1. BALLINË MBISHKRIMORE NGA PETRO MARKO.
"Pra ç'jemi ne? Shqiptarë! Po pse e humbëm gjuhën? Unë do të them ato që di: "Pse nënat plaka, gjyshet dhe gjyshet dinë më mire shqipen se greqishten? Pse qajmë e këndojmë në shqip? Pse fjalët e urta i themi në shqip?
Siç duket që nga viti 1820 e tëhu, greqizimi u bë me qëllim politik nga vetë Greqia, që fitoi lirinë me gjakun e shqiptarëve, qoftë në Mesolongji, qoftë në revolucionin grek. Suli dhe Himara ishin shqiptarë, po dy krahina autonome që nuk njihnin as Greqinë, as Shqipërinë, së cilës i kishte humbur edhe emri. Suli dhe Himara ishin kurdoherë në luftë me turkun. Erdhi koha që Himara u nda: Himara bregdetare mbeti e lirë dhe e krishterë, kurse Himara e brendshme, Labëria, Kurveleshi, Lumi i Vlorës e Dukati u myslimanizuan dhe u ndanë. Megjithëse u ndanë në dy fe nuk e humbën kurrë lidhjet e gjakut dhe të fisit. Çdo fshatar kishte të tijtë në një fshat të myslimanizuar që në kohën e Ali Pashë Tepelenës. Kur bëheshin operacione ndëshkimore nga turqit, bregasit nuk shkonin përtej maleve, në Mesaplik e në Kurvelesh, për t'u mbrojtur, siç bënin gjer në atë kohë, por iknin me varka për në Korfuz ose për në Gjirit, nën mbrojtjen e venecianëve. Aty shkonin pleq e plaka dhe fëmijë. Burrat luftonin. Aty rrinin shumë vjet, gjersa mbaronin operacionet ndëshkimore. Thonë se banorët e Dhërmiut shkonin në ishullin grek, kurse ata të Himarës në Gjirit. Prandaj, dhe kur flasin greqisht, dhërmijasit flasin si korfjanët, kurse himarjotët, si gjiritlinjtë."
Këtë e vura si shtresë të parë, prej penës dhe kujtesës së Petro Markos, kur ende nuk kish trokitur bastuni i Bardit të Historisë, Prof. Kristo Frashërit. Këtu nuk jemi në ndonjë garë, as në ndonjë betejë që duhet të fitojmë. Asgjësend të kësillojshme nuk ka. Vetëm se gjithkush në vetëdije, le të ndjesohet, se kemi qenë aq të gatuar njësojshëm me himarjotë sa asgjëkund s'ka pasur ndarje. Këtë e rrëfen historia. Mirëpo, me Himarën po luhet. Luhet në të dy krahët. Secili në simbolikën dhe synimet e tij. Ngjarjet e fundit kërkojnë një optikë të qartë, pjekuri dhe gjakftohtësi, sepse ndryshe Himarën që është Njëjtësi Krahinore Gjeohistorike Shqiptare kaq e njohur do ta shndërrojmë në një mburojë të shformuar dhe të paaftë të gjithëpërfshijë veten në ardhmërinë e saj. Vetëm arsyetimi dhe faktet të largojnë nga trillimi. Teksa kërkoja harta antike, atë ditë kur Prof. Frashëri jepte intervistë të veçantë, Himara diku në një arkiv të Librarisë së Kongresit Amerikan, shpalosej natyrshëm prej lashtësisë. Doja t'ia nisja sa më shpejtë on-line, Profesorit, jo si një historian, por si një hartograf. Mirëpo atëbotë, si me porosi, me dy dhërmijotë që janë pronarë hotelesh në Ocen City në SHBA, takuam duart dhe përnjohëm mbiemrat tanë. Unë u ndjeva keq kur i thashë si emrin ashtu dhe mbiemrin tim osman. Kurse ata shqiptuan atje së largu "BUA" dhe "GJONI".
2. DUKE FLUTURUAR NGA PENË E SPIRO MILLOS DERI TEK MBIEMRI "BUA"
Në vijim të Mbishkrimores së Petro Markos, vijnë argumente rrënjorë për Spiro Millo-n që përmend Prof. Frashëri çka tregon se si erdhën mbrapshtitë për të bërë bashkim me Greqinë e për t'u bërë dorëzanë edhe për shumë agallarë të Labërisë së atëhershme, të cilët do të betoheshin dhe që do të ngrinin flamurin grek në Dheun e tyre, e të qeveriseshin nga ligjet greke etj., etj. E ky Spiro Millo, si gjithë himarjotët e tjerë "nuk fliste fare greqisht..." ( Shiko: "Arvanitasit" e A. Kolës) , " përveçse shqip" (po aty). Ky Millo e mësoi edhe greqishten, dhe pastaj vjen ajo kënga që ruhet në epikën orale të jugut: "Spiro Millo me penë, Zaho Millo me pallë, çliruan Greqinë dhe e bënë Himarë..." Suliotët dhe Himarjotët, hamendësohet se ishin gegë që pas vdekjes së Skënderbeut rrodhën më në jug, si në Himarë dhe Sul. Thuhet, kësilloj, se suljotët dhe himarjotët ngjajnë shumë. Është një kumt i madh historik i himarjotëve, atë që ata ia dërguan Papës Grigor i Trembëdhjetë më 1581 se " Të detyrosh mbret Filipin, që të sjellë ndihma, nga Mbretëria e Napolit, nga fisi ynë i romakëve dhe arbërorëve ... se ne do të vendosim flamurë dhe ... do të marrim tërë arvanitien dhe Morenë..." Kush ishin këta? Ishin ata që kishin zbritur në fund të shekullit XIV si pasardhës së fesë së krishterë, që në ngulimet e reja morën emrin arvanitas. Kështu që Himara qe dhe mbeti e krishterë në mënyrë tërësore. Ndërsa, në fqinjëri dhe në juglindje ishin Çamët që banonin rrotull Thiamisit (Lumit Thiamis) që quhet edhe Dhesprotia (Thesprotia) me rrënjë fjalën DHE. Kurse Lebrit ishin në krahë të himarjotëve dhe të lidhur me ta... Duke medituar për dy mbiemrat e parë që sollëm në fillim të shkrimit, Gjon-ët dhe Bua-t, dy fise të mëdha që dokumentohen herët edhe në regjistrat turq si ai i vitit 1583 ku gjen: Gjin, Gjon dhe Bua. Mbiemri i fundit është arbëror, pra tërësisht arvanitas nga Estradiotët e shekullit të XV dhe XVI si Mërkur Bua që ishte nga buronjë shqiptare e Buajve edhe pse jetonte në More (Man), por që ishte me rrjedhë prej Buajve që erdhën nga Veriu dhe pse jo dhe nga Dhërmiu i dikurshëm. Nuk ka më në More, por ama, e gjen sot në Dhërmi dhe deri në Ocen City, në SHBA. Kladët, Shpatët, Grivët janë sythe të së njëjtit trung, janë Bua. Gjin Bue Shpata ishte pjesë e familjes më të shquar të Shpatajve arbërorë dhe e familjes Bua. Ai ishte një kryesundues i Despotatit të Artës Lord i Artës, i Lepantos. Edhe në regjistrin turk që sjell Prof Frashëri në shpinoren e Himarës së regjistruar dalin: Meksi, Gjoni, Gjini, Pali, Tanushi, Gjipali, Gjikalli, Leka etj., emra shqiptarë. Kështu që hartat antike i nisa mbi këta dy mbiemra shqiptarë të Dhërmiut dhe thënien kryebreg të Petro Markos.
3. SFOND HARTOGRAFIK.
Kërkimi hartografik që nga lashtësia sjell dëshmi të veçanta jo vetëm për kufijtë dhe shtrirjet gjeohapësinore, por dhe emërtimet e shkruara në to. Këto "ngastra" shkrimore po edhe simbolike, mund të sjellin një kontribut, sado të vogël për historinë. Χίμαιρα, (Chimaira) thuhet se ka sjellë emërin Himarë. Po kësilloj vijohet: se fjala rrjedh prej greqishtes, χείμαρρος (cheimarros), me kuptimin e përroit. Kjo është një hamendje por jo një ngjasim përfundimtar. Në këto harta, që po sjellim, emërtimi shkruhet në shtrirjen krahinore që nga buzëdeti deri më në lindje: CHIMERA ndërsa në veri mban një emërtim të veçantë po të njëjtë që përkon vetëm me pozicionimin e qendrës së banuar. Po edhe malet që i rrinë përsipër, nuk janë ato që në hartat e Ptolemeut quhen "Akrokeraune = malet e Vetëtimës ) por malet e Chimera-s. Edhe pse në vetvete hartografia e kohës është skematike, prapëseprapë na e shton edhe më shumë përfytyrimin se nuk bëhet fjalë për një Himarë të veçantë si qendër e banuar por si një krahinë e tërë. Kjo ka shumë rëndësi për njëjtësi. Në veriperëndim radhiten emërtimet: Sopot që na del për herë të parë dhe në bregdet, po edhe aq i njohuri gjiri i Gramës (Grammata) . Shkrimet në hartë janë latinisht: CHIMERA, e cila në shqipen tingullore (KIMERA) që nuk ngjason me "χείμαρρος (cheimarros) = keimaros që thuhet në disa fjalorë dhe enciklopedi si një synim për ta çuar medoemos tek fjala me rrënjë greke : χείμαρρος (cheimarros) = përrua, çka nuk është aspak i drejtë. Pse të mos kërkohet në buronjë të shqipes? Ka një hamendje që himarjotët kanë një përzierje të re që erdhi nga veriu, nga fiset gege. Kështu: CHIMERA = KI MER ERA= QË i MERR ERA. Ky përfytyrim që na shfaqet, ka përsipër malet e Vetëtimës = Akrokeraune, me erë dhe vetëtima, me një hapësirë detare që sjell erëra mesdhetare. Dhe ja në verilindje, për herë të parë na del: Sopot: që vjen prej "bregore" Në latinisht do të thotë " llaç" në serbokroatisht "brinjë" Kurse "Gramata" kuptueshëm ka lidhje me shkrimet e shumta në atë gji të marinarëve dhe prerësve të gurëve të qyteteve antike themeluar nga kolonitë greke. Edhe në një hartë tjetër e cila duket se nuk i ka përdorur të gjithë emërtimet që cekëm atypari, na sjell sërish krahinën tërësore, po edhe Himarën si qendër të banuar është shkruar në drejtimin verilindor. i vetmi ndryshim në këtë hartë më të hershme është se poshtë Himarës = Kimerës është shkruar me shtrirje të gjerë në drejtim të juglindjes EPIRE deri tek Thiamis, lumi që i ka dhënë emrin Çamërisë. Duket se sipas rendit të të shkruarit Kryekrahina është Epiri dhe Çimera është pjesë e tij pra, e Mbretërisë së Epirit, ku Pirro u ngrit në sopin më të lartë të majave epirote. Pra, hartat flasin dhe dëshmojnë.
4. NJË HARTË E VORIO-EPIRIT2*
Hartën e Vorio Epirit (fotot shoqëruese), në përfshirje të gjeohapësirës historike shqiptare, e realizuar në vitin 1919, mund ta komentojmë së bashku, si një fakt dëshmues, se era që duket se fryn këto kohë të fundit pa "orkestra të mëdha" ndjell dhe sjell imazhin dhe synimin e fqinjëve tanë, që edhe pse nuk citohet në dokumente zyrtarë të sotëm, përcjell kuptueshëm veprime po kaq arkivale sa ç'është edhe kjo hartë e ashtuquajtur "etnografike" Kjo hartë përkon me mbledhjen e "Komisionit të çështjeve greke dhe Shqiptare" të kryesuar nga francezi Kabon, pas përfundimit të Luftës së Parë Botërore më 1919. Është pjesë e propagandës së hershme e qeverisë greke ( të Venizellosit ) që kërkonin me çdo kusht që Epirin e krishterë të Veriut ta përfshinin me Greqinë. Kështu iu sulën shtetit shqiptar që sapo kish fituar mëvetësinë, për të rivendikuar gjithë pjesën jugore të Shqipërisë, ku nuk ishin vetëm të krishterë por edhe myslimanë dhe ku vetëm një pakicë ishte greke. Një kufi i vizatuar me simbole tërësorë hartografikë plot 7 vjet pas shpalljes së mëvetësisë së Shqipërisë, kufizon me një ngjyrim të kuq vijën e fundme të ( Epirit të Veriut = Vorio Epirit ) që fillon në Vishocicë e vijon mbi Progër, mes përmes malin e Ivanit pastaj përbri Pogradecit, e ngjitet në lartësitë e Osnatit duke përfshirë pjesën më të madhe të Gorës dhe pastaj po kaq e prêt edhe Oparin ku e kanë origjinën Muzakajt (Mussakie) në ujëndarjen e Ostrovicës. Në përfshirje të mëtejme vijon me Panaritin, Grabockën, e Treskën, pothujse merr pjesën më të madhe të Dëshnicës dhe del e vështron në Qafë të Kiçokut. Pastaj pret Trebeshinën dhe del në Memaliaj për ta përfshirë Tepelenën, i mësyn luginës së Bënçës, ngjitet në Këndrevicë, kufizon Vërmikun, duke futur brenda tërë Kurveleshin e Sipërm. Mandej, zbret pa teklif në Kurvelesh të Poshtëm dhe përfshin Bolenë, Kuç e Kallarat. Ngjitet në Male të Vetëtimave ( Mali i Çikës) zbret në Qafë të Llogorajt, ecën mbi Karaburun dhe zbret deri në gjirin e Grammatës atje ku bashkohet Dheu me Detin. Kjo hartë e ardhur që nga viti 1919 nuk tremb as nuk kanos, nuk përcjell ksenofobi, dhe as alarm, veçse dëshmon se ku e ka shtratin një ëndërr e kahershme e fqinjëve tanë jugorë.
5. "GREQIA KËRKON NGUSHTICËN E OTRANTOS"
Këtë e thotë Prof. Kristo Frashëri për herë të parë gjatë këtyre dy dhjetëvjeçarëve të fundit dhe sidomos pas një beteje me vetveten që pati qeveria e Shqipërisë së sotme për Paktin Detar, të gremisur me Greqinë. Mund të thuhet se ka ikur koha që të flasësh me terma të tillë të vjetruar sepse " ... ne tani jemi në NATO, dhe ç'kuptim kanë ato hamendjet se do të dalë këtu apo do të dalë atje... me gjeostrategji dhe gjeopolitikë të prapambetur..." Dhe këta njerëz nxjerrin gjuhën, po edhe fjalë të përbaltura të shqipes së tyre të përzierë, gjase duan të stisin e sajojnë një valëzim miqësor që vjen deri këtu në buzë të Aosit (Vjosës) herë me varre ushtarësh, herë me pensione e herë më shkolla...bukur e bukur...i qepin veprat e tyre. Kur Profesor Frashëri u kujton Otranton, ata as që duan t'ia dinë se ku ndodhet, por e kanë mendjen tek koordinatat e krahëve notues të tyre diku në Dhërmi, e që nuk duan që duan t'ia dinë për këtë rrugë të shkurtër në Apenine, ku janë mbytur e s'arrin dot sa e sa shqiptarë në tragjedinë e izolimit të tyre katastrofik. As që duan të kuptojnë se Otranto nuk është një vijë, po është një hapësirë detare jetësore e të dy vendeve tona: Italisë dhe Shqipërisë, që rrojnë kundruall në jetë të jetës. Ndërkaq me atë marrëveshje duhet t'u jetë prishur qetësia e notit "shou" që bëhet çdo verë në Dhërmi. Dhe Prof. Frashëri i bie kambanës apo burisë historike se "Himara ka një rëndësi të jashtëzakonshme politike dhe strategjike për Greqinë. Greqia kërkon që t'i afrohet sa më tepër Ngushticës së Otrantos. Synimi i saj është që t'i bëjë karshillëk Italisë. Këtu e ka burimin edhe përpjekja për t'i rrëmbyer Shqipërisë ujërat e saj...në zonën e Korfuzit dhe në Detin Jon, pra në afërsi të Otrantit..." Kjo është një e vërtetë e madhe, se asgjë nuk është kaq e thjeshtë sa ç'duket, se nuk dihet ende se 'ç'fshihet në ato arka të kyçura me njëqind çelësa'. Ky është gjykimi i qetë, i rëndë në vend të vet si një shkëmb, si pjesë e maleve të Vetëtimës, me një mirësi arbërore, duke trokitur me bastunin e moshës së tij të Bardhë. Mirëpo, Tirana jonë e politikës së pocaqisur nuk ka se si t'i thotë një fjalë të mirë Chimera-s, por bën not dhe në ujanën e Jonit lëshon një "belingua" si një lajkë që u ngjan të sharave që iu bëhen studiuesve nga gjuhë politikanësh Në ato ballafaqime të turpshme dhe njollosëse, ndër ato lektoriume Universitetesh, qeveritarët bënë matje, të pamatura, me zellin e një të përunjuri, pa pikën e drojës dhe pa pikën e turpit, kanosin me gishtat e tyre, Udhët e Bardha në Palasë ku zbriti Cezari, pa frikë prej pranisë hijerëndë të Kepit të Gjuhëzës që është ai Gishti i Madh i trojeve tona që shikojnë vetëm në Perëndim, dhe lënë anash ujdhesat greke që ai Pakt i solli deri në mes të Otrantit dhe që me të drejtë, Prof. Frashëri e quan synim strategjik.
***
DICITURAT: Harta të Vorio Epirit dhe Himares qe shihet me emrin Chimera. Harta është në shkallën 1: 200 000. Firmosur: Data: Hellenique le Julliet 1919. Le Chef: Lt. Colonel: BOTZARIS Vu Le Chef d'Etat- Major: Colonel PANGALLOS. Botohen per here te pare
Myslim Pasha, G. Shekulli