Ndokush prej jush me të drejtë do pyesë veten: "Po pse të gjitha këto historitë interesante, këtij Adminit të Stop Injorancës do ti ndodhin?", por më mirë lexojeni njëherë historinë e sotme dhe në fund do t'a kuptoni edhe pse-në.
Sapo dola nga puna ndalova të blej një paketë duhani pa pullë tek shitësja ambulante në rrugë që edhe pse nuk paguan kurrfarë takse, ma shet gjithmonë më shtrenjtë se kudo. Çmimet e bllokut,- ma kthen ajo buzagaz me dhëmbët që i tregojnë aq vuajtje.
E hapa paketën dhe plasmasin dhe letrën e xivanit i shtrëngova në dorë duke kërkuar me sy ndonjë kosh, ku në tentativë për ti bërë ndonjë 3-pikësh, do ti hidhja aty poshtë tij si zakonisht. Asnjë kosh nuk dha sinjal në fushëpamjen time 360 gradëshe e 4 dimensionale, por sytë më mbetën padashur tek një mesoburrë që po më hante me shikimin e tij dhe me dorën që e mbante para gojës si për të mos u diktuar, mërmëriste me 3 burra civilë që kishte aty pranë, 2 prej të cilëve ishin dukshëm trupa të bëshëm, qerosë kokërruar, qëndrim-sertë dhe me sy të mbuluara prej syzesh të errëta pis.
Nuk i kushtova vëmendje më gjatë, por brofa në makinë duke flakur instiktivisht nga xhami i hapur, mbeturinat që kisha në dorë. Në pasqyrën e kabinës dalloj sesi të 4 burrat hipën nxitimthi në një automjet të parkuar tek këmbët e tyre. Ishte një BMW e zezë sportive me xhama të errët komplet dhe me targa Tirane B, të cilat bënë Muuu që ishin false. Në çastin që ndez makinën xhiroj gomat në formën e një presioni ndërthurur me mospërfillje. Një kalimtare, një grua që po kalonte me foshnjën e saj aty pranë vizave të mia të zeza dhe shumë larg vizave të saj të bardha më këputi një arsenal bërthamor mallkimesh dhe të sharash, saqë më erdhi të dilja nga makina e t'a bëja edhe atë për karrocë, por u mjaftova me një të sharë që më depërtoi prej shpirti.
Si përherë, pa lidhur as rripin e sigurimit dhe pa ndezur as dritat, nisem të futem në vallen ku kërcejnë automjetet e tjera.
Makina e burrave enigmatikë, niset direkt pas meje. Filloj manovrimin sa majtas e djathtas, mes njerëzish, automjetesh e biçikletash, shoqëruar me dorën shtrënguar mbi buri.
Diku një grua si pa të keq hap derën e makinës dhe më detyron të hipi mbi trotuar. Një vajzë që e sjell një benz aty të lypë çdo paradite, i bëri sytë poç, por unë e rifuta makinën në rrugë.
Hedh sytë përsëri në pasqyrë dhe shoh që BMW-ja më ndiqte nga pas si e tërbuar. Skenë filmi, ç'të të them, veçse tani nuk më bënin duart të hapja as atë dreq tastiere të celularit. Provoj ti bie numrit të vëllait dhe ai ma mbylli që të më merrte vetë, meqenëse e mban gjithmonë me ofertë. I bie përsëri, numri del i zënë. Nervat kaçurrel me adrenalinën. Unë bjer numrit të tij, ai bjeri numrit tim. Ç'të bëja që na ka bërë një nënë...
Përpara me del semafori i kuq, por unë shkel gazin. BMW-ja nga pas, gjithashtu.
Sytë më kapin ngjyrën jeshile fosforishente të policit të qarkullimit që me dorën lart si flamur dhe bilbilin në gojë si mbrojtës kundra ndotjes së gazrave e pluhurit, iu bënte shenjë automjeteve të qarkullonin sa më shpejt për zbutur trafikun. Ç'ta marr kot në qafë të shkretin mendova me vete, ai për 30 mijë lekë në muaj rrezikon çdo ditë jetën e tij...!
Ata nuk dukeshin as si kriminelë amatorë dhe të mendosh sa fëmijë policash kanë mbetur jetimë pa asnjë kacidhe ndihmë nga shteti, është e tmerrshme vërtetë.
Në të qindëtat e sekondës dhe njëkohësisht duke ecur si i marrë, nis një analizë urgjente për të kuptuar se ç'ishin këta që më ndiqnin apo kush mund ti kishte dërguar.
Në fillim më shkoi mendja tek një tregtar që ka një lokal aty buzë rrugës dhe ka privatizuar parkingun publik. Para 2 javësh ma zhgarraviti makinën rreth e qark me çels dhe unë pa i rënë në sy i theva pasqyrën e majtë të fuoristradës. Por prapë diçka nuk më bindte. Ne u barazuam.
Aty për aty mu kujtua se afro para 3 muajsh, andej nga fillimi i verës, një natë kur vajza ime nuk po gjente qetësi në gjumë, lokali poshtë pallatit kishte ngritur në ajër për disa barbonë një muzikë tallava dhe unë nga pamundësia për ti kërkuar të ulnin zërin, i lëshoj një shishe qelqi Santal. Ata u ngritën në këmbë nga veranda ku ishin ulur dhe gajaseshin përmes barsaletash me organe gjenitale dhe filluan në kor kërcënimet.
Ndoshta, ndoshta këta ndjekës kanë të bëjnë me aktivitetin tim virtual, barrikadën që ne kërkojmë të bëjmë kundra bizeseve serbe në Shqipëri? Apo mos vallë janë agjentë grekë që peticioni ynë kundra marrëveshjes detare iu ka prekur interesin fort? Por mund të jenë gjithashtu edhe ndonjë grup mafioz nga këta që kanë hapur universitete private dhe janë ndjerë të ofenduar nga shakatë tona të sinqerta...
Apo mos vallë janë radikalë fetarë që duan të na bindin se feja e tyre është feja e paqes e tolerancës? As kjo s'më bindte.
A mos vallë është vetë dora e shtetit që kërkon t'iu bëj presion atyre që flasin "më tepër se ç'duhet"? Po shteti ynë s'di ku është as vetë. Ata burrat tek ajo BMW-ja kishin një arsye shumë më të fortë. Urrejtjen mund t'ia dalloje edhe mbi syzet e errëta. Mendimin ma ndërpret një motorr "Made in Albania" si ky këtu http://www.facebook.com/photo.php?fbid=224544547572560&set=a.222036807823334.75632.220909724602709&type=3&permPage=1, që më doli pa pandehur para dhe unë u detyrova ta godas tek goma e pasme, duke e përplasur fort pas një shtylle. Romi zeshkan që ngiste motorrin kur pa se iu derdh nga motorri pjesa më e madhe e ngarkesës kontrabandë të kanaçeve të mbledhura nëpër plehra u tërbua fare, por mua sytë më shkuan tek djali i tij, që kishte moshën për të qenë në çerdhe apo në kopësht, i cili dridhej dhe qante pa zë njëkohësisht.
Me trishtimin mbetur në grykë i jap gaz përsëri.
Po sikur ata të më kenë ngatërruar me ndokënd tjetër dhe e gjithë kjo ndjekje të jetë një keqkuptim?
Duke dashur të besoj këtë variant ndaloj pranë lokalit të një mikut tim. Parkoj makinën dyshe dhe futem direkt në lokal. Aty për t'u ç'tensionuar ndez direkt një cigare dhe porosis një gotë alkool.
Një prej atyre burrave hyri brenda duke ecur ngadalë. Sapo m'u afrua belbëzoi: Task-Forcë, aksioni Anti-duhan. Ju do të gjobiteni me 50 mijë lekë të reja.
Buzëqesha. Në fakt pastaj fillova të qesh me të madhe. Merri edhe çunat të pijnë nga një gotë iu thashë, se m'a bëtë gjakun ujë.
Shkroi: Stop Injorancës !
No comments:
Post a Comment