Monday, May 10, 2010

Udhëtimi në kohë është i mundur?

Austrofizikanti i njohur Stephen Hawking, doli me një tjetër teori bombastike, pas asaj që kishte të bëje me ekzistencën e “alienëve”.


Kësaj radhe ai sqaron se njerëzit mund të udhëtojnë në kohë!

– Në përgatitje të filmit të tij dokumentar “Universi”, i cili do të shfaqet javën e ardhëshme, ai flet për një temë për të cilën shumë pak është folur realisht nga astrofizikantët. Ai beson se njerëzit mund të udhëtojnë miliona vite kohë në të ardhmen dhe do kenë mundësi ta ripopullojnë planetin Tokë, qe s'do jete gje, vecse nje planet i shkatërruar.

Ai sqaron se në anijet e posaçme kozmike që mund të ndërtohen dhe që do të kenë mundësi të udhëtojnë më shpejt se shpejtësia e dritës, 24 orë qëndrimi në to do të jetë ekujvalente me një vit kohë qëndrimi në tokë.

Sipas Ajnshtajnit, sa më shpejtë që objektet do të lëvizin në hapësirë, aq më shumë ngadalsohet koha rreth tyre, kjo gjithashtu e arsyeton teorinë e Hawking që mund të zbatohet në drejtimin e kundërt, në kohë përpara, shkruan gazeta australiane “News”.

“Udhëtimi prapa në kohë është i pamundur, pasi që në këtë mënyrë do të tentohet të thyhet rregulli themelor se shkaku vjen para pasojës”, shpjegon Hawking.

“Nëse do të mundësohej udhëtimi në kohë (në kohën e ardhshme), një njeri do të kishte mundësi ta vriste ish-veten e tij !
Mendoj se gjërat nuk mund të behët vetëvetiu të pamundura”, thot Hawking.

Kur anijet kozmike do të kenë mundësinë të arrijnë të udhëtojnë me shpejtësinë e dritës, ekuipazhi në to do të fillonë t’i tejkaloj vitet e tokës, duke i dhënë në këtë mënyrë njerëzimit shansin për të rifilluar jetën nga fillimi (pas një shkaterrimi eventual qe mund ti ndodhe tokës).


“Udhëtimi në kohë”, më pare konsiderohej si i pamundur dhe unë nuk preferoja të flisja për këtë, pasi që nuk dëshiroja që më tallnin. Kurse sot, nuk jam edhe aq i kujdesshëm në këtë drejtim”, shprehet astrofizikanti i njohur Stephen Hawking.

BalkanWeb

Sunday, May 9, 2010

Prishtinë, protestë në mbrojtje të shamisë së kokës

Arlinda Zekaj është ndaluar të shkojë në shkollë me shami koke, sipas traditës islame. Zekaj ndjek shkollën e mesme në Ferizaj.



Para ndërtesës së Qeverisë së Kosovës sot është protestuar në shenjë kundërshtimi me përjashtimin nga shkolla të 16 vjeçares, Arlinda Zekaj. Zekaj është ndaluar të shkojë në shkollë me shami koke, sipas traditës islame. Zekaj ndjek shkollën e mesme në Ferizaj. Protestuesit mbanin në dorë parrullat “Stop diskriminimit” dhe “Mbulimi i mendjes është i ndaluar, jo i kokës”. Kushtetuta e Kosovës i garanton liritë fetare, por nuk lejon shaminë e kokës apo simbolet e tjera fetare në shkollat publike tw cilat konsiderohen laike.

Burimi: http://www.ikub.al/1005070127/Article_Prishtine-proteste-ne-mbrojtje-te-shamise-se-kokes.aspx

Ndiqni videon e protestës: http://www.top-channel.tv/video.php?id=15109

Greva e opozitës, Nano drekon me Bashën

Në kohën kur kriza politike është në kulmin e saj dhe 202 socialistë ndodhen në ditën e shtatë të grevës së urisë, rishfaqet në skenën shqiptare Fatos Nano dhe bashkëshortja e tij Xhoana.

Për ironi të fatit, ish-kreun e PS-së nuk e gjejmë pranë tendës së grevistëve por vetëm pak minuta larg saj, në një restorant në katin e 20-të të një pallati të sapondërtuar. Ai dhe bashkëshortja, janë në shoqërinë e një miku të ri, ministrit të Brendshëm Lulzim Basha.


Takimi ka nisur dje rreth orës 13.30 në një nga restorantet që ndodhet përballë godinës së Radio Televizionit Shqiptar, në rrugën "Papa Gjon Pali II" dhe ka zgjatur disa orë. Ata kishin njoftuar më parë për këtë drekë dhe restoranti kishte marrë të gjitha masat që të ishte sa më diskrete. Pasi ka nisur takimi midis Nanos dhe Bashës, ishte tepër e vështirë që të ngjiteshe në restorantin që ndodhet në katin e 20-të, ku po qëndronin dje dy politikanët.

Menaxherët e lokalit kishin marrë të gjitha masat për të vendosur çdo klient të rastësishëm në tavolinat larg tryezës ku ndodhej Nano dhe Basha. Sapo të zbrisje ashensorin e katit të 20- të të pallatit shumëkatësh, punonjësit e restorantit dhe personat që kujdeseshin për sigurinë e ministrit të Brendshëm, të përcaktonin vendin se ku duhej të ulej.

Ministri Lulzim Basha dhe ish- kryeministri Fatos Nano, ishin ulur në pjesën jugore të restorantit, ndërkohë që nuk lejohej që të ulej person tjetër në tavolinat që ndodheshin pranë tavolinës ku ata po drekonin.

Gjithashtu personeli i restorantit nuk të lejonte që të bëje dhe fotografi, duke u justifikuar se është i ndaluar fotografimi nga ambientet e restorantit. Mësohet se dy protagonistët e takimit të djeshëm, kanë qëndruar bashkë për disa orë.

Pak ditë më parë ish-kreu i PS-së, Fatos Nano ka darkuar në Vjenë me kryeministrin Berisha ku kanë diskutuar për krizën politike dhe kërkesat e Partisë Socialiste. Pas takimit Berisha ka shprehur edhe mundësinë që Nano ti bashkohet PD-së.

I pyetur nga mediat ai ka pohuar se Fatos Nano e ka derën e hapur në PD. Takimi i djeshëm me Lulëzim Bashën duke se po e afron edhe më shumë Fatos Nanon me kampin e djathtë.



Shekulli

Ushqimet me më shumë OMGJ

Produktet OMGJ ditët e sotme përbën një nga temat më të diskutuara pas gripit të derrit. Bimët – kafshët apo mikroorganizmat të cilave u janë ndryshuar veçoritë duke transferuar genet e një lloji tjetër me anë të metodave bioteknologjike quhen “organizma me gjenetikë të ndryshuar” ose “transgjenike”.
Edhe ju mund të keni ngrënë ndonjë produkt apo ushqim transgjenik ose me OMGJ.


Sipas lajmit të publikuar në adresën howStuffWorks jepen 5 produktet ku përdoret më shumë OMGJ:

1. Aspartam (ëmbëlsues sintetik): Megjithëse teknikisht është një lëndë sintetike, përftohet si rezultat i kombinacionit të dy amino acideve natyrale. Këto acide prodhohen nga dy lloje të ndryshme bakteresh dhe në disa raste njëri prej baktereve ndryshohet për të shtuar prodhimin.
A është i dëmshëm aspartam? Aspartam nuk përmban lëndë gjenetike. Megjithëse nuk ekziston ndonjë provë e cila të verifikojë mundësinë e shfaqjes së kancerit nga aspartame tek minjtë e laboratorit të cilëve iu është dhënë aspartame, është pare leucemi dhe kancer limfatik.

2. Vaj kanola: Vaji kanola ose i njohur ndryshe si vaji i lakrës së egër është një nga lëndët më të përdorura. 80% e kanolës së përdorur në Kanada është ndryshuar gjenetikisht. Gjenetika e kanolas ndryshohet për të rritur imunitetin ndaj disa ilaçeve bujqësore të përdora për të zhdukur bimët e dëmshme. Në këtë mënyrë kontrollohen më lehtë barërat e egër dhe përdoret më pak ilaç bujqësor dhe merret më shumë prodhim.

3. Qumështi: Hormoni rBGH bën të mundur që lopët të prodhojnë më shumë qumësht dhe hap rrugën e mastitit (infeksionit të gjirit). Këtë lopë të sëmura duhet të jenë vazhdimisht nën kontrollin e doktorit dhe të mjekohen me antibiotikë. Hormoni rBGH rrezikon njerëzit nga kanceri.
Bota është ndarë më dysh për sa i përket sigurisë së qumështit të marrë nga lopët të cilave iu është injektuar rBGH. Pavarësisht se përdorimi i këtij hormoni është ndaluar në Bashkimin Evropian dhe Australi, në Amerikë është lejuar dhe FDA-ja nuk ka vendosur ndonjë kusht për përdorimin e këtij qumështi.

4. Soja: Në mes gjithë produkteve soja është produkti me një ndryshim të thellë gjenetik. Në vitin 2007 më shumë se gjysma e botës prodhoi një lloj të ndryshuar. Gjenetika e sojës ndryshohet për shkaqe të ndryshme. Arsyet më të përhapura janë rritja e imunitetit ndaj insekteve dhe kërpudhave, pasurimi i produktit nga ana e vitaminave, yndyrave dhe proteinave. Kështu mund të përdoret si ushqim për kafshët. Në të njëjtën kohë soja përdoret edhe si kimikat në farmaci. Në Amerikë nëse përdoret sojë në produkte të ndryshme, patjetër shkruhet në etiketë dhe këta zakonisht janë sojë me gjenetikë të ndryshuar. Këtu nuk bëhet fjalë vetëm për qumësht soje apo tofu, përdoren edhe ushqime që përmbajnë sojë si bukë, gjevrekë me drithëra, akullore dhe çokollatë.

5. Misri: misri përdoret kudo në Amerikë. Në të vërtetë Amerika është prodhuesi më i madh i misrit. Në vitin 2000 Ministria e Bujqësisë pohoi se 25% e misrit të prodhuar në Amerikë ndryshohet gjenetikisht. Produktet që përmbajnë misër janë soset e sallatave, margarina, mielli dhe shurupi i misrit.

Misri i pastër mund të infektohet me OMGJ nga arat me misër të ndryshuar gjenetikisht nëpërmjet erës. Shkencëtarët theksojnë se nga ky fenomen mund të infektohen sipërfaqe të mëdha.

T. Observer

Quhen thesare, po përse flasin

Pak orë para hapjes së Ekspozitës së Dorëshkrimeve Bizantine dhe Pasbizantine, organizatorët dolën para medias për sqarime të rastit dhe duke i dhënë rëndësinë që meriton paraqitja e kësaj trashëgimie arkivore që vjen nga shekujt.


Drejtoresha e Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave Nevila Nika tha që në fillim se s'është hera e parë që prezantohen kodikët, por kësaj radhe veç imazheve dhe riprodhimeve, vizitorët kanë mundësinë të shohin nga afër origjinalët e tyre.


Prurja e vërtetë e ekspozitës konsiderohen deshifrimet e një pjesë të dorëshkrimeve prej paleografëve.


Iniciator i kësaj pune është Agamemnon Celikas, Drejtor i Arkivit Historik dhe Paleografik i Fondacionit Kulturor të Bankës Kombëtare të Greqisë. Celikas, i cilësuar nga Nika një nga paleografët më në zë të sotëm, i pranishëm dje në Arkiv, ndihmoi procesin deshifrimit dhe udhëhoqi dy paleografët e rinj shqiptarë Sokol Çunga dhe Andi Rembeci.


"I kemi quajtur thesare por nuk e dinim se ç'përmbanin", tha Nika duke tërhequr vëmendjen me këtë lajm mbi kodikët. "Dimë që ata zënë një vend qendror në kulturën shpirtërore të vendit tonë, janë një copë e historisë së Shqipërisë dhe e popujve të Ballkanit.


Vijnë që nga shek. VI dhe tani jemi në mijëvjeçarin e tretë. I kemi ruajtur dhe mbajtur mbyllur këtu për gjashtë dekada dhe tani kemi mundësinë t'i nxjerrim nga izolimi dhe t'i shohim të gjithë". Ajo përmendi ekspozimin e dy kodikëve të Beratit që janë shpallur nga UNESCO pasuri shpirtërore e njerëzimit, ashtu si vetë qyteti është prej tri vitesh në mbrojtjen e UNESCO-s.


Ekspozita e dorëshkrimeve do të shkojë në fakt në Berat. Për kushte sigurie nuk do të lëvizin kodikët origjinalë, por riprodhimet e tyre.


Paleografi Celikas sqaroi se brenda dorëshkrimeve bizantine dhe pasbizantine të shekujve VI-XIX, duke marra parasysh përmbajtjen e tyre dhe shënimet kronikale që janë shkruar mbi to në kohë të ndryshme, është fiksuar pamja e jetës së vendit dhe e gjithë zonës ku gjuha greke ishte gjuhë e njohur.


"Këto dorëshkrime tregojnë pjesëmarrjen e Shqipërisë në botën bizantine, praninë e saj të gjallë brenda kësaj kulture dhe konkretisht tregon mënyrën se si funksiononte shoqëria e atëhershme në lidhje me kishën".


Celikas pohoi se ndërtimi i ekspozitës është ngritur së pari duke respektuar kriterin kronologjik, atë estetik dhe së fundi kriterin filologjik. Është marrë parasysh edhe kriteri paleografik.


Çdokush që është i interesuar ka rastin të ndjekë edhe zhvillimin e shkrimit grek në këtë hark kohor. "Me deshifrimin e një sërë shkrimesh kuptojmë se cili ishte mentaliteti i çdo periudhe. Shumë nga kodikët janë unikë në botë. Janë thesare që i kapërcejnë kufijtë e Shqipërisë", shtoi paleografi grek.


Jorgos Jakumis, drejtor i Fondacionit Grek të Kulturës në Tiranë mendon se suksesi i ekspozitës duhet matur me vizitueshmërinë e saj. Diskutimi mbi kodikët hyn tek temat e niveleve shkencore, por ç'kuptim do të kishte që komunikimi me një trashëgimi si kjo të mbetej privilegj i një grupi, i një elite.


Prandaj Jakumis shpreson me shërbimin që i është bërë ekspozitës me katalogë, broshura dhe materiale të tjera edukative të ndërtuar me gjuhë të thjeshtuar, të tërhiqen rreth 600 nxënës.


"E ç'vlerë kanë thesaret nëse i mban të kyçura?" Kjo është një nga fjalitë e deshifruara së fundi në një prej kodikët e të cilën drejtoresha Nika e përmend si për të reflektuar për statusin e arkivave vërtet të hapura.


Arsyet pse, kush dhe për cilët janë porositur, shkruar këta kodikë i gjen brenda tyre. Nika i referohet një historie gjeneze, lindjes së një kodiku prej një murgu. "Ishte i dënuar dhe për të shlyer fajin ndjente nevojën të shkruante një libër si këta që do të shihni në ekspozitë." Ajo kujtoi kohën kur i kundronin kodikët si memecë, i shikonin për bukurinë e tyre dhe pyesnin kush qenë ata që i kishin mbajtur për kaq shekuj.


Ajo shpreson që në një të ardhme do të vijnë njerëzit e duhur, paleografë shqiptarë të shkrimeve bizantine për t'u marrë me deshifrimin e tyre, në fund të fundit me deshifrimin e kontributit që shqiptarët kanë patur në perandoritë e mëdha. Dhe aty bëri një premtim: pas ekspozitës së shkrimeve otomane, bizantine dhe pasbizantine, do të vijë shumë shpejt radha e një ekspozite me shkrimet e vjetra shqipe.


Në Arkivin e Shtetit ruhen 119 kodikë të plotë dhe fragmente kodikësh, por në fondet e tjera të arkivit ka të tjerë dhe në total numri i tyre shkon në afro 300.
Me rastin e ekspozitës sot mbahet në Arkiv një konferencë shkencore.


Rreziku Vehabist dhe heshtja e institucioneve

Asht e pranueme prej të gjithëve, edhe botnisht, se islamizmi në Shqipni mori me kohë trajta mjaft të ndryshme nga ai i origjinës, pra islamizmi arabik.

Nuk kanë mungue edhe studiues që janë shtye deri atje sa të thonë se islamizmi shqiptar ka konturime kombëtare, e jo pa arsye, çka e ban të dallueshem prej shtresimeve ma ekstremiste që janë sot në botë.

Në vendin tonë prej kohësh kanë egzistue dy rryma të fesë Islame: njena asht Islami Sunit, rrymë paqësore e tolerante, që praktikohet nga shumica e shqiptarëve, tjetra asht rryma Bektashiane, edhe kjo përparimtare dhe me ngjyrime të theksueme atdhetare.

Shkaqet e një islami paqësor, tolerant e respektues ndaj besimit të të parëve të tyne, duhen kërkue tek dy fakte:

a) pse islamizimi ndër shqiptarë ka qenë një dukuni e imponueme me teh të shpatës e me mjete të tjera nga ma të dhunëshmet;

b) pse shqiptarët e islamizuem nuk i humbën kurrë lidhjet me rrajët, pra me prejardhjen e tyne të krishtenë.


Janë këto edhe arësyet ma bindëse pse islami ndër ne nuk u shfaq me format të dhunëshme si në shumë vise të tjera të Lindjes.

Mirëpo, tash së fundi, ka dalë në skenë edhe një rrymë e re, Islami Vehabist, që përfaqësohet nga një lukunì të rijshë që këta 20 vjetët e fundit u shkolluen në vendet e Lindjes, siç janë Pakistani, Arabia Saudite, Jemeni, dhe kanë sjellë në Shqipni traditen islame ekstremiste, ate vehabiste. Ekstremizmi i kesaj rryme fetare arabe po damton randë bashkëjetesën paqësore fetare mes nesh, aty edhe marëdhanjet tona me mjedisin Europian, ku jemi etnoformues që në ag të historisë së njerëzimit.

Veprimtaria e këtyne fanatikëve u pa edhe në SHBA, kur tre shtetas Maqedonë, me kombësi shqiptare, u përpoqen të hidhnin në erë bazën ushtarake te Njuxhersit.

Ata nuk lanë mjet pa përdorë që të imponohen: korrupsionin, kërcënimet, shpifjet, vjelljen e një urrejtje patologjike për gjithçka asht mirëfillit shqiptare.

Zanin kobzi të këtyne xhihadistëve mund ta dëgjoni në Forumin Islamik Vehabist të Olsi Jazexhiut, në mes të Tiranës, ku Efendiu këndon për trimnitë e kamikazeve që hedhin në erë mija të pafajshëm, deri tek hymnizimi i kryekriminelit Osama Bin Laden, pse, veç të tjerash, në synimet kryesore të tyne asht lufta kundër SHBA, kudo që të përfaqësohen, pra edhe në Shqipni.

Tashma, veçnarisht në botën e internetit, fanatikët e Forumit Vehabist të drejtuem nga Olsi Jazexhi dhe të mbeshtetun nga islamistët arnauto-otomanë si Tan Turku (i vetëquejtun “çami”, por që damton si askush tjetër çashtjen çame), Abedin Rakipi e lloji i tyne, kanë fillue haptas luftën fetare, luftën antikristiane dhe antiamerikane, tue mos respektue në diskutime as normat ma fillestare të mirësjelljes, e ku fyemja dhe harbutëllleku konkurojnë me pafytyrësinë, madje, gjoja, edhe nga një pozicion shqiptar – islamik, që na mbrokan këta plehna.

E randësishme për ta asht sundimi i tyne dhe jo shqiptarizmi, e randësishme për ta asht vëllaznia islamike vehabiste dhe jo bashkimi i shqiptarëve pa dallime feje, krahine dhe ideje. Veprimtaria antishqiptare e tyne ka përmbytë, si thamë, veçanarsiht internetin. Mjafton një “serche” në gogle dhe në pak sekonda do t’ju shfaqet para syve dobiçi që na ka lanë në derë Dovlet Merhumi. Identiteti i shqiptarëve asht fye me mija herë nga këta hora. Figura e Heroit Kombëtar Gjergj Kastriotit asht kthye prej kohesh në një tabelë qitje ku islamikët arnauto-vehabistë zbrazin gjithë urrejtjen e tyne anadollake. E njejta gja ngjet me sulnmet kundër Nanë Terëzës, ndaj së cilës përdoret fjalori ma i turpshëm.

Veçanarsiht e egër u ba lufta dhe urrejtja e tyne kur disa familje kosovare (Kabashi, Mehja etj) u rikthyen në besimin e të parëve të tyne. Theksoj, “u rikthyen”, pse termi “u konvertuen” asht i pavend, i pasaktë dhe dashakeq. E pra në historinë e re shqipatre raste rikthimi në besimin e të parëve, në krishtnim, ka pasë disa herë, aty edhe figura të shqueme, si Faik Koncia, që u pagëzue më 1895, pagëzimi i fëmijve nga atdhetari i madh Idriz Seferi, pagëzimi i bujshëm i Isa Boletinit, deri tek pagëzimi i Presidentit Rugova, që mori emnin Pjetër, në nderim të gjigandit të Historisë Kombëtare, Imzot Pjetër Bogdani. Po egërsi deri në kërcënime me vdekje ka pasë vetëm tash së fundi, e pikërisht nga këta plehna, që nuk kanë asgja të përbashkët me besimin e mirëfilltë, cilido qoftë ai, jo ma me të drejtat ma elementare të njeriut.

Vehabistët pretendojnë që me forma tjera, pra jo në kuadër të Bashkësisë Islame, të ndryshojnë interpretimin tradicional të normave islame. Dihet se Vehabistët janë – selefi (selefizëm) – dmth jomedhhebizëm, gja që nënkupton se janë kundër katër medhhebeve ekzistuese (shkollave juridike islame), prandaj edhe kërkuen kohë ma parë ndryshimin e nenit 2 të statutit të Komunitetit Musliman. Në këte nen asht përcaktue se tradita fetare në Shqipni asht ajo “Hanefi”, pra, linjë e butë, ndërkohë që u kërkue ndryshimi i saj në linjen e fortë të quajtun “Vehabizëm”.

Po në ç’klimë fqinjësije e bashkpunimi ndërkombtar, por sidomos mbrenda vendit, zhvillojnë veprimtarinë e tyne këta mikrobë të rrezikshëm?

Na nuk kemi nevojë për demokraci, na nuk kemi nevojë për parti politike, na nuk kemi nevojë për të drejtat e njeriut perëndimore, na nuk kemi nevojë për lirinë e tyne të fjalës. Për çfarë na duhet asht Kur’an-i. Ai rregullon jetën tonë të përkryeme. Ky asht legjislacioni ma i mirë në historinë e njerëzimit, ai asht fjala e All-llahut. Nuk ka asgja ma të mirë se ligji i All-llahut”.

Kosova.albemigrant.com

"Për këta dy fëmijë e kishte fjalën kryeministri?"

Dy fëmijë të vegjël, nxënës në shkollën 9-vjeçare të qytetit Bajram Curri, Tropojë, janë larguar nga shtëpia duke u zhdukur e duke u shpallur në kërkim. Janë 11 e 12-vjeçarë. Dy ditë më pas ata janë gjetur në Tiranë, Laprakë, nga familjarët e njërit prej tyre.

Dy vocërraket u kishin vjedhur familjes një shumë prej 30 mijë lekësh dhe ishin nisur me furgonët e Bajram Currit në drejtim të Tiranës. Kur i gjetën thanë që donin të shkonin emigrantë në Itali (!!).

A është kjo një kronikë e thjeshtë gazetash? Jo! Kjo është ngjarje tronditëse për çdo njeri jo vetëm në Shqipëri, por kudo në botë.

Ka ndodhur pikërisht ditën kur nga Tribuna e Festës Proletare të 1 Majit , ish-sekretari i PPSH-së për spitalet e Tiranes, ish i dërguari i posaçme i Ramiz Alisë tek studentët e dhjetorit '90-të, ish-Presidenti i Republikës i '97-ës, e sot Kryeministër i Shqipërisë, ku shpërthejnë gërdecat dhe digat, zoti Sali Berisha, deklaronte solemnisht nën tingujt e vitheve të Çiljetës:
- Sot jemi më të gëzuar se kurrë!

Të ecim të sigurt për të ardhmen e fëmijëve tanë..."
Për cilët fëmijë e kishte fjalën? Për fëmijët e tij dhe të bandës së tij apo për fëmijët e popullit shqiptar, për fëmijët e Tropojës që duan të ikin emigrantë që 11 vjeç?

A ka provë më të qartë, e ka dëshmi më të fortë, a ka akt-akuzë më të rëndë për këtë qeveri e për këtë kryeministër se kjo e dy fëmijëve që të ardhmen e tyre, që gëzimin e tyre, që shpëtimin e tyre e shohin rrugëve të kurbetit, rrugëve të Botës, ku sot ndodhet gati gjysma e popullsisë së Shqipërisë?

Kjo është lumturia?! Ky është gëzimi?! Kjo është e ardhmja e sigurt e fëmijëve shqiptarë?! Janë dy fëmijë të lindur e rritur në vetë vendlindjen e Sali Berishës! Lumturi dhe e ardhme alla Migjeniane, alla Berishiane!

Shekulli

Stop spekulimeve me çmimet

ZMK inicion një fushatë për të denoncuar spekulimet në treg që kanë sjellë rritjen e çmimeve të produkteve ushqimore, të ilaçeve, të apartamenteve, të kredive, të faturave të energjisë dhe të ujit, dhe në shumë sektorë të tjerë të mallrave dhe produkteve.

Fushata do tëquhet “Stop spekulimit me çmimet”.

Sipas të dhënave të ZMK-së rezulton se rritja e çmimeve në treg është një paradoks shqiptar i cili stonon me tendencën globale dhe rajonale që ka sjellë uljen e çmimeve të produkteve të konsumit. Sipas të dhënave të ZMK-së rezulton se arsyet e rritjes së çmimeve në treg lidhen ngushtë me lojën e importuesve dhe grosistëve të mëdhenj të cilët po përdorin pozitat dominuese në treg dhe bashkëpunimet aktive apo pasive me konkurrentët, për ti imponuar konsumatorëve çmime spekulative të cilat po rëndojnë përditë e më shumë jetën e shqiptarëve. Duke iu referuar rolit që duhet të luajnë institucionet e mbikëqyrjes së tregut, ZMK konstaton se duhet një koordinim dhe një angazhim shumë intensiv i strukturave shtetërore për të ndërmarrë veprime mbikqyrëse, si dhe iniciativa të reja ligjore dhe fiskale proporcionale në raport me fitimet spekulative të palëve të përfshira në këto abuzime. Tregu është i lirë por konsumatori nuk mund të lihet në dorë të spekulantëve. Shteti duhet të luajë rolin e vet rregullator në përputhje me principet e lirisë së tregut dhe po aq në përputhje me standardet e Bashkimit Europian për mbrojtjen e interesave të konsumatorëve shqiptarë.


Sipas të dhënave të ZMK-së rezulton se rritja e çmimeve në treg është një paradoks shqiptar i cili stonon me tendencën globale dhe rajonale që ka sjellë uljen e çmimeve të produkteve të konsumit. Sipas të dhënave të ZMK-së rezulton se arsyet e rritjes së çmimeve në treg lidhen ngushtë me lojën e importuesve dhe grosistëve të mëdhenj të cilët po përdorin pozitat dominuese në treg dhe bashkëpunimet aktive apo pasive me konkurrentët, për ti imponuar konsumatorëve çmime spekulative të cilat po rëndojnë përditë e më shumë jetën e shqiptarëve.

G. Sot

Faqja zyrtare: http://www.konsumatori.org/

Faqja e Zyrës për mbrojtjen e Konsumatorit në facebook : http://www.facebook.com/pages/ZMK-Zyra-per-Mbrojtjen-e-Konsumatoreve/38071223513

Friday, May 7, 2010

Skandali, bllokohen 13 kv qumësht i përzierë me urinë

Qumësht i holluar me ujë në masën dy herë më shumë dhe i përzierë me mbetje bagëtish (urinë) për konsum, duke rrezikuar shëndetin dhe jetën e klientëve.

Një rast i tillë është denoncuar pranë specialistëve të Drejtorisë së Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit në Berat, nga një pronar baxhoje, duke bllokuar një sasi të konsiderueshme qumështi në pritje të përfundimit të analizave laboratorike. Ndërkohë, specialistë dhe drejtues të DBU-së, duke konfirmuar dyshimin e tyre (zyrtarisht priten analiza), konfirmojnë se do të bëjnë denoncimin përkatës në prokurori për këtë skandal me pasoja të rënda. Burime për "Gazeta Shqiptare" thonë se, skandali është denoncuar nga Astrit Sinjari, pronar i baxhos në fshatin Donofrosë të Beratit. Sipas Sinjarit, kanë qenë 134 kilogramë qumësht të cilat janë blerë tek banorët e fshatit, sasi e cila pasi është përzierë për t'ju nënshtruar përgatitjes së produkteve, ka rezultuar jo me ngjyrën normale të qumështit, por dhe me erë të keqe.

I alarmuar, pronari ka marrë një kampion nga qumështi i blerë dhe e ka dërguar pranë zyrës së shëndetit social, në Drejtorinë e Bujqësisë dhe Mbrojtjes së Konsumatorit. Shefi i kësaj zyre, Ylmi Balliu bëri të ditur për "Gazeta Shqiptare se, "menjëherë pas marrjes së këtij informacioni është bërë vërejtja fizike e kampionit të qumështit" dhe është dyshuar për këtë fakt.
Përzierja e qumështit me mbetje bagëtish, kryesisht urinë, bën që të hidhet ujë pa kursim nga spekulatorët me qëllim përfitimi. Por ndërkohë, ky qumësht që shkon direkt apo nëpërmjet produkteve tek konsumatori, është tepër i rrezikshëm për shëndetin dhe jetën e konsumatorëve", - pohuan specialistët për "Gazeta Shqiptare".
Mbi këtë bazë, kampionët janë nisur për në laborator në Tiranë. Balliu shprehet se, menjëherë pasi të përfundojnë analizat do të merren masa jo vetëm me sasinë e qumështit, por dhe përcjelljen e kësaj çështjeje në organin e prokurorisë, ku do të verifikohen fermerët që kanë shkaktuar përzierjen e qumështit me produktet e rrezikshme për shëndetin e konsumatorëve. Duke denoncuar skandalin, pronari i baxhos ka dhënë dhe një listë të saktë të fermerëve ku e ka blerë qumështin. Njëkohësisht, denoncimi i bërë po administrohet dhe nga policia e Beratit.

Mësohet se në vlerën e provës është bllokuar sasia prej 134 kg qumësht dhe janë marrë dëshmitë e disa personave.


Erjola Azizolli, G. Shqiptare

Mbi 100 mijë fëmijë kërkojnë ndihmë

Alo, dua të vras veten".

Zëri që dridhet përtej receptorit është i një 13-vjeçari, që në fakt tregon se kërkon një degë ku të kapet për të mos u mbytur. Dhe, këtë dorë të shtrirë e gjen tek linja që është vënë në shërbim të fëmijëve: "Alo 116".

Psikologët që ndodhen në anën tjetër të receptorit e dëgjojnë me vëmendje dhe bisedojnë me të edhe për orë të tëra. Dhe, kjo jo vetëm një ditë, por për ditë me radhë. Derisa 13-vjeçari heq dorë nga ideja fatale. Në fakt, kjo është vetëm njëra nga 400 telefonatat që mbërrijnë çdo ditë në këtë numër të vënë në dispozicion të shqetësimeve që kanë fëmijët në të gjithë vendin.

Belioza Çoku, menaxhere e përgjithshme e kësaj nisme të re, shpjegon se që nga muaji qershor i 2009-ës, kur është hapur për herë të parë kjo linjë, dhe deri në fund të marsit kanë mbërritur mbi 100 mijë telefonata. Sipas saj, problemet e tyre kanë natyra të ndryshme, që nga divorci i prindërve, abuzimet në shkollë, e deri tek marrëdhëniet me të dashurin e tyre. Madje, në këtë numër nuk kanë munguar as telefonatat e mësuesve apo të prindërve.

Numri i fëmijëve
"ALO 116", është një linjë e telefonit për fëmijët në Shqipëri dhe "Alo 116-111" është një linjë paneuropiane për fëmijët në Shqipëri. Kjo është hera e parë që në vendin tonë të gjithë fëmijët dhe prindërit e tyre mund të kenë një ndihmë konkrete përmes "ALO 116", një shërbim kombëtar falas, 24 orë në 7 ditë. Dhe, rezultatet nuk kanë munguar. Në asnjë çast telefonat e vënë në dispozicion nuk janë të lirë. Mjafton të qëndrosh një ditë me operatorët e "qendrës së thirrjeve", për të kuptuar krizën dhe problematikën e madhe që kanë fëmijët shqiptarë. Dhe, telefonatat mbërrijnë nga e gjithë Shqipëria. Duke filluar që nga fshati më i largët, e deri tek qytetet më të mëdha të Shqipërisë. Belioza Çoku na tregon se edhe problemet për të cilat ata marrin janë nga më të ndryshmet. "Pjesa më e madhe e telefonuesve janë të shqetësuar për marrëdhëniet me partnerin. Bëhet fjalë, në të tilla raste, për adoleshentët e shkollave të mesme, - na shpjegon menaxherja e këtij projekti, Belioza Çoku. - Ka pasur ndërkohë, shumë telefonata të tjera të fëmijëve të shqetësuar për marrëdhëniet e tyre brenda familjes, për problemet me duhanin, alkoolin, me shëndetin, me shokët në shkollë. Shumë prej tyre janë të shqetësuar për shkak të formave të ndryshme të diskriminimit, për neglizhim, në raste të tjera për abuzime seksuale, dhe në disa raste i mituri ka dashur të kryejë vetëvrasje. Sipas studimeve të ndryshme, abuzimi ndaj fëmijëve shpesh ndodh pas dyerve të mbyllura dhe kryhet nga ata tek të cilët fëmijët kanë më tepër besim: prindërit, anëtarë të tjerë të familjes apo miqtë". Ajo shpjegon se linja e telefonit për fëmijët në Shqipëri, që nga 1 qershori i vitit 2009 e deri në fund të marsit ka marrë mbi 100 mijë telefonata nga e gjithë Shqipëria. Në qendrën operacionale të "ALO 116" mbërrijnë mesatarisht në ditë mbi 400 telefonata, ose 16 deri në 17 telefonata në orë. Numri i linjës "ALO 116" mund të merret nga çdo telefon dhe është falas. Ndërsa numri 116-111 mund të merret nga vende europiane për të marrë një shërbim të ngjashëm.

Sipas saj, telefonatat e shumta që mbërrijnë çdo ditë në këtë numër tregojnë se fëmijët shqiptarë kanë nevojë për dikë që t'i dëgjojë dhe t'i mësojë se si të sillen me problemin e tyre. "Alo 116' i jep mundësi çdo fëmije në Shqipëri që të flasë, të dëgjohet dhe të merret në konsideratë. Gjatë këtyre muajve të punës intensive kemi kuptuar se fëmijët në të gjithë Shqipërinë ndajnë të njëjtat probleme dhe shqetësime. Ata dhunohen në familje dhe kanë probleme të komunikimit me prindërit, ndeshin probleme të dhunës në shkollë nga mësuesit apo edhe fëmijët, kanë probleme të ndihmës shëndetësore dhe aksesit në shërbimet sociale", - ka sqaruar ajo.

Problemet familjare
Ata që telefonojnë çdo ditë në këtë numër sjellin me vete edhe problemet jo vetëm të tyret personale, por edhe të zonave nga të cilat janë vetë telefonuesit. Një gamë të gjerë telefonuesish e zënë ata të cilët ankohen për problemet familjare. Operatorët që presin telefonatat na tregojnë se në mjaft raste fëmijët ankohen për sherret në shtëpi, për dhunën që babai ushtron ndaj nënës, të cilës në mjaft raste nuk i shpëtojnë as ata, për divorcin, por edhe për problemet ekonomike. "Shumë raste kemi, që na telefonojnë fëmijë të cilët ankohen për baballarët të cilët pinë shumë. Dhe, kjo gjë krijon jo vetëm dhunë psikologjike, por në mjaft raste edhe në dhunë fizike. Ne mundohemi t'i mësojmë këta fëmijë se si të sillen në raste të tilla. Ndërsa në raste të tjera ne i adresojnë ata drejt qendrave ose shërbimeve të ndryshme nëpër rrethe, ku ata mund të shkojnë për të marrë një ndihmë më të specializuar", - shprehet ata. Një tjetër problem që lidhet me familjen ka të bëjë edhe me komunikimin që ata ndërtojnë me fëmijën. Edhe kjo është një pikë mjaft delikate, pasi ka shumë fëmijë apo adoleshentë që ankohen se prindërit e tyre i pengojnë në dëshirat që ata kanë.

Problemet me mësuesit
Është njëra nga problematikat më kryesore. "Kemi një numër shumë të madh telefonuesish që ankohen për mësuesit. Ata të zonave rurale ankohen edhe për dhunë fizike, siç është gjuajtja me shkumës, ndërsa ata të qyteteve ankohen më tepër për epitetet e ndryshme që u vendosin mësuesit. Por, ka edhe një kategori tjetër që ankohet për neglizhencë nga ana e mësuesve, për mosvlerësim të duhur apo për paaftësi të tyre në zotërimin e lëndës. Ndër epitetet më të shpeshta që u vendosin mësuesit janë: 'hë ti budalla, përgjigju', 'i mefshtë', 'toç', etj. Ndërkohë që një gamë të gjerë problemesh e zënë edhe marrëdhëniet midis të rinjve. Në shumë raste ata telefonojnë se shokët ose shoqet e tyre i ofendojnë dhe tallen me ta. Shqetësuese është fakti se ka filluar të përhapet fenomeni i talljes kolektive. Që do të thotë, se ata vënë në mes një bashkëmoshatar të tyrin dhe e tallin të gjithë. Gjithashtu, nuk mungojnë as rastet e dhunës midis të rinjve", - ka shpjeguar Belioza Çoku.

Problemet e dashurisë
Janë telefonatat që shënojnë edhe numrin më të madh. Marrëdhëniet me partnerin, frika nga HIV/AIDS, por edhe si duhet të sillen me të dashurin, janë disa nga shqetësimet që ata kanë. "Kryesisht na telefonojnë për problemet që kanë me të dashurit dhe na pyesin për marrëdhëniet seksuale. Ka nga ata edhe që e kanë problem që nuk kanë të dashur dhe telefonojnë për të pyetur se përse shoqja apo kushërira e tyre ka të dashur ndërsa ata jo. Ka nga ata që telefonojnë për të pyetur nëse mund të kryejnë marrëdhënie seksuale, pasi i dashuri e ka kërcënuar se do e lërë nëse s'e bën një gjë të tillë, ka të tjerë që telefonojnë vetëm për të marrë informacion për çështje të tilla. Ne bëjmë ç'është e mundur që t'i këshillojmë të mos nxitohen për të kryer një marrëdhënie vetëm se ia kërkon partneri, por duhet ta ndiejnë edhe vetë. Gjithashtu, ne i këshillojmë edhe për rreziqet që ka kryerja e marrëdhënieve në një moshë kaq të vogël. Ajo që është pozitive, është fakti se ata janë të ndërgjegjshëm dhe duan të dinë sa më shumë informacione rreth marrëdhënieve seksuale", - na shpjegon Alma Kordoni, supervizore e përgjithshme e 'ANCH'.


Problemet me duhanin
Një kategori tjetër janë edhe ata që marrin për problemet me duhanin, drogën dhe alkoolin. Ka nga ata që tregojnë eksperiencat e tyre, por ka edhe mjaft prej atyre që telefonojnë dhe kërkojnë ndihmë se si të shkëputen prej tyre.


Esmeralda Keta, G. Shqiptare