Monday, April 11, 2011

Në IRJM shqiptarët kanë më shumë xhami se shkolla


Sipas të dhënave të pohuara nga OJQ-ja "Bashkësia Fetare Islame", në IRJM numri i xhamive të kësaj OJQ-je kalon 650 syresh dhe tendenca është në rritje me 3-4 xhami të reja për muaj.
Ndërkohë duke parë të dhënat e shtypit për arsimin shqip në IRJM, rezulton se ka 53 objekte shkollore të arsimit fillor vetëm shqip (nga 356 gjithsej) dhe 36 objekte shkollore arsimit të mesëm vetëm shqip (nga 133 gjithsej) duke lënë jashtë këtu paralelet që janë të përfshira në objekte sllave dhe tendenca është në rënie, ku ka pasur dhe djegie të objekteve.

Në dritë të këtyre vihet re se ndërtimi i shkollave shqipe në IRJM has në pengesa nga më të ndryshmet që fillojnë nga zvarritja ose mosdhënia e lejeve, te vendosja larg qendrave të banuara, te mospagesa e mësueve shqiptarë, te devijimi i nxënësve shqiptarë në shkolla sllave, te mungesa e fondeve, te presioni institucional, policor etj.

Por krejt e kundërta ndodh me ndërtimin e xhamive, të cilat "si për çudi" lejohen të ndërtohen lirisht, madje financohen plot bujari nga të gjitha palët.
Me një shikim të parë vërejmë se ka një ndarje në faktorë të brendshëm dhe të jashtëm që sjellin 650 xhami arabe përkundër 89 shkollave shqipe. Te faktorët e jashtëm janë natyrisht regjimi pushtues sllav, Turqia, Arabia, Serbia dhe misionet ndërkombëtare. Por ajo që na intereson këtu janë faktorët e brendshëm.

Faktorët e brendshëm ndahen në dy kategori, sipas ndarjes në zona:

1. Mosinteresimi total i qeverive shqiptare të Zonës 1 për arsimin shqip në Zonën 2.
2. Shqiptarët e Zonës 2 kanë financuar dhe vazhdojnë të financojnë ngritjen e xhamive dhe nuk financojnë ngritjen e shkollave shqipe (të cilat presin t'i financojë regjimi pushtues, që është absurde).

Këto janë dy të vërtetat që përbëjnë probleme madhore që askush nuk i përmend dhe që gjithkush mendon se do të zgjidhen vetë.

Mesdimr, Vargmal

Rend or rend...


Unë zakonisht eci në këmbë, nuk para më pëlqejnë mjetet e transportit.
Natyrisht më ka rastisur të eci nëpër qytet edhe ditë festash e veçanërisht ditët e festave kombëtare.

Kam parë nëpër bulevard ndonjë flamur tek-tuk, kam parë njerëz të vijnë vërdallë, por gjithsesi jo ndonjë entuziazëm të madh, veç entuziazmit të të pasurit nja dy ditë pushim.

Vazhdoj të mos i preferoj mjetet e transportit, sidomos tani në pranverë. Marr këmbët në dorë - si i thonë një shprehjeje dhe shëtis. E shoh flamuj…!!
Flamuj kudo, në çdo cep, çdo kënd, çdo rrugë, në çdo shtyllë, madje edhe në ato ku mungon drita. Nuk kam pse shkoj deri në bulevard për të parë flamuj me ngjyra, mjafton të bëj një hap tek dalja e pallatit.
Si ka mundësi?
Eshtë festë, është fushatë!!

Dhe ua kam fjalën tek flamujt, sa shumë valëviten. Shumë më tepër nga ç’valëviten edhe ata të nëntorit!!

Po normale…janë të pacipë, nuk rëndon mbi ta asgjë, aq më pak gjak heronjsh, siç rëndon mbi flamujt e nëntorit.

Por sa valëviten këta flamuj sot… Në makina e fugona, tek targat, antenat e tek xhamat. Kanë imunitet.
I sjell vërdallë nëpër ajër forca e frikshme e hipokrizisë, e mashtrimit. Për një moment më duket sikur valëviten aq shumë sa kam frikën e shtyllave të porsavëna të dritave në trotuar!! Më lodhet qafa tek i shoh nëpër shtylla ndaj ul pak kokën…dhe prapë flamuj që valëviten! I mbajnë në dorë ‘shtyllat’ njerëzore!!
…Jepi, mere një dhe ti. Bashkohu me turmën,pse jo?
Dil në shesh, pas pak do fillojë të flasë ‘ai’ I flamurit! Ka shumë për të të thënë në këtë fushatë të re me zakone të vjetra.
Vrapo ta dëgjosh!!! Brohorit fort, me ‘urraaaa’ të zgjatura, bërtit me sa ke në kokë për çdo mashtrim të ri. Rend ore Rend...
Në çdo bashki a komunë të harruar, ku paria me 500 automjete luksoze vjen të të marrë votën.
Ja dëgjoje, mashtron shumë më bindshëm se herën e fundit..për ty të paktën!! Uau,sa bukur ë?? Të pëlqen?? Një ‘urraaaa’ tjetër, doza e hipokrizisë u shtua.
Çfarë atmosfere!!!
Jeni aty të dy, mashtruesi dhe I mashtruari!! Vetëm ju në fakt mund ta kuptoni adrenalinën që ekziston në atë shesh! Vazhdo, bërtit…KUJDES! FLAMURIN!! Mbaje lart,valëvite fort! Çirru!!!

Po më flet? Bërtit pak, çfare po më thua? ….Je i trashë? Mëndjengushtë? Gënjehesh me pak? S’ke çfarë?? …ë, në rregull ,quhet vizion…Pra, s’ke vizion??? Dhe ende më pyet a je i duhuri për të valëvitur flamurin në shesh???
PO TI JE I DUHURI!!
Ata ty të kanë kërkuar e të kërkojnë vazhdimisht!!
S’mund të gjenin valëvitës më të përshtatshëm. Jepi…flamurin lart, valëvite derisa të mpihesh, ulërit derisa të ngjiresh! Sot ai flamur të jep nder, të jep emrin MILITANT, zemrën ai ta gaton, plot me urrejtje e zjarr!!
Ti nuk i ke në xhep aq para sa ka kushtuar flamuri që mban mbi duar, fëmija yt nuk i ka ngrënë aq lekë çokollata këtë vit, por ti mos u mërzit. Ti mbaje flamurin lart, shpërndahu rrugëve e rrugicave të Shqipërisë për të përhapur lajmin e fitores mbi hordhitë shqiptare. Ulërit për hajdutin tënd të preferuar, shaje me libër shtëpie armikun politik. Sa më shumë të shash në publik, aq më të mëdhaja bëhen shancet (që në mos të dhënçin një vend pune,) një thes miell ta fitosh.


Po mashtrohesh për kushedi të satën herë, por sot je edhe më i lumtur, je i paarritshëm, je unik…
TI JE MILITANT!
Shkroi: Anisa Kushta
Red. (Stop Injorancës) 

Plani për “turqizimin” e Prizrenit


Frika se mos po humbin dhe po asimilohen si komunitet, turqit e Kosovës në fillim të procesit të regjistrimit të popullsisë kanë përdorur edhe rrugë joligjore për qëllim që përqindja e këtij komunitetit të rritet dhe të jetë shumë më e madhe sesa në fakt ekziston.

E tëra ka ngjarë në Prizren, vend në të cilin komuniteti turk është më i pranishëm, madhe edhe gjuha turke është mjaft e përdorur edhe nga ata që e cilësojnë vetën kosovarë apo pjesë e komuniteteve të tjerë.

Nën organizimin e Degës së Partisë Demokratike Turke të Kosovës (KDTP) në Prizren në krye me Xhemail Lumën dhe me përkrahjen e nënkryetarit të komunës së Prizrenit, Orhan Lopar, sipas burimeve të gazetës Zëri, dy ditë parë nisjes së regjistrimit, janë hapur tri zyra “për të informuar popullatën se si të bëhet regjistrimi”.

Zyrat të cilat janë hapur në lagjen Kurillë, Terzi Mahallë dhe Ortakollë të Prizrenit, sipas burimeve të gazetës, kanë pasur të angazhohen punonjës të cilët kanë pasur obligim që të inkurajojnë popullatën për t’u regjistruar si turk dhe të mos e humbin identitetin, madje edhe të bindin persona të komuniteteve.


Por, e gjithë kjo nismë, që për qëllim ka pasur rritjen e shifrës zyrtare të turqve në Kosovë, është penguar nga policia. 



 
/Telegrafi/

SHQIPTARI I VOGEL FITON OLIMPIADEN KOMBETARE TE MATEMATIKES NE BRITANINE E MADHE


Ai eshte vetem 11 vjec, e quajne Mattheu WRIGHT, shume krenar per origjinen angleze te familjes se babait …po aq sa krenar me familjen shqiptare te nenes se tij ku cdo vere kalon nje pjese te pushimeve.
Ndersa prinderit projektojne per te shkolla me emra prestigjioze dhe punera me pergjgjesi…endrra e tij e sotme eshte e thjeshte : pasi te perfundoje studimet te kthehet e te jape mesim ne kolegjin e femijersie St Christopher ne Stavertown! Ne nentor te vitit te kaluar, ai meritoj vemendjen dhe komplimentet e shtypit britanik qe e cilesonte nder te tjera si” shpresa” e UK.

Ai provoi talentin e tij, duke fituar medaljen e argjende ne olimpiaden kombetare te matematikes ne Angli .
Ne kete olimpiade morren pjese mbi 84 mije nxenes nga e gjithe Anglia! Ne perfundim te provimeve, shqiptari i vogel me origjine nga nje qyteze naftetaresh u rendit nga me te miret e moshes se tij ne te gjithe Angline.


I kursyer ne fjale, Mattheu ia dedikon kete medalje prinderve te tij dhe gjyshes aristokrate.

G. Tema

“Premtoj, premtoj, premtoj, se ….”


Premtimet elektorale në prag fushate janë shprehje e koncentruar e idesë se komikja dhe tragjikja ndahen nga një fije peri. Individualizimi i skajshëm i fushatës, gjasme për të qenë afër halleve të secilit qyetetar, krijon situata qesharake, skenari i të cilave në një thjeshtëzim të kollajshëm është: qytetari thotë një hall, kandidati premton zgjidhjen, e cila do të vijë me të fituar ai zgjedhjet dhe pastaj, pas fushate, të dy harrojnë edhe hallin, edhe premtimin. 
Kjo dukuri, e që këtu fillon tragjizmi (sapo e konsiderojmë dukuri e jo rast), ka një sërë rrjedhojash, të cilat prodhohen prej saj, por ndërkaq riprodhojnë dukurinë në fjalë. 

Së pari, boshësia fare e dukshme e premtimeve elektorale është e pakuptueshme vetëm në kohë fushate, kur njerëzit kanë një shpërthim hormonal të papritur. Sidomos në këtë fushatë, kjo ndihmohet edhe nga afrimi i pranverës, e cila çoç ndikon në çlirimin e libidos dhe i bën njerëzit më euforikë dhe pasionantë.

Në cilëndo pjesë tjetër të 4-vjetëshit, çdokush e kupton lehtë boshësinë e premtimeve dhe, sipas rastit, qesh ose irritohet me euforinë e pajustifikuar që pat’ përgjatë fushatës. Mungesa e programeve politike dhe mosgarantimi faktik dhe konkret i realizimit të premtimeve sjellin rritje të papërgjegjshmërisë së kandidatëve, të cilët bëjnë të njëjtat premtime si paraardhësit dhe si kanditati kundërshtar(!) dhe pas periudhës të eksitimit elektoral, askush s’kujtohet më për to.

As arkivi i mediave. S’para merret kush me lajmet e vjetra. Qyetetarët në fushatën e ardhshme do të rieuforizohen dhe pakkush do të kujtojë mosmbajtjen e premtimeve të dikurshme. Bombardimi i ditëpërditëshmërisë pak na lejon të merremi me kujtimet.


Duke qenë se premtimet elektorale janë të pashkruara dhe fare jo konkrete, bashkë me rritjen e papërgjegjshmërisë së kandidatëve, ulet mundësia e llogarikërkesës. Tërë kjo zallamahi përsëritet e përsëritet çdo 4 vjet; në fakt më shpesh meqë kemi dy palë zgjedhje, dhe tani është bërë procedurw e zakontë, me të cilën askush nuk habitet më thellësisht. Aq sa kur të ndodhë – nëse ndodh - që ndonjë ditë të shkruhet një program politik, ne do të gjendemi aq të papërgatitur sa do të na krijohet një mungesë e simuluar e premtimeve të fryra; boshe dhe gënjeshtare po se po, por gjithsesi joshëse. 

Së dyti, individualizimi i fushatës, takimi kokë më kokë me njerëzit, pavarësisht se në pamje të parë mund të merret si shenjë përkujdesjeje e drejtpërdrejtë e kandidatit për qytetarin/ fshatarin, e politikës për vulgun, është në fakt një kërcënim i hapur për zhdukjen e Publikes. Sensi komunitar gllabërohet nga privatja, madje nga privatja e tkurrur deri në intime, duke u injoruar fakti se komuniteti është kusht ekzistence për privaten dhe jo anasjelltas, meqë është e Tëra ajo që përmban pjesën. “Individi” bëhet i paaftë për të tejkaluar imediaten dhe për të zgjatuar vetjaken. Publikja rresht së qëni (e rëndësishme) sepse “individi” konsiderohet i vetëmjaftueshëm dhe i aktualizuar dhe kërkon prej kanditatëve premtime që e prekin drejtpërsëdrejti ose/dhe ekskluzivisht atë. 

Së treti, ngjashmëria, për të mos thënë njëjtësia e premtimeve elektorale të dhjetra ofertave politike (ose të paktën partiake) që ka në vendin tonë, pamundëson prezantimin e tyre si alternativa të dallueshme (cilësisht) nga njëra-tjetra. E ashtuquajtura meta-ideologji, që parakupton fundin e ideologjive, të paktën në kuptimin klasik të tyre, ka prirje moniste të homogjenizojë shumësinë e dallimeve djathtas-majtas, konservator-liberal etje. Një justifikim që përkrah aideologjizimin në Shqipëri është ai, sipas të cilit, shqiptarët paskërkan të njëjtat halle dhe Shqipëria ka aq probleme sa nuk është çasti për t’u marrë me “detaje ideologjike”. Në fakt, kjo anomali bartet pikërisht nga handikapi i madh, sipas të cilit, në vend që votuesi të gjejë interesat e tij të projektuara tek një parti e caktuar, ia nënshtron kësaj të fundit formulimin e interesave të veta. Votuesi rresht së qeni subjekt veprues.


Një tjetër justifikim naiv është ai sipas të cilit ideologjitë na qenkërkan të dala mode, dhe falë “shenjtërisë” së rrugës të tretë, në kushtet mulikulturore, relativiste, globaliste, postmoderniste, ..iste..iste, tani është një kohë tjetër, prandaj duhet të lemë pas donkishotizma të tillë si ideologjitë. Nëse pretendohet kjo, që është zhdukur “logosi i ideo-së”, pra shkenca e ideve, atëherë duhet të konsiderojmë seriozisht Fukuyama-n. Mund të dakordohemi në pikën që edhe ideologjitë i nënshtrohen ndryshimeve konktekstuale, por në vend që të shpallim vdekjen e tyre, do të ishte me vend të kuptonim se si mund të riformulohen në mënyrë që të jenë gjegjëse me realitetin dhe gjithëpokaq strukturuese të tij.

Kërcënimi që vjen nga spektakolarizimi i politikes, (premtime qesharake, akuza, kundërakuza, kundërkundërakuza) e cila tanimë formësohet si vetëm mediatike, është më serioz nga sa duket, pasiqë prodhon apolitizim të njerëzve. Jo antipolitizim.
Antipolitizimi do të qe i respektuar, meqë nënkupton kundër-reagim të vullnetshëm dhe në një kuptim është gjithëpoaq politik, kurse apolitizimi jo. Apolitizimi ka të bëjë me mungesën, jo me kundërvënien. Është tashmë mit ideja se shqiptarët janë tepër shumë të politizuar meqë flasin ngado për politikë.
Thua të jetë e vërtetë kjo?
Bash e kundërta është e vërtetë: ne nuk merremi fare me politikë. Partitizimi duhet dalluar qartë nga politizimi, madje mosdallimi a më keq barazitimi i tyre është simptoma më domethënëse e apolitizimit të shqiptarëve, të cilët zhvishen nga Politikja dhe humbasin një nga specifikat-kusht të Njerëzores. Nëse i qëndrojmë besnikë Aristotelit, sipas të cilit “njeriu është kafshë politike”, rreziku është i qartë.
Duke i hequr politiken, njeriu nuk mbetet më as njeri. 


Jona Mersuli: respublica.al

Friday, April 8, 2011

Puthja e parë s'harrohet...

Kisha parë shumë filma, në ato rastet kur prindërit nuk ndodheshin në shtëpi, për të ndërrruar kanalin, në çastin kur personazhet kryesore të filmave, putheshin. Dukej aq bukur, çfti qëndronte symbyllur, muzika në sfond shpeshherë epshndjellëse, psherëtimat joshëse...

Më kishin puthur gjyshet e gjyshërit nga 4 herë në të dyja faqet, prindërit kur ishin në humor ndonjëherë, por kurrë nuk kisha provuar atë puthjen e ndaluar, puthjen buzë më buzë. Puthjen që dukej aq magjike, aq intime dhe e arritshme, vetëm për të rriturit.


Ndonjëherë edhe kisha tentuar të puth tek shkallet e pallatit, diku si padashje e diku si me sforco, ndonjë çupkëz, por nuk ishte kjo shije që më joshte. Kërkoja atë puthjen me pasion, atë puthjen me miratim të dyanëshëm. Atë puthje për të cilën edhe pse vetëm duke e imagjinuar, të rrihte zemra fort, shumë më fort se pas një sprinti kur nga pas të vihej ndonje i rritur që kërkonte të të rrihte, apo ndonjë fshatar që kërkonte të të ndëshkonte për ndonjë frut apo perim që i kishe vjedhur...



Kisha parë se kur çiftet putheshin nëpër filma, (sepse prindërit mund të ziheshin e griheshin në sytë tanë, por për të shprehur dashuri, ishte tmerrësisht e ndaluar, e dëmshme dhe e tuprshme përballë fëmijëve) se gjatë puthjes përdorej edhe gjuha, edhe dhëmbët, por se si dreqin perdoreshin nuk e kisha aspak idenë.

Kisha provuar gjithashtu të kap me gjuhë një kumbull të thartë jeshile në një filxhan çaji dhe e kisha praktikuar shpeshherë, po se sa do të më ndihmonte kjo praktikë, nuk e dija.
Ajo që dija ishte se e dëshiroja shumë këtë puthje, aq shumë më intrigonte saqë nuk kishte fare rëndësi se kush do të ishte vajza që do ma jepte këtë mundësi, dashuroja puthjen mbi të gjitha...

Dhe ja një ditë të vonë, prej ditësh të shumë pritura, rasti trokiti në derën time, që qëndronte hapur prej kohësh. U takuam pasdite, ishim vetëm ne të dy që rrotulloheshim rreth një peme dhjetra vjecare mes një pylli të vogël. Ajo fliste dhe unë e dëgjoja, por nuk kuptoja asgjë. Isha tërësisht i fantaksuar tek buzët e saj, ashtu si çdo mashkull i rritur magnetizon sot sytë 1-2 pëllëmbë më poshtë...
Mendoja e shtrydhja veten se çfarë loje mund të shpikja apo te krijoja që të afrohesha për tek buzët e saj. Me siguri isha aq lehtësisht i lexueshëm e transparent, sa ajo kur flite buzët i mbante gjatë gjithë kohës mbyllur, saqë dukej edhe shëmtuar. Zemra po më dilte vendit dhe unë përpiqesha më kot t'a mbaja frymën. Fluturat më fluturonin në bark e përcillesha lehtazi, sa herë i shmangesha shikimit të saj.
Në kokë më përplaseshin qindra mendime në sekondë. Njëri prej tyre më quante të paaftë, tjetri më shtynte ti hidhesha përpjetë, një tjetër më nxiste të tërhiqesha fare dhe keshtu unë i dëgjoja të gjithë me rradhë.
Këpus një gjethe dhe e shtrëngoj me dhëmbë duke e ftuar shoqen e pasdites ta tërhiqte nëse mundej me gojën e saj.
Ajo afrohet ngadalë duke qeshur dhe në çastin kur hapa buzët për ta puthur ajo afrohet nxitimthi e ma shkëput gjethen prej gojes. Mirë puthjen që nuk ia mora, por edhe rrengun gjethe ma rrëmbeu...

Mesa duket, në mes të atij pylli, unë isha krijesa e vetme që nuk e kisha kuptuar, se ajo e priste atë puthje prej meje. Madje edhe pemët më dukeshin sikur qeshnin me mua...
-"A do të me puthesh?
- Po ti nuk di te puthesh...!
- Kush unë, unë jam ekspert - i them dhe i hidhem përballe gjithë vrull, me sytë mbyllur dhe krahët hapur, si nëpër filmat e të rriturve.
Herën e parë u degjua një e kërcitur, si e një kërcelli te thyer peme, kur thyen qetësinë e natës, Ishin dhëmbët tanë të parë, që u përplasën ballë për ballë. Një çast shtangem, pastaj mbyll sytë përsëri dhe tentova të fshihja ku të mundja, dhëmbët. Buzët e saj të holla dhe te miat mbyllur si mbulesë e dhëmbëve, krijuan një takim si i dy fijesh makaronash, por u puthëm.

Në çast kujtoj puthjen franceze dhe hidhem në sulm sërish. Gjuha ime preku një push të lehtë të faqes së saj, në një pamje si të lopës kur fërkon shpinën e saj me gjuhë. Ishte kaq i shpifur ky mosakordim përmes emocionesh, sa nuk guxuam më tej. U kapëm për duarsh dhe u ndjeva më i qetë. Më vinte turp e më përzihej me krenari. Shokët e mi ndoshta ishin duke luajtur ende tek lagja dhe unë sapo kisha shkëmbyer puthjen time të parë. Kisha dëgjuar nga të rriturit se puthja e parë nuk harrohet dhe me vjen shumë keq, që edhe pse sot kam puthur aq shumë e ku e ku më bukur, është pikërisht kjo puthje, që mbetet në kujtesën time.

E di ndokush sekretin, se si harrohet puthja e parë?
Shkroi: Stop Injorancës http://www.facebook.com/NdalPaditurise2

Shteti u krijua të komandohet nga populli, apo të komandojë popullin!?

Dikur njerëzit nuk kishin shtet, nuk kishin qeveri, nuk kishin burokraci, burokrat, dhe as demokrat.

Një ditë këta njerëz donin të bënin një rrugë, një urë, dhe një vend ku të mblidheshin e bisedonin për problemet e tyre. Për realizimin e saj, secili prej tyre vuri në dispozicion një shumë që u caktua sipas fitimeve dhe mundësisë së secilit.
Pastaj caktuan disa prej tyre që të përdornin këto të ardhura për realizimin e këtij projekti. Projekti u realizua me sukses dhe ata panë se të gjithë së bashku mund të bënin shumë gjëra të mira kështu që vendosën ta vazhdojnë këtë praktikë me projekte të tjera që i propozonin gjithmonë ata.



Por ç'ndodhi?
Projekti i fundit ngeli në mes sepse u mbaruan fondet kështu që ata u mblodhën dhe verifikuan nëse kishin fonde për ta vazhduar atë vit apo vitin tjetër dhe meqë fonde nuk kishin e lanë për vitin tjetër. Por ndërkohë ju doli një problem tjetër, ai me njerëzit që merreshin me realizimin e këtyre projekteve të cilët ngelen pa punë dhe pa të ardhura, për të punuar nuk kishte më kohë as për të mbjellë e as për të korrur kështu që vendosën të paguanin secili një taksë për rrogën e tyre.
Dhe që nga ajo ditë lindi shteti i vogël, lindi burokrati, burokracia, dhe zanati që paguhet pa punuar ose më mirë të themi që për ta paguajnë ata që punojnë në prodhim.

Sepse vërtetë që zyrtarët punojnë, por ajo punë nuk prodhon asgjë, pra nuk nxjerr të mira materiale, por merr prej tyre. Sa më shumë shtoheshin projektet aq më shumë shtoheshin edhe ata që nuk punonin dhe për të jetuar ata filluan t'i vinin vetë taksa popullit, filluan të bënin vetë projektet, të krijonin policinë, ushtrinë etj, pra një shtet në kuptimin e plotë të fjalës dhe për ta mbajtur gjithë këtë ushtri të papunësh shumëfishuan taksat e atyre që punojnë duke ulur ndjeshëm fitimin e tyre.
Në këtë kohë nuk ishin njerëzit e punës pra taksapaguesit që merrnin vendime për projekte por shteti, pra individi u zhvesh nga roli i tij kryesor si motor i shoqërisë dhe u kthye thjesht në një transmision sidomos në sistemin komunist dhe fashist ai humbi edhe vlerën e të qenit njeri që mendon, dhe u kthye në atë njeri që vetëm zbaton.
Këta njerëz që sot rrinë me kravata e xhaketa, kanë krijuar grupime që i quajnë Parti dhe i vënë nga pas disa emra të bukur për të gënjyer ata që punojnë, popullin e thjeshtë, se ata janë në atë detyrë pikërisht për ta pra për të zbatuar projekte të mëdha në të mirën e të gjithëve. Dhe një herë në katër vjet ju kërkojnë që të votojnë për ta.

Problemi këtu qëndron se sot në çdo komb ka brenda tij dy popuj, një që punon gjithë ditën dhe një që rri gjithë ditën në karrige.
Dhe problemi më i madh për të gjithë është se ata që rrinë e hanë në kurriz të atyre që punojnë janë më shumë dhe shfrytëzojnë akoma më shumë atë popull që ka ngelur duke punuar. Rrinë nëpër zyra e nxjerrin ligje çdo ditë si të vjelin më shumë popullin. Midis këtyre dy lloj popujsh nuk do të ketë kurrë barazi sociale, ligjore, pushtetore etj., e si rrjedhim as demokraci.
Mënyra e vetme është shkatërrimi i kësaj forme shtetërore, dhe ngritja e një shteti më të thjeshtë nga ana strukturale qendrore duke i çuar të gjithë të tjerët të punojnë për të prodhuar.
Shkrirja e çdo lloj grupimi partiak duke mos i votuar më. Dhe ngritja e një sistemi jo partiak për rregullimin dhe përparimin e shoqërisë.  

Sepse të gjitha grupimet partiake në të gjithë botën qëllimin kryesor kanë ekzistencën e tyre dhe jo atë të popullit, sepse e dinë që populli do jetë gjithmonë kurse ata jo nëse nuk kujdesen për vete në radhë të parë.
Por, neve, popullit kjo gjë nuk na intereson dhe dëshirojmë t'i shohim të gjithë me kazmë e lopatë në dorë, por që nuk arrijmë ta bëjmë dot sepse ata kanë në dorë edhe gurin edhe arrën për momentin. Kjo kontradiktë është një nga shkaqet kryesore të krizës botërore dhe kjo krizë do thellohet më tej nëse kjo kontradiktë nuk shuhet. Dhe meqenëse ata vetë nuk e kuptojnë dhe kur e kuptojnë nuk duan ta shuajnë paqësisht mund të ketë edhe trazira sociale. Ose më mirë të them që brenda një kohe të shkurtër, kjo kontradiktë do përfshijë gjithë shoqërinë dhe shtetet sepse do krijohen kushte sociale shumë të vështira për popullin. Si përfundim mund të them se populli e krijoi shtetin që ta komandoj ai vetë për interes të tij, ndërsa tani shteti komandon popullin për interes të tij.

Shteti është diçka abstrakte, por i përbërë nga njerëz konkret që i përmenda më lart dhe që kanë interesa të ndryshme nga ato të popullit. Kjo nuk vlen vetëm për popullin dhe shtetin tonë, por për çdo popull dhe shtet.

G. Sot, Faik Krasniqi

Krim te kodra e Rilindasve

E pikëllueshme dhe e pabesueshme - përdhunim në Gjinokastër mbi varret e atdhetarëve të shquar! Kodrën e Rilindasve ku ata preheshin të qetë dikush e ktheu në ‘kodrën e turpit’! Edhe më e pikëllueshme - kjo të ndodhë në kohën e ‘demokracisë’ e të lirisë!
Vendin aq të nderuar e sheh si pas një katrahure lufte, e thua kanë rizbritur hunët e lashtë! Por dhe barbarët mesa dimë vranë popuj mbi tokë e s’u morën me të vdekur nën tokë. Aq më tepër, të dhunosh heronjtë e tu të ndritur që të dhanë lirinë. «Populli që vret të parët e tij është i paracaktuar të zhduket» thotë Balzaku. La Martini plotëson: «Atdheu është krijuar nga hiri i të rënëve»…

Atdheun ne e kemi nga ai ‘hir martirësh’ te Kodra e Rilindasve e nga tërë heronjtë ku ka Shqipëri. T’u prishësh e t’u hapësh varret atyre ke hapur varrin e kombit tënd, i ke hapur gropën të ardhmes sate si shqiptar. Kurse kjo gjëmë marrëzie ka ndodhur në Gjinokastër, kryqendra zonjë e Labërisë, qyteti ku harmonizohet aq fisnikërisht atdhetarizmi, trimëria e mençuria.
Varri i Çercizit dhe kater Rilindasve (Arkivi i Revistes MAPO)
Ndjej dhe më tepër dhimbje nga larg qytetit tim aq të dashur kur kujtoj tim atë, ndjesë pastë që merrte përdore dy nipërit e vegjël i çonte gjer lart te Kodra me Rilindas e u thoshte:
«Ky këtu, ka thënë ‘Ku kemi lerë, ku na bëjnë nderë? Në Shqipëri’.
Ky këtu thoshte ‘Gjuha jonë sa e mirë, sa e ëmbël, sa e gjerë’
Ky këtu i ka dhënë emrin shkollës suaj ‘Koto Hoxhi’.
Ky këtu ngrinte koburen në ajër e thirrte ta dëgjonit dhe ju ‘Shtiva shtatë e vrava tetë… pam-pam-pam’ mbi armiqtë që ju të gëzoni të lirë»…
Dhe gjyshi qeshte si fëmijë tok me ta. Tek i dëgjonte, mbi Kodrën e Rilindasve dielli qe më i bukur se mbi çdo vend tjetër të qytetit… Sot aty çdo gjë u është kthyer përmbys. Eshtrat lëvizur nga vendi i thonë njera tjetrës «Ngrihi o të vdekur t’u vijmë në ndihmë të gjallëve se kanë vdekur para nesh»! 

Ato pesë figura të çmuara lart nuk janë masakruar si njerëz të zakontë por si shqiptarë të shquar (ndryshe do trazoheshin varret e thjeshtë poshtë buzë xhadesë). Bashkë me ta vrasësit kanë masakruar dhe shqiponjën sipër tyre, i kanë prerë kokë e krahë, ngjashëm me prerjen e Shqipërisë si komb. Ata që e kanë bërë këtë gjë, gjer shkatërrimin e Shqiponjës, sigurisht nuk janë shqiptarë; janë armiq të Shqipërisë a vegla të tyre. Nëse do t’i kërkoni, pyesni veten se cilët janë të interesuar sot për të shuar gjurmët e ndritura të Shqipërisë brenda Shqipërisë!

Ata ‘poshtë’ për vite të tëra bënin gjumë të qetë tek ndjenin se shqiponja e tyre në krye u pëshpëriste vargjet e Naimit: «Ti Shqipëri më ep nderë…» e Koto Hoxhi u kish kënduar aq bukur frashërllinjve: «Tre vëllezër prej ari…»!

Tani atij i prishet varri në mes të qytetit!
As atyre s’u besohet, dhe të hapur e të gjymtuar në truallin e tyre po rrinë të hutuar midis vdekjes e jetës: Për këta njerëz e shkrimë jetën!? Mirë i ligu, bën punën e tij, po të tjerët!?...
Më tepër se plagët që morën përsëgjalli nga armiqtë u dhëmb braktisja e eshtrave mes popullit të tyre! Shqiptari varret, të kujtdo qofshin, i ka të shenjta. Prekja e tyre është si prekja e Zotit - lëndim i shpirtrave të Perëndisë.  
Shqiptari në zakon nuk ka prekur as varrin e Sulltan Muratit në Fushë Kosovë, as të Ballaban Pashës në Petrelë; as të pushtuesve fashistë e të grekëve shovinistë. Me armiqtë është marrë me dinjitet sa qenë gjallë, kurse trupat në varr ua ka lënë të qeta (me shpirtin apo gjyqin e tyre pas vdekjes merret Perëndia).
Trazimi i gjumit të varreve bëhet qetësisht prej vandalëve modernë, prej atyre që kanë bërë aq të zeza sa kanë frikë edhe prej të vdekurve. Rastet rrotull nesh janë përmendur.
Shkrimtari amerikan Fred Rid thotë se mbi varret izraelitë në Selanik shteti grek ka ndërtuar Universitetin dhe studentët venë në leksione diturie duke shkelur mbi eshtra. Aristidh Kola thotë se në vitet 1980 zyrtarët grekë në Selanik i zhdukën varret e shqiptarëve për të mos rënë erë ‘Shqipëri’ gjëkund.
Në Paramithi publicisti Sali Bollati kërkoi varret e të parëve, por mbi varret çame kishin ngritur fushë basketi e luanin me top si duke luajtur gëzueshëm me kafka shqiptarësh të vdekur! Studjuesi i nderuar Mexhit Kokalari shkruan se kërkoi në Gjinokastër varret e të parëve, e ato qenë shkulur se do ngrihej Konsullata e re e fqinjit! Dihen më tej, dhunimet e varreve shqiptare në Kosinë të Përmetit, të Boboshticës duke i kthyer eshtrat shqiptare në ‘ushtarë grekë’ apo duke i flakur ndër hendekë…
Në këtë logjikë si gjëkund tjetër përfshihen dhe varret e shqiptarëve të shquar ulur te Kodra e Rilindasve si në prehër të Diellit të vendlindjes. Ata do besonin më shumë se mund të prishej dielli lart se sa t’u prisheshin varret mes njerëzve të tyre!
Çfarë ‘borxhi’ duhej të lanin për këtë dhunim!?
Nëse ju ka mbetur ende për të bërë për Atdheun, ata do ngriheshin vetë të gjallë, pa pritur që t’i lëviznin të vdekur! Bajo Topullit s’i zunë këmbët dhè brenda e jashtë Atdheut për të bashkuar shqiptarët në udhën e lirisë. Fjala e tij e zjarrtë dhe e urtë ngrinte kombin më këmbë. U shkri i tëri e mbeti vetëm frymë në këngë… dhe atë që iu bë eshtrave të tij në qytetin e lindjes s’e mendonte as nga armiqtë! Çerçizi pushonte në krah të vëllait të madh si pushka pranë penës. E vranë në pabesi sllavët në Veri. Ia prunë eshtrat në vendlindje dhe i ngritën Monument. Ushtarët grekë që pushtuan Gjinokastrën më 1940 e qëlluan te monumenti në bronz duke e vrarë dhe të vdekur për t’u siguruar mirë që arma e tij s’do ngjallej më. Ai s’lëvizi e dorën e mbajti prapë te koburja në brez, për t’u thënë bashkëqytetarëve se mbetej i gjallë, kurse brima te kofsha e statujës u kujtonte se armiku mbetet ende gjallë…
Dhe gjetën kohën, i prishën varrin. Ai tërë merakun e kish për të tjerët («Leni djemtë e mi të shkojnë/ se ju skuq, ju bëj me bojë»)!

Mitropoliti i Korçës mallkoi gjuhën shqipe, pastaj helmoi atdhetarim e ndritur Petro Nini Luarasi. Populli e mallkoi: «Foti mos të zëntë moti»! Çerçizi me Mihal Gramenon zbatuan vendimin e popullit që Fotin ‘mos ta zinte moti’…Dikush dhe pas 100 vjetësh mori hakun e misionarit të zi Foti - Çerçizit i prishet varri!
Çajupi, i ëmbël si ai la amanet nga mërgimi që të prehej në vëndlindje, siç iu lut nga larg në vjershë: «Dërgomë një gur, dërgomë/ ta vë jastëk ndënë krye», dhe pas vdekjes e prunë te gurët e ëmbël të vendlindjes. Ai dalloi me kohë plagën shqiptare të mohimit të kombësisë e thirri me zë të lartë te Parathënia e Baba Tomorrit: «Shqipja është gjuhë si dhe të tjerat, në mos më e mirë. Po fajin më të madh e kanë ata shqiptarë që besojnë të huajt dhe shiten e kërkojnë të shesin dhe Shqipërinë». E plotësoi mendimin më saktë e më fuqishëm përballë fqinjit shoven kur deshi të na pushtonte: «O burra o shqipëtarë/, greku kërkon të na marrë»!..Kundër kësaj thirrjeje që mbetet e ditës, sot dikush i merr qetësinë e gjumit në vendlindje, i prish varrin!
Pandeli Sotiri qe drejtor i Shkollës shqipe në Korçë. Qeveria Osmane më në fund e dha lejen të çelej po Patrikana nuk ia ndau të zezat për ta mbyllur, sepse gjuha shqipe qe ringjallja e legalizuar e kombit shqiptar. Nëpër kanalet e errëta bizantine, si mësues gjimnastike iu fut një oficer grek i asfalisë, për t’i përgatitur fundin. Për fat të keq, Mësuesi i ndritur qe martuar me një greke shovene, e pështirë që nga emri - Buçerraqe. Ajo e çoi të shoqin si vizitë tek i ati në Stamboll, agjent i Patrikanës. Aty i dhanë helmin dhe e hodhën nga ballkoni në udhë, si i vetëvrarë!..Pikëllim i tij nuk qe ajo vdekje sado e lemerishme te portat e Patrikanës…Qe prishja e varrit të tij në vendlindje.
Koto Hoxhi qe në ajkën e rilindasve që shkrinë jetën për Shqipërinë. Sulltani e degdisi në burgun e tmerrshëm të Jedi Kules e ai iu përgjigj me trimëri shenjtori: «Ju keni në dorë trupin tim, po shpirtin tim s’e keni në dorë»!

Në vendlindje në Lunxhëri bëri çmos për hapjen e shkollës shqipe. Me shtytjen e mitropolitit grek, një lavire fshati e quajtur Kate hapi fjalë për plakun e shenjtë se ‘e kish ngacmuar’(!)…dhe turma histerike e droguar dhe e paguar iu turrën e ç’nuk i bënë rilindasit të thinjur nga hallet e atdheut…Që krahinarët e tij të mos i shihte kështu të shpërbërë e të gënjyer duke ngrënë veten e Shqipërinë, para se të mbyllte sytë tha: «Ju, o djem, do më kujtoni/ kur të zbardhetë liria…».
Ndër ata djem të Lirisë që do t’i mbanin amanetin rilindasit martir janë djemtë e mrekullueshëm sot të Gjinokastrës që u dolën zot eshtrave të tij dhe nderit të Atdheut (akti i veçantë kaq dinjitoz e fisnik i tyre do mbetet i paharruar). Për atë amanet e për dashuri ndaj të parëve të shquar, përkushtimi i tyre do çante dhe gurin e Gjinokastrës e do dilnin dhe që nga brenda gurit për t’u shfaqur te Kodra e Rilindasve si bij të denjë të tyre. Zyrtarë bukëngrënës u njoftuan që të vinin dorë te ajo lemeri antikombëtare e antinjerëzore, e ata thanë se ‘nuk qe në detyrën e tyre’ (!). Heronjtë e martirët që për Shqipërinë prishën jetën e shtëpinë nuk thanë se ‘mbrojtja e Atdheut nuk qe detyrë e veçantë e tyre’!
Akti i zi ka shumë dhimbje, por jo habi. Ai është pjesë e shkatërrimeve antikombëtare nga qarqe të dyshimta të këtyre 20 viteve, në harmoni të zezë me to. Demokracia aq e dëshiruar në Shqipëri erdhi si një epokë e ndritur qytetërimi, por për fat të keq tek ne, dhe me një faqe të errët shkatërrimi. Ky shkatërrim u turr kryesisht në objektet dhe pasuritë kombëtare. Synimi ka qenë dhe mbetet zhdukja e rrënjëve të ndritura si dëshmi Shqipërie, humbja e thesareve kombëtare. Vëndasit i dinë vetë pikat e shkatërruara apo të lënduara. Kujto «humbjen» e Kryqit të Shenjtë të Labovës, thesar historik që nga Perandori ilir i shekullit 6, Justinianit; apo zhdukja nëpër kishat shqiptare e thesareve të ikonave, dëshmi e lashtësisë paragreke të kristianizmit shqiptar (kujtojmë, në Peloponez hapet periodikisht ekspozita me thesare nga Vorio-Epiri grek (!).
Ky akt grabitjeje e çkombëtarizimi bëhet dhe më i lehtë kur në shtetin shqiptar Prefekti grek i Gjinokastrës shkon në Sillogje Vprio-Epiri, shpall hapur se është «Prefekt i Vorio-Epirit» e për këtë gradohet Ministër!
Kujtojmë atë që është botuar kaq herë me dëshmi dijetarësh të huaj të pakundërshtueshëm: rrënjët e Gjinokastrës njihen që para 2300 vjetësh te Pirrua shqiptar i Epirit kur qyteti quhej ‘Phyro-Castra’ (kështjella e Pirros). Kjo përforcohet nga brilanti i sotëm arkeologjik Antigonea, ngritur në nderim të së shoqes së tij. Ndjekim lidhjen zinxhir: Antigonea qe vajza e Berenikës dhe e Ptoleme Lagosit (Ptolemeu qe bir i Filipit të II të Maqedonisë, pra vëlla me tjetër nënë i Aleksandrit të Madh, siç i përcakton qartë Sami Frashëri). Pyrrokastra dhe Antigonea - i shoqi dhe e shoqja u ngritën si dëshmi epiro-shqiptare karshi njeri tjetrit mbi luginën e bukur të krahinës pelazge. Për vulosje historie, populli emërtoi me emrin ‘Burri’ dhe malin karshi - Burreto…Më pas në sh. 14 erdhi si zot sovran Gjin Bua Shpata. Më afër qytetit sundoi Gjin Zënëbisha, e qyteti u quajt me emrin e tyre «Gjinokastra» (Kështjella e Gjinit), si dikur «Kështjella e Pirros», me emrin e të zotëve të Mëdhenj rrënjës. Teorikët fqinjë  emërtimin «Phyrrocastra» u munduan ta shpjegonin greqisht «Pyrro-haraks» (Vija e Pirros), pa pasur asnjë afri logjike apo fonetike! Nuk bindi njeri, dhe me ëndër të gjatë te ky qytet kyç shqiptar kërkuan ndihmë te legjenda «Argjiro». Gjinokastritët kështu do t’i vinin në gjumë përmes mallëngjimit të një princeshe të shpifur!
Dhe mendjeshkurtrit e papërgjegjshëm në Gjinokastër që qarkullojnë mediat si ajkë kulture ende mbajnë më këmbë këtë trillim të fandaksur mesjetar alla Lefter Dilo - «Princesha jonë Argjiro», si ta kishin teze gjiri me qumësht floriri nga nëna e nga baba!  Legjenda e kurdisur që të largon nga rrënjët e tua kombëtare e nga të parët e tu (gjersa t’u prishësh dhe varrin), të kujton teorinë e ideologut shoven mes nesh dikur, Jorgo Panajoti që thoshte se Legjenda e Kordhocës (legjendë e pastër e lashtë e vendasve gjinokastritë) është e minoritetit(!). Donte të vërtetonte me grabitje folklori, se pakica greke në Gjinokastër ka moshën mijëvjeçare të legjendave!..E të tjera në vazhdimësi mbi të zezën Shqipëri… gjer te dhunimi i Kodrës së Rilindasve.           
Ajo rini e nderuar e Gjinokastrës që i doli zot me aq dinjitet piedestalit të Rilindasve të tyre plotëson porosinë e veçantë të Luigj Gurakuqit thënë më 1923 për tërë kohërat e brezat: «Një popull që nderon Burrat e vet, një popull që pavdekëson kujtimin e tyre, jo vetëm në faqet e historisë por dhe mbi rrasa e monumente, ai popull tregon se ka ndërgjegje, se ka ndjesi të holla, se njeh miradijen e ka dëshirë me u sjellë e me u drejtue mbas shembullit të të mëdhenjve të vet».


Agim Shehu, G. Sot

Afganistan, u presin kokën punonjësve të OKB gjatë protestës për djegien e Kuranit

Një protestë në Afganistan kundër djegies së Kuranit ka përfunduar në tragjedi. Protestuesit në qytetin verior Maza-i-Sharif, kanë sulmuar punonjësit e OKB-së, duke vrarë dhjetë prej tyre.

Burimet kanë saktësuar se dy prej tyre iu është prerë koka. Situata është kaotike. Reagimi i afganëve erdhi pasi më 21 mars, një pastor amerikan, Wyane Sapps, dogji kopjet e librit të shenjtë mysliman, Kuranit, në një kishë në Florida.

Ai ishte i shoqëruar nga pastori Terry Jonës, i cili pati kërcënuar vjet se do digjte kopjet e Kuranit më 11 shtator. Protesta ka pasur edhe në Pakistan.

                                                                                                                                                                   G:Tema

Gënjeshtrat historike, që u bënë realitet

Tradita i ka transformuar në të vërteta historike, por në fakt janë ngjarje që nuk kanë ndodhur kurrë. Duke marrë shkas nga një zbulim i kohëve të fundit, i bërë nga disa arkeologë egjiptianë, ku gjetën pak metra larg piramidave të Gizës varret e disa punëtorëve- çka tregon se ndërtimet gjigande nuk janë bërë nga skllevërit, ashtu si ka treguar gjithmonë historia, por nga njerëz të lirë -faqja britanike e internetit, “Daily Mirror”, zgjedh disa nga gënjeshtrat e mëdha historike, që përmes shekujve janë kthyer në të vërteta të pamohueshme. Trenat e Musolinit dhe molla e Njutonit

Mes 14 gënjeshtrave historike është edhe ajo për trenat e Musolinit. Sipas një studimi histografik, të bërë nga studiuesi Alexander Cockburn, ndryshe nga ajo që mendohej dhe besohej prej kohësh, del se nuk është e vërtetë që trenat gjatë kohës së fashizmit vinin gjithmonë në orar. Në realitet, sipas studimit të Cockburn, trenat lokalë në epokën musoliniane vinin shpesh me vonesë, por Musolini, si një strateg i zoti, i detyroi gazetat që të mos i raportonin këto lajme dhe të propagandonin mitin e përpikërisë së trenave.


Edhe historia e mollës që i ra në kokë Isaac Newton, e që e kishte inspiruar shkencëtarin anglez për historinë e gravitetit, në të vërtetë është një mit. Mendohet se ky mit është përhapur në vitet 1800 nga pena e Volterit, që sipas tij e kishte marrë nga një tregim i mbesës së Njutonit, Catherine Conduitt. Sipas historianëve, bëhet fjalë për një histori krejtësisht të shpikur.

Ajo e Njutonit ishte molla më e famshme e historisë pas asaj që Eva i dha Adamit. Historia na ka mësuar ta tregojmë kështu këtë ngjarje: Një ditë, studiuesi i ri anglez, Isaac Newton, i ulur në kopshtin e shtëpisë, u godit në kokë nga një mollë, e rënë nga pema ku ishte mbështetur. U ngrit më këmbë dhe zbuloi teorinë e gravitetit. Kjo ngjarje mendohet se ka ndodhur në vitin 1666, po rreth 40 vjet më vonë u zbulua se asnjë mollë nuk goditi në kokën e Newton. Teoria mbetet ende e vlefshme dhe mollët në një farë mënyre janë pjesë e saj. Por për të treguar si shkuan gjërat, “Royal Society”, shoqata e shkencëtarëve, studiuesve dhe intelektualëve britanikë, ku Newton bënte pjesë, ka publikuar në sajtin vet të internetit të gjitha dokumentet e lidhura me Newton-in dhe teorinë e tij të famshme. Letra, shënime, dorëshkrime që tani mund të konsultohen nga kushdo. Është e vërtetë që Newton pa një mollë që ra në kopsht, por jo në kokën e tij.

Mitet angleze Duket se anglezët janë më të zotë se kushdo tjetër në krijimin e miteve historike. Për shembull, Robin Hood, princi i hajdutëve, që sipas traditës jetonte në pyllin e Sherwood-it, nuk ka shkelur kurrë në pyllin e famshëm në kontenë e Nottinghamshire. Përkundrazi, personazhi legjendar që vidhte të pasurit për t’ua dhënë të varfërve, jetonte në Yorkshire dhe ky mit mendohet se ka lindur pas publikimit të romanit “Ivanhoe” të Walter Scott. Ndërkohë, “Magna Carta”, dokumenti i famshëm që kufizonte fuqitë mbretërore dhe që është konsideruar si akti i parë që njeh të drejtat themelore të qytetasve, nuk u firmos kurrë nga Mbreti Xhon në vitin 1215. Në fakt, sovrani ishte analfabet dhe e firmosi dokumentin vetëm me vulën mbretërore.

Edhe historia, sipas së cilës Mbreti Canute i Anglisë ishte aq i fuqishëm sa mund të komandonte edhe ngjatje natyrore, është e rreme. Në të vërtetë, sovrani mesjetar i pati treguar se fuqitë e tij ishin të limituara. Elisabeta e parë Një tjetër mit historik janë edhe fjalët e famshme “do të jap gjithçka kam për pak kohë”, të thëna në shtratin e vdekjes nga Elisabeta I. Sipas historianëve, Mbretëresha e madhe nuk i ka thënë kurrë këto fjalë.

Një tjetër shpikje është zbulimi i Australisë nga ana e James Cook në vitin 1770. Europianët e parë që shkelën në territorin australian ishin eksploruesit holandezë Abel Tasman dhe Dirk Hartog, rreth 150 vjet para Cook.

Po ashtu, anglez është edhe miti që tregon se si patatet dhe duhani u futën në Europë nga naviguesi britanik, Walter Raleigh. Por patatet dhe duhani u sollën për herë të parë në kontinentin e vjetër nga navigatorët italianë, plot 26 vjet para Raleigh.

Shpikje të tjera Anglezët natyrisht që nuk e kanë monopolin e miteve. Këta të fundit janë të vjetër sa vetë jeta. Këtë e tregojnë edhe shpikje të tjera, tërësisht të pavërteta. Kështu, ndryshe nga sa mendohej, në venat e Kleopatrës nuk rridhte gjak egjiptian, por grek. Ajo ishte pasardhëse direkte e Ptolemeut, një prej gjeneralëve më të mëdhenj të Aleksandrit të Madh, që ashtu si gjithë pasardhësit e tij, u martua vetëm me anëtarë të llojit të vet për ta mbajtur “gjakun” e pastër.

Po ashtu nuk është e vërtetë se Neroni i binte lirës në kohën që Roma po digjej. Historianët kanë mundur të sigurojnë se ky imazh ikonografik i Perandorit është fals. Përkundrazi, vetë Perandori kur e kuptoi për zjarrin, hapi kopshtin e tij për të shpëtuar popullsinë.

Ndërkaq, nga ana e saj, Maria Antoneta nuk ua ka thënë kurrë frazën “le të hanë briosh”, qytetarëve parisienë që ankoheshin se nuk kishin bukë. Mendohet se ky koment u bë nga gruaja e Luigjit XIV, plot 100 vjet më parë, dhe iu atribuua nga revolucionarët Maria Antonetës, për të treguar pandjeshmërinë e Mbretëreshës kundrejt vuajtjeve të popullit.

Por edhe data e shpalljes së pavarësisë amerikane nuk është e saktë. Sipas historianëve, Deklarata e Pavarësisë u firmos më 2 korrik. Por data 4 ka hyrë në histori sepse në këtë datë ajo u shtyp. Në listë shfaqen edhe dy mite amerikane. Nuk ishte Thomas Edison ai që shpiku llambën (kjo e fundi u ideua nga kimisti anglez, Humphry Davy). Po ashtu, në vitin 1692 asnjë shtrigë nuk u dogj në turrën e druve në fshatin e Salemit. Në qytezën amerikane u dënuan për shtrigëri 20 persona, por thuajse të gjithë u varën, asnjë nuk u dogj.

G:Shqip