit mbi aksionet e kompanive në krizë, ose pronësia mbi to. “Turizmi, biznesi i hotelerisë, pronat e patundshme dhe operacionet me to, ndërtimi dhe prodhimi i materialeve të ndërtimit, përpunimi dhe shfrytëzimi i teknologjive energjetike alternative, mund të jenë më të rrezikuarat”, ka vënë në dukje SHISH. Më tej vlerësohet se potencialet ekonomike shfrytëzohen në funksion të fuqizimit disa planesh me ambicie ndikimin në favor të politikave përkatëse.

Më tej shpjegohet se rritja e aksesit politik dhe ekonomik konsiderohet si një ndër elementët prioritarë në realizimin e pretendimeve në momentin oportun, për dominim në dëm të interesave tona kombëtare.

Shqip

Kriza, “Guardian”: Greqia nxjerr në shitje ishujt

ATHINE- E përditshmja angleze “Guardian” zbardh planin e Greqisë për të shlyer borxhet e për të dalë nga kriza. Sipas asaj që shkruhet në artikullin kushtuar Greqisë, shteti helen ka vendosur të nxjerrë në shitje disa nga ishujt e saj më të bukur në mënyrë që të shlyejë borxhet e mëdha ndaj Bashkimit Europian dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar.


E përditshmja britanike nënvizon se në planin e shitjes është edhe një pjesë e konsiderueshme e ishullit Mykonos, i cili është një ndër destinacionit kryesore të turistëve të huaj dhe vendas.

Territori i cili është në pronësi të shtetit duket se do ti jepet për shfrytëzim një manjati të huaj që ka planifikuar ndërtimin e një resorti turistik mahnitës.
Territore të tjera që do të nxirren në shitje gjenden në ishullin e Rodit. Sipas gazetës angleze, edhe Roman Abramovich, pronari i skudrës së Chelsit, është i interesuar për të blerë njërin nga ishujt grekë.

Greqia ka në tërësi 6000 ishuj, pjesa më e madhe e të cilave janë shumë të vegjël dhe të pabanuar nga njerëzit. Ndërkohë vetëm 227 ishuj shfrytëzohen për turizëm dhe janë territore të banuara.

Sipas “Guardian” disa ishuj kushtojnë vetëm 2 milionë euro, aq sa kushton një shtëpi në lagjet e qytetit të Londrës.
(e.n/guardian/BalkanWeb)

Sunday, June 27, 2010

Edhe bullgarët duan minoritet në Shqipëri

- Pas Bukureshtit, radha e Sofjes për të përfituar nga censusi. Lideri i VMRO nxit qeverinë.




Pas rumunëve, edhe bullgarët hidhen në ofensivë për të pasur minoritetin e tyre në Shqipëri. Regjistrimi i popullsisë mbi bazën e vetëdeklarimit të përkatësisë etnike dhe fetare, që është përcaktuar të realizohet nga qeveria jonë vitin e ardhshëm ka nxitur më së shumti qarqet nacionaliste të Ballkanit të dokumentojnë pretendimet e tyre për ekzistencën e pakicave në Shqipëri.

Lideri i një partie me prirje nacionaliste që mban emrin VMRO-ja bullgare ka kërkuar dje nga qeveria e Sofjes të lëvizë për të përfituar nga censusi shqiptar.


Thirrja e VMRO-së bullgare

Lideri i Lëvizjes Kombëtare VMRO-ja bullgare, Krasimir Karakaçanov, ka bërë thirrje për një rol më aktiv të institucioneve shtetërore të Bullgarisë në lidhje me bullgarët në Shqipëri.
”Në vitin 2011 në Shqipëri do të realizohet një census dhe roli aktiv është i rëndësishëm në mënyrë që bullgarët në Shqipëri të mund të identifikohen si bullgarë, jo si maqedonas apo shqiptarë”, i tha Krasimir Karakachanov agjencisë së lajmeve bullgare “Focus”.

Sipas tij, puna e shtetit bullgar në lidhje me këtë popullsi është neglizhuar në 20 vitet e shkuara. Ai thotë se ka paradokse, si fakti që bullgarët nga Shqipëria me emra kristianë marrin pasaportë bullgare, ndërsa bullgarët me emra myslimanë nuk mund të pajisen me pasaportë.

“Qëkur Shqipëria njohu shtetin e Maqedonisë, qeveria maqedonase në vitet 1991-1992 u mundua t’i identifikonte këta njerëz si maqedonas, duke u dhënë atyre pasaporta, shtetësi maqedonase, … kështu që ata mund thonë se ekziston një minoritet maqedonas në Shqipëri.Kjo është një politikë me këta njerëz, që i kushton gjithashtu Greqisë, Bulgarisë e kështu me radhë”, tha ai.


Gara maqedono-bullgare

Edhe pse akuzohet nga Karakaçanov për pasivitet, qeveria bullgare nuk ka ndenjur duarkryq gjatë 20 viteve të fundit në lidhje me ata që prej Sofjes konsiderohen bullgarë të Shqipërisë. Që nga fillimi i viteve ’90 Ministria e Arsimit e Bullgarisë jep çdo vit bursa studimi për shtetasit shqiptarë me origjinë sllave që deklarojnë se janë bullgarë. Ky projekt, për vite me radhë i është lënë në dorë pikërisht organizatës VMRO, emri i plotë i së cilës është “Vëtreshna Maokedonska Revolucionna Organizacia” (Organizata e Brendshme Revolucionare, Maqedonase).

Por qeveria e Shkupit, për shkak të afërsisë territoriale me popullsitë që pretendohen prej dy shteteve ka bërë më shumë “rekrutime” ndër sllavët e Shqipërisë, duke ofruar pasaporta, lëvizje të lirë dhe bursa studimi, por edhe duke kryer investime në fshatrat e Gollobordës dhe Liqenasit, ku janë përqendruar më së shumti shqiptarët me origjinë sllave.
Kamber Velaj, G Shqip

Kohëzgjatja 'perfekte' e seksit: 10 minuta

Maratonat seksuale bëhen sflitëse, por edhe të mërzitshme. Për një raport të kënaqshëm mjaftojnë 10 minuta, kohëzgjatja 'perfekte' për pjesën më të madhe të njerëzve.

Kështu thuhet në një studim të kryer nga 50 specialistë, anëtarë të Shoqerisë për Sex Therapy and Research, të publikuar në 'Journal of Sexual Medicine'.

Ekspertët, që dëgjojnë dhe trajtojnë cifte me probleme në shtrat, kanë arritur të kuptojnë se kohëzgjatja normale dhe e pëlqyeshme e marrëdhënies është rreth 10 minuta.

Më saktësisht: Nëse marrëdhënia zgjat nga 3 në shtatë minuta, seksi është i pranueshëm, një ose 2 minuta është shumë pak, ndërsa nëse kalohen 13 minutat raporti zgjat shumë dhe rrezikon të bëhet i mërzitshëm.

Shqip, Ndryshe

Shqipëria, armë falas Irakut dhe Afganistanit

Në 20 shtator të vitit 2006 Shqipëria i ka dhuruar municion luftarak Afganistanit dhe Irakut. Konkretisht bëhet fjalë për 500 mijë copë fishekë të kalibrit 7.62 x 54 mm dhe për 2 mijë copë predha mortaje të kalibrit 82 mm, prodhime kineze të viteve 1965-1972.

“Gazeta Shqiptare” ka mundur dje të sigurojë ekskluzivisht vendimin nr.638 të Këshillit të Ministrave, që për katër vjet me radhë i është mbajtur sekret opinionit publik.

Zbulimi për herë të parë i këtij vendimi ngre shumë pikëpyetje. Qeveria thotë se armatimi jepet si kontribut për ushtrinë kombëtare afgane dhe atë irakene. Por, nuk ekziston asnjë marrëveshje dypalëshe me terma konkretë mes Shqipërisë dhe qeverisë afgane apo irakene, ku të jenë specifikuar procedurat e ndjekura nga momenti i daljes së këtij municioni nga depot e ushtrisë shqiptare deri në momentin e marrjes së tij në dorëzim.

Gazeta shton me tej se se zyrtarët më të lartë të shtetit shqiptar kanë shprehur në mënyrë konstante vullnetin e Shqipërisë për t’i dhuruar armë ushtrisë afgane dhe irakene si kontribut për forcimin e tyre. Por, të gjitha këto deklarata ( disa prej tyre, te publikuara sot ne Gazeta Shqiptare) janë bërë fillimisht në vitin 2007 e mandej pas tragjedisë së Gërdecit që ndodhi në 15 mars 2008.
Asnjë të tillë nuk mund të gjesh gjatë viteve 2005 apo 2006.

BalkanWeb

Pedofilia! Për kë bien kambanat në Vatikan?!

Arka e kishës katolike po boshatiset nga pagesat e vazhdueshme që po bëhen kundrejt familjeve, fëmijët e të cilëve kanë vuajtur abuzimet seksuale të priftërinjve.

Ati ynë (…) mos më ço në tundim, më liro nga e keqja!
Mesa duket kjo frazë biblike nuk është aq bindëse kur e dëgjon nga goja e një prifti të penduar, qoftë edhe pas një tundimi të vetëm pedofilie që ka pasur në të shkuarën e tij. Ndoshta kjo ishte arsyeja që Papa Benedikti pranoi të fliste për herë të parë në historinë e Vatikanit për krimin që një pjesë e kishës po i bën grinjës së besimtarëve. “Kërkojmë faljen e Zotit, premtojmë se do të bëjmë gjithçka për të mos u përsëritur abuzime të tilla. Kisha dënon sjelljet e turpshme të priftërinjve të saj...”. Më shumë sesa i shtrënguar nga rastet në rritje të pedofilisë, Papa Benedikti nuk mund të bënte asgjë më shumë sesa të lutej. Mes fjalëve të tij ai kërkonte falje për priftërinjtë, por nuk foli se si mijërave fëmijëve në botë mund t’u kthehet jeta si më parë.

A mjafton një lutje drejtuar Zotit që ai të fshijë nga e shkuara dhimbjen dhe abuzimet seksuale? Të gjitha rastet duan shpagim.

Shpagimi

Arka e kishës katolike po boshatiset nga pagesat e vazhdueshme që po bëhen kundrejt familjeve, fëmijët e të cilëve kanë vuajtur abuzimet seksuale të priftërinjve katolikë kudo nëpër botë. Që nga rastet e para të shfaqjes së pedofilisë në qarqet kishtare nga ato periferiket drejt metropoleve të mëdha si Nju Jorku apo Bostoni, Vatikani edhe pse ka heshtur, ka tentuar të paguajë ato me miliona dollarë, që kanë shkuar në xhepat e familjeve të fëmijëve të abuzuar seksualisht.

SHBA ka qenë vendi i parë që vendosi të kishte një listë të plotë të priftërinjve pedofilë, rasteve të dhunës seksuale që ata kishin ushtruar ndaj gregjës së besimtarëve, madje dëshmitë e tyre sollën në mënyrë të drejtpërdrejtë shpagim. Vetëm kisha katolike e Los Angeles, pasi kishte verifikuar rastet e abuzimeve seksuale tek të miturit nga vitet 1940 deri në ditët e sotme ka arritur t’u paguajë një dëmshpërblim prej 774 milionë dollarësh të abuzuarve direkt nga priftërinjtë.
Hetimi nxori se ishin 508 viktima seksuale pre e abuzimeve të 113 priftërinjve.
Arqipeshkvia Katolike e Los Angeles regjistron gjithashtu edhe numrin më të madh të rasteve ndaj të abuzuarve, duke u paguar atyre më shumë se 10 milionë për kokë. Shifra e publikuar në mediat amerikane ka ardhur vetëm pas një beteje të gjatë nëpër gjykata. Në Alaskë, por dhe në Amerikë pas shpalljes fajtorë të disa priftërinjve të përfshirë në akte të turpshme, kisha kërkoi që ata të mos ndiqeshin penalisht dhe në këmbim do të paguante 50 milionë dollarë për 110 viktimat. Ndërkaq dioqeza e Chicago-s ka paguar së fundmi 6.6 milionë dollarë ndaj abuzimeve seksuale që u janë shkaktuar 15 të miturve nga 12 priftërinj të akuzuar për pedofili që nga vitet 1960 deri në 1990. Kisha katolike ka refuzuar të paguajë për veprat e turpshme të priftërinjve, duke u kërkuar atyre që mbajnë përgjegjësi morale dhe financiare për abuzimet seksuale. Por, duket se ky “shpagim” financiar i mëkateve të priftërinjve është pranuar vetëm në Amerikë, pas një vendimi të kishës, e cila ka qenë e vetëdijshme për rastet e pedofilisë. Ajo që bie në sy është fakti se pothuajse gjysma e priftërinjve të akuzuar kanë vdekur, duke i shkaktuar një dëm të madh ekonomik kishës katolike.

Një nga rastet më të përfolura në Amerikë ka qenë ai i një prifti ndaj të cilit u depozituan rreth 200 akuza për pedofili, por kisha ndërhyri në kohë duke e mbyllur çështjen në këmbim të një shumë prej 52 milionë dollarësh. Prifti Oliver O'Grady, i quajtur ndryshe Hannibal Lecter për 17 vjet kishte abuzuar me 22 të mitur, duke u paguar viktimave një shumë prej 18.7 milionë dollarësh. Ai ka paguar për 10 vjet rresht edhe një shumë tjetër prej 94 mijë dollarësh, ose 788 USD për çdo muaj në llogarinë e dioqezës katolike.


Studimi

SHBA


Një studim i kryer së fundmi në Amerikë tregon se nga vitet 1950-2010 janë akuzuar për pedofili 4.392 priftërinj të çdo rangu kishtar, ose e thënë ndryshe 4 për qind e 110 mijë vetëve që kanë shërbyer në 50 vitet e fundit. Viktimat vetëm në Amerikë, sipas një studimi, rezultojnë të jenë: 5.8 për qind nën 7 vjeç; 16 për qind nga 8 deri 10 vjeç; 50.9 për qind të moshës 11 deri 14 vjeç dhe 27.3 për qind të moshës 15-17 vjeç, ndërsa për sa i takon gjinisë së viktimave, 81 për qind ishin djem dhe 19 për qind ishin vajza. Fëmijët e molestuar janë studiuar nga një grup specialistësh dhe kanë rezultuar se 38.4 për qind e tyre janë abuzuar seksualisht për më pak se një vit, 21.8 për qind nga 1 deri në 2 vjet, 28 për qind nga 2 në 4 vjet dhe 11.8 për qind më gjatë. Në lidhje me frekuencën ose numrin e priftërinjve që kanë abuzuar me fëmijët, studimi ka nxjerrë se 55.7 për qind e priftërinjve kishin një viktimë, 26.9 për qind 2 ose 3, 13.9 për qind 4-9; 3.5 për qind 10 ose më shumë fëmijë. Vendet e abuzimeve, 40.9 për qind në shtëpinë e priftit, 16.3 për qind në kishë dhe 42.8 për qind kudo. Vetëm duke iu referuar shifrave të deklaruara për sigurimin ose dëmshpërblimin e të miturve vetëm në Amerikë për 1400 raste mbi 1 miliard dollarë, ndërsa janë shkarkuar nga puna rreth 800 priftërinj, ndërsa 5 mijë kanë dhënë dorëheqjen.

Lista e pedofilëve

Pas skandalit të sivjetshëm në Austri ku 17 priftërinj kishin abuzuar me 512 të mitur, prania e priftërinjve në shkolla apo institucione të tjera është kthyer në një makth.
Për këtë qëllim në shumë vende është kërkuar që kisha të deklarojë rastet e priftërinjve pedofilë, mes tyre edhe ata që janë penduar.

Kështu në Britaninë e Madhe janë deklaruar 240 priftërinj, në Irlandë 74 raste që kanë abuzuar për 40 vjet me 2500 të mitur. Mendohet se Amerika ka numrin më të madh të rasteve, rreth 4 mijë priftërinj nga 110 mijë, ose 4 për qind e tyre, janë akuzuar për krime seksuale me minorenet.

Një studim në SHBA ka treguar se në rastet e studiuara të pedofilisë me priftërinj, 81 për qind e tyre ishin të mitur ose adoleshentë të seksit mashkull, ndërsa pjesa tjetër e seksit femër. Në Brazil, statistikat flasim për 1.700 priftërinj të akuzuar për pedofili ose 10 për qind e totalit, ndërsa në Spanjë sipas autoriteteve zyrtare të klerit mendohet se rreth 4 për qind e priftërinjve kanë qenë të përfshirë në vepra të turpshme. Për sa i takon kontinentit australian, deri në 2009 janë regjistruar 107 priftërinj pedofilë, por mendohet se shifra mund të jetë më e lartë.

Në total shifrat shpesh edhe të pranuara nga Vatikani arrijnë në gjithë globin në 11 për qind, që është edhe konfirmimi zyrtar i rasteve të priftërinjve pedofilë që shërbejnë apo kanë shërbyer për kishën katolike në të gjithë globin.

Vetëm në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, shifra zyrtare e deklaruar nga Konferenca Episkopale që nga vitet 1950 deri në ditët e sotme rezultojnë plot 10.667 persona si viktima të abuzimeve seksuale, ndërsa 4.392 priftërinj kanë qenë të përfshirë në këto skandale.

Analistët theksojnë se shifrat janë gjithmonë në rritje, për shkak se një pjesë e rasteve i kanë depozituar akuzat pas disa vitesh. Në listën e rasteve më të përfolura të pedofilisë në kishën katolike është kisha Sant Polten, në Austri, ku vetë Vatikani ndërhyri për të zgjidhur çështjen, madje duke e mbyllur për një periudhë këtë vend të shenjtë, ndërkaq në listën e vendeve që rezultojnë me probleme të theksuara të pedofilisë të shkaktuara nga priftërinjtë janë pikërisht Brazili, Argjentina, Polonia, Meksika, Gjermania dhe Italia.

Debati

Pas deklaratave të Papa Benediktit, ku pranoi përfshirjen e priftërinjve në abuzime të rënda seksuale me të mitur, Vatikani është përballur me një numër të madh kritikash. Me urdhër nga Vatikani janë tërhequr përkohësisht nga shërbimi kishtar rreth 600 priftërinj, me qëllim që të ndryshojnë sjellje, të pranojnë mëkatet e tyre, të rrëfejnë për rastet e pedofilisë dhe gjatë kësaj periudhe ata do t’i nënshtrohen një kursi që synon ndryshimin e sjelljes. Bëhet fjalë për njerëz të rëndësishëm të kishës, të cilët mund të rikthehen sërish në punë, në vende të tjera, duke ruajtur anonimatin dhe të shkuarën e errët. “Një prift i penduar për mëkatet e tij (përfshi këtu edhe pedofilinë), mund të shërbejë sërish, padyshim këtu nuk përfshihen personat që janë shkishëruar”, -ka deklaruar imzot Girotti. Por duket se fjalët ndriçuese që vijnë nga njerëz të rëndësishëm të Vatikanit nuk janë aq të besueshme, pasi rastet e reja vijnë në rritje. Debati është fokusuar së fundmi në këtë pikë, kur kisha katolike ka pranuar që të shërbejnë priftërinj të akuzuar për raste pedofilie, pasi ata kanë kërkuar ndjesë publike. “Ky është një argument absurd.

Vatikani vazhdon të këmbëngulë se aborti dhe homoseksualiteti janë një mëkat i pafalshëm, madje kjo doktrinë detyron drejtues shtetesh të mos i pranojnë këto fenomene, ndërsa për ta pedofilia me njerëzit e kishës nuk është një mëkat”, - thekson një analist italian. Kisha katolike vazhdon të fshehë sekretet, kisha nuk i do skandalet, edhe atëherë kur priftërinjtë e saj janë fajtorë.
Prandaj ngre sytë nga qielli. Zot! Lutem për mëkatet tona, tani edhe derisa vdekja të vijë. Amen!

Olsi Kolami, G. Standart

Lista e “zezë” e 10 qyteteve me ndotje toksike, ambientalistët japin alarmin

Porto Romano, Metalurgjiku i Elbasanit, Bajza e Shkodrës, Fieri, e Tirana qytetet ku jetohet me rrezikun.
Tirana
Ndotja toksike është kthyer kohët e fundit në një rrezik të madh për një pjesë të madhe të qyteteve në vend, duke përfshirë në listën e zezë edhe metropolin shqiptar Tiranën. Por nuk mund të mbeten mbrapa edhe Shkodra me zonën e Bajzës, Elbasani me Metalurgjikun, Fieri me disa zona ku përpunimi i naftës kryhet në kushte skandaloze e një sërë qytetesh të tjera ku ndotja toksike është kthyer tashmë në rrezik të hapur për banorët të cilët janë të detyruar të jetojnë mes rrezikut duke u ekspozuar kështu ndaj sëmundjeve kanceroze, atyre të frymëmarrjes të zemrës e një sërë sëmundjesh të tjera të rrezikshme.

Por në këtë listë nuk mbeten mbrapa Burreli, Laçi, Pogradeci, e shumë qyteteve të tjera të listuara në hartën e zezë të rrezikshmërisë.

I gjithë Jugu i Shqipërisë kërcënohet seriozisht nga niveli i lartë i ndotjes toksike.
Porto Romano
Kohët e fundit në lidhje me këtë janë evidentuar sëmundje të rrezikshme, të cilat kanë prekur një pjesë të madhe të popullsisë së kësaj zone. Në lidhje me këtë Xhemal Mato një prej specialistëve të mjedisit tha dje se nga organizatat e mjedisit në lidhje me reduktimin e ndotjes që sjellin elementët e dëmshëm të ndotjes nga nafta apo lëndë të tjera toksike në këto zona nuk është kryer asnjë projekt, dhe për më tepër edhe nga Ministria e Mjedisit nuk ka asnjë studim që mund të ndikojë në uljen e përmasave të ndotjes toksike e cila sa vjen edhe shtohet.
Sipas Matos specialistët e mjedisit, si dhe ata të shëndetësisë, bëjnë thirrje për marrjen e masave të menjëhershme dhe japin gjithashtu alarmin për gjendjen e ndotjes toksike e cila është në përmasa shqetësuese për të gjithë qytetarët e qyteteve ku bëhet përpunimi i naftës e niveli i ndotjes është në rritje. Edhe pse shpesh ambientalistët kanë kërkuar që të zbatohen masa për uljen e ndotjes së ajrit, ujit dhe tokës në këto zona sërish asnjë masë nuk është marrë nga Ministria e Mjedisit. Kjo, pasi shëndeti i këtyre banorëve është para një rreziku shumë të madh. Deri më tani janë të shumtë në numër ata persona, të cilët janë prekur nga sëmundje të rënda, siç janë kanceri dhe dizenteria, vetëm për shkak të ndotjes së lartë, që është e pranishme në këto vende. Specialistët kanë vënë alarmin, duke theksuar se shifrat e të prekurve nga sëmundjet vdekjeprurëse janë jashtëzakonisht të larta. Gjithashtu, ata pohojnë se, nëse nuk veprohet me emergjencë për uljen e nivelit të ndotjes, Jugu i vendit tonë do të jetë përballë një katastrofe dhe atëherë do të jetë shumë vonë për ta zgjidhur problemin e ndotjes.
Elbasan
Harta e Zezë
Përveç zonave të njohura si vdekjeprurëse, si Patos-Marinzë, në hartën e zezë të ndotjes toksike përfshihen edhe shumë qytete të tjera jugore. Kështu, jo shumë larg qytetit të Burrelit, një gjigant tjetër ka sjellë probleme me popullsinë. Specialistë të mjedisit kanë kërkuar që në fabrikën e përpunimit të ferro-kromit në këtë qytet të kryhet pastrimi i menjëhershëm i zonës, në të kundërt, pasojat do të jenë të parikuperueshme. Po ashtu, në Berat ekzistenca e fabrikës së prodhimit të baterive në këtë qytet ka bërë që ajri të jetë tri herë më i ndotur se parametrat e lejuara nga Komuniteti Evropian. Laçi, një nga qytetet industriale më të njohura në vend, ka kohë që, megjithëse është në gjumë, e ka realizuar qëllimin e tij, duke ndotur ujërat sipërfaqësore, si dhe nëntokën. Për sa u përket minierës së Bulqizës, shkrirësit të ferro-kromit në Elbasan, Kombinatit të Tekstileve në Berat, si dhe ish-fabrika e plastikës në Lushnjë, nuk do shumë të gjykosh. Mjafton të shkosh dhe do të bindesh vetë për rrezikshmërinë e tyre. Ish-Kombinati i Autotraktorëve në Tiranë ka problemin e madh, sepse një pjesë e banorëve jetojnë në ambientet e tij, ndërsa një pjesë e romëve “kanë pushtuar” brigjet e lumit, ku derdhen shumë nga mbeturinat. Për specialistët e mjedisit, një shqetësim tejet i madh është edhe Guri i Kuq në qytetin e Pogradecit, mbetjet e përpunimit të hekur-nikelit, të cilat rrezikojnë liqenin e Ohrit. Hedhja e mbetjeve në liqen ka bërë që uji të marrë ngjyrë të kuqe, duke shkaktuar ndotje tej normave të lejuara.
Ndotja, thuhet në studim, ka dëmtuar rëndë shumë nga speciet që gjallojnë ujërat e liqenit.

Bajza

Zonat e ndotura
1- Puset e naftës, në Kuçovë rrezik për banorët, rritet sëmundshmëria
2- Porto Romano në Durrës mbetjet inerte e ndotja tejet problematike
3- Metalurgjiku i Elbasanit shkarkon elementë të rrezikshëm në ajër
4 - Puset e naftës çlirojnë lëndë të rrezikshme për qytetarët e Beratit
5- Rrezikshmëri prej shkarkimit të naftës, kanali i motorit, në Pyllin e Sodës
6- Zona e Bajzës në Shkodër, ndotja shumë herë më e lartë se masat normale
7- Zonat me naftë në Fieri, ndotja është përhapur deri në bregdetin e Vlorës
8- Patos-Marinzë zonë e evidentuar nga ambientalistët si vdekjeprurëse


Arta AGOLLI, G. Sot

Serbia, eksplorim për gjetjen e minoritetit serb në Shkodër

Takimet Zv.ministri i Jashtëm, Ponosh: Do të heqim vizat me Shqipërinë.

Beogradi konkretizon hapat për të individualizuar minoritetin e tij në Shqipëri.

Zv.ministri i Jashtëm serb, Zdravko Ponosh, gjatë një takimi të zhvilluar në Shkodër me shoqatën serbo-malazeze, “Rozafa Moraça”, është shprehur se “Serbia është fare pranë heqjes së regjimit të vizave me shtetin shqiptar.


Ponosh ka deklaruar përpara një shoqate, e cila prej kohësh e quan veten pranë Beogradit, se nuk do ketë më sorollatje nëpër ambasada për të vizituar Serbinë. Në zonën e Vrakës së Shkodrës jetojnë një numër banorësh me origjinë malazeze. Por kur Podgorica jetonte në një shtet të përbashkët me Beogradin, ishte Jugosllavia e atëhershme që i quante si banorë të saj. Por, pas pavarësisë së Malit të Zi, normalisht këta banorë quheshin si minoritet malazez.

Mirëpo gjatë vizitës së zv.kryeministrit dhe ministrit të Jashtëm shqiptar, Ilir Meta, në Beograd, homologu i tij serb, Vuk Jeremiç, kërkoi njohjen e minoritetit serb në Shqipëri, duke e lokalizuar në Qarkun e Shkodrës.

Dje zv.ministri i Jashtëm serb, Zdravko Ponosh, ka konkretizuar nismën e shefit të tij me udhëtimin në Shkodër. Ponosh i ka inkurajuar ata që i ka cilësuar si “përfaqësuesit e pakicës serbo-malazeze”, që të ndikojnë në thithjen e investimeve nga Serbia në Shqipëri, pasi tashmë mundësitë e bashkëpunimit janë shumë të mira. Ndërkaq, nga shoqata “Rozafa Moraça” u kërkua prej qeverisë serbe që të ketë një vëmendje të veçantë në projektet e nxitjes së prodhimeve bujqësore dhe trajnimeve, si dhe të shkollimit në universitetet serbe. Ndërsa kryetari i shoqatës “Moraça Rozafa”, Pavllo Jako, është ankuar te zv.ministri i Jashtëm Serb në lidhje me mësimin në gjuhën serbe dhe mbishkrimet e vendeve dhe të toponimeve që sipas tij duhet të jenë në gjuhën serbe, aty ku jeton ai, që Jako e cilësoi si “komuniteti serb”.

Më tej Pavllo Jako kërkoi nga Ponosh që “të insistohet ndaj qeverisë shqiptare, që të drejtat e pakicës serbe të respektohen në Shqipëri, ashtu si Serbia respekton të drejtat e të gjitha pakicave, duke u shprehur se Shqipëria nuk e ka të ratifikuar konventën rajonale të gjuhëve të popujve pakicë, kurse në Serbi ju e keni të ratifikuar. Kjo është një pengesë për ne, që të ndërmarrim iniciativën e mësimit të gjuhës serbe, si dhe të kërkojmë që edhe emrat e vendbanimeve e toponimet të jenë edhe në gjuhën tonë, sidomos në zonën e Shkodrës”.

Kryetari i shoqatës “Rozafa Moraça” në Shkodër, Pavllo Jako, e informoi zv.ministrin Ponosh se kanë ndërmarrë edhe një iniciativë me përfaqësues të komunitetit serb në Fier, që të nisin kurse për gjuhën serbe. Shtrirja e kurseve do jetë edhe në Tiranë, Durrës, Elbasan dhe Lezhë.

G. Shqip

Friday, June 25, 2010

Terroristi... SHQIP!

Të gjithë e kemi dëgjuar fjalën terrorist dhe sapo përmenden kjo fjalë mbarëkombëtare, na vinë ndërmend grupe njerëzish, të cilët vrasin njerëz civilë dhe të pafajshëm, në metro, në kulla, në qendra tregtare, në hotele apo ambasada të huaja, për ti bërë presion pushteteve shtetërore, të huaja apo të brendshme.



Vetë fenomeni i terrorizmit është një çështje më vete, nëse është real, apo një mit i krijuar nga pushtetet për të justifikuar shtypjen e tyre ndaj masave, goditjen ndaj shteteve të huaja etj. Kujtojmë që edhe gjatë konfliktit të armatosur në Kosovë e Maqedoni, forcat e armatosura çlirimitare të shqiptarëve, u propoganduan si çeta terroristësh, pavarësisht, që ato u ngritën për të shpëtuar nga një zgjedhë e huaj kriminale, që qëndronte forcërisht mbi ta.

Por sot nuk do ndalemi tek terrorizmi si fenomen, por tek vetë fjala terrorist, e cila është një fjalë mbarëkombëtare (si vetë fjala STOP) dhe njihet në çdo gjuhë që përdoret.

Hapim motorrët e kërkimit për të kërkuar në fjalorët “online” se sipas specialistëve botërorë të etimiologjisë, nga vjen kjo fjalë dhe kush është rrënja e saj.

Në Fjalorin etimiologjik http://www.etymonline.com/, futim për kriter kërkimi fjalën terrorist.

Sipas këtij fjalori serioz (do dëshiroja ta vendosja në thonjza), në kuptimin bashkëkohor të tij, kjo fjalë është përdorur për here të pare në 1947-ën, më saktësisht për taktikat çifute kundra britanikëve në Palestinë. Pak më herët është përdorur për revolucionarët ekstremist në Rusi në 1866-ën, gjatë revolucionit francez në 1795-ën dhe vjen nga frengjishtja: terror+ist. Pra terror+është. Klikojmë mbi rrënjën terror, të fjalës terrorist.

Sipas tyre, terror që nga shekulli I 14-të, nga frengjishtja zbërthehet në ter-ror

Lidhje: http://dictionary.reference.com/browse/terror

Origin:
1325–75; < L, equiv. to terr ( ēre ) to frighten + -or -or1 ; r. ME terrour < AF < L, as above


—Related forms

ter·ror·ful, adjective

ter·ror·less, adjective

coun·ter·ter·ror, noun


Me rrënjë fjalën protoindoeuropine “tre” që nënkupton dridhje, dhe nënkupton frikën, tmerrin. (Oh sa rastësisht edhe këtu në shqip kemi fjalën TREmb.)


Nuk e di nëse këta specialistë e njohin shqipen apo jo, nuk e di nëse e kanë marrë në considerate apo jo. Meqënëse ne akoma ekzistojmë në këtë tokë dhe jemi autoktonë, me një gjuhë unike pa prejardhje nga ndonjë gjuhë tjetër, shqipja nuk mund të lihet jashtë studimeve etimologjike. Prirja për të mos ta marrë shqipen në considerate, më tepër se pakujdesi, duket si një përkujdesje profesionale për ta injoruar.

TERRORIST =Terror+është

Terror e njohim të gjithë si fjalë, por edhe e përdorim. Po nga vjen kjo fjalë?

Terr i themi ne shqiptarët errësirës. Terr i zi.


Por vetë fjala terr, si zbërthehet ?


Më duket jashtëzakonisht e thjeshtë (ndoshta edhe gabohem) që terr, nënkupton thjeshtë të+err. Të errëson. Vetë fjala errësirë nënkupton errët+është.


Tani, nuk e di përse një fjalë mbarëkombëtare si fjala terrorist, të cilën mund ta zbërthejë edhe një amator si unë, nuk është pranuar në rangjet shkencore botërore që vjen nga shqipja?!


Por ndoshta kjo është edhe vetë arsyeja përse mohohet, sepse ka ...një histori nga pas. Shqipja është një thesar për ne shqiptarët, por jo vetëm për ne. Ajo infiltrohet në skutat më të errëta të historisë, dhe zhbën falsifikimet e kësaj historie rreckë, të cilën ne na edukojnë të mësojmë rreth vetes.

Dhe si fjala terrorist ka qindra e mijëra fjalë të tjera mbarëkombëtare (Press, shkruhet shtypi në gjithë botën) të cilat specialistët përkatës duhet të na japin llogari, përse ua fshehin burimin.

Çfarë frike kanë vallë nga kjo shqipja, sa edhe historian a tregon se është gjuha e vetme në botë, e cila është ndaluar në organet më të larta shtetërore dhe për të cilën janë vrarë mësues e dijetarë ndër shekuj.

Shkroi : Stop Injorancës http://www.facebook.com/NdalPaditurise2