Friday, October 29, 2010

Griset emri i Berishës nga parulla për vitin e Nënë Terezës, te Muzeu Kombëtar

Parulla e madhe në mes të Tiranës e vendosur disa muaj më parë dhe e shumëdiskutuar për shkak të përmasave të emrit të Sali Berishës në raport me emrin e Nënë Terezës është grisur gjatë orëve të natës midis të mërkurës dhe të enjtes.
 Dje, në orët e para të mëngjesit, është vënë re se dikush ka grisur emrin e Sali Berishës nga bezja e madhe që zinte gati të gjithë fasadën e Muzeut Kombëtar prej muajsh. 50 metra larg vendit, ku 20 vjet më parë u hoq zvarre statuja e Enver Hoxhës, dikush ka menduar për të zhdukur një tjetër simbol të madhështisë së rreme. Bezja ishte grisur vetëm në pjesën ku gjendej emri i S. Berishës.

 Disa punëtorë të dërguar me urgjencë në orët e para të mëngjesit për të ringjitur pjesën e grisur nuk kanë mundur ta bëjnë këtë gjë dhe pas disa orësh, parulla është hequr fare për të zhdukur çdo gjurmë të aktit simbolik vërtet shumë origjinal. Grisja ka qenë thuajse "kirurgjikale" dhe autori është përqendruar vetëm në emrin e Berishës. Megjithëse u veprua shpejt për ta zhdukur parullën e grisur nga Muzeu, ajo ishte fotografuar nga qytetarë të ndryshëm tiranas në mëngjes dhe fotoja ka bërë dje "xhiron" e internetit, duke u komentuar gjerësisht.


Komentet në blogje kanë qenë të shumta. "Me siguri do t'i ketë fry Nonë Tereza me largu erën e keqe, - shkruante një komentues i blogut "Peshku pa ujë", duke satirizuar me faktin që fotoja e Nënë Terezës në parullë ndodhej përbri emrit të Sali Berishës.

Si fotoja e Nënë Terezës, ashtu edhe emri i saj në këtë pankartë, ishin në "minorancë" me emrin e Sali Berishës shkruar me germa të mëdha mbizotëruese nga hartuesit e parullës vendosur muaj më parë nga Ministria e Kulturës.
Kjo parullë e shkruar në një beze të stërmadhe që zinte gjithë ballinën e Muzeut Kombëtar në qendër të Tiranës u bë objekt debati në opinionin publik. Në tekstin e saj lajmërohej se ky vit ishte Viti i Nënë Terezës dhe se po zhvillohej nën përkujdesjen e veçantë të Sali Berishës. Emri i këtij të fundit ishte shkruar me germa kapitale, aq të mëdha sa dukej sikur parulla ishte vendosur jo për të lajmëruar vitin e Nënë Terezës, por për të vënë në dukje emrin e Berishës.

 Ministria e Kulturës, e cila hoqi dje bezen e grisur, e zëvendësoi atë me shpejtësi me një parullë më të vogël, për sponsorët e rikonstruksionit të ballinës së Muzeut, për të fshehur disi gjurmët e "atentatit" ndaj emrit të Berishës, por fotot e mëngjesit kishin marrë me kohë "rrugën" drejt mediumeve publike online.
_____________


Nënë Tereza, në 6 njerëzit e vetëm në botë, që kanë pasaportë nderi të SHBA-së

Ndoshta pak njerëz e dinë që ekziston edhe një pasaportë amerikane, që i tejkalon të drejtat e pasaportës së qytetarëve normalë amerikanë. Bëhet fjalë për pasaportën e qytetarit të nderit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Kush mendon se bëhet fjalë për një formalitet, duhet të ndryshojë mendim. Qytetaria e Nderit e SHBA-së, u është dhënë vetëm 6 njerëzve në botë dhe një prej këtyre është shqiptare: Nënë Tereza. Procedura e marrjes së qytetarisë së nderit amerikane, është e nivelit më superior. Kandidati shpallet Qytetar Nderi i SHBA-së me një akt të Kongresit Amerikan ose me një deklaratë të posaçme të Presidentit Amerikan, të autorizuar gjithsesi nga Kongresi.

6 personat që kanë marrë këtë qytetari, deri në vitin 2008 janë:
1 Gjenerali Lafayette, një francez që shërbeu si oficer në Revolucionin Amerikan (1824); 2 Winston Churchill, Kryeministër britanik gjatë Luftës së Dytë Botërore (1963); 3 Raoul Wallenberg, diplomat suedez, që ndihmoi çifutët gjatë Holokaustit (1981); 4 William Penn, guvernator i Pensilvanisë (1984); 5 Hannah Callowhill Penn, gruaja e William Penn (1984); 6 Nënë Tereza (1996).

Shekulli

Shtuam edhe foton që paraqet origjinalin, për të gjithë që nuk e kanë parë këtë turp në mes të sheshit Skënderbej. STOP INJORANCES

n

Nga rruga me drita të kuqe te Amsterdami që lufton kundër prostitucionit ilegal

Për pjesën më të madhe të njerëzve që vizitojnë Amsterdamin, në program bën pjesë edhe një vizitë në lagjen e famshme me drita të kuqe.

Tërheqja i bën turistët që gjatë shëtitjes nëpër dyqane të hedhin një sy në vitrinat ku tregohen gra të veshura lehtë që ofrojnë shërbimet e tyre. Në Holandë prostitucioni është legal. Por krahas prostitucionit legal ka filluar të futet edhe prostitucioni ilegal me minorene.

Pa rënë nata, fillon gjallërimi i jetës nëpër rrugicat rreth kanaleve të Amsterdamit.
Tabelat me drita joshin klientët me show seksi dhe me të rejat e fundit nga bota e erotikës. Mes tyre gra me shumë pak veshje përsipër ofrohen në vitrina. Kjo është lagjja “De Wallen”, lagjja me drita të kuqe të Amsterdamit.

Në Holandë prostitucioni është i njohur si profesion.
Gratë që punojnë këtu, mund të fitojnë mirë, një pjesë deri në 10 mijë euro në muaj. Por për shumë prej tyre ardhja këtu nuk ka qenë me dëshirën e lirë. Ajo që ndodh pas vitrinave, në apartamentet private ose në makina ka më shumë të bëjë me shfrytëzimin sesa me kënaqësinë.
Samantha ka punuar në Amsterdam katër vjet në prostitucion. Sot ajo është 15 vjeç. Me 11, ende fëmijë ajo u detyrua për herë të parë të bënte seks, me një të ashtuquajtur Loverboy.
Loverboys janë djem në moshën rreth të 20 -ave dhe janë specializuar për të fituar minorenet. Ata u premtojnë vajzave të reja dashuri dhe pavarësi dhe i tërheqin gjithnjë e më shumë në llumin e prostitucionit, shpesh me ndihmën e drogave.
"Ty të krijohet përshtypja se nuk ke zgjidhje tjetër. Ai më jepte drogë dhe unë nuk isha më në gjendje të mendoja. Gjithnjë më thoshte se mua më pëlqen kjo që bëja. Unë rrija aty për shkak të Loverboy-it. Unë kisha frikë të isha vetëm",- thotë vajza sot.
Ajo ka ikur prej andej dhe jeton në një fshat të vogël në afërsi të Amsterdamit, në fondacionin “Stop Loverboys Nu“, që do të thotë “Ndalni Loverboys tani!“.
Themeluesja e fondacionit kujdeset prej tre vjetësh për vajza si Samantha. Edhe e bija e saj, u bë viktimë e një Loverboy dhe sot 20 vjeç, vazhdon të punojë në prostitucion.

Anita de Wit e di sa e vështirë është të çlirosh vajzat nga kthetrat e burrave. "Kjo është një punë që kërkon shumë ndjenja dhe shumë dashuri. Vajzave u mungon kujdesi dhe ngrohtësia. Burrat janë psikologë dhe e dinë shumë mirë si mund t`i bëjnë vajzat që të bëjnë atë që duan ata. Shpesh unë e krahasoj këtë me një bashkëshorte, që rrihet prej të shoqit. Kur burri i thotë gruas se e do gruan dhe nuk do që t`i shkaktojë dhimbje, atëherë gruaja nuk e denoncon. Edhe tek vajzat mekanizmi është i njëjtë".
Përveç kësaj, burrat i kërcënojnë vajzat se do t’u rrëmbejnë, për shembull, motrën ose vëllanë, ose se do tregojnë fotografitë ku ato duken lakuriq në shkollë.
Është e vështirë të thuash sa minorene bien viktimë. Tek Anita de Wit vijnë 20 vajza në vit që kërkojnë të largohen nga prostitucioni.
Edhe qyteti i Amsterdamit e ka kuptuar problemin e prostitucionit ilegal dhe kërkon të rrisë kufirin e moshës minimale për prostitutat nga 21 në 23 vjeç.
Sepse kur vajzat arrijnë moshën e rritur, as prindërit as Anita de Wit, as zyrat për të rinjtë nuk kanë të drejtë t`i ndajnë vajzat nga kodoshët. Anëtari i këshillit të qytetit, Lodwijk Asscher, kërkon që këtu të bëhen ndryshime: "Shumica e viktimave të tregtisë me mishin e bardhë janë më të reja se 23 vjeç. Prandaj ne duam të fusim këtë moshë, si kufi të moshës së rritur. Në Holandë duhet të kesh mbushur moshën 21 vjeç për t`i dhënë autobusit. Kurse për prostitucion nuk ka kufi të tillë, megjithëse gratë e reja janë delikate dhe e kanë të vështirë të mbrohen."
Në këtë mënyrë Asscher kërkon të përmirësojë edhe imazhin e qytetit. Kriminaliteti, thotë ai, është shumë i lartë në lagjen me drita të kuqe. Ndalim-qarkullimi natën mund të ndihmojë për uljen e tij. Përveç kësaj, ata që kanë marrë me qira vitrinat duhet të kontrollohen më shumë.
Për Samanthën këto masa janë të vonuara. Ajo e ka humbur rininë e saj në prostitucion. Edhe ndryshimet e ligjit i sheh me skepticizëm. "Klientët e dinin që unë nuk punoja vullnetarisht, që unë isha minorene. Por kjo nuk u interesonte. Sa më e vogël një vajzë aq më mirë."
Ajo nuk do të kthehet më kurrë në lagjen me drita të kuqe. Fondacioni ka gjetur për të një vend në jug të Francës, ku ajo mund të jetojë nën kujdestari. Atje ajo do të mbledhë forcat, në mënyrë që kur të kthehet në Holandë të mos kthehet sërish tek Loverboys.

G. Standart

Thursday, October 28, 2010

Maya

Jo, mos mendoni se ky artikull ka për qëllim të informojë lexuesit për fiset Asteke Maya (maja) të Amerikës Jugore , të njohura së fundmi për kalendarin e tyre të profetësive mbi fundin e botës (apokalipsin e qametin) 21.12.2012, pasi edhe kjo datë u shty së fundmi edhe me 50-vjet.

Jo, nuk bëhet fjalë as për Fatbardha Aliçkajn, këngëtaren që po trondit skenat shqiptare, me nofkën Maya.

Maya është filmi më i ri shqiptar që po shfaqet në kinematë e kryeqytetit, e të cilit po i bëhet një marketing i fuqishëm në mbarë shtypin shqiptar. 
Një film artistik me metrazh të gjatë, prodhim i “Art Film P&D”, i titulluar “Maya”, si emri i gruas së bukur që do të “përziejë” gjithë fshatin. Filmi është mbështetur mbi një tregim të Luljeta Lleshanakut,  e cila e ka përshtatur atë në një skenar filmi së bashku me Pluton Vasin.


Nuk mund të rri pa shkruar diçka rreth ngacmimit që më shkaktoi ky film i ri Shqiptar. Duke nisur që tek titulli që nuk është aspak shqip dhe duke lundruar përmes tematikës që ai trajton.

Kritikët e publicistë të ndryshëm, e kanë quajtur këtë film një kronikë provinaciale, që ndodh në të gjitha provincat shqiptare dhe rëndomtë ngjarje të tilla mbushin e nxijnë çdo ditë shtypin shqiptar. Pra, është parë si një fenomen negativ në shoqërinë shqiptare dhe shumë aktual.
Nuk e kuptoj fillimisht se përse edhe ata pak filma që bëhen pothuajse shqip e me aktorë pothuajse shqiptarë, e prekin kaq përciptas realitetin shqiptar, por edhe kjo prekje kaq sipërfaqësore.

A thua është vërtetë kjo problematika reale e shoqërisë shqiptare?

Në pjesën më të madhe të filmave realizuar pas 90-ës gjithçka na shfaqet gri e zymtë, mbushur me bunkerë, pa dialog, me kriminalitet, prostitucion, drogë.
Filmi trajton një provincë e thashethemet që bëhen në të. A ka ndonjë provincë në botë ku nuk bëhen thashetheme, apo vetëm ne shqiptarëve nuk na lejohet?

Filmi trajton gjithashtu fanatizmin dhe nga ana tjetër vendos si personazh kryesor, një paruker që lyen përlyen e zbukuron gjithë gratë e zonës. Po më thoni more zotërinj të nderuar, se si ka mundësi që në një provinë kaq fanatike, të gjithë meshkujt lejokan gratë e tyre të lyejnë flokët tek parukeri? Ose nuk ka fanatizëm, ose nuk ka parkuer mashkull, të dyja nuk shkojnë...

Ajo që të tërbon edhe më shumë është fakti se janë po këta aktorë, regjizorë e skenaristë shqiptarë që japin gjithashtu kontributin e tyre tek filmat e rinj të Hollivudit, ku ne shqiptarët etiketohemi e trajtohemi si kriminelë, hajdutë, tutorë, fanatikë, të prapambetur, të pazhvilluar...

Kur do të dalë një skenarist shqiptar që të prekë realisht, dramën shqiptare?
Për korrupsionin qeveritar apo ndërkombëtar, për rrezikun e madh që i kanoset gjuhës shqipe (MAYA), për radikalizimin e besimtarëve fetarë, për xhamitë që këndojnë akoma arabisht dhe për kishat që thurin plane shoviniste, për mjerimin migjenian të zonave rurale të Shqipërisë, për shkatërrimin e florës e faunës shqiptare, për plehrat që po na mbulojnë dhe për ato që po importojmë, për degradimin e sistemit arsimor, për dezertfikimin total moral të mjekësisë shqiptare dhe kushtet skandaloze në spitale, për shërbimet e mjera dhe infrastrukturën, për nivelin skandaloz në sport dhe degradimin e muzikës e artit në përgjithësi, për humbjen e identitetit, traditave, zakoneve, etj, etj.


Një popull shterp në art, është shterp edhe për të ardhmen e tij.

Shkroi dhe përgatiti: Stop Injorancës http://www.facebook.com/NdalPaditurise2

Fshatarët e Boboshticës akuzojnë “Omonian” për dhunimin e varreve

Një tjetër skandal me varrezat dhe tjetërsimin e tyre “për llogari” të ushtarëve grekë të rënë në luftë ka përfshirë zonën e Korçës.
Një varrezë është betonuar pjesërisht në një rresht parcele për të ngritur një memorial për ushtarët grekë, që pretendohet se janë varrosur aty gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Rasti ka ndodhur në një nga fshatrat e njohur të zonës së Korçës dhe pikërisht në Boboshticë, ku pretendohet se ekzistojnë disa varre që u përkasin të rënëve në luftën italo-greke. Varrezat e vjetra të Boboshticës, që ndodhen në territorin e kishës së fshatit, janë betonuar për të ngritur një piedestal për ushtarët grekë.
Në varrezat e vjetra mbi 200-vjeçare të fshatit është bërë betonimi i një segmenti deri në afërsi të një kryqi të vendosur 15 vjet më parë për të përkujtuar një nga ushtarët grekë që është vrarë gjatë luftës dhe eshtrat e të cilit kanë qenë të vendosura në një nga parcelat e varrezës, aty ku kanë qenë edhe eshtrat e banorëve të tjerë të zonës.
Edhe pse eshtrat e ushtarit grek nuk ndodhen më në territorin e varrezave të vjetra të fshatit Boboshticë, por janë zhvendosur prej vitesh në varrezat e reja, vendi ku ai ka qenë i groposur është shfrytëzuar për të bërë homazhe në datat që përkujtojnë luftën italo-greke.
Reagimet e para kanë ardhur nga ana e banorëve të fshatit, të cilët kanë në këtë varrezë eshtrat e gjyshërve dhe të stërgjyshërve të tyre. Kryqet e vjetruara, të cilat dallohen qartë, qëndrojnë në të dyja anët e platformës prej betoni, ndërsa nën segmentin e betonuar, banorët thonë se ndodhen edhe varre të tjera.

Banorët kanë ngritur gishtin e akuzës ndaj organizatës së minoritetit grek “Omonia”. Ata deklarojnë se prej një muaji përfaqësues të “Omonias” kanë qenë në këtë vend kodrinor për të kryer punime, edhe pse një pjesë e fshatit ka pasur rezerva për të bërë një memorial dhe për të ndërtuar mbi parcelat ku janë varret e vjetra.
Sipas tyre, betonimi është bërë për të kryer homazhe. Një memorial në formë kryqi ka qenë pikënisja e ndërtimit me beton të rrugës që kalon tashmë përmes varrezave me disa shkallë që nisin nga oborri, i cili është territor i manastirit të Shën Mërisë.
Të pozicionuara në kodrën e fshatit, këto varreza të vjetra në vitin 1996 pësuan tjetërsimin e parë.  

Në vendin ku ishin të vendosura eshtrat e ushtarit grek, u ngrit një kryq në formë memoriali për të kujtuar ushtarin e rënë, por në këtë memorial janë shkruar me germa greke dhe shqiptare fjalët “në nderim të ushtarëve grekë të rënë në luftë”.
Vite më parë, kur u vendos kryqi, askush nuk u shqetësua për këtë fakt. Ishte një banor i fshatit, i cili në atë kohë punonte në degën e “Omonias”, që kishte bërë këtë kryq në vendin ku ishte edhe kisha e Shën Mërisë, por për faktin se dihej se aty ishin eshtrat e ushtarit, banorët nuk e panë me habi këtë veprim dhe dhuratë që vinte nga një prej banorëve si shenjë nderimi për ushtarin. Ajo që ka shqetësuar banorët, ka qenë betonimi i një pjese të varrezave për të mbërritur te kryqi dhe ndërtimi përreth i një platforme të gjerë betoni, për zhvillimin e homazheve në përkujtim të ushtarëve grekë.

Fshatarët thonë se në këtë varrezë nuk ka ushtarë të tjerë grekë dhe po abuzohet me faktin se aty kanë qenë dikur eshtrat e një ushtari të vetëm.
Siç tregojnë banorët Boboshticës, punimet kanë filluar qysh një muaj më parë dhe kanë përfunduar tashmë, edhe pse një pjesë e fshatarëve nuk e kanë dhënë pëlqimin.
Banorët e vjetër të fshatit kanë kërkuar prishjen e rrugës prej betoni që zë një pjesë të varreve të vjetra. Ata akuzojnë për dëmtim të varreve të të parëve nga hedhja e betonit dhe thonë se poshtë platformës ka ende eshtra.
Nga ana tjetër, Komuna e Drenovës, që ka nën administrim fshatin Boboshticë, nuk ka dijeni për ndërtimin e memorialit dhe rrugën që të çon në të, edhe pse si për çdo ndërtim, duhej të merrej leja e posaçme nga KRT-ja lokale.
Kryetari i Komunës Drenovë, Flamur Sala, tha dje se komuna nuk është njoftuar zyrtarisht nga asnjë institucion, organizatë apo subjekt privat për një ndërtim të tillë.

“Ndërtimi i rrugicës prej betoni në varrezat e Boboshticës është bërë pa leje”, tha ai, ndërsa u angazhua se shumë shpejt do të ngrihet një grup pune për verifikimin e shkeljes dhe do të merren masat ligjore.

G. Shqip

Shqipja e sak@tuar e internetit

Ka lindur një gjuhë “misterioze”, një zhargon kompjuterik i të rinjve, i shpikur për të komunikuar mes tyre shpejt, shkurt e fshehtas. Ndaj, natyrshëm lind pyetja: Nëse e-mail-et zëvendësuan letrat dhe kartolinat e dikurshme, mos vallë, rrjetet sociale po zëvendësojnë e-mail-et...?

Për sa jetëgjatësia e njerëzimit thonë se është rritur, pse gjithë ky ngut për të përcjellë fjalë dhe emocione në një kohë sa më të shkurtër?
Kemi më pak kohë?
Jemi bërë përtacë?
Po gjuha, sa rrezikon ajo të gjymtohet në këtë proces të ethshëm komunikimi? 

Nëse gjithë kjo fugë është një trend bashkëkohor i paevitueshëm, mos vallë rilindasit ishin demodé dhe “mirupafshim”, “tungjatjeta”, “faleminderit” e “dakord” janë fjalë shumë të gjata e të shkuara kohe?!

Shumë kohë më parë, njerëzit, mbrëmjeve, rrinin të gjithë bashkë rreth tavolinës dhe bisedonin. Pastaj erdhi radioja dhe ata filluan të relaksoheshin duke e dëgjuar në kuzhinë (kështu i quanim ne dikur sallonet e ndenjes). Pastaj, në “sallonet” tona erdhi televizori, e pastaj video-regjistruesi. Çdo aparat i ri në jetët tona, kërkoi një vëmendje gjithmonë e më të madhe. Dhe në fund, na erdhi kompjuteri, ndjekur pas nga “i magjishmi” internet, dhe celulari. Gjithçka ndodhi kaq shpejt, duke u kthyer menjëherë në një domosdoshmëri, aq sa askush nuk e vuri re. Për dobinë e tyre të jashtëzakonshme në komunikimin dhe lidhjen mes njerëzve, nuk ka më asnjë dyshim. Përdoruesit e tyre i përkasin tashmë të gjithë grupmoshave e brezave të shoqërisë, të cilët, kush më shumë e kush më pak, shfrytëzojnë shërbimet që ata ofrojnë. Por, ajo që vihet re nga të gjithë është gjuha e përdorur, ngutja, minimizimi i gjithçkaje, kodifikimi i shprehjeve.

Për fanatikët e gjuhës dhe nostalgjikët e “kohëve të prekshme”, virtualiteti i sotshëm, me gjithë suportin që i jep lëvizjes së mendimit, po lë në harresë e gati po injoron shumë kulte e tradita, për të mos folur për rregulla e aksioma të shqipes së shkruar. Mosbesimi i tyre ndaj këtij realiteti virtual është gati-gati i njëjtë me ndjesinë që do të provonte një grek i lashtë, i projektuar në botën e sotshme.
Ndoshta jo të gjithë, por një pjesë e mirë, arrijnë t’i kujtojnë zhargonet e dikurshme, të përdorura si një trend midis adoleshentëve asokohe, më tepër për të “kamufluar” atë që thuhej. “ta-fa-ko-fo-he-fe-mi-fi te-fe ce-fe-pi-fi i-fi lu-fu-li-fi-shte-fes”. Kjo ishte të flisje me “F” dhe t’i thoshe atij/asaj: takohemi te cepi lulishtes.

Sot, në epokën e celularit, internetit dhe të rrjeteve sociale (Facebook, Twitter, Myspace, Skype, Messenger etj), zhargonet kanë ndryshuar, dhe shumë madje. Më tepër sesa për t’u kamufluar, ata vijnë në funksion të përcjelljes sa më shpejt të informacionit, si e si që ajo që shkruhet të asimilohet me të njëjtën shpejtësi që do të asimilohej një bisedë verbale, e, veç kësaj, në rastet e komunikimit me sms, për të thënë gjithçka që duam në limitin e 160 karaktereve (përfshi këtu dhe hapësirat midis fjalëve).
Në chat, sms dhe e-mail, sot, shkruhet njësoj siç edhe flitet. Me sigla, shkurtesa, akronime, zhargone, numra e shenja matematikore, që tentojnë të tregojnë emocione dhe gjendje shpirtërore. Duke qëndruar gjithmonë të mbërthyer pas këtyre dritareve virtuale. Gjithmonë përkrah “rrezikut” për t’i vënë komunikimit midis të rinjve një minus të madh, e duke shkuar pa u ndierë drejt një mutacioni të pakthyeshëm të shqipes së shkruar e njëkohësisht edhe asaj të folur prej tyre. Fare natyrshëm.  
Në të njëjtën mënyrë të pandjeshme që absolutisht të gjithë ne shkuam drejt “komoditetit” të të thënit OK (Okej), kur duhet të thoshim “Dakord”; Thnx (thenks), kur duhet të thoshim “Faleminderit”, apo Hi (haj) kur duhet të thoshim “Përshëndetje” dhe ciao (çao) kur duhet të thoshim “Mirupafshim”.

Quhet “Mail Time”, dhe është një kohë pa kohë. Në vorbullën e përshpejtuar bashkëkohore, jetojmë të rrethuar dhe të përfshirë në një rrjet me një shpejtësi të tillë, sa nuk mund të humbasim asnjë minutë. Ndoshta, të terrorizuar nga “horror-vakuumi” shkojmë deri aty sa ndihemi të obliguar të mbushim zbrazëtinë me aktivitete të tilla, të varur vetëm nga koha.
Specialistët e gjuhës mbështesin argumentin se me të vërtetë ka ndryshuar rrënjësisht marrëdhënia midis kohës dhe fjalës. Sipas tyre, tanimë, i mëshohet një komunikimi të çastit, pa ngritur pretendime të mëdha për memorien e gjithsecilit e aq më pak për bagazhin e tij letrar. Gjithsesi, të konsiderosh faktin që ky fenomen është duke shkatërruar gjuhën shqipe duke u shpërhapur si bakter në komunikimin e gjithsecilit prej nesh, është paksa e ekzagjeruar. Në fund të fundit, mund të zgjedhësh të mos e praktikosh, ose mund të zgjedhësh se kur dhe ku mund ta bësh këtë.
“Me thënë të drejtën shkurtimi i fjalëve nuk më shqetëson shumë, pasi angazhimi im mbetet gjithmonë ai që ka qenë: letrar, publicistik, në shqipërime. Këtu nuk e ndiej aspak nevojën ose dhe dyndjen e shkurtimeve si dukuri e ditës”, shpjegon publicisti Ardian Klosi, duke theksuar se kjo fushë, edhe në të ardhmen, nuk rrezikon se mund të bjerë nën sulmin e shkurtimeve ose reduktimeve formale. Në rastin e komunikimit të përditshëm elektronik e sidomos me anë të sms-ve, fenomeni bëhet deri diku i pranueshëm.

Fillimisht detyrohemi të shkurtojmë, pastaj e marrim si lojë dhe, natyrshëm, na pëlqen të shkurtojmë, por kjo jo gjithmonë na shkurton kohë, ndaj nuk është se “fajin” duhet t’ia vëmë gjithmonë kohës. “Sa herë na ndodh që i kthehemi një shkurtimi, e ndryshojmë sepse është i shëmtuar? Kështu, në fund, del që nuk kemi shkurtuar kohë.”, shton Klosi.
Në kohët e sotshme çdo kontakt në rrjetet sociale fillon me ASL-në, Age, Sex, Location; formula me të cilën starton një bisedë në rrjet për të njohur moshën, seksin dhe vendndodhjen e bashkëbiseduesit të ri. Pas këtyre “formaliteteve” vazhdohet përpara me furi fjalësh dhe frazash të shkurtuara. Ndodh në chat-room-et, “sallonet” virtuale moderne, ku biseda përdor një gjuhë të mëvetësishme. Me qëllim komunikimin në kohë reale përmes tastierës, për të rinjtë, e jo vetëm, është kthyer në obligim kursimi i fjalëve “të tepërta”. Të qenit “i shpejtë”, në këto lloj komunikimesh, më tepër se një këshillë, është një nevojë. Në këtë mënyrë, komunikimi tenton të thjeshtojë mesazhin përmes reduktimit të numrit të karaktereve. Këtu pastaj vjen në ndihmë mbështetja e padiskutueshme e anglishtes, që është edhe idioma më e përdorur e chat-uesve në të gjithë botën, e cila, duhet pranuar se gjithmonë ka propozuar zgjidhje, që janë asimiluar menjëherë nga gjuhët e tjera. Mjafton këtu të kujtojmë frazat e kontraktuara si smog = smoke + fog (mjegull + tym), motel = motor + hotel dhe brunch = breakfast + lunch (drekë + mëngjes).

Kësisoj, shkrimi i zakonshëm, e po ashtu edhe komunikimi i rrjedhshëm, është i privuar nga elementet thelbësorë të të folurit, si intonacioni, pauza, mimika, të cilat janë të pranishme në komunikimin verbal. Por, në linjat e chat-it, ashtu sikurse edhe në e-mail-et, bashkëjeton një përzierje e çuditshme midis të shkruarës dhe të folurës, me riprodhime të gjetura të gjuhës së folur e deri edhe të emocioneve, gjendjeve shpirtërore apo ekspresioneve të fytyrës që na shoqërojnë në të tilla raste. E duhet thënë se kjo ndodh në një masë të tepruar, pasi, të mos qenit ballë për ballë me bashkëbiseduesin, të çliron nga një seri kushtëzimesh që mund të limitonin ekspresivitetin e komunikimit me të. Është menduar për të gjitha. Kështu, nëse do të ngresh zërin, mjafton të shkruash me shkronja kapitale, ashtu sikurse mjafton të zgjaten zanoret apo bashkëtingëlloret e fjalëve për t’i mëshuar edhe më asaj që është duke u “thënë”.
Është një gjuhë e re, që shprehet me rregulla që shpesh bien ndesh me ato të gjuhëtarëve. Sipas tyre, të shkruarit e këtyre mesazheve, ka çuar në një rritje të gabimeve ortografike dhe në një abuzim të dukshëm me shenjat e pikësimit, të cilat, në vend të përdorimit të tyre të drejtë, vijnë në funksion të “vizatimit” të “fytyrave” që duhet të shprehin emocione. Shembujt vijnë të shumtë nga bota akademike. Një nga disiplinat më të reja që aplikohen në universitete është edhe “Shkrimi akademik”. Pedagogët e kësaj lënde tregojnë se edhe fjalët më të thjeshta shkruhen po njësoj sikurse edhe shqiptohen, dhe ç’është më e keqja, në shumë raste ata as nuk e dinë sesi është drejtshkrimi i tyre. Studentët shkruajnë “shpi” për të thënë “shtëpi” dhe as që e marrin mundimin ta korrigjojnë këtë, sepse “është e njëjta gjë dreqi e martë...!!!”
Jetojmë në kohë, kur janë të mjaftueshme vetëm pak shkronja për të dhënë një lajm apo për të shprehur një rrethanë. Dhe gjithmonë baza mbetet anglishtja, me anë të së cilës është kaluar nga klishe e formula të thjeshta si PLS (please) – të lutem, në kombinime më të artikuluara si LOL (Laughing Out Loud), për të shprehur një të qeshur të papërmbajtshme, një gajasje për të mbajtur barkun me dorë e për tu shtrirë përdhe. Gjithmonë me bazën tek anglishtja, ka edhe shkurtime të tjera që përdorin formula alfanumerike: 2DA për (today) – sot, B4 për (before) – më përpara, L8R për (later) – më vonë, K2 (këtu),
Edhe kur i kthehemi gjuhës mëmë, tolerantes gjuhës mëmë, veprohet po njësoj. Në kohët e network-ut, thuhet vër8 për “vërtetë”, 3gim për “tregim”, 2shim për “dyshim”, 7zënë për “shtatzënë”, çk3 për “çfarë ka të re?”, x ty për “për ty”, apo edhe më tej (të na falin të gjithë ata e duan shqipen dhe urrejnë banalitetet): ti t’i 10 numrat për “ti t’i dhjet numrat”. Gjithashtu, fjalëve u hiqen zanoret (shkruhet flm për “faleminderit”, nsr për “nesër”, nk për “nuk” etj.),SMS-të (Short Message Service), që po krijojnë në jetët tona një revolucion të vërtetë të komunikimit. Nevoja për të thënë shumë brenda limitit teknik të 160 karaktereve në dispozicion të një sms-je, ka shtrënguar edhe më drejt shkurtimit të fjalëve e shprehjeve të tëra, duke krijuar kështu një platformë të pafund akronimesh, nëse mund të quhen të tilla.
Të gjithëve na ka ndodhur, që, në mos i kemi shkruar vetë, na kanë ardhur mesazhe nëpër celularë, deshifrimi i të cilëve, çuditërisht, tani nuk përbën problem. KLM (kalofsh mirë) FLM (faleminderit) Përqafort (Të përqafoj fort) TUNG (tungjatjeta) TDSH (të dua shumë) MMSH (më mungon shumë), TKSHXH (të kam shumë xhan), TPF (të puth fort), ku e njëjta shprehje zëvendësohet edhe me puf/pufi, apo puc/puci, sikurse pacim, për “mirupafshim”; SPK (si po kalon); PRSH (përshëndetje), pa lënë këtu mënjanë përshëndetjet në anglishten bazike, mëmën e asaj që sot e quajmë GLOBISH (gjuha globale), si hi, hola, hello;
Por, përkrah një komunikimi të shpejtë dhe të menjëhershëm, ja ku vijnë edhe dorë për dore emocionet e gjithfarëllojshme, të kopsitura në pak shkronja, shenja pikësimi, apo simbole matematikore. Janë emoticon-et (emotion + icon) që tek ne quhen smile-t (nga anglishtja), ato që vijnë në ndihmë të përcjelljes së emocioneve dhe intonacionit që duam t’i japim asaj që jemi duke “thënë” shkruar. Pra, për të lënë të kuptohet në krahun tjetër nëse jemi duke bërë shaka, duke qeshur, duke qarë, të trishtuar, të irrituar, të habitur, nëse puthim, nëse kafshojmë, mendohemi, hutohemi etj, etj (e të tjera, e të tjera).
Duke parë ritmet galopane me të cilat po zhvillohet dhe pasurohet ky lloj zhargoni, vijmë në konkluzionin që, nëse nuk përpiqesh t’i mësosh dhe transkriptosh këto “hieroglife”, atëherë je i përjashtuar nga komunikimi i sotshëm virtual. Në funksion të sa më sipër, të rinjtë, kryesisht adoleshentët, mbështetësit kryesorë të këtij “evoluimi” të gjuhës insistojnë të shpjegojnë se të shkruarit në këtë mënyrë mund të kthehet, në fakt, në një aktivitet shumë argëtues, sepse t’i do rrish e vrasësh mendjen të bësh “zbulime”, “shpikje” të reja shkurtesash e akronimesh. Sipas tyre, “të shkruash me shkurtime e të krijosh me shenja emocione, të shtyn të jesh më kreativ, pra, një lloj loje që të çon në një rikuperim të gjuhës së shkruar në komunikimin ndërpersonal”.

Të përpiqesh të vlerësosh, sot, impaktin e këtij fenomeni në gjuhën e shkruar, atë të folur dhe raportet ndërpersonale, është ndoshta e herët, por realiteti është që një botë e re komunikimi ka lindur dhe po zhvillohet. Të bëhesh pjesë e saj, apo ta refuzosh, mbetet gjithmonë një çështje zgjedhjeje.

Nga Gladiola Bendaj
Marrë nga Revista MAPO