Sunday, September 30, 2012

Papa Kristo Negovani (1875-1905)

Papa Kristo Negovani
 (1875-1905)


Jetëshkrimi
Papa Kristo Negovani, martiri dhe prinjësi shpirtëror i Shqipërisë për krah të cilit mbas njëzet e katër vjetëve u rreshtua martyri i madh i Veriut At Shtjefën Gjeçovi, lindi në katundin Negovan të Maqedhonisë në vitin 1875. Negovani, katund në rrethet e Florinës, ësht i banuar krejt nga Shqiptarë e thuhet se këta, bashkë me ata të katundit Bellkamen, kanë vajtur atje dyke u çpërngulur nga katundi Plikat i Kolonjës së Korçës njëqind e pesëdhjetë e ca vjet më parë.


Kristua në fshatin e vet mbaroi shkollën fillore greke edhe pastaj për mësime më të lartëra hyri në gjymnas t’Athinës. Mbas tre vjetve u shtërngua t’a lërë shkollën, sepse atin e tij i a vranë kusarët dyke i marrë tërë pasurinë edhe të riut i u desht të kujdesohej për ushqimin e familjes së vet. Më 1890 në Negovan e emëruan si mësonjës të shkollës greke. Në këtë kohë filloi veprimtarija e tij atdhetare: Shqiptarët e Negovanit edhe të Bellkamenit, të rrethuar vetëm nga armiqtë, po kërcënoheshin nga një mijë të zeza, që të humbisnin gjuhën, zakonet dhe të harronin fare Mëmëdheun e tyre të vërtetë: nën rrogozë e sheshazi Patrikana e Fanarit me agentat e saj e me andarët e maleve bënte ç’mos për t’i greqizuar këta Shqiptarë të kulluar. Kundrejt këtij rreziku nisni luftën e parë Mësonjësi i ri i shkollës së Negovanit: Kultura greke nuk i dha asnjë valë ideali helenik, rroga e saj nuk e embëlsoi aspak: Kristua vendosi të krijojë n’ato katunde të vetëmuara çerdhen e vërtetë të shqiptarizmës. Dyke u mësuar nxënësvet alfavitën greke, nuk rreshti fshehurazi e ku sheshazi t’u predikojë të rinjvet e bashkëfshatarëve të vet dashurinë për Mëmëdheun e vërtetë: “Për mbi çdo gjë gjuha shqipe ishte ajo që duhej mësuar, sa më parë”, — i thoshtë or’ e çast, kujdo e kudo.

Kristua – mësonjës kishte dije të plotë për zulmën e madhe të stërgjyshërve t’anë, ndoqi këmba-këmbës lëvizjen e madhe të Rilindjes Kombëtare pas Lidhjes së Prizrendit, u thith nga veprimtarija e Shoqërisë së Stambollit të vitit 1879 e nga ajo e shoqërisë Drita të Bukureshtit të viti 1881 edhe u familjarizua me udhëheqësit më në zë të lëvizjes shqiptare të asja kohe. Por kishte formuar besimin e patundur se nën petkun e zí do t’i sillte shërbimet më të mëdha Kombit të vet të robëruar, prandaj, edhe në marrëveshje me mëmëdhetarët e mërgimit, më 1892 mësonjësi i ri shkelmoi dëfrimet e djalërisë dhe u bë prift i katundit dyke u bërë njëkohësisht pararendësi, frymëzonjësi dhe krijonjësi i Kishës së më vonëshme Orthodokse Autoqefale Shqiptare. Edhe punës i dha zjarr: në shtëpin e vet hapi një shkollë shqipe të natës:

...O djem, o vashë, vraponi
Nd’ i bekuar mësim!
Gjuhën e Mëmës mësoni
—Me dëshir’ e mallëngjim!
Sepse:Mësimi do t’shpëtonjëtë varfrënë Shqipëri!...

u bënte thirjen Shqiptarëvet kudo e veçanërisht bashkëfshatarëvet të vet. Puna ideale mori rrugën e mbarë: njëqind djem e vajza katundare natë për natë në këthinën e ngushtë të shtëpisë së tij mësonin abecenë shqipe dhe historinë lavdi-plote kombtare nga goja e At Kristos. Për mësimin e gjuhës shqipe i mungonin të gjitha, por prifti-mësonjës-idealist i plotësonte me shpenzimet e veta edhe or’ e çast shkruante me duart e veta abetaren nepër fletore edhe u çpërndante nxënësvet. Më vonë gjuhën shqipe filloi t’a përdorë dalë ngadalë në kishë: së pari e këndonte shqip vetëm ungjillin, pastaj shtoi lutje të vogla e së fundi meshën e tërë. Kisha dhe shtëpija e tij u bënë çerdhe kombtare: Aty grumbulloheshin të mëdhenj e të vegjël për të marrë kungatën e shqiptarizmës nga Papa Kristo Negovani, i cili me veprat e gjalla e me ligjërata e shumta i nxiste për të ruajtur si syt e ballit gjuhën e zakonet, këngët dhe vallet thjesht shqiptare edhe të bënin theror çdo gjë, sa edhe jetën për të fituar lirinë e vetëm lirinë! E Negovanësit dhe Bellkamenësit u magjepsën aqë fort nga vepra e nga fjale e Atit të Mirë sa që çdo botim, që dilte nepër kolonitë shqiptare, me një herë fluturonte nepër këto vënde me aqë ankth e dashuri sa edhe një abetar vetëm shëtiste me njëzet vetë sa grisej e bëhej lëvere!
Ketë propagandë tërë flakë atdhedashurije Papa Kristua e përhapte edhe ndër zemrat më të strukura shqiptare me anën e libravet të tija që botonte, si edhe me anën e shkrimevet të tjera të shumta që shkruante nepër fletoret dhe nepër të përkohëshmet.
As kërcënimet e Mitropolitit të Kosturit, as ato të komandantit të komitetit grek Pavllo Mellajt edhe as ngatërresat e parreshtura të atdhemohonjësvet edhe t’anmiqëvet të tjerë nuk e trembën Atin e Bekuar.
Emri i Shenjtorit e i Mësonjësit idealist mori dhenë nepër Shqipëri si prinjës i lirisë, ndërsa u çfaqej si fantomë tmerri armiqëvet. Por atdhemohonjësit edhe armiqt e Kombit nuk lanë dy gurë bashkë gjer sa e vunë në vijë punën e tradhëtisë: Papa Kristo Negovani ishte halë në sy, luftëtari më i rrezikshëm edhe armiku më i math i tyre, prandaj duhej çdukur! Vepra e shëmtuar e trathëtisë nuk vonoi shum: Në natën e errët të 12 Shkurtit të vitit 1905, atëherë kur Shenjtori-Mësonjës çpërndante naforën në kishë, një grup njerëzish të panjohur e rrëmbyen nga shtëpija dhe e shpunë jashtë katundit. Atje u  zhvillua tragjedija më çnjerëzore: Gjakpirësit së pari me sopata e me thika i a copëtuan trupin e pastaj me tehin e përgjakur të sopatës më të rëndë i a çanë kryet në dysh e i a derdhën trutë dyke e përcjellur gjakësin’ e tyre me fjalët therëse:

—Shko tani të bësh propagandë për lirin’ e Shqipërisë e t’a thuash ungjillin shqip!


...Papa Kriston e vranë,
dhe s’ra për ’të një këmbanë!...
Por zemra e përvëluar e Kombit e vajtoi me dënesë:

...E gjithku në Shqipëri,Mbajën e rin ndë zi;Cilido si për një bir,Çë la jetën me pa-hir;Cilido si për një vlla,Çë nga Grekërit u vra;Jo në luftë e jo për ftesë,Po ndë fshehie e me pa-besë;Jo te sheshi i burrëris,Po te prita e kuseris!...
e qau me plot vrer Poeti i math arbëresh Zef Skiroi.
Edhe gjaku i martyrit dhe i Shenjtorit-mësonjës-idealist Papa Kristo Negovanit rrodhi rrëke në moshën tridhjetë vjeçare për të zbukuruar e për të kristalizuar për jetë të jetëvet lulen e lirisë Kombtare.
Papa Kristua shum shkrime e vjersha të tija i ka nënshkruar me shkronjat P.H. H. N., ase P.


(Kalendari Kombiar, vj. 1904)Përgatiti: Sterjo SpasseSHKRIMTARËT SHQIPTARË, II, Tiranë, 1941.

No comments: