Thursday, September 20, 2012

Thema-Tema

Nga Rubrika "Kotësira Gjuhësore Botërore" shkëpusim për sonte fjalën "tema", që në gjysmën e gjuhëve të botës shkruhet "theme", e në gjysmën tjetër si "tema".

Dihet që sipas etimologjisë zyrtare gjithmonë fjala që kërkohet ti shpjegohet kuptimi e fjalëformimi do të udhëtojë nga latinishtja "themate" (në rastin e mësipërm) në greqishten të lashtë "tithenai" e prej saj mund të rrëshkasë edhe më poshtë për të humbur komplet origjinën, gjurmët dhe interesin ndaj saj.

Pyetja që ngre sot ka të bëjë pikërisht mbi ç'kritere u përzgjodh prej gjuhëtarëve tanë pikërisht që shqipja e sotme standarte ta përdorte këtë fjalë si "tema" dhe jo si "thema".

Të gjithë e dimë mirë se thema-tema ka të bëjë me çështjen që do diskutohet, me problemin për të cilin do thuhen fjalë e mendime që do themi...

Përse vallë, pikërisht ne shqiptarët që flasim gjuhën që ruan ende e kësaj dite rrënjën (etimologjike dhe logjike) "them" të fjalës së mësipërme, e përdorim atë si "tema"?!

Pakujdesi vallë, apo kujdes i veçantë?

Shkroi: Stop Injorancës !

E lagu, s'e lagu...

Kisha Katolike në Shqipëri do të shkishërojë këdo që vret për gjakmarrje, por do ta falë, kur të pendohet!!!

MOS KINI FRIKE NGA E ARDHMJA!

Papa Benedikti i 16-të sapo hipi mbi automjetin e tij të blinduar dha një mesazh të fortë dhe inkurajues për 2 milion të rinjtë që ishin mbledhur për ta pritur atë, në Aeroportin "4 erat" në Madrird.

MOS KINI FRIKE NGA E ARDHMJA!
Burimi: http://pieravincenti.com/2011/08/20/il-papa-ai-giovani-non-abbiate-paura-del-futuro/

Ai e urren Shqipërinë



Prej 22 vitesh jetën politike të Shqipërisë po e dominon një njëri, i cili quhet Sali Berisha. Përveç emrit dhe mbiemrit të tij, shqiptarët dhe opinioni i huaj kurrë nuk mësuan diçka më shumë. Ai ka  preferuar të heshtë.

Për 22 vite ai kurrë nuk foli për prindërit e tij, origjinën, arsimin, traditat, punësimin e tij, madje për më shumë, kurrë nuk e dëgjuam të flasë asgjë për familjen ku u lind dhe u rrit, gjyshërit, hallat, xhajat, vëllezërit dhe fisin e tij. Ne kurrë nuk arritëm të njohim shtëpinë ku u lind dhe u edukua, shkollën dhe fëmijërinë e tij. 22 vite ne i mësuam emrin dhe mbiemrin dhe asgjë më shumë. Para tij Shqipërinë e sundoi për disa vite Ramiz Alia, Enver Hoxha, Ahmet Zogu…
Në këndvështrimin kohor, por edhe në hapësirë, çdo lider shqiptar apo botëror është objekt diskutimi, reklame, promovimi, krenarie tek vendlindja, shtëpia dhe familja e liderit të çdo vendi. Në çdo vend të botës populli njeh “me dhëmbë dhe dhëmballë” prindërit e njeriut që drejton shtetin, origjinën dhe shkollimin e tyre, pasi ato janë pjesa e krenarisë së një kombi, i cili zgjedh prijësin e vet. Në çdo vend të botës dihet dhe katragjyshi i të parit të shtetit. Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Britani të madhe, Itali, Francë, Gjermani apo Belgjikë të gjithë krenohen me historinë e kryeministrit, presidentit, mbretit, etj, etj, madje në shumë shtete sapo autostrada kur hyn në kufirin e qytetit apo shtetit të kryeministrit do të gjesh parullën “Welcome to home of…” (Mirësevini në shtëpinë e … x).
Të gjithë do dëshironim të ishte kështu edhe në Shqipëri, ashtu siç Mati është krenuar me Ahmet Zogun apo Gjirokastra me Enver Hoxhën, të gjithë do dëshironim që të ndodhte edhe këto 22 vite, por ai nuk foli kurrë për origjinën e tij, prindërit dhe familjarët për shtëpinë e tij. Ai duhet ta bënte atë pavarësisht nga punësimi, arsimimi apo niveli ekonomik, pasi varfëria dhe mjerimi nuk janë turp, dhe të gjithë duhet të jemi krenarë për prindërit tanë që na lindën, rritën dhe edukuan. Ai duhet të kujdesej për shtëpinë ku u lind dhe u rrit se këtë e ka detyrim çdo njeri, por askush sot nuk di si ku ndodhet. Askush nuk do e paragjykonte sepse ata mund të kenë qenë njerëz të nderuar dhe të respektuar, por ai preferoi të fliste për “soj e sorollop” të çdo politikani shqiptar apo të huaj.
Realisht shumë nga të afërmit e tij janë njerëz të respektuar dhe shumë miqësor, por ai kurrë nuk foli për ta. Ai u mor me biografinë e çdo kundërshtari apo kolegu dhe kurrë nuk e bëri për veten e tij. Mjeti kryesor i tij ishte denigrimi familjar dhe i jetës private të çdokujt, të cilën e kishte strategji për të frikësuar dhe eliminuar çdo rival politik.
Pas 22 vitesh mbi supet e këtij njeriu rëndojnë një mal me akuza për vrasje, korrupsion, trafiqe armësh, vjedhje, mashtrime publike dhe deri tek dorëzimi i pjesshëm i territorit të Republikës së Shqipërisë. Ai nuk hezitoi të bëhej edhe pjesë e planit më ogurzi për shqiptarët, në skenarin e Athinës për asimilimin e jugut të Shqipërisë dhe konvertimin e mijëra shqiptarëve në grekë. Një vit më parë ai do të mbronte dhe votonte me aleatët e tij censusin famëkeq, i cili falë ndërgjegjësimit të lartë popullor, u bojkotua masivisht.
Ai tashmë nuk ndalet në asnjë marrëzi, por që në të vërtetë janë pjesë e një strategjie anti shqiptare për të rrënuar pasuritë kombëtare nëpërmjet shitjes me procedura privatizimi të gjithë burimeve nëntokësore të Shqipërisë. Me qindra burime nafte, gazi dhe burime të tjera minerare anembanë Shqipërisë lindën dhe i trashëguan me miliona vite nga krijimi i këtij planeti dhe askush nuk guxoi t’i tjetërsonte. Atdheu ka kaluar me mijëra sundimtarë, ashtu siç po kapërcen edhe këtë sundimtar barbar, por askush më parë nuk guxoi të tjetërsonte dhe të shiste diku larg dhe eskluzivisht nëntokën shqiptare, sepse ajo nuk është pronë e qeverisë, por e kombit etnik shqiptar.
Qeveritë ndryshojnë dhe ato nuk janë pronare të aseteve, të tokës dhe nëntokës, ato janë pjesë e pronësisë së publikut, që përkohësisht zgjedh qeveri të ndryshme. Ai ka mundur të krijojë një Kuvend nga më të turpshmit, duke i bërë pjesë të bashkëfajësisë dhe përgjegjësisë kolektive, sepse ai ka frikë nga e nesërmja.
Çuditërisht ai në Kuvend mban edhe opozitën e sotme, ku shpesh siguron edhe konsensus për vendime jetike si zgjedhjet apo përjashtimi i votës së shqiptarëve në emigrim. Ky pushtet nuk meriton jo që të bashkëpunosh, por ai ka humbur legjitimitetin e popullit që e ka votuar, sepse ka shitur integritetin dhe sovranitetin e Atdheut. Ky kuvend dhe kjo qeveri nuk duhet njohur më, sepse kërkon të qëndrojë në pushtet duke pastruar paratë dhe tjetërsuar pasuritë kombëtare. Ai nuk është më për ne Kryeministri Berisha, por shtetasi Sali Berisha, që duhet të ketë statusin e të pandehurit. Mjerë ai që nuk e kupton fundin e kësaj historie të turpshme.
Me të drejtë ka shumë që pyesin se si arriti në këtë ditë tragjike njeriu, i cili na qeverisi këto 22 vite? Përgjigjja është e thjeshtë, ai nuk ka mëshirë dhe dashuri për askënd, ashtu siç fshehu prindërit, gjyshërit, fisin, arsimimin, traditat, kulturën dhe shtëpinë ku lindi dhe u rrit, te e cila në këto 22 vite nuk ka shkuar as 2 herë për ta vizituar, atëherë pse u dashka të na dojë ne, popullin apo Shqipërinë? Të jetë frikë nga fëmijëria? Të jetë mungesë dhembshurie për çdokënd?
JO!
Ai thjesht e urren Shqipërinë dhe shqiptarët.

Nga Kreshnik Spahiu

Rrethprerja

Kohët e fundit rrethprerja (synetllëku popullorçe) ka marrë aprovim nga shumë autoritete të ndryshme dhe të fuqishme mjekësore.
Eshtë një praktikë që nuk njeh as racë, as moshë dhe as fe. I shëndetshëm dhe nga aspekti mjekësor i këshillueshëm.

Tani një pyetje më lind rrishtaz për besimtarët e komuniteteve fetare që pretendojnë se rrethprerja (circumcisioni) është udhëzim dhe detyrim i drejtëpërdrejtë nga Perëndia;
"Perëndia/Zoti/Allahu etj, pranoi në heshtje se kishte gabuar me vendosjen e kësaj shtrese mbrojtëse mbi organin seksual mashkullor, apo nuk e kishte imagjinuar se nëpër shkretëtirat e nxehta, gjithë pluhur e pa ujë, mbajtja e higjenës personale do ishte një mision i pamundur?|
Shkroi: Stop Injorancës !

Sytjenat!

Bashkojnë të majtën me të djathtën, bashkojnë palaçot me intelektualët, hajdutët me viktimat, pronarët me skllevërit, të huajt me shqiptarët, ngrenë pushtetin dhe tërheqin popullin...

Mos u keqkuptoni nuk janë më sytjenat, por Fevziu dhe Frangaj!

Nëse...

Nëse mund ta nisësh ditën pa kafeinë,
nëse mund ta kontrollosh tensionin pa ndërhyrje mjekësore,
nëse mund të gjesh qetësi pa ndihmën alkoolit,
nëse mund të bësh gjumin e natës pa patur nevojë të drogohesh,
nëse mund të jetosh i gëzuar duke injoruar dhimbjen,
nëse mund të rezistosh pa u ankuar, për të mos mërzitur njerëzit me problemet e tua,
nëse mund të hash çdo ditë të njëjtin ushqim duke qenë mirënjohës,
nëse mund të kuptosh se të dashurit e tu janë shumë të zënë për t'ua dhënë dashurinë në çdo kohë,
nëse mund të tejkaloni që njerëzit t'a vendosin fajin, kur jo për fajin tënd, diçka shkon keq,
nëse mund të pranosh kritika pa bërë rezistencë,
nëse mund të injorosh e të mos e korigjosh një shokun tënd që s'ka edukimin e duhur,
nëse mund të rezistosh pa e trajtuar një shok të pasur, më mirë se një të varfër,
nëse mund të përballesh me botën pa pranuar gënjeshtrat e mashtrimet,
nëse mund ta thuash në thellësi të zemrës tënde që ti nuk ke paragjykime ndaj besimit, ngjyrës, racës apo krahinës,
atëherë miku im, ti je i mirë, po aq sa qeni yt!


Saturday, September 8, 2012

Futja vrapit mos ndalo!


Ndokush prej jush me të drejtë do pyesë veten: "Po pse të gjitha këto historitë interesante, këtij Adminit të Stop Injorancës do ti ndodhin?", por më mirë lexojeni njëherë historinë e sotme dhe në fund do t'a kuptoni edhe pse-në.

Sapo dola nga puna ndalova të blej një paketë duhani pa pullë tek shitësja ambulante në rrugë që edhe pse nuk paguan kurrfarë takse, ma shet gjithmonë më shtrenjtë se kudo. Çmimet e bllokut,- ma kthen ajo buzagaz me dhëmbët që i tregojnë aq vuajtje.
E hapa paketën dhe plasmasin dhe letrën e xivanit i shtrëngova në dorë duke kërkuar me sy ndonjë kosh, ku në tentativë për ti bërë ndonjë 3-pikësh, do ti hidhja aty poshtë tij si zakonisht. Asnjë kosh nuk dha sinjal në fushëpamjen time 360 gradëshe e 4 dimensionale, por sytë më mbetën padashur tek një mesoburrë që po më hante me shikimin e tij dhe me dorën që e mbante para gojës si për të mos u diktuar, mërmëriste me 3 burra civilë që kishte aty pranë, 2 prej të cilëve ishin dukshëm trupa të bëshëm, qerosë kokërruar, qëndrim-sertë dhe me sy të mbuluara prej syzesh të errëta pis.
Nuk i kushtova vëmendje më gjatë, por brofa në makinë duke flakur instiktivisht nga xhami i hapur, mbeturinat që kisha në dorë. Në pasqyrën e kabinës dalloj sesi të 4 burrat hipën nxitimthi në një automjet të parkuar tek këmbët e tyre. Ishte një BMW e zezë sportive me xhama të errët komplet dhe me targa Tirane B, të cilat bënë Muuu që ishin false. Në çastin që ndez makinën xhiroj gomat në formën e një presioni ndërthurur me mospërfillje. Një kalimtare, një grua që po kalonte me foshnjën e saj aty pranë vizave të mia të zeza dhe shumë larg vizave të saj të bardha më këputi një arsenal bërthamor mallkimesh dhe të sharash, saqë më erdhi të dilja nga makina e t'a bëja edhe atë për karrocë, por u mjaftova me një të sharë që më depërtoi prej shpirti.
Si përherë, pa lidhur as rripin e sigurimit dhe pa ndezur as dritat, nisem të futem në vallen ku kërcejnë automjetet e tjera.
Makina e burrave enigmatikë, niset direkt pas meje. Filloj manovrimin sa majtas e djathtas, mes njerëzish, automjetesh e biçikletash, shoqëruar me dorën shtrënguar mbi buri.
Diku një grua si pa të keq hap derën e makinës dhe më detyron të hipi mbi trotuar. Një vajzë që e sjell një benz aty të lypë çdo paradite, i bëri sytë poç, por unë e rifuta makinën në rrugë.
Hedh sytë përsëri në pasqyrë dhe shoh që BMW-ja më ndiqte nga pas si e tërbuar. Skenë filmi, ç'të të them, veçse tani nuk më bënin duart të hapja as atë dreq tastiere të celularit. Provoj ti bie numrit të vëllait dhe ai ma mbylli që të më merrte vetë, meqenëse e mban gjithmonë me ofertë. I bie përsëri, numri del i zënë. Nervat kaçurrel me adrenalinën. Unë bjer numrit të tij, ai bjeri numrit tim. Ç'të bëja që na ka bërë një nënë...
Përpara me del semafori i kuq, por unë shkel gazin. BMW-ja nga pas, gjithashtu.
Sytë më kapin ngjyrën jeshile fosforishente të policit të qarkullimit që me dorën lart si flamur dhe bilbilin në gojë si mbrojtës kundra ndotjes së gazrave e pluhurit, iu bënte shenjë automjeteve të qarkullonin sa më shpejt për zbutur trafikun. Ç'ta marr kot në qafë të shkretin mendova me vete, ai për 30 mijë lekë në muaj rrezikon çdo ditë jetën e tij...!
Ata nuk dukeshin as si kriminelë amatorë dhe të mendosh sa fëmijë policash kanë mbetur jetimë pa asnjë kacidhe ndihmë nga shteti, është e tmerrshme vërtetë.
Në të qindëtat e sekondës dhe njëkohësisht duke ecur si i marrë, nis një analizë urgjente për të kuptuar se ç'ishin këta që më ndiqnin apo kush mund ti kishte dërguar.
Në fillim më shkoi mendja tek një tregtar që ka një lokal aty buzë rrugës dhe ka privatizuar parkingun publik. Para 2 javësh ma zhgarraviti makinën rreth e qark me çels dhe unë pa i rënë në sy i theva pasqyrën e majtë të fuoristradës. Por prapë diçka nuk më bindte. Ne u barazuam.
Aty për aty mu kujtua se afro para 3 muajsh, andej nga fillimi i verës, një natë kur vajza ime nuk po gjente qetësi në gjumë, lokali poshtë pallatit kishte ngritur në ajër për disa barbonë një muzikë tallava dhe unë nga pamundësia për ti kërkuar të ulnin zërin, i lëshoj një shishe qelqi Santal. Ata u ngritën në këmbë nga veranda ku ishin ulur dhe gajaseshin përmes barsaletash me organe gjenitale dhe filluan në kor kërcënimet.
Ndoshta, ndoshta këta ndjekës kanë të bëjnë me aktivitetin tim virtual, barrikadën që ne kërkojmë të bëjmë kundra bizeseve serbe në Shqipëri? Apo mos vallë janë agjentë grekë që peticioni ynë kundra marrëveshjes detare iu ka prekur interesin fort? Por mund të jenë gjithashtu edhe ndonjë grup mafioz nga këta që kanë hapur universitete private dhe janë ndjerë të ofenduar nga shakatë tona të sinqerta...
Apo mos vallë janë radikalë fetarë që duan të na bindin se feja e tyre është feja e paqes e tolerancës? As kjo s'më bindte.
A mos vallë është vetë dora e shtetit që kërkon t'iu bëj presion atyre që flasin "më tepër se ç'duhet"? Po shteti ynë s'di ku është as vetë. Ata burrat tek ajo BMW-ja kishin një arsye shumë më të fortë. Urrejtjen mund t'ia dalloje edhe mbi syzet e errëta. Mendimin ma ndërpret një motorr "Made in Albania" si ky këtu http://www.facebook.com/photo.php?fbid=224544547572560&set=a.222036807823334.75632.220909724602709&type=3&permPage=1, që më doli pa pandehur para dhe unë u detyrova ta godas tek goma e pasme, duke e përplasur fort pas një shtylle. Romi zeshkan që ngiste motorrin kur pa se iu derdh nga motorri pjesa më e madhe e ngarkesës kontrabandë të kanaçeve të mbledhura nëpër plehra u tërbua fare, por mua sytë më shkuan tek djali i tij, që kishte moshën për të qenë në çerdhe apo në kopësht, i cili dridhej dhe qante pa zë njëkohësisht.
Me trishtimin mbetur në grykë i jap gaz përsëri.
Po sikur ata të më kenë ngatërruar me ndokënd tjetër dhe e gjithë kjo ndjekje të jetë një keqkuptim?
Duke dashur të besoj këtë variant ndaloj pranë lokalit të një mikut tim. Parkoj makinën dyshe dhe futem direkt në lokal. Aty për t'u ç'tensionuar ndez direkt një cigare dhe porosis një gotë alkool.

Një prej atyre burrave hyri brenda duke ecur ngadalë. Sapo m'u afrua belbëzoi: Task-Forcë, aksioni Anti-duhan. Ju do të gjobiteni me 50 mijë lekë të reja.
Buzëqesha. Në fakt pastaj fillova të qesh me të madhe. Merri edhe çunat të pijnë nga një gotë iu thashë, se m'a bëtë gjakun ujë.

Shkroi: Stop Injorancës !

Tuesday, September 4, 2012

DUM-DUM



Përplasjet në rrugë: një detaj në dukje i parëndësishëm, por që nga shpeshtësia e tij, më ngre shpesh kacabujt.

Të gjithëve besoj ju ka ndodhur të ecni nëpër trotuarë të ngushtë, apo qoftë edhe të gjerë ku kalojnë shumë njerëz njëkohësisht.
Më ndodhte shpesh që përballesha me djem apo vajza, fëmijë apo pleq dhe më dukej sikur të gjithë shkonin drejt pa ndryshuar drejtimin e tyre dhe nëse

unë nuk do shmangesha, do të përplaseshim padyshim.
Dhe kështu provova të eci edhe unë drejt pa ndryshuar drejtim, madje duke shtrënguar mirë supet e krahët.
Rezultati ishte i paparashikueshëm.
Me 4 personat e parë që u shkëmbeva (1 prej tyre grua) u përplasa dhe ata vazhduan rrugën e tyre drejt, pa e kthyer kokën pas.

Kjo lloj shkujdesjeje, është ndonjë virtyt që duhet t'a fitojmë të gjithë, apo defekt që kurohet vetëm në fëmijëri?


Shkroi: Stop Injorancës

Mos e nënvlerësoni kurrë vetveten!


Nëse kështu i plotë siç jeni, ju duket vetja i pavlerë, ju nuk e keni fare idenë sesa shumë vleni, me pjesë.

Stop Injorancës!