Friday, April 30, 2010

Konkurs në SHBA, 2 të rinj shqiptarë fitojnë medaljen e argjendtë

Ergin Myftari dhe Klevis Rreshka kanë sfiduar 500 projekte ndërkombëtare në Shtetet e Bashkuara me punën e tyre , duke u shpërblyer me medaljen e argjendtë. Dhuntia për të punuar në fushën e fizikës ka kapërcyer kufijtë për dy shokët e shkollës së mesme në Cërrik.

Pjesëmarrja me punimin shkencor, “Boja që nuk lejon ndryshkjen e metaleve” ka rezultuar më se vlerësuese për dy adoleshentët shqiptarë, të cilët shprehen të lumtur që kanë përfaqësuar denjësisht jo vetëm shkollën por të gjithë Shqipërinë.

“Ne përfaqësuam shkollën tonë dhe Shqipërinë në një konkurs ndërkombëtar dhe fituam medaljen e argjendtë” shprehen djemtë.

Pas entuziazmit të cmimit, kthimi në atdhe ka qenë jo më pak emocionues për Erginin dhe Klevisin të cilët janë pritur në aeroport nga familjarët dhe miqtë.


Burimi: http://bw.balkanweb.com/metropol/konkurs-ne-shba-2-te-rinj-shqiptare-fitojne-medaljen-e-argjendte-10791.html

“Si krijova restorantin më të mirë në botë”

Rene Rexhepi, kuzhinieri me orgjinë shqiptare që posedon restorantin danez.

Barishtet dhe lulet e egra duket se tashmë kanë dalë në plan të parë dhe kjo ngaqë një restorant, Noma në Kopenhagë, është i specializuar në këtë drejtim duke marrë vendin e parë si restoranti më i mirë në botë. Ai ia kaloi edhe restorantit spanjoll El Bulli. Midis specialiteteve të Nomas janë eskallopë të tharë apo dhe lule shtogu. Dhe pas gjithë kësaj është shefi i kuzhinës, Rene Rexhepi i cili e mori çmimin në Londër.

Si keni arritur të krijoni restorantin më të mirë në botë?
Esenca e asaj që ne përpiqemi të bëjmë është se duam t'i japim klientëve një sens vendi dhe kohe. Në cilin vend të botës jeni, kur jeni duke ngrënë në një restorant dhe në cilën kohë të vitit jeni. Duket e lehtë të flasësh, por është shumë vështirë ta zbatosh këtë në një pjatë. Dhe për ta arritur këtë ne shohim se çfarë kemi si produkte natyrore. Për ne në rajonin tonë, jemi me fat që kemi një botë kaq të madhe natyrore të egër dhe të pasur, saqë ushqimi me barishte apo produkte të marra nga natyra, zë vend të madh në restorantin tonë dhe në pjatat tona.

Pra me fjalë të tjera është ushqim që ju dilni nga restoranti dhe e merrni në natyrë?
Po ashtu është. Gjëja unike e Kopenhagës është se ti je vetëm 10 minuta larg me makinë një vendi ku mund të gjesh qiqra dhe lule shtogu. Dhe dhjetë minuta më pas ia shërben këtë klientëve.
Më duket se kjo paraqet sfida të shumta për ju sidomos këtë dimër që ishte shumë i ashpër?
Po ky vit i ri ishte shumë i vështirë. Një nga më të vështirët që kam provuar si shef kuzhine në Kopenhagë. Fatmirësisht, një vit më parë ne kishim konservuar dhe ruajtur me kripë dhe si turshi më shumë produkte se zakonisht.

Nuk do të thotë kjo se po mashtroni?
Jo, jo. Ky nuk është mashtrim. Kjo është pjesë e historisë p.sh për të marrë trëndafila bregdeti dhe t'i futësh ato në uthull, 100 kg çdo vit dhe si rezultat mund të kesh aromë trëndafili gjatë gjithë dimrit. Unë mendoj se është fantastike të përdorësh produkte të tilla.

A mos fakti se restoranti juaj ka dalë në vend të parë tani në botë tregon se njerëzit duan diçka tjetër nga restorantet më të mira në botë?
Mendoj se restorantet korrespondojnë me shoqërinë. Ndoshta kjo është një nga arsyet se pse restoranti ynë konsiderohet të jetë një nga më të mirët në botë, të paktën për tani. Ndërsa bota po bëhet gjithmonë e më shumë eko maniake, ne duket se kemi një restorant që i përshtatet mjaft mirë kësaj gjëje.

Dhe natyrisht ju jetoni në një qytet që mbajti dhe samitin e madh për mjedisin?
Natyrisht. Kur udhëtoja në vende të ndryshme, po lodhesha gjithmonë e më shumë me restorantet bashkëkohore. Nuk e kuptoja se ku ishe më në këtë botë. Nëse ishe në San Paolo apo në Londër ishte e njëjta muzikë, e njëjta atmosferë, të njëjtat karrige. Çdo gjë ishte e njëjtë.

Shpallen 50 restorantet më mira në botë, vendin e parë e mban Danimarka.
Restoranti më i mirë me kuzhinierë shqiptarë


Në edicionin e 2010-ës të 50 restoranteve më të mirë në botë, “Noma” e Kopenhagenit, i drejtuar nga Renè Redzepi, është i pari në klasifikim. Është një revolucion pak a shumë i madh stilimi i këtij për 50 restorantet më të mira në botë, që bëhet çdo vit nga e famshmja revistë britanike “Restaurant Magazine”. Pas katër vitesh dominimi absolut, El Bulli” i kuzhinierit Ferran Adrià (që për karrierën e tij mori çmimin “Kuzhinieri i dekadës”), renditet i dyti në botë dhe në mënyrë surprizuese ia lë vendin e parë restorantit “Noma” të Kopenhagenit, që ka si kryekuzhinier 32-vjeçarin, Renè Redzepi, cili që kur ka hapur restorantet e tij ka ecur përpara me hapa gjigande. Në fillim, asnjë nuk do të vinte bast mbi restorantin danez, që kishte vendosur të përdorte ekskluzivisht ushqime skandinave, produkte lokale, që asnjë në botë nuk i njihte. Por anëtarët e jurisë e kanë vlerësuar guximin e tij (përveç talentit), por edhe kolegët ia njohin fuqinë e “ekspresionit artistik”. Italia ka pesë restorante në këtë klasifikim. “L'osteria Francescana di Modena” i kuzhinierit Massimo Bottura është i pari ndër restorantet italianë dhe i gjashti në botë (ishte i 13-ti vitin e kaluar. Ky klasifikim ka ardhur nëpërmjet një jurie speciale, votave të 800 kuzhinierëve më të mirë në botë, gazetarë që merren me restorantet. “Lista me shumë ndryshime e këtij e viti, tregon se lokalet e afirmuara dhe të famshme nuk janë më të mirët në botë” thotë Paul Wootton, kryeredaktori i revistës “Restauranta”, (revista që organizon çmimet).

“Kjo listë është një guidë për të gjithë ata njerëz që duan të ushqehen nga gjellë të veçanta dhe nga kuzhinierët më të talentuar në botë.

T. Observer

Katastrofë natyrore

Shtresa e naftës ka arritur bregdetin e Luizianës - Obama flet për katastrofë natyrore.

Jugun e SHBA-së e kërcënon katastrofa më e madhe ekologjike që prej disa dhjetëvjeçarësh. Shtresa e naftës në Gjirin e Meksikës ka arritur bregdetin e Luizianës.


Katastrofa e përhapjes së naftës në gjirin e Meksikës është me rëndësi kombëtare, thotë ministrja për Mbrojtjen e Mjedisit Janet Napolitano. Ndërkaq zëdhënësi i presidentit Barak Obama thekson, se
Në fakt ka mjaft shkak për t'u shqetësuar. Afro 800.000 litra naftë derdhen çdo ditë në Gjirin e Meksikës, pesë herë më shumë nga ç'supozohej deri tani. Dhe nëqoftëse nuk bie presioni i naftës, sasia e saj nuk do të ndryshojë as në javët, që vijnë. Askush nuk ka momentalisht mjetet teknike, për të mbyllur shpejt një shpim me thellësi 1.500 metra brenda në det. As shoqëria e nxjerrjes së naftës BP, që ka bërë shpimet, as presidenti amerikan. Por së paku në luftën kundër simptomave po arrihen përparime, thotë ministrja për Mbrojtjen e Mjedisit Janet Napolitano:
Presidenti ka shprehur edhe një herë shqetësim për këtë incident.

Ministrja për Mbrojtjen e Mjedisit, Janet NapolitanoBildunterschrift: Großansicht des Bildes mit der Bildunterschrift: Ministrja për Mbrojtjen e Mjedisit, Janet Napolitano"Në det janë lëshur disa barriera, për të mbrojtur brigjet nga nafta."

Ministrja për Mbrojtjen e Mjedisit mundohet t'u japë guxim amerikanëve.

"Janë thithur afro 2,4 milionë litër ujë deti me përmbajtje nafte. Në veprim janë 1.100 ndihmës si dhe 50 anije dhe avionë specialë."

Ata spërkasin shtresën e naftës me lëndë kimike me shpresë, që të neutralizojnë efektet e dëmshme të saj. Megjithatë shtresa e naftës vazhdon të shtrihet. Bazat e marinës amerikane në Mississippi por shndërrohen në qendra të luftimit të katastrofës. Që andej lëshohen në det sisteme thithëse dhe barriera lundruese.

Guvernatori i Luisiana, Bobby Jindal, ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme:

"Një gjë të tillë nuk e kemi përjetuar deri tani.“

Në foto presidenti amerikan, Barack Obama Bildunterschrift: Großansicht des Bildes mit der Bildunterschrift: Në foto presidenti amerikan, Barack Obama Dhe Presidenti thekson edhe një herë për siguri që shoqëria e nxjerrjes së naftës BP, duhet të përgjigjet për të gjitha shpenzimet. Që vitin e kaluar koncerni kundërshtoi në SHBA ashpërsimin e kritereve të sigurisë. Sipas informacioneve të stacionit televiziv ABC në platformën "Deepwater Horizon" mungonte një buton emergjence.

"Deepwater Horizon nuk ishte i pajisur me një sistemi kontrolli të telekomanduar, me ndihmën e të cilit do të ishte mbyllur kanali i shpimit."

Ky sistem emergjent i telekomanduar është sot i pranishëm në shumë platforma. Por jo në SHBA, sepse këtu thjesht nuk përcaktohet me rregullore.

Autor: Ralph Sina / Angjelina Verbica

Redaktoi: Esat Ahmeti, www.dw-world.de

Thursday, April 29, 2010

Iriqë dhe karrotreca në qytetin tonë

Epo ndoshta iriqët i kujtojnë gomat e makinës mollë, tha Olsi kur unë po i tregoja arsyen pse kam vendosur ta lë makinën.

Kam dëgjuar burrat që të paktën një herë në jetë thonë: Do ta lë duhanin, kurse unë do ta lë makinën, dhe jo pse jam femër. Qyteti është bërë një makth i vërtetë për këmbësorët, por edhe një ëndërr akoma më e kobshme për dikë që drejton një makinë të çdo lloji.
“Ku të ndaloj,
ku të parkoj,
apo mos duhet mjetin në krah ta ngarkoj?”


Gjithsesi një copë vend sa për të hedhur të shkretën makinë edhe gjendet, por puna ndryshon më pas: ajo zhduket, sikur e ka pirë dheu.
Shenjë e parë në trupin tënd është një hutim organik që shoqërohet nga një pabesueshmëri ftohëse: Mos jam në koordinatë të gabuar? Mos ndoshta sytë më janë verbuar? Ah, po kjo, kjo ishte rruga e uruar!”
Sheh dikë që po ta bën me dorë e ndërkohë të thërret: “Ej, tashti sa ta morën!” Dhe ti menjëherë e kupton se ata, rrëmbyesit krenarë të qytetit, karrotrecat, po e shoqërojnë në ndonjë destinacion shoqëruesen tënde të vjetër, makinën! Tek ajo e gjetën! - thua i dëshpëruar.
Ndërkohë rrangalla jote bashkë me ndonjë viktimë tjetër të radhës ende po lëkundet mbi kurrizin e grabitqarit për të shkuar drejt pikës së bllokimit. Një neveri e çuditshme të përhapet në fizik kur mendon manieren e racës sonë, por puna është se kjo neveri që të del nga trupi përlan edhe disa kalimtarë të pafajshëm dhe ata tundin kokat ndërsa të shohin, sikur ta njohin edhe prej të tjerësh këtë emetim nervues.
A dini si mund ta kërkoj, i thërras atij që më thirri.
Merr këtë numër më thotë ai e më jep një numër me pak shifra, tipik emergjence, pra policie.
Alo! A mund të di ku është makina ime, me targa kaq e aq, me ngjyrë kështu e ashtu?
Aaa! Janë tu e çu tek Unaza e Madhe, te pika e grumbullimit, andej nga shpia e Ilir Metës!
Si, si?
Por ndërkohë linja pritet.
Çfarë referencash që japin, them me vete, nejse ç’të bëj?
Duke u orientuar sipas referencës, e cila është kaq e ngatërruar, pasi është veçse e hamenduar dhe aspak e përcaktuar, e gjej më në fund bukuroshen time shëmtaraqe midis shumë e shumë simotrash që duken si shtazë në vathë, pa tagji!
I lutem policit të paguaj gjobën që është marshalla e të më lërë të shkoj.
Nuk mundem, më thotë, duhet të paguani në Kinostudio.
Po gjoba dhe makina ime janë këtu! - protestoj unë.
Atje, përsërit ai.
Ej, zotëri, thirri mendjes, i them, mos do të më çoni në Hollivud që të paguaj gjobën?
Në Kinostudio, përsërit ai.
Nisem në anën tjetër të qytetit. Aty më kërkojnë të gjitha pagesat që prej gjenealogjisë së makinës! Ndërkohë më thonë se po nuk pata pare, çdo natë shtohen 5000 lekë të vjetra për mbetjen e saj në pikën e grumbullimit.
I doni apo jo lekët, i them arkëtares, e cila më shikon me hezitim.
Jo kaq, thotë ajo, janë më shumë.
Shkund çantën, pastaj të gjithë xhepat e burrit tim. Megjithëse janë shumë para për të dhënë, jam katandisur që të kënaqem të m’i marrin e që puna mbaron me aq.
Në mbrëmje shoh Kryeministrin që thotë se buxheti është rregulluar!
E besoj, them me veten time. E besoj! Dhe pastaj më kujtohet prapë stili i mundimshëm i pagimit.
Betohem se nuk do ta lë makinën kurrkund ku ajo duket.
Për dreq, të nesërmen më thërrasin në një Konferencë. Tri herë i bie rrotull sheshit, por nuk ka vend të lirë. Tentoj të futem në një rrugicë, por ndërkohë dy djemka të rinj më tërbojnë me gjestet e tyre për të më bindur të parkoj midis oborrit dhe trotuarit mbrapa Muzeut. Nuk jam e bindur se duhet ta bëj, por ata sa nuk shqyhen për të më aksesuar vëmendjen. U bindem më në fund, duke menduar se, epo, kur brenda oborrit të Muzeut do ngrihet një bina e me aq kate, grataçiel, nuk mbeti puna te makina ime.
Por, jo! Nuk është e thënë!

Sa dal në pushimin e parë të konferencës shoh një iriq të kuq që ka kafshuar gomën time. Dhe kur afrohem, një fletë gjobe 30 mijë lekë të reja. Shikoj për djemtë e parkimit, por janë zhdukur. Një djalosh tjetër, i sapombërrirë më thotë:
Këtu çdo ditë i bën bashkia nja 300 mijë lekë, vetëm me këtë copë vend!
Po tani?!
Shoh një pusullë të verdhë dhe një numër telefoni në dritaren e krahut tim.
Alo! Më keni mbërthyer një iriq në rrotë!
Po. Eja paguaj e ta heqim menjëherë iriqin.
Hyj në sallën elegante të bashkisë! Këtu lartësia e arkitekturës mbretërore është përzier me dizanj dhe teknologji bashkëkohore.
Gjobë makine, i them njërës prej grave të arkave.
Në fund, thotë ajo.
I jap njëzetëshen, pastaj dhjetëshen zonjës në arkën e fundit.
Ajo i merr, por për çudi, i kontrollon me një pajisje që identifikon nëse lekët janë false apo jo. Epo as në bankë nuk kontrollojnë kështu! Stil tjetër ky!
Merri, m’i dreq, se qyl i ke, dua t’i them.
Ajo fut qylin në sirtar dhe më thotë të shkoj.
Po iriqi?
Do ta heqim.
Jam në stolin e lulishtes së muzeut. Nuk po pres dashnor. Pres të lirojnë makinën time nga kapësja e kuqe.
Telefonoj edhe një herë bashkinë.
Më në fund jo një, por tre burra vijnë. Jo për mua. Do marrin iriqin e tyre. Janë alamet trupash! Kanë alamet veture firmato, krejt të re. Përkulen të tre të heqin iriqin nga goma ime dhe duken aq absurdë!
Më në fund jam në makinën time, por ajo ecën kuturu. E shkreta, them me vete! Kushedi ç’i ka bërë dhëmbi i iriqit. Pale karrotreci.
Ndërkaq shoh sesi janë sulur përsëri në sheshin e Tiranës së Re fajkonjtë e karrotrecave. Krejt të pashpirt duke përlarë të parkuarat e rastit.
Oreksi ka arritur kulmin! Kanë bllokuar qafën e digës dhe do vazhdojnë deri në orët e vona gjuetinë, ndërsa viktimat pinë alkool dhe tym nëpër pabet e errëta.
Po pa skrupullësia nuk mungon deri të dielën, kur të rriturit kanë sjellë fëmijët dhe të afërmit për të marrë një gotë oksigjen nga pylli artificial!
Është akoma e premte. Nga ekrani, kryetari i bashkisë më bën një buzëqeshje fringo të re!
Ej, m’i more nja tridhjetë sot, i them unë për lekët e paguara të gjobës!
Por ai kthen kryet nga Çani dhe nuk e di pse po bërtet.
Dal të pi një kafe në periferi të qytetit, duke menduar se civilizimi është një rreng e kaq.
Por pa dalë te kthesa e Kombinatit më ndalon polici.
I keni paguar gjobat? - pyet ai!
Hej bela, them me vete.

Ndërsa polici më lë të shkoj, më kujtohen fjalët e një gruaje në radhën e dritave:
Të dyja palët pare duan. Ndryshojnë vetëm si t’i marrin! Dhe kësaj i thonë Politikë.



Mimoza Ahmeti, G. Shqip

Artikulli i Stop Injorancës mbi mafien shtetërore të karrotrecave http://stopinjorances.blogspot.com/2010/03/mafia-shteterore-e-karrotrecave.html

Isaleo, historia e fëmijës së braktisur mes mbeturinash

Isaleo është një fëmijë 2 vjeç, të cilin nëna e tij biologjike e "vrau", duke e hedhur pas lindjes në një kosh plehrash në Vlorë.

Po fati deshi që fëmija të mos asfiksohej nga mbeturinat e hedhura shkujdesur mbi të nga qytetarët. Ishte 21 gushti i 2008-ës, kur Leonard Xhemali e gjeti fëmijën thuajse pa jetë teksa mblidhte kanaçe për të siguruar bukën e dy fëmijëve të tij.
"Po mblidhja hekurishte dhe kanaçe në zonën e Ujit të Ftohtë. Isha duke kontrolluar kazanët në afërsi të shkollës së Marinës. Papritur, në fund të njërit shikoj diçka të mbështjellë me një rrobë të vjetër. E hapa dhe shtanga kur pashë se në këtë rrobë ishte mbështjellë një fëmijë. Ai ishte i mbuluar i tëri me mbeturina dhe gati i asfiksuar. E pastrova dhe nxitova për ta çuar në shtëpi. Nëna ime e lau me ujë të ngrohtë dhe ai erdhi në jetë", tregon Leonard Xhemali.

Ndonëse në kushte mjaft të rënda jetese, ai e mbajti djalin e sapolindur duke e regjistruar në gjendjen civile si fëmijën e tij. Tashmë në regjistrat e gjendjes civile, Isaleo është djali i tij, përderisa prindërit biologjikë të cilët nuk i përkasin komunitetit egjiptian, e braktisën atë.
Përveç prindërve që e "adaptuan", fëmija dy vjeç ka edhe një motër e një vëlla, por edhe gjyshër. Leonard Xhemali tregon se në punën e përditshme ai mbledh kanaçe si dhe hekurishte, si e vetmja mënyrë për të mbajtur familjen e tij.
"E pagëzova me emrin Isaleo, pasi kështu quhet një muzikant grek që unë e pëlqej shumë.

Dëshiroj që dhe djali im të bëhet muzikant si Isaleo i Greqisë. Edhe unë i bie klarinetës, por, nevoja familjare për t'u ushqyer është ajo e mbledhjes së mbeturinave dhe hekurishteve për të mbijetuar", u shpreh Leonard Xhemali. Fqinjët e tij e kanë përgëzuar për këtë gjest human që ai ka bërë. Madje vetë ai ndihet krenar që ka shpëtuar një jetë njeriu, ndërsa sot atij i ndan bukën e fëmijëve të tij.
E shoqja e Leonardit, Xhuljeta u shpreh se Isaleon e ka rritur njëlloj si dy fëmijët e saj. Familja Xhemali përbëhet nga shtatë anëtarë, dy prindërit e Leonardit, bashkëshortët si dhe tre fëmijët e vegjël. Ata jetojnë në një zonë periferike të Vlorës ku jeta çdo ditë bëhet më e vështirë, siç ndodh shpesh për komunitetin egjiptian në Shqipëri. Shtëpia e tyre është ndërtuar në një zonë ku kalon kanali i ujërave të zeza. E ndërtuar me blloqe betoni, në të ndodhen vetëm dy dhoma për të shtatë pjesëtarët e familjes. Në mes të oborrit ndodhet një bunker, i cili shërben për strehimin e kanaçeve si dhe të hekurishteve që mbledh në punën e përditshme Leonardi.

"Tashmë jam unë i ati i fëmijës, pasi e gjeta të braktisur. Po të mos isha unë, ai sot nuk do të ishte në jetë. Shpëtova një jetë, bëra një akt human", thotë Leonardi.
Sipas tij, askush nuk mund t'ia marrë fëmijën tani që ai e bëri dy vjeç. "Do ta rris si fëmijët e mi", shton ai për Isaleon të cilin e ka regjistruar në gjendjen civile të lagjes "Hajro Çakëri".
Ndonëse ai pranon varfërinë në të cilën ndodhet, ndjenja humane për këtë fëmijë vetëm sa i shtohet, duke i rritur më shumë përpjekjen për punën e përditshme, mbledhjen e kanaçeve në koshat e mbeturinave.

QEMAL BIRAKU, G. Panorama

Komplot vdekja e Presidentit polak? (video shokuese)

Konfirmohet vërtetësia e pamjeve shokuese që lidhen me aksidentin ajror, në të cilin humbën jetën 96 persona, në mesin e tyre dhe Presidenti polak, Lech Kaczynski së bashku me bashkëshorten e tij.
Prokuroria ushtarake e Polonisë konfirmoi vërtetësinë e pamjeve të filmuara me telefon menjëherë pas aksidentit të avionit. Në video shfaqen tre silueta, zhurma shpërthimi dhe shkrepje armësh, një burrë i cili kërcen nga avioni dhe thirrjet për ndihmë të pilotit.


Prokuroria ushtarakë ka shqyrtuar dokumentet e fluturimit si dhe ka marrë dëshmitë e 60 personave, por pranon se akoma nuk disponon të vërtetën për kohën e saktë të ndodhjes së aksidentit ajror.

Zëri i armëve bie si bombë mbi rendin e ditës në Poloni. Andriej Mendierej, rusi që filmoi dhe i ngarkoi në internet pamjet e sipërpërmendura, u sulmua me thike pak kohë më pas. Po ashtu, edhe në spitalin ku u shtrua atij iu fikën pajisjet ndihmëse që e mbanin në jetë.

Në anën tjetër, në avion gjendeshin 5 kuti. Kutitë e zeza njoftohet se iu dorëzuan autoriteteve polake ndërkohë që vetëm tre kuti u analizuan nga ekspertët.
Sekreti mbi dy kutitë e tjera nuk dihet.

Shikoni një video pas shpërthimit: http://www.youtube.com/watch?v=1h01IFwgdAk&feature=player_embedded

G. Start

Wednesday, April 28, 2010

Kërcënohet Pasha: Do përfundosh si Trebicka

Kërcënohet me jetë oponenti kryesor i marrëveshjes së përcaktimit të kufirit detar me Greqinë, Myslym Pasha.

Në adresën e tij private të “e-mail”-it si edhe në faqen personale që koloneli ka hapur në rrjetin social të “Facebook”, janë dërguar disa mesazhe shantazhuese që e paralajmërojnë për një fund tragjik, të ngjashëm me atë të biznesmenit Kosta Trebicka. “Edhe ti si Trebicka do përfundosh o tellall. Paret do t’i marrësh me vete, se ditët të numëruara i ke”, - citojmë nga përmbajtja e një prej “e-mail”-eve që i janë dërguar kolonelit.

Ndërkohë, në një tjetër mesazh të nisur në adresë të tij thuhet: “Zoti Pasha! Po ju pyesim: ‘Çfarë i ndodhi (Trebickës)...??” Në një prononcim të djeshëm për “Gazeta Shqiptare”, koloneli në rezervë ka bërë të ditur se këto ‘e-mail’-e kërcënuese kanë filluar që në datat 20 dhe 21 dhjetor të vitit të kaluar. “Kam bërë një denoncim në polici dhe ende nuk kam marrë një përgjigje. Nuk e di nga kush janë dërguar”, - shprehet Pasha.

Biznesmeni shqiptar, Kosta Trebicka është personazhi i njohur tashmë për lidhjet e tij me ngjarjen tragjike të Gërdecit. Ai ka qenë denoncuesi i parë që guxoi të fliste publikisht për aferat që bëheshin në Gërdec, me shitjen e fishekëve dhe të armëve. Pak muaj pas këtij denoncimi, Trebicka do të humbte jetën gjatë një aksidenti të dyshimtë në 12 shtator të vitit 2008. Për rrethanat në të cilat ai u aksidentua për vdekje u fol shumë, derisa Prokuroria shqiptare pajtoi një ekspert amerikan me qëllim zbardhjen e ngjarjes jashtë ndikimeve të brendshme. Si përfundim rezultoi që Kosta Trebicka e humbi jetën gjatë një aksidenti me makinën e tij tip ‘Nisan’ fuoristradë, teksa ishte duke u kthyer nga gjuetia në vendin e quajtur Gryka e Kulave, në segmentin Lekas-Voskopojë, pranë qytetit të Korçës.


Akuzat
Qeveria ndërmori një fushatë të ashpër për të denigruar figurën e kolonelit në rezervë, Myslym Pasha, gjatë periudhës kur ai denonconte në “Gazeta Shqiptare” skandalet që fshiheshin në paktin detar me Greqinë. Kryeministri Sali Berisha, në një intervistë të dhënë për “Zërin e Amerikës” në datën 30 dhjetor 2009, duke komentuar oponencën që Pasha i bënte marrëveshjes, e cilësoi atë si “sharlatan”. Më herët gazeta “Rilindja Demokratike”, organi zyrtar i Partisë Demokratike, në fund të muajit nëntor 2009 botoi një shkrim ku e cilësonte Pashën jo vetëm si “pseudo-ekspert”, por edhe si një “pensionist të lajthitur” e “folklorist”.

Për të denigruar figurën e kolonelit, në faqen e parë të RD-së u botuan aso kohe edhe foto nga jeta e tij personale, ku koloneli shfaqej duke kënduar me grupin polifonik të Mallakastrës.

Tedi Blushi, G. Shqiptare

Protestat,nuk janë dhe aq kot

Për të gjithë ata që se vënë ujët në zjarr për protestat dhe për të gjithë ata që bëjnë protesta pa e ditur se ku do dalin, vlen kjo sentencë: protestat kurrë nuk janë kot.

Protesta është shpirti i demokracisë, zembereku i saj. Një demokraci ku protestohet është një demokraci që shkon drejt përsosjes. Aty ku nuk protestohet, demokracia fle, dhe gjumi i demokracisë është vdekje për të. Ngjallja e shpirtit protestues është një mision i madh, një mision historik, të cilin koha do ta vlerësojë, pasi të zbehet vektori politik.
Shoqëria shqiptare është mirëfilli një shoqëri që nuk proteston.


Ankthet tona sociale ne i kanalizojmë në rrugë individuale, duke i zbrazur njëri-tjetrit gjithë mllefin e akumuluar nga tranzicioni i tejzgjatur.
Po cili është motivi i protestave? Kërkesa për drejtësinë e votës.
A është i drejtë ky motiv për protestë? Është më se i drejtë.
A është i mjaftueshëm ky motiv për të ngritur masa të tëra popullsie në këmbë? Ky motiv nuk mjafton.

Motivi më i vërtetë për një protestë masive të popullatës është t’i flasësh nevojave të popullatës, dhe këto nuk janë thjesht nevoja që lidhen me kutinë e votimit, pavarësisht rëndësisë së kutisë së votimit. Ka dhe kuti të tjera, që mund të quhen mirëfilli kuti Pandore, të cilat mund të shkaktojnë më shumë hidhërim, më shumë pezmatim dhe në të njëjtën kohë më shumë shanse për protestë.
Më së pari është fakti që jeta e qytetarit shqiptar sot është më pak e sigurt, ndërsa pretendojmë se jemi faktor sigurie në botë, si anëtarë të NATO-s. Këtë e thonë raportet e organizmave të huajt monitorues, ambasadorët, raportet e policisë e të shoqërisë civile, që flasin për rritje të numrit të vrasjeve, të vetëvrasjeve, të vdekjeve aksidentale, të aksidenteve rrugore, të vdekjeve në punë, të vdekjeve të shkaktuara nga një shëndetësi e papërgjegjshme, nga mungesa e edukimit me kulturë shëndetësore të shtetasve, nga veset sociale, nga shtimi i prostitucionit, nga shtimi i vjedhjeve, nga shtimi i krimit të moshave të mitura, nga shtimi i numrit të personave të ekstraduar, nga shtimi i maskave, nga shtimi i të sherrnajave që kanë marrë përmasa astronomike për motive të dobëta e për motive pronësie, nga ngujimet, fëmijët e panumërt jetimë, tokat që rrëshqasin me gjithë shtëpitë e qytetarëve në kurriz, e shumë të tjera, që kërkojnë analiza më vete.
Gjithë kjo pasiguri psikike e qytetarit mund të kanalizohet në formën e një proteste të drejtpërdrejtë apo të tërthortë kundër aktualitetit politik. Më tej, është ekonomia e shqiptarit.

Ndërsa pranojmë se ka rritje ekonomike, nuk mund të pranojmë se ka begatim.
Nëse shifrat dalin në rregull, apo edhe nëse manipulohen, kjo nuk do të thotë se qytetari shqiptar ndihet i pakërcënuar ekonomikisht. Ai e ka të vështirë të marrë kredi. Ai e ka të vështirë të investojë, ngase më pak makineri e pajisje janë blerë këtë periudhë. Ai e ka të vështirë të orientohet në tregun e tokës, për shkak të legalizimeve apo abuzimeve, apo çfarëdolloj afere tjetër që pengon zhvillimin normal të jetës së qytetarit që nuk ka asnjë dëshirë ta kalojë jetën nëpër gjyqe pronësie. Nëse leku shqiptar është zhvlerësuar kundrejt euros, me një ritëm të frikshëm, edhe gjithë rritja ekonomike ka shkuar në dëm të qytetarit, që me të njëjtat lekë, blen më pak mall, që blihet më shtrenjtë për shkak të euros së rritur. Sa herë që rriten rrogat dhe pensionet, aq më tepër rriten çmimet.
Rritja e çmimeve të mallrave të konsumit dhe ngurrimi për të harxhuar lekun, rritja e çmimit të energjisë, të ujit, të karburantit, e shumë të tjera, nuk flasin për një rritje ekonomike reale, as për rritje të fuqisë blerëse të qytetarit. Edhe remitancat kanë rënie. Shifrat dalin mirë, kur bëhen marrëveshje për shumë miliarda euro, nga të cilat nuk e dimë se sa do të investohen vërtet në ekonominë reale, për të cilën e dimë me siguri se nuk ofron një treg kaq të madh.

Pra, makro del mirë, kurse mikro del me këpucë të kuqe.
2000 lekëshit e rinj, fringo të rinj, nuk merret vesh se cilën pare zëvendësuan, menjëherë pas 5000 lekëshit edhe më të ri, që sapo e vjetruam nëpër duart tona. Entuziazmi mediatik qeveritar nuk përkthehet në para më shumë në portofolin e njerëzve.Nga ana tjetër, 20 vjet papërgjegjshmëri shtetërore kanë hapur shumë gropa të zeza për njerëzit. Duke filluar që nga përmbytjet, shpronësimet e padrejta, shkatërrimet e pronave të njerëzve që u lejuan të ndërtonin si lopa bajgën, të përndjekurit, ish pronarët, banorët në shtëpitë e ish pronarëve, njerëzit me aftësi të kufizuara, minatorët, mësuesit, mjekët, pensionistët, njerëzit e nëpërkëmbur të kulturës dhe artit, ish prostitutat dhe prostitutat, fëmijët dhe gratë e dhunuara, të burgosurit, të ardhurit nëpër qytete që kërkojnë punë ndërkohë që nuk ka punë as për ata që janë aktualisht, xhepistët, të sëmurët nga zemra, nga stresi, të lajthiturit e panumërt që popullojnë shtëpitë tona, të depresuarit, kompanitë ndërtuese që kanë kryer punën e kontraktuar nga shteti dhe nuk kanë marrë paratë, mijëra të ardhurit nga studimet perëndimore që nuk duan të mbeten thjesht spektatorë të një shfaqjeje të parapërgatitur, dhjetëra kategori sociale që janë si ushtri të vogla të gatshme për luftë, për shkak se nuk kanë marrë konkretisht atë që u takon ligjërisht, ose nuk kanë marrë asgjë, si rasti i banorëve që jetojnë ende në çadra për shkaqe natyrore.

Dhe nëse deri dje, ajo që nuk të jepej rrëmbehej nga natyra, shteti apo fqinji, çdo ditë që kalon e vështirëson rrëmbimin për shkak të pakësimit të resurseve.
Çfarë do të ndodhë, nëse në Shqipëri përhapen dy valë protestash: protestat e opozitës dhe protestat e të nëpërkëmburve?
Qeverisja nuk do të gjejë kohën e duhur, as burimet e duhura, as qetësinë e duhur për t’u marrë me zgjidhjen e problemeve madhore. Për këtë nuk do të mjaftojë as propaganda super e fuqishme mediatike, as emetimi i shpresës në formën e premtimit. Protesta ka dhe ajo rolin e vet paralizues. Nuk ka nevojë fare që opozita të provokojë përplasje: as që i intereson. Ajo thjesht po pengon dhe po krijon pakënaqësi elektorale që mund të shfrytëzohen nesër. Policia që do të vihet në shërbim të rendit, do t’i lërë hapësirë krimit që nuk ja përton në të tilla raste.
Forca ndëshkuese e sistemit gjyqësor sa vjen e dobësohet: njerëzit hyjnë dhe dalin si patëkeq nga burgu. Shumë kriminelë të arrestuar janë përsëritës. Një pjesë e tyre falen nga sistemi. Shumë ngjarje të vjetra hapin plagë të reja. Po dhe ekonomia do të dëmtohet kur njerëzit nuk do ta kenë mendjen te puna, po te protesta. Harxhimi i fondeve të mëdha për të mbuluar plagë të mëdha, do të jetë joefektiv. Blerja do të funksionojë për pak kohë. Do të kërkohen fonde të tjera, që nuk mund të bien si mana nga qielli. Opozita ka gjithë kohën e duhur për të organizuar pickime të vogla, sa për ta nxirë më keq jetën tashmë jo dhe aq të ngjyrosur të qytetarëve.
Gjithashtu, protestat e shumta do të nxisin dasinë sociale: ndarjen aq të përfolur dhe qesharake në popull të majtë e popull të djathtë. Njerëzit do të bëhen më hasëm se sa janë. Shqipëria nuk do të durojë gjatë e ndarë në dysh. Ata që kanë pushtetin real, janë shumë herë më të paktë se sa ata që kanë grykësinë për ta pasur pushtetin real. Një njeri në një post konkurrohet lirshëm nga dhjetëra të tjerë që e mendojnë veten të denjë për atë post. Edhe brenda shumicës ka tektonikë, ka lakmi, ka dhurime që japë të papranueshme. Kjo i jep dorë opozitës. Qarkullimi politik është i mbarë për shumë njerëz që lakmojnë dhe mezi presin të ngulin thonjtë te torta e tjetrit. Ndaj situata, nuk është kaq e këndshme.

Ndërkombëtarët nuk është se janë të lumtur me tashmërinë tonë. Edhe ata me zor po merren me ne, kur dihet që kanë problemet e tyre. Greqia fqinje na kujton atë shprehjen e vjetër që thotë se i mbyturi të mbyt. Shkurt, është koha më e artë për protestë.
Dhe protestat do të bëhen edhe më të forta, për shkak të shurdhërisë. Aty duhet ta tregojë veten opozita.
A ka fuqi reale të bëhet pjesë e shoqërisë, apo do t’i bjerë vetëm fyellit të vet?
Nëse opozita shitet, bashkë me të do të shitet edhe një aksion i madh i mllefit 20 vjeçar. Siç u shit nga protestat e sajuara të shoqërisë civile me militantë partish, apo nga aksioni i mbetur në mes i katarsisit. Riciklimi i figurave politike, përsëri do të sjellë dhembje sociale. Dhunimi që kryen pushteti nuk do të mbajë gjatë. Policitë prapë do të përleshen njëra me tjetrën, duke ia ulur në zero kredibilitetin shtetit. Abuzuesit e mëdhenj përsëri do t’i shpëtojnë ligjit.
Dhe lufta e vogël midis dy palëve, ndoshta do të sjellë humbjen e të dy palëve, për t’i hapur udhë ndonjë artifice që askush nuk e mendon sot, por që mund të jetë realitet i prekshëm nesër. Edhe pritshmëria e ka një limit.

Erion Kristo, T. Observer

Shqipëria nis “plakjen”

Ulet ndjeshëm fertiliteti tek çiftet shqiptare. Nga 3.3 fëmijë që llogaritej në vitet 93-95', lindshmëria ka rënë në 1.6 fëmijë për grua, në vitet 2006 – 2008.

Studimet e fundit përllogarisin të kemi vetëm 35 mijë lindje ne vit në rang kombëtar. Kjo për shkak se çiftet janë të prirur drejt karrierës dhe se shpeshhere zgjedhin dhe rrugen e gabuar per te penguar nje shtatzani te padëshiruar.

Ministria e Shendetësise dhe USAID kanë nisur një fushatë sensibilizimi për rritjen e përdorimit të metodave kontraceptive bashkëkohore për parandalimin e shtatzanive të paplanifikuara.

“Duhet të jemi sa më metodikë, sa më këmbëngulës te kjo fushatë me sa më pak patetizëm te mesazhet tona”, u shpreh ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili.

Perdorimi i kontraceptiveve nga 8% ne vitin 2002 eshte rritur ne 11 % ne vitin 2009. Ky nivel i ulet i perdorimit i shoqeruar dhe me numrin e ulet te lindjeve tregon se aborti eshte alternative kryesore ne rastet kur ndodh nje shtatzani e padeshiruar.

T. Channel

Fëmija serb që pranoi pavarësinë e Kosovës kërcënohet nga radikalët

Djaloshi 12-vjeçar nga Serbia Rastko Pocesta u bë i famshëm pas fushatës së tij në internet ku mbështet anëtarësimin e Serbisë në NATO dhe pavarësinë e Kosovës.

Këto ide nuk iu kanë pëlqyer disa nacionalistëve serbë, disa prej të cilëve kanë kërcënuar me vdekje djaloshin serb.

Rastko Pocesta nga Beogradi është autor i dy librave, fushatës së internetit kundër racizmit dhe neonacizmit dhe është pjesëmarrës në debatin për hyrjen e Serbisë në NATO.

Para disa ditësh televizioni Serb B92 publikoi një intervistë me Rastkon, ndërsa më pas ai u intervistua edhe nga BBC. Rastko i tha BBC-së se idetë e tij nuk janë të pranuara nga nacionalistët serbë, ndërsa disa prej tyre edhe e kishin kërcënuar me vdekje.

Por ai tha se nuk do të heqë dorë nga shkrimi. Unë jam serb, por jam real!!!

T. Observer