Tuesday, August 14, 2012

Korrupsioni është kanceri i shoqërisë - S.Berisha

Korrupsioni është kanceri i shoqërisë - ka thënë Kryeministri Berisha, por nga ana tjetër është përkujdesur të vendosë tumor femëror, në çdo nyjë nevralgjike të kësaj shoqërie. (S.I)


Kule vepron me 2 standarde: makinë 49 mijë $ për Rektoratin, për familjen e njëjta makinë, 14 mijë $.

Në raportin e Kontrollit të Lartë të Shtetit theksohet se “Rektorati ka shpenzuar 4.95 milionë lekë për të blerë një makinë të përdorur tip Mercedes Benz E 320 CDI, model i klasit të lartë, e përdorur, kur ky automjet të ketë kryer jo më shumë se 30 mijë kilometra dhe të ketë çmimin 4.950.000 lekë. Është e pajustifikuar, kur me kaq fond të vënë në dispozicion mund të blihej një Mercedes Benz i ri, tip E 320 CDI EVO Avantgarde, që kushton 29.244 euro.”-theksohet në raportin e KLSH-së.

Ndërsa në deklaratën e pasurisë së Dhori Kules theksohet se në vitin 2011, Rektori kishte blerë një makinë Mercedes Benz të të njëjtit tip, për 1.409.951 lekë.
Universiteti i Tiranës, që drejtohet nga Dhori Kule ka shpenzuar 4.950.000 lekë në tenderin e 8 korrikut 2009, ndërkohë që vetëm 7 muaj më vonë vetë Rektori Kule ka blerë me paratë e të ardhurave të veta, jo të Universitetit, një Mercedes Benz E 320 CDI, për vetëm 1.409.951 lekë. Diferenca është jo e vogël, por 3.540.049 lekë, ose rreth 35 mijë dollarë.

Standardet e përdorura janë të qarta. Me paratë e taksave dhe studentëve, një makinë e përdorur mund të blihet 49 mijë dollarë, ndërsa me paratë e familjes blihet vetëm 14 mijë dollarë. Balkanweb
-----------------------------------------------------------------------------

Rektori i Universitetit të Tiranës, Dhori Kule, krahas pagës së tij si rektor, paguhet nga paratë e tatimpaguesve shqiptarë edhe si anëtar në shtatë borde. Kjo rezulton në deklaratën e pasurisë së këtij rektori, dorëzuar më 27 mars 2012 pranë Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive.

Sipas kësaj deklarate, vetëm nga pagesat në borde Kule ka marrë mbi 1 milion e 840 mijë lekë, ose rreth 18 mijë dollarë. Kësaj shume i shtohet edhe paga vjetore prej 1 milion e 886 mijë lekë, si rektor i Universitetit të Tiranës dhe 815 400 lekë si pedagog në Fakultetin e Ekonomisë, shkruan BW.

Në total, pagesa vjetore e Dhori Kules kap shifrën rekord të 4 milionë e 542 mijë lekëve, ose 378 mijë lekë në muaj. Me këtë shifër, të ardhurat e Kules i kalojnë edhe ato të presidentit dhe kryeministrit shqiptar. Me ligj, paga e presidentit është 255 mijë lekë në muaj, pra rreth 1 200 dollarë më pak nga sa merr Kule.

Në deklaratën e pasurisë për vitin 2012, thuhet se Kule ka deklaruar se ka kursyer 4.5 milionë lekë dhe ka blerë një apartament prej 78 mijë eurosh. Koha.net
-----------------------------------------------------------------------------
TVNews 24 zbulon një tjetër akt të rëndë korruptiv që lidhet me emrin e Rektorit të Universitetit të Tiranës, Dhori Kule.

Abuzimi ka të bëjë me emërimin e Petrit Bares në postin e shefit të pavionit të kirurgjisë nr 2, post të cilin e ka mbajtur deri në datën 1 korrik profesor, Spiro Qirko, i cili nga kjo datë ka dalë në pension. Ky është mashtrimi i parë i rektorit Kule ndërkohë që korrupsioni thellohet edhe më tepër pasi për periudhën në fjalë nuk rezulton asnjë konkurs zyrtar për zgjedhjen e shefit të pavionit të Kardiologjisë nr 2 në QSUT, i cili sipas ligjit, duhej të ishte hap ii pare i procesit të zgjedhjes për shefat e pavioneve që si rregull publikohet në faqen zyrtare të agjencisë së prokurimeve publike.

Gjithashtu burime të sigurta brenda bordit të qendrës spitalore Nënë Tereza garantojnë se bordi me 5 anëtare i drejtuar në atë kohë nga ish-Ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili nuk është mbledhur asnjë herë në periudhën 25 korrik 2011, 9 shtator 2011 dhe në këto kushte, nuk ka pasur mundësi të propozojë emrin e fituesit për postin e shefit të pavionit si hallka kryesore në këtë proces.

Për rrjedhoje dokumenti me propozimin e bordit me nr protokolli 3018/ 2 datë 09.09.2011 është në kundërshtim me ligjin, pasi firmosja e tij nga rektori Dhori Kule bie ndesh me të gjitha dispozitat ligjore në fuqi dhe bëhet në bazë të interesave personale të Kules, për të emëruar shef, mikun e tij të ngushtë.

No comments: