Friday, September 28, 2012

“Kush e çliroi vendin, partizanët apo britanikët”?


Anglo - amerikanët na ndihmuan, por ne ishim betuar që Shqipërinë ta çlironim edhe pa ndihmën e tyre. Na duhet të replikojmë ndaj një artikulli të arkeologut britanik Richard Hodges, me titull sensacional “Kush e çliroi vendin, partizanët apo britanikët”? Na vjen keq dhe nuk do kishim dëshirë të replikonim me askënd, e aq më pak me miqtë dhe aleatët tanë të Koalicionit të Madh Antifashist në Luftën e Dytë Botërore siç ishin britanikët, të cilët për aq sa ndihmuan, neve ish partizanët shqiptarë ua dimë për nder dhe si harrojmë kurrë.

Por në të njëjtën kohë indinjohemi, kur edhe sot pas 60 vjetësh ka përpjekje, shtrembërime e injorime nga njerëz e forca antidemokratike për të njollosur, shtrembëruar e mohuar vlerat dhe të vërtetat historike të LANÇ-it në tërësi dhe veprimet luftarake për çlirimin e Sarandës. Veprim i cili në tërësi nga komandantët dhe partizanët e asaj zone u mirëprit për vlerat e tij të bashkëpunimit midis aleatëve. Por dhe për të hedhur poshtë “Këngën e Mugës” siç i thonë në Shqipëri dhe të përpjekjeve dashakeqëse të disa qarqeve politiko-diplomatike në Angli e të kolaboracionistëve shqiptare, për gjoja ekzistencën e “Luftës Civile” në Shqipëri. Kuptohet që veprimet e përbashkëta ushtarake të reparteve partizane të armatosura vetëm me armatim të lehtë, dhe britanikëve që dispononin çdo lloj mjeti luftarak të kohës, do të shpejtonte kohën e çlirimit të Sarandës e Delvinës. Por kjo nuk do të thoshte që këto rajone, që në atë kohë përbënin një ishull të vogël në krahasim me ¾ e territorit shqiptar që kishte çliruar UNÇSH deri atëherë, nuk do të çliroheshin nga forcat partizane edhe pa ndihmën britanike. Jo, sepse në atë rajon Komanda e Përgjithshme me kohë kishte krijuar një grupim Operativ prej tri brigadash partizane (veç popullit të armatosur), duke siguruar kështu një raport numerik 3 me 1 dhe gati 6 muaj me një përkatësisht në njerëz e në batalione. Në një kohë që rajoni në fjalë mbrohej nga batalioni XX/999 gjerman dhe forca të tjera që tërhiqeshin nga Greqia. Pra rreth 900-1300 veta, të cilët në atë kohë kishin marrë detyrë të rezistonin deri në tërheqjen e ushtarit të fundit gjerman, drejt Jorgucatit... Prandaj ato ishin vendosur me kohë gjatë rrugës Sarandë-Delvinë në pika më dominuese, kryesisht në lartësitë shkëmbore në lindje të Sarandës prej qafës së Hamalloit (1.5 km në verilindje të Sarandës), dhe shtriheshin drejt Jugut duke patur si rajon më të fortifikuar, qafën e Gjashtës, manastirin e Lekursit më në jug. Dhe mandej gjithë qafat, qafën e Gjinis, qafën e Tahire, urën e Shijanit, Vremeron, Vrionin e përreth Delvinës. Të gjitha këto garnizone ishin përforcuar me kohë, dhe kishin kryer punime e minime intensive, duke patur në të njëjtën kohë dhe lidhje zjarri njëra me tjetrën. Kurse në bregdet dhe brenda në qytetin e Sarandës nuk kishin lënë forca (përveç atyre që kalonin duke ardhur nga Korfuzi). Sepse vija e ujit nga lartësitë e qafës së Gjashtës nuk i kalon të 600-800 metrat dhe ndodhet brenda zonës të zjarrit të të gjithë armëve të këmbësorisë. Dhe nga ana tjetër se në qytet nuk mund të qëndrojë askush po qe se mbahen lartësitë e Gjashtës. Kjo ishte arsyeja që qyteti ishte lënë bosh si nga gjermanët dhe nga banorët gjatë gjithë ditëve të luftimeve.
Pozicionet armike
Gjendjen e forcave armike në këtë rajon neve e njihnim me kohë dhe ishim përgatitur po me kohë për një sulm vendimtar edhe para ardhjes të Komandove britanike. Porse kjo u shty për pak ditë me marrjen e urdhërit nga Komanda e Përgjithshme për lejimin e zbarkimit dhe të bashkëveprimit me to. Natyrisht që dinim mirë dhe faktin që forcat armike së shpejti mund të tërhiqeshin nga ai rajon, por këto në asnjë mënyrë nuk mund të liheshin të largoheshin andej pa i ndëshkuar siç e meritonin. Prandaj dhe u organizua mësymja e përbashktë shqiptaro-britanike ku secila palë mori dhe kreu detyra të veçanta, për të cilat historia e ka thënë me kohë fjalën e saj të matur, me peshë dhe pa paragjykime, ashtu siç ndodhi ato ditë tetori 1944 në fushën e luftimeve, dhe jo siç deshën disa qarqe dashakeqëse politiko-diplomatike të kohës. Për të cilat neve si pjesëmarrës dhe si drejtues kryesorë në Brigadën e 14-të “S” në këto luftime kemi patur dhe kemi rezervat dyshyese. Sepse tu japësh detyrë trupave të marshonin drejt Gjirokastrës në një kohë që ajo ishte çliruar një muaj më parë, t’i porositësh që “neve duhet të krijojmë një bazë të përhershme në Sarandë që të kemi një këmbë atje, një këmbë në Korfuz...” Që çuditërisht në të njëjtën kohë hidhen disa grupe zbulimi në Pezë, në Lezhë etj. Të kërkosh që të kapet kepi i Rodonit e të përcaktohen pikat e zbarkimit. Dhe ç’është më keq më 10-13 tetor 1944 kur atë ditë forcat partizane të Brigadës 14-të hynin në Sarandë. Por ja që dalin lloj-lloj individë dhe kërkojnë të ribëjnë historinë, të ndreqin manipulimet, të vihen dhe në rolin e historianit, ushtarakut e dëshmitarit okular pa qenë të tillë. Kjo siç theksuam neve nga indinjon sepse dokumentet e shumta sidomos britanike, amerikane, gjermane e pse jo shqiptare e kanë thënë qartë: “Fati i çlirimit të Sarandës dhe të rajonit përreth u vendos në lartësitë e qafës së Gjashtë, ku ishte rajoni më i fortifikuar, më dominues, më i pajisur, dhe më pak i mundshëm për t’u sulmuar. Por pikërisht këtu u dha dhe goditja kryesore duke pranuar edhe humbjet e mundshme nga Brigada e 14-të dhe ajo ndihmuese në krahun e djathtë nga dy kompani të Brigadës 12-të. Pa harruar veprimet e suksesshme të forcave të tjera që mësynë në drejtim të Shijanit, Vremeros, Vrionit etj.

“Hajde baba të tregoj arat”
Tani të hedhësh tezën se Saranda u çlirua nga britanikët është njëlloj sikur të thuash “Hajde baba të të tregoj arat...” siç i thonë në Shqipëri. Ja cila është teza e profesorit arkeolog britanik:
“...Në luftë për çlirimin e Sarandës morën pjesë 2000 trupa britanike që ishin pozicionuar në Korfuz, mbështetur nga 200 sulme me avion nga bazat e Italisë. Moti i keq i atyre ditëve nxori jashtë luftimit gjysmën e trupave aleate. Beteja finale u zhvillua brenda në qytet, ku u kapën rob 620 ushtarë gjermanë dhe mbetën të vrarë 5 oficerë dhe 9 ushtarë britanikë dhe u plagosën 64 të tjerë...Partizanët në këtë kohë ndodheshin në Delvinë…”  Si pjesëmarrës dhe si drejtues me përgjegjësi (Komandant i Brigadës 14-të në ato luftime, kuadro drejtuese e partizane pjesëmarrës në luftime të drejtpërdrejta) e deklarojmë me përgjegjësi dhe me bindje se këto teza dhe pohime të studiuesit britanik janë të pasakta e gabime e shtrembërime faktesh, të cilat mund të përmblidhen:
- Zbarkimi i trupave britanike të luftimit bashkë me artilerinë e tyre është bërë në Kakome dhe në Borsh me datë 19 shtator (Korfuzi u la i lirë nga gjermanët më 9 tetor paradite).
- Beteja finale, siç u tha, nuk u zhvillua në qytetin e Sarandës, por në lartësitë lindore rreth qafës së Gjashtës e Manastirit të Lekursit, ku vepruan vetëm forcat partizane të Brigadës 14-të dhe dy kompani të Brigadës 12-të, dhe më pas u shtrinë drejt urës Shijanit, Vrionit, Vremeros etj.
Forcat tokësore britanike në mënyrë të kufizuar vepruan nga veriu prej Heremecit drejt Limionit pranë Sarandës, sektor ky ku nuk pati forca dhe rezistencë të organizuar nga gjermanët.
- Thuhet që mësymja u mbështet nga 200 sulme me avion gjuajtës, në fakt u dukën në dy-tre raste avionë të veçuar, njëri nga të cilët u rrëzua dhe ra në Vanaqe, pilotin e shpëtuan partizanët.
- Forcat partizane në këto data (7-10 tetor) kur filloi mësymja nuk ishin në Delvinë siç thotë studiuesi, por në drejtim të Sarandës. Ato për dijeni të lexuesit në mëngjesin e 10 tetorit, pasi kishin likujduar e zënë rob më datë 9 tetor kontigjentin e fundit dhe komandantin e tyre në grykën e qafës së Fjashtës (Prej varrezave të sotme të dëshmorëve e deri tek lapidari kushtuar ngjarjes), por dhe në disa zona të tjera, marshuan nga lindja dhe u futën në qytetin e Sarandës plotësisht i boshatisur. Në të njëjtën kohë në marrëveshje edhe me trupat britanike, u krye edhe futja e këtyre në pjesën veriperëndimore pranë Limionit (e bashkë me këa ishte dhe komisari i Brigadës 14-të dhe Përfaqësues i Komandës së Përgjithshme, Kareman Ylli).
Luftëtarët e brigadave partizane
Në këtë kohë Komanda e Brigadës 14-të u bë dhe Komanda e parë e garnizonit të Sarandës dhe vendosi rregullat më të domosdoshme që kërkonte situata, siç ishin post-blloqet në hyrje-dalje, patrullimin në qytet, ndalimin e grabitjeve etj. U ra dakort edhe me komandën britanike që për të mos patur ndonjë incident e keqkuptim, ata të qëndronin në zonën veriore pranë Limionit dhe të kryenin shërbim vetëm pranë reparteve të komandës së tyre. Për rrjedhojë nuk pati incidente. Me britanikët u takuam miqësisht kur zbarkuam dhe u ndam miqësisht. Kur u larguam ata pa mohuar, dhanë ndihmë në mbështetjen e mësymjes tonë me artilerinë e tyre mbi gjithë lartësitë shkëmbore të qafë Gjashtës, Shijanit, Vremeros, Vrionit dhe morën në Toronto të Italisë për mjekim partizanë ku midis të cilëve edhe Komisarin e Brigadës Kareman Yllin. Kjo ishte për neve në vija të përgjithshme e vërteta për çlirimin e Sarandës. Natyrisht pa përmendur hollësitë e shumta të veprimeve luftarake, sulmet, kundrasulmet, fitoret e pjesëshme, gabimet etj., të cilat tashmë janë të njohura.
Koloneli gjerman i zënë rob
Dhe së fundi për ata që hedhin teza e dyshojnë për rolin e forcave partizane në çlirimin e Sarandës i jep përgjigjen më të mirë ish Komandanti i Ishullit të Korfuzit Koloneli gjerman i zënë rob nga forcat e Brigadës 14-të në qafën e Gjashtës, i cili kur e çuam në Komandën tonë eprore, ku ndodhej përfaqësuesi i Z.I.O. dhe gjenerali anglez Çerçill, koloneli si ushtarak skrupuloz ju paraqit Komandantit partizan. Dhe kur dikush i tha: “Këtu është dhe gjenerali anglez, pse s’ju paraqite atij…”? Ai ktheu përgjigjen: “…Unë kam punë me ata që luftova e më zunë rob…” (Partizanëve). Vlerësime admiruese për shpirtin luftarak të partizanëve shprehën ato ditë, shumë nga ish kuadrot dhe komandot e Kakomes (angleze) për forcat e Brigadës 14-të gjermane në qafën e Brodanit e grykën e Kakomes (20-09-1944). Të tilla vlerësime pati dhe nga efektivat e organeve të drejtimit të artilerisë, të cilat për tri ditë rresht vepruan bashkë me partizanët e Brigadës 14-të në rajonin Volloder-Shëngjergj, qafa e Gjashtës.
Zoti Hodges Sarandën e çliruan Partizanët Shqiptarë.
1) Gjon Banushi, ish Komandant i Brigadës 14-të.
2) Uzo Basho, ish Kuadër drejtues në Brigadën e 14-të.
3) Nezin Gjoni, ish pjesëmarrës në këto luftime dhe Veteran.
4) Naxhi Zhupa, Invalid Lufte dhe Studiues.
Kadri Dingu

No comments: