Monday, July 26, 2010

"Mirënjohje e respekt thinjave e rrudhave të prindërve tanë"

Çfarë mund t'u themi prindërve tanë të mirë?!

Ëndrrat e tyre të vjetra dhe të reja janë dy paralele në udhëkryq. Çfarë mund t'i thuhet një 60-vjeçari që ka punuar mbi 40 vjet dhe sot si shpërblim gjen emrin në një listë varur në murin e ftohtë të ndërmarrjes, pas derës apo xhamit të dritares së shefit të tij?!

Edhe dinjiteti i tyre mbeti në udhëkryq e bashkë me të thinjat e rrudhat e tyre. Puna, dinjiteti dhe ëndrra e thyer e prindërve tanë janë peng i papërgjegjshmërisë, i ndërgjegjes, i arrogancës dhe mungesës së horizontit të njerëzve të politikës.

Eh, demokracia!
E pritën si shkopin magjik që do të mbushte shtëpitë e tyre me orendi e ushqim të mirë për fëmijët. Si qilimin fluturues, i cili do t'i shëtiste të shihnin botën e bukur e të ndaluar për ta.

Por, edhe demokracia vet ishte një ëndërr e bukur që i përplasi keq sapo hapën sytë. Qilimi fluturues i trepsur u gris copë -cope. Fëmijët kanë vite të tëra që bukën e fëmijëve të tyre e nxjerrin larg Shqipërisë. Sa shtrenjtë kushton buka e fëmijëve të tyre në emigrim, aq sa malli i patretur i prindërve dhe gjyshërve në atdhe.

Nëse për ëndrrat do të kishte njësi matëse, jam e bindur se ëndrrat e prindërve tanë do të kishin masë më të madhe se ëndrrat tona e të fëmijëve tanë, sepse në ëndrrat e tyre jemi dhe ne. Në çdo rrudhë dhe thinjë të tyre janë malli, brenga dhe meraku për të ardhmen tonë dhe të fëmijëve tanë.

A duhet ta kthejmë kokën pas e të kujtojmë të kaluarën?
Nëse e bëjmë këtë na akuzojnë si komunistë. Ky është dështimi ynë si komb. Ne mohojmë të kaluarën. Një njeri që mohon të kaluarën e tij sado e hidhur të ketë qenë ajo, nuk mund të ketë të ardhme. E kaluara jonë "komuniste" ka jetën e prindërve tanë dhe fëmijërinë tonë.

Aty mbeti djersa e derdhur në vite, rinia dhe bukuria e tyre. 60 vjetori atë kohë nuk ishte një ditë dhimbjeje pa kufi, por ishte një darkë e ngrohtë me fëmijët dhe nipërit, një tortë e ëmbël dhe urimin e bukur "E gëzofsh pensionin!" 

Këtu prindërit tanë bëhen nostalgjik e psherëtijnë në heshtje për të kaluarën. Mirënjohje dhe respekt thinjave dhe rrudhave të prindërve tanë!

Lindita Qalliaj, Shekulli

SHBA/Kryen marrëdhënie seksuale me qenin, rrezikon burgun

Një ngjarje aspak e zakontë regjistrohet në Majemi të SHBA-së, ku një 64-vjeçar ka kryer marrëdhënie seksuale me qenin e tij dhe tashmë rrezikon deri në 5 vjet burgim. 


Ndodhia e sikletshme për 64-vjeçarin nisi kur ky i fundit në bisedë e sipër me asistentin e mjekut veterinar të qenit të tij pranon se qeni i tij “nuk zbavitej më kur kryenin marrëdhënie seksuale”. Menjëherë pas rrëfimit, analizat e kryera ndaj kafshës treguan gjurmë aktiviteti seksual duke vërtetuar frazën e dhunuesit 64-vjeçar, Armand Paçer. 

Pas nisjes së hetimeve të gjithë dyshonin se mos bëhej fjalë vetëm për një batutë, ashtu sikundër këmbëngulte edhe Paçer, por gjithçka ishte e vërtetë. 64 vjeçari u ankua tek asistenti i veterinerit se qeni i tij, Kristie Brinklei (mban emrin e një modeleje të viteve ’80), “nuk argëtohej më kur kryenin marrëdhënie seksuale. Kjo ndoshta ngaqë në ditët e fundit më ka munguar energjia”, ka vazhduar më tej Armand Paçer. 

Asistenti i veterinerit i habitur nga fraza e të moshuarit vizitoi qenin, ku vërtetohej edhe rrëfimi shokues i 64 vjeçarit, i cili në fillim ka tentuar të mbrohet duke u shprehur se bëhej fjalë vetëm për një batutë, por provave mjekësore nuk ka mundur t’i kundërvihej. 
Tashmë ai do të përballet me drejtësinë, ku rrezikon deri në 5 vjet burg.


Denisa Spahu, Tirana Observer

Kush je ti, kush je?

Kush je ti, Kush je ?

Duke menduar, duke pleksur hije në vetminë e thellë.

Edhe ti je larg, oh, më larg se të gjithë.

Duke menduar, duke çliruar zogj, duke zhdukur imazhe,

duke varrosur drita.




Këmbanore mjegullash, kaq të largëta, atje në lartësi !

Duke mbytur rënkime, duke thërmuar shpresa të errëta,

mullis i heshtur,

Nata bie si kafshatë në këmbët e tua,

larg nga qyteti.

Prania jote më është e huaj, kureshtare si një objekt.


Mendoj, ec gjatë, jeta ime para teje.

Jeta ime para të gjithëve, jeta ime e ashpër.

Britma përballë detit, mes guriçkave,

që vrapon e lirë, e marrë nëpër avullin e detit.

Tërbimi i trishtë, britma, vetmia e detit.

Bleronjëse, e ashpër, nderë drejt qiellit.

Ti, çfarë ishe aty, ç’përthyerje, ç’purtekë

të asaj freskoreje të pamatë? 


Ishe larg si tani.

Zjarr në pyll !

Përvëlon në kryqe kaltëroshe.

Përvëlon, zhurit, përflak, përshkëndit në pemë drite.

Lëshohet, brambullit.

Zjarr, Zjarr.

E shpirti im i plagosur vallëzon prej bujashkave të zjarrta.


Kush thërret?

Ç’qetësi e populluar jehonash?



Çast i mallit, çast i gëzimit, çast i vetmisë,

çast imi mes të gjithave!

Guackë në të cilën era kalon duke kënduar.

Kaq pasion vaji mbërthyer pas trupit tim.

Tronditje e të gjitha rrënjëve,

Sulm i të gjitha dallgëve !

Endej, i gëzuar, i trishtuar, i pambarim, shpirti im.

Duke menduar, duke varrosur dritën në vetminë e thellë.

Kush je ti, kush je?

Pablo Neruda

Xhubleta Shqiptare - Veshja më e vjetër e botës, e mbetur ende gjallë



Xhubleta në UNESCO?





Vetëm një orë në Galerinë Kombëtare të Arteve për veshjen më të vjetër në botë e mbetur gjallë. Në prani të ambasadorit amerikan, ministrit të Kulturës i kërkohet vëmendje për ta anëtarësuar veshjen kombëtare në UNESCO
Shenjat në veshjen e malësores shqiptare, në një veshje tipike siç është xhubleta kanë përcaktuar dhe rrugulluar statusin e saj familjar dhe farefinsor. Si kulturë e tillë tek e cila janë trashëguar dija e shenjave, e mënyrës së të jetuarit dhe të menduarit që nga kohërat më të lashta e deri në vitet 70 të shekullit të XX, një grup njerëzish të ftuar nga poetja koleksioniste, Luljeta Dano, kanë qenë prezentë kur ajo ka kërkuar një shans për “anëtarësimin” në UNESCO të veshjes më të vjetër në botë e mbetur gjallë.
Kjo ndodhi dje, në Galerinë Kombëtare të Arteve ku Dano për një orë ka ekspozuar një pjesë të koleksionit të saj të jashtëzakontë, 12 xhubleta, tallaganë dhe aksesorë të çmuar të veshjes së gruas së veriut, gati 150-vjeçare. Ajo ka botuar së fundi “Perëndesha Athina dhe simbole të tjera kozmogonike” , një studim mbi shenjat e qëndismave mbi veshjet mashkullore dhe sidomos femërore duke i përkufizuar ato si kultura e “shkrimeve të fshehta në ornamentikën mijëravjeçare të Malësisë së Madhe, Dukagjinit, Mirditës e Pukës” si një territor mitesh antike i ruajtur në trashëgiminë etnokulturore.
Në “Expo-Xhubleta” e organizuar nga “Miqtë e Galerisë” ishte i pranishëm dhe ambasadori amerikan në Tiranë John Ëithers i cili ka duartrokitur lutjen e poetes: “Do të lusja ministrin e Kulturës, të kryejë veprimet e duhura që këto dy veshje (xhubleta dhe xhokeja), kudo ku janë shpëtuar nga koleksionistë t shqiptarë dhe të huaj, të merren në mbrojtje nga UNESCO si pasuri botërore.”

Çfarë tipologjish paraqesin 12 xhubletat e koleksionit?
Jam përpjekur të përfshihen gjithë tipologjitë, megjithëse nuk kisha mundësi të vendosja xhubletën që rri në këmbë. Në koleksionin tim prej 100 xhubletash, kam 3 të tilla. Gratë malësore, kur mbaronin ndërtimin e xhubletës, thurjen, bënin gara midis tyre dhe xhubleta që qëndronte në këmbë ishte padiskutim më e mira.
Kjo është një ekspozitë thjesht etnografike apo mitike ku vihen në dukje shenjat e qëndisura mbi veshjet për të cilat ke ndërtuar një alfabet leximi?
Para disa vitesh, kam dëgjuar në Vermosh një legjendë për Macolen e bukur, një nuse e re që ka qenë e fundit që më 1970 ka mbajtur xhubletë dhe nuk e hiqte. Macolja kishte ikur në Amerikë në këto vitet e fundit.
Mendohet që xhubleta, asëll-asëll, ka rreth 70 vjet që nuk prodhohet më, sepse janë përdorur ato që kanë qenë xhubletat e pajave. Gruaja malësore merrte 5-7 xhubleta në pajë. Nuk është prodhuar më, sepse ndërtimi i xhubletës është mjaft i sofistikuar. Gruaja malësore duhet të ketë një “tabelë logaritmesh” në kokën e saj që ta thurë kokërr për kokërr sythi dhe ta montojë në një mënyrë të tillë që të marrë formën e duhur të kambanës dhe të rrijë në këmbë.
Do të thuash që të gjitha figurat janë mirë të menduara?
Çfarë është më e rëndësishmja janë të trashëguara sepse xhubleta bëhej besnikërisht në vijë familjare dhe çdo vajzë mbart statusin familjar, farefisnor etj. Veshja është si veshja e ushtarakëve, përfaqëson gradat e jetës civile.
Në lidhje me këtë ide ti përmende brezin e njërës xhubletë që është realizuar nga dhjetë mijë thumba.
Po, me dhjetë mijë thumba plumbi. Është një brez që bëhej tek zanatçinjtë e pazarit të Shkodrës. Çiraku numëronte 10 mijë thumba plumbi. Ai ka yllin e Davidit, ka simbolin e lashtë të ilirëve, hënën me yll që do ta shohim në stoli të tjera.

Në krye të radhës është xhubleta e bardhë. Nga kush vishej ajo?
Është xhubleta e çikave, në veshje e jashtëzakonshme, mrekullisht e bukur, për cilësitë e punimit dhe të qëndisjes. Dallohet nga simbolet e fertilitetit. Është një nga kopjet më të rralla, sepse xhubletat e bardha janë vërtet të rralla. Vajza e vishte deri në momentin që martohej.
Dhe vijmë tek brezi i rrallë që e vishte jo çdo lloj nuse.
E vishnin nuse që vinin nga familje të para, që ishin familje të pasura dhe me një status të privilegjuar shoqëror. Ishte simbol i forcës, bukurisë dhe pasurisë, tre nocionet e përjetshme.
Gjithçka e universit të xhubletave tregon një alta modë,pra çdo element, që nga çorapja çizme, përparëset e mbivendosura, grykashkat, pa folur për trungun e veshjes që është mrekullia arkaike.

Xhubleta e manekinit me shpinë nga të tjerat, ka ndonjë histori?
Është xhubleta e “thakut të premë”, e gruas së divorcuar. Ajo është xhubletë e Dukagjinit dhe në bajrakët e Mirditës apo të Dukagjinit, ka qenë ligji që kur burri divorconte gruan, i priste thekët ose të xhubletës ose të xhokes së bardhë të Mirditës. Mendohet që është e fillimit të shekullit XX.
Interesant është që krejt fundi i xhubletës është qëndisur me simbolin e gjarpërit siç thua ti.
Cila është domethënia?
Kur gruaja e ka qëndisur atë simbol nuk e mendonte që do të bëhej një grua e divorcuar. Por zakonisht në rreshtin e fundit të këmbanës, të kordonit të bardhë, gjithmonë gjen një rresht të tillë që është o gjarpër, o është shumë i ngjashëm me zinxhirin e ADN-së ose me diçka si fetus, embrion fëmije. Por këto janë çudirat që i përkasin kësaj bote.
Cili është simboli më shumë i hasur në kostume?
Është shqiponja me dy kokë, me tipare dragoi dhe shumë herë e gjejmë me flakën që dragoi nxjerr nga goja.

A mund të varrosej një grua me xhubletë?
Gruaja varrosej me xhubletën që martohej. Xhubleta më e mirë i shërbente asaj në këto dy momente të rëndësishme të ndërrimit të statusit civil të saj, nga vajzë në grua e martuar dhe kalimin në jetën tjetër ku ajo duhej të shkonte me këtë xhubletë që bart për mua kode të vjetra, që dmth ato duhen lexuar, që nuk janë thjesht të bukura, por kanë një rregullsi, një alfabet leximi. Dihet nga studiues shqiptarë dhe të huaj që vijnë nga qytetërimi kreto-mikenas. Xhubleta identifikohet me veshje të gjetura në pallatin e Knosit në Kretë, para 4000 vjetësh. Por kjo s’do të thotë që nuk zbulohet një objekt tjetër i lashtë dhe xhubleta befas nga festa e 4000 mijë vjetorit të saj mund të festojë 10 mijë vjetorin e saj. Sido që të jetë, ngelet veshja më e vjetër të botë ende e gjallë dhe misioni i kësaj ekspozite, mendoj se është tërheqja e opinionit publik dhe institucioneve përkatëse që kjo veshje të merret në mbrojtje nga UNESCO si veshja më e vjetër në botë ende e gjallë.





Vetëm në Shqipëri e ke fjalën?
Xhubleta jeton në Shqipëri, në Malësinë e Madhe, në Rrafshin e Dukagjinit të Kosovës, në Malin e Zi, mendohet dhe në një fshat të Bullgarisë ku janë me origjinë shqiptarë dhe në Norvegji.

Atëherë UNESkO veshjen kombëtare të kujt do të mbrojë?
Do të mbrojë pikërisht këtë tip veshjeje dhe që në Shqipëri ne e kemi simbol të Nënës Shqipëri në artet figurative ose në psiqikën tonë, simbol të Rozafës legjendare.
Ngjyrat duken se janë ngjyra të zhdukura sot në veri, e kuqe gjaku, e gjelbër e thellë.
Mendohet që xhubleta ka qenë e bardhë dhe u bë e zezë. Madje ka pasur një këngë popullore për këtë.





Atje kemi një tingëllimë të kohërave, bluza e kuqe, mëngëza, brezi i qëndisur me rruaza nga të gjitha ngjyrat që udhëtari hungarez i shekullit të 18-të Daniel Kordinez, ka thënë: as palloi, as ylberi nuk kanë aq ngjyra sa xhubleta e shqiptarëve, se kjo veshje ka të gjitha ngjyrat e gëzuara të mëmës natyrë.


Nga Elsa Demo, G. Shekulli

Uji i ndotur shitet në çdo dyqan

Megjithëse firmave prodhuese u është pezulluar aktiviteti gati një javë më parë, bidonat e ujit që ata ambalazhojnë dhe tregtojnë, i gjen në çdo dyqan. Bëhet fjalë për ujin "Tirana", "Shën Mëria", "Selita" dhe "Kristal". Tregtarët shprehen se ata vazhdojnë të furnizohen normalisht dhe nuk e dinë se firmat që kanë ekskluzivitetin e këtyre markave janë ndëshkuar për shkak se nuk plotësojnë kushtet për tregtimin e tyre.


Problemi
Ndonëse u është bllo-kuar aktiviteti, që prej një jave, produktet e tyre i gjen në të gjitha pikat e shitjes së kryeqytetit. Bidonat e mëdhenj 7 litroshë të këtyre markave të ujit të pijshëm, vazhdojnë të tregtohen normalisht, megjithë nga një kontroll i Autoritetit Kombëtar të Ushqimit kanë rezultuar me një mbingarkesë të madhe mikrobike, për shkak se nuk filtrohen si duhet. Tregtarët e pakicës shprehen se ata nuk kanë dijeni që uji të jetë bllokuar dhe vazhdojnë të furnizohen normalisht nga pikat e shumicës. "Ne e marrim te pikat e shumicës ku e kemi marrë gjithmonë dhe nuk na kanë thënë gjë se ka dalë me probleme", - shprehet një pronar dyqani afër Pazarit të Ri.

Pikërisht, duke u nisur nga kjo situatë, Autoriteti Kombëtar për Ushqimin (AKU) ka pezulluar aktivitetin për katër subjekte të prodhimit, ambalazhimit e tregtimit të ujit të pijshëm në Tiranë. Kështu, në bazë të kontrollit të ushtruar ka rezultuar se uji 'Santa Maria', prodhuar nga subjekti 'Altrade' ka mangësi në procesin teknologjik të larjes së ambalazhit, tapos-jes dhe etiketimit. Një tjetër ujë problematik ka rezultuar edhe ai i markës 'Shën Mëria', makineria e prodhimit të të cilit ka pësuar defekt dhe nuk garanton produkt të sigurtë. 

Në listën e zezë të markave, të cilat kanë rezultuar me probleme renditen edhe uji 'Selita' e uji 'Tirana'. Ndërkohë që subjektit 'Ferra', i cili prodhon ujin 'Kristal', Autoriteti i Ushqimit, i ka lënë një sërë detyrash të cilat duhet t'i plotësojë brenda një afati prej dy javësh, në të kundërt edhe për këtë kompani do të merret vendimi për pezullimin e aktivitetit. 

Esmeralda Keta, G. Shqiptare