Monday, September 27, 2010

Himara, nga hartat antike deri te Petro Marko..

1. BALLINË MBISHKRIMORE NGA PETRO MARKO.

"Pra ç'jemi ne? Shqiptarë! Po pse e humbëm gjuhën? Unë do të them ato që di: "Pse nënat plaka, gjyshet dhe gjyshet dinë më mire shqipen se greqishten? Pse qajmë e këndojmë në shqip? Pse fjalët e urta i themi në shqip?

Siç duket që nga viti 1820 e tëhu, greqizimi u bë me qëllim politik nga vetë Greqia, që fitoi lirinë me gjakun e shqiptarëve, qoftë në Mesolongji, qoftë në revolucionin grek. Suli dhe Himara ishin shqiptarë, po dy krahina autonome që nuk njihnin as Greqinë, as Shqipërinë, së cilës i kishte humbur edhe emri. Suli dhe Himara ishin kurdoherë në luftë me turkun. Erdhi koha që Himara u nda: Himara bregdetare mbeti e lirë dhe e krishterë, kurse Himara e brendshme, Labëria, Kurveleshi, Lumi i Vlorës e Dukati u myslimanizuan dhe u ndanë. Megjithëse u ndanë në dy fe nuk e humbën kurrë lidhjet e gjakut dhe të fisit. Çdo fshatar kishte të tijtë në një fshat të myslimanizuar që në kohën e Ali Pashë Tepelenës. Kur bëheshin operacione ndëshkimore nga turqit, bregasit nuk shkonin përtej maleve, në Mesaplik e në Kurvelesh, për t'u mbrojtur, siç bënin gjer në atë kohë, por iknin me varka për në Korfuz ose për në Gjirit, nën mbrojtjen e venecianëve. Aty shkonin pleq e plaka dhe fëmijë. Burrat luftonin. Aty rrinin shumë vjet, gjersa mbaronin operacionet ndëshkimore. Thonë se banorët e Dhërmiut shkonin në ishullin grek, kurse ata të Himarës në Gjirit. Prandaj, dhe kur flasin greqisht, dhërmijasit flasin si korfjanët, kurse himarjotët, si gjiritlinjtë."


Këtë e vura si shtresë të parë, prej penës dhe kujtesës së Petro Markos, kur ende nuk kish trokitur bastuni i Bardit të Historisë, Prof. Kristo Frashërit. Këtu nuk jemi në ndonjë garë, as në ndonjë betejë që duhet të fitojmë. Asgjësend të kësillojshme nuk ka. Vetëm se gjithkush në vetëdije, le të ndjesohet, se kemi qenë aq të gatuar njësojshëm me himarjotë sa asgjëkund s'ka pasur ndarje. Këtë e rrëfen historia. Mirëpo, me Himarën po luhet. Luhet në të dy krahët. Secili në simbolikën dhe synimet e tij. Ngjarjet e fundit kërkojnë një optikë të qartë, pjekuri dhe gjakftohtësi, sepse ndryshe Himarën që është Njëjtësi Krahinore Gjeohistorike Shqiptare kaq e njohur do ta shndërrojmë në një mburojë të shformuar dhe të paaftë të gjithëpërfshijë veten në ardhmërinë e saj. Vetëm arsyetimi dhe faktet të largojnë nga trillimi. Teksa kërkoja harta antike, atë ditë kur Prof. Frashëri jepte intervistë të veçantë, Himara diku në një arkiv të Librarisë së Kongresit Amerikan, shpalosej natyrshëm prej lashtësisë. Doja t'ia nisja sa më shpejtë on-line, Profesorit, jo si një historian, por si një hartograf. Mirëpo atëbotë, si me porosi, me dy dhërmijotë që janë pronarë hotelesh në Ocen City në SHBA, takuam duart dhe përnjohëm mbiemrat tanë. Unë u ndjeva keq kur i thashë si emrin ashtu dhe mbiemrin tim osman. Kurse ata shqiptuan atje së largu "BUA" dhe "GJONI".
2. DUKE FLUTURUAR NGA PENË E SPIRO MILLOS DERI TEK MBIEMRI "BUA"
Në vijim të Mbishkrimores së Petro Markos, vijnë argumente rrënjorë për Spiro Millo-n që përmend Prof. Frashëri çka tregon se si erdhën mbrapshtitë për të bërë bashkim me Greqinë e për t'u bërë dorëzanë edhe për shumë agallarë të Labërisë së atëhershme, të cilët do të betoheshin dhe që do të ngrinin flamurin grek në Dheun e tyre, e të qeveriseshin nga ligjet greke etj., etj. E ky Spiro Millo, si gjithë himarjotët e tjerë "nuk fliste fare greqisht..." ( Shiko: "Arvanitasit" e A. Kolës) , " përveçse shqip" (po aty). Ky Millo e mësoi edhe greqishten, dhe pastaj vjen ajo kënga që ruhet në epikën orale të jugut: "Spiro Millo me penë, Zaho Millo me pallë, çliruan Greqinë dhe e bënë Himarë..." Suliotët dhe Himarjotët, hamendësohet se ishin gegë që pas vdekjes së Skënderbeut rrodhën më në jug, si në Himarë dhe Sul. Thuhet, kësilloj, se suljotët dhe himarjotët ngjajnë shumë. Është një kumt i madh historik i himarjotëve, atë që ata ia dërguan Papës Grigor i Trembëdhjetë më 1581 se " Të detyrosh mbret Filipin, që të sjellë ndihma, nga Mbretëria e Napolit, nga fisi ynë i romakëve dhe arbërorëve ... se ne do të vendosim flamurë dhe ... do të marrim tërë arvanitien dhe Morenë..." Kush ishin këta? Ishin ata që kishin zbritur në fund të shekullit XIV si pasardhës së fesë së krishterë, që në ngulimet e reja morën emrin arvanitas. Kështu që Himara qe dhe mbeti e krishterë në mënyrë tërësore. Ndërsa, në fqinjëri dhe në juglindje ishin Çamët që banonin rrotull Thiamisit (Lumit Thiamis) që quhet edhe Dhesprotia (Thesprotia) me rrënjë fjalën DHE. Kurse Lebrit ishin në krahë të himarjotëve dhe të lidhur me ta... Duke medituar për dy mbiemrat e parë që sollëm në fillim të shkrimit, Gjon-ët dhe Bua-t, dy fise të mëdha që dokumentohen herët edhe në regjistrat turq si ai i vitit 1583 ku gjen: Gjin, Gjon dhe Bua. Mbiemri i fundit është arbëror, pra tërësisht arvanitas nga Estradiotët e shekullit të XV dhe XVI si Mërkur Bua që ishte nga buronjë shqiptare e Buajve edhe pse jetonte në More (Man), por që ishte me rrjedhë prej Buajve që erdhën nga Veriu dhe pse jo dhe nga Dhërmiu i dikurshëm. Nuk ka më në More, por ama, e gjen sot në Dhërmi dhe deri në Ocen City, në SHBA. Kladët, Shpatët, Grivët janë sythe të së njëjtit trung, janë Bua. Gjin Bue Shpata ishte pjesë e familjes më të shquar të Shpatajve arbërorë dhe e familjes Bua. Ai ishte një kryesundues i Despotatit të Artës Lord i Artës, i Lepantos. Edhe në regjistrin turk që sjell Prof Frashëri në shpinoren e Himarës së regjistruar dalin: Meksi, Gjoni, Gjini, Pali, Tanushi, Gjipali, Gjikalli, Leka etj., emra shqiptarë. Kështu që hartat antike i nisa mbi këta dy mbiemra shqiptarë të Dhërmiut dhe thënien kryebreg të Petro Markos.

3. SFOND HARTOGRAFIK.
Kërkimi hartografik që nga lashtësia sjell dëshmi të veçanta jo vetëm për kufijtë dhe shtrirjet gjeohapësinore, por dhe emërtimet e shkruara në to. Këto "ngastra" shkrimore po edhe simbolike, mund të sjellin një kontribut, sado të vogël për historinë. Χίμαιρα, (Chimaira) thuhet se ka sjellë emërin Himarë. Po kësilloj vijohet: se fjala rrjedh prej greqishtes, χείμαρρος (cheimarros), me kuptimin e përroit. Kjo është një hamendje por jo një ngjasim përfundimtar. Në këto harta, që po sjellim, emërtimi shkruhet në shtrirjen krahinore që nga buzëdeti deri më në lindje: CHIMERA ndërsa në veri mban një emërtim të veçantë po të njëjtë që përkon vetëm me pozicionimin e qendrës së banuar. Po edhe malet që i rrinë përsipër, nuk janë ato që në hartat e Ptolemeut quhen "Akrokeraune = malet e Vetëtimës ) por malet e Chimera-s. Edhe pse në vetvete hartografia e kohës është skematike, prapëseprapë na e shton edhe më shumë përfytyrimin se nuk bëhet fjalë për një Himarë të veçantë si qendër e banuar por si një krahinë e tërë. Kjo ka shumë rëndësi për njëjtësi. Në veriperëndim radhiten emërtimet: Sopot që na del për herë të parë dhe në bregdet, po edhe aq i njohuri gjiri i Gramës (Grammata) . Shkrimet në hartë janë latinisht: CHIMERA, e cila në shqipen tingullore (KIMERA) që nuk ngjason me "χείμαρρος (cheimarros) = keimaros që thuhet në disa fjalorë dhe enciklopedi si një synim për ta çuar medoemos tek fjala me rrënjë greke : χείμαρρος (cheimarros) = përrua, çka nuk është aspak i drejtë. Pse të mos kërkohet në buronjë të shqipes? Ka një hamendje që himarjotët kanë një përzierje të re që erdhi nga veriu, nga fiset gege. Kështu: CHIMERA = KI MER ERA= QË i MERR ERA. Ky përfytyrim që na shfaqet, ka përsipër malet e Vetëtimës = Akrokeraune, me erë dhe vetëtima, me një hapësirë detare që sjell erëra mesdhetare. Dhe ja në verilindje, për herë të parë na del: Sopot: që vjen prej "bregore" Në latinisht do të thotë " llaç" në serbokroatisht "brinjë" Kurse "Gramata" kuptueshëm ka lidhje me shkrimet e shumta në atë gji të marinarëve dhe prerësve të gurëve të qyteteve antike themeluar nga kolonitë greke. Edhe në një hartë tjetër e cila duket se nuk i ka përdorur të gjithë emërtimet që cekëm atypari, na sjell sërish krahinën tërësore, po edhe Himarën si qendër të banuar është shkruar në drejtimin verilindor. i vetmi ndryshim në këtë hartë më të hershme është se poshtë Himarës = Kimerës është shkruar me shtrirje të gjerë në drejtim të juglindjes EPIRE deri tek Thiamis, lumi që i ka dhënë emrin Çamërisë. Duket se sipas rendit të të shkruarit Kryekrahina është Epiri dhe Çimera është pjesë e tij pra, e Mbretërisë së Epirit, ku Pirro u ngrit në sopin më të lartë të majave epirote. Pra, hartat flasin dhe dëshmojnë.

4. NJË HARTË E VORIO-EPIRIT2*
Hartën e Vorio Epirit (fotot shoqëruese), në përfshirje të gjeohapësirës historike shqiptare, e realizuar në vitin 1919, mund ta komentojmë së bashku, si një fakt dëshmues, se era që duket se fryn këto kohë të fundit pa "orkestra të mëdha" ndjell dhe sjell imazhin dhe synimin e fqinjëve tanë, që edhe pse nuk citohet në dokumente zyrtarë të sotëm, përcjell kuptueshëm veprime po kaq arkivale sa ç'është edhe kjo hartë e ashtuquajtur "etnografike" Kjo hartë përkon me mbledhjen e "Komisionit të çështjeve greke dhe Shqiptare" të kryesuar nga francezi Kabon, pas përfundimit të Luftës së Parë Botërore më 1919. Është pjesë e propagandës së hershme e qeverisë greke ( të Venizellosit ) që kërkonin me çdo kusht që Epirin e krishterë të Veriut ta përfshinin me Greqinë. Kështu iu sulën shtetit shqiptar që sapo kish fituar mëvetësinë, për të rivendikuar gjithë pjesën jugore të Shqipërisë, ku nuk ishin vetëm të krishterë por edhe myslimanë dhe ku vetëm një pakicë ishte greke. Një kufi i vizatuar me simbole tërësorë hartografikë plot 7 vjet pas shpalljes së mëvetësisë së Shqipërisë, kufizon me një ngjyrim të kuq vijën e fundme të ( Epirit të Veriut = Vorio Epirit ) që fillon në Vishocicë e vijon mbi Progër, mes përmes malin e Ivanit pastaj përbri Pogradecit, e ngjitet në lartësitë e Osnatit duke përfshirë pjesën më të madhe të Gorës dhe pastaj po kaq e prêt edhe Oparin ku e kanë origjinën Muzakajt (Mussakie) në ujëndarjen e Ostrovicës. Në përfshirje të mëtejme vijon me Panaritin, Grabockën, e Treskën, pothujse merr pjesën më të madhe të Dëshnicës dhe del e vështron në Qafë të Kiçokut. Pastaj pret Trebeshinën dhe del në Memaliaj për ta përfshirë Tepelenën, i mësyn luginës së Bënçës, ngjitet në Këndrevicë, kufizon Vërmikun, duke futur brenda tërë Kurveleshin e Sipërm. Mandej, zbret pa teklif në Kurvelesh të Poshtëm dhe përfshin Bolenë, Kuç e Kallarat. Ngjitet në Male të Vetëtimave ( Mali i Çikës) zbret në Qafë të Llogorajt, ecën mbi Karaburun dhe zbret deri në gjirin e Grammatës atje ku bashkohet Dheu me Detin. Kjo hartë e ardhur që nga viti 1919 nuk tremb as nuk kanos, nuk përcjell ksenofobi, dhe as alarm, veçse dëshmon se ku e ka shtratin një ëndërr e kahershme e fqinjëve tanë jugorë.

5. "GREQIA KËRKON NGUSHTICËN E OTRANTOS"
Këtë e thotë Prof. Kristo Frashëri për herë të parë gjatë këtyre dy dhjetëvjeçarëve të fundit dhe sidomos pas një beteje me vetveten që pati qeveria e Shqipërisë së sotme për Paktin Detar, të gremisur me Greqinë. Mund të thuhet se ka ikur koha që të flasësh me terma të tillë të vjetruar sepse " ... ne tani jemi në NATO, dhe ç'kuptim kanë ato hamendjet se do të dalë këtu apo do të dalë atje... me gjeostrategji dhe gjeopolitikë të prapambetur..." Dhe këta njerëz nxjerrin gjuhën, po edhe fjalë të përbaltura të shqipes së tyre të përzierë, gjase duan të stisin e sajojnë një valëzim miqësor që vjen deri këtu në buzë të Aosit (Vjosës) herë me varre ushtarësh, herë me pensione e herë më shkolla...bukur e bukur...i qepin veprat e tyre. Kur Profesor Frashëri u kujton Otranton, ata as që duan t'ia dinë se ku ndodhet, por e kanë mendjen tek koordinatat e krahëve notues të tyre diku në Dhërmi, e që nuk duan që duan t'ia dinë për këtë rrugë të shkurtër në Apenine, ku janë mbytur e s'arrin dot sa e sa shqiptarë në tragjedinë e izolimit të tyre katastrofik. As që duan të kuptojnë se Otranto nuk është një vijë, po është një hapësirë detare jetësore e të dy vendeve tona: Italisë dhe Shqipërisë, që rrojnë kundruall në jetë të jetës. Ndërkaq me atë marrëveshje duhet t'u jetë prishur qetësia e notit "shou" që bëhet çdo verë në Dhërmi. Dhe Prof. Frashëri i bie kambanës apo burisë historike se "Himara ka një rëndësi të jashtëzakonshme politike dhe strategjike për Greqinë. Greqia kërkon që t'i afrohet sa më tepër Ngushticës së Otrantos. Synimi i saj është që t'i bëjë karshillëk Italisë. Këtu e ka burimin edhe përpjekja për t'i rrëmbyer Shqipërisë ujërat e saj...në zonën e Korfuzit dhe në Detin Jon, pra në afërsi të Otrantit..." Kjo është një e vërtetë e madhe, se asgjë nuk është kaq e thjeshtë sa ç'duket, se nuk dihet ende se 'ç'fshihet në ato arka të kyçura me njëqind çelësa'. Ky është gjykimi i qetë, i rëndë në vend të vet si një shkëmb, si pjesë e maleve të Vetëtimës, me një mirësi arbërore, duke trokitur me bastunin e moshës së tij të Bardhë. Mirëpo, Tirana jonë e politikës së pocaqisur nuk ka se si t'i thotë një fjalë të mirë Chimera-s, por bën not dhe në ujanën e Jonit lëshon një "belingua" si një lajkë që u ngjan të sharave që iu bëhen studiuesve nga gjuhë politikanësh Në ato ballafaqime të turpshme dhe njollosëse, ndër ato lektoriume Universitetesh, qeveritarët bënë matje, të pamatura, me zellin e një të përunjuri, pa pikën e drojës dhe pa pikën e turpit, kanosin me gishtat e tyre, Udhët e Bardha në Palasë ku zbriti Cezari, pa frikë prej pranisë hijerëndë të Kepit të Gjuhëzës që është ai Gishti i Madh i trojeve tona që shikojnë vetëm në Perëndim, dhe lënë anash ujdhesat greke që ai Pakt i solli deri në mes të Otrantit dhe që me të drejtë, Prof. Frashëri e quan synim strategjik.

***

DICITURAT: Harta të Vorio Epirit dhe Himares qe shihet me emrin Chimera. Harta është në shkallën 1: 200 000. Firmosur: Data: Hellenique le Julliet 1919. Le Chef: Lt. Colonel: BOTZARIS Vu Le Chef d'Etat- Major: Colonel PANGALLOS. Botohen per here te pare


Myslim Pasha, G. Shekulli

Prifti: Guma vdiq si martir i krishtërimit

I ndjeri Aristotel Guma, i cili humbi jetën, mbrëmjen e 12 gushtit 2010 si pasojë e një aksidenti, është cilësuar nga Mitropoliti i Gjirokastrës, Dhimitri Sianidhi si “martir i krishtërimit”.
Deklarata e tij është bërë gjatë meshës fetare që u zhvillua në kishën e Himarës, në përkujtim të ditës së 40-të nga ndarja prej jetës së 37 vjeçarit Guma. “Gazeta Shqiptare” ka arritur dje të sigurojë pamjet filmike të një video amatore që ka xhiruar për gati 12 minuta ceremoninë fetare që vijoi për 3 orë e gjysmë mes këngëve kishtare si dhe meshës që u zhvillua e gjitha në gjuhën greke. Është hera e parë që opinionit publik shqiptar i bëhet e ditur ajo ç’ka është thënë mesditën e 19 shtatorit brenda në kishën e Himarës për shkak se mediat nuk u lanë të ishin të pranishme.

“Aristoteli vdiq si ortodoks i devotshëm sikur dhe martirët e parë të krishtërimit, ashtu dhe martirët më të rinj të periudhës së sundimit turk. Ky vend (Shqipëria) ka pasur martirët e tij dhe ka vuajtur gjatë në kohën e diktatorit Hoxha. Në këtë kishë kur ajo sapo ishte hapur, bashkë me kryepeshkopin kemi takuar disa gra, të cilat me një zë na janë ankuar dhe na kanë rrëfyer për burra që të helmuar nga propaganda ateiste e asaj kohe vranë bashkëshortet dhe fëmijët e tyre. Tani u martirizua dhe ai (Aristotel Guma)”, është shprehur mes të tjerash Mitropoliti grek i Gjirokastrës.
Shikoni pak bizhuteritë e varura në qafë. Kushedi sa krenar ndjehet perëndia... (S.I)


Referuar pamjeve filmike, Sianidhi është shprehur gjithashtu se “kur një njeri si Aristoteli pagëzohet, jeton dhe vdes si një i krishterë ortodoks i mirë, atëherë shpirti i tij kalon në jetën e përtejme në prezencë të Zotit tonë Jezu Krisht. Aristoteli duke mishëruar virtytet e një ortodoksi të mirë, jetoi jetën e tij dhe në një moment të vështirë që ajo i solli, vdiq si ortodoks i devotshëm”, është shprehur Sianidhi.

Ceremonia

Ceremonia përkujtimore në nderim të 37 vjeçarit, Aristotel Guma, i cili në datën 19 shtator 2010 mbushi 40 ditë nga ndarja e jetës, është zhvilluar pa incidente, ndërkohë që në të kanë marrë pjesë përfaqësues të lartë të politikës greke por dhe asaj shqiptare. Ceremonia nisi në orën 8 të mëngjesit ku shumë banorë të Himarës por dhe mjaft persona të tjerë të ardhur enkas nga Greqia shkuan fillimisht në vendin ku 40 ditë më parë ndodhi aksidenti fatal që i mori jetën të riut nga Himara. Të gjithë të pranishmit janë drejtuar më pas në Kishën e Himarës, e cila ndodhet ngjitur me shkollën greke të përuruar pak kohë më parë. Edhe pse pritej që në këtë ceremoni të merrte pjesë kryepeshkopi i Kishës Ortodokse Autoqefale shqiptare, Hirësia e Tij, Anastas Janullatos, në vend të tij mbërriti një tjetër përfaqësues i lartë i kishës, Mitropoliti i Gjirokastrës, Dhimitri Sianidhi.

Tedi Blushi, G. Shqiptare

Tuesday, September 21, 2010

Na kanë mposhtur...

Edhe jetës i kanë vendosur çmim. Edhe lindjes e vdekjes.  GJITHÇKA NE TREG !

Të rregullosh dhëmbët, duhet të paguash. Nëse nuk ke para, mund të vdesësh edhe nga një qelbëzim dhëmballe.
Të jesh i bukur, të jesh i mirë sa kushton?
Ka lindur një profesion, vrasës me pagesë quhet.
Kushton një sasi e caktuar parash, që të vrasësh dhe të mos gjykohesh si vrasës.

Të blesh një arkivol të hijshëm, të blesh respektin.

Të korruptosh punën e dikujt, të ndërhysh me para, për të shkatërruar sistemin e meritokracisë, barazisë në mundësi, apo vetë drejtësisë.
Të duash më tepër paratë, se sa njeriun. Të duash më tepër një copë letër të pajetë, të cilën e kanë krijuar njerëzit, më tepër se sa vetë një njeri të gjallë.

Të blesh zhgënjime e shesësh ëndrra. Të blesh dëshirat dhe të shesësh pasionet.
Të blihet dija.
Jo çdokush mund të ketë mundësinë ta blejë, pavarësisht etjes dhe aftësisë për të nxënë.
Ti vesh çmim dashurisë, ti vesh çmim seksit.
Të shesësh dinjitetin, të blesh të vërtetën. Të dëmshpërblesh gënjeshtrën.

Të të dhurojnë një stilolaps e një fletë, por të të vjedhin mendimet.

REVOLUCION

Vlera nuk është shumë parash,
Pasuria nuk është vetëm materiale,
malli nuk është vetëm një plaçkë, gjësendi e tregtueshme.

Malli është ndjenja, kur ke larg njeriun që e do, për vlerat e tij, virtytet, pasurinë e tij shpirtërore.
Kjo ndjenja jonë, ose për ju, ky produkti juaj, NUK MUND TE KETE ÇMIM!



Shkroi: Stop Injorancës http://www.facebook.com/NdalPaditurise2

Në sytë e një fëmije



Me lexoni ju lutem,se jam zeri dhe vuajtja e shume femijve,jam deshmimtare e dhunes psikologjike dhe fizike mbi ne femijet dhe nenen tone te dashur .Kush nga ju ne keto rreshta me lote qe po shkruaj do gjej nje fjale te vetme dhe te perbashket me realitetin e familjes time duhet ti beje vetes pyetjen :" A jam dhe une i demshem per familjen ,ne keto fjale te nje femije pasqyrohen veprimet dhe sjellja ime ?" te jeni te sigurt qe koshienca juaj do ju pergjigjet me zerin e bashkeshortes dhe engjejve qe keni sjelle ne jete.




Prinder te dashur keni ne dore jeten tone ,te ardhmen e nje femije qe nuk ka kerkuar te vije ne bote ,ia keni dhene ju mundesine te shikoje jeten me te gjitha ngjyrat ."Jam klithma pa ze e nje vajze te" rritur "11 vjeçare.Jam zeri i mbytur i nenes time.Jam shikimi i trembur i motrave te mia me te vogla".Ty "qenie njerezore" qe" jeten" na ke dhene nje dite jeta do te ndeshkoje dhe une do jem deshmimtare e vuajtjeve te tua,ta premtoj...Pyes gjithmone veten valle eshte e drejte qe nje njeri qe ka konsumuar 5 minuta per te te krijuar te jete ne gjendje te te vdes ne shpirt.
A mund ti mesosh femijes pasi ke perdorur dhunen fizike ,vish bluze me menge te gjata dhe thuaj ne shkolle qe ke ftohte kur eshte ngrohte?


A mund te duash te jetosh me nje njeri qe nenen tende perdhos ç'do dite me ofendime dhe dhune .Kthehem nga shkolla e tmerruar per ajrin qe me mungon brenda mureve te shtepise,gjej motrat te strukura dhe qe flasin me ze te ulet,gjej nenen qe qan ne heshtje dhe lotet e saj dua te fshij njehere e pergjithmone.Syte e saj kane humbur shikimin,ngjyra ka ikur prej loteve ,buzeve u eshte larguar ngjyra dhe buzeqeshja ,shpirti i saj nuk merr me fryme, dhe ,"qesh" brenda meje kur degjoj ne televisor qe ambjenti jashte eshte ndotur ,mushkerite e mia marrin ajer jashte dhe per kohen qe rri brenda ne "folene" qe keni krijuar ju dy prinderit e mi.Jam e vetedijshme qe ti nena ime nuk ke force se krahet ti ka prere,syrin ta ka xjerre,buzqeshjen ta ka nderprere dhe shpirtin ta ka bere vrer por une jam lodhur me kete jete se nuk e zgjodha une per ty ,por ju per mua .Une jam deshmimtare e nje familjeje te dhunuar dhe zeri im do luftoj qe motrat e mia mos te pesojne fatin tend dhe timin .Jam nje femije qe kerkoj trasfuzion gjaku dhe nderrim mbiemri se te çarat e shpirtit nuk ka kirurg te mi mbylli .Uroj femijeve te gjithe botes mos pesofshi fatin tim!

E-mail i dërguar tek adresa e faqes Stop Injorancës, nga një anëtare.

Kërkohet sërish rritja e çmimit të energjisë, OSSH: 11.9 për qind

Operatori i Sistemit të Shpërndarjes në Tiranë ka bërë publike kërkesën për rritjen e çmimit të energjisë elektrike me 11.9 përqind si dhe heqjen e dy niveleve të tarifimit të saj.

 OSSH propozon që çmimi të jetë 10.09 lekë për kilovat pavarësisht sasisë së harxhuar por konsumatorët thonë se një tjetër rritje e çmimit të energjisë është krejt i papërballueshëm.
 Në propozimin e tij Operatori i Shpërndarjes së Energjisë që administrohet nga investitorë të Repubikës Çeke thotë se kërkesa për rritjen me 11.9 përqind e çmimit të energjisë vjen prej investimeve të larta, sipas tij, të bëra në sistemin e shpërndarjes për përmirësimin e këtij rrjeti dhe se propozimi bëhet mbi bazën e kostos reale të energjisë në Shqipëri.

Vendimi për rritjen apo jo të çmimit të energjisë do të merret nga Enti Rregullator i Energjisë i cili paraprakisht thotë se do ta marrë mbi bazën e metodologjisë së përllogaritjes së tarifave të shpërndarjes së energjisë elektrike.

 Aktualisht konsumatori paguan 7.7 lekë për çdo kilowat deri në pragun e 300 kilowatëve dhe 13.5 lekë/kw mbi këtë prag.OSSH thotë se 70 përqind e konsumatorëve nuk e kalojnë këtë prag dhe se propozojnë heqjen e dy niveleve të tarifimit të energjisë.

 Konsumtorët e vlerësojnë shumë të lartë edhe çmimin aktual të energjisë ndërsa thonë se një rritje tjetër sado e vogël e saj është krejt e papërballueshme.
 Altin Goxhaj, Drejtor i Shoqatës së Konsumatorëve thotë se kërkesa për rritjen edhe më të çmimit të energjisë i intereson OSSH por dëmton interesat e konsumatorëve të cilët po paguajnë çmime shumë të larta për energjinë.




BBC

Grumbuj plehrash arrijnë deri në dritaret e pacientëve

Bluzat e bardha fajësojnë papërgjegjshmërinë e prindërve të pacientëve që hedhin mbeturinat. Po rrezikohet seriozisht shëndeti i pacientëve
Pamje e trishtë sa është vështirë ta besosh se je në mjediset e një spitali fëmijësh. Grumbuj të mëdhenj plehrash ngrihen shumë afër dritareve të pacientëve të shtruar në Pediatrinë e Qendrës Spitalore Universitare "Nënë Tereza". Madje, pikërisht, pacientët që kanë imunitet shumë të dobët, fëmijët më sëmundje të rënda gjaku, këto plehra i kanë shumë afër.

Bluzat e bardha të Pediatrisë theksojnë se një ambient i tillë është shumë i rrezikshëm për pacientët dhe për këtë situatë fajësojnë në radhë të parë prindërit, të cilët hedhin mbeturina nga dritarja, por edhe drejtorinë e QSUT-së, e cila nuk merr masa për t'i pastruar.
Në fakt, burime zyrtare pranë kësaj drejtorie theksojnë se ky ambient është pastruar shpesh herë, por prindërit e papërgjegjshëm të fëmijëve vazhdojnë dhe hedhin mbeturinat në këtë zonë.
Ndërsa, disa nga prindërit e pacientëve të vegjël të pyetur nga gazeta, kjo situatë u duket krejtësisht e papranueshme dhe për këtë fajësojnë edhe njerëzit që hedhin mbeturinat nga dritarja, por edhe drejtorinë që nuk merr masa emergjente për ta pastruar.
"Është e turpshme që është ky mjedis në spital. Fajtorët kryesorë jemi vet ne njerëzit që e krijojmë, por edhe drejtoria duhet të marrë masa për t'i pastruar së më shpejt mbeturinat", - pohon nëna e Joanës, pacientes së shtruar në shërbimin e Onko-hematologjisë.
Ndotja
Plehrat janë bërë grumbuj sa të krijojnë idenë se kanë shumë kohë aty. Është pamje vërtet aspak e këndshme, sepse shikon gjithfarë gjërash të hedhura në një mënyrë të shëmtuar sa edhe fëmijëve të vegjël nuk do t'iu falej.
Një hapësirë e tërë e rrethuar nga muret e larta të spitalit ngjan si një kazan i stërmadh plehrash ku të gjithë kanë hedhur sa kanë mundur mbetjet. Nëse je në katin e dytë të pediatrisë mund të ndjesh erën e mbeturinave që kundërmon.
"Është e tmerrshme. Shikojeni vetë ambientin. Mund të them se fëmijët janë të parët ata që e vuajnë këtë ambient, sepse ata vuajnë sëmundje të rënda dhe higjiena për ta duhet të jetë në maksimum, ndryshe mund t'iu rrezikohet edhe jeta.
Për fat të keq, ata duhet të vuajnë këtë mjedis që e prodhojnë të rriturit, madje prindërit e tyre, sepse i hedhin plehrat nga dritarja me papërgjegjshmërinë më të madhe", - pohon një nga mjekët e shërbimit të Onko-hematologjisë në Pediatrinë e QSUT-së, duke shtuar se kjo situatë është e pafalshme dhe se njerëzit duhet të ndërgjegjësohen që të mos ndotin ambientin, sepse veprimi që bëjnë në radhë të parë vret fëmijët e tyre.
Sipas bluzave të bardha, është e pamundur për të ndaluar hedhjen e mbeturinave që bëjnë prindërit e pacientëve, sepse ata nuk mund të rrinë roje gjithë kohës, ndaj dhe kërkohet ndërgjegjësim për ta ndalur këtë veprim.
"Para pak javësh erdhi vetë drejtori i spitalit në Pediatri dhe ne i treguam grumbujt e mëdhenj të plehrave që ishin krijuar. Në fakt, urdhëroi menjëherë punonjësit që të vinin t'i pastronin dhe kështu ndodhi. Nuk kaluan as dy ditë dhe situata u përsërit sërish dhe u arrit në këtë gjendje që po e shikoni edhe vetë", - pohon njëra nga infermieret e Pediatrisë.

Drejtoria: Prindërit të mos ndotin ambientin e fëmijëve të tyre
Prindërit e pacientëve duhet të jenë më të përgjegjshëm në radhë të parë për fëmijët e tyre, sepse janë ata që po u krijojnë një ambient aspak pozitiv, por të rëndomtë dhe të pistë. Kështu u shprehen burime zyrtare të drejtorisë së Qendrës Spitalore Universitare "Nënë Tereza", të cilët theksuan se ai ambient është pastruar disa herë, por sërish papërgjegjshmëria e qytetarëve e ka katandisur në atë mënyrë. "Është lënë sërish që të pastrohet me firmën private edhe sanitaret e spitalit.
Por, duhet të dini se kjo nuk varet vetëm nga pastrime që do të bëhet sërish, por kjo varet nga ndërgjegjësimi i njerëzve për të mos kryer veprime të tilla në një mjedis publik, aq më tepër në spital ku janë të shtruar fëmijët e tyre, sepse janë këtë të fundit që do ta vuajnë më shumë se të gjithë", - pohojnë burime zyrtare të drejtorisë së QSUT-së, duke shtuar se ky mjedis u pastrua para dy javësh dhe sërish u ndot në atë mënyrë.
Ndërkohë, burime zyrtare të QSUT-së pohojnë se në dhomat e spitalit ndodhen koshat e mbeturinave, ku njerëzit mund të hedhin plehrat në mënyrë që të mos krijojnë një ambient armiqësor për vete dhe fëmijët e tyre.
Sipas drejtorit të QSUT-së, Dashi, shefat e pavijoneve t'i dorëzojnë deri në fund të shtatorit, në të kundërt do të ketë masa administrative


Eglantina Bardhi, G. Shekulli

Sunday, September 19, 2010

Greqi, fëmijët shqiptarë pa abetare

Ne tetor, rreth 100 mijë vogëlushë shqiptarë të cilët jetojnë në Greqi, do të nisin shkollën ku do të mësojnë si të shkruajnë dhe të lexojnë në gjuhën shqipe, por ata nuk kanë tekste.


Drejtuesi i Keshillit Pedagogjik te Mesuesve ne Greqi, deklaron se Ministria e Arsimit nuk ka asnje fond per blerjen e abetareve dhe gjuhes shqipe. Vlera e parave per blerjen e abetareve dhe teksteve te gjuhes shqipe por edhe mjeteve te tjera didaktike nuk eshte me e larte se 25 mije euro.

Profesor Jovan Mehilli shton se shteti grek ka miratuar nje ligj per minoritetet, ku i jep te drejten cdo femije qe lind ne Greqi te marre shtetesine por jo te drejten e mesimit te gjuhes se vendit te tij.

Ne Greqi mendohet se jane mbi 100 mije femije shqiptare qe nuk dine te shkruajne dhe te lexojne ne gjuhen shqipe’, pohon profesori. 

T. Channel

Greqia kërkon sërish ujërat

Marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Greqisë vlerësohen nga të dyja vendet si marrëdhenie të një niveli shumë të mirë dhe partneriteti të ngushtë.
Megjithatë, hijet e nacionalizmit jo rrallë kanë shqetësuar këtë marrëdhënie, sic ndodhi 40 ditë më parë, pas vrasjes në Himarë të të riut minoritar Aristolel Guma.

Këtë shqetësim e ka ngritur gjatë takimit me kryeministrin Sali Berisha, sekretari i përgjithshëm i Ministrisë së Jashtme të Greqisë, Janis Aleksios Zepos.
Çështja nuk është trajtuar si shqetësim i qeverisë greke, por si shqetësim i rretheve politike greke.

Sic thuhet në njoftimin zyrtar, “ambasadori Zepos i bëri me dije kryeministrit Berisha për shqetësimin që ka shkaktuar ngjarja tragjike e vrasjes së të riut Aristotel Guma në rrethet politike greke, si një akt individësh të frymëzuar nga ndjenja nacionaliste”.

Por kryeministri Berisha, duke dënuar vrasjen si një akt barbar, e ka cilësuar atë një akt të izoluar, që nuk përfaqëson ndjenjat e miqësisë dhe të vlerësimit që shqiptarët ruajnë ndaj popullit fqinj grek dhe ndaj kontributit dhe ndihmës që Greqia i ka dhënë Shqipërisë në vazhdimësi.

Por, nëse vrasja e Aristotel Gumës është trajtuar nga Athina zyrtare si shqetësim i rretheve politike greke, marrëveshja për ujërat territoriale është ngritur në takimin me kryeministrin Berisha si shqetësim i qeverisë greke.

Trajtimi në këtë formë i marrëveshjes së anuluar nga Gjykata Kushtetuese shqiptare, konfirmohet në njoftimin zyrtar të Keshillit të Ministrave, ku thuhet se, “ambasadori Zepos i shprehu kryeministrit Berisha edhe një herë shqetësimin e qeverise greke për marrëveshjen e ujërave territoriale, duke e vlerësuar këtë si një marrëveshje shumë të mirë e rigoroze”.

“Pala greke, thuhet në njoftim, shpreson që edhe për këtë çështje të arrihet në një zgjidhje sa më të shpejtë”.

Megjithatë, si në takimin me kryeministrin Berisha, edhe në takimin me ministrin e Jashtëm, Edmond Haxhinasto, Zepos rikonfirmoi qëndrimin e qeverisë greke në mbështetje të plotë të integrimit sa më të shpejtë të Shqipërisë në BE, si dhe në mbështetje te heqjes sa më shpejt të vizave për qytetarët shqiptarë.

Vizita e ambasadorit Zepos në Shqiperi koincidon me ceremoninë përkujtimore që do të zhvillohet të dielën në Himarë, 40 ditë pas vrasjes së të riut minoritar Aristotel Guma.

Për ambasadorin Zepos dhe ministrin e Jashtëm shqiptar, komuniteti shqiptar në Greqi dhe minoriteti grek në Shqipëri konsiderohen si ura të forta lidhëse në miqësinë mes dy vendeve.
Në këtë kontekst, sic thuhet në njoftimin e Ministrisë së Jashtme shqiptare, Zepos dhe Haxhinasto ndanë të njëjtin mendim se dy qeveritë, shoqëria civile në të dy vendet, si dhe opinioni mediatik duhet të punojnë bashkë për të mënjanuar dhe dekurajuar cdo retorikë manipuluese, me ngarkesë nacionaliste, që nuk pasqyrojnë marrëdhëniet e shkëlqyera shqiptaro-greke dhe që mund të cënojnë perceptimin publik të këtyre marrëdhënieve.



Top Channel 

Drejtori sherr me prindërit,kyç 30 nxënës në bodrum

Ky është skandali i dytë në shkolla, pas atij të Klosit me përjashtimin e 13-vjeçarit
Një ngjarje e pazakontë ka ndodhur dje në një shkollë 9-vjeçare të Korçës. Drejtori i shkollës 9-vjeçare “Servasti Qirjazi” ka ngujuar dje në qilarin e shkollës 30 nxënës të klasës së parë. Ngjarja ndodhi pas një debati mes tij dhe prindërve të fëmijëve lidhur me kushtet e këqija në të cilat ata mësonin. Mësohet se drejtori ka reaguar në këtë mënyrë, për të mos lejuar praninë e mediave të filmonin kushtet në të cilat mësonin vogëlushët. Klasa mësohet të ketë qenë pa dritare dhe e mbuluar nga lagështira dhe errësira.

Në shenjë hakmarrje drejtori Albert Damianeci ka mbyllur dyert e shkollës, ndërsa nxënësit e klasës së parë i ka ngujuar në qilar për rreth 1 orë. Duket se ngjarja është bërë më e madhe kur ky i fundit ka lajmëruar policinë, duke ngritur një padi për dy nga prindërit. Sipas pretendimeve të drejtorit, dy nga prindërit kanë ushtruar dhunë mbi të. Policia ka shkuar menjëherë në shkollë duke liruar nxënësit që u mbajtën të mbyllur për rreth 1 orë. Në prononcimin e tij për mediat vizive drejtori ka deklaruar se nxënësit janë mbyllur në qilar pas vendimit për të lyer klasën ku mësonin, meqë ajo nuk kishte dritare dhe ishte në errësirë të plotë. Nga vlerësimi që i bëri Instituti i Higjienës, ambienti rezultoi me nivel të lartë lagështire dhe pa ndriçimin e duhut. Por ky nuk është i pari skandal që ka përfshirë këtë fillim viti shkollor shkollat në rrethe. Vetëm pak ditë më parë drejtori i një tjetër shkolle në Klos të Burrelit nuk lejonte një nxënës 13-vjeçar të hynte në mësim. Problemi nuk kishte të bënte me nxënësin por me interesa vetjake të drjetorit të shkollës dhe të bashkëshortes së tij, edhe ajo drejtoreshë në një tjetër shkollë, ku kishte mësuar më parë nxënësi 13-vjeçar.

U desh ndërhyrja e Ministrisë së Arsimit për ti dhënë zgjidhje këtij problemi. Tashmë nxënesi Mariglen Kola, vazhdon shkollën normalisht së bashku me bashkëmoshtarët e tij. Pas apelit të bërë në media Ministria e Arsimit ka lëshuar një vendim që 13-vjeçari të regjistrohet në shkollën 9-vjeçare “Tahir Hoxha”. Drejtori i kësaj shkollë Nexhmi Çollaku nuk lejonte që nxënësi të hynte në shkollë. Kundërshtimi i drejtorit prej fakteve që paraqitën prindërit e fëmijës, ishin më tepër se absurde. Sipas tyre, bashkëshortja e drejtorit Çollaku, drejtoreshë në një tjetër shkollë në fshatin Cerujë ku ka studiuar më parë Marigleni (ndërsa jetonte tek të afërmit), nuk donte që 13-vjeçari të largohej prej kësaj shkolle, pasi kjo mund të çonte në shkarkimin e një mësuesi nga puna (për shkak të numrit të vogël të nxënësve në klasë). Por këtë vit, familja Kola kishte vendosur që djalin ta shkollonte në Klos, gjë që prishte planet e drejtoreshës në Cërujë, e cila në bashkëpunim me të shoqin, drejtorin e shkollës në Klos, nuk lejonin për më shumë se 2 javë që 13-vjeçari të shkonte në shkollë. Publlikimi i lajmit në gazeta dhe televizone, vuri në lëvizje Ministrinë e Arsimit, me urdhër të së cilës, Marigleni ka të drejtë të ndjekë shkollën, duke mos u iu përplasur sërish dera në fytyrë.


T.Observer:, Entela Duraj

Skandali: Shumica shkel kushtetutën. Dy votime për të rrëzuar Presidentin e Republikës.


Pas një debati të ashpër mes pozitës dhe opozitës, i cili përfundoi me daljen e opozitës nga parlamenti, kryetarja e kuvendit,  Jozefina Topalli hapi votimin për rrëzimin e dekretetit të presidentit. Shkelja e pare flagrante e kryetares së Kuvendit, është çasti kur ajo “mëson” deputetët duke u thënë: -Votoni pro. Kjo është një shkelje sipas rregullores, sepse për ligjet bipartizane, siç ishte ligji i pronave, kreu i parlamentit, nuk mund të bëjë asnjë sugjerim.
Pasi është shpallur votimi, dhe pasi është votuar nga deputetët e shumicës, kryetarja e kuvendit, ka vërejtur se nuk kishte votat e mjaftueshme për rrëzimin e dekretit, dhe shmang deklarimin e rezultatit të votimit.

Duket se dy deputetët e Partisë për Drejtësi dhe Unitet, Shpëtim Idrizi dhe Dashamir Tahiri, nuk kishin votuar pro rrëzimit të dekretit.Thuajse në të njëjtën kohë, zyra e shtypit të PDU, shpërndan një njoftim,  sipas të cilit thuhej se deputetët e PDU, votouan kundër rrëzimit të dekretit të Presidentit në Kuvend.

Pas disa minutash, kryetarja Topalli, shpall sërish hapjen e votimit, për rrëzimin e dekretit, dukshëm, pas një telefonate të Kryeminstrit Berisha. Pas këtij votimi të dytë, dekreti është rrëzuar.


Kështu, shumica ka shkelur nenin 85 te Kushtetutes, ku shkruhet se dekreti i presidentit per rishqyrtimin e nje ligji e humbet fuqine kur kunder tij votojne shumica e te gjithe anetareve te kuvendit. Vec ketij neni ka edhe pika te tjera te rregullores qe tregojne shkeljen flagrante te kryetares se kuvendit. Rastii djeshem eshte ne vazhden e shkeljeve kushtetuese te mazhorances aktuale.

Mospasja e numrit të duhur për të kaluar një ligj a për të rrëzuar një dekret të presidentit, do të konsiderohej në çdo vend demokratik, si rënia e shumicës parlamentare e qeverisëse. Votimi i dyfishtë në rrëzimin e dekretit të Presidentit të Republikës, Bamir Topi është anti-kushtetues dhe në kundërshtim të plotë me rregulloren e kuvendit. Votimi i mbrëmshëm është një atentat ndaj parlamentarizimt shqiptar , votës së lirë, dhe një atentat ndaj ligjit themeltar të shtetit, Kushtetutës.