Tuesday, November 3, 2009

Sulmi ndaj Bazes, shpallet në kërkim R. Taçi

Rrahja e Bazes, policia prangos dy persona. Rezart Taçi ende i lirë.

Pas kallëzimit të bërë nga Mero Baze, policia e Tiranës ka njoftuar sot se ka ndaluar dy persona të akuzuar si agresorët e gazetarit dhe ka shpallur në kërkim policor Rezart Taçin.


Gjatë një konference për shtyp, Policia e Tiranës ka deklaruar se në komisariat janë shoqëruar shtetasit Bledar Lilo dhe Jurgen Selfo. Sipas saj, Lilo është punonjës i kompanisë "Taçi Oil".

Lëvizja e policisë erdhi pas kallëzimit të bërë nga vetë i dëmtuari Baze.


Rezart Taçi rreh Mero Bazen.


'Biznesmeni i Familjes Berisha, Rezart Taçi sulmoi mbrëmë vonë në një nga lokalet e Tiranës, drejtorin e gazetës Tema dhe drejtuesin e emisionit Faktori Plus, Mero Baze' -
Keshtu e hap kroniken e vet mbi ngjarjen Tema Online ne oret pas mesnate.

'Gazeta Tema ishte e para që nisi serinë e denoncimeve të forta ndaj biznesmenit Rezart Taçi. E vetme në betejën ndaj piramidës më të re që po ngrihej në Shqipëri nën ndikimin e Familjes Berisha, ajo denoncoi skandalin me tenderin për blerjen e kompanisë ARMO. Taçi arriti të marrë këtë kompani pa paguar asnjë lek, vetëm për shkak se pas tij qëndronte Argita Malltezi, që me studion e saj ligjore kishte përgatitur këtë vjedhje të hapur të shtetit ' - thuhet me pas.

Mero Baze, pas goditjes së bodigardëve të Rezart Taçit, është dërguar në spitalin ushtarak për të marë ndihmën e nevojshme mjekësore për shkak të plagëve. Baze ndodhej i shtrirë në një shtrat të sallës së urgjencës së spitalit.

Dhoma e urgjencës ku ishte akomoduar gazetari Mero Baze, shumë shpejt u popullua nga gazetarë dhe drejtues të mediave të ndryshme, në shenjë solidariteti ndaj tij dhe për të mësuar të vërtetën e ngjarjes së mbrëmjes së djeshme në rrugën "Brigada VIII", në zemër të kryeqytetit.
Sipas mjekëve dhe sipas vetë Bazes, ai ka marrë plagë dhe shembje në kokë në shpinë si dhe në fytyrë. Këmisha e tij ende është e gjakosur.
Pavarësisht gjendjes së tij jo të mirë shëndetësore dhe plagëve që ka në kokë, Baze mundohet t'iu përgjigjet telefonatave që i vijnë nga miq e dashamirës të ndryshëm që interesohen për gjendjen e tij.

Mero Baze, mbrëmë në Spitalin Ushtarak


INTERVISTE NE SPITALIN USHTARAK
Në këtë gjendje ai ka pranuar t'iu përgjigjet edhe dy pyetjeve të gazetës "Shekulli", lidhur me ngjarjen. Ndërkaq vetë Taçi, pak minuta pas mbërritjes së Bazes në spital, ka pohuar nëpërmjet linjës telefonike se do të paraqitej vetë në polici dhe se nuk ishte e nevojshme që të dërgoheshin shërbime policore.

Z. Baze në ç'rrethana jeni goditur dhe nga kush ?

Më goditi Rezart Taçi, bashkë me bodigarët e tij.

Ai njihnit personat e tjerë që ju goditën ?

Po ju them se njoha Taçin, dhe njerëzit e tjerë që mban ai pas vetes, që më goditën. Më pas nuk mbaj mend më sepse rashë pa ndjenja. Pashë më vonë që kishte ardhur policia.

Çfarë plagësh keni marrë ?

Kam një plagë në fytyrë dhe një plagë në kokë. Kam shembje dhe në trup.

Jeni përmendur në spital apo në lokal.

Fillimisht rashë pa ndjenja për shkak të goditjeve që mora nga bodigardët dhe Rezart Taçi. Më pas u përmenda aty dhe ndjeja që kisha dhimbje. Më pas erdha më sollën në spital për të marrë mjekimin.

A ju ka pyetur deri më tani policia ?

Jo unë, por gazetarin Andi Bushati që ishte me mua në momentin e ngjarjes e kanë marrë dhe po e pyesin në komisariatin e Policisë nr.2. Bashkë me të, policia di se po merr edhe dëshmitarë të tjerë

* * * * *


Pjesët nga emisioni Faktor Plus, transmetuar para incidentit të rëndë


Duket se incidenti i rëndë mes gazetarit Baze dhe biznesmenit Taçi ka ardhur pas emisionit Faktor Plus, transmetuar dje në mbrëmje. Më poshtë janë disa pjesë nga emisioni i Baze:


"... Policia e shtetit shqiptar po kthehet në një grup të gatshëm të njerëzve të lidhur me familjen e kryeministrit. Një javë më parë policë lokalë në Ballsh penguan policinë tatimore të ushtronte detyrën duke kontrolluar evazionin fiskal të Rezart Taçit, njeriut të lidhur me familjen e kryeministrit. Për shkak të kësaj lidhjeje, ai përdori policinë e rendit për të ripushtuar uzinën e bllokuar nga tatimorët dhe sot e kësaj dite vazhdon punën pa u kontrolluar prej tyre. Policia po ashtu u vu në lëvizje në Orikum, për shkak të interesit që ka familja e kryeministrit për pronën e Rahman Selmanllarit, krahut të djathtë të djalit të kryeministrit Sali Berisha. Dëshmitarët thanë se policia erdhi nga Tirana dhe se ishte tërësisht e instruktuar kundër banorëve. Rasti më i freskët dhe më flagrant po ashtu mbetet sheshi Skënderbej, ku policë të rendit rrethuan sheshin dhe arrestuan policë bashkiake vetëm pse këta të fundit mbronin pronën e qytetarëve në mes të Tiranës. Arsyeja ishte se kryeministri Sali Berisha kishte urdhëruar gojarisht t'i shkatërrohej prona një qytetari, i cili kishte lidhur marrëveshje partneriteti me dy biznesmenë, që Berisha i konsideron armiq të tij...."

"....Një shef police që përdoret, për të rrethuar pronat e Rrahmanit, apo për të mbrojtur paratë e Rezart Taçit, nesër mund të ripërdoret për vjedhje të votave apo për persekutim politik të çdo zëri kritik me qeverinë.
Dhe po të mendosh që në krye të kësaj vale të re revanshi të keqpërdorimit politik, është Lulëzim Basha, një ministër që është peng te ligji dhe mosgjykimi i tij për një vepër penale, atëherë perspektiva duket dhe më dëshpëruese...."

* * * * *


Kryepolici Burgaj: kërkim Taçit, nëse nuk paraqitet.

Drejtori i sapo emëruar i Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj, në një reagim të mbrëmshëm për gazetën "Shekulli", pohoi se ngjarja ka ndodhur kur gazetari Baze dhe kolegu i tij, Andi Bushati, ndodheshin në ambientet e "CAPRICIO-s, pak kohë pas mbylljes së emisionit të këtij të fundit. "Baze dhe Bushati, kanë qenë në një cep ulur ndërkohë që në një tavolinë tjetër ka qenë ulur edhe Rezart Taçi. Ky i fundit dhe bodigardët e tij janë ngritur nga tavolina, kanë goditur gazetarin Baze me grushte dhe sende të forta",- tha Burgaj. Më tej Drejtori i Përgjithshëm i Policisë pohoi se ata tashmë kishin nisur një hetim në lidhje me këtë çështje, ndërsa po merreshin dëshmitë e të gjithë pesonave që sipas tij kishin dijeni mbi rrethanat e ngjarjes, si dëshmitarë okularë apo në rrethana të tjera. "Ne po kryejmë procedurat tona hetimore në lidhje me ngjarjen. Jemi duke marrë deklarimet e dëshmitarëve ndërsa po sqarojmë rrethanat e krimit",- tha Burgaj. Ai pohoi se ata po mundoheshin të kontaktonin me njerëz të afërt të Taçit, me qëllim që ai të paraqitej vetë në polici për të dhënë deponimet e tij mbi ngjarjen, bashkë me shoqëruesit e tjerë. "Nëse ai nuk paraqitet vullnetarisht pranë organeve të Policisë së Shtetit, ne do të kryejmë të gjitha formalitetet e nevojshme për shpalljen e tij në kërkim",- përfundoi kryepolici. Rezart Taçi dhe bodigardët e tij, pritet të akuzohen për fyerje dhe goditje për shkak të detyrës me sende të forta, e kryer në bashkëpunim si dhe për plagosje të lehtë e kryer në bashkëpunim.

* * * * *
Zbardhen rrethanat e ngjarjes se rende sot ne mbremje ne zonen e Bllokut ne Tirane. Andi Bushati, i cili ka qene ne shoqerine e Mero Bazes ne momentin e ngjarjes, tha per Shekullin se autor i dhunes eshte biznesmeni Rezart Taçi dhe tre badigarde te tij.
Sipas z.Bushati, Rezart Taçi ka qene ne lokal ne te njejten kohe qe aty jane ulur edhe grupi i gazetareve (Mero Baze, Andi Bushati, Arban Hasani).
'Me pas Taçi doli jashte dhe priti derisa dolem ne, - tregon z.Bushati, - Ai iu afrua Meros dhe e shau rende, me pas e qelloi .. Menjehere pas tij, tre personat qe e shoqeronin qe dukeshin si badigarde, nisen te qellonin mbi Meron si dhe sa mundnin.. E shtrine pertoke dhe kane vazhduar ta qellojne ne koke dhe ne trup per rreth 5 minuta..'


* * * * *


Sipas disa kolegeve te Mero Bazes qe kane qene me te ne momentin e incidentit, gazetari i njohur eshte qelluar nga nje biznesmen i njohur qe ka qene shpesh ne qender et kritikave te z.Baze.
Pritet ende konfirmimi zyrtar per identifikimin e personave, nderkohe qe kolegu qe ka qene me z.Baze ne lokalin ku ka ndodhur ngjarja, thote se personat qe kane sulmuar Bazen kane qene gjithsej kater.
Ne nje deklarim te pare per incidentin, drejtori i pergjithshem i policise Burgaj thote se z.Baze eshte goditur me mjete te forta ne koke dhe se aktualisht po merr mjekimin ne Spitalin Ushtarak.


* * * * *


Eshte ushtruar dhune sot ne mbremje mbi gazetarin Mero Baze. Burime te Rajonit numer 2 ne policine e Tiranes sapo konfirmuan per Shekullin se kane marre nje denoncim, nderkohe qe vete gazetari eshte derguar ne Spitalin Ushtarak ne Tirane.
Nuk ka ende te dhena te qarta mbi rrethanat, por lajmi u konfirmua ne linje telefonike nga nje koleg i z.Baze qe ndodhej me te ne momentin e incidentit te rende.
Ngjarja ka ndodhur ne nje lokal ne zonen e Bllokut ne kryeqytet. Priten hollesi te reja mbi ngjarjen


* * * * *
Mero Baze u rrah edhe gjate fushates zgjedhore te 2005 !

Shekulli

Paraja, rrënja e së keqes ?

Paraja sjell botën vërdallë. Por, a është e mirë për ne? A mundet që vetë ekzistenca e parasë, pa diskutuar jemi apo jo lakmitarë, të jetë një problem serioz?

Kur njerëzit thonë se paraja është "rrënja e së keqes" zakonisht nuk nënkuptojnë se vetë paraja është rrënja e së keqes, por lakmia për të. Ashtu si Saint Paul, nga i cili ka dalë edhe kjo thënie, që diskuton vetëm për dashurinë për paranë. A mundet që vetë paraja si objekt të jetë problemi kryesor?



Kështu mendonte Karl Marx. Në Dorëshkrimet Ekonomike dhe Filozofike të vitit 1844, një punë rinore, e cila mbeti e papublikuar dhe e panjohur deri në mesin e shek të 20, ai e përshkruan paranë si "agjenti universal i ndarjes", pasi i transformon karakteristikat njerëzore në diçka tjetër.

Një njeri mund të jetë i shëmtuar, shkruan Marx, por nëse ka para, mund të "blej" për vete gruan më të bukur. Pa para, natyrisht, do t'i duheshin shumë më tepër cilësi njerëzore. Paraja, mendonte Marx, na largon nga natyra jonë e vërtetë njerëzore dhe nga njerëzit tanë.

Reputacioni i Marx-it u fundos, pasi njerëzit mendonin se teoria e tij ishte e gabuar. Më vonë, në vitin 2006, studimi i kryer nga Kathleen Vohs, Nicole Mead dhe Miranda Goode i publikuar në revistën "Science", evedenton se mbase Marx ishte drejt një rruge të saktë.

Në një seri eksperimentesh, Vohs dhe kolegët e saj, gjetën disa mënyra për t'i bërë njerëzit të mendonin për paranë pa i thënë ta bënin atë në mënyrë direkte. Ato u jepnin njerëzve për shembull detyra për të deshifruar fraza të ngatërruara rreth parasë. Me disa të tjerë përdornin taktika të tjera, si p.sh., i linin afër një një shumë të madhe parash ose disa të tjerëve u tregonin imazhe të dominimit të parasë. Njerëzve të tjerë, të zgjedhur rastësisht, u jepnin për të deshifruar fraza që nuk kishin të bënin me paranë, nuk u linin afër shuma parash dhe u tregonin imazhe të ndryshme nga grupi i parë. Në çdo rast, ata që ishin shtyrë të mendonin rreth parasë - le t'i quajmë grupi i parasë - silleshin ndryshe nga ata që nuk mendonin rreth tyre.

" Kur u jepnin një detyrë të vështirë dhe u thonin se mund të kërkonin ndihmë, personat në grupin e parasë e kishin të vështirë ta kërkonin.

" Kur u kërkohej atyre ndihmë, personat në grupin e parasë harxhonin shumë më pak kohë, duke ndihmuar të tjerët.

" Kur u thuhej të lëviznin karriget në mënyrë që të flisnin me njëri-tjetrin, personat në grupin e parasë linin një distancë më të madhë ndërmjet karrigeve.

" Kur u kërkohej të zgjidhnin një aktivitet dëfrimi, personat në grupin e parasë zgjidhnin zakonisht aktivitete, të cilat mund të ishin dëfrime individuale, pa përfshirë njerëz të tjerë.

" Si përfundim, kur personave në grupin e parasë iu sugjeruan të dhuronin për bamirësi, disa nga paratë, të cilat i kishin fituar për pjesëmarrjen e tyre në eksperiment, ata dhuruan shumë më pak në krahasim me ata, të cilët nuk ishin shtyrë të mendonin rreth parasë.

Kujtuesit e vegjël dhe të parëndësishëm të parasë bënë një diferencë shumë të madhe në rezultatet e studimit. Për shembull, kur grupi i kontrollit ofronte 42 minuta kohë për të ndihmuar njëri-tjetrin në deshifrimin e frazave, personat në grupin e parasë harxhonin vetëm 25 minuta dhe pjesën tjetër të kohës e përdornin si kohë shtesë për të deshifruar frazat e tyre.

Në të njëjtën mënyrë, kur dikush bënte sikur ishte pjesëmarrës në eksperimnt dhe u kërkonte ndihmë, ata harxhonin shumë pak kohë, duke e ndihmuar, më pak se gjysma e kohës që vinte në dispozicion grupi, i cili nuk ishte i predispozuar të mendonte rreth parasë. I njëjti rezultat ishte edhe me provën e dhurimit të parave ku personat në grupin e parasë nuk ishin të predispozuar të dhuronin për bamirësi paratë që kishin fituar nga eksperimenti.

Përse paraja na bën më pak të predispozuar për të kërkuar ose për të dhënë ndihmë?

Vohs dhe kolegët e saj sugjeron se, që në momentin që shoqëria filloi të përdorte paranë, domosdoshmëria për t'ju mbështetur familjes dhe miqve u zvogëlua dhe njerëzit filluan të bëheshin më individualistë. "Në këtë mënyrë" përmbyllin ata, "paraja rrënjosi individualizmin dhe zvogëloi motivimet shoqërore, një efekt që është mëse i dukshëm në jetën e përditshme të njerëzve".

Ky në fakt nuk është një shpjegim i detajuar, përse fakti i të menduarit rreth parasë bëri një diferencë kaq të madhë tek rezultat e studimit, duke ditur që çdo njeri është në kontakt të vazhdueshëm me paratë gjatë gjithë ditës. Duket se këtu ka diçka që ne nuk arrijmë ta kuptojmë plotësisht.

Në fakt, asnjë nuk do të kthehet në periudhën e thjeshtë të shkëmbimit. Paraja na bën të mundur tregtinë dhe na bën të mundur të përfitojmë nga aftësitë dhe avantazhet e njëri-tjetrit. Pa para, njerëzit do të ishin ekstremisht shumë të varfër, jo vetëm në sensin financiar.

Por, tashmë që jemi në dijeni se çfarë fuqie të madhë izoluese ka vetëm mendimi për paranë, nuk mund të vazhdojmë të mendojmë se, roli i parasë në jetët tona është totalisht neutral. Nëse për shembull, një organizatë prindërish lokale dëshiron të ndërtojë një kënd lojrash për fëmijët, do t'i duhet t'i kërkojë pjesëtarëve të organizatës të kryejnë një punë vullnetare apo do t'i duhet të bëjë një fushatë sensibilizuese për banorët e zonës që të mbledhin fonde dhe të punësojnë një kompani ndërtuese?

Propozimi i ekonomistit të Universitetit të Havard-it, Ronald Fryer, për të paguar studentët e varfër që janë mirë me mësime, është një fushë që të jep shumë shteg për të diskutuar rreth përdorimit të parasë. Nëse paratë do të ishin neutrale në jetën tonë, atëherë beneficet e përdorimit të parasë duhet të ishin të barazvlefshme me koston financiare.

Eshtë një gabim i madh të mendosh, se të lëshosh paranë të mbizotërojë çdo sferë të jetës tonë do të vinte pa kosto të tjera shumë më të larta, të cilat janë shumë të vështira të shprehen me terma financiare.

Përgatiti:Klarita Bajraktari, Explorerunivers.com

"Vorio-Epiri", Bollano kërkon lobim tek H. Klinton

Kreu i OMONIA-s, Vasil Bollano nisi dje një vizitë njëjavore në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për të lobuar lidhur me kauzën anti-shqiptare të Vorio-Epirit.

Duke shfrytëzuar ceremonitë fetare që po zhvillohen në Uashington me rastin e vizitës së Patriarkut Ikumenik Bartolemeu, burime zyrtare nga OMONIA konfirmuan për "Gazeta Shqiptare" se, Bollano ka planifikuar të zhvillojë një sërë takimesh me autoritetet më të larta të SHBA-ve, mes të cilëve edhe Sekretaren amerikane të Shtetit, Hillari Klinton. Takimi Bollano-Klinton pretendohet të organizohet nga ish-shefi i CIA-s, Xhorxh Tenet, i cili njihet si një ndër miqtë personalë të familjes së ish- Presidentit amerikan, Bill Klinton. Sikundër është bërë e ditur, Tenet ka orgjinë shqiptare. Nëna e tij ka lindur në Himarë, edhe pse ish-shefi i CIA-s preferon të prezantohet si greko-amerikan. Ndërkohë, mësohet se veç takimit me Klinton dhe Tenet, kreu i OMONIA-s ka planifikuar një takim edhe me kongresmenin greko-amerikan, Gus Bilirakis, i cili njihet për qëndrimet e tij publike në mbështetje të kauzës anti-shqiptare të Vorio-Epirit.



Në datën 3 korrik 2008, "Gazeta Shqiptare" botoi të plotë një letër që ai i kishte dërguar Sekretares së Shtetit, Kondoleza Rajs, ku mes te tjerash apelonte nevojën për të frenuar atë që e cilësonte si "qëndrimin anti-grek" të kryeministrit shqiptar, Sali Berisha. Tri argumentet kryesore ku Bilirakis mbështeste aso kohe kërkesën e tij, ishin çështja e kallëzimit penal ndaj kryebashkiakut të Himarës, Vasil Bollano; mos regjistrimi i minoritetit grek; si edhe mos njohja nëpërmjet një legjislacioni të veçantë e titujve të pronësisë së këtij komuniteti. Kongresmeni republikan, Bilirakis fajësonte Berishën si nxitësin e retorikës anti-greke në mediat shqiptare, duke e akuzuar ndër të tjera dhe si përgjegjësin për dhunën e ushtruar ndaj minoritetit gjatë fushatës elektorale për zgjedhjet vendore të vitit 2007.



Nikolas Gejxh
Kreu i OMONIA-s, Vasil Bollano gjatë qëndrimit të tij njëjavor në Shtetet e Bashkuara do të shoqërohet në të gjitha takimet e tij nga kreu i së ashtuquajturës Federata Panepirotike, Nikolas Gejxh, i cili është konsideruar nga shumë qarqe, brenda dhe jashtë Shqipërisë, si një figurë ekstremiste i cili e ka paralelizuar statusin e Kosovës me atë të "Epirit të Veriut". Në datën 22 maj 2001, ai deklaroi në gazetën e njohur "Ëashington Post" se, "mijëra grekë në Shqipëri duhet të trajtohen në të njëjtën mënyrë si rreth 2 milionë shqiptarët e Kosovës, duke nënkuptuar qartë se kur Kosova të fitojë pavarësinë, edhe Shqipëria Jugore duhet të shkëputet dhe të ndjekë të njëjtën rrugë".

Tedi Blushi, G. Shqiptare

Monday, November 2, 2009

“Shqipëria, “lavatriçja” e pastrimit të parave të pista në Europë”

DASH ka gati raportin “e frikshëm” për paratë e pista në Shqipëri. Në skemë qarkullojnë miliarda dollarë, ku janë përfshirë dhe bankat private.

“Shqipëria mbetet një vend problematik dhe një “lavatriçe” operative e pastrimit të parave të të gjitha rrjeteve dhe organizatave ndërkombëtare kriminale që veprojnë në Euro-Azi”.


Ky ishte një prej pasazheve drithëruese të raportit më të fundit të Departamentit Amerikan të Shtetit, hartuar posaçërisht për Shqipërinë, disa pasazhe të të cilit gazeta “Albania” i ka siguruar në mënyrë konfidenciale ende pa u publikuar. Ky raport, i cili ende nuk është bërë publik, pritet të dalë vetëm në fund të këtij viti, ose në fillim të vitit 2010. Megjithatë, disa kopje jozyrtare të tij kanë arritur në rrugë informale edhe në tryezat e disa prej institucioneve më të rëndësishme të shtetit shqiptar. Në njërin prej këtyre institucioneve edhe gazeta “Albania” ka mundur që të sigurojë vetëm disa pasazhe të marra me shënime nga ky raport tronditës, të cilat publikohen sot. Raporti, në mënyrë tepër specifike, i referohet fenomenit të pastrimit të parave të pista në rajonin e Ballkanit dhe kanalizimit të këtij fenomeni në ekonominë shqiptare e pushtuar nga evazioni. Sipas raportit, “Shqipëria është udhëkryqi ose stacioni i fundit prej nga ku këto para rikthehen në sistemin formal të ekonomisë të vende europiane, pasi janë përzierë me paratë e fondeve publike dhe atyre të dhëna nga donatorët e huaj për investime të ndryshme publike”. Në raport përmenden të detajuara edhe mënyrat se si bëhet e gjithë skema e pastrimit të parave të pista në vendin tonë, institucionet private dhe shtetërore që janë të përfshira në të, e deri tek emra të përveçëm kompanish dhe individësh që i drejtojnë ato dhe që kanë pasur ose kanë aktualisht edhe lidhje me politikën. Nga e gjithë analiza e detajuar që raporti i bën këtij fenomeni, del qartë në pah se ekonomia shqiptare funksionon fare qartë si një lavatriçe gjigante e pastrimit të parave të pista.



Raporti

“Pas vitit 1997, kohë kur shteti shqiptar pati probleme serioze me skemat e pastrimit të parave të pista që vinin nga i gjithë rajoni i Ballkanit dhe Europa Lindore, të cilat u zyrtarizuan në aktivitete kompanish fantazma pa aktivitete të mirëfillta ekonomike që në fund rezultuan si subjekte piramidale të mashtrimit financiar, në të cilat u përfshinë 2/3 e popullatës shqiptare, fenomeni vërehet të jetë aktivizuar sërish me ritme më të shpejta, por me skema më të kamufluara dhe tepër të komplikuara”, - citohet në raportin ende të papublikuar të DASH-it “Mbi pastrimin e parave të pista në Shqipëri”. Raporti vijonte më tej dhe më konkretisht në pjesën përfundimtare të tij se “institucionet publike financiare dhe agjencitë investiguese të shtetit shqiptar nuk janë të impenjuara sa duhet në bllokimin e këtij fenomeni, madje krerëve kryesorë të tyre duket sikur problemi u bën pak përshtypje”. Raporti përmend konkretisht, në paragrafët e tij, edhe faktin se “nga investigimet dhe konkluzionet disavjeçare del që një numër i lartë zyrtarësh e ish-zyrtarësh janë përfshirë në pastrimin e parave të drogës, të trafiqeve të ndryshme të paligjshme, veçanërisht atij të armëve, si dhe në të tjera aktivitete që kanë një profil më legal dhe serioz, duke bërë që t’u lindë nevoja dhe mundësia e bërjes së qarkullimit të parave të pista, të cilat, pas përfshirjes në aktivitete legale (të ligjshme), hidhen në qarkullim, por pjesa kryesore, 99 për qind, del sërish nga territori i Republikës së Shqipërisë dhe dërgohet në shtetet e Bashkimit Europian”.

Informacioni zyrtar

Burime konfidenciale nga Ministria e Financave, por edhe nga institucione investiguese në varësi të saj, konfirmuan për gazetën “Albania” se: “Qeveria jonë është vënë në dijeni të një raporti sekret tepër kritik të Departamentit Amerikan të Shtetit, që besohet se mund të bëhet publik këtë fundvit apo në fillim të vitit tjetër”. Sipas burimeve nga kjo ministri, të cilat konfirmojnë edhe informacionet e siguruara prej gazetës, në raport thuhet se “nuk është bërë asgjë në drejtim të luftës së pastrimit të parave dhe se strukturat shtetërore që janë ngritur për të goditur këtë fenomen, thuajse janë inekzistente”. Me tej, në pasazhet e raportit, thuhet: “Sikurse rezulton, një numër i lartë zyrtarësh dhe pushtetarësh aktualë dhe ish-pushtetarë janë të implikuar në këtë proces”.

Subjektet e përfshira

“Paratë e drogës, të armëve apo të fituara nga rrugë të tjera informale, nga kontrabanda kryesisht e lëndëve të para të ndaluara, substancave dhe produkteve kimike, nga kontrabanda e cigareve, të gjitha të qarkulluara kryesisht nga grupet kriminale dhe organizatat e Lindjes, po pastrohen në Shqipëri”, - shkruhet në një prej paragrafëve të kapitullit “Procedurat dhe rrugët e ndjekura për pastrimin e parave nga grupet kriminale” të raportit “Për pastrimin e parave të pista në Shqipëri”. Raporti vijon më tej: “Fushat ku po hidhen (investohen) këto para kryesisht janë: ndërtimi, shitblerja e pronave dhe e tokave, kryesisht në zonat bregdetare dhe ato bujqësore, biznese të tjera si industria kimike dhe minerare, eksportet, investimet në arsim, si në hapjen e universitete private dhe së fundi në investime në sektorin medicinal dhe spitalor privat. Në këtë proces qarkullimi të aseteve dhe parave janë implikuar edhe banka private, agjenci sigurimesh dhe agjenci imobiliare, të cilat duket se janë të pasulmuara nga shteti. Këto subjekte ndihmojnë me anë të shumave që depozitojnë në llogari të subjekteve të ndryshme, apo dhe kredive në shuma të konsiderueshme që japin për aktivitete të pashpjegueshme në mënyrë ligjore dhe verbale, të cilave u bashkëngjiten më pas dhe fondet e parave që vijnë nga rrugët informale. Këto subjekte nuk kontrollohen as nga zyrat e taksave dhe institucionet financiare që përgjigjen për mbikëqyrjen e tyre”. Të dhënat e tjera që pasqyrohen të detajuara tregojnë se çdo vit në Shqipëri pastrohen miliarda dollarë, shuma e të cilave ka arritur edhe sa PPB-ja e Kanadasë, të cilën raporti e ka marrë si njësi krahasuese.

Mënyrat e pastrimit

Raporti i DASH-it shpjegon të detajuara edhe format e pastrimit të parave, se si kryhet procesi nga krimi i organizuar ekonomik. “Ai kalon në tri faza, të cilat bëjnë përzierjen (bashkimin) e fondeve të përfituara ilegalisht me fondet ligjore, që vënë në lëvizje ciklin ekonomik ligjor. Faza e parë është ‘hyrja’, në të cilën ‘pastruesi’ (subjekt ose individ) fut paratë ‘e pista’ në sistemin financiar ligjor, duke përdorur të gjitha instrumentet financiare që ka në dispozicion, si çeqet, kambialet e udhëtimit, apo kartat me anë të të cilave bëhen transferta parash edhe në shuma të konsiderueshme. Metodat depozituese janë më të thjeshta, por më të përdorura, siç mund të jetë: ndarja e shumave të mëdha në pjesë më të vogla, depozitimi i tyre në banka në format e llogarive bankare me emra të ndryshëm, që më vonë, ashtu si çeqet, do të ribashkohen dhe do të depozitohen në llogari bankare të lokaliteteve të tjera. Faza e dytë është ‘tjetërsimi’. Kjo është faza gjatë së cilës fondet e futura më parë në sistemin financiar ligjor konvertohen ose thjesht transferohen nga njëra bankë në tjetrën, anembanë sistemit bankar të vendit. Në fazën e tretë, të quajtur ‘integrim’, fondet, thuajse ‘të pastra’ rihyjnë në ciklin ekonomik ligjor, për t’u investuar ose konvertuar në mallra me vlerë ose pasuri të patundshme”, - thuhej në pasazhin e kapitullit “Procedura të ndryshme të konstatuara nga investigimi mbi pastrimin e parave”, pjesë e raportit.
Më tej thuhet: “Pastrimi i parave është një fenomen që përmbledh në vetvete dy krime të ndryshme: i pari, krimi kryesor, i cili sjell të ardhura që kanë nevojë ‘të pastrohen’; i dyti, krimi që kryen tjetërsimin e prejardhjes ilegale të fondeve”.

Raporti i Progresit: “Pastrimi i parave, problem madhor për Shqipërinë”

Në Raportin e Progresit që publikoi pak ditë më parë Komisioni Europian thuhet se Shqipëria është në fazat fillestare në luftën kundër pastrimit të parave, dhe ky fenomen mbetet një shqetësim madhor. “Raportohet progres i moderuar në luftën kundër pastrimit të parave, i cili vazhdon të jetë një problem madhor”, - thuhet në dokumentin e publikuar nga Brukseli. Sipas tij, ligji për pastrimin e parave dhe financimin e terrorizimit hyri në fuqi në shtator të vitit 2008 dhe zbatimi i legjislacionit është bërë tashmë. “Duhen bërë përpjekje të mëtejshme në përfshirjen e standardeve ndërkombëtare sipas rekomandimeve të FATF dhe konventave të Këshillit të Europës dhe të OKB-së, për futjen e tyre në ligjin e brendshëm”, - konstaton Raporti. Ai shton se nuk janë adoptuar ende strategjia dhe plani i veprimit për shmangien e pastrimit të parave. Raporti i Progresit konstaton se “kapacitetet teknike dhe administrative të Drejtorisë së Përgjithshme të Pastrimit të Parave (Njësia e Inteligjente Financiare) kanë shënuar progres krahasuar me periudha të mëparshme, duke shtuar stafin, duke u trajnuar dhe pajisur me mjete të teknologjisë dhe informacionit. Numri i transaksioneve të dyshimta, sipas informacioneve të marra nga Drejtoria e Pastrimit të Parave, ka ndryshuar në mënyrë domethënëse përgjatë viteve dhe nuk ka trend rritës në bazë të të dhënave të bëra publike. Një memorandum mirëkuptimi ka hyrë në fuqi në korrik të vitit 2009, i firmosur midis Drejtorisë së Pastrimit të Parave dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave. Numri dhe cilësia e inspektimeve nga DPP është rritur. Megjithatë, kapaciteti në tërësi i DPP-së mbetet i kufizuar, veçanërisht në drejtim të niveleve të larta të grupeve kriminale dhe transaksioneve të dyshimta me vlerë të lartë në valutë. Ndryshimet e shpeshta të stafit në nivele të larta dhe koordinimi me Zyrën e Prokurorisë së Përgjithshme mbetet problematike, ndonëse raportohen disa përparime më kushtet dhe numrin e rasteve të verifikuara nga DPP kohët e fundit. “Në tërësi, Shqipëria vazhdon të jetë në fazat fillestare në lidhje me realizimin e objektivave në këtë fushë”, - konkludon raporti. Sipas tij, “është duke u bërë një progres i moderuar vetëm në luftën kundër pastrimit të parave dhe ka nevojë për të kompletuar strukturën ligjore dhe të adoptohen ligjet njëri pas tjetri, si dhe duhet nxitur bashkëpunimi midis Policisë dhe Gjyqësorit”.


Ervin KOÇI, G. Albania

Rrathët në grurë

Rrathët në Grurë ose Crop Circles, filluan të bëhen të njohura për masën e gjerë të njerëzve në kohët moderne. Ka qenë pikërisht viti 1972 kur dy dëshmitarë Arthur Shuttlewood dhe Bryce Bond, të ulur në njerën nga anët e kodrës Star Hill në Warminster Angli, me shpresën për të parë një objekt fluturues të paidentifikuar, prania e të cilëve e kishte kthyer këtë pjesë te Anglise në një Mekë të UfO-ve, për më shumë se një dekadë.

Por ajo qe ata u bene deshmitare nen driten e henes, 100 kembe me larg nga aty ku po rrinin pane formen e dickaje qe filloi te ravijezohej ne fushe dhe nje hapesire e madhe ne forme rrethore me bimesi u rrafshua brenda 20 sekondave. Nga ketu u be popullor termi Crop Circle dhe si fenomen u shpernda ne te gjithe boten.



Ndonese kjo nuk ishte hera e pare qe ishte vezhguar nje fenomen i tille, ky rast shenon si te thuash fillimin e popullaritetit te fenomenit ne shkalle boterore.
Natyrisht qe llogjika te shtyn qe ky fenomen eshte shume i vjeter por mundesia per ta konstatuar eshte e veshtire per shkak te dimensioneve te rratheve dhe grafikave qe perbehet. Nga kronikat e vjetra na vjen nje rast i rregjistruar ne vitin 1647 ne Angli ku fenomeni u vezhgua vetem rastesisht nga nje lartesi e nje kodre.
Menyra e shfaqes se tyre dhe e larmishmerise eshte e pafundme. Po ashtu dhe shperndarja gjeografike eshte e madhe. Nga e gjithe bota na vijne raporte dhe foto te ketyre rratheve (shpesh forma nuk eshte fare ajo e nje rrethi) por ne vend te pare eshte Anglia dhe sidomos nje zone e caktuar e saj qe quhet Wiltshire i cili eshte shume i njohur sot ne bote per shkak te ketij fenomeni.
Wiltshire eshte nje nga vendet antike te Druideve dhe po ashtu eshte shume popullor pasi ne gjirin e tij ka dhe te famshmin Stonehenge (ndertimi i cuditshem me kollona te gurta qe i kalon disa qindra tonelata ne peshe). Wiltshire qe ndodhet ne jug te Anlgise mbulon nje zone prej 4300 km dhe perfshin Kennet, West Wilts, North Wilts, Salisbury dhe South Wilts dhe the Borough of Swindon.
Por le te kthehemi tek Crop Circle perseri. Sic thashe me larte gjeografia e pranise se tyre eshte e larmishme ne te gjitha kontinentet (ka mungesa raportesh nga Kina dhe Afrika e Jugut) dhe po ashtu dhe forma.
Ato behen kryesisht ne fusha me grure, miser, tershere, soje, bar te larte etj. ne pergjithesi ato paraqesin koncepte gjeometrike te realizuara ne perfeksion dhe qe presni te deshifrohen nga shkenctaret e planetit qe me kot hartojne teori mbas teorie duke u perpjekur fillimisht te gjejne burimin qe i krijon.

Teorite jane te shumta

1- energjia planetare
2- energji plazmore, rrathe
3- jashtetokesore
4- energji nga brenda tokes bazuar ne teorine Gaia mbi Linjat Ley te Tokes
5- shpirtera te natyres
6- vorbulla dhe ferkim qe gjenerohet nga energjia plazmore
7- te bera nga vete humanet (gje qe eshte vertetuar per disa prej tyre)
8- krijuar nga nje satelit qe orbiton Token.

Krijimi i ketyre rratheve ne grure eshte shpesh i shoqeruar nga vezhgime te dritave te pazakonta ose mjete fluturuese qe ndricojne vendin ku nje dite me pas gjehet Rrethi. Shumica e rratheve krijohet gjate nates nga ora 11 deri ne oren 4 te mengjesit por ka patur edhe formacione qe jane shfaqur gjate oreve te dites.

Shume shpesh formacione te tilla shfaqen aty ku linjat e fuqishme ley nderthuren me linjat e energjise magnetike te Tokes. Dhe kjo ndodh shpesh ne vende ku ka ndertime megalitike si ai ne Stonhenge.
Figurat qe shfaqen jane shpesh te krahasuara me Krijimin, Trupa Qiellore, Cakra ose Gjeometria e Shenjte.

Shpesh jane bere perpjekje nga njerez te ndryshem qe te fallsifikojne krijimin e nje Rrethi ne Grure dhe disa prej tyre jane mjaft te arrira. Por sidoqofte ka gjithmone elemente qe nuk perputhen, disajni eshte modest dhe i vogel por tipari me kryesor eshte qe kur rrathet jane te bere nga njeriu ato paraqesin nje prerje vertikale te kallinjve te cilet mbas pak kohesh vazhdojnet e rriten normalisht ne menyre vertikale. Kur fenomeni nuk eshte i krijuar nga njeriu (99 % e rasteve) kallinjte cuditerisht nuk jane aspak te prere por te perkulur horizontalisht dhe vazhdojne te rriten ne ate menyre. Po ashtu ne zonen ku paraqitet fenomeni ka nje prani radioaktiviteti te ulet dhe kjo zone eshte e pandjeshme nga ndryshimet atmosferike qe do te thote ne rast debore apo ngricash, zona mbetet e paster dhe nuk ndikohet aspak.

Foto te rratheve qe nga viti 1998 deri ne ditet e fundit do të shikoni tek albumi i fundit i faqes Stop Injorancës.

Darius, Forumishqiptar

Video në YT :http://www.youtube.com/watch?v=8mAdrSvOgwI http://www.youtube.com/watch?v=x66ZSvtRzKI

Studimi, 60% e shqiptarëve te dentisti vetëm kur kanë dhimbje

"Shqiptarët nuk kujdesen për gojën, ndërsa promocioni i shëndetit oral është shumë i mangët. Jo pak por rreth 60% e shqiptarëve shkojnë te dentisti kur kanë dhimbje".

Këtë e bëri të ditur në Konferencën Vjetore të Stomatologjisë, Dorian Hysi pedagog në Departamentin e Stomatologjisë në Fakultetin e Mjekësisë, i cili theksoi se shëndeti i gojës duhet parë me prioritet nga të gjithë. "Vihet re se shqiptarët shkojnë te dentisti vetëm kur kanë dhimbje.


Kështu, të dhënat tregojnë se rreth 50-60 % shkojnë te stomatologu vetëm kur kanë dhembje. Ndërkohë, normat janë që çdo 6 muaj të shkohet te stomatologu për një kontroll dhe pastrim edhe pa pasur dhembje, gjë e cila mungon",- pohon Hysi, duke shtuar se pjesa më e madhe e të anketuarve rezultuan që kishin qenë te stomatologu njëherë në 2 vjet që është një distancë shumë e madhe.

Në prishjen e dhëmbëve, sipas tij, ndikon edhe përdorimi i ëmbëlsirave dhe pijeve të ëmbla. "Vihet re një rritje e përdoruesve të pijeve të ëmbla, me sheqer dhe me përmbajtje acidi, sikurse pijet e gazuara si limon soda, coca-cola, etj, që kanë efekt prishës, kur përdoren në sasi të madhe",- theksoi ai, duke mos përjashtuar ndikimin negativ që ka përdorimi i tepruar i ëmbëlsirave.

Ndërsa për sa i përket përdorimit të fillit dentar, përdorimi i të cilit është shumë i rëndësishëm sepse parandalon prishjen midis dy dhëmbëve është 2 %, pra shumë shumë e ulët.


Shekulli

Sunday, November 1, 2009

Vangjel Zhapa, shqiptari që ndërtoi perlat e Athinës

Në fillim të shekullit XIX, në vigjilje të përpjekjeve të Ali Pashë Tepelenës për t’u shkëputur nga Perandoria Osmane si dhe të shpërthimit të Revolucionit Grek, shqiptarët dhe grekët mendonin se do të luftonin të bashkuar.

Madje edhe për të ardhmen ata parashikonin një shtet të përbashkët, veçse, ndërsa grekët kërkonin një shtet panhelenik, ku të sundonin ata, shqiptarët ishin për një shtet të madh të pavarur shqiptaro-grek nën Ali Pashën ose nën shqiptarët. Partizanët më të zjarrtë të këtij projekti ambicioz ishin këshilltarët e afërt të Aliut, iluministi nga Përmeti, Kostandin Duka dhe Aleko Miço, Mantho Ikonomi etj.

Vangjel Zhapa i përqafoi këto ide dhe mbeti ithtar i tyre gjatë gjithë jetës. “Ai që kishte shërbyer që shumë i ri tek Ali Pasha dhe i kishte mbetur atij besnik deri në fund, ishte, me sa duket, në krye të herës, për një shtet shqiptaro-grek, ku shqiptarët të loznin rolin e madh që lozte Aliu” (Dh. Shuteriqi, "Gjurmime letrare", 1974, f. 220). Gjatë studimeve në gjimnazin "Zosimea", ku përvetësoi greqishten e vjetër dhe të re, V. Zhapa u magjeps nga kultura, arti, letërsia dhe qytetaria helene, për rigjallërimin, studimin dhe përhapjen e të cilave ai dedikoi një pjesë të konsiderueshme të aktivitetit dhe sidomos të pasurisë së tij.

Gjatë Revolucionit Grek luftoi me trimëri kundër turqve në vijën e parë të frontit, aty ku luftimet zhvilloheshin trup me trup. Edhe pse luftoi nga dita e parë deri në të fundit (1821-1830) dhe u plagos pesë herë, pushtetarët grek të kohës e shpërblyen vetëm me medaljen e argjendtë dhe me një copë tokë të rreshkur, diku në periferi të Greqisë. Me zemër të thyer largohet për në Rumani, ku vetëm pas 10-15 vjetësh u bë njeriu më i pasur i atij vendi, pa harruar asnjëherë padrejtësinë që i bënë grekët. Nuk rreshti kurrë së kërkuari medaljet dhe gradat që meritonte, derisa më vitin 1843 Mbreti Oton u detyrua të dekretonte dhënien e gradës së kapitenit të falangës. I pakënaqur edhe nga kjo gradë, ai u dërgoi letrën e fundit autoriteteve greke. Tashmë milioner, kërkonte “vetëm gradat dhe medaljet që meritonte dhe jo shpërblime e lehtësi të tjera për t'u bërë barrë atdheut (Greqisë)” (Q. Hila, “Vangjel Zhapa", faqe 65).

Ishte viti 1845, kishte kaluar shumë kohë, por grekët nuk kishin harruar se Vangjel Zhapa kishte qenë përkrahës i zjarrtë i idesë për një shtet të madh shqiptaro-grek, ku do të udhëhiqnin shqiptarët. Letra e përmendur më sipër nuk do të kishte përgjigje, kurse Vangjel Zhapa do të ngelte vetëm një kapiten falange në lirim.

Pjesa më e madhe e intelektualëve shqiptarë të viteve '30-'60 të shekullit XIX fillimisht ranë plotësisht në kurthin e “panhelenizmit”. Naum Veqilharxhi (1797-1854) kishte mendimin e ndritur që të zgjonte ndërgjegjen kombëtare të popullit shqiptar me anë të përhapjes së kulturës në gjuhën amtare, veçse ai e shihte zgjidhjen politike të çlirimit të Shqipërisë “nëpërmjet një shteti të përbashkët greko-shqiptar, ku shqiptarët do të fitonin të drejta të barabarta me grekët vetëm kur të afirmoheshin mirë me kulturën dhe zhvillimin e tyre të gjithanshëm” (Dh. Shuteriqi, "Gjurmime letrare", f. 226).

Edhe intelektualë të tjerë shqiptarë, që më pas u shquan si veprimtarë të Rilindjes Kombëtare Shqiptare, si Thimi Mitko (1820-1890), Jani Vreto (1822-1900), Eftim Brandi (1817-1882) si dhe Anastas Byku (1829-1878) ishin “infektuar” nga teoria pellazgjike dhe pjella e saj “panhelenizmi”. Të gjithë ata harronin se shqiptarët banonin jo vetëm në jug, po edhe ne veri të Shqipërisë, madje më të shumtë ishin në veri sesa në jug dhe vazhduan të propagandonin deri rreth viteve '70 shtetin dualist në formën e federatës në mes shqiptarëve të jugut dhe grekëve.

Panhelenizmi i Vangjel Zhapës nuk vihet në diskutim. Pikërisht “Pellazgos” do të quhej gazeta e parë shqiptare në Lamia të Greqisë (1859-1861) që botohej nga Anastas Byku, por që në të vërtetë ishte në pronësi të Vangjel Zhapës. Në letrën që Vangjel Zhapa u drejton autoriteteve greke më 1845, me anë të të cilës evidenton sakrificat e tij dhe ankohet për vlerësimin e pamjaftueshëm nga autoritetet greke, ai e quan Greqinë si “atdheun e tij”. Veçse në testamentin përpiluar 15 vjet më vonë, e konsideron vendlindjen e tij “atdheu i veçantë”, duke shtuar “vendi i shenjtë i takimit me Zotin”.

Vangjel Zhapa, si edhe bashkëkohësit e tij ortodoksë, ishin viktima të propagandës panheleniste, të dëshpërimit dhe pesimizmit që u krijua pas shkatërrimit të shtetit të Aliut dhe bashkë me të edhe të ëndrrave që u thurën nga të gjithë shqiptarët gjatë asaj periudhe dhe veçanërisht të dobësisë së Lëvizjes së Rilindjes, që deri ne fillim te viteve '70, la një “zbrazëtirë” në drejtim të aktivitetit patriotik.

Historiografia e periudhës komuniste ka ndërhyrë brutalisht në faktet dhe të vërtetat historike. Si në letërsi, kinematografi etj., edhe në histori janë krijuar personazhe të ngjyrosura vetëm bardh e zi, patriotë ose tradhtarë, heronj ose armiq. Për të krijuar këto personazhe, pjesërisht të sajuar, janë eliminuar ose anashkaluar shumë fakte historike dhe dokumente për disa dhe janë ngarkuar më tej disa të tjerë. Pas viteve '30 të shekullit XIX Vangjel Zhapa ka qenë panhelenist, ashtu si edhe Naum Veqilharxhi, Jani Vreto ose Thimi Mitko etj., veçse të paktën ai mbështeste idenë, mbase utopike, të një shteti të përbashkët shqiptaro-grek që do të drejtohej nga shqiptarët. Ky fakt plotëson figurën e këtij shqiptari trim dhe krenar, që kishte besim dhe adhuronte popullin e vet, i cili vërtet pjesërisht kishte bashkëjetuar dhe bashkëqeverisur me pushtuesin, por sipas Zhapës, kishte të mundur t’i mbizotëronte grekët e rinj, tashmë të harruar nga bota dhe të tulatur nga pushtimi i gjatë turk.

Në vitin 1854 në Jena të Gjermanisë botohet “Studime shqiptare” me autor Johannes Georg von Hahn-in e madh, mikun e shqiptarëve. Hahn-i shpjegoi me anë të gjuhës shqipe shumë toponime ilire dhe vërtetoi se mjaft emra vendesh të viseve shqiptare ishin vazhdim i drejtpërdrejtë i emërtimeve ilire. Ai në këtë mënyrë arriti në përfundimin se shqipja është vazhduese e njërit prej dialekteve të vjetra të ilirishtes. Vepra e Hahn-it, që vërtetonte autoktoninë e shqiptarëve, ishte e shkruar në gjermanisht dhe nuk do të bënte pjesë në bibliotekën e Vangjel Zhapës; si rrjedhojë ai nuk do të njihej me konkluzionet e albanologut të madhe në lidhje me autoktoninë e shqiptarëve

Vangjel Zhapa, në mes shqipes dhe greqishtes

Edhe pse i larguar prej kohësh nga Shqipëria, Vangjel Zhapa ka dhënë një ndihmë të jashtëzakonshme për botimin e librave në gjuhën shqipe, ngritjen e shkollave ku mësohej edhe shqip dhe për futjen e mësimit të gjuhës shqipe në shkollat greke. Vangjel Zhapën, tashmë milioner, e gjejmë në disa dokumente që vërtetojnë se gjatë viteve '40 të shekullit XIX, qëndronte shumë pranë Naum Veqilharxhit në Rumani dhe kishte “diskutuar me javë të tëra në lidhje me alfabetin e tij” (A. Buda “Studime historike”, 1965, nr. 2, f. 60).

Nikolla Naço (1843-1913), atdhetar dhe veprimtar i dalluar i Rilindjes sonë, që jetonte në Rumani, ka dëshmuar se “Vangjel Zhapa daroviti 25.000 florinta për gjuhën shqipe dhe punoi bashkë me të pavdekshmin Naum Veqilharxhi për të shkruar gjuhën shqipe dhe për të shtypur shumë kartëra, por që foleja e shejtanit, Patrikana, e ndoqi dhe e vrau me të pabesë”.

Librat e Naum Veqilharxhit, që panë dritë nëpërmjet donacioneve të Zhapës, janë “Evetari”, që në fakt është abetarja e parë e gjuhës shqipe (1844) dhe “Fare i ri Evetar shqip” (1845), nëpërmjet të cilëve gjuha shqipe u vu mbi baza shkencore. Këto abetare të Naum Veqilharxhit, të shtypura me paratë e Vangjel Zhapës, luajtën një rol të rëndësishëm në Rilindjen Shqiptare, pasi hodhën hapat e para të arsimit në gjuhën shqipe.

Historiografia shqiptare, duke mos njohur dokumentet ose duke i anashkaluar ato, mban për këtë rast një qëndrim të kundërt: “Naum Veqilharxhi iu drejtua pasanikëve shqiptarë në Rumani, Vangjel Zhapës nga Labova etj., që të jepnin përkrahjen e tyre për të shtypur libra shkollorë në gjuhën amtare të hartuar prej tij dhe për të hapur shkolla shqip. Por Vangjel Zhapa doli kundër orientimit të pavarur të veprimtarisë arsimore shqiptare” ("Historia e popullit shqiptar", vëll. II, f. 105). Sipas dokumenteve të shumta, Vangjel Zhapa, edhe pas vdekjes së Naum Veqilharxhit, vazhdoi të ishte aktiv në drejtim të problemeve të shumta lidhur me Shqipërinë, shqiptarët, gjuhën shqipe dhe futjen e saj në shkolla. Në frymën e Naum Veqilharxhit u shtrua në mënyrë propagandistike se “në qoftë se nuk e mësojmë një popull në gjuhën e tij amtare, nuk është e mundur ta edukojmë atë”.

“Për të arritur këtë qëllim, ishte hartuar një program i gjerë veprimtarish, që do të realizohej kryesisht me mbështetjen financiare të Vangjel Zhapës, i cili prej kohësh kishte dhuruar të holla për mbajtjen e shkollave në fshatrat e rretheve të Gjirokastrës, Tepelenës, Përmetit etj.” (A. Buda, Studime historike, 1965, nr. 2, f. 60). Sipas programit të hartuar nga Anastas Byku dhe Vangjel Zhapa, parashikohej botimi në shkallë të gjerë i librave shkollorë në gjuhën shqipe, hapja e shkollave fillore shqipe në çdo fshat për vajza dhe djem, ndërtimi i gjimnazeve në Gjirokastër, Berat, Përmet dhe i dy shkollave të mesme për vajza në Labovë. Në libra do të përdorej alfabeti i A. Bykut. Ata do të mbështeteshin mbi botimet shkollore greke (“Pellazgos” 25.05.1860 dhe 24.12.1860). Ndërkohë Vangjel Zhapa i kishte ofruar A. Bykut postin e drejtuesit ose inspektorit të shkollave të tij në Labovë dhe gjetkë.

Në numrin e datës 31.03.1861 të “Pellazgos”, Vangjel Zhapa boton një artikull, ku vë në dukje “veprimet e veta në favor të shkollave në Shqipëri, ku ka futur edhe shqipen me funksion ndihmës, për sa kohë që është e nevojshme për të mësuar greqishten”. Ky formulim, siç duket, ishte “çelësi” për të hapur dyert e shkollave greke që ishin në pronësi të Patrikanës.

Po në këtë numër ai polemizon edhe me A. Bykun, i cili propozonte për të ngritur “një sistem arsimor më vete për gjuhën shqipe”. Duke komentuar këtë polemikë, A. Buda beson se "ky qëndrim armiqësor i qarqeve heleniste në përgjithësi dhe V. Zhapës në veçanti u bë shkak që planet e A. Bykut të shembeshin dhe gazeta e tij të pushonte botimin”. Ngritja e një sistemi arsimor në gjuhën shqipe në Shqipërinë e mesit të shekullit XIX ishte utopi. Planet e Vangjel Zhapës, labovitit milioner me këmbë në tokë, synonin fillimin e menjëhershëm të mësimit të shqipes në shkollat e tij dhe në shkollat greke, që numëroheshin me qindra në Shqipërinë e Jugut.

Dhimitër Shuteriqi shkruan se “ Zhapa ndihmoi vërtet për futjen e shqipes në shkollat greke” (Dh. Shuteriqi, "Gjurmime letrare", f. 247). Ky kontribut i Vangjel Zhapës duhet më në fund të njihet nga të gjithë shqiptarët. Mësimi i shqipes në mesin e shekullit XIX nga nxënësit shqiptarë dhe për më tepër në shkollat greke, kinse për të lehtësuar mësimin e greqishtes, ishte një sukses i jashtëzakonshëm për ruajtjen e gjuhës dhe identitetit tonë kombëtar.

Shkolla e parë shqipe, Mësonjëtorja e Korçës, u lejua të hapej vetëm me miratimin nga qeveria e Stambollit më 7 mars 1887, pas një lëvizjeje të mirorganizuar nga rilindësit shqiptarë brenda dhe jashtë vendit, presionit efikas të vëllezërve Frashëri në Stamboll dhe për më tepër kur Perandoria Osmane ishte në prag të shpërbërjes. Kaluan edhe 23 vjet të tjera dhe labovitët, që guxuan të çelnin shkollën e parë shqipe në rrethin e Gjirokastrës, më 10 prill 1910, përfunduan në burgun turk të Tepelenës të paditur nga Mitropolia dhe konsullata greke, ndërkohë që u shkishëruan të gjitha familjet që dërguan fëmijët e tyre në shkollën shqipe, e cila u mbyll mbas disa javësh. Për sa i përket planit të Anastas Bykut për të ngritur “një sistem arsimor më vete për gjuhën shqipe”, ai u bë i mundur të realizohej nga qeveria shqiptare vetëm pas Luftës së Parë Botërore, më vitin 1920.

Ndërkohë që Jani Vreto u rekomandonte shqiptarëve "të hiqnin dorë me vullnet nga gjuha e tyre dhe të bëjnë të tyre greqishten, pra të ç’kombëtarizohen” (Dh. Shuteriqi, Lufta midis shqipes dhe greqishtes, në "Gjurmime letrare", f. 213), Vangjel Zhapa kishte një pozicion krejt tjetër. Në një artikull që botoi në të përkohshmen “Elpis” të Athinës më 5.11.1860, shprehet se “shqipja mund të shkruhej për nevojat e përdorimit familjar dhe si mjet për të fituar më shumë dije” (Dh. Shuteriqi, Naum Veqilharxhi, në "Gjurmime letrare", 1974, f. 259). Vangjel Zhapa nxiti botimet në gjuhën shqipe. Së bashku me Anastas Bykun botuan gazetën e parë në gjuhën shqipe, "Pellazgu" (1859-1861). Anastas Bykun e mbështeti financiarisht edhe për botimin e librit “Preludi i çështjes pellazgjike” dhe abetares së tij “Gramë për shqiptarët” (1861).

Në një periudhë shumë të vështirë për shqiptarët, kur Perandoria Osmane dhe Mbretëria e Greqisë shtuan përpjekjet e tyre për të zhdukur gjuhën dhe kombësinë e popullit tonë, ndërkohë që lëvizja kombëtare shqiptare qëndronte në nivelin më të ulët, ishte vetëm laboviti Vangjel Zhapa, që me energjinë dhe pasurinë e tij, bëri të mundur që shqiptarët të mësonin gjuhën amtare jo vetëm në shkollat që ndërtoi vetë, por edhe në qindra shkolla greke që funksiononin kudo në Shqipërinë e Jugut. Vetëm pas disa dhjetëvjeçarësh dhe pikërisht në fund të shekullit XIX, lufta për mësimin e gjuhës shqipe do të zinte një vend qendror në programin politik dhe kulturor të Rilindjes Kombëtare.

Labovitët e të gjithë brezave që jetojnë sot, krenarë për origjinën e tyre të lashtë dhe të lidhur ngushtësisht me atdheun, gjithmonë protagonistë kur përcaktohen fatet e tij, prej kohësh kanë shprehur trishtimin e tyre për faktin se përfaqësuesi më i spikatur i familjes Zhapa, Vangjel Zhapa, ka ndarë dashurinë e tij edhe me dy vende të tjera, përveç vendlindjes dhe atdheut të vet. Ai ka qenë nënshtetas rumun gjatë pjesës më të madhe të jetës, kurse për atdhe quante Greqinë, por “atdhe të veçantë” ose “vendi i shenjtë ku takohej me Zotin”, vendlindjen e tij, Labovën.


V. Zhapa kujtohet dhe nderohet me respekt në Rumani, pasuritë e tij të shumta kanë lumturuar dhe vazhdojnë t’i lumturojnë grekët, ndërsa ne, shqiptarët, inatçorë si gjithë popujt e tjerë të Ballkanit, por edhe të drejtuar keq nga historiografia jonë, vazhdojmë të mos e shohim në 360 gradë figurën e tij poliedrike dhe bëhemi xhelozë me popujt e tjerë të Ballkanit që, në kohën kur jetonte bashkëfshatari ynë milioner, ishin në gjendje të thithnin investimet dhe donacionet e shumta që ofronte ky bamirës shqiptar i jashtëzakonshëm. Krahas parave të shumta që dhuronte, me delikatesën që e karakterizonte, ai kishte gjithashtu kapacitetet e duhura të shpërndante paqe, dashuri dhe mirëkuptim midis popujve të Ballkanit, duke u integruar plotësisht në historinë e kulturës, të zhvillimit ekonomik dhe të qytetërimit panballkanik të mesit të shekullit XIX.

Ne, shqiptarët e sotëm, kemi filluar ta kuptojmë dhe ta pranojmë bashkëfshatarin tonë, me eshtra që i prehen në dy varre te ndryshme, ashtu si ishte ai në të vërtetë, me virtytet e rralla dhe të metat e tij dhe ta konsiderojmë tashmë si qytetarin pararendës të Evropës së Bashkuar, të cilën po përgatitemi, më në fund, ta prekim edhe ne.


Zhapa, jetëshkrimi i shqiptarit që ngjalli Lojërat Olimpike


Para mesit të shekullit të XIX, sipas dëshirës të kushërinjve Zhapa, në bazë të projekteve të ardhura nga Bukureshti dhe Athina, muratorët dhe teknikët më të mirë të Vilajetit të Janinës, ndërtuan në qendër të Labovës së Madhe tri ndërtesa jo të zakonshme për nga madhështia dhe bukuria e tyre. Ato do të ishin banesat e kushërinjve Zhapa dhe pasardhësve të tyre, si dhe shkolla e famshme e Labovës, ku kanë mësuar breza të tërë labovitësh, një pjesë e të cilëve i vazhduan studimet në Janinë dhe gjetkë.

Të tria këto ndërtesa u dogjën gjatë Luftës së Dytë Botërore, por ndërsa shkollën e ndërtuan vetë labovitët fill pas lufte, shtëpitë e fisit Zhapa vazhdojnë të jenë edhe sot gërmadha. Vite më vonë shkolla e Labovës u kthye në shtëpi kulture, muze dhe më pas, për çudi të labovitëve, dhe jo vetëm, u shit! Shkolla e famshme e Labovës, dhurata kryesore që i bëri Vangjel Zhapa Labovës dhe labovitëve, në oborrin e së cilës ai dëshironte të varrosej, u shit sikur të ishte një shtëpi e zakonshme fshati. Ky ishte shpërblimi që disa banorë të sotëm të Labovës, sigurisht të ardhur dhe të panjohur me historinë e lavdishme të fshatit tonë, i bënë bamirësit të madh Vangjel Zhapa. Për më tepër, shkolla e Labovës është e para shkollë në Shqipëri, ku mësohej gjuha shqipe që në vitin 1860, duke u bërë në këtë mënyrë simbol i përpjekjeve të labovitëve për mësimin e gjuhës sonë amtare dhe që ndihmoi fuqishëm për ruajtjen e identitetit dhe dinjitetit kombëtar në kohët e vështira të sundimit osman.

Restaurimi i pallateve-kështjella të Vangjel dhe Konstandin Zhapës dhe i shkollës sonë, ndërtuar me dhurimet e Vangjel Zhapës, ashtu si edhe shumë shkolla të tjera në jug të Shqipërisë, do të ishte jo vetëm një akt falënderimi dhe mirënjohjeje i labovitëve të sotëm dhe gjithë shqiptarëve, kudo që janë, në drejtim të bashkëfshatarëve tanë bamirës, por gjithashtu do të shënonte një hap të rëndësishëm në drejtim të ringjalljes së Labovës edhe si një qendër kulturore, arsimore, muzeore, turistike, klimaterike dhe jo vetëm.

JETA

Vangjel Zhapa lindi më 23 gusht 1800. I ati quhej Vasil Zhapa, kurse e ëma Sotira Meksi, të dy nga Labova e Madhe. U rrit në fshat, ku u njoh sidomos nga e ëma, me mjeshtërinë punimit të tokës, ndërkohë që njohuritë e para arsimore i morri nga prifti i fshatit që kryente, si zakonisht në ato kohë edhe rolin e mësuesit. Mbasi mbushi moshën 13 vjeç, si shumë labovitë, u largua nga fshati për në Janinë, ku u lidh me mjekun popullor Petro Meksi, kushëri i së ëmës, i cili shërbente në gardën e Ali Pashë Tepelenës. Në të vërtetë, njohuritë mbi kultivimin dhe përdorimin e bimëve mjekësore i kishte marrë nga e ëma, kurse Petro Meksi e stërviti për të ushtruar me sukses mjekësinë popullore.

Vangjeli në Janinë kreu gjimnazin "Zosimea", që e pajisi përveç të tjerash edhe me njohuri të mjaftueshme në gjuhën frënge dhe italiane. Ashtu si dhe shumë labovitë të tjerë shërbeu për disa vjet në ushtrinë e Ali Pashë Tepelenës. Në ato kohë Janina, kryeqendra e Vilajetit me të njëjtin emër që sundohej nga Ali Pashë Tepelena, përjetonte periudhën më të shkëlqyer të historisë së saj. Aty sundonte ligji i shtetit të Aliut, që kishte siguruar qetësi, prosperitet dhe marrëdhënie normale në mes shqiptarëve, grekëve, vllehve dhe turqve, që popullonin këtë vilajet. Në fillim të viteve '20 të shekullit XIX, shpërtheu Revolucioni Grek, ku morën pjesë mijëra shqiptarë, ndër ta edhe Vangjel Zhapa, që u dallua veçanërisht në luftimet trup me trup në vijën e parë të frontin. Ai gjithashtu mjekonte bashkëluftëtarët e plagosur gjatë luftimeve, duke punuar si kirurg. Kur lufta mbaroi, autoritetet greke e shpërblyen me medaljen e argjendtë dhe me disa toka në periferi të Greqisë, të cilat ai i konsideronte të pamjaftueshme në krahasim me heroizmat, sakrificat dhe pesë plagët e marra gjatë luftimeve me turqit. Për këtë arsye braktisi Greqinë e ngushtë, tërë male të thata, dhe mosmirënjohëse, për fushat pa fund dhe pjellore të Rumanisë, ku prej kohësh kishte një koloni të madhe shqiptare. Sidoqoftë ai iku nga Greqia me zemër të thyer. Për 15 vjet nuk rreshti së kërkuari gradat dhe medaljet që meritonte. Në Rumani punoi në fillim si bujk, duke ushtruar njëkohësisht dhe profesionin e mjekut popullor. I pajisur me mësimet e së ëmës, të Petro Meksit dhe me praktikën në terren me të plagosurit gjatë Revolucionit Grek, shpejt u bë mjeku popullor më i kërkuari në Rumani. Sipas të thënave mbreti i Rumanisë i dhuroi Vangjel Zhapës një mulli për shërbimet e kryera. Mulliri ishte i vetmi në një fushë pa fund që mbillej me grurë, por krahas kësaj ishte zgjuarsia, prakticiteti dhe largpamësia e Vangjel Zhapës, që e bëri pronar të gjithë asaj fushe të begatë! Më pas e ndihmoi dhe fati: një shoqëri anglo-persiane zbuloi se nëntoka në pronësi të Zhapës ishte naftëmbajtëse. Vangjel Zhapa nuk pranoi tua shiste tokën anglezëve dhe u bë një nga aksionerët kryesorë të kësaj shoqërie e më pas, me të ardhurat e realizuara nga shfrytëzimi i puseve, u pasurua së tepërmi. Me këto të ardhura bleu toka, pyje, mullinj të tjerë, hotele, fabrika, si dhe një pjesë të madhe të aksioneve të shoqërisë rumune të lundrimit. Si nismëtar e novator që ishte, falë edhe njohurive agronomike të përvetësuara gjatë studimeve të kryera në këtë fushë në Paris nga mesi i viteve '30, Vangjel Zhapa zbatoi me sukses metodat e reja të kohës në bujqësi, duke rritur në këtë mënyrë dukshëm rendimentet e kulturave bujqësore. Vangjel Zhapa përgjithësoi përvojën e tij dhe e përhapi atë nëpërmjet botimit të disa librave mbi reformën agrare, për shndërrimin e fshatarëve në pronarë të tokës, për bujqësinë intensive dhe ekonominë bujqësore. Ky njeri energjik dhe me njohuri të thella, jo vetën në bujqësi, por edhe në ekonominë në përgjithësi, u emërua “këshilltar” në oborrin e mbretit të Rumanisë. Pasuria e tij shtohej në mënyrë marramendëse. Fshatari nga Labova dhe mjeku popullor u shndërrua në një latifondist me të ardhura financiare të pallogaritshme. Veçse, ai shquhej nga të tjerët edhe për kulturën, klasën dhe sjelljen elegante, mënyrën evropiane të jetës që bënte dhe shoqërinë e tij të zgjedhur që përfshinte edhe princa e mbretër. Rezidenca e tij afër Bukureshtit përmendej, jo vetëm si vend i darkave madhështore që shtroheshin, dhe i shampanjës e verave franceze nga më cilësoret që shërbeheshin pa kursim, por edhe për bibliotekën madhështore, unike në Rumani, me libra të blera kryesisht në Paris. Pasuria e pafund që grumbulloi ia shtoi edhe më shumë fisnikërinë, duke i ngjallur gjithashtu pasionin për të ndihmuar të varfrit kudo që të ishin dhe për të dhënë donacione në përmasa të mëdha dhe të zgjedhura me shumë kujdes. Në Rumani ai vuri në dispozicion shuma të konsiderueshme të hollash për hartimin dhe botimin e Fjalorit dhe Gramatikës të gjuhës letrare rumune dhe përkthimin e veprave të klasikëve grekë dhe romakë si dhe për ndërtimin në Bukuresht të Akademisë, Universitetit dhe të një teatri madhështor të tipit helen. Në Greqi ai ndërtoi pallatin "Zappeion" të Athinës, që shërben edhe sot për ekspozita, Universitetin, Akademinë, Konservatorin, Bibliotekën Kombëtare, që janë edhe sot godinat më madhështore të kryeqytetit grek. Me këmbënguljen dhe financimin e Vangjel Zhapës u organizuan në Athinë, më vitin 1859 Lojërat Olimpike nën shembullin e Lojërave Olimpike të lashtësisë, të cilat u përsëritën edhe më 1870. Këto lojëra, në të cilat garonin vetëm atletë grekë, ngjanin më tepër me kampionatet kombëtare të atletikës, hipizmit etj. Sidoqoftë këto lojëra, që përmenden edhe sot në të gjithë botën me emrin “Lojërat Olimpike të Zhapës”, konsiderohen si “përpjekje për të përtëritur Lojërat Olimpike të antikitetit”. Përpjekja e parë ka filluar në Paris më 1796, fill pasi u zbuluan rrënojat e Olimpit të lashtë në Greqi. Ndër tentativat e tjera përmenden Lojërat e Rondo në Dophine, Francë (1832), Lojërat Skandinave (1834-1836), Festivalet Olimpike Britanike (1849), kanadeze (1851) dhe sikurse e përmendëm, Lojërat Olimpike të Zhapës (1859-1870). Sot pranohet njëzëri që Lojërat Olimpike moderne u konceptuan nga Baroni Pierre de Coubertin (Pier dë Kuberten) dhe filluan me lojërat e Athinës më 1896, që u quajtën Lojërat e para Olimpike moderne. Këto lojëra, ndryshe nga lojërat e lashtësisë dhe lojërat përgatitore, zhvillohen nën flamurin me pesë rrathë, që përfaqësojnë sportistët e pesë kontinenteve, të frymëzuar nga vlerat e olimpizmit dhe parimet kryesore të tij, sipas një filozofie të veçantë për jetën, ku vlerësohen dhe kombinohen në një të tërë cilësitë e trupit, të vullnetit dhe të shpirtit të gjithë sportistëve pa dallim race, seksi, klase shoqërore etj. Labova për Vangjel Zhapën ishte “atdheu i tij i veçantë”. Edhe pse jetonte prej kohësh shumë larg nga vendlindja, ai duket se nuk qe shkëputur shpirtërisht nga Labova dhe labovitët. Nga Rumania hartoi një program të plotë për rilindjen e Labovës, sipas të cilit u ndërtua shkolla, e njëjtë me shkollat më të mira të Greqisë, së bashku me konviktin. Përbri shkollës u ndërtua punishtja e avlëmendit, ku, në drejtimin e dy mësueseve të huaja, vajzat labovite mësuan, përveç endjes në avlëmend, edhe punë dore, qëndisje, rrobaqepësi etj. Sipas programit u ngrit gjithashtu qendra e shërbimit shëndetësor dhe farmaceutik, që u shërbente falas nxënësve dhe familjeve të varfra. Mjekët, që paguheshin nga fondet e Zhapës, u shërbyen labovitëve deri në vitin 1945. Sipas planit të Zhapës, u sistemuan gjithashtu ujërat e bollshme të fshatit, u ndërtuan gjashtë çezma, si dhe u shtruan me kalldrëm rrugët që vazhdonin deri afër Gjirokastrës. Të gjitha familjet e varfra të Labovës ndihmoheshin financiarisht çdo vit, ndërsa shumë vajza të varfra martoheshin me fondet e caktuara nga Zhapa. Në Bankën Kombëtare të Greqisë u depozitua një shumë e konsiderueshme parash, interesat e të cilave u përdorën për arsimimin e të rinjve nga vendlindja e tij në shkollat bujqësore të Evropës, si dhe për botimin e broshurave të thjeshta për kultivimin e bimëve dhe të drurëve frutorë. Vangjel Zhapa ndërtoi në Rumani, në Stamboll dhe në fshatrat e krahinës së Rrëzës disa objekte kulti (dy kisha, një manastir dhe një xhami). Të ngjashme me shkollën e Labovës, u ngritën dhe u mbajtën me fondet e Zhapës, të tjera shkolla në rrethin e Gjirokastrës, Tepelenës, Përmetit etj. Vangjel Zhapa vdiq më vitin 1865, por ndihmat për Labovën nuk reshtën, ngaqë ishin të përcaktuara me hollësi dhe saktësi në testamentin e tij, që u përpilua më 1860. Në testament fillimisht janë caktuar pagat e anëtarëve të Epitropisë të Labovës, që do të kujdeseshin për ndarjen e drejtë dhe të paanshme të të hollave. Procedurat e zgjedhjes së anëtarëve të Epitropisë së Labovës janë përcaktuar tekstualisht: “Çdo 2 shkurt të mblidhen në Labovë, që është vendi i shenjtë i takimit me Zotin, të gjithë ata që kanë mbushur moshën 25 vjeç dhe që nuk janë akuzuar për vepra kriminale, për të zgjedhur epitropët, të cilët, pasi të jenë zgjedhur me shumice votash, t’i japin komunitetit një dokument të nënshkruar për pasurinë e tyre deri në momentin e zgjedhjes”. Në testament ishin caktuar burimet financiare që duheshin për shtimin e numrit të klasave sipas rritjes së numrit të nxënësve, për pajisjen e vazhdueshme të shkollës me orenditë e nevojshme dhe mjetet e tjera didaktike, që do të ishin të njëjta me ato të shkollave më të mira të Greqisë, dhe veçanërisht për pajisjen e bibliotekës me libra, për plotësimin e fondeve të saj me libra të rinj, si dhe për rrogat e mësuesve.

Në testamentin e V. Zhapës përmenden edhe burimet financiare për mirëmbajtjen e kishave (në Labovë kishte rreth 7-8 kisha), për rrogat e priftërinjve, psaltëve, si dhe për ndihmën e përvitshme për të vobektit e tre fshatrave (Labovë e Madhe, Çeta e Vogël dhe Tërbuq).

Në testament shprehet edhe dëshira e fundit e Vangjel Zhapës. Ai kërkonte që, katër vjet pas vdekjes, të zhvarrosej dhe të rivarrosej përfundimisht: kafka e kokës në Kopshtin e pallatit Zhapa ("Zappeion") në Athinë, kurse eshtrat e trupit në oborrin e shkollës në Labovë (Qiriako Hila, Testamenti në “Vangjel Zhapa”, faqe 52-63)

Biografët e Vangjel Zhapës pa të drejtë e konsiderojnë sëmundjen e tij, që iu shfaq më vitin 1863, si sëmundje të karakterit psikik, meqenëse i errësonte me ndërprerje vetëdijen. Një sëmundje e tillë duhet të ketë qenë me origjine kardiake, si rezultat i çrregullimeve të sistemit elektrik të zemrës (bllok komplet atroventikular) me sinkopa. Vangjel Zhapa vdiq më 19 qershor 1865, u varros përkohësisht në Rumani dhe pas 22 vjetësh u zhvarros. Sipas dëshirës së tij, kafka u varros në Athinë kurse eshtrat e trupit u transportuan dhe u varrosën me madhështi në “Atdheun e tij të veçantë, në vendin e shenjtë të takimit me Zotin”. Dëshira e tij e shkruar në testament ishte që ato të varroseshin në oborrin e shkollës, por në të vërtetë ato u varrosën në varrezat e kishës. Sikurse dihet, kompleksi madhështor i varreve të kushërinjve Zhapa u shkatërrua barbarisht gjatë çmendurisë të viteve 1967-1968.

PROF. DR. FEDHON MEKSI, Standart

Ja pse quhet, DEJA VU !

Prej kohësh në një prej kanalëve televizivë më të ndjekur nga shqiptarët shfaqet emisioni Deja - Vu, që drejtohet nga analisti i njohur Z. Mustafa Nano. Ky emision është ndërtuar në një mënyrë shumë interesante dhe të veçantë, duke e pasuruar fondin e emisioneve shqiptare për publikun. I gjithë diskutimi merr fill prej fotove që shfaqen në monitorin e studios, e që aty rrjedh natyrshëm në formën e monologut apo bashkëbisedimit.



Të ftuar zakonisht janë figura të shquara nga politika, arti, sporti apo nga gjitha larmia e fushave të ndryshme të kulturës. Deri këtu gjithçka është në rregull, madje edhe më mirë se në rregull, por problemi qëndron diku tjetër.

Të ftuarit gjithmonë kanë informacion të plotë e të gjerë rreth subjektit të fotos. Madje ata arrijnë të kenë njohuri të plota e befasuese edhe për personazhe që historia i fsheh nëpër skutat më të errëta, të gjithë të ftuarit kanë njohuri të plota për çdo foto që paraqitet. Gjithashtu duke shtuar ndonjë koment aksidental të ndonjë të ftuari të pakujdesshëm, vetëkuptohet që të gjithë të ftuarit njihen paraprakisht me fotot për të cilat do të diskutojnë, për të mos thënë edhe që i përzgjedhin ato të preferuarat. Anormaliteti nis pikërisht në çastin kur të ftuarit ( të gjithë paprejashtim ) në çastin e parë kur u shfaqet fotoja në emision sillen si të shtangur, si të befasuar, marrin pozicione sikur nisin të mendojnë (në të vërtetë mund të jenë duke u përpjekur të rikujtojnë komentin që kishin përzgjedhur për foton përkatëse), që nuk di nëse duhet quajtur aktrim apo hipokrizi ?! Ndoshta televizioni ka një etikë të caktuar, personazhet e njohura nuk duhen të gjenden ngushtë, apo pa informacion, por nuk mendoj se kjo mjafton për të shpalosur një hipokrizi të tillë para gjithë teleshikuesve, të cilët në mënyrë të pandershme hiperbolizojnë figurat e ftuara në emision, duke hequr një paralele inferioriteti ndaj vetes.



Televizioni vërtetë sot e ndikon në mënyrë të drejtëpërdrejtë realitetin, por sigurisht nuk duhet ti humbasë lidhjet me të.

Deja Vu, vjen nga frengjishtja dhe në shqip përkthehet "e sapo-parë". Mesa duket prandaj ka marrë edhe emisioni këtë emër, sepse të ftuarit i kanë parë fotot, disa çaste më parë transmetimit televiziv.

Stop Injorancës http://www.facebook.com/NdalPaditurise2

Komploti kundër shqiptarëve, fillon të lexohet me Përkrenaren e Skënderbeut

Kohët e fundit në një mënyrë intensive dhe shumë këmbëngulëse, nga shumë ekrane televizionesh jemi bombarduar me ide të trajtuara në "libra shkencorë", që tregojnë se si figura kombëtare të cilat Ne shqiptarët e thjeshtë i adhurojmë dhe i nderojmë, janë mëse të rëndomta dhe pothuaj ordinere.

E kanë filluar me Skënderbeun e sigurisht do të vazhdojnë me Nënë Terezën e kështu me radhë për të na bindur plotësisht se ja vlen jo vetëm për një vizë apo për një pension apo për ... të ndërrojmë Identitet.


Kjo na bëri të uleshim posaçërisht dhe të analizojmë këtë personazh të historisë, "Skënderbeun", me metodat tona të hulumtimit të " Psikanalizës së Argumetit - Fakt". Duke mos u çuditur aspak me euridicionin apo aftësitë diplomatike e luftarake të tij, mbetëm pa gojë me atë që quhet " vetëdije për misionin historik" që ka mbartur ky person në funksion të zhvillimeve të ardhshme në Europë dhe pozicionimit të Etnisë së tij mes saj. Këtu kuptuam arsyen pse Rilindasit tanë të mëdhenj e ringritën këtë figu-rë jo si nevojë për frymëzim por si domosdoshëri për rikujtim "Bota që kur është zënë, Shqipëria gjallë ka qënë,… etj." apo "Feja e Shqiptarit është shqiptaria".



"SKËNDERBEU"



Nën "Psikanalizën e Argumentit-fakt"

Bëjmë me dije se kjo metodikë merret me zbërthimin e një fakti që ekziston jashtë inisiativave apo dëshirave subjektive . Ky zbërthim argumenton arsyen e ekzistencës së faktit të perceptueshëm.

Ja cilat janë faktet që vijnë jashtë dëshirave tona mbi këtë figurë:

* Përkrenarja e tij dhe shpata që janë të depozituara Muzeun e histories së Njeriut të Vjenës.

* Fenomeni i vetemërtimit të Etnisë së tij me emrin "shqiptar" pas vdekjes së Skënderbeut.

* Numri disa qindra i librave që u shkrujtën në shtetet e Europës përgjatë 300 vjetëve që pasuan fenomenin Skënderbe". "Ç'pati europa që u çmend pas tij?"

Cilat janë arsyet që sollën këto tre fakte sot të pakundërshtueshme nga askush?



Argumenti -Fakt nr. 1

"Përkrenarja e Skënderbeut"

Me po të njëjtën emërtesë "Përkrenarja e Skënderbeut" dhe me po të njëjtën vendndodhje, "Muzeu i Historisë së Njeriuti Vjenës" na vijnë nga literatura të ndryshme dy foto A (fig. 1- e cituar si kopje e asaj të Vjenës e depozituar në Muzeun Historik të Tiranës) dhe B (fig. 2-si origjinali i Muzeut të Vjenës).



Vini re shqyrtimin paraprak:
Objekti i fotos A, po e quajmë objekti A, është prej materiali delikat, i hollë dhe i shndritshëm, dukshëm i papërshatshëm për përdorim ditor pra thjesht figurativ-demostrues.

Objekti B përbëhet nga material i plotë ku kupola, fashat e lëkurta, perçinat etj. flasin për një material të vlefshëm për përdorim në rezistencë nga faktorë fizik dhe natyral. Pra nuk është objekt zbukurues apo honorifik por ka një përdorim praktik (nuk po i fute-mi përbërve të llojit të metalit pasi nuk mund të flasim prej fotos).

Nga krahasimi midis dy objekteve (sipas rregullit të largësisë nga pika e fokusimit gjatë fotografimit dhe pikave të informacion …) del se këto dy objekte kanë ndryshim në madhësi fizike gati 1 me 2.5.

Një nga simbolikat kryesore të përdorura në përkrenare, "Dhia" tek objekti A vjen i ndryshuar (nga ajo çka është përshkruar në Mitologji figurë e së cilës dhe është) ndërsa tek B është saktësisht siç është e përshkruar në Mitologji, me bririn e majtë të thyer.

Sipas rregullave të heqjes së vijave në aksonometri gjejmë se briri i majtë i Dhisë së Skënderbeut është pikërisht i thyer në dy të tretat e saj.

Pra nga shqyrtimi paraprak përfundojmë se:

Në Muzeun e Historis së Njeriut të Vjenës ekspozohet një kopje e ndryshuar e Përkrenares origjinale të Skënderbeut.

Në këtë fallsifikim janë ndryshuar dy elementë thelbësor, madhësia (e kokës e për paso-jë edhe e trupit) dhe përmbatja e elementit kryesor (briri i thyer).

Nuk mund të themi gjë për gërmat të cilat edhe ato mund të jenë nënshtruar ndryshimit pasi nuk gjykojmë dot nga fotoja.

Shkojmë më tej.

Le të zbërthejmë së paku dy elementët simbolik të përkrenares, Dhinë dhe Lulen e Margaritës: Të dyja simbolet janë simbole pellazgjike.

Dhija ose më sakt Dhija Amaltea ka këtë përshkrim në Mitologji:

"dhija ushqeu Zeusin … në bririn që ju thye mbinë shumë fruta e prodhime etj." për ne që bëjmë pjesë në ata që kuptimin e Mitologjisë e shikojnë ashtu siç të lashtët e kanë dhënë, pra "si shpjegim shkencor i Botës dhe i jetës mbi Tokë" për pasojë Dhinë Amaltea në bazë të funksionit (Simpozium-për shtjellim) e kërkojmë në terrenin gjeografik.

Ndihmesa për identifikimin e këtij pozicionimi gjeografik na vjen nga shumë drejtime:

Emërtesa toponimike "Akroqeraune" prej literaturave të lashta greke tregon pikërisht njërin bri (qerea-briri i dhisë, akro -anë pra briri i anës i kokës së Dhisë).

Kontrolloni vetë imazhin që vjen sot nga sateliti për këtë territor...

Vërtet duket se kemi të bëjmë me një figurë dhie ku briri i majtë është i prerë në dy të tretat e saj.

(Po a kemi të bëjmë vërtet me territorin e Dhia Amalteas në këtë pjesë të Veriut të Epirit Klasik?)

Në brendësi të territorit ne ndeshemi dëndur me një toponimi mitologjike si:

"Këmba e Osirit" (fushë me formën e këmbës të Hyjnisë kryesore egjiptase që pa-si u bë copa e qepën dhe bënë mumjen e parë),

"Shkalla e Hadit" ku kryhen ceremonia mortore (e cila është e padëmtuar ende fizikisht) etj.

Këto dy të dhëna na japim të kuptojmë se fshatarsia, që e përdor edhe sot e gjithë ditën gjithë këtë emërtesë mitologjike, ka lidhje stërgjyshore me popullsinë që e ka bartur këtë botkuptim jo thjesht si emërtesë por si procesion jetësor.

Megjithatë për ne nuk do të mjaftonin sa thamë më sipër për tu bindur se territori që shikoni në foton është "Dhia Amaltea".

As emërtesa që na vjen pikërisht nga Grekët e lashtë për këtë territor duke bërë këtë identifi-kim dhe as toponima ende e sotme apo dhe vet arkeologjia pellazgo-mitologjike që përman i gjithë territori i lumit të Vlorës pasi të tilla mund të gjejmë edhe në pjesë të tjera të Mesdheut.

Për ne janë dy faktorë të tjerë që e bëjnë të patjetërsueshëm këtë vend me atë original të "Dhia Amalteas".

(Në Simpozium- "Mbi kuptimin shkencor të Mitologjisë së lashtë", zbërthime me bazë shkencat e sakta do të na shtjellojnë arsyen pse ky territor është pikërisht Dhia Amaltea).

Etnokultura e popullsisë vendase (Epirit klasik) (Simpozium-2 "Etnokultura dhe Historia"- që dëshmon për një lidhje të direktshme të popullsisë vëndase me tempujt më të lashtë të botës).

Përfundimi: Skënderbeu përdorte me vetdije të plotë emërtesën epirotas dhe përkrenaren me Dhian Amaltea. Këtë e bënte kur koha kishte në plan të parë "Gjysëm Hënën kundra Kryqit".

2- Simboli i dytë i përdorur nga Skënderbeu në Përkrenare është "Lulja e Margaritës-Lulja e deles".

Bëjmë një shtjellim të shkurtër paraprak për të shpjeguar kuptimin dhe përdorimin e këtij sim-boli. Kjo lule në lashtësinë parahelene dhe pararomake ka përfaqsuar në bazë të numrit të gjetheve përkatësinë e brezit pellazgjik, bën pjesë tek simbolet pellazgjike me një kuptim të caktuar (kjo ka nevojë për një shtjellim të gjërë por këtu nuk është vëndi pasi Pellazgët, botëkuptimi dhe simbolika e tyre është një shkollë e tërë, për fat të keq pak ose shumë keq e njohur).

Atëherë sipas sipas Skënderbeut ne i përkasim brezit të gjashtë pellazgjik.

Vini re:
Në mbështjetje të vetdijes së Skënderbeut na vjen një tjetër informacion konfirmues prej tre shekujve përpara tij. Kjo është kushtetuta e Shkodrës e arshivuar (për tu studjuar dhe përvetsuar nga Venecianët e asaj kohe që po ndërtonin Shtetin e tyre Republikë) ku përveç faktit që fillon me Hyrjen e Aleksandrit të Madh që len trashëgim… ka edhe emblemën me figurën e luleve të margaritës .


Shqiponja në krahun tjetër e lirë dhe e gatshme për fluturim është pikërisht përfaqsuesi i emblem mbajtësve "shqipja".

Lulet e margaritës në zemër të emblemës janë pikërisht tre dhe me pesë gjethe secilën, pra tre përfaqsues të brezit të pestë pellazgjik. (vërtetë brezi i pestë ka tre përfaqsues, dy djem dhe një vajzë-motër).

Në hyrje të Statutit të Shkodrës kemi pikërisht amanetin e Aleksandrit të madh që "lë trashëgim ...pronat dhe këtë kushtetutë apo status apo rregullore" etj.

Shqipja e lirë vjen nga dy shqiponja mbretërore të kryqëzuara (burrë-grua) të cilat i përkasin brezit të pestë pellazgjik.

Por Aleksandri është emër hyjnor (që do të thotë përfaqson një brez pellazgjik) dhe ky e ka pasur këtë vetdije (e cila i është shpallur në një nga tempujt e Egjiptit etj.) që do të thotë se ka pretenduar se përfaqson me anë të emrit pikërisht njërin nga përfaqsuesit e brezit të gjashtë pellazgjik.

Në analizën që i është bërë tek Antikiteti (E. Brinja) veprës së Aleksandrit të Madh është përcaktuar pikërisht si hapës të procesit të madh të Integrimit Botëror që vazhdon ende edhe sot. (në Mitologjinë e Lashtë të gjithë brezat pellazgjik me përfaqsuesit e tyre kanë krijuar një etapë zhvillimi në shoqërinë njerëzore, kjo dhe është historia e Mitologjisë kjo merr shpjegim vetëm pasi është njohur shkolla e kulturës pellazgjike.)

Pra vetëdija e Aleksandrit të Madh është në një linjë me atë të Skënderbeut i cili nuk pretendon se është hyjni por është trashëgues apo vazhdues i brezit të gjashtë.

Argumenti-Fakt nr. 2

Emërtesa "Shqiptar"

Kjo emërtesë pasoi në popullsi pas vdekjes së Skënderbeut. Popullsia u vetquajt "Shqiptar" e ndërkohë për të huajt merrte emërtesa të ndryshme si Alban, Arban, Arnaut, në funksion po të historisë dhe vazhdimësisë që ata njihnin në trevat e tyre ku dhe shkruhej në këtë kohë historia.

Në analizën që i bëjmë këtij fakti kemi parasysh këta faktor ndikues:

Emërtimi është vënia e emrit një sendi, subjekti a fenomeni për ta shquar gjatë përdorimit.

Vendoset nga përdoruesit (prej atyre që ju duhet ta përdorin) mbart karakteristikat e sendit, të subjektit apo të fenomenit .

Nëse ky send, subjekt frymor ose jo, fenomen, merret në përdorim nga të tjerët transferimi zakonisht bëhet bashkë me emërtesën ose i përkthehet emërtesa etj.

Në rastin e emërtesave të etnive apo kombeve në përgjithsi ky proces mbart bashkë me emrin një histori të caktuar si:

- Ardhjen e emrit si pasojë e emrit që ka mbajtur prijsi i tyre që është bërë i famshëm dhe i ka dhënë etnisë së vet, dhe këtu shëmbujt janë të pafund prej lashtësisë.

- Ardhjen e emrit si pasojë e toponimisë së vendit ku është vendosur kjo popullsi.

-Ardhjen e emrit si pasojë e vendosjes së kësaj emërtese prej një fuqie apo organizmi që posedon një fuqi të caktuar mbi Etnitetin që merr këtë emërtes.

-Në rastin e ardhjes si pasojë e shprehjes apo evokimit të një ngjarjeje ose fenomeni.

Kështu në rastin emërimit të etnitetit tonë me emrin Shqiptar duke analizuar faktet që janë prezente si:

Koha e lindjes së emërtesës është periudha pas Skënderbeut,

Është përhapur në territoret që kanë marrë pjesë në Besëlidhjen e Lezhës dhe që kryesisht ka-në qenë pjesmarrës në ushtrinë e tij. (kujtojmë këtu që zona e arvanitasve në Greqi nuk e ka njohur as Skënderbeun dhe as emrin shqiptar deri vonë). Prandaj na është shumë e dukshme që ky emër është shtrirë në territorin ku ka vepruar pikërisht Skënderbeu.

Nuk është emër që ta ketë mbajtur një person që ka bërë figurë prej të cilit do të ishte mburrje të vetquheshe.

Nuk është emër toponimik.

Nuk ka një vendim suprem siç mund të ishte nga një organizëm mbi etnik (që në këtë periudhë nuk ka ekzistuar, OKB) apo fetar siç ka qenë Papa i Romës apo Patriarkana e Stambollit.

Dalim në përfundimin se i vetmi faktor është evokimi i një ngjarjeje apo një fenomeni pra pika (e).

Ndaj në faktorët e mësipërm tre janë ato që mund të na flasin për këtë proces "vetemërtimi":

Periudha pas Skënderbiane.

Territori që ishte aktiv në pjesëmarrje.

- Konstitucioni shpirtëror i kësaj popullsie.

Në këto tri element mbartës të arsyes dhe procesit të vetemërtesës shikojmë konstitucionin shpirtëror që vjen zakonisht si një moralizim i fenomenit e shprehur kjo:

Në atë çfarë ka bërë subjekti.

Në atë se cfarë ka thënë po ky subjekt.

Prodhimtaria gojore, mitet legjendat tregojnë se kjo popullsi është marrë shumë me figurën e Skënderbeut, ka krijuar figura mitike si për të, për kalin dhe për të gjitha vëndet ku ka kaluar ai, pra ka folur e folur pa ndalim për të duke e mëkuar ndër breza figurën e tij etj. pra ka treguar për të pafundësisht dhe në mënyrat më fantastike. E ndërsa në saj të figuracioneve të krijuara për të neve na vjen nga 500 vjet vepra e tij, po thënjet e tij cilat ishin dhe a ka pasur? Ndërsa themi pa fund "ka pas ba kështu e ashtu" po "ka pas than" a nuk është me vend të thuhet? (pse nuk na përcillet ky fakt në trashëgiminë gojore aq më tëpër që në psikikën frazollogjike të etnitetit tonë është e njohur nisja e periudhës me shprehjen "ka pas than … baba… ose dikush i ditur" etj.?

Barleti është një paralele por me shkrim e asaj çka tham më sipër por në kushtet e një përgjegjsie intelektuale ai ka sjell jo veprën me anë të figuracionit që e sjell gojtaria popullore por veprën me anë të zbërthimit rast pas rastit.

Vini re çfarë nxjerrim nga Barleti që përputhet me trashëgimin gojore:

Dimensionet e rezultateve apo veprave duke qenë të mëdhaja quhen hyjnore dhe shpjegohen me ndihmën e perëndive (paçka se vet ai është prift që do të duhej të thoshte në njëjës "të perëndisë"). Padashje ai na transmeton si bashkëkohës psikikën mitike të popullsisë.

Në të gjitha rastet para një vepre me pjesmarrje masive (mbledhje ose luftë) ajo paraprihet nga një fjalim i gjatë i Skënderbeut. Parashtrim arsyesh etj.

Lind pyetja në moralizimin e Skënderbeut përpos elementëve që përmban konstitucioni shqirtëror i popullatës si trimëria, dashuria për liri, ndershmëri, a nuk kanë pasur "emërtesë'? fakti i përkrenares së Skënderbeut flet për prezencën e nocioneve mitologjike tek ai po ashtu edhe emërtesa "epirot" që përputhet me Dhia Amaltean, po emërtesa që përputhen me lulen e margaritës nuk ka ekzistuar?

Vini re:
Tek Niko Stillo në shtjellimet që do të na sjelli së afërmi mbi zbërthimin e pasqyrave Etruske (ku do të gjejmë dhe emërtesat e personazheve të brezave të ndryshëm pellazgjik), gjejmë se një personazh i brezit të pestë quhet edhe "shqipe" (pasi sipas vendeve këto emra ndryshojnë) dhe që rrjedh pikërisht nga Ari i brezit të katërt. Pra nga mitologjia ne na vjen trashëgimia "Shqipe të Arit (shqipja që ka prej ardhjen prej Arit dhe që i takon brezit të pestë pellasgjik). Dhe prania e Lules së Margaritës në përkrenare me brezin e gjashtë bëjnë lidhjen e prejardhjes së brezit tonë prej Shqipes së Arit të brezit të pestë.

Mirë kjo përmbajtje ka vend plotësisht në hapësirën kohore dhe vendore të Skënderbeut, po si ka ndodhur që është kthyer në emër apo që popullsia u vetquajt "shqip't'ar ose Shqipe të Arit"?

Rishikojmë Barletin me kujdes:

Nga pjesë të ndryshme na vjen fakti se në fillim sulmesh, ushtria paraprihet nga pararoja për të cilën ndeshim disa herë të përdoret shprehja "shqiponjat dhe flamujt" (që do të thotë se nuk është rastësi ndarja e tyre dhe se këto shqipe nuk janë ato të flamurit por janë pikërisht pararoja). Një rishikim i origjinalit të Barletit do të ishte me vend se ndoshta ashtu siç është bërë fallsifikimi i përkrenares në muzeun e Vjenës të jetë bërë edhe ky redaktim ose korektim nën një emër të njohur nga bashkëkohësit e përkthyesit të talentuar Prifti.

Kështu përshëmbull fq.93-Bot II -1967 kemi "banorët dhe të tjerë prej fisit epirot,me të hequr qafe Muratin, i shkonin pas edhe pa i grishur kush, prijësit të ri dhe flamurëvet e shqiponjavet të njohura prej kohe, sepse Skënderbeu mbante flamur të kuq të qëndisur me shqiponja të zeza dy krenore". Vini re: Prijësi, shqiponja dhe flamujt tingëllojnë nga pikpamja e gramatikës gjuhësore të ndara.

Në faqen 406 nuk është bërë kaq kujdes për të na treguar se cilat ishin shqiponjat dhe shikoni si është dhënë shprehja: "dërgoi përpara, sipas zakonit, shqiponjat dhe flamujt e vet dhe me të buçitur buria ia filloi njëpërleshje shumë e ashpër". Pra pararoja janë Shqiponjat që sigurisht mbajnë dhe flamujt e tyre në dorë sipas ritit të çdo ushtrie.

Vazhdoni vini re - Shumë normale që pararoja të jetë quajtur pikërisht shqiponja apo shqipe "mbi të cilat Marsi derdhte gjithë fuqinë dhe trimërinë siç thotë Barleti. Por duke qënë se Marsi i latinishtes së Barletit është Ari në gjuhën epirotase (ose të asaj që quhet perëndi greke) i bie që pararoja e ushtrisë së Skënderbeut të jenë quajtur jo " bij të marsit por bij të Arit apo shqipe të Arit" pasi në mitologji vërtet në bazë të brezave pellazgjik "shqipja është pikërisht bir i Arit".

Po si u kthye në emër?

I rikthehemi konstitucionit Shpirtëror të popullit që na ka lënë një arsenal figurash mbi Skënderbeun.

Kjo trashëgimi pikën e fillimit për tu besuar e ka nga dëshmimtarët ocular ushtar, komandantë apo pse jo edhe vet pararojat të cilët jo vetëm janë pjesmarrës në figurat fantastike që janë trashëguar në gojtarinë popullore por në bazë të ligjit të luftës me ndarjen e plaçkës janë dhe përfituesit kryesor të saj (vini re ushtria otomane, plaçka e së cilës ndahej mes luftëtarëve fitues, ka qenë shumë e pasur gjithnjë dhe ka pasur të pranishme dhe floririn apo Arin). Kështu transmetuesit e parë të historisë kanë qenë pikerisht luftëtarët të cilët për Skënderbeun janë pasuesit e Shqipes së Arit ndërsa për atë që nuk e ka ditur këtë koncept (marrim rastin e mos përdorimit të nocionit mitologjik-megjithse realiteti i deri vonët tregon të kundërt) janë pasuesit e shqipeve që sillnin Ar në kuptimin e pasurisë.

Një nga shkaqet e rrënimit të vendit pas Skënderbeut vjen edhe prej faktit se prej luftrave jo vetëm që nuk sillej më pasuri por vinte e kundërta sepse fituesi (otomani ) e rrënonte vëndin duke e djegur dhe shkretuar.

Ndaj Shqipet e Arit nuk ishin të tillë vetëm se kështu i quante Skënderbeu pararojën e tij por edhe sepse ata sillnin ar dhe bollik popullsisë që përfaqsonin.

Ndaj ky emër mbartet vetëm në territoret që u bashkuan me ushtri me Skënderbeun.

Ndërsa vetdijen për këtë prejardhje dhe mbështjen me konstitucionin shpirtëror të kësaj vetëdije e japin Rilindasit tanë me shprehjen "Feja e Shqiptarit është Shqiptaria-Shqip-t(ë)-Arit " pasi ky emër është pikërisht emër hyjnor pra fetar dhe pikërisht i botëkutpimit pellazgjik.

Por mbetet edhe një mundësi ende e pashqyrtuar e cila mund të na shpjegojë akoma më shumë mbi këtë çështje. Kjo është Përkrenarja origjinale dhe gërmat që janë shkruar në të. Në trashëgiminë pellazgjike figurative është e pranishme shoqërimi i figurës me emrat përkatës. Shtënja në dorë e kësaj përkrenareje dhe vënja në dispozicion, njohësit të vetëm në botë sot të shqiptimit të gërmave të lashta sipas periudhave dhe vënde ku ato janë përdorur, Zotit Niko Stillo, do të sillte ndoshta faktin se emri Shqiptar është e shkruar pikërisht në këtë përkrenare si një shpjegues i të gjitha simboleve të mbajtura ndërkohë nga Skënderbeu.

Vini re:
Për të dytën herë në historinë e kombit tonë udhëheqësit tanë heqin veten nga kryesimi dhe vendosin një kod moral në plan të parë "prejardhjen dhe përcaktimin e fesë se identetit tonë": Skënderbeu duke e përcaktuar si emërtesë ndërsa Rilindasit duke e risjellë pikërisht në këtë mjedis ndërshtetesh europine si vetdije të pashmangshme për të ardhmen duke e përcaktuar emrin tonë si Fenë tonë (pikërisht përsëri në kohën kur Kristianizmi dhe Gjysëm Hëna vazhdonin të ndanin botën në dysh ne në thelb nuk mund të ishim as njëra dhe as tjetra pasi mund të themi që në një farë mënyre bëjmë pjesë në krijimin e tyre).


Vini re situatën në Shek XIX (shek. XVIII-XIX):

Ali Pashai dhe Bushatllinjtë

(vilajetet më të fuqishme të Perandoris Otomane së paku në Ballkan)

Lind pyetja:
Në këtë periudhë të krijimit të shteteve të sotme europiane dhe të shkëputjes së shteteve nënperandorinë otomane,si do të kishte qenë vazhdimësia e historisë për Europën dhe Perandorinë Otomane në se këto dy vilajete do të ishin bashkuar (në lidhje martese apo varësi)?

Ç'do të ishte Ballkani (pikë-kryqëzimi) me një Shqipëri të pavarur të fuqishme ekonomikisht dhe ushtarakisht, për fuqitë e asaj kohe që luftonin për një "Rend të ri Botëror"?

- Rusia (kërkonte fuqizimin e sllavëve të Ballkanit dhe ngushticën e Dardaneleve).

-Austria (plotësimin e humbjeve të Perandorisë së Shenjtë me influencën e saj mbi Ballkanin e Otomanëve të dobësuar),

- Franca (pas Napoleonit me inate ndaj Ali Pashait).

- Anglia (në këtë kohë Ballkanin e kishte jashtë interesave të saja).

- Turqia (ndërmjet pazareve të fuqive Rusi - Angli që në këtë rast predominon interesi Rus).

Kjo ishte arsyeja pse këto fuqi Bullgarisë dhe Serbisë j'ua dhanë pavarësinë (e jo u ndihmuan) ndërsa shqiptarëve, që e kryen realisht pavarësimin e tyre në jug nën udhëheqjen e Ali Pashait, me prerjen e kokës së këtij të fundit, mundën ta manipulojnë këtë pavarësim. Kështu nën emrin e një shteti që nuk ka ekzistuar asnjëherë si i tillë, Greqinë, nën kujdesin administrativ të Austrisë dhe survejimin e Kishës realizuan një shtet me shqiptarë por jo për shqiptarët por për sllavët. Nëpërmjet Patriarkanës së Stambollit Kisha Ruse ("Roma e Tretë")do ketë fuqi të plotë në politikat e zhvillimit, gjë e cila vazhdon deri në ditët e sotme.

Këtej nis një platformë e vërtetë ideologjike e asimilimit nëpërmjet Kishës të të gjithë asaj popullsie të cilën e njohim sot me emrin arvanitas.

Ndaj Rilindasit (të iluminuar nga dija e lashtë kuptuan armiqësinë e të gjithëve kundër nesh) sollën, pas Ali Pashës, një devizë Ideoetnike për Kombin dhe jo një devizë luftëbërëse, devizë e cila solli pavarësinë pa pushkë. Me risjelljen e figurës së Skënderbeut ata nuk sollën një shëmbull për frymëzim, se do të kishte mjaftuar Ali Pashë Tepelena me shtetin më të fuqishëm që krijoi në Mesdhe, por amanetin e tij se:

FEJA e shqiptarit është Shqip't'Aria

Që do të thotë ne jemi PELLAZG TE BREZIT TE GJASHTE


Kështu Aleksandri i Madh, Skënderbeu, Rilindasit dhe Niko Stillo janë në të njëjtin përfundim pa iu referuar njëri-tjetrit, por duke njohur direkt atë që quhet Mitologji e Lashtë dhe përkatësinë ndaj saj.

Vini re:
Sa më sipër u munduam të japim shkurt shtjellimin e simbolikës së Përkrenares së Skënderbeut apo zbërthimin e emërtesës Shqiptar. Por ndërkohë jemi të vetëdijshëm që lexuesit e këtij shkrimi, të rangjeve akademike, si brënda ashtu dhe jashtë vendit, janë krejtësisht të papërgatitur ta përtypin këtë informacion. Mangësia e formimit me njohuri të kulturave të lashta është tejet prezente. Gjetja e kësaj përkrenareje të fallsifikuar, ekspozimi dhe interpretimi prej studjuesve të huaj të asaj që është fallco na jep shijen e lënies së qëllimshme në boshllik të informacionit kulturor që vjen nga shumë kohë më parë se të formohet kultura Greke apo Romake. Po kujt i ka vlejtur kjo?

...vijon...
Nga Eva Brinja, Studjuese e Etnokulturës, Ndryshe.com

Saturday, October 31, 2009

STOP shitjes së artikujve, të pashoqëruara me faturë.

Një turist i huaj, blen një kartë telefonike dhe më pas kërkon nga shitësi edhe faturën e produktit. Duke parë që shitësi po e injoronte, madje duke buzëqeshur, ai ia drejton me lutje kërkesën duke shtuar se fatura i duhej për ta paraqitur tek shpenzimet e tij të dietës, por përsëri nuk mund të kishte një faturë...

Biznesi i madh kërkon që të gjitha transaksionet tregtare në vend të formalizohen. Konfindustria, me anë të një deklarate për mediat i ka bërë thirrje qeverisë, që të realizojë një aksion ku të gjitha bizneset e vogla që realizojnë edhe transaksionet përfundimtare të mallrave me konsumatorët, të vendosin kasat regjistruese. "Shkak për këtë nismë të ndërmarrë është që të gjitha bizneset të formalizohen në të njëjtin nivel dhe në këtë mënyrë, tatimet do ta kenë të më të lehtë për të mbledhur taksat.



Një masë e tillë do të ndihmojë qeverinë që të mbledhë taksat nga poshtë lart, dhe jo e kundërta, siç ka ndodhur deri tani",- ka bërë të ditur gjatë ditës së djeshme, Stefan Pinguli, kryetar i Këshillit Drejtues të Konfindustrisë. Vendosja e kasave dhe lëshimi i faturave tatimore për konsumatorët përfundimtarë, sipas përfaqësuesve të Konfindustrisë, është një masë e domosdoshme që heq të gjitha mundësitë për shmangien e bizneseve nga pagimi i TVSH-së. Vendosja e kasave regjistruese, përveç formalizimit të biznesit në vend, prek në radhë të parë edhe të gjithë qytetarët. Por ekspertët e ekonomisë i druhen ndonjë rritje të çmimeve, që sipas parashikimeve mund të jetë më e vogël se 20% i TVSH-së.

Kush e paguan TVSH

Tatimi mbi Vlerën e Shtuar, megjithëse nuk njihet realisht në shumicën e shitjeve përfundimtare nga ana e konsumatorëve, janë pikërisht këta të fundit që paguajnë edhe vlerën e plotë të TVSH-së, që grumbullohet gjatë gjithë rrugës që bën produkti. Formalizimi i shitjeve me anë të faturave tatimore, si në gjithë vendet e tjera të zhvilluara, vlerësohet i domosdoshëm nga ana e ekspertëve të ekonomisë, që i druhen edhe ndonjë efekti psikologjik në çmime. Për vite me radhë, biznesi i madh ka kërkuar që të formalizohet cikli i shitjes së mallrave me TVSH, nëpërmjet futjes së biznesit të vogël në këtë skemë. Por nga ana e Ministrisë së Financave, është nxjerrë si justifikim për këtë mungesë, pamundësia për kontrollin e të gjitha njësive të shitjes me pakicë, për faturat e lëshuara tek konsumatorët. Për të evituar dështimin edhe të kësaj radhe dhe duke parë edhe interesat e gjerë që përfshin realizimi i kësaj nisme, Konfindustria i është drejtuar me anë të një letre kryeministrit Berisha dhe kryetarit të opozitës, Edi Rama, ku i kërkon që të merren masa konkrete, për të zbatuar këtë projekt të lënë pas dore për shumë vite me radhë.

Projektet e dështuara të kasave regjistruese

Në vitin 1994 qeveria programoi për herë të parë vendosjen e kasave tatimore sipas praktikës fiskale të vendeve perëndimore. Por brenda gjashtë muajve, ato kasa dolën jashtë përdorimit. Në vitet në vazhdim, disa herë tatimorët urdhëruan përdorimin e kasave dhe shumë herë gjobitën dyqanet për mospërdorim të tyre. Por asnjëherë të dhënat mbi xhiron, të regjistruara në kasa, nuk u përdorën për llogaritjen e tatimeve. Aktualisht, Shqipëria e mbledh Tatimin mbi Vlerën e Shtuar në dogana, në rastet e importit ose në pika të tjera të regjistruara të shit-blerjeve. Por shitjet me pakicë, sektori më i rëndësishëm i ekonomisë, nuk i nënshtrohen TVSH-së. Nga llogaritja e nivelit të TVSH-së mbi totalin e konsumit të llogaritur nga Instituti i Statistikave, rezulton se çdo vit humbasin rreth 300 milionë euro të ardhura buxhetore.

Aktualisht, në të gjitha njësitë e tregtimit në vend, nuk shërbehet me fatura tatimore; janë të pakta dyqanet dhe supermarketet që punojnë me kasat, por vetëm për llogari të tyre, pasi askush nuk i kontrollon. Sipas të dhënave nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, një pjesë e madhe e subjekteve e kanë arkën regjistruese, pavarësisht se nuk e përdorin në mënyrë të përhershme. Sipas tatimorëve "edhe për atë kategori subjektesh, e cila në pamje të parë e përdor arkën, nuk ka garanci se detyrimet tatimore i paguan në bazë të xhiros reale që regjistron dhe deklaron, pasi nuk ka institucion të specializuar e të autorizuar për të kontrolluar kujtesën fiskale të arkës regjistruese". Një problem i madh për mungesën e kasave regjistruese është edhe pamundësia e sigurimit të arkave regjistruese, pasi numri i shoqërive që kanë importuar produkte të tilla ka qenë i kufizuar (1-2 të tilla). Kjo, për faktin se shoqëritë para se t'i importojnë arkat regjistruese kërkojnë siguri që do ta shesin mallin, pasi vlera që investojnë është relativisht e madhe dhe nëse arkat ngelen stok i pashitur, bllokohet veprimtaria e ndërmarrjes.

Nëse do të vendoset të ndryshohet sistemi, pra të kontrollohet nga tatimorët kujtesa e arkës regjistruese apo të sistemeve integrale dhe pajisjeve që përdorin subjektet, duhet që tatimorët të vendosin sistemin e licencimit të shoqërive, të cilat do të lejohen të merren me importimin, tregtimin dhe mirëmbajtjen e arkave regjistruese, të cilat do të jenë njëkohësisht përgjegjëse edhe për kontrollin dhe mos prekjen e kujtesës fiskale.

Janë vetë qytetarët të parët që nuk duhet të pranojnë produkte të pashoqëruara me faturë, duke mos kontribuar në zhvillimin e ekonomisë informale.

Gjithashtu një tjetër problem jo më pak i vogël janë edhe produktet e konsumit, që nuk shoqërohen me etiketa në gjuhën shqipe