Showing posts with label Teknologji. Show all posts
Showing posts with label Teknologji. Show all posts

Monday, May 24, 2010

Kur jeta krijohet në laborator

Zululand

Po ndiqja këto ditë reagimet e Vatikanit lidhur me arritjen më të fundit të shkencës, atë të krijimit të qelizës artificiale. Ishin të kujdesshme, të matura, e disi të shastisura. Dhe me të drejtë, pasi shkencëtari Craig Venter hedh dyshime të rënda mbi besimin teist, se jeta është shpikje e Zotit.

Jetën pra nuk e krijon Zoti, na thotë biologu amerikan me këtë zbulim; ose të paktën, jo vetëm Zoti. Jetën mund ta krijojë dhe njeriu.


Çfarë ka ndodhur në të vërtetë (dhe këtu po i lë mënjanë spekulimet e një agnostiku si puna ime mbi shastisjen e teistëve)?

Është shumë e thjeshtë ajo që ka ndodhur (të kuptohemi, duket kështu aposteriori): Gjenoma e një organizmi njëqelizor shkarkohet nga gjenet “e parëndësishme” dhe kështu përftohet një qelizë që mezi mbahet gjallë prej gjenesh që kryejnë funksionet esenciale e jetësore; pastaj mbi të (në të) futen gjene të marra nga qeliza të tjera dhe në këtë mënyrë mund të krijohen organizma artificialë me tipare e karakteristika që nuk ekzistojnë në natyrë. Shkurt, krijohet një jetë tjetër, e cila, në ndryshim nga organizmat e gjallë që lindin dhe ekzistojnë në mënyrë natyrore, nuk ka prindër, nuk ka paraardhës etj. Ua shpif kjo gjë? Hm, në fakt, thelbi i çështjes nuk qëndron këtu. Qëndron gjetkë, dhe është një medalje me dy anë.

Së pari, kjo shpikje, si çdo shpikje tjetër, bart dhe rreziqe të shumta. Çfarë p.sh.?
Po ja, bakteret e prodhuara me kaq lehtësi mund të jenë patogjene, d.m.th. baktere që prodhojnë sëmundje të ndryshme. Dhe kjo mund të bëhet pa të keq nga një adoleshent, që ka një laptop në dorë, ashtu siç mund të bëhet edhe me qëllim të keq nga individë, grupe e shtete terroriste. Sigurisht, për çdo patogjen gjendet një vaksinë, por deri sa të gjendet vaksina rreziku është rrezik.

Nga ana tjetër – kjo është më e rëndësishme – shpikja e jetës sintetike mund të përdoret në dobi të njerëzimit nëpërmjet aplikimesh të pafundme.

Shkencëtarët besojnë, se falë kësaj shpikjeje mund të prodhohen baktere, të cilat nga ana e vet mund të prodhojë biokarburante, e kështu nuk do jemi më të terrorizuar prej faktit që rezervat e karburanteve fosile janë të fundme; mund të prodhohen baktere për të asgjësuar plehrat e mbeturinat; ose për të asgjësuar dyoksidin e karbonit, që shkakton ndryshimet klimaterike; ose për të luftuar sëmundjet e ndryshme deri tani të pashërueshme etj., etj.

Siç shihet, është fjala për një zbulim shkencor të jashtëzakonshëm.

Dhe të vjen keq që masmedia shqiptare nuk u mor fare me këtë gjë. Mbrëmjen e asaj dite, kur bota mori vesh se ishte shpikur qeliza sintetike, gazetat e televizionet tona folën për orë të tëra lidhur me menynë e një restoranti francez me emrin “Krokodil”. Kush po darkonte atje? Craig Venter me skuadrën e tij të Maryland-it? Jo, ishin do personazhe të Zululand-it tonë.


Mustafa Nano, Shqip

Sunday, May 16, 2010

7 gjëra që nuk duhet t’i bëni kurrë në Facebook

Faqja e “MSN”-së duke marrë në konsideratë përhapjen e shpejtë të përdoruesve të rrjetit social të “Facebook”-ut, dhe duke u nisur nga kritikat e shumta që i bëhen këtij rrjeti për mungesën e privacisë, ka publikuar dje 7 këshilla për përdoruesit e “Facebook”ut”


1. Së pari ju nuk duhet të përdorni një fjalëkalim të butë.
Duhet të shmangni emra apo fjalë të cilat mund të gjenden lehtë në fjalor, përveç kur ato i kombinoni në numra në fund, në mes apo edhe më simbole. Një fjalëkalim duhet të ketë së paku tetë karaktere. Një teknikë e mirë është të fusësh numra dhe simbole midis fjalëve, siç është për shembull ky variant: hO27usEs!.

2. Së dyti ju nuk duhet të lini në profilin tuaj ditëlindjen e plotë.
Ky element mund të shfrytëzohet nga njerëz të cilët duan të marrin të dhënat tuaja për ti përdorur më pas në mënyrë të alternuar për të patur akses në llogarinë bankare apo kartat e kreditit. Nëse ju e keni përfshirë datëlindjen e plotë atëherë shkoni tek profile, klikoni mbi “edit information”. Tek opsionet vendosni që të duket vetëm muaji apo dita dhe jo e gjithë datëlindja.

3. Së treti duhet të menaxhoni me kujdes privatësinë e profilit tuaj.
Për gjithçka në profilin tuaj në FB ju mund të limitoni aksesin vetëm tek miqtë apo miqtë e miqve. Një regjim strikt duhet përdorur për fotot, ditëlindjen, pikëpamjen fetare, informacionet familjare mes gjërave të tjera. Ju mund ti jepni vetëm grupeve të njohura akses tek fotot dhe mund të bllokoni persona të veçantë që ti shohin ato.

4. Së katërti mos lejoni që të vendosni emrat e fëmijëve tuaj në fotot e ndryshme. Nëse dikush tjetër e bën këtë mund ta fshini me “remove tag”. Nëse fëmija juaj nuk është në FB dhe dikush e përfshin emrin e tij i kërkoni personit që ta heqë.

5. Së pesti mos tregoni faktin se nuk jeni në shtëpi dhe se ajo është bosh. Prisni derisa të ktheheni për tu treguar miqve se si kaluat me pushime.

6. Së gjashti keni parasysh opsionin e makinës kërkuese. Për të ndihmuar që të huajt të mos kenë akses mbi faqen tuaj, shkoni tek menuja “Search” tek “FB privacy” dhe selektoni “Only Friends for FB search results”. Sigurohuni se kutia për kërkimin publik nuk është e klikuar.

7. Së shtati evitoni të vegjlit të përdorin FB pa mbikëqyrje. Limiti i FB është mosha 13 vjeç por fëmijë edhe më të rinj duket se e përdorin atë. Nëse keni një fëmijë të vogël apo një adoleshent në BF, mënyra më e mirë për ta mbikëqyrur është ta keni mik. Përdorni adresën tuaj të e-mailit si kontakt për llogarinë e tij në FB në mënyrë që të merrni informacionet e nevojshme rreth aktivitetit të tij.

Denisa Spaho, T. Observer

Monday, May 10, 2010

Udhëtimi në kohë është i mundur?

Austrofizikanti i njohur Stephen Hawking, doli me një tjetër teori bombastike, pas asaj që kishte të bëje me ekzistencën e “alienëve”.


Kësaj radhe ai sqaron se njerëzit mund të udhëtojnë në kohë!

– Në përgatitje të filmit të tij dokumentar “Universi”, i cili do të shfaqet javën e ardhëshme, ai flet për një temë për të cilën shumë pak është folur realisht nga astrofizikantët. Ai beson se njerëzit mund të udhëtojnë miliona vite kohë në të ardhmen dhe do kenë mundësi ta ripopullojnë planetin Tokë, qe s'do jete gje, vecse nje planet i shkatërruar.

Ai sqaron se në anijet e posaçme kozmike që mund të ndërtohen dhe që do të kenë mundësi të udhëtojnë më shpejt se shpejtësia e dritës, 24 orë qëndrimi në to do të jetë ekujvalente me një vit kohë qëndrimi në tokë.

Sipas Ajnshtajnit, sa më shpejtë që objektet do të lëvizin në hapësirë, aq më shumë ngadalsohet koha rreth tyre, kjo gjithashtu e arsyeton teorinë e Hawking që mund të zbatohet në drejtimin e kundërt, në kohë përpara, shkruan gazeta australiane “News”.

“Udhëtimi prapa në kohë është i pamundur, pasi që në këtë mënyrë do të tentohet të thyhet rregulli themelor se shkaku vjen para pasojës”, shpjegon Hawking.

“Nëse do të mundësohej udhëtimi në kohë (në kohën e ardhshme), një njeri do të kishte mundësi ta vriste ish-veten e tij !
Mendoj se gjërat nuk mund të behët vetëvetiu të pamundura”, thot Hawking.

Kur anijet kozmike do të kenë mundësinë të arrijnë të udhëtojnë me shpejtësinë e dritës, ekuipazhi në to do të fillonë t’i tejkaloj vitet e tokës, duke i dhënë në këtë mënyrë njerëzimit shansin për të rifilluar jetën nga fillimi (pas një shkaterrimi eventual qe mund ti ndodhe tokës).


“Udhëtimi në kohë”, më pare konsiderohej si i pamundur dhe unë nuk preferoja të flisja për këtë, pasi që nuk dëshiroja që më tallnin. Kurse sot, nuk jam edhe aq i kujdesshëm në këtë drejtim”, shprehet astrofizikanti i njohur Stephen Hawking.

BalkanWeb

Sunday, May 9, 2010

Ushqimet me më shumë OMGJ

Produktet OMGJ ditët e sotme përbën një nga temat më të diskutuara pas gripit të derrit. Bimët – kafshët apo mikroorganizmat të cilave u janë ndryshuar veçoritë duke transferuar genet e një lloji tjetër me anë të metodave bioteknologjike quhen “organizma me gjenetikë të ndryshuar” ose “transgjenike”.
Edhe ju mund të keni ngrënë ndonjë produkt apo ushqim transgjenik ose me OMGJ.


Sipas lajmit të publikuar në adresën howStuffWorks jepen 5 produktet ku përdoret më shumë OMGJ:

1. Aspartam (ëmbëlsues sintetik): Megjithëse teknikisht është një lëndë sintetike, përftohet si rezultat i kombinacionit të dy amino acideve natyrale. Këto acide prodhohen nga dy lloje të ndryshme bakteresh dhe në disa raste njëri prej baktereve ndryshohet për të shtuar prodhimin.
A është i dëmshëm aspartam? Aspartam nuk përmban lëndë gjenetike. Megjithëse nuk ekziston ndonjë provë e cila të verifikojë mundësinë e shfaqjes së kancerit nga aspartame tek minjtë e laboratorit të cilëve iu është dhënë aspartame, është pare leucemi dhe kancer limfatik.

2. Vaj kanola: Vaji kanola ose i njohur ndryshe si vaji i lakrës së egër është një nga lëndët më të përdorura. 80% e kanolës së përdorur në Kanada është ndryshuar gjenetikisht. Gjenetika e kanolas ndryshohet për të rritur imunitetin ndaj disa ilaçeve bujqësore të përdora për të zhdukur bimët e dëmshme. Në këtë mënyrë kontrollohen më lehtë barërat e egër dhe përdoret më pak ilaç bujqësor dhe merret më shumë prodhim.

3. Qumështi: Hormoni rBGH bën të mundur që lopët të prodhojnë më shumë qumësht dhe hap rrugën e mastitit (infeksionit të gjirit). Këtë lopë të sëmura duhet të jenë vazhdimisht nën kontrollin e doktorit dhe të mjekohen me antibiotikë. Hormoni rBGH rrezikon njerëzit nga kanceri.
Bota është ndarë më dysh për sa i përket sigurisë së qumështit të marrë nga lopët të cilave iu është injektuar rBGH. Pavarësisht se përdorimi i këtij hormoni është ndaluar në Bashkimin Evropian dhe Australi, në Amerikë është lejuar dhe FDA-ja nuk ka vendosur ndonjë kusht për përdorimin e këtij qumështi.

4. Soja: Në mes gjithë produkteve soja është produkti me një ndryshim të thellë gjenetik. Në vitin 2007 më shumë se gjysma e botës prodhoi një lloj të ndryshuar. Gjenetika e sojës ndryshohet për shkaqe të ndryshme. Arsyet më të përhapura janë rritja e imunitetit ndaj insekteve dhe kërpudhave, pasurimi i produktit nga ana e vitaminave, yndyrave dhe proteinave. Kështu mund të përdoret si ushqim për kafshët. Në të njëjtën kohë soja përdoret edhe si kimikat në farmaci. Në Amerikë nëse përdoret sojë në produkte të ndryshme, patjetër shkruhet në etiketë dhe këta zakonisht janë sojë me gjenetikë të ndryshuar. Këtu nuk bëhet fjalë vetëm për qumësht soje apo tofu, përdoren edhe ushqime që përmbajnë sojë si bukë, gjevrekë me drithëra, akullore dhe çokollatë.

5. Misri: misri përdoret kudo në Amerikë. Në të vërtetë Amerika është prodhuesi më i madh i misrit. Në vitin 2000 Ministria e Bujqësisë pohoi se 25% e misrit të prodhuar në Amerikë ndryshohet gjenetikisht. Produktet që përmbajnë misër janë soset e sallatave, margarina, mielli dhe shurupi i misrit.

Misri i pastër mund të infektohet me OMGJ nga arat me misër të ndryshuar gjenetikisht nëpërmjet erës. Shkencëtarët theksojnë se nga ky fenomen mund të infektohen sipërfaqe të mëdha.

T. Observer

Monday, March 1, 2010

Në cilën moshë duhet të përdorin fëmijët celularin, kompjuterin dhe internetin

Gjithkush e di se fëmijët ecin këmbadoras para se të mësojnë të ecin, dhe tricikli vjen para biçikletës. Por në cilën moshë duhet të mbajë një fëmijë celularin e tij të parë, laptopin apo të njihet me persona virtuale?

Këto janë pyetje të cilat i bëjnë prindërit e shekullit XXI, dhe këtu nuk ka dijë nga brezat e parë. “New York Times” ka publikuar një artikull ku tregon këto probleme me të cilat ndeshën sot prindërit. Ju nuk mund t'i thonë fëmijëve tuaj tashmë adoleshentë, "Kur unë isha djalë, unë nuk mund të shkruaja mesazhe po limit derisa shkova në shkollën e lartë."

Disa prindër i ekspozojnë fëmijët e tyre para teknologjisë së avancuar që në moshë të re, duke i dhënë atyre celular, videogame, kompjuter, etj. Por çdo gjë ka kohën e vet, dhe një veprim i tillë mund të jetë i dëmshëm për fëmijën tuaj.

Nga mosha 0 deri në 2 vjeç as nuk mund të lëvizin mausin apo komandën e televizorit, fazë të cilën një studiues, Piaget, e quan faza "sensoromotore", ku një fëmijë vetëm duke parë, prekur, dëgjuar njihet me botën që e rrethon.

Fëmijët e moshës 3-5 vjeç në ditët e sotme mund të hasen shpesh duke luajtur me telefonat e prindërve të tyre. Edhe pse kjo nuk duket aspak veprim i dëmshëm këtu fillojnë defektet në sjelljen e fëmijës tuaj.

Nga mosha 6-11 vjeç fëmijët mund të ecin me biçikletë, mund të jenë të aftë të hyjnë në botën e internetit, t'i drejtohen kompjuterit për të zgjeruar njohuritë e tyre, por në çdo moment duhet të jenë të kontrolluar nga prindërit. Këtë stad Piaget e quan "operacionet konkrete" sepse deri më tani fëmijët kanë qenë plot me ide abstrakte.

Pas moshës 10-vjeçare disa fëmijë fillojnë të redaktojnë video dhe programe softueri si M.I.T Scratch, program pa pagesë në Windows. Scratch i ndihmon fëmijët të kërkojnë dhe të grumbullojnë disa rregulla edhe nga loja me bashkime pjesëzash të figurave të ndryshme.

Mosha 12 vjeç e lart edhe pse bëhen më "përtacë" për t'u çuar, në shkollën e mesme dhe të lartë ata pasurojnë ndjesinë e të qenit i rritur. Në këtë moshë adoleshentët dëshirojnë të bëjnë veprimet e një të rrituri dhe të sillen si të tillë. Ata hyjnë në atë moshë që Piaget e quan "operacioni formal", të aftë për të zhbiruar në botën e kompjuterit, internetit, telefonit, celularit, lojërat MP3 dhe laptopin personal. Kjo ndikon fuqishëm në komunikimin e tyre në shoqëri.
Në fakt celularët janë më shumë apo më pak të detyrueshëm për fëmijët në këtë moshë. Përveç se tregojnë avantazhin social, celularët mund të reduktojnë stresin, lejojnë që fëmijët dhe adoleshentët të komunikojnë me njëri-tjetrin për detyra të ndryshme, etj.

T'i japësh një fëmijë gati për të kaluar në kolegj një laptop, do të bënte që ai t'i largohej lojërave MP3, para se të arrinte çastin për t'iu drejtuar universitetit, duke u futur në botën e kompjuterit. Kështu ata mund të krijojnë dosje të veçanta në Google Page Creator për të parë gjithçka ata kanë dëshirë dhe nevojë, informacione pa fund dhe të bëhen ndërmarrës të ardhshëm.
Nëse ai do të ishte gjallë sot Piaget patjetër që do t'i këshillonte prindërit se për fëmijët e vegjël çdo gjë, edhe nëse ka bateri apo jo, është një zbulim që pritet të ndodhë çdo ditë. Por lodrat funksionojnë më mirë kur ato janë të organizuara sipas nivelit të zhvillimit të fëmijës.

Rreziku i dëmtimit nga rrezet e celularëve
Shumë Organizata përfshirë industrinë e telefonave celularë zvogëlonin rrezikun e dëmtimit nga rrezet e celularëve. Rezultate studimi në terma të shkurtër janë përdorur për të bindur konsumatorët se përdorimi i një telefoni celular nuk është i shoqëruar me një tumor në tru ose kancer, që zhvillohen vetëm dhjetë vjet pas ekspozimit. Për të qenë të plotë, asnjë nuk e njeh ekzaktësisht sa dëme mund të provokojë një telefon celular. Studimi tregon sa i rrezikshëm është rrezatimi i celularëve. Personat duhet të evitojnë përdorimin e tyre. Edhe pse deri tani asnjë nuk ka provuar që rrezatimi i celularëve mund të provokojë diçka të tillë. Tek fëmijët duhet të ndalohet përdorimi i celularit sepse truri i tyre është akoma duke u rritur dhe është veçanërisht truri i tyre që dëmtohet më shumë nga rrezatimi i celularëve. Të përdorësh një telefon celular për më shumë se dhjetë vjet rrit në mënyrë të ndjeshme rrezikun për t'u prekur nga tumori në kokë, tregojnë studimet më të fundit të bëra në këtë fushë. Pavarësisht "garancive" që japin kompanitë e prodhimit se ata nuk e dëmtojnë shëndetin, të përdorësh një telefon celular për më shumë se dhjetë vjet rrit në mënyrë të ndjeshme rrezikun për t'u prekur nga tumori në kokë. Shkencëtarët që u morën me këtë studim arritën në përfundimin se përdorimi i telefonit për një orë në ditë është më se e mjaftueshme për të rritur rrezikun, ndërsa standardet ndërkombëtare të përdorura deri më tani për të mbrojtur përdoruesit nga rrezatimet nuk janë të sakta e duhen rishikuar patjetër. Pas një sërë studimesh të hollësishme, ata kërkuan të tregonin se "duhet të jemi të kujdesshëm dhe të përdorim në mënyrë të limituar telefonat celularë. Sëmundje si artroza apo herni diskale janë shkaku i dytë i dhimbjeve të qafës, por që të dyja situatat mund të jenë aktive njëkohësisht. Kush vuan nga këto sëmundje mundohet t'i shmangë rrotullimet e kokës dhe lëvizjet e shpatullave pikërisht për dhimbjen që i shkakton kjo.

Rrezatimi i celularit mbi njeriun
Për sistemin GSM (sistemi i sotëm e telefonisë celulare), dihet se frekuenca bartëse është 900MHz, por në të vërtetë ajo shtrihet ndërmjet 890MHz dhe 915MHz. Brenda kësaj bande, baza celulare i atribuon çdo përdoruesi një bandë më të ngushtë prej 0.2 Mhz për çdo bisedë. Kjo bandë ndryshon kur abonenti lëviz nga një vend në një tjetër, pasi në këtë rast edhe banda lëviz. Brenda çdo bandë vëmë re se informacioni transmetohet me impulse ku një impuls është rreth 576µs dhe përsëritet për çdo 4.6 ms. Pra raporti ciklik është 1/8 dhe përsëritja çdo 217Hz. Kjo bën që banda e frekuencave të përdoret nga 8 përdorues të ndryshëm. Një pasojë e këtij fraksionimi kohor, referuar bashkëveprimit me përdoruesit, është një zvogëlim proporcional i fuqisë mesatare Pmes, në krahasim me fuqinë maksimale, Pmax që është 2 W. Gati 40% e energjisë së mësipërme që rrezatohet nga celulari absorbohet nga koka. Po të konsiderojmë se pesha e kokës është afërsisht 3 kg arrijmë në konkluzionin se debiti i absorbimit specifik është 0.03 W/kg. Ndërkaq, thithja e energjisë në kokë nuk është homogjen pasi 70% energjisë së absorbuar shtrihet në një kub me brinje 5cm me një peshë prej 125gr. SAR lokal është më i lartë në këtë zone dhe arrin në nivelin 0.6 W/kg. Pra si përfundim, rrezatimi i celularit në kokë me një intensitet të SAR ose DAS nga 0.3 në 0.6 W/kg që tregon se madhësia e SAR është akoma më i madh në brendësinë e lëkurës. Ne vitin 1968 është arritur në konkluzionin se efektet negative në radiofrekuencë nisin në dozën prej 4 W/kg e lart dhe mbi këtë bazë është vendosur një faktor sigurie 10 herë më të vogël, duke pranuar kështu dozën kufi prej 0.4 W/kg. Disa vite më parë, kjo doze për qëllime sigurie është ulur me tej në 0.08 W/kg për ekspozimin e publikut, pra 50 herë më pak.

Tirana. O.

Friday, January 29, 2010

Alo !

Dal nga shtëpia me nxitim. Si zakonisht, i zgjuar me vonesë për në punë. Më duhet një justifikim i ri, e mendja pjellore nuk tradhëton. Xhinset vesh vetëtimthi, por nuk po më rrinë ngushtë, ashtu si rrobat e lara e kanë zakon.

Pasi kam përshkruar një pjesë fort të mirë të rrugës, kontrolloj xhepat dhe vë re mungesën e portofolit. Duke llogaritur trafikun, jam tmerrësisht vonë dhe nuk kam kohë të kthehem për të ngjitur edhe shkallët e gjata të pallatit, ku ashensori si lapidar qëndron. Gjithsesi nuk ka problem, kafen ma ofron kompania, ndërsa tek ngrënia e mëngjesit ia lejoj vetes ta bëj një ditë pushim. Kërkoj telefonin për të parë orën, por këtu shtangem..."KAM HARRUAR TELEFONIN" !

Pa telefonin jam i mbaruar. Pa telefonin nuk mund të komunikoj. Pa telefonin askush nuk më gjen dot. Pa telefonin nuk mund të pyes prindërit për shëndetin e tyre. Pa telefonin, të duket vetja si i humbur në mes të rrëmujës së një metropoli.

Po si dreqin ai arriti telefoni të bëhet kaq i domosdoshëm për jetën time.!


Oksigjen, azot, telefon... E çuditshme sepse edhe më parë kur telefoni celular nënkuptonte ndonjë sheik arab, apo ndonjë biznesmen me maune doganash, ne sërish jetonin, madje jo keq.
Rrufeshëm nisem për në shtëpi për të marrë telefonin dhe duke ngjitur shkallët e veshura me thërrmija buke të shkundura nga gratë nikoqire, mendoj : 
                                                           "Si do të ishin vallë 100 ditë pa telefon"?

- Besoj se njerëzit do fillonin tu gëzoheshin rastësive. Jeta do niste tu dhuronte më tepër surpriza, si nga ato të kripurat, por edhe nga ato pa kripë. Askush nuk do detyrohej të hynte në tualetet e bareve për të gënjyer. Njerëzit do fillonin ti riktheheshin zbatimit me korrektësi të orareve dhe gjatë takimeve do nisnin ti përkushtoheshin njëri-tjetrit. Do të shmangej vëmendja nga mundësitë joshëse të telefonave, lojëra, bluetooth, mp3, radio etj.
Nuk do të uleshim përballë njëri-tjetrit, prej kushedi prej sa kohësh pa u parë, veçse për të ndarë bashkë një tavolinë e duke e shpenzuar kohën për të dhënë shpjegime profesioni, shefit në telefon. Askush nuk do të vuante mankthin e rënies së baterisë. Rrjedhimisht askush nuk do dyshonte se fakti që nuk ke bateri në telefon, nënkupton domosdoshmërisht që je duke kryer një tradhëti, apo duke refuzuar një komunikim.

Meshkujt do të rigjenin guximin për të folur sy ndër sy me femrat, për tu lidhur apo ndarë. Femrat e të gjithë bashkë do të shpëtonin nga telefonat anonime të njerëzve lepuj. Të dashuruarit do rinisnin të fishkëllenin melodi nga më fisniket, poshtë ballkoneve, apo dritareve ku një perde gjithmonë valëvitet.
Fjalia, "Do të të marr në telefon" do ti kthente fronin fjalës hidhërisht të bukur, fjalës "Lamtumirë".
Do të ishte më e lehtë për të kuptuar se kush është ai që flet me veten dhe kush flet me kufje. Do të shpëtonin nga marketingu i dhunshëm nëpër media i kompanive telefonike, gjithashtu nga ofertat e tyre qesharake. Për festa e përvjetore njerëzit do denjonin të zhgarravisnin kartolina, duke humbur luksin e dërgimit të një mesazhi formal.

Ndoshta njerëzit do të dukeshin më shumë njerëz, ndoshta.

E kështu pas 100 ditësh pa telefon dore, me paratë e kursyera çdokush mundet ti bëj një dhuratë, cilitdo që ia do zemra... Por, mos harroni, Kompania e fuqishme e kërkimit në internet ka hedhur në treg telefonin më të ri, G-Phone.

Hap derën, rrëmbej telefonin dhe shoh tre telefonatat e humbura nga numri i zyrës. Mirëmëngjes dhe një ditë të mbarë të rutinës së përditshme.


Shkroi dhe përgatiti: Stop Injorancës http://www.facebook.com/NdalPaditurise2

Friday, December 11, 2009

Facebook

Një nga mendimet e fundit të shkencëtarëve të astronomisë është se Universi, pas rreth 5 miliardë vjetëve zgjerim të pandërprerë të pas Shpërthimit të Madh (Big Bang), ka filluar tkurrjen drejt qendrës nga nisi “lojën”.

Por, le t’ia lëmë shpjegimet dhe sqarimet e mëtejshme shkencës dhe punëve të Zotit; por ama, kur mendon që edhe njeriu ka filluar të zvogëlohet e tkurret brenda vetes, do të thotë se një paralele ekzistoka midis tkurrjes të Universit dhe njeriut.



Nuk është fjala për tkurrjen fizike të njerëzve, sado që edhe na rrëfehet nga disa libra se kohë më parë njerëzit kanë qenë më trupmëdhenj sesa janë sot. Interesant, se edhe dinozaurët gjigantë që u zhdukën papritmas në një moment kohor disa miliona vjetësh më parë, nuk u zëvendësuan nga specie të përafërta me ta. Mamuthët, gjithashtu; edhe ata nuk ekzistojnë më dhe akoma më të vegjlit; elefantët, janë si macja e shtëpisë përpara luanit në raport me madhështinë e dinozaurëve dhe të gjithë llojeve të “saurëve” të tyre. Fjala në këto radhë është për tendencën drejt “tkurrjes” dhe “shndërrimit” elektronik dhe dixhital të njeriut. Është në thonjëza tani, por ku i dihet më vonë, përderisa përvojat e pafundme janë sintetizuar në shprehjen: Kurrë mos thuaj kurrë!...

Tendenca për tkurrje dhe dixhitalizim ka filluar të ecë me shpejtësi goxha të madhe gjithandej rruzullit. Nuk ka forcë që e ndal. Ngjan, se nuk ka dalë kot përralla e mrekullueshme e “Llambës së Aladinit”, ku Xhindi hyn dhe del nga llamba sa herë e kërkon djaloshi. Në çast struket në llambë dhe bëhet sa një miush i vogël, dhe po ashtu gjigant sa një pallat 12-katësh kur del nga ajo...

E vërteta e pamohueshme është se njerëzve po iu pëlqen ca si shumë të tkurren para kompjuterit, lap-topit, internetit, mundësisht sa më shumë dhe në mënyrë instiktive, si për t’iu larguar realitetit objektivisht të ëmbël, të hidhur, apo asnjanës...


Duan të futen brenda edhe fizikisht aty, po pati mundësi, por hë për hë është e pamundur, me përjashtim të fantashkencës që bën ca truke. Interneti dhe facebook-u i famshëm bashkëkohor ka arritur kulmin në mbipopullim. Edhe ata që deri dje s’ia kishin haberin tasteve dhe mausit, dinë të luajnë gjithçka në të. Aty s’ka distanca, kufij tokësorë dhe ujorë, kontinente, dete dhe oqeane, pengesa gjithfarëlloj me mure dhe gardhe. Të tëra janë të unifikuara për nga përbërja: Elektronet. Janë të gjithë, me miliona njerëz aty brenda. Koha dhe hapësira janë tkurrur në maksimum aty. Njëkohësisht komunikon me shokun, mikun, dhe të afërmin si brenda për brenda Tiranës, ashtu edhe me një në Zelandë të Re. Vetëm një klik mausi është koha dhe hapësira për të gjithë aty njëlloj...

Të tkurrur me kompjuter dhe lap-top përpara fytyrës sonë, po i kthejmë shpinën natyrës, diellit, hënës, maleve, fushave, liqeneve, deteve, pemëve, kafshëve, zogjve...

Kush e ka vënë re, edhe koha fizike para internetit ikën shumë më shpejt se sa para çdo angazhimi tjetër. Kam parë këtë verë në plazh një njeri shtrirë për shtatë palë qejfe në një dyshek uji, me një lap-top përpara që kishte humbur krejtësisht pas tij. Shpresoj të mos ketë ikur shumë larg e të ketë ardhur në realitet andej nga mesi i Otrantos...Ka dhe anën komike kjo punë.
Le më pastaj, po u arrit dhe shndërrimi dhe dixhitalizimi i përbërjes së materies sonë fizike, mish, kocka, damarë dhe gjak. Ku të mos kemi as masë as peshë, as gjatësi dhe gjerësi, por të jemi nja 300kb JPG secili, dhe me rezolucion të lartë; si do i shkojë filli kësaj pune?!

Do futemi të gjithë sa jemi, 5-6 miliardë njerëz brenda kompjuterit. Afërmendsh, nuk do të jenë më të nevojshëm shumë kompjuterë dhe lap-topë aq sa janë. Mjafton vetëm një, dhe ai kompjuter do të jetë bota jonë, që me siguri specialistët e kësaj fushe do ta bëjnë sa më modern, tepër të fortë e rezistent, të pashkatërrueshëm nga fenomenet natyrore. Që do ta marrë energjinë nga jashtë nëpërmjet paneleve diellore. Do ta vendosin diku në një shpellë të sigurt nga lagështia dhe nxehtësia, e të blinduar mirë, para se dhe specialistët të futen vetë në kompjuter të fundit e të kenë mbyllur dyert e blinduara të shpellës...Gjithë qytetet, fshatrat, sendet dhe objektet njerëzore, shtëpitë, vilat, grataçielat, makinat, kazinotë, kudo ku janë, do të braktisen në mëshirë të fatit. Milionat e kompjuterëve dhe lap-topëve që do të ngelen anekënd planetit, s’do t’i duhen më askujt, dhe do të prishen dhe shkatërrohen dalëngadalë nga agjentët atmosferikë. Sa pa u prishur dhe shkatërruar, me to mund të luajnë ca kohë majmunët, kuptohet jo për t’i përdorur në funksionin që kanë, por duke ia hedhur njëri-tjetrit si topa basketbolli...

Politika, fushatat elektorale, protestat, biznesi, arti, kultura, punët, dashuria, urrejtja, seksi, lindjet, vdekjet, do të bëhen aty në superkompjuterin e vetëm. Natyrisht, do të ketë dhe ngatërresa të mëdha me njëri-tjetrin ndër njerëz brenda tij, se helbete, njerëzit do jenë më ngjitur me njëri-tjetrin se sa sardelet në një konservë peshku. Luftërat, sigurisht që do ekzistojnë, sepse sado që jemi ngopur dhe gjakuar me to, nuk heqim dorë kollaj ne. Na merr malli shpejt, dhe modifikimin e shkaqeve e gjen kur të duash nëse nuk të mungon dëshira dhe pasioni i tërbuar instiktiv për luftë. Ato që ne i quajmë sot lojëra me luftëra kompjuterike e që luan kushdo, por sidomos kalamajtë, nesër ato do të jenë të vërtetat për ne, kur të jemi futur brenda kompjuterit. Nuk është habi që Lufta III-të Botërore të bëhet brenda një lap-topi të vetëm. Dhe, jo vetëm e treta. Gjithë ata njerëz; burra, gra, pleq e fëmijë, me dhimbje si në çdo luftë do të bëhen “delete”...



Një të mirë do ta ketë gjithë kjo punë, se do t’ia lëmë të qetë dhe do t’ia dorëzojmë pa protokoll Planetin Tokë, gjallesave të tjera. Nuk do t’i trembim, bezdisim dhe shfarosim më. Paqja do të mbizotërojë kudo. Frikën, speciet e tjera, mundet t’ia kenë vetëm majmunëve, mos fillojnë e evoluojnë darvinisht, duke u shndërruar gradualisht në njerëz. Se fillon çdo gjë nga e para pastaj...

Medi Belortaja tek G. Shqiptare

Thursday, December 3, 2009

Googlegooglegooglegoogle.com

Nëse një Google nuk u mjafton, në faqen e internetit Googlegooglegooglegoogle.com do t’i gjeni katër makina kërkimi të Google, të gatshme për kërkim në të njëjtën kohë.



Përdoruesit të cilët me të vërtetë kanë nevoja të mëdha për kërkimin e internetit dhe krahasimin e rezultateve të fituara, janë bërë me një shërbim për qejf të tyre.
Googlegooglegooglegoogle.com u ofron katër kërkime në një ekran dhe në të njëjtën t’i shohin të gjitha rezultatet njëkohësisht.

Duke marrë parasysh që nuk kemi tetë duar dhe katër palë sy, ndoshta nuk do të jemi në gjendje të shfrytëzojmë të gjitha potencialet e një kërkimi të këtillë, por mund të provojmë.



Në fakt dobia e këtij varianti të makinës së kërkimit Google është kufizuar, por ideja na duket bukur simpatike, para së gjithash për shkak të emrit.

Telegrafi

Saturday, November 21, 2009

“Udhëtarë nga e ardhmja mund të vijnë brenda pak javësh”

Udhëtarët e parë në kohë nga e ardhmja mund të vijnë në tokë brenda pak javësh, - thonë shkencëtarët rusë. Fizikanë nga mbarë bota po presin me padurim nisjen e eksperimentit 4.65 miliardë dollarësh të Përshpejtuesit të Madh në CERN të Zvicrës, përplasësit më të fuqishëm të atomeve që është ndërtuar ndonjëherë, i cili pritet të hedh dritë të re mbi fuqinë e njësive nënatomike në kozmos dhe mund të riprodhojë kushtet që datojnë afër krijimit me anë të Bing Bang-ut.

Profesoreshë Irina Arefeva dhe doktor Igor Volovich, fizikanë matematike në Institutin e Matematikës “Steklov” në Moskë, mendojnë se eksperimenti i shumëpritur i CERN-it, qendra evropiane e fizikës nënatomike afër Gjenevës në Zvicër, mund të kthehet në makinerinë e parë të udhëtimit në kohë që është prodhuar ndonjëherë, thotë revista “Shkencëtari i ri”.



Debutimi i këtij eksperimenti në fillim të verës mund të shndërrohet në një moment historik, pasi udhëtimi në kohë është i mundur (nëse është i mundur) aq pas sa çasti i krijimit të makinës së parë të udhëtimit në kohë.

Kjo do të thotë se viti 2009 mund të kthehet në vitin Zero për udhëtimin në kohë, thonë ata. Udhëtimi në Kohë lindi si ide nga kolegu i Albert Einstein-it, Kurt Godel, i cili përdori teorinë e relativitetit të Einstein-it për të treguar se udhëtimi në kohë është i mundur.

Prej çastit të hedhjes së kësaj ideje në vitin 1949, fizikanë të njohur kanë argumentuar kundër kësaj teorie, pasi ajo nuk përputhet me idetë e shkakut dhe pasojës dhe krijon paradokse të tipit: një udhëtar në kohë mund të kthehet pas dhe të vrasë gjyshin e tij, pa të cilin ai nuk do të kishte lindur. Por, gjashtëdhjetë vjet më pas, nuk ekziston asnjë arsye e fortë se përse udhëtarët në kohë nuk mund të lënë pa punë historianët.

Por, dy shkencëtarët rusë argumentojnë se kur energjia e Përshpejtuesit të Madh përqendrohet në një element nënatomik, me madhësinë e një të biliardës së një mushkonje, ajo mund të krijojë gjëra të çuditshme në krijimin e universit, që është një përzierje e hapësirës me kohën që shkencëtarët e quajnë hapësirë-kohë.

Teksa graviteti i Tokës mund të krijojë ndryshime të vogla dhe të buta në hapësirë-kohë, energjia e Përshpejtuesit të Madh mund të ndryshojë aq shumë kohën saqë ajo të rikthehet në gjendje të mëparshme. Ky kthim është i njohur për fizikanët si “lakoret e mbyllura të kohës” dhe duhet që, të paktën në teori, të vizitojmë të paktën disa momente të së kaluarës.

Kjo skemë e ka origjinën e vet në vitin 1988, kur profesor Kip Thorne dhe kolegët e tij në Institutin e Teknologjisë së Kalifornisë, të vendosur në Pasadena, vërtetuan se “vrimat depërtuese” (një teori e pranuar gjerësisht në fizikë, sipas së cilës vrimat depërtuese janë një kalim i shkurtër mes hapësirës dhe kohës në atë që shkencëtarët quajnë hapësirë-kohë) ose tunelet ndërmjet kohë-hapësirës mund të lejojnë udhëtimin në kohë. Kjo skemë u bë mjaft e njohur nga Carl Sagan, i cili e përfshiu si ide në librin e vet, që më pas u bë edhe film, me titullin “Kontakt”.

Profesoreshë Arefeva dhe doktor Volovich mendojnë se Përshpejtuesi i Madh mund të krijojë vrima depërtuese dhe si pasojë të lejojë një formë udhëtimi në kohë. “Ne arritëm në përfundimin se lakoret e mbyllura të kohës dhe vrimat depërtuese mund të jenë gjithashtu një pasojë e përplasjes së elementeve nënatomikë”, - thotë profesoreshë Arefeva.



Megjithatë, ka sërish një sërë pengesash për mundësitë e kësaj hipoteze. Më e rëndësishmja ndër to është fakti se këto janë thjesht vrima shumë të vogla depërtuese, aq të vogla saqë vetëm elementet nënatomike janë mjaftueshëm të vogla sa të mund të udhëtojnë në to.

Dy shkencëtarët rusë i thanë gazetës britanike “The Daily Telegraph” (Dhë deilli telegraf – Telegrafi ditor) se pyetja nëse udhëtimi nënatomik në kohë nëpërmjet Përshpejtuesit të Madh do të hapte rrugën për udhëtimin në kohë të objekteve të madhësisë së njeriut “është një pyetje e thellë dhe interesante”, porse theksuan se “këto probleme, por edhe një sërë problemesh të tjera, kanë nevojë për hetim të thelluar shkencor dhe nuk mund të marrin përgjigje të thjeshtë dhe të shpejtë”.

“Ndoshta ajo që mund të shpresojmë më shumë e që mund të realizohet nga Përshpejtuesi i Madh, është që ai të tregojë a të vërtetojë një shenjë sado të vogël të ekzistencës së vrimave depërtuese”, - thotë doktor Volovich. Nëse një pjesë e energjisë e krijuar nga përplasja e elementeve nënatomike të Përshpejtuesit të Madh humbet, ajo mund të shkaktohet nga krijimi i vrimave depërtuese, që do të thotë se përplasja ka krijuar elementë që kanë udhëtuar në kohë nëpërmjet këtyre vrimave.

Një tjetër pikë interesante dhe e rëndësishme deri tani për konceptin e vrimave depërtuese është gjetja e llojeve të materialeve të panjohura ose të përdorura për arsye të tjera, që fare mirë mund t`i quajmë ekzotike, të cilat do të jenë të afta që të mbajnë grykën e vrimës depërtuese të hapur për udhëtimin në kohë.



“Energjia e zezë, një forcë misterioze kundër gravitetit, që mendohet se është elementi kryesor përbërës i hapësirës, mund të jetë pikërisht ajo që nevojitet për të mbajtur hyrjen në një vrimë depërtuese të hapur, të paktën sipas një prej teorive të shumta dhe shpeshherë kontradiktore për natyrën e ekzistencës dhe ndryshimit të vrimave depërtuese, që quhet energjia fantazmë”, - thonë dy shkencëtarët rus.

Nëse gjatë këtij viti, një përzierje e çuditshme e elementëve nënatomike që përplasen me njëri-tjetrin dhe e energjisë fantazmë krijon vrimat depërtuese në Gjenevë të Zvicrës, qytetërimi i zhvilluar i së ardhmes që ne nuk e njohim, mund ta gjejë këtë datë në librat e tyre të historisë, ta shënojë dhe ta piketojë këtë moment dhe të gjejë shansin nëpërmjet avantazhit të teknologjisë për të na vizituar, sipas shkencëtarëve.

“Faktet empirike të mbledhura nga vite punë vijojnë të na lejojnë të themi se energjia fantazmë ekziston”, - thotë Robert Caldwell, një fizikan në Kolegjin e Dartmuthit në Hanover të Nju Hempshajërit, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. “Për sa u përket spekulimeve të bëra nga profesoreshë Arefeva dhe doktor Volovich për mundësinë e prodhimit të elementëve të nevojshëm të makinës së udhëtimit në kohë nëpërmjet Përshpejtuesit të Madh, uf...!”, - thotë ai.

Një tjetër shkencëtar i madh në botën e fizikës, që beson se udhëtimi në kohë është i mundshëm, profesor David Deutsch, i Universitetit të Oksfordit në Angli, Mbretëria e Bashkuar, komenton: “Është spekulative deri në ekstrem, por jo e pamundur. Për një sërë arsyesh unë nuk mendoj se mekanizmi që dy profesorët rusë propozojnë, do të funksionojë (thënë ndryshe që do të prodhojë një rrugëkalim për udhëtarët nga e ardhmja që të na vizitojnë), edhe sikur spekuluesit të kenë të drejtë”, - thotë ai për gazetën “The Daily Telegraph”.

Doktor Brian Cox, i Universitetit të Mançesterit në Angli në Mbretëri të Bashkuar shton në komentin e profesor Deutsch-it se kjo fuqi mund të mos jetë aq e madhe sa e parashikojnë profesoreshë Arefeva dhe doktor Volovich në hipotezën e tyre.



“Energjia e miliarda rrezeve kozmike, qofshin këto diellore apo jo, që kanë gjuajtur dhe vijojnë të gjuajnë atmosferën e planetit tonë për më shumë se pesë miliardë vite janë shumë herë më të mëdha sesa ato që mendohet se do të krijojë Përshpejtuesi i Madh e kështu, në bazë të logjikës së propozuar nga dy shkencëtarët rusë, udhëtarët e kohës duhet të na kenë vizituar disa herë e të jenë ndërmjet nesh akoma edhe tani, - thotë doktor Koks nga Universiteti i Mançesterit. – Nëse këto vrima depërtuese shfaqen, unë personalisht do të ha kapelen që më kanë dhënë gjatë ditëlindjes sime të parë, përpara sesa të ma japin”.

Standart

Thursday, October 29, 2009

Gati zemra e parë artificiale për transplant

30 vjet pas transplantit të parë të zemrës në botë, teknologjia sjell shpresë për pacientët e sëmundjeve kardiovaskulare.

Kjo zemër artificiale e përbërë nga titaniumi, sensorë elektronikë të përdorura në raketa ushtarake dhe qeliza sintetike që lejojnë trupin njerëzor ta pranojë atë më së miri, është risia më e jashtëzakonshme e mjekësisë dhe shkencës. Ky organ kopjon të gjitha funksionet natyrale të zemrës njerëzore duke arritur në atë pikë ku nuk ka arritur askush më parë. Ajo ka rrahje perfekte dhe gjaku mund të qarkullojë nëpërmjet saj. Kardiologu Alain Karpenter krijuesi i këtij organi artificial në bashkëpunim me një kompani franceze do të nisin prodhimin në masë të saj dhe në vitin 2011.



Zemra artificiale që është eksperimentuar me sukses tek kafshët do të përdoret tek njeriu duke i dhënë fund problemit të mungesës së organeve për transplant. Si fillim zemra do të përdoret tek pacientët, jeta e të cilëve është në rrezik dhe nuk kanë asnjë opsion tjetër. Janë 100 mijë persona të sëmurë me zemër në vendet perëndimore që kanë nevojë për një zemër të re. Dhe vetëm 5000 prej tyre janë aq me fat sa të kryejnë transplantin e zemrës.

Kështu pra ky organ artificial mund t’i shpëtojë të gjithë të sëmurët e t’i japë fund njëherë e përgjithmonë problemit të dhurimit të zemrës.

TV Klan

Tuesday, October 6, 2009

7 shërbime kërkimi, që duhet ti dijë çdo përdorues i Google-it.

Motorri i kërkimor i Google-it, nuk përdoret vetëm për të kërkuar, por edhe shumë funksione të tjera.
Ja shtatë shërbime kërkimi që çdokush duhet ti dijë.


1. Makina llogaritëse



N.q.s shkruan 3+2 ne Google, pasi të klikosh “Search” do të shfaqet rezultati (5 per ata që s'e dine ). Ky shërbim mund të përdoret edhe për llogaritje më të komplikuara si “3*(sqrt 8)^2=”.

2. Gjej orën në një shtet/qytet.



Për të gjetur sa është ora në këtë moment psh. në Londër duhet të shkruajmë “time london”, pra fjala “time” pasohet me emrin e shtetit apo qytetit.

3. Parashiko motin



Për të parashikuar motin në Tiranë psh duhet të shkruajme “weather Tirana”.

4. Merr info rreth "stock"-eve të kompanive.



Të dhënat bëhen të mundura nga Google Finance. Thjesht shkruan ticker-in e kompanisë, si psh. “AAPL” (që është tickeri i Apple Inc.)

5. Merr info rreth tërmetëve në kohë reale.



Shkruaj “Earthquake” dhe do të informohesh mbi tërmetet e fundit.

6. Konverto njësi të ndryshme.



Të shkruash “10 inch in cm” ne Google do të shfaqet “10 inch = 25.4 centimeters”. Gjithashtu mund të llogaritet edhe konvertimi i monedhave të ndryshme (”10 euros in dollars” psh.)


7. Gjej kuptimin e fjalëve si edhe fjalor i shumë gjuhëve të ndryshme, ndërmjet tyre dhe SHQIP



Google mund të përdoret edhe si fjalor (Anglisht-Anglisht). Thjesht shkruaj “define” e pasuar me fjalën e dëshiruar.



lexoj.com