Tuesday, March 2, 2010

Njerëzit, a lindin të barabartë ?

Njerëzit luftojnë të gjithë për barazi, barazi kushtesh e mundësish, barazi në dinjitet, por vetë njerëzit nuk janë të barabartë në asnjë moment të jetës së tyre.

Disa njerëz realizohen në natën e parë të martesës apo në 15 ditëshin e mjaltit, disa të tjerë aksidentalisht në "adoloshencën" e prindërve që nuk kanë patur për qëllim të jenë prindër e të tjerë në pleqërinë e vonë, forcështeruese. Për të mos përmendur rastet kur fëmija ngjizet në bashkëpunim të disa dhuruesve...

Disa, gjatë ngjizjes përjetojnë dhimbjen e nënës, vuajtjet e saj. Dëgjojnë ulërimat e prindërve kafshë, vuajnë mungesën e kalorive, përkujdesjes.
Të tjerë vijnë në jetë dhe tek spitali e presin të afërmit e tij të rinj, me lule në duar e buzëqeshje në fytyrë. Në shtëpi e pret një krevat komod druri, ku në pjesën ballore është gërmëzuar edhe emri i bebit.

Të tjerë lindin dhe në atë çast humbasin mamanë, apo është nëna ajo që i braktis.

E më pas rriten në familje, të cilat janë aq të ndryshme. Dikush njeh botën dhe nis të shuajë kuriozitetin mbi të, në bibliotekën e heshtur të të atit, dikush tjetër është i detyruar të mësohet me erën e alkoolit të babait të tij.

Diferencimi bëhet edhe më i theksuar përsa i përket mundësive të arsimit. Dikush e kalon rininë në shkolla private të kushtueshme dhe dikush tjetër detyrohet të punësohet në sektore private, që në moshë minorene, për të ndihmuar familjen.

Por ai fëmija i pafajshëm dhe i shkathët nuk e përzgjedh vetë familjen e tij, kushtet e tij materiale. Ashtu si ai fëmija i llastuar nga dashuria nuk e zgjedh vetë atë jetë gjysëm të shtruar me lule.

Këta fëmijë nuk janë të barabartë, por edhe nuk duan dhe nuk duhet të jenë.

Atë që një sistem meritokracie u detyrohet, është ti vendosë në kushte të barabarta gare, aty ku fitimtari përcaktohet nga aftësitë individuale të çdokujt, nga ato aftësi që kemi zgjedhur t'ia shtojmë aftësive tona të lindura.

Përgatiti dhe shkroi: Stop Injorancës http://www.facebook.com/NdalPaditurise2

Policia greke: Kemi vrarë 87 shqiptarë të pafajshëm

Vrasja e 25-vjeçarit Todi, shton rastet e vrasjeve nga policia.

Është e pabesueshme po një realitet. Një i ri shkon në punë për të punuar ndershmërisht, ku nuk i ka borxh asnjë njeriu, paguan pakujdesitë e policisë me jetën e tij.

Dihen vështirësitë e policisë, por kjo nuk mund të justifikojë humbjen e jetës së një qytetari apo emigranti që është në punë e sipër. Pakujdesitë që sjellin ngjarje të rënda mund të falen njëherë e dy herë, por jo sa herë që ndodhin të kësaj natyre, të justifikohen ashtu si kundër i kemi parë. Ashtu siç është hera e parë që Presidenti i Republikës së Greqisë z. Karolos Papulias i ka dërguar një mesazh ngushëllimi familjes së viktimës, pasi herët e tjera nuk kemi parë ngushëllime të tilla familjeve që janë vrarë nga punonjës policie. Në emigracionin në Greqi të popullit shqiptar, vendi ynë me vrasjen e fundit të të riut 25- vjeçar, Niko Todi, numëron viktimën e 87 të pafajshëm, të vrarë nga punonjësit e policisë, kundrejt 149 vrasjeve të numrit të përgjithshëm në Greqi, që ende nuk janë dënuar nga politika dhe shoqëria vendase...

Ngjarja
Dy të rinjtë, (njëri djali i punëdhënësit grek) shkuan për të lënë veglat e punës në magazinën e tyre. Niko (ndihmës hidraulik, shqiptar) po merrte nga makina një kompresor, me qëllim për ta lënë në magazine, ndërsa tjetri djali i punëdhënësit po hapte me çelës magazinën, por për fatin e keq kanë filluar breshëritë e plumbave, në shkëmbim zjarri ndërmjet dy policëve dhe dy shqiptarëve, që si vend mbrojtje ishin futur në një furrë buke. Në kohën që 25- vjeçari shqiptar po mundohej që të largohej me vrap, është qëlluar për vdekje nga breshëria e dy policëve. Në përgjithësi, në këtë operacion regjistrohet një i vrarë dhe punonjës policie të plagosur...

Të afërmit: Djalin na e vrau policia
Mungesa e një strategjie nga ana e policisë për operimin sa më të suksesshëm në ambientin publik, në një kohë kur më parë kishte dijeni se më kë njerëz kishte të bënte, dështoi plotësisht. Ky dështim solli edhe vrasjen.

Gruaja: E pabesueshme që më vranë burrin
Të afërmit dhe gruaja e viktimës nuk besojnë se si njeriu i tyre i afërt humb jetën kaq lehtë, padrejtësisht, në punë për të rritur fëmijën e tij 18 muajsh. Për këtë vrasje të padrejtë akuzojnë policinë që nuk mori masat e nevojshme të sigurisë.

Hetimet: I riu 25- vjeçar u vra nga policia
Sipas hetimeve paraprake të deritanishme, rezulton se 4 plumba të diametrit 9 milimetra, të hequr nga trupi i viktimës, i përkasin armës së policisë. Burimet zyrtare të policisë, të publikuara edhe në median greke, e kanë pranuar vrasjen e pafajshme të punëtorit Niko Todi, në përpjekje për arrestimin e dy krimineleve që ishin të armatosur plotësisht, jo vetëm për vjedhje por për të kryer edhe masakra të tilla. Përfundimisht policia ka njoftuar hetimet duke nxjerrë konkluzionin e përgjithshëm se plumbat e nxjerra nga trupi i viktimës i përkasin armëve të oficerëve të policisë.

Polici: Nuk e pashë viktimën
Polici u ka thënë kolegëve të tij se nuk e pa viktimën, pasi sytë e tij ishin fiksuar në dyqanin e bukës ku ishin fshehur dy kriminelet shqiptarë, që shkëmbenim edhe të shtënat. “Nuk e kam parë 25- vjeçarin që ka vrapuar për t’u mbrojtur”, u shpreh ai. Këto të dhëna do të përfshihen në dosjen e Departamentit të Krimit për Jetën, të cilat pasi të kenë përfunduar do të përcillen në Prokurori. Lidhur me thëniet e policit, e vërteta e pa ose jo, i është lënë tashmë drejtësisë greke.

Punëdhënësi grek: Niko një djalë i mirë dhe punëtor i përsosur
Punëdhënësi grek ka shprehur fjalët më të mira për të riun shqiptar, që sëbashku me djalin e tij punonin bashkë që prej 4 vitesh. “Nikolla erdhi sëbashku me familjen e tij në Greqi para 16 vjetësh, që ishte në moshën 9 vjeçare. Familja e tij punonte natë-ditë për të rritur fëmijët, deri sa Nikolla mësoi zanatin e hidraulikut”, tha ai.

Varrimi
Viktima është varrosur në Virona të Athinës, në një atmosferë të rëndë, me shpenzimet e ministrisë së Mbrojtjes së Qytetarit, si dhe qytetit Virona. Në funeralin e varrimit morën pjesë edhe përfaqësues të kësaj ministrie dhe kreu u policisë z Ikonomou. Ministria ka marrë përsipër punësimin e gruas së viktimës për ta punësuar si nëpunëse pranë policisë.

Ministri: Nuk mund të flasim për sukses kur humbet një jetë njeriu
Ministri i Mbrojtjes së Qytetarit, z. Hristohoridis është shprehur se nuk mund të themi për një sukses të operacionit, kur në të humbet një jetë njeriu, humbet një i ri punëtor dhe familjar. “Por bëmë të mundur që të kapim kriminelët më të ashpër gjatë këtyre 30 vjetëve. U dha një beteje e ashpër por...”.

Papulias: Ngushëllime familjes
Presidenti i Republikës së Greqisë z. Karolos Papulias i ka dërguar një mesazh ngushëllimi familjes së viktimës: "Unë shpreh keqardhjen time të thellë për humbjen e padrejtë të qytetarit tonë të pafajshëm. Në familjen e Niko Todit dhe njerëzve të tij, u përcjellë mbështetjen time të plotë dhe shpreh simpatinë time të thellë. "

T.Observer

Fenomeni Klodi dhe histeria jonë kolektive

Para disa ditësh, një prej banorëve të spektaklit Big Brother 3 Albania, përmes një letre të hapur, shoqëruar me lot e dhimbje, i bëri të ditur të ëmës, shoqërisë e të gjithëve, homoseksualitetin e tij.

Ishte moment që përloti të mëdhenj e të vegjël, heteroseksuale, homoseksualë, biseksualë apo aseksualë. Ishte heroizmi i një djali, që do mbetet i pari që tentoi të thyejë tabunë dhe doli mbi paragjykimet tona shoqërore, me një çmim, që askush më mirë se ai, nuk e di sa kushton.

Klodi, i lodhur nga tentativat e tij për ta mohuar orientimin e tij seksual (në një realitet të vrazhdë sa në tonin, homoseksualizmi është më shumë se mallkim), u dorëzua dhe e pranoi vetveten. Atë që ai i kërkoi njerëzve, që e njohin apo jo, Klodin e miq apo mikesha si Klodi, është ta pranojnë Klodin ashtu siç është ashtu siç ka lindur, ashtu siç shqisat e tij e urdhërojnë, ashtu si atij i pëlqen të jetojë.

Po kush jam unë, kush je ti dhe kush jemi ne të gjykojmë një individ për orientimin e tij seksual ?

Homoseksualizmi nuk riprodhohet, ai përkundrazi vjen prej heteroseksualëve. Homoseksualët janë të dënuarit. Preferencat e tyre seksuale nuk mund të sjellin fryte, ashtu siç sjellin raportet hetereseksuale që finalizohen me trashëgues, që janë pjellë e dashurisë. Homoseksualët janë njerëz si ne, nuk janë të sëmurë, as në tru as në trup. Nuk na rrezikojnë ekzistencën dhe aq më pak jetën tonë private. Ne nuk e gjykojmë kurrë një person me të cilin nuk kemi raport seksual, për seksualitetin e tij.

Kurrë shoqëria nuk ka reaguar me kaq histerizëm ndaj një të njeriu steril, apo ndaj një të njeriu impotent.

Njerëzit nuk vlerësohen në shoqëri prej seksualitetit të tyre, kontributi i tyre është shumë më i gjerë dhe esencial. Reagime të tilla kafshërore, nuk janë asgjë tjetër veçse injorancë. Ato tregojnë për një shoqëri të prekur thellë nga fanatizmi, për një shoqëri që nuk njeh të drejtat themelore të njeriut, duke reaguar me instikte që janë aq larg njeriut, por edhe kafshës, sepse as kafsha nuk e vret llojin e saj, për arsye të orientimit seksual.

Nëpër forume dhe faqe të ndryshme virtuale, reagimet e opinionit publik arrijnë në një histeri të trishtë deri të rrezikshme. Meshkuj harbutë që bëjnë thirrje për vrasje, ekzekutime, tredhje apo djegie homoseksualësh...

Disa individë, paradoksalisht duke ushqyer një urrejtje pa burim ndaj homoseksualëve, kërcënojnë edhe duke përdorur fjalor seksual, përdhunime etj.(?) Duket vërtetë sikur homoseksualiteti i dikujt trondit raportet e tyre seksuale, apo sikur reagimi histerik të vijë si lëvizje që një homoseksual bën, për të shuar dyshimet rreth homoseksualitetit të tij

Jemi Shqipëri, nuk jemi asnjë prej atyre shteteve të lindjes ku femrat gurorëzohen pse kryejnë marrëdhënie seksuale paramartesore. Jemi shqiptarë, e ajo që na dallon nga popujt e tjerë është toleranca për të pranuar atë që është ndryshe nga ne.

Shoqëria shqiptare, me rrënjë të thella nga vendi ku lindi demokracia, ka ardhur koha ta tregojë pjekurinë e saj, të lashtë sa vetë qytetërimi.

Jeto dhe lejo të jetojnë !

Stop Injorancës - Ndal Paditurisë ! http://www.facebook.com/NdalPaditurise2

Monday, March 1, 2010

...tani e di.

Kujtoja se po të mos ishte ditë,
do ish natë.
Kujtoja se numrat ishin pafund,
dhe jeta ish e gjatë.

Kujtoja se tingujt
vishnin 7 nota muzikore
dhe spektri vetëm 3
ngjyra bazë diellore.

Mendoja se pritja ishte e hidhur,
e lodhshme, e rëndë.
Besoja se vetmia ishte kurë
dhe lotët fëminorë, e të pavend.

Besoja se luftrat dhe këmbënguljet
s'kishin kuptim
se disfatat sillnin trishtim
por jo forcë e qëllim.

Kujtoja se fjalët thonin gjithçka
dhe sytë të heshtnin dinin
kujtoja se duart e tua të akullta
zjarrin nuk e njihnin.

Mendoja se e dija nga vinte dashuria
e ku të çonte urrejtja,
si fitohet besimi tek të tjerët
e si thyhet tek vetja.

Si lind tradhëtia
kur troket zhgënjimi
deri ku arrin xhelozia
kur të mbyt dëshpërimi.

Kujtoja se bota kish' 7 mrekulli...
Pandehja se e dija kush isha
dhe të gjitha këto,
përpara se të vije TI.

Shkroi: Stop Injorancës ---- DEDIKIM http://www.facebook.com/NdalPaditurise2


http://www.youtube.com/watch?v=8AKycxKtHLo

Klodi deklaron publikisht homoseksualitetin e tij

Klodiani, djali nga Lezha, gjithashtu nje nga te nominuarit e mbremjes se djeshme të BIg Brother 3 Albania, ka deklaruar hapur gjate nje letre te shkruar nenes se tij, homoseksualitetin e vet.

Zera per homoseksualitetin e tij kane dale ne forume te ndryshme ku diskutohet per Big Brother Albania ne te gjithe webin qe ne ditet e para qe ai u be banore i shtepise me te vezhguar ne Shqiperi.

Letra e Klodit preku te gjithe banoret e shtepise, por jo vetem, gjithashtu edhe publikun ne studio perfshire ketu edhe Arbanen e cila e falenderoi per emocionet e forta qe percolli. Klodi eshte gjithashtu nje nder me te votuarit nga fansat e BBA .


kosfusion.net

Fenomeni Klodi dhe histerizmi ynë social. (S.I)