A mundet ndonjë përfaqësues i politikës shqiptare të dalë para popullit e të thotë me guxim, se
"nuk kam frikë nga gjykimi i popullit", siç tha Nikolas Sarkozi para zgjedhësve të vet?
Në ajrin e politikës shqiptare dhe në zërin e medias, si përherë zhurmojnë makinacionet partiake, dhe s'dëgjohet a shkruhet gjëkundi për ndonjë pyetësor, shtab specialistësh (profesionistë dhe jo më emocione partiake) apo, ndonjë program konkret për të zgjidhur problemet e shumta që ka vendi.
Shqiptarët, indiferentë ndaj pazarllëqeve partiake, vazhdojnë ritin migjenian, shtëpi-punë e anasjelltas, ata që e kanë atë fat, të tjerët, e kush pyet për të tjerët!
Franca e Iluminizmit dhe e ideve të Revolucionit, me shembullin e saj gjatë kësaj fushate zgjedhore, vazhdon edhe sot të na ndriçojë rrugën që duhet të ndjekë politika shqiptare, që nuk duhet të bëjë të paditurin për nivelin e ulët të saj.
Duke hapur faqen e internetit të Z. Sarkozy shikojmë krahas biografisë së jetës, punës dhe aktivitetit politik të tij, ndodhet edhe ajo e vlerave ku shkruhet: "
Besoj, para së gjithash tek Franca dhe francezët. Besoj tek respekti i ndërsjellët i gjithë secilit. Besoj tek puna dhe shpërblimi i saj. Besoj tek solidariteti me më të dobëtin. Besoj në forcën e së vërtetës. Besoj në ndryshimin. Besoj në një Francë të nderuar (të respektuar)
në botë. Besoj se gjithë çka është e mundur".
Në praktikën e politikës shqiptare, meritat partiake dhe të funksioneve në parti, herë të diskredituara e të dyshimta për nga vlerat, janë treguesit e vetëm që iu serviren zgjedhësve tanë për t'i bindur. Megjithatë, kureshtja më shtyu të rrëmoj në internet për të gjetur ndonjë faqe, të zërit të vetëm të vetëshpallur (
Fatos Nano). Një mundim i kotë.
Kaq pak vlerë ka zgjedhësi shqiptar për politikën tonë?
Për të gjykuar mbi nivelin e ideve dhe veprimtarisë të politikës së sotme shqiptare, duhet që ato të krahasohen me idetë dhe veprimtarinë e politikanëve të shteteve të përparuara perëndimore.
A nuk e ka vënë shteti ynë, hyrjen në familjen evropiane të Shqipërisë, si parësore të politikës dhe veprimtarisë së tij?
Shumë fjalime të nivelit u mbajtën nga pretendentët francezë për postin e Presidentit, por për një shqiptare si unë, me emocionoi ai i mbajtur me 24 prill 2007 në Rouen, nga Nicola Sarkozy ditën që u shpall fitues i turit të parë. Franca është një nga fuqitë ekonomike me peshë në Evropë dhe në Botë e, sigurisht, problemet e saj do të duken të largëta për zgjedhësin shqiptar. Por çuditërisht ky fjalim mu duk shumë i afërt për problemet që shqetësojnë shqiptarët. "
Qëllimi i politikës është mirëqenia e popullit, jo ajo e administratës. Qëllimi i politikës është t'i shërbejë vendit të tij, dhe jo t'i shërbejë partisë së saj?
Franca nuk ka nevojë për sektarizëm. Sektarizmi është e kundërta e Republikës.
Republika është tolerancë?
Mendoj se në politikë gjithashtu ka një moral, fjala "moral" nuk më frikëson dhe kriza e sotme e politikës shkaktohet nga kriza morale në politikë. Kur nuk ka më moral, nuk ka më një politikë të vërtetë. Mendoj se Francezët presin të tjera gjëra nga politika se sa goditjet e pamoralshme personale? Zgjedhja e presidentit nuk është një komedi.
Nuk është një teatër hijesh. Është një zgjedhje e vështirë, e rëndësishme.
Dua t'i respektoj Francezët. Dua t'iu flas për idetë e mija, për bindjet e mija, për projektin tim. Dëshiroj të shkoj në takimet e tyre. Dëshiroj t'i dëgjoj. Dëshiroj të ndaj me ta gëzimet, vështirësitë dhe vuajtjet e tyre. Dëshiroj të kuptoj frikën dhe ankthet e tyre. Dëshiroj t'iu jap përvojën time.
Si mund të japësh përvojën kur nuk i kupton ?
Në rast se fitoj, dua të fitoj vetëm në saj të popullit, që është gjëja e vetme që më intereson, të jem kuptuar nga populli francez. Jo nga partitë, jo nga elitat, jo nga klasat politike, por nga populli i Francës. Ky është projekti im politik"...
Një komunikim i tillë, i bërë me sinqeritet e i bazuar në rezultatet e punës konkrete të mëparshme, do të ngrohte dhe do t'ua kthente besimin në zemrat e çdo shqiptari.
Por a mundet ndonjë përfaqësues i politikës shqiptare të dalë para popullit e të thotë me guxim se "nuk kam frikë nga gjykimi i popullit" siç tha Nicola Sarkozy para zgjedhësve të vet ?
Këta guximtarë, mund t'i numërojmë me gishta.
Krahina e Rouenit, ku u zhvillua takimi, është e përmendur për figurat e shquara në historinë e Francës dhe të botës, si Corneille, Horace, Cid, e sidomos për figurën legjendare të Jeanne d'Arc-es që në moshën 19 vjeçare, drejtoi ushtrinë mbretërore në luftën çlirimtare kundër pushtuesve të atdheut të saj, e për të cilin edhe u dogj në turrën e druve (30 maj 1431).
Përmendja e vlerave të historisë së shkuar të Francës zinte një vend qendror në fjalimin e tij;
"Në rast se një kandidat për president të Republikës franceze nuk flet për Francën, për kë duhet të flasë?
Dhe kur ai flet për Francën dhe nuk flet për historinë e saj sepse nuk di gjë për vendin e tij, pra, nuk është i përgatitur për ta përfaqësuar. Kjo është e vërteta?
Kjo kulturë është pjesë e vetes sonë dhe nuk kemi të drejtë ta mohojmë, ne e kemi për detyrë t'ua përcjellim fëmijëve tanë. Dëshiroj që shkollat të bëhen vendi i transmetimit të kulturës. Atyre të cilëve kjo nuk ju pëlqen, nuk janë të detyruar të qëndrojnë në territorin e Republikës franceze."
Dua t'iu bëj një pyetje shqiptarëve, në se kanë dëgjuar këto 20 vjet të flitet me respekt e përkushtim ndaj Shqipërisë, shqiptarëve dhe HISTORISË sonë, nga ana e politikanëve të të gjitha ngjyrave?
Ka 20 vjet që patriotizmi, në punën dhe fjalimet e politikanëve, ka dalë jashtë mode. Se sot në modë është vetëm fjalëkryqi
"integrim në Evropë"?
A nuk duhet që të jenë politikanët të parët që të përmendin vlerat dhe historinë e vendit që përfaqësojnë brenda dhe jashtë Shqipërisë?
Në rast se Presidenti i Francës kujton, me të drejtë, vlerat 2000 vjeçare të katolicizmit në vendin e tij, a nuk duhet me po atë të drejtë, ta përmendin edhe shtetarët tanë faktin se kur Evropa Perëndimore dhe ajo Lindore ishin pagane, në tokat e Ilirëve (ku sot bën pjesë edhe shteti Shqiptar) praktikohej me kohë kristianizmi dhe jo të identifikohet Shqipëria me islamizmin, siç është bërë e zakonshme sot?
Përse në shkollat tona vazhdon të bëhet një histori e shplarë nga shumë fakte të rëndësishme jo vetëm për kombin tonë por edhe për historinë botërore?
Përse atashetë kulturore në Ambasadat tona në botë nuk gjurmojnë çdo botim që bëhet për Shqipërinë dhe shqiptarët, apo çdo botim të kësaj natyre tu bëhet i njohur bashkatdhetarëve tanë kudo që gjenden, por çdo gjë mbetet në duart e rastësisë dhe të iniciativave private?
Përse nuk përmenden kurrë në përvjetorët dhe takimet e shteteve të huaja, kontributi shumë i madh, që ata kanë pasur nga bijtë e popullit shqiptar për ndërtimin, modernizimin e shtetit të tyre, kulturës, mbrojtjes dhe në fushat e tjera?
Është e paimagjinueshme për çdo shtet në botë, që të mohojë e të mos ua mësojë brezave të rinj të popullit të tij, se nga e kanë prejardhjen, tashmë të provuar katërcipërisht nga studiuesit jashtë dhe brenda vendit.
Është një turp për Institucione të tilla si Akademia e Shkencave, Ministria e Arsimit dhe Kulturës, me gjithë institucionet që varen prej tyre të cilat mohojnë me kokëfortësi periudhën PELLAZGE dhe vlerat e rolin e gjuhës shqipe në historinë botërore, duke bërë një krim për brezat e ardhshëm që nuk arrijnë të njohin veten e tyre.
Dëshiroj të rivendos Francën në zemër të politikës, sepse kriza e identitetit francez po bëhet shqetësuese. Dëshiroj ta vendos Francën në piedestalin e nderimit nga politika, sepse nuk mund të integrohet asnjeri, po nuk e di ai vetë, se kush është. Nuk mund t'i bësh të tjerët të të duan, pa mësuar të duash veten tende. Dua të mbroj industrinë tonë, artizanatin tonë, bujqësinë tonë kundër vizionit teologjik të konkurrencës. Fjala mbrojtje nuk më frikëson. Pohoj se detyra e një Presidenti të Republikës është të mbrojë popullin që e ka zgjedhur, sepse kur uzinat do te jenë larguar (në vende të tjera), në se bujqësia do te zhduket, në rast se artizanët nuk do të mund të mbijetojnë, çfarë do të mbetet, do të zhduket gjithashtu?
Po të mos bëjmë asgjë, e të vazhdojmë të pranojmë presionet sociale, ekologjike, monetare, fiskale dhe në rast se do të vazhdojmë të tolerojmë konkurrencën e pandershme, Evropa, para se të katandiset në një shkretëtirë ekonomike, do të bëhet një shkretëtirë industriale dhe një shkretëtirë bujqësore. Mos më llogarisni mua për të pranuar këtë logjikë. Do të luftoj me të gjitha forcat e mija".
E ç'mund t'u themi ne, politikanëve tanë që luftojnë me heroizëm të paparë për të formuar qeveritë e tyre (sigurisht me mbështetjen e fondeve të mëdha monetare), e që i humbasin forcat, zërin dhe të gjitha financat e që i ngrijnë në akullin polar ligjet, që duhet të mbrojnë dhe zhvillojnë biznesin, bujqësinë, artizanatin e kulturën shqiptare?
Në ç'vend të botës hajdutët e lashtësisë rrëmbejnë pasurinë historike në mes të ditës dhe zhduket pjesa më e madhe e ujërave të një lumi të tërë, siç qe rasti i lumit Vjosa nga shteti grek?
Nga informacioni që ka mbërritur tek gazetat, vetëm për reklamat elektorale janë shpenzuar nga partitë 24 milion dollarë për zgjedhjet e 18 shkurtit 2007 ("Tirana Observer" 1.03.2007), pa llogaritur shifrat marramendëse, që partitë nuk i kanë zbardhur. Ndërkohë që si specialistët shqiptarë ashtu edhe ata të huaj, e kanë ngritur zërin me forcë, për nevojën urgjente për të restauruar, mirëmbajtur dhe mbrojtur pasurinë arkeologjike, ndërtimore dhe natyrore të vendit tonë, e cila nuk mund të zëvendësohet (siç është p.sh. kompleksi i Voskopojës, Linit e shumë të tjerë në të gjithë vendin) e që janë lënë pas dore për shkak të mungesës së fondeve.
Me çfarë do t'i tërheqë turistët e huaj shteti shqiptar?
Mos vallë me gërmadhat e gërmadhave që do të mbeten?! Reklama më e mirë për çdo parti dhe politikan është të tregojë se sa PATRIOT është ai në idetë dhe punën e tij, ndaj popullit dhe vendit të tij.
"Dua të jem një President që do t'i japë moral kapitalizmit financiar, dua t'i japë përparësi logjikës së prodhimit mbi logjikën e spekulimit ?
Ai që fiton shumë para dhe sjell begati, shkëlqyeshëm. Kush fiton shumë para kur drejton biznesin e vet me sukses, në rregull. Kush fiton shumë para kur investon dhe ndihmon në shtimin e punësimit, shumë mirë. Por të fitosh shumë para kur drejton një biznes me humbje, nuk mund ta pranoj sepse besoj tek puna, meritat, shpërblimi por nuk besoj tek spekulimi. Kjo është Franca ku ne duam të jetojmë."
Kështu duam edhe ne të bëhet Shqipëria ku të jetojmë, e nderuar, e mbrojtur e krenare për historinë, kulturën ,natyrën dhe shtetin e politikën tonë. "Ju keni vetëm një vend, vetëm një Atdhe. Juve ju takon të zgjidhni, jeni Ju, që do të bëni që 6 maj të jetë zëri i së ardhmes, apo ai i ngecjes në vend. Kam nevojë për ju, jo si shikues (për dekor), por si aktorë" Ky ishte mësimi që mora unë nga zgjedhjet franceze të 2007, kur dëgjova atë fjalim të mrekullueshëm të Presidentit francez Nicola Sarkozy.
Një fjalim që me kujtoi patriotizmin e Rilindasve dhe të politikanëve tanë të para luftës.
Është në dorën tonë që t'ua japim votën jo Partive, por Programeve, që do të na shtrohen përpara.
Në të kundërt, s'kemi pse t'ua hedhim fajin të zgjedhurve tanë (politikanë) që nuk bëjnë gjë tjetër, veçse atë që dinë të bëjnë më mirë, d.m.th. të mendojnë vetëm për pasurimin e tyre personal, pavarësisht çmimit që paguan populli dhe Shqipëria.
Fatbardha Demi