Monday, September 24, 2012

Deklarata e Athinës zyrtare: Duam të miratoni marrëveshjen e ujërave

Teksa situata mes Shqipërisë dhe Greqisë po tensionohet nga incidenti i varrezave, shteti helen shfrytëzon rastin të rikthejë edhe një herë për diskutim paktin detar.
Marrëveshja e ratifikuar me shumë zell nga qeveria shqiptare i hiqte vendit tonë një sipërfaqe shumë të madhe ujore. Për këtë arsye, kjo marrëveshje u rrëzua me unanimitet nga Gjykata Kushtetuese. Por Greqia duket se nuk është dorëzuar dhe dje i ka kërkuar sërish Tiranës zyrtare që të zgjidhë çështjen e kufijve detarë. Zëdhënësi i ministrisë së Jashtme greke, Gregoris Delavekuras, deklaroi dje në Athinë se ratifikimi i marrëveshjes do t'i hapë rrugë shfrytëzimit të pasurive natyrore.


"Nga ana jonë dihet tashmë se marrëveshja e nënshkruar nga të dyja qeveritë në përputhje me dispozitat e ligjit të detit është për të mirën e të dy vendeve. Siç dihet, çështja është komplikuar pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese shqiptare, por ne mendojmë se i takon Tiranës të gjejë zgjidhje për ratifikimin e kësaj marrëveshje në parlamentin e saj. Ne mendojmë se ratifikimi i kësaj marrëveshje i hap rrugë shfrytëzimit prej dy vendeve të pasurive natyrore që ndodhen në zonë. Ashtu siç e ka pohuar edhe vetë ministri i Jashtëm shqiptar, ratifikimi i kësaj marrëveshje ndikon për mirë në rrugën europiane të Shqipërisë", - tha Delavekuras.

Gjatë negocimit të parë, dy vjet më parë, grekët nuk përmendën në asnjë rast pasuritë natyrore dhe faktin që në këtë zonë ndodhen vendburime nafte, ndërsa dje e pranuan zyrtarisht këtë gjë. Pak kohë më parë, ministri i Jashtëm, Haxhinasto, pohoi se marrëveshja me Greqinë është në fazë rinegocimi dhe se shumë shpejt do të ketë një zgjidhje. Por i pyetur për këtë gjë, Delavekuras pohoi të kundërtën. Sipas tij, nuk do të ketë asnjë rinegocim të marrëveshjes dhe se ndarja është bërë një herë dhe nuk ka ndarje të dytë. Ky pretendim i Greqisë është pothuajse i pamundur, pasi Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar si ndarjen e kufijve, ashtu edhe të gjithë procesin e negocimit.


Pak kohe me pare, Komisioni i Sigurisë i ka dërguar Ministrit të Jashtëm Edmond Haxhinasto një kërkesë ku i kërkon sqarime për marrëveshjen e ujërave. Letra. sipas rregullores së Kuvendit i është dërguar më parë kryetares Jozefina Topalli. e cila më pas ja ka paraqitur Ministrisë së Jashtme. Letra mban datën 5 tetor dhe nuk është kthyer ende asnjë përgjigje. Nënkryetari i Komisionit të Sigurisë Ilir Gjoni e ka bazuar kërkesën e tij në rregullore, sipas së cilës, çdo deputet ka të drejtë t'i bëjë pyetje Kryeministrit ose çdo anëtari tjetër të Këshillit të Ministrave.

Pas rrezimit te paktit me Greqine si antikushtetues nga ana e Gjykates Kushtetuese, Ilir Meta, atehere ne krye te diplomacise, deklaroi se "Pavarësisht pretendimeve dhe rezervave, qeveria do të respektojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese, e cila rrëzoi Paktin detar me Greqinë".

Sa për marrëdhëniet me Greqinë, Meta u shpreh i bindur se ato do të ecin përpara. 

Shekulli

No comments: