Për 22 vite ai kurrë nuk foli për prindërit e tij, origjinën, arsimin, traditat, punësimin e tij, madje për më shumë, kurrë nuk e dëgjuam të flasë asgjë për familjen ku u lind dhe u rrit, gjyshërit, hallat, xhajat, vëllezërit dhe fisin e tij. Ne kurrë nuk arritëm të njohim shtëpinë ku u lind dhe u edukua, shkollën dhe fëmijërinë e tij. 22 vite ne i mësuam emrin dhe mbiemrin dhe asgjë më shumë. Para tij Shqipërinë e sundoi për disa vite Ramiz Alia, Enver Hoxha, Ahmet Zogu…
Në këndvështrimin kohor, por edhe në hapësirë, çdo lider shqiptar apo botëror është objekt diskutimi, reklame, promovimi, krenarie tek vendlindja, shtëpia dhe familja e liderit të çdo vendi. Në çdo vend të botës populli njeh “me dhëmbë dhe dhëmballë” prindërit e njeriut që drejton shtetin, origjinën dhe shkollimin e tyre, pasi ato janë pjesa e krenarisë së një kombi, i cili zgjedh prijësin e vet. Në çdo vend të botës dihet dhe katragjyshi i të parit të shtetit. Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Britani të madhe, Itali, Francë, Gjermani apo Belgjikë të gjithë krenohen me historinë e kryeministrit, presidentit, mbretit, etj, etj, madje në shumë shtete sapo autostrada kur hyn në kufirin e qytetit apo shtetit të kryeministrit do të gjesh parullën “Welcome to home of…” (Mirësevini në shtëpinë e … x).
Të gjithë do dëshironim të ishte kështu edhe në Shqipëri, ashtu siç Mati është krenuar me Ahmet Zogun apo Gjirokastra me Enver Hoxhën, të gjithë do dëshironim që të ndodhte edhe këto 22 vite, por ai nuk foli kurrë për origjinën e tij, prindërit dhe familjarët për shtëpinë e tij. Ai duhet ta bënte atë pavarësisht nga punësimi, arsimimi apo niveli ekonomik, pasi varfëria dhe mjerimi nuk janë turp, dhe të gjithë duhet të jemi krenarë për prindërit tanë që na lindën, rritën dhe edukuan. Ai duhet të kujdesej për shtëpinë ku u lind dhe u rrit se këtë e ka detyrim çdo njeri, por askush sot nuk di si ku ndodhet. Askush nuk do e paragjykonte sepse ata mund të kenë qenë njerëz të nderuar dhe të respektuar, por ai preferoi të fliste për “soj e sorollop” të çdo politikani shqiptar apo të huaj.
Realisht shumë nga të afërmit e tij janë njerëz të respektuar dhe shumë miqësor, por ai kurrë nuk foli për ta. Ai u mor me biografinë e çdo kundërshtari apo kolegu dhe kurrë nuk e bëri për veten e tij. Mjeti kryesor i tij ishte denigrimi familjar dhe i jetës private të çdokujt, të cilën e kishte strategji për të frikësuar dhe eliminuar çdo rival politik.
Pas 22 vitesh mbi supet e këtij njeriu rëndojnë një mal me akuza për vrasje, korrupsion, trafiqe armësh, vjedhje, mashtrime publike dhe deri tek dorëzimi i pjesshëm i territorit të Republikës së Shqipërisë. Ai nuk hezitoi të bëhej edhe pjesë e planit më ogurzi për shqiptarët, në skenarin e Athinës për asimilimin e jugut të Shqipërisë dhe konvertimin e mijëra shqiptarëve në grekë. Një vit më parë ai do të mbronte dhe votonte me aleatët e tij censusin famëkeq, i cili falë ndërgjegjësimit të lartë popullor, u bojkotua masivisht.
Ai tashmë nuk ndalet në asnjë marrëzi, por që në të vërtetë janë pjesë e një strategjie anti shqiptare për të rrënuar pasuritë kombëtare nëpërmjet shitjes me procedura privatizimi të gjithë burimeve nëntokësore të Shqipërisë. Me qindra burime nafte, gazi dhe burime të tjera minerare anembanë Shqipërisë lindën dhe i trashëguan me miliona vite nga krijimi i këtij planeti dhe askush nuk guxoi t’i tjetërsonte. Atdheu ka kaluar me mijëra sundimtarë, ashtu siç po kapërcen edhe këtë sundimtar barbar, por askush më parë nuk guxoi të tjetërsonte dhe të shiste diku larg dhe eskluzivisht nëntokën shqiptare, sepse ajo nuk është pronë e qeverisë, por e kombit etnik shqiptar.
Qeveritë ndryshojnë dhe ato nuk janë pronare të aseteve, të tokës dhe nëntokës, ato janë pjesë e pronësisë së publikut, që përkohësisht zgjedh qeveri të ndryshme. Ai ka mundur të krijojë një Kuvend nga më të turpshmit, duke i bërë pjesë të bashkëfajësisë dhe përgjegjësisë kolektive, sepse ai ka frikë nga e nesërmja.
Çuditërisht ai në Kuvend mban edhe opozitën e sotme, ku shpesh siguron edhe konsensus për vendime jetike si zgjedhjet apo përjashtimi i votës së shqiptarëve në emigrim. Ky pushtet nuk meriton jo që të bashkëpunosh, por ai ka humbur legjitimitetin e popullit që e ka votuar, sepse ka shitur integritetin dhe sovranitetin e Atdheut. Ky kuvend dhe kjo qeveri nuk duhet njohur më, sepse kërkon të qëndrojë në pushtet duke pastruar paratë dhe tjetërsuar pasuritë kombëtare. Ai nuk është më për ne Kryeministri Berisha, por shtetasi Sali Berisha, që duhet të ketë statusin e të pandehurit. Mjerë ai që nuk e kupton fundin e kësaj historie të turpshme.
Me të drejtë ka shumë që pyesin se si arriti në këtë ditë tragjike njeriu, i cili na qeverisi këto 22 vite? Përgjigjja është e thjeshtë, ai nuk ka mëshirë dhe dashuri për askënd, ashtu siç fshehu prindërit, gjyshërit, fisin, arsimimin, traditat, kulturën dhe shtëpinë ku lindi dhe u rrit, te e cila në këto 22 vite nuk ka shkuar as 2 herë për ta vizituar, atëherë pse u dashka të na dojë ne, popullin apo Shqipërinë? Të jetë frikë nga fëmijëria? Të jetë mungesë dhembshurie për çdokënd?
JO!
Ai thjesht e urren Shqipërinë dhe shqiptarët.
Nga Kreshnik Spahiu
No comments:
Post a Comment