Tuesday, September 4, 2012

Trakte nën derë



Mbrëmë, para se të hyja në shtëpi, gjej një fletushkë të bardhë poshtë derës. Ishte errësirë dhe kështu që vendosa ta marr me vete në shtëpi për ta lexuar.

Ç'të lexoja?!
Ishte një fletushkë A4 e fotokopjuar keqazi. Në krye të letrës lexohej emri i një shkolle private, që ofronte në shërbimet e saj, kopshtin si dhe arsimimin 9-vjeçar në ambjentet e saj.
Aq shumë ishin kursyer për
këtë marketing zotërinjtë, saqë viti shkollor ishte 2011-2012 dhe ishte mbishkruar me stilolaps nga sipër 2012-2013.
Në të gjithë tekstin e asaj reklame arsimi privat, nuk lexova as edhe një rast të vetëm zanoren "ë".
Përfitoj nga rasti të informoj këdo që shkruan shqip në kompjuter:
"Alt+135=ç
Alt+137=ë
Alt+128=Ç".

Po sikur të ishte vetëm mungesa e zanores "ë", do të mbetej thjeshtë një problem teknik që do të gëlltitej duke ia ngarkuar fajin vetëm shkruesit në kompjuter.
Vetëm në atë tekst me 20 rrjeshta arrita të nënvizoj plot 48 gabime drejtshkrimore. Dhe mos dalim jashtë kontekstit, bëhet fjalë për marketingun e një shkolle 9-vjeçare, e cila ka nga pas një staf, një drejtor, që gjithmonë sipas tyre, ishin përgjithsisht të diplomuar me Master në universitetet më të mira europiane.

Ç'mund të presësh nesër nga fëmijët që do të arsimohen në atë institucion të ligjëruar nga MASH?
Sa institucione të tilla arsimore kemi ligjëruar dhe ç'armatë injorantësh presim të prodhojmë për ti lënë fatet e këtij vendi në duar?

Dikur thoja me të qeshur se do të vijë një ditë kur për të qenë i veçantë do të mjaftojë të shkruash shqipen me drejtshkrim.
Ajo ditë paska ardhur...

Shkroi: Stop Injorancës

No comments: