Monday, May 24, 2010

Koshtunica i armatosur në Kosovë Bajrami: EULEX s’e ndali

PRISHTINE-Vojislav Kostunica, të dielën, hyri i armatosur dhe qëndroi në Kosovë dhe askush nga policia nuk e ka ndalur.

Kështu njofton sot e përditshmja kosovare, Express sipas të cilës, Ministri Bajram Rexhepi ka qënë i njoftuar për këtë dhe i ka kërkuar nga EULEX’i t‘i ndalë personat e armatosur, gjë që sic pohon e përditshmja, nuk ndodhi.

“I përcjellë me truproja të armatosura, ish-Kryeministri serb, Vojislav Kostunica ka qëndruar të dielën në pjesën veriore të Kosovës pa leje të institucioneve vendore dhe atyre ndërkombëtare”, citon sot Express.

I njëjti burim bëri me dije se Koshtunica ka qëndruar në Zveçan dhe lokalitete të tjera në Veri për të kërkuar votën e serbëve për njerëzit e partisë së tij që garojnë në zgjedhjet për Komunën e Mitrovicës që janë paralajmëruar të mbahen këtë të diel.

“Koshtunica dhe eskorta e tij me njerëz të armatosur ka hyrë dhe ka dalë nëpër kufirin verior të Kosovës, në asnjë rast nuk është penguar nga Policia e EULEX’it dhe Policia e Kosovës, që në këtë pjesë të vendit përbëhet gati tërësisht nga pjesëtarë serbë”, njofton e përditshmja.

Kostunica ka zgjedhur Zveçanin për të mbajtur mbledhjen e Këshillit drejtues të partisë, për të shpalosur një program ekonomik si dhe për të kërkuar mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme në Serbi.

Fotoja e mësipërme e ish kryeministrit Kushtunica është bërë në Kosovë 1998


Ai ka përsëritur qëndrimin e tij rreth statusit të Kosovës dhe ka theksuar se se po të ishte në pushtet, kurrë nuk do të pranonte vendosjen e EULEX’it në Kosovë.
Gjatë kësaj vizite, politikani radikal serb ka qenë i shoqëruar nga ish-Ministri për Kosovën, Slobodan Samardzic dhe zyrtarë të tjerë të Partisë Demokratike të Serbisë, që ndodhet në opozitë që nga zgjedhjet e vitit 2008.

Ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, thotë se institucionet e Kosovës kanë kërkuar nga Misioni i BE’së që eskortat e armatosura të ndalen dhe të identifikohen, por kjo nuk është bërë.

“EULEX’i nuk është i gatshëm të bëjë një pengesë të tillë sikurse e bëjnë në pjesët e tjera kufitare”, ka thënë ai.

“Kemi kërkuar që sidomos eskortat e armatosura që bartin liderët polikë të ndalen, të identifikohen, të identifikohet armatimi dhe ky është ai minimumi që kërkojmë nga EULEX’i. Mirëpo, as këtë nuk e kanë bërë”, ka thënë Rexhepi, në një prononcim për RTK’në, të dielën në mbrëmje.

Por, Rexhepi tha se nuk ka kërkuar që të përdoret dhuna ose presioni, sepse kjo do të shkonte në llogari të politikës serbe.

Ndërkohë, zëdhënësja e Misionit të BE’së, Karin Limdal, ka konfirmuar për Express kërkesën e institucioneve të Kosovës për EULEX-in.

“Drejtori i Policisë së Kosovë e ka kontaktuar zëvendësshefin e komponentit të Policisë së EULEX’it, por kjo është bërë pasi Koshtunica ka hyrë në Kosovë”, ka thënë ajo.

Limdal nuk ka pranuar të komentojë se përse nuk është indërhyrë pas hyrjes së Koshtunicës në Kosovë.

Sot pjesëtarë të Misioni i BE-së janë të vendosur në dy pikat kufitare në Veri, pikërisht aty ku ka kaluar eskorta e Kostunices.
Për vizitat e zyrtarëve serbë në Kosovë ekziston një marrëveshje që ato të realizohen duke kërkuar leje, e cila përcillet në Qeveri përmes Zyrës së Përfaqësuesit të BE’së në Beograd dhe Zyrës së Pieter Feithit në Prishtinë.

Zgjedhjet serbe në Kosovë?
Ndërkohë mediat kosovare cilësojnë se paralajmërimi i institucioneve të Serbisë për organizim të zgjedhjeve lokale në pjesën veriore të Mitrovicës konsiderohet një provokim i ri ndaj Kosovës dhe manipulim me pjesëtarë të pakicës serbe, por nuk pritet të pengohet mbajtja e tyre.
Zëdhënësja e EULEX’it, Kristiina Herodes ka deklaruar se Misioni i BE’së nuk i pranon të ashtuquajturat struktura paralele dhe për këtë arsye nuk i njeh zgjedhjet serbe dhe as rezultatin e tyre.
Ndërkaq, zëdhënësi i Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, Russel Geekie ka deklaruar se për mbajtjen e zgjedhjeve serbe në Mitrovicë, UNMIK-u është njoftuar përmes medieve, por nuk ka marrë asnjë informatë zyrtare për këtë.

Ndërkohë është paralajmëruar se këtë të diel do të votohet edhe në Komunën e Novo Bërdos.

BalkanWeb

OTR vs TBA, shkëmbim zjarri para Pallatit të Kongreseve

Dy grupe rivale që mendohet të jenë edhe grupe muzikore janë përfshirë mbrëmë në një përplasje me armë.

Ngjarja ka ndodhur mbrëmë në kryeqytet pranë Pallatit të Kongreseve, përpara nisjes së një festivali të organizuar nga një kompani private. Ata kanë shkëmbyer plumba mes tyre duke mos hezituar që t'i drejtohen edhe policisë.

Pas pushimit të zjarrit, policia mundi të arrestonte në flagrancë njërin prej të dyshuarve të ngjarjes, Jetnis Dollapajn, 24 vjeç, nga Tirana, ndërsa bllokoi një armë automatike të një modeli të vjetër. U shoqëruan në komisariat rreth 10 persona, mes të cilëve 5 pjesëtarë të grupit OTR dhe 5 të tjerë të grupit TBA. Policia e Tiranës ende nuk ka dalë me një version zyrtar për ngjarjen, ku pritet të mësohen edhe shkaqet e këtij incidenti në mes të kryeqytetit.

Vokalist dhe drejtues i grupi OTR, është Noyzi, apo siç quhet ndryshe Rigels Rajku, ndërsa i grupit TBA, është Arkimed Lusha, i cili në emrin e artit thirret Stresi.

Ndërkaq, në vendin e ngjarjes, policia ka bllokuar veç armës së Jetnis Dollapajt edhe sende të tjera të forta, si shkopa bejzbolli, armë të ftohta. Burimet e policisë pohuan se zyra e hetimit të vrasjeve, mund të arrestonte së paku deri në katër persona gjatë mbrëmjes së djeshme, ndonëse hetimet kanë vijuar deri në orët e para të mëngjesit.

Shekulli


Kujt i duket si film i parë? http://www.youtube.com/watch?v=PFHXjUMwmgk

"Mësues-nxënës, çfarë po i ndodh marrëdhënies?

Në fillim të këtij viti akademik mësimor, në të gjitha shkollat u punua një material që u kujtonte mësuesve, (duke i tërhequr vërejtje), se nuk ishin ata që mund ti mbetnin në klasë nxënësit. Për këtë u mor shembulli i një mësuesi që kishte ngelur një nxënës në lëndën e Gjuhës Shqipe, kur e kishte kaluar në atë të Anglishtes.


Për të gjithë mësuesit ky nuk ishte argument, por të gjithë kuptuan se kërkohej medoemos që për asnjë lloj arsyeje, nxënësit të mos mbeteshin në klasë. Kjo nuk justifikohet as me atë që quhet Taksonomia e Blumit. Përcaktimet e objektivave specifike tek Blumi janë të sakta dhe koncize dhe nuk thuhet gjëkundi, që lejohet një nxënës të kalojë kot.


Si mësues, konstatoj se nga nxënësit ka gjithmonë e më shpesh situata mjaft provokuese ndaj mësuesve. Megjithatë, mësuesit nuk i lodh ky fakt, (sepse ne e dimë se mosha në rritje ka problemet e veta), por i demotivon fakti, se fëmijët kanë shenja që nuk duan të mirëkuptohen me ta.


Ky lloj shkollimi me në qendër "të drejtat e nxënësit", mund të jetë gjithçka, por jo i dobishëm. Po e çorodit nxënësin duke e shtyrë në sjellje flagrante dhe të papëlqyeshme në shkollë dhe duke shkaktuar një mediokritet masiv në përgatitje.


Mos vallë kjo gjendje është mbjellë enkas? Me qëllimin e vetëm, që vetëm fëmijët e pushtetarëve të shkollohen dhe të pajisen me dije të qëndrueshme, që në të ardhmen ta sundojnë administrimin dhe drejtimin e këtij vendi?


Si mund ti japim përgjigje ndryshe këtij synimi për degradim të arsimit publik?

Përse nuk lejohet rregulli dhe disiplina në shkollat publike, kur gjetiu ato janë baza e arsimimit të shëndoshë?

Ky abuzim ndaj mësuesit dhe shkollimit është fatal.
Ndoshta ka ardhur koha, që edhe ministria dhe shteti të kuptojë, se mbreti dhe perëndia e shkollimit dhe kurrikulave, është vetëm mësuesi. Ai është graviteti i gjithçkaje që ka lidhje me arsimin dhe arsimimin.


Nuk fajësoj prindërit, por dëshiroj që ata ti "shtrëngojnë" edhe më shumë fëmijët e tyre për bindje ndaj mësuesve. Përpara se të jetë vonë. "Sita" ,për të nxjerrë flori nga brezat e një kombi, është vetëm mësuesi.


Ai nuk ka qenë as historikisht dhe as praktikisht armiku i nxënësve. Nuk mohoj se ka edhe mësues të papërgjegjshëm, por pohoj se fëmija,që gëzon "të drejta të plota" (!!) sot përballë mësuesit, nesër do të jetë një bosh.

Pyetja ime është e thjeshtë: a do ta përmbushë ky brez misionin e tij për të cilin edhe po shkollohet?



Letër e nënshkruar Qemal Guri, mësues Shëngjin, Shekulli

"Kur vihet në dyshim shqipja e politikanëve tanë"

A flasin politikanët tanë shqip? Ç'është kjo pyetje do të thonë lexuesit? Po mor po. A dinë të flasin shqip në kuptimin rrënjësor që ka kjo fjalë?

Gjuhëtarët e nderuar, qofshin tanët ose të huaj e kanë shpjeguar me kohë kuptimin e kësaj fjale. Do t'i referohem njërit prej tyre, Mustafa Merlikes (Krujës). Ja ç'thotë ai për këtë fjalë: "Kuptimi që i jep populli ynë këtij adverbi njërrokësh është ai i gjuhës që flet: Flas e shkruaj shqip mirë. Por vini re edhe këtë frazën tjetër: Flit or shqip se nuk të marr vesh.


Shqip do të thotë këtu qartë dhe kthjellët, ftillueshëm, kuptueshëm.
E ja shembulli i tretë. Shqip kësaj i thonë të hash fjalën, pra ka kuptimin, haptas, qartas, rrumbullak, drejtpërdrejtë, pa i bërë lak fjalës. Pra siç shihet, të flasësh shqip do të thotë të kuptohesh e të merresh vesh, të mos flasësh me nyje. Duke pasur këtë parasysh, vihet në dyshim shqipja e politikanëve tanë, sepse të kuptuarit me njeri-tjetrin e kërkojnë në gjuhë të huaj, e kërkojnë nga ata që nuk flasin shqip.


Të mos harrojmë se gjuhën tonë, shqipen tonë, populli e ka pasur mjetin kryesor për të arritur bashkimin, për të kapërcyer ndarjet me karakter fetar, klasor dhe rajonal. Pse të mos jetë edhe mjet për kapërcimin e përçarjes politike, pse të mos jetë mjet komunikimi dhe bashkëpunimi?

Letër e nënshkruar Prof. Riza Hasa, Elbasan, Shekulli

Kur jeta krijohet në laborator

Zululand

Po ndiqja këto ditë reagimet e Vatikanit lidhur me arritjen më të fundit të shkencës, atë të krijimit të qelizës artificiale. Ishin të kujdesshme, të matura, e disi të shastisura. Dhe me të drejtë, pasi shkencëtari Craig Venter hedh dyshime të rënda mbi besimin teist, se jeta është shpikje e Zotit.

Jetën pra nuk e krijon Zoti, na thotë biologu amerikan me këtë zbulim; ose të paktën, jo vetëm Zoti. Jetën mund ta krijojë dhe njeriu.


Çfarë ka ndodhur në të vërtetë (dhe këtu po i lë mënjanë spekulimet e një agnostiku si puna ime mbi shastisjen e teistëve)?

Është shumë e thjeshtë ajo që ka ndodhur (të kuptohemi, duket kështu aposteriori): Gjenoma e një organizmi njëqelizor shkarkohet nga gjenet “e parëndësishme” dhe kështu përftohet një qelizë që mezi mbahet gjallë prej gjenesh që kryejnë funksionet esenciale e jetësore; pastaj mbi të (në të) futen gjene të marra nga qeliza të tjera dhe në këtë mënyrë mund të krijohen organizma artificialë me tipare e karakteristika që nuk ekzistojnë në natyrë. Shkurt, krijohet një jetë tjetër, e cila, në ndryshim nga organizmat e gjallë që lindin dhe ekzistojnë në mënyrë natyrore, nuk ka prindër, nuk ka paraardhës etj. Ua shpif kjo gjë? Hm, në fakt, thelbi i çështjes nuk qëndron këtu. Qëndron gjetkë, dhe është një medalje me dy anë.

Së pari, kjo shpikje, si çdo shpikje tjetër, bart dhe rreziqe të shumta. Çfarë p.sh.?
Po ja, bakteret e prodhuara me kaq lehtësi mund të jenë patogjene, d.m.th. baktere që prodhojnë sëmundje të ndryshme. Dhe kjo mund të bëhet pa të keq nga një adoleshent, që ka një laptop në dorë, ashtu siç mund të bëhet edhe me qëllim të keq nga individë, grupe e shtete terroriste. Sigurisht, për çdo patogjen gjendet një vaksinë, por deri sa të gjendet vaksina rreziku është rrezik.

Nga ana tjetër – kjo është më e rëndësishme – shpikja e jetës sintetike mund të përdoret në dobi të njerëzimit nëpërmjet aplikimesh të pafundme.

Shkencëtarët besojnë, se falë kësaj shpikjeje mund të prodhohen baktere, të cilat nga ana e vet mund të prodhojë biokarburante, e kështu nuk do jemi më të terrorizuar prej faktit që rezervat e karburanteve fosile janë të fundme; mund të prodhohen baktere për të asgjësuar plehrat e mbeturinat; ose për të asgjësuar dyoksidin e karbonit, që shkakton ndryshimet klimaterike; ose për të luftuar sëmundjet e ndryshme deri tani të pashërueshme etj., etj.

Siç shihet, është fjala për një zbulim shkencor të jashtëzakonshëm.

Dhe të vjen keq që masmedia shqiptare nuk u mor fare me këtë gjë. Mbrëmjen e asaj dite, kur bota mori vesh se ishte shpikur qeliza sintetike, gazetat e televizionet tona folën për orë të tëra lidhur me menynë e një restoranti francez me emrin “Krokodil”. Kush po darkonte atje? Craig Venter me skuadrën e tij të Maryland-it? Jo, ishin do personazhe të Zululand-it tonë.


Mustafa Nano, Shqip