Sunday, June 13, 2010

Projekti sekret i Ali Pashës, për të krijuar Shqipërinë

Fakte të padëshmuara më parë për hapjen e shkollave shqipe dhe për të ndërtuar një mbretëri kushtetuese.

Thelbin e programit politik të ideologjisë së Rilindjes Kombëtare Shqiptare, si tek çdo lëvizje tjetër nacionale, e përbënte formimi i shtetit kombëtar shqiptar.

Në të vërtetë, përpjekjet e para serioze, pas atyre të Skënderbeut në shekullin XV, për shkëputjen e Shqipërisë nga sundimi osman, që shënuan kthesën politike më të rëndësishme gjatë shekullit XVIII, u kurorëzuan me formimin e dy shteteve faktikisht të pavarura në Shkodër dhe Janinë.

Bashkimi i territoreve të mëdha në shtete feudale dhe lufta e tyre kundër anarshisë që mbizotëronte në Shqipëri, ishte rezultat i transformimeve ekonomike, sociale dhe politike që po shfaqeshin në fund të shekullit XVIII dhe fillim të shekullit XIX dhe po zhvilloheshin në po ato drejtime si edhe tek vendet fqinje ballkanike. Në Shqipëri, si kudo në Ballkan, u dukën shkëndijat e para të ideologjisë për çlirim kombëtar, vërtet të zbehta dhe jo plotësisht të ndërgjegjshme, por gjithmonë të frymëzuara nga traditat e luftërave pa fund kundër pushtuesit.

Me këmbënguljen e tij të jashtëzakonshme, duke përfituar me zgjuarsi nga rrethanat politike të brendshme dhe të jashtme, Ali Pashë Tepelena i dha fund anarshisë feudale dhe e shtriu sundimin e tij në bregdetin shqiptar nga gryka e Shkumbinit deri në gjirin e Prevezës.

Kudo në pashallëkun e tij u vendos qetësia. Në Labovën e Madhe tregohet edhe sot historia e një fshatari të cilit, duke shkuar në Janinë, i vodhën kalin. Arriti të takohet me Aliun dhe i kërkoi t’i gjente kalin e tij. Aliu e pyeti se ç’bënte kur i vodhën kalin.

-Jam nisur që herët nga Labova, isha i lodhur dhe po flija, - u përgjigj fshatari.

-Ky fle dhe kërkon nga unë t’i gjej kalin, - iu drejtua i çuditur Pashai të tjerëve që gjendeshin në sallë.

-Unë fjeta Ali Pasha se je ti që rri zgjuar, - tha i vendosur laboviti. Në darkë fshatari arriti në shtëpinë e tij mbi një nga kuajt e Aliut. Kjo ishte situata në Shqipërinë e Jugut në fillim të shekullit XIX, ndërkohë që edhe në boshtin Tepelenë-Hormovë-Sulë, karvanët e ngarkuar transportonin të pashqetësuar njerëz dhe mallra.

Ali Pasha krijoi brenda perandorisë osmane një shtet pothuajse të pavarur me 1.500.000 banorë, ku shqiptarë, grekë, vlleh, turq dhe çifutë jetonin të integruar dhe në paqe.

Janina, që quhej nga udhëtarët e huaj të shekullit XVII “qytet i pasur tregtar”, në kohën e Aliut, duke u shndërruar në një qytet zejtar e sidomos tregtar të dorës së parë, si edhe një qendër administrative të një pashallëku të madh, u bë qendra e tregut ndërkrahinor të Shqipërisë jugore.

U rrit dhe u fuqizua borgjezia tregtare dhe shtresa e pronarëve të mëdhenj të tokave, pasurimi i të cilëve u duk sidomos në ndërtimet publike me karakter urban dhe ekonomik. Rrugët u mbushën me ura dhe hane, shprehnin gjallërinë e lidhjeve ekonomike. Gjatë kësaj periudhe Janina po lulëzonte jo vetëm si qendër e madhe ekonomike, por edhe si vatra kryesore kulturore e Ballkanit Jugperëndimor.

Janina vazhdoi të jetë famshme gjithashtu edhe për shkollat e bibliotekat e saj. Në 1814, për herë të parë në Perandorinë Osmane, Aliu lejoi shfaqjet teatrale, ndërkohë që inteligjenca e re diskutonte lirshëm nëpër sallat e sarajeve të tij për probleme politike, historike, artistike dhe shkencore të kohës. Janina u bë një qytet i gjallë që gumëzhinte nga veprimtaria ekonomike, tregtare dhe administrative e aparatit të sundimtarit të saj energjik, nën qeverisjen e të cilit arriti kulmin e zhvillimit edhe nga pikëpamja demografike.

Numri i banorëve të kryeqytetit të pashallëkut të Shqipërisë jugore arriti deri 50.000 frymë, pjesa më e madhe e të cilëve ishte e kombësisë shqiptare. Fakti që elementi shqiptar mbante pozita drejtuese administrative dhe ushtarake dhe kishte epërsi si numër banorësh, i jepte Janinës më shumë pamjen e një qyteti shqiptar.


Konsolidimi i formimit të shqiptarëve si komb

Shqiptarët që jetonin në zotërimet e Ali Pashë Tepelenës, ruajtën dhe zhvilluan më tej virtytet kombëtare. Mbi të gjitha u ruajt e paprekur krenaria kombëtare. Të huajt që vizitonin asokohe pashallëkun e Janinës, s’e ndanin patriotizmin e shqiptarëve nga krenaria e tyre kombëtare, si një ndjenjë e fuqishme etnike, si tiparin më të theksuar të karakterit të tyre. Hobhauzi, shoqëruesi i Bajronit, pohonte se kur banorët e provincave të tjera të Turqisë evropiane pyeteshim se çfarë ishin, ata përgjigjeshin: “jemi muhamedanë” ose “jemi të krishterë”, ndërsa banorët e këtij vendi përgjigjeshin: “jemi shqiptarë”. Francezi Manzur për këtë tipar shkruante: “në të gjitha dialektet shqiptare gjuha e tyre quhet shqip, vendi i tyre Shqipëri dhe nacionaliteti shqiptar”.

“Kjo krenari shfaqej dhe në respektin e tyre për luftërat legjendare ndaj pushtuesit osman, figurës së heroit kombëtar – Skënderbeut dhe prijësit të tyre, Ali Pashë Tepelena, që synonte ta shkëpuste Shqipërinë Jugore nga varësia politike e Sulltanit”.

Megjithëse në Shqipërinë e Jugut ekzistonin dy popullsi me fe të ndryshme, kjo nuk krijoi bazë për krijimin e dy kulturave materiale dhe shpirtërore shqiptare të veçanta. Këto të fundit ruajtën veçoritë kombëtare, krahinore, por edhe nuancat lokale.

Patriotizmi i zjarrtë shfaqej hapur në atdhedashurinë që vihej re në gjithë popullin, në mënyrë të tillë që bënte të zhdukej në masë të madhe dallimi i dukshëm në pjesët e tjera të Perandorisë Osmane, midis ithtarëve të të dyja feve të ndryshme. “Për shqiptarët, si të besimit mysliman edhe kristian, ishte i përgjithshëm shpirti i pavarësisë dhe dashurisë për vendin e tyre” (Hobhauz).

Në lartësinë e burrave, për virtytet e patriotizmit ishin gratë. Ato qëndronin pranë burrave të tyre po aq krenare dhe të vendosura sa herë e lypte nevoja, në luftë për interesat e atdheut dhe të jetës së tyre. Të huajt vinin re kudo se çdo vashë mbante një kamë dhe jo rrallë një palë kobure, me të cilat ato ishin të gatshme të ndanin rreziqet e luftërave me burrat.

Nga shteti faktikisht i pavarur tek monarkia konstitucionale shqiptare

E gjithë veprimtaria e Ali Pashës, si në politikën e brendshme ashtu edhe në atë të jashtmen, tregoi se ai u përpoq të jetë “sundimtar i pavarur”. Duke ngritur në gjithë hapësirën, nga Thesalia deri në Shkumbin, një aparat administrativ e ushtarak të posaçëm, që vepronte brenda Pashallëkut sipas vendimeve të tij, duke lidhur marrëveshje politike, ushtarake dhe ekonomike me shtete të huaja pa pëlqimin e dijeninë e Portës së Lartë dhe duke shtrirë pushtetin e vet në territore të qeverisura nga funksionarë të emëruar prej Sulltanit, Ali Pasha qeverisi dukshëm në mënyrë të pavarur.

Pas dështimit të përpjekjeve për formimin e një shteti të madh shqiptar, në përbërjen e të cilit do të ishte edhe Veriu i Shqipërisë, me qartësinë e një politikani të shquar të kohës, Ali Pasha u përpoq ta bashkërendiste kryengritjen kundër Stambollit me lëvizjet çlirimtare të popujve ballkanikë, duke e parë këtë si të vetmen rrugë drejt lirisë. “Aliu kishte filluar një bashkëbisedim me agjentin rus, grekun Jan Paparigopullos, i cili shkoi në Petërsburg me mision për të përgatitur një plan, për një kryengritje të përbashkët të shqiptarëve dhe grekëve (Gabriel Meksi, “Ali Pashë Tepelena”, A-III-169,1950), që do të udhëhiqej nga Ali Pasha. Në librin e Aravantinos “Historia e Ali Pashë Tepelenës”, fq.28, cituar nga Gabriel Meksi, shkruhet se “shumë prej udhëheqësve ushtarakë grekë (Aleksis Navos, Odhise Andocua etj.), i sugjeruan Aliut të marrë kryesinë e lëvizjes, që do të kishte për qëllim shkëputjen e Shqipërisë dhe të Greqisë nga Perandoria Osmane”. Në rast fitoreje, Aliu do të krijonte një shtet monarkik konstitucional shqiptar të përbërë nga zotërimet shqiptare dhe nga Thesalia, në krye të të cilit do të vihej vetë. Kurse Greqia Qendrore dhe Moreja, do të formonin një shtet autonom, i cili do të vihej nën protektoratin e tij. (Historia e popullit shqiptar, I, f. 665) Aliu dërgoi njerëzit e tij në Vjenë për të parë nga afër modelin austro-hungarez, i përshtatshëm për shtetin me dy kombe shqiptaro-grek, që synonte Aliu dhe ithtarët e tij.

Afirmimi i kombit shqiptar nëpërmjet përhapjes së kulturës dhe arsimit shqip

Transformimet ekonomike dhe sociale në territoret shqiptare filluan të reflektoheshin edhe në superstrukturën kulturore, fillimisht në Voskopojë, metropoli i kulturës shqiptare dhe ballkanike dhe më vonë në Janinë, ku u hodhën hapat e para serioze për lëvrimin e shqipes si gjuhë më vete dhe mësimin e shqipes në shkolla.

Ali Pasha, i bindur se nëpërmjet arsimimit do të ndërgjegjësonte popullin shqiptar, jo vetëm në realizimin e synimeve për shkëputjen e zotërimeve të tija nga Porta e Lartë, por edhe për formimin e një shteti të pavarur shqiptar, përkrahu shkollat ekzistuese dhe hapi mjaft shkolla të tjera. Lidhur më këtë Pukëvil (Puqueville) shkruante: “S’do të dija të shpjegoja nxitjen e Aliut për çeljen e shkollave fillore që përhapnin arsimimin midis fiseve shqiptare më të pamposhtura, kur sot quhet e turpshme të mos dish të shkruash dhe lexosh”. (Histoire de la Regeneration de la Grece, I, f. 329, 1820).

Në kohën e Aliut, për ata që dinin shkrim e këndim, tregohej një respekt i veçantë. “Një mashkull që di të shkruajë është për shqiptarët një qenie superiore, kurse ai i jep rëndësi vetes duke mbajtur një shishe boje dhe një pupël me bisht argjendi si shenjë e talentit të tij”, - shkruan Hjuz. Mbahen mend edhe sot e kësaj dite, nga të moshuarit me origjinë nga fshatrat e Rrëzës, porositë që Aliu u jepte arsimtarëve në mënyrën e vet: “Dhaskenj, të mësoni djemtë gram pa derman” (Vangjel Meksi, Ali Pasha dhe gjuha shqipe, Studime filologjike, nr.197, f.127, 1975).

Pashai përkujdesej personalisht për grumbullimin e fondeve dhe donacioneve për shkollat, përfshi edhe shkollat e famshme greke të Janinës. Enciklopedia greke shkruan: “Asnjë s’mund të mohojë se Ali Pasha ka ngritur shkolla, ka ndihmuar dhe çmuar dijetarët dhe mësuesit”.

Në ato kohë, në Shqipërinë e Jugut, shkollat ishin në gjuhën turke për shqiptarët e fesë myslimane, dhe në gjuhën greke për kristianët në përgjithësi, shqiptarë ose grekë të ishin.

Ka të dhëna të sigurta se në kohën e Aliut filloi të mësohej nëpër shkolla edhe gjuha shqipe. (Historia e Popullit Shqiptar. I, fq. 636)

“Shkolla të shumta u hapën në Gjirokastër, Berat, Korçë, Delvinë, Lunxhëri dhe Greqinë e veriut” (cituar nga Ilir Ushtelenca tek “Shteti dhe qeverisja e Ali pashë Tepelenës”). “Në to mësohej jo vetëm greqishtja dhe latinishtja, por edhe shqipja.
Mësimet që jepnin dhaskenjtë Psalidha, Bollano, Kavalioti, Evstrat Vithkuqari etj., mbi lavdinë e vjetër të kombeve pellazgjike, mbi zgjedhën turke dhe të ardhmen e popujve që vuanin nën këtë robëri, të cilat në fillim propagandoheshin me pëshpëritje nëpër skolitë me penxhere të mbyllura, në vitet e Ali pashë Tepelenës bëheshin hapur” (I.M. Qafëzezi, “Shkolla Kombëtare”, f.93-94, 1926).

Është shkruar shpesh nga të huajt (Hjuz etj.) se djalit të tij, Saliut, që donte ta bënte trashëgimtar dhe kujdesej veçanërisht për edukimin e tij, i mësonte në mënyrë sistematike me mësues edhe gjuhën shqipe, përveç greqishtes dhe turqishtes.

“Gjuha shqipe mësohej privatisht ose nëpër shkolla, me abetare që germat i kishin greke” (Revista Albania, London, 4, 1905, cituar nga I. Ushtelenca, po aty).


Ali Pasha dhe lëvrimi i Gjuhës Shqipe

Gjatë viteve të parë të shekullit XIX, në oborrin e Janinës po përshpejtoheshin përgatitjet për realizimin e projektit madhështor të Aliut që synonte krijimin e shtetit të pavarur shqiptar, i cili do të përfshinte edhe sanxhakun e Shkodrës. Plani do të realizohej nëpërmjet lidhjes së krushqive midis dy familjeve më të fuqishme të parisë shqiptare. Martesa e Mustafa Pashë Bushatlliut me mbesën e Ali pashë Tepelenës do të kryente kthesën e madhe politike: bashkimin e dy familjeve të njohura shqiptare që do të mundësonte formimin e shtetin të madh shqiptar, që nën një udhëheqje të vetme, do t’i jepte fund pushtimit shumëshekullor turk.

Ky shtet do të kishte gjuhën e tij zyrtare, që sigurisht do të ishte gjuha shqipe. Ali Pashë Tepelena, si kryetar i këtij shteti në formim, që tashmë të huajt e quanin “Roi de l’Albanie” (mbreti i Shqipërisë – Courrier de l’Europe, Archive nationale de France, 1788) ose “Commandant absolu de toute l’Albanie” (cituar nga Ligor Mile në “Mbi karakterin e pushtetit të Ali Pashë Tepelenës”, Studia Albanica, f. 147, 1966), po punonte me ngulm që gjuha shqipe të zinte vendin që meritonte. Për këtë arsye Ali Pashë Tepelena i kushtoi vëmendje të veçantë promovimit të gjuhës shqipe, ndër të huajt e shumtë që frekuentonin oborrin e tij dhe nxitjes për lëvrimin e gjuhës tonë si gjuhë më vete.

Një pjesë e konsiderueshme e udhëtarëve perëndimorë që vizitonin oborrin e Vezirit ose ishin mysafirë të tij, pasi shuanin kureshtjen, duke njohur Aliun, sipas mundësive, plotësonin edhe kërkesën e vetme të mikpritësit të tyre që lidhej, sipas rastit, me studimin ose propagandimin e gjuhës shqipe, vërtet e panjohur për ta, por që e gjenin origjinale.

I pari, kronologjikisht dhe jo vetëm, që kaloi në Janinë gjatë vitit 1809, është Bajroni (Byron,1788-1824). Ai e mbushi me fjalë shqipe poemën e tij “Childe Harold” (Çald Haroldi) dhe formuloi një karakterizim për gjuhën tonë, që për atë kohë kishte rëndësi të veçantë.

Lord Bajroni shoqërohej nga Hobhauz (Hobhouse, 1786-1869), edhe ai lord, që botoi një shkurtore të gramatikës shqipe të Da Leçe (Da Leçe, 1716) e përfshirë në librin e tij “Udhëtim nëpër Shqipëri... në vitet 1809-1810”.

Liku (Leake, 1777-1860) qëndroi pranë oborrit të Ali Pashë Tepelenës si përfaqësues i qeverisë angleze, gjatë viteve 1809-1810. Aliu e njohu me Evstrat Vithkuqarin (1755-1820), personalitet i spikatur i kulturës dhe arsimit shqiptar, i cili i mësoi shqipen, dhe më pas së bashku, përpiluan “Skica gramatikore të gjuhës shqipe” (1814), që mbahet si gramatika e parë shqipe. Së bashku ata hartuan edhe fjalorin shqip-greqisht-anglisht. Liku gjithashtu ndërtoi për shqipen një alfabet me shkronja latine.

Marko Boçari (1790-1823) nga Suli, ishte një nga figurat më të shquara, më tërheqëse dhe më fisnike ndër udhëheqësit popullorë të kryengritjes greke. Qëndroi për shumë kohë në oborrin e Ali Pashë Tepelenës, ku duket se edhe ai u përfshi nga fryma që mbizotëronte aty. Edhe pse nuk kishte arsimin e duhur, ai përpiloi fjalorin e tij greqisht-shqip (1809) që konsiderohet “përmendore e gjallë e gjuhës shqipe” (J. Kastrati, Historia e Albanologjisë, I, f.456).

Nga oborri i Aliut kaluan edhe Dr. Holland dhe Hjuz, të cilët, të nxitur nga Pashai, paraqitën në librat e tyre të famshëm për kohën, konsiderata për shqipen dhe shqiptarët që shtuan edhe më tej interesimin e opinionit anglez dhe evropian për gjuhën tonë dhe popullin që e fliste atë gjuhë.

Dr. Jan Vellarai (1771-1823), grek nga Janina, mik i ngushtë i Aliut dhe mjeku i të birit (Veliut), përpiloi “Shënime gramatikore greqishte e re shqip”, si dhe një alfabet të veçantë për gjuhën shqipe që ia dorëzoi Pukëvilit i cili e depozitoi, së bashku edhe me fjalorin e Marko Bocarit, në bibliotekën kombëtare të Parisit, ku ndodhen edhe sot.

Ndër të huajt që kanë njohur Ali Pashën, Janinën dhe Shqipërinë është edhe diplomati, mjeku dhe historiani frëng Pukëvil (1770-1838), që pati rastin të qëndrojë në vendin tonë: herën e parë si rob lufte i Aliut (1798-1801) dhe herën e dytë si konsull i Francës në Janinë (1805-1815). Në vitin 1820 boton “Voyage dans la Grece” (Udhëtim në Greqi), ku gjenden edhe alfabeti latin që përdori autori për gjuhën tonë, fjalori frëngjisht-shqip dhe vëzhgime gramatikore për gjuhën shqipe.

Shumë shqiptarë e grekë studionin në vende të ndryshme të Evropës në kujdesin dhe mbrojtjen e Ali Pashë Tepelenës. Ndër ta përmendim Kryeministrin e mëvonshëm të shtetit të lirë grek, Jani Koleti, mik i ngushtë dhe mjek i Aliut, Psalidhën, Billaranë, Bollanon dhe Vangjel Meksin, të cilët më pas, duke jetuar në oborrin e tij, me nxitjen dhe ndihmën direkte të Pashait, u morën edhe me studimin e gjuhës shqipe, prejardhjen e saj dhe të shqiptarëve.

Vangjel Meksi (1770-1823) nga Labova e Madhe, ishte oficer artilerie kur Veziri e lajmëroi se do të ndiqte Fakultetin e Mjekësisë në Napoli. Kaloi Adriatikun më 23 shkurt 1803 duke pasur me vete një letër për Ferdinandin I Burbon, firmosur nga Aliu, ku shkruhej tekstualisht: “Po ju dërgoj Vangjel Meksi Shqiptarin për të mësuar atje. I lutem Madhërisë Suaj të keni mirësinë që t’i jepni mbrojtjen tuaj mbretërore në mënyrë që të gëzojë ato kushte dhe lehtësi të cilat të çojnë në mësimin e këtyre shkencave”.

Pasi u diplomua, u kthye në Janinë dhe shërbeu si mjek në oborrin e Aliut. I përfshirë nga fryma që mbizotëronte në Janinë, dha një kontribut të shquar në lëvrimin e gjuhës shqipe. Gjatë kësaj periudhe duhet të ketë përpiluar gramatikën, alfabetin origjinal dhe drejtshkrimin e gjuhës shqipe. Më pas, tashmë studiues i vërtetë i gjuhës sonë, kaloi edhe një herë Adriatikun, këtë radhë për të shkuar në Venecie ku botoi në 1814 librat e shkrimtarit francez, Flëri (Fleuri, 1640-1723), të shqipëruara dhe përshtatura për nxënësit shqiptarë.

Në 1819, u angazhua nga Shoqata Biblike Britanike për të realizuar kryeveprën e tij, shqipërimin e plotë të “Dhiatës së Re”.

Robert Pinkertoni, përfaqësuesi i Shoqërisë Biblike, që bashkë me Dr. Vangjel Meksin nënshkroi kontratën për shqipërimin e Dhiatës, siguron qendrën në Londër, në një letër që mban datën 25 tetor 1819 se “doktori ka filluar prej kohësh të studiojë gjuhën shqipe dhe për më tepër ai ka përpiluar gramatikën e gjuhës së vet amtare, të cilën ma tregoi”. Vazhdonte Pinkertoni: “Ai tashmë ka përkthyer kreun e 5-të të Mateut dhe kreun e parë të Ungjillit të Shën Johanit dhe më paraqiti një kopje të tyre si frytet e para të kësaj ndërmarrjeje të rëndësishme”.

Ka të ngjarë që gramatika, alfabeti, si dhe drejtshkrimi i gjuhës shqipe, të përpiluara gjatë periudhës që Dr. Meksi shërbente pranë Aliut, të kenë bindur Vezirin se doktori ishte më i vlefshëm për shqipen, larg oborrit dhe larg mjekësisë. Një shtysë jo të vogël në këtë drejtim, duhet të kenë dhënë edhe disa klerikë patriotë shqiptarë që kërkonin “të fusnin në shërbesat kishtare edhe gjuhën shqipe”. (Historia e Popullit Shqiptar, I, fq.663)


Ali Pasha sfidon Pukevilin

Vangjel Meksi (1903-1983), vlerësues i hershëm i Ali Pashë Tepelenës dhe autori i një studimi mbi shtetin e tij, ka botuar në Studime Filologjike, 3, 1975, artikullin “Ali Pashë Tepelena dhe Gjuha Shqipe”, ku përshkruan edhe një ndodhi të treguar nga avokati Jorgji Cako që kishte jetuar për shumë kohë në Stamboll: “Dy djemtë e Tahir Abazit, kryetar i policisë në Pashallëkun e Ali Pashës, kishin dëgjuar nga i ati se ai ndodhej i pranishëm kur Ali Pasha bisedonte me Pukëvilin, i cili, ndër të tjera, vuri në dyshim nëse gjuha shqipe do të ishte e aftë të trajtonte çështje të rëndësishme si çdo gjuhë tjetër. Vuri sidomos në dyshim përkthimin në shqip të Dhiatës së Re, që sipas tij, përmbante ide dhe mendime të larta. Ali Pasha e kundërshtoi menjëherë konsullin francez dhe i kërkoi të caktonte një pjesë nga Dhiata e Re që dëshironte të përkthehej në shqip. Pukëvili caktoi pjesën “Parabola e djalit plangprishës” nga Ungjilli i Llukës dhe i la afat dy muaj. Aliu thirri menjëherë dy përkthyes dhe u kërkoi të kryenin porosinë për dy javë. Ata pranuan dhe e dorëzuan përkthimin brenda afatit”.

Dhe në të vërtetë Pukëvili në veprën e tij “Udhëtim në Greqi” ( Voyage de la Grece, f.302-305,1820) botoi përkthimin shqip të parabolës së mësipërme në dy dialektet e gjuhës shqipe, toskërisht dhe gegërisht me shënimin: “Ky përkthim u krye me urdhrin e Ali Pashës, Vezir i Janinës sipas kërkesës së M. Pukëvilit, në 1813”.

Përkthimi toskërisht është me alfabet grek, ndërsa ai gegërisht me alfabet latin. Nga burimet e tjera del se përkthimi në gegërisht është bërë nga prifti katolik që shoqëronte trupën e mirditorëve prej 400 ushtarësh që shërbente pranë Ali Pashës.

Përkthyesi në toskërisht nuk njihet, por mund të ishte Dr. Vangjel Meksi, mjeku i Ali Pashës, lëvruesi i gjuhës shqipe dhe përkthyesi i famshëm i Dhiatës së Re.

Për të gjetur përkthyesin e vërtetë të “Parabolës…” në toskërisht, me ndihmën e gjuhëtarëve të Shoqërisë Biblike në Tiranë, u transkriptua dhe më pas u krahasua kapitulli i Parabolës që gjendet tek Dhiata e re, përkthyer nga Vangjel Meksi në 1821 dhe botuar në 1827, me parabolën toskërisht që Ali Pasha i dorëzoi Pukëvilit në 1813, i cili e botoi më 1820 tek libri “Udhëtim në Greqi”.

Diferenca në kohë e përkthimeve është 8 vjet kurse e botimeve 7 vjet, ndërsa ndryshimet gjuhësore janë të shumta. Përkthyesi pra nuk është Dr. Vangjel Meksi. Siç duket, në oborrin e Ali Pashës, ishin të shumtë ata që punonin në administratën e Aliut dhe përdornin shqipen me germa greke.

Aliu, me arsimin e duhur për kohën dhe eksperiencën e gjerë që kishte, filloi të stërviste punonjësit e administratës së tij që të përdornin gjuhën shqipe qoftë edhe me germa greke.

Në librin “Udhëtim në Greqinë e Veriut”, Liku shkruan se “edhe pse gjuha turke është zyrtare, mjaft akte ligjore, urdhra, apo mesazhe që donte të lexoheshin në publik, vetë Aliu i shkruante në shqip me germa greke”.

Ali Pasha kërkonte gjithashtu që shqipja, si gjuhë zyrtare e shtetit të ardhshëm shqiptar, të shkruhej me alfabet të veçantë për t’u veçuar plotësisht nga gjuhët e tjera dhe alfabetet e tyre. Përpjekjen e parë në këtë drejtim e kreu dr. Jan Vellarai, mik i ngushtë i Aliut, i cili shpiku një alfabet të veçantë të gjuhës shqipe me 30 shkronja, i ngjashëm me alfabetet e lashtësisë. Ky alfabet është i pesti me shkronja të posaçme që njohim gjer më sot për shqipen. Më pas dr. Vangjel Meksi, përdori një alfabet të përzier me germa greke dhe neolatine për të eliminuar në një farë mënyre ndryshimet fonologjike në mes të dy gjuhëve. Ky alfabet u përdor edhe për shqipërimin e Dhiatës së re.

Të dy këta intelektualë të rinj të sapokthyer nga Evropa, përveçse ushtronin profesionin e mjekut, sipas kërkesës së Aliut, përpilonin gramatika, fjalorë dhe alfabete.

Ilo Mitkë Qafëzezi dëshmon: “Ali Pashë Tepelena ka pasur ndjenjë shqiptari për liri dhe për lëvrimin e gjuhës shqipe. As që mund të shpjegohet ndryshe shkrimi i aq librave, fjalorëve dhe ungjijve që u botuan brenda periudhës 1770-1827, bile edhe 5 vjet pas vdekjes së tij”.

Në të vërtetë, vetëm gjatë një 5-vjeçari në fillim të shekullit të XIX janë përpiluar 4 alfabete, 5 gramatika dhe po aq fjalorë të gjuhës shqipe. Autorët e këtyre veprave gjuhësore ishin miq të afërt të Aliut (Jan Vellarai, Vangjel Meksi, Evstrat Vithkuqari, Marko Boçari) ose mysafirë të huaj që qëndruan për shumë kohë në Janinë (Lik, Hobhauz, Pukëvil).

Pas këtyre intelektualëve të ricikluar në gjuhëtarë, qëndron nxitja, këmbëngulja dhe energjia e Ali Pashës, i cili në rrafshin politik e trajtoi gjuhën shqipe si një element që do të ndihmonte në forcimin e unitetit të kombit shqiptar.

Pas konsolidimit ekonomik dhe politik të pothuajse shtetit të tij, Aliu po përpiqej të realizonte bashkimin e trojeve shqiptare dhe lëvrimin e gjuhës shqipe që do të ishte gjuha zyrtare e shtetit të pavarur shqiptar.

Janina e Ali Pashë Tepelenës ngjante me një “kopsht pjellor”, ku lulëzuan gramatika, fjalorë dhe alfabete të shqipes të cilat ishin të domosdoshme për t’u bërë ballë ndikimeve asimiluese të gjuhëve dhe kulturave të huaja që pengonin bashkimin e shqiptarëve.

Ali Pashë shqiptari, me zgjuarsinë e tij të jashtëzakonshme, e kuptonte se nga ruajtja dhe lëvrimi i gjuhës shqipe varej, jo vetëm bashkimi i shqiptarëve, por edhe jeta apo shuarja e kombit tonë.

Duket se Aliu përgjërohej për gjuhën shqipe, jo vetëm si gjuha amtare, por edhe për qëndrueshmërinë e saj, që ndryshe nga shumë gjuhë të tjera, “falë maleve dhe shpirtit të banoreve të tyre” (Lik), rezistoi gjatë shekujve duke ruajtur në këtë mënyrë individualitetin e kombit tonë.

Përveçse si themelues i një shteti shqiptar faktikisht autonom dhe kryengritës i përbetuar kundër pushtimit otoman, Ali Pashë Tepelena duhet të vlerësohet edhe për përkushtimin e tij ndaj gjuhës sonë amtare. Ali Pasha çmonte dhe ishte krenar për gjuhën shqipe, dhe për lëvrimin e saj ai dha të gjitha energjitë e tij të pashterueshme që edhe shqipja të qëndronte krahas gjuhëve të tjera të popujve fqinjë.

Rilindja Kombëtare Shqiptare dhe të pathënat

Rilindja shqiptare, përpara se të përbënte një lëvizje të gjithanshme kombëtare, me një përmbajtje të re ideologjike, politiko-kulturore, ekonomike dhe shoqërore, që më pas do të zgjidhte detyrat që i takonin çlirimit të vendit, bashkimit të trojeve shqiptare në një shtet të vetëm dhe të pavarur, duke hapur në këtë mënyrë rrugën e zhvillimit dhe përparimit të Shqipërisë, duhej të fillonte sa më shpejt me lëvrimin e gjuhës shqipe.

Për intelektualët patriotë shqiptarë ishte i qartë se konsolidimi i shqiptarëve si komb i bashkuar shtronte si kërkesë të domosdoshme kapërcimin e prapambetjes në shkrimin e shqipes, e trashëguar nga sundimi i tejzgjatur otoman.

Prej disa shekujsh gjuha tonë amtare flitej vetëm në shtëpitë e shqiptarëve. Ajo nuk përdorej në administratën publike, institucionet fetare dhe as mësohej në shkolla.

Në kushtet ku ndodhej Shqipëria, gjuha shqipe në kisha, xhami dhe shkolla mund të vendosej vetëm pas perfeksionimit të alfabetit dhe përkthimit të literaturës fetare.

Dhjetëvjeçarët e fundit të shekullit XVIII njohën një gjallërim më të madh në drejtim të lëvrimit të gjuhës shqipe. Grigor Voskopojari solli në shqip copa të ungjillit, kurse Dhaskal Todri shqipëroi Dhjatën e Re dhe të Vjetër, ndonëse nuk arriti ta botonte. Këto përpjekje u shtuan në fillim të shekullit të XIX, sidomos në Janinë me nxitjen e Ali Pashë Tepelenës.

Kjo periudhë duhet të shënojë fillimin e Rilindjes Kombëtare. Nëpërmjet shqipërimeve të Vangjel Meksit shqiptarët filluan ta dëgjojnë Zotin e tyre në shqip, kurse fëmijët në shkollat greke, i lexonin librat në gjuhën amtare. Në këtë mënyrë u hodhën themelet e gjuhës letrare shqipe dhe të konsolidimit të shqiptareve si komb i bashkuar. Ndërkohë që, krahas përpjekjeve të Ali pashës për të nxitur lëvrimin e gjuhës shqipe, duhet vendosur edhe veprimtaria e tij për formimin e shtetit faktikisht të pavarur dhe shndërrimin e tij në një shtet të pavarur shqiptar.

Në librin voluminoz "Probleme të marrëdhënieve greko-shqiptare" (Tiranë,2009), Filip Liço me të drejtë shkruan": Nëse Ali Pasha do të kishte menduar për të krijuar një shtet të pavarur shqiptar, atëherë Aliu do të ishte rilindasi i parë i Shqipërisë dhe, për rrjedhojë, Rilindja shqiptare do të kishte filluar më herët, aty nga fundi i shekullit XVIII".

Përgjigjen e ka dhënë Faik Konica që në 1902 ("Albania" shih "Vepra", Tiranë, 1993). Ai shkruante: "Shqiptarët u ngjallën, u bashkuan, u ndjenë një komb nën sundimin e tij. Shihet sheshit se mendimi i tij qe çlirimi i Shqipërisë. Provat gjenden me qindra në jetën e Ali Pashës. Princi Meternik, kancelari i atëhershëm i Perandorisë Austriake, shkruan në kujtimet e tij: “Ali Pasha më dërgoi një njeri të besës me një letër, për të bërë një konstitucion për Shqipërinë". Letra e Aliut drejtuar Meternikut dëshmon katërcipërisht për ekzistencën e projektit lidhur me krijimin e shtetit konstitucional shqiptar. Në këtë mënyrë, duke zbritur në Rilindjen Kombëtare Shqiptare dhe duke dëshmuar për rolin e Ali pashë Tepelenës dhe Dr. Vangjel Meksit, shtyhet në disa dekada në histori më thellë caku i fillimeve të nacionalizmit shqiptar.

Jo pa trishtim më duhet ta përfundoj këtë shkrim duke përcjellë edhe një herë fjalët e Faik Konicës: "Është turp të ndodhen njerëz të lindur shqiptarë që përpiqen të pakësojnë fytyrat që i dhanë shkëlqim Shqipërisë. Por kur mendohemi se çfarë shqiptarë janë ata që duan të mbulojnë me këlbaza emrin e luanit që i vuri sëpatën Turqisë, shpejt ngushëllohemi".

Dhoma ku u vra Ali Pashë Tepelena

G. Standart

Thursday, June 10, 2010

Sot 132 vjet nga themelimi i lidhjes shqiptare të Prizrenit

Lidhja Shqiptare e Prizrenit, e para organizatë politike mbarëshqiptare brënda në Shqipëri, më 10 Qershor, mbush 132 vjet nga formimi i saj (1878).

Me një platforme ideologjike e një program politik kombëtar, me një strukturë organizative të shtrirë në të gjithë viset shqiptare e të përbërë nga organet lokale e qëndrore, me ushtri dhe me një veprimtari të gjerë propagandistike dhe kulturore, Lidhja Shqiptare e Prizrenit luftoi për çlirimin e vëndit nga robëria osmane, për mbrojtjen e tërësisë territoriale të atdheut dhe për formimin e shtetit shqiptar.

Politikisht dhe ideologjikisht kjo Lidhje u formua në kohën kur po ndihej jehona e revolucioneve çlirimtare të Europës dhe Ballkanit. Formimi i saj u përshpejtua pas Traktatit të Shen Stefanit, i cili e gjymtonte tërësinë territoriale të Shqipërisë. Ajo u themelua nga Kuvendi Kombëtar i Prizrenit ku morën pjesë përfaqësues të viseve të ndryshme shqiptare dhe ku gjithashtu u miratua statuti dhe "Urdhëresa" ku trajtoheshin aspekte organizative, politike dhe ushtarake te saj.

Lidhja Shqiptare e Prizrenit ngriti pothuajse kudo degë të saj , krijoi një front të gjërë patriotik duke kapërcyer dallimet klasore , fetare dhe krahinore dhe u bë një forcë e organizuar , duke fituar një autoritet të padiskutueshëm në mbarë vëndin. Lidhja Shqiptare e Prizrenit ngriti me forcë para Qeverisë Osmane çështjen e bashkimit të të gjitha trojeve shqiptare në një njësi më vete politiko-administrative, që Porta e Lartë në mënyrë të vendosur e kundërshtoi.

Ajo dërgoi në pranverë të vitit 1879 një delegacion të kryesuar nga Abdyl Frashëri, tek Fuqitë e Mëdha të Europës, i cili mbrojti para tyre çështjen kombëtare shqiptare duke kërkuar njohjen e popullit shqiptar si një të pandarë , respektimin kundrejt tij të parimit të kombësisë, dhe ruajtjen e tërësisë territoriale të tij. Ndër betejat më të rëndësishme të kryesuara nga Lidhja Shqiptare e Prizrenit ishte mbrojtja e Plavës dhe Gucisë , e Hotit dhe e Grudës.

Lëvizja për mbrojtjen e tërësisë territoriale u shoqërua me luftën për autonomi. E tronditur nga kjo veprimtari e fuqishme "I sëmurii Bosforit" ,Qeveria Osmane, hodhi forca të mëdha ushtarake për ta shtypur atë. Në mars te vitit 1881 u pushtua qëndresa e fundit, Shkupi dhe anëtarët e komitetit të Lidhjes së qytetit u internuan.

Edhe pse u shtyp Lidhja Shqiptare e Prizrenit pati një rëndësi të madhe në historinë e popullit shqiptar. Epopeja e madhe që ajo shkroi i dha një shtytje të re Lëvizjes Kombëtare duke ushtruar ndikim të madh në luftrat e mëvonshme për liri. Luftën e tyre për çlirim mbarëkombëtar shqiptarët e mbështetën në idetë e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, në përvojën e saj politike organizative dhe ushtarake. Në Lidhje morën pjesë figura të shquara si Abdyl Frashëri, Sulejman Vokshi, Iljaz Pashë Dibra, Ymer Prizreni etj.

BalkanWeb

Komandot e NATO-s: Ndihmë! Po qelbemi

Ushtarët që stërviten për misione jashtë vendit, lihen pa dushe, pa uniforma dhe pa ushqim.


Ndërkohë që flitet për plotësimin e standardeve të ushtrisë pas anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, forcat komando të Reagimit të Shpejtë në Poshnjë të Beratit po stërviten në kushte skandaloze.

Reparti prej dhjetë ditësh është nisur me një mision fushimi përgatitor disa kilometra larg repartit të tyre, ku ushtarëve nuk u garantohet asnjë kusht për mbajtjen e higjienës personale, ndërkohë që ata ankohen se nuk po mbushin dot as barkun me bukë.

Një grup komandosh të Repartit të Reagimit të Shpejtë me numër 1030 kanë shkruar një letër ankese, që ia kanë drejtuar gazetës “Shqip”, për të bërë publike problemet e tyre.

Ushtarët janë nisur për një stërvitje përgatitore dhjetë ditë më parë, ndërkohë që parashikohet që kjo stërvitje të zgjasë plot 20 ditë. Kampi është ngritur katër kilometra larg repartit të tyre, dhe ndodhet në fshatin Poshnjë të Rrethit të Beratit. Por, ndërsa fushimi po ecën normalisht, komandot ankohen se janë duke u stërvitur në kushte skandaloze.

Ata thonë se nuk kanë uniforma për t’u ndërruar në kushtet e fushimit, nuk kanë dushe për t’u larë, ndërkohë që u mungon ushqimi i duhur. Por jo vetëm kaq, ata shtojnë se nuk u jepet leje nga ana e komandantit për të shkuar në banesa me qëllim kryerjen e nevojave të tyre personale.

Ata ankohen se kanë dhjetë ditë pa u larë, në kushtet kur temperaturat e ambientit po shkojnë mbi 30 gradë Celsius. Ushtarët që po stërviten për të qenë pjesë e misioneve të ushtrisë shqiptare jashtë vendit ankohen gjithashtu se vetë drejtuesit e shtabit shkojnë pranë banesave të tyre një herë në dy ditë, ndërkohë që kjo nuk ofrohet për asnjë nga ushtarët. Po kështu ata kanë ngritur shqetësimin e tyre dhe në lidhje me ushqimin, i cili sipas tyre nuk është i mjaftueshëm. “Mëngjesi dhe darka janë shumë të pakta, aq sa të hajë një mace shtëpie”, shkruhet në letrën që i drejtohet redaksisë së gazetës “Shqip”.

Ushtarët ankohen gjithashtu se nuk trajtohen njësoj të gjithë gjatë fushimit që kryejnë, pasi oficerët e shtabit ikin çdo natë në shtëpitë e tyre. Po kështu, në mënyrë më të privilegjuar trajtohen edhe pesë vajzat e repartit, të cilat punojnë si profesioniste, ndërsa pjesa tjetër e ushtarakëve nuk lejohen të shkojnë në banesa as për të bërë dush. Ushtarët gjithashtu ankohen se në këtë fushim nuk zbatohet rregullorja ushtarake njësoj për të gjithë, por sipas dëshirave të oficerëve. Komandot e Repartit të Reagimit të Shpejtë Poshnjë kërkojnë që të zbatohet rregullorja njëlloj për të gjithë, pasi sipas tyre, ushtria po kthehet në pronë private e oficerëve.

Komandot e Reagimit të Shpejtë në Poshnjë kanë zhvilluar katër misione paqeruajtëse jashtë vendit. Por, sipas tyre dhe pse janë forca të rëndësishme të ushtrisë shqiptare, mbajnë ende uniformat e misionit të parë paqeruajtës.

Shqip

Të mos hetosh Nanon, tradhëti kombëtare

Arkivë 12.11.2004

Grupet parlamentare të opozitës ligjëruan me firmat e tyre ngritjen e paralajmëruar të komisionit hetimor parlamentar ndaj kryeministrit Fatos Nano në lidhje me trafikun e armëve, aksidentin e Shkallnuerit ku gjeti vdekjen një person, si dhe për fyerjen dhe poshtërimin që ai i bëri ditës së zisë kombëtare në 15 tetor. Janë plot 35 firma, numër i mjaftueshëm, në bazë të Kushtetutës, për të garantuar ngritjen e këtij komisioni.


Komisioni hetimor parlamentar do të ketë si qëllim hetimin e akuzave publike të bëra ndaj kryeministrit Fatos Nano"për përfshirjen e tij në trafik armësh, aksidentin rrugor me pasojë vdekjen e një shtetasi dhe veprime në fyerje të zizë kombëtare".


Opozita parashikon që komisioni hetimor do të përbëhet nga 13 deputetë, 7 të mazhorancës dhe 6 përfaqësues të opozitës parlamentare. Kryetari i komisionit zgjidhet nga përfaqësuesit e opozitës parlamentare. Në bazë të rregullores së Kuvendit, komisioni ushtron veprimtarinë e tij për 30 ditë nga data e miratimit të përbërjes së tij në Kuvend.

TEKSTI I KËRKESËS SË DEPUTETËVE TË PD:


"...Ditët e fundit, mbarë shoqëria shqiptare është njohur me disa fakte tronditëse të veprimtarisë së kryeministrit Fatos Nano në përfshirjen e tij në disa afera trafikimi, si dhe përgjegjësinë e tij në një aksident rrugor në Shkallnuer të Durrësit me pasojë vdekjen e një shtetasi të denoncuar më parë publikisht nga politikanët shqiptarë dhe media.


Situata e krijuar kërkon domosdoshmërisht futjen e institucionit më të lartë në Shqipëri, Kuvendit të Shqipërisë, në kërkim për zbardhjen e së vërtetës ndërmjet instrumentit të hetimit parlamentar.


Të qëndrosh indiferent ndaj tyre në këto momente mund dhe duhet të quhet tradhti kombëtare, do të thotë shpërdorim në ekstrem i besimit publik të të qeverisurve për të siguruar një qeverisje më të mirë. Pikërisht Kuvendi si agregat i vlerave dhe përmbledhëse e interesave të shoqërisë nuk mund të qëndrojë indiferent përpara fakteve të tilla.


Komisioni hetimor duhet të hetojë dhe të nxjerrë konkluzione:
I. Për akuzat publike të bëra në drejtim të kryeministrit për përfshirjen e tij në organizim dhe drejtim trafiku armësh, pas një dokumenti të paraqitur në seancën plenare të datës 8.11.2004.


II. Komisioni do të nxjerrë konkluzione edhe për hetimin e ngjarjes dhe nxjerrjen e përgjegjësive konkrete për kryeministrin në aksidentin rrugor të datës 2.2.2001, në Shkallnuer me pasojë vdekjen e shtetasit Petrit Ismaili dhe nxjerrjen e përgjegjësive për fshehjen dhe mbulimin e këtij aksidenti nga institucionet shtetërore.


III. Komisioni duhet të vërtetojë gjithashtu edhe vërtetësinë e veprimeve të kryeministrit në fyerje dhe poshtërim të ditës së zisë kombëtare 15 tetor 2004


Firmosur nga deputetët:

1.B.Londo
2.U.Metko
3.A.Starova
4.F.Mediu
5.T.Laço
6.L.Malltezi
7.A.Garuli
8.P.Dajçi
9.B.Topi
10.R.Bode
11.E.Paloka
12.V.Minarolli
13.F.Hoti
14.Xh.Bzheta
15.P.Arbnori
16.M.Pronjari
17.Z.Gjoka
18.A.Haklaj
19.A.Bushati
20.I.Bano
21.Sh.Memia
22.M.Ukperaj
23.B.Mustafaj

24.S.Berisha

25.V.Palaj
26.G.Hoxha
27.D. Qesja
28.N.Babasi
29.P.Zogaj
30.N.Ndoka
31.S.Curri
32.I.Berzani
33.J.Ndoka
34.L.Karamelo
35.N.Lesi


Shekulli

Wednesday, June 9, 2010

Basesku: Arumunët, minoritet kombëtar. Kosovën s'e njohim

Gjatë një vizite në Shqipëri, Presidenti i Rumanisë, Trajan Basesku tha se minoritetit arumun duhet ti jepet statusi i një minoriteti kombëtar.

"Ata janë shtetas të besuar të shtetit shqiptar të cilët kanë treguar se e meritojnë këtë vlerësim", tha Basesku gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me Presidentin Bamir Topi.



Presidenti rumun ka përsëritur qëndrimin e shtetit të tij se nuk do të njohë pavarësinë e Kosovës dhe kjo jo se Rumania nuk respekton kosovarët, por nga respekti për të drejtën ndërkombëtare.


Me ftesë të Presidentit Bamir Topi vizitoi sot Shqiperinë Presidenti i Rumanisë, Trajan Basesku. Presidenti dhe delegacioni zyrtar që e shoqëron u priten me një ceremoni solemne në Pallatin e Brigadave nga Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi. Gjithashtu u nënshkrua "Memorandumi i Mirëkuptimit në fushën e Komunikacionit dhe Informacionit të Teknologjisë", si dhe "Protokolli i Bashkëpunimit midis Porteve".

Gjatë qëndrimit të tij në Shqipëri, Presidenti rumun do të takohet dhe me Kryetarin e Këshillit të Ministrave të Shqipërisë, Sali Berisha dhe Kryetaren e Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli. Në tjetër takim, ai me komunitetin arumun që jeton në vendin tonë, do të përmbyllë vizitën zyrtare njëditore të Presidenti rumun Basesku në Shqipëri.

Shekulli

Qofshin edhe shqiptarë ... (?!)

Nuk e prisja të mos e gjeja biçikletën, që e le përjashta vendit të punës. Si çdo ditë edhe sot e kisha lënë tek vendi i parkimit ku ka edhe një zonë për motoçikletat dhe biçikletat. Të gjithë i lënë të hapura, madje edhe makinat, e unë nuk kisha si të bëja ndryshe.

I mërzitur shumë u nisa ta bej rrugën e kthimit në këmbë, por vetëm sa pata bërë disa hapa kur miku im Xhovani nga Firenzuola ndaloi dhe mu lut që të hipja në makinën e tij, i gatshëm për të më shoqëruar deri në shtëpi.

Pas sqarimeve për fatkeqësinë time, Xhovani me rekomandon: - Përse nuk paraqitesh në rajonin e policisë për të bërë një denoncim? - Ke të drejtë - e miratova për këshillën, mund të më ndalosh për të zbritur atje, tek rajoni i policisë.

U ndava nga Xhovani dhe u drejtova në zyrën e policisë. Derën ma hapi një polic që me mjaft mirësjellje më kërkoi të dinte se si mund të ishte i dobishëm për mua. I shpjegova se doja të bëja një denoncim, e pas këtij shpjegimi polici mu lut ta ndiqja për në zyrën tjetër. Aty fillova të shpjegoja gjithçka me detaje, ndërsa polici ç'dilte nga goja ime e fuste në një kompjuter.

Por erdhi një moment që ai ndaloi dhe se ç'po jepte e merrte në tastierën dixhitale pa kërkuar vazhdimin e rrëfimit tim. - Ka një problem - tha dikur polici. Dhe më ftoi që të shikoja edhe vet në monitor. - Vëreje, - më thotë ai. Pasi unë e kam shkruar mirë e bukur denoncimin tuaj dhe kërkoj ta fus në data-bazë... shiko... shiko ç'më thotë kompjuteri:

"Kujdes! Viktima dhe hajduti nuk mund të jenë njëkohësisht shqiptarë!!!
Error Nr 5684"


Tentoi dhjetëra herë shefi të arkivonte denoncimin tim, por rezultoi e pamundur. - Po nuk u ndryshuan programet informatike të kompjuterëve, denoncime të tilla është e vështirë të arkivohen.

Dhe a e di pse?

Se ç'është kapur një ministri juaj me një makinë të pa dokumentuar mirë... - nuk përmendi fjalën "të vjedhur" shefi për delikatesë, - dhe që atëherë ... Ndoshta kur të jenë liberalizuar vizat edhe për ju shqiptarët, atëherë ne do të na pajisin me programe të reja kompjuterike - tundi kokën në mënyrë pohuese.
U ndava nga nëpunësi duke vlerësuar sugjerimin e tij, se ishte e kotë të merresha me denoncimin.

Më mirë të interesohesha për ndonjë punë më afër shtëpisë, kështu që para se të mbërrija në shtëpi mora nja dy-tre gazeta nga ato që ofrojnë falas njoftime për apartamente, punë e një mijë gjëra të tjera të mira e të bukura.

Kishte dhjetëra e dhjetëra lajmërime e duke u delendisur nëpër to, njeri më detyroi ta bëj shuk edhe gazetën e ta flak tej: "Kërkojmë punëtore krahu për punët e ditës në bujqësi", ishte lajmërimi nervoz, - deri të moshës tridhjetë vjeç... Qofshin edhe shqiptarë..." (!!). E vazhdonin më poshtë numrat e telefonit e të faksit për të komunikuar... Kjo "qofshin dhe shqiptarë", ishte goditja e dytë e ditës.

Spikerja e televizionit vazhdonte emisionin e lajmeve duke ilustruar pamjet e disa vilave. Grabitës dhe banditë kishin sulmuar e plaçkitur... "Por kësaj radhe hajdutët nuk ishin shqiptarë , - e përfundoi këtë koment spikerja bukuroshe.

- Hapu dhe të futemi! - ulërita përbrenda. Pastaj ulërita me të vërtetë: - Po nuk ka kanale të tjera, ky televizori ynë...?

Gruaja me shumë kujdes gjeti një nga kanalet e mëmëdheut. Del një grup politikanësh shqiptarë që ishin gati duke u kacafytur për "heqjen e vizave". Çelësin e tundte përpjetë vetë "i pari" i tyre: - Doni apo nuk doni ju të opozitës, brenda këtij viti të tërë ballkanasit do të lëvizin pa viza nëpër Europë. Qofshin edhe shqiptarë ...(?!)

Maringlen Çano, G. Shekulli

"Droga s'më la të jem nënë e mirë, vajza më kritikon"

Në intervistën për "Shekullin", 27-vjeçarja rrëfen jetën e saj si përdoruese droge prej 10 vitesh. Vajza 5-vjeçare i di të gjitha.


Nuk gjen forcë për të mposhtur pendimin për atë që ka bërë kur ishte shumë e re. Tashmë ndihet akoma më fëmijë se vajza e saj 5-vjeçare, për të cilën thekson se është i vetmi motiv që ende jeton. B. D., është 27 vjeçe dhe prej 10-vitesh është përdoruese heroine.


Ajo tregon për gazetën "Shekulli" historinë se si përfundoi në botën e drogës, momentet e vështira kur u bë nënë, edhe pse ishte përdoruese droge, përballja me familjarët e saj dhe problemet që ka pasur me policinë, duke mos i kursyer goditjet edhe kur ishte shtatzënë.

Sa vjeçe jeni?

Jam 27 vjeçe.

Mbani mend si e keni filluar drogën për herë të parë?

Po mbaj mend diçka. Në fakt e mbaj mend këtë situatë pothuajse të gjithën, pasi nuk do më hiqet kurrë nga mendja.

Si ndodhi?

Jetoja afër "Shkollës së Bashkuar". Isha vetëm 17 vjeçe dhe u lidha me një djalë që ishte 2 vjet më i madh se unë. Unë e kisha pikë të dobët atë djalë dhe kur e kuptova që ishte përdorues ishte shumë vonë...

Më thoni ju si e filluat, a ndikoi i dashuri juaj që të filloni drogën?

Jo, ai nuk ka dashur kurrë që unë të bëhesha përdoruese. Unë u shtyva nga kurioziteti dhe ia dhashë lekët shokut të tij që të ma siguronte. Kjo gjë ndodhi me foli (varak) që herën e parë.

Po më pas, çfarë ndodhi?

Fillova të bëhesha më keq, pasi u bëra vartëse.

Ku i gjenit lekët për të siguruar heroinën?

Në fillim mi jepnin ata atë të shtëpisë, pasi nuk e dinin se isha përdoruese dhe më besonin. Iu thosha se më duhet të shkoj në ndonjë ditëlindje apo në aktivitet me shokët dhe më jepnin lekë. Kështu bëja disi, pasi heroina, kur e kam filluar unë, nuk ka qenë kaq shtrenjtë.

Më pas prindërit e kuptuan se isha përdoruese dhe reaguan shumë keq. Lek as nuk bëhej fjalë të më jepnin. U lënduan shumë kur e zbuluan këtë fatkeqësi.

Po kur mbetet shtatzënë, sa vjeç ishe dhe a vazhdoje të përdorje drogë?

Isha 22 vjeçe dhe sigurisht që vazhdoja të isha përdoruese.

Po babi i fëmijës ishte përdorues?

Jo, ai nuk ishte. U mundua shumë të më hiqte nga ajo rrugë, por për fatin tim të keq nuk ia doli. Kjo më kushtoi shumë, pasi u ndava nga bashkëshorti dhe vajzën e mora në shtëpinë time. U mundua të më rikthente në shtëpi, por unë e dija se do të vuante edhe ai për këtë shkak, ndaj vendosa të mos kthehem.

Fakti që je përdoruese droge prej 10-vitesh, ka pasur probleme me drejtësinë?

Shumë probleme. Duke ditur se jam përdoruese droge më kanë kapur disa herë pa asnjë arsye. Madje, edhe më kanë ofenduar dhe më kanë keqtrajtuar. Momentin më të vështirë e kam pasur kur isha shtatzënë 4-muajsh dhe më mbajtën në rajon rreth 12 orë pa asnjë arsye.

Thatë se keni një vajzë 5-vjeçare, e keni vështirë për ta rritur dhe edukuar atë?

Në fakt, e kanë rritur më shumë prindërit e mi. Ju nuk e besoni, por ajo mund të jetë më e rritur se unë, pasi është shumë e zgjuar. I dëgjon të gjitha debatet në shtëpi dhe përveç qortimeve që më bëjnë prindërit, mundohet edhe ajo të më kritikojë për vesin që kam. I di të gjitha për drogën, metadonin, trajtimin.

Më pyet shpesh se ku do të shkoj dhe nëse jam e rregullt në trajtimin me metadon. Më vjen keq që nuk mund të jem një nënë më e mirë për të, por gjithsesi ende do mundohem.

Si do mundoheni?

Të lë drogën, tani që jam në metadon. Do ta bëj së pari për vajzën time. Shpresoj që do t'ia dal, sepse e kam motiv të fortë fëmijën tim për ta lënë.

Jeni penduar që keni përfunduar kështu?

Jam penduar shumë dhe nuk gjej dot forcë për të mposhtur këtë pendim. Droga më ka shkatërruar dhe i vetmi motiv që jetoj tashmë është fëmija im. Nëse nuk do të isha bërë përdoruese droge, tashmë do të kisha mbaruar shkollën e lartë, sepse kam qenë nxënëse shumë e mirë dhe do të kisha një punë të mirë, ku të mundesha të rrisja vajzën time si gjithë të tjerët me nder dhe përkushtim.

Psikologia e Qendrës Aksion Plus, Ngjelina, shpjegon se prindërit duhet të tregojnë kujdes me adoleshentët


Psikologia:

Vajza 5-vjeçare, motivi kryesor që pacientja të lërë drogën



Prindërit duhet t'u rrinë sa më afër fëmijëve adoleshentë, në të kundërt mund të përfundojnë në rrugë të gabuara që mund t'u kushtojë gjithë jetën. Kështu shprehet psikolgia pranë Qendrës Aksion Plus, Enkelejda Ngjelina, e cila punon me përdoruesit e drogës prej 7-vitesh.


Ndërkohë, ajo shpjegon edhe rastin e 27-vjeçares B.D., sipas të cilës historia e saj ka nisur që në moshën 17-vjeçare. Ka qenë e lidhur me një djalë përdorues heroine. Sipas psikologes, është nga të vetmet raste, ku pacientja nuk ka filluar me hashash, por ka kaluar direkt në heroinë.


"Ky rast vjen nga një familje normale dhe me një ekonomi familjare normale, pasi prindërit e saj gëzojnë një biznes, por pasojat e sjelljes antisociale që pëson vajza vjen edhe si moskontroll i prindërve apo interesimi të tyre karshi vajzës, duke qenë se mosha e adoleshencës është një moshë shumë e vështirë dhe mosinteresimi i të afërmve e dërgon atë drejt heroinës", pohon psikologia Ngjelina, duke shtuar se edhe jeta e saj me një përdorues intravenozë ka bërë që ajo të shkojë drejt kësaj rruge.


Ndërkohë, ajo thekson se duke mos pasur informacionin e mjaftueshëm, si në shkollë si në familje, apo nga grupi shoqëror, të gjitha këto bënë që në fillim vajza të nisë heroinën dhe më pas të lindë edhe një fëmijë, ndërsa ajo ishte përdoruese droge dhe e papërgjegjshme për veprimet e saj. "Sigurisht që është me e vështirë të punosh me prindër përdorues droge.


Kjo edhe për arsye se një person që merr drogë apo është në terapinë e metadonit duhet të ketë një motiv shumë të fortë për ta lënë drogën, pasi duhet të jetë i përqendruar. Rasti në fjalë ka një motiv më të fortë për të hyrë në terapi, pasi fëmija i saj është motivi kryesor për ta lënë drogën.


Duhet të dini se personi kur merr terapinë nuk duhet të marrë droga të tjera. Rasti në fjalë është hera e dytë që futet në metadon", pohon psikologia, duke shtuar se vajzën kanë filluar ta aktivizojnë edhe me punë, për ta bërë që të ndihet më e vlerësuar dhe e motivuar për të hequr dorë nga përdorimi i drogës.


Eglantina Bardhi, G. Shekulli

Skandal në Slloveni, u refuzua nga mjekët, vdes shqiptari

Në Slloveni po vazhdojnë debatet lidhur me vdekjen e Ferid Saitit nga rajoni i Tetovës, i cili ishte refuzuar nga mjekët për kontroll mjekësor në Lubjanë, për shkak të mungesës së sigurimit shëndetësor.

Bukëpjekësi 48 vjeçar nga rajoni i Tetovës ndërroi jetë të shtunën, dy orë pasi që nuk ishte pranuar nga Spitali i Lubjanës, për shkak se nuk kishte 20 euro për kryerjen e kontrollit mjekësor.

Ministri i Shëndetësisë, Andrej Marushiç ka shprehur keqardhje për rastin, duke urdhëruar kontroll të detajuar të procedurave mjekësore lidhur me pacientin e vdekur nga Maqedonia.

Ai ka nënvizuar se doktorët fillimisht duhet të kontrollonin pacientin dhe më pas ti bënin me dije për pagesën. "Institucionet shëndetësore duhet të veprojnë në atë mënyrë që fillimisht të kontrollojnë pacientin dhe më pas të ballafaqohen dhe të kujdesen për pagesën.

Se a bëhet fjalë për raste emergjente, për këtë vendos mjeku dhe jo pacienti", ka theksuar ministri Marushiç, i cili ka nënvizuar se do të pres të gjitha rezultatet e hetimit, para se të ndërmarrë masa konkrete.

Policia sllovene po heton se a ka hapësirë për ngritjen e kallëzimeve penale për mjekët, inspektoratin e punës, për shkak se kjo e fundit duhet të mbante llogari për funksionimin e furrës së bukës, ku punonte bukëpjekësi i ndjerë.

Ky rast ka tronditur opinionin slloven, i cili edhe përkundër faktit se bëhet fjalë për shtetas të huaj, janë ngritur masat kritike kundër institucioneve dhe përkujdesjes së tyre.


Bota Sot Online

Monday, June 7, 2010

Ali Pashë Tepelena,thyhet heshtja e gjatë e një thesari mister. Hapet ne Greqi arkivi sekret

Ka mbi dy muaj, që shtypi grek është duke shkruar për një eveniment të rëndësishëm, intrigues, me interes të veçantë historik dhe shkencor.... Nxirren dhe shfletohen papritur nga Arkivat Greke, zënë të belbëzojë, si e dalë nga një përgjumje e gjatë, kujtesa e një shekulli të shkuar, e pse jo një epokë e tërë historike, e dy popujve; shqiptar dhe grek.

Dokumentet e panjohura rikthejnë për t’u diskutuar, debatuar, rishqyrtuar dhe rivlerësuar një kohë jo fort e largët, ngjarje të panjohura, të pandriçuara plotësisht, një personalitet të veçantë.....


Për herë të parë, mbas 200 vjetësh; dalin nga një errësirë e gjatë e kyçjes arkivore .... për herë të parë fillojnë rrëfimin pas një heshtje të urdhëruar .... për herë të parë thyejnë shurdhërinë e dhimbshme dhe sjellin përmes memories së kartës së shkruar njoftime të mahnitshme, thesare dhe relike me vlera më të mëdha se çdo lloj relike tjetër historike.

Janë katër vëllime, ku janë sistemuar materialet e arkivit të Ali Pashës. Një punë e vëmendëshme e punonjësve të arkivave greke. Rreth 2 000 dokumente të Shtetit të Ali Pashës, që bëjnë fjalë për pashallëkun dhe vetë tepelenasin. Brenda tyre gëlojnë ngjarje, biseda, ndeshje, përgjakje, flasin zëra të njohur e të panjohur, shqiptarë dhe të huaj, duke na rrëfyer shumë të panjohura ne, banorëve të sotëm por edhe atyre që do të vijnë nesër. Në radhën e dokumenteve të zverdhura nga dekadat e shekujt shpalosen dëshmi befasuese, personazhe emblematikë, të njohur por edhe të panjohur, ngjarje rrënqethëse, kurthe dhe prapaskena, konspiracione dhe komplote të kurdisura me dinakëri, dëshmi të të penduarve, pohime, njerëz që kërkojnë mëshirë, amanete, konfirmime, mosbindje dhe kundërshti.

Dokumente ku dëgjohen zërat e shqiptarëve të kohës
Të gjithë ata që shkruan për Ali Pashën qenë kryesisht të huaj. Profesionistë dhe amatorë, udhëtarë e aventurierë, spiunë e diplomatë, ushtarakë e tregëtarë, mjekë dhe misionarë. Ai ishte bërë një figurë intriguese, e çuditshme, për rrjedhim atraktive për Europën dhe europianët e kohës. Ishin pikërisht këta që shkruan e lanë gjurmë pa fund për tepelenasin sepse në radhët e dy popujve: shqiptar e atij grek ende nuk ishin mëkëmbur intelektualët dhe shkrimtarët e parë.
Liku, Hollandi, Manzur Efendiu, Hobhausi, Bajroni, Pukëvili shkruan dhe përcollën impresionet e tyre përzier me interesa të caktuara të vendeve prej nga vinin, parë nën moralin, zakonet, traditat dhe ndjesitë e popujve nga vinin. Këtë bënë më pas edhe Boppi, Aravantinoi, Zotou, Baggally, Plomar, Fleming, Bartoldi, të cilët u mbështetën tek të parët.
E thënë më thjesht, gjer dekadat e fundit, për këtë figurë kemi dëgjuar të huaj, zërat e tyre, gjykimet e tyre, mbështetur mbi ndjeshmëritë dhe interesat e tyre.


Por, cilat kanë qënë mendimet, sentimentet dhe opinionet e vetë shqiptarëve të kohës për njeriun e racës së tyre, Ali Pashën? Çfarë mendonin, çfarë bisedonin, si reagonin, sa e donin, sa e urrenin dhe si e vlerësonin ata njeriun që i sundonte, që i drejtonte, që i urdhëronte, komandonte, që i ndëshkonte dhe që i udhëhiqte ata?

Pikërisht, ky fond i pafund i mendimit shqiptar me vlera të pazëvendësueshme, që ka munguar pothuaj tërësisht, na vjen nga këto dokumente të rralla për herë të parë. E tërë kjo pasuri e zërave dhe mendimit shqiptar na ofron një pamje të panjohur më parë, një profil krejt të veçantë për Ali Pashën. Dhe pa asnjë mëdyshje, vlerësimi për tepelesin do të mbetej i mangët, i varfër, i paplotë dhe i pasaktë nëse do të mungonin këto zëra të gjakut dhe të racës së tij…...

Rreth 2000 dokumente...qindra emra të njohur e të panjohur
Nga ky fond vijnë zëra të pafund shqiptarësh që komunikojnë me zotin e tyre, Ali Pashën, që këmbejnë mendime me njëri tjetrin për Aliun. Ata janë të njohur e të panjohur; komandantë të ashpër ushtarakë -Ago Vasjari, Mantho Ikonomi, Zylyftar Poda, Meço Bono, Hasan Çapari, Elmaz Meçe, Isuf Arapi, Marko Boçari; njerëz të policisë dhe gardës së tij - Thanas Vaja, Tahir Abazi; kundërshtarë të tij – Kokat, Kiço dhe Foto Xhavella, Demir Dosti, Ibrahim Pasha, Mustafa Pasha, Pashobeu, plaku Pronio; intelektualë, poetë, arkitektë, mjekë dhe mentorë të tillë si, Petro Korçari, Haxhi Shehreti, Joani Koleti, Vaja e qindra të tjerë, njerëz të thjeshtë ,miq familjarë si Demajt, Sejkot, S. Lazarati, S. Konica, Kashishti, Tusha Zerva, Dyrmyshi, Pallaska, Kollovo, Pronio, e qindra të tjerë banorë anonimë që kërkojnë ndihmën dhe mbështetjen e tij për hallet ekonomike, që i qajnë hallet kurbetlliut, të tjerë që kërkojnë falje për të dënuarit, aleatë që shprehin adhurimin, gatishmërinë për t’i shërbyer, hanëme të haremit të tij, etj

Njeriu që krijoi arkivin e shtetit të tij
Për të treguar hapur se ai po shkëputej edhe intelektualisht dhe formalisht prej administratës osmane, Pashai urdhëroi dhe futi në përdorim për kancelarinë e tij, si gjuhë të shkruar zyrtare - greqishten, duke hequr osmanishten si gjuhë e detyrueshme për tërë administratën e Perandorisë Osmane, pjesë e të cilës ishte Janina. (Shqipja më 1787 ende nuk shkruhej-I.K.)
Përpos këtij akti, është meritë e padiskutueshme e këtij njeriu urdhri për të mbledhur dhe ruajtur tërë këto karta të shkruara, duke formuar kështu një fond ta paçmuar vlerash dokumentare, historike e shtetërore.
Bashkë me kujdesin për ruajtjen dhe administrimin e tyre, Aliu bëhet kështu shqiptari i parë që krijoi një kancelari dhe fond dokumentar shtetëror, të parin në historinë e dokumentacionit shqiptar.
Natyrisht, ai nuk ruhet i gjithi. Vrasja e Pashait dhe barbaria e lukunisë osmane u derdhën mbi të dhe vlerat që ai kish krijuar duke shkatërruar, djegur dhe dëmtuar akte dhe dokumente të tjera pa mëshirë.
Megjithatë, nëse deri tani, në studimet për Pashain dhe historinë e viseve tona, për këtë hark kohor, studiuesit janë mbështetur dhe u janë referuar arkivave të huaja, tani e tutje të gjithë do të duhet t’i referohen Arkivit të Shtetit të Ali Pashës, si një burim krejt i veçantë dhe i pazëvendësueshëm me askënd tjetër.
Por, bashkë me krijimin e ketij fondi dokumentesh dhe të kancelarisë për administrimin dhe ruajtjen e tyre, Ali Pasha na zbulon në mënyrë të pakundërshtueshme edhe një element tjetër domethënës të synimeve dhe prirjeve që ai kish, tendencat e tij shtet-formuese.

Letra, qarkore, informacione, ankesa nga populli, raporte spiunësh...

Po çfarë ka brenda këtij fondi kaq të madh arkivor?

Një numër i pafund aktesh zyrtare, - “Urdhëra” për vartës dhe komandantë garnizonesh në reparte të afërt e të largët; - “Qarkore” drejtuar pashallarëve, çuhedarëve, spahinjve, taksambedhësve, kapoçuhedarëve; - “Raportime” të vartësve që njoftojnë për gjendjen ushtarake, kërcënime të mundshme, situatën e luftimeve përballë francezve, suliotëve, pashallarëve fqinjë; - “Korrespondencë diplomatike” sekrete dhe e hapur me fuqitë perëndimore, me anglezët, francezët, Austro-Hungarinë, me rusët, etj;
“Marrëveshje Paqeje dhe Bashkëpunimi” mes Ali Pashës dhe përfaqësuesve, krerëve dhe tribunëve të njohur të krahinave të ndryshme të pashallëkut; “Ankesa” nga populli, nga gra, nga fëmijë të mbetur jetimë që kërkojnë ndihmë dhe mbrojtjen e Pashait; - “Ankesa” të njerëzve të keqtrajtuar nga shpërdorimi i pushtetit të nëpunësve të administratës dhe pushtetarëve të pashallëkut; - “Inventare” të shpenzimeve ekonomike vjetore, të banketeve të shtruara për miq dhe të huaj; - “Garderobë” me veshje grash, të porositura në perëndim për ceremoni dhe promovime të ndryshme; - “Lista me emra” tradhëtarësh që janë vënë në shërbim të të huajve, që bashkëpunojnë me ta me synim përmbysjen e Pashait; - “Plane konspirativë” dhe korrespondencë për komunikime mes antarëve të komploteve të rëna në duart e Pashait; - “Informacione periodike mujore dhe javore” nga misionarë dhe të dërguar permanentë të Pashait në Stamboll, Vjenë, Venecia, Tilsit, e gjetkë; - “Informacione nga agjentë anonimë”, të cilët nuk duan të identifikohen, por që janë të njohur për Pashain; - “Letra të koduara” - kriptografi për informacione të rëndësishëm dhe konfidenciale për Aliun; - “Kode shifrorë” për të maskuar korrespondencën edhe në rast se ajo do të binte në duart e kundërshtarëve; - “Kopjura gazetash” nga shtypi i huaj italian, britanik, francez, turk përmes të cilave mësohet se cili është reagimi i europianëve për Pashain dhe Pashallëkun; - “Letra të ndaluara” nga policia dhe të censuruara; - “Letra intime, konfidenciale” të diplomatëve të huaj që i rrëfejnë Pashait për kundërshtarët e tyre europianë, intrigat dhe synimet e tyre; - “Letra falenderimi” nga vizitorë të huaj në pashallëk; - “Procesverbale” të mbledhjes së taksave dhe detyrimeve të tjera fiskale; - “Raportime” për veprimtarinë e të huajve në territoret e pashallëkut; “Ftesa” dhe përgatitje për dasma familjare të nipërve dhe miqve; “Lajme” të hidhura për vrasjen e bashkëluftëtarëve të tij të vjetër, për revanshin e Perandorisë Osmane kundër tij, etj.


“Gjeografia” e dokumentacionit

Nga e gjithë kjo mori e pafund dokumentacioni bëhet e qartë se Pashai tepelenas ishte njeri që kapërceu, së pari me mendjen, vullnetin, dinakërinë, aftësitë dhe guximin e tij, kufijtë e provincializmit dhe mandej të vetë provinces gjeografike ku ai jetonte. Me kurajën e një misionari të vërtetë zgjeroi dimensionet e shtetit të tij, marrëdhëniet diplomatike, kontaktet politike, zhvilloi dhe ndërtoi raporte me aleatë europianë, pashallarë fqinjë, të afërt dhe të largët, duke i dhënë atij dimensionet e shtetit më të madh e të fuqishëm në hapësirat ballkanike. Ai krijoi miqësi me dibranë dhe matjanë, lebër e skraparllinj, mirditorë, kolonjarë e korçarë, thesalë e nisiotë, akarnanë e artiotë, prevezianë e çamë, delvinjotë, e vlonjatë.
Në radhët e dokumenteve gjenden letra që i shkruajnë banorë nga tërë trevat shqiptare, qytetarë e fshatarë, të pasur e të varfër, nga Shishtaveci i Kukësit e gjer nga Manastiri apo Vithkuqi, nga Plasa, Devolli dhe gjer nga Elbasani, Berati, Lushnja, Peqini, Kavaja, Patra, Nafplio, Korfuzi, etj.

Vendi i Aliut në arkiv

Një pjesë të mirë të dokumentacionit të këtij Arkivi, e zënë letrat që i dërgohen Vezirit. Përmes tyre, ndjehet kudo autoriteti, autoritarizmi, popullariteti, adhurimi, por dallohen edhe tiparet e pushtetit monarkik mesjetar.
Gjatë tetëdhjetë viteve të jetës së tij, ai krijoi shumë njohje personale, miqësi, aleatë dhe bashkë me ta, natyrisht edhe kundërshtarë dhe armiq. Ai krijoi një rreth të madh mbështetësish, admiruesish, adhuruesish. Nga viti në vit ai ngriti emrin e tij, besimin, bindjen, frikën dhe së fundi mitin e tij, deri tek fshatari i humbur anonim rrëzë Pindeve, Gramozit apo në Tomorrin dhe Vërçën e largët.
Me një besim hipnotik, njerëzit shikonin tek ai monarkun dhe magjistarin, despotin dhe ëngjëllorin, përkëdheljen dhe kërcënimin, besimin e palëkundur se vetëm ai mund të kthente parajsën tek ata dhe ferrin tek të pabindurit apo ata që thurnin kurthe pas shpinës së tij.
Pa mëdyshje, Aliu zë vendin qëndror në radhën e tërë dokumenteve! Atij i drejtohen, atij i ankohen, atij i kërkojnë ndihmë, atij i luten, atij i betohen, atij i fallen, gati, gati si përpara një vendi të shenjtë apo një ikone të çmuar.

Personazhet e korrespodencës arkivore

Duke e filluar jetën dhe karrierën nga katakombet e errëta të sakrificës, nga sfidat dhe kërcënimet e inekzistencës dhe gjer në apoteozat e hegjemonit, ai mundi të njohë një numër të pafund krijesash të shoqërisë së kohës. Hajdutë dhe banditë, xhelatë dhe jeniçerë, satrapë e hallexhinj, të gjithë ata i shkruajnë dhe komunikojnë përmes rreshtave të këtij arkivi. Me një memorie brilante, Ali Pasha mbante mend emrat e tyre, të prindërve, u kujton ngjarje të së kaluarës dhe u servir oferta apo kërcënime. Komunikon me komandantë të njohur dhe me emër, luftëtarë të vjetër, mbushur plagë e mbetur sakatë, hallexhinj e qyqarë.
Mes dokumenteve gjenden faksimile të komunikimeve me të huaj: fisnikë, ushtarakë dhe diplomatë rusë; tregëtarë, diplomatë, poetë, mjekë dhe instrumentistë anglezë; marinarë, udhëtarë, konsuj, aventurierë francezë; suedezë, danezë, milanezë, napolitanë, bavarezë, lombardë, maltezë, etj.
Megjithatë, po të vështrohet me kujdes moria e pafund e informacionit ndjehet tendenca e tij e fortë dhe do të thoshim pa mëdyshje, e pamposhtur, e lakmueshme , për të krijuar një shtet.

Të panjohurat tronditëse për fundin e jetës së Ali Pashës
Me shumë interes janë dokumentet e ditëve të fundit të jetës së Ali Pashës. Në radhët e tyre gjenden urdhëra për mobilizime, porosi me karakter ushtarak, informacione për lëvizje trupash dhe kontrolle pikash të rëndësishme me karakter strategjik.
Mes tyre gjenden informacione që bëjnë fjalë për afrimin e trupave të dërguara nga Porta e Lartë, kunder Aliut, “…flotilje osmane në brigjet e Semanit dhe të Nafplios…”, “…formacione dhe reparte të paidentifikuar që aviten nga lindja e Pashallëkut…. “, “….provokatorë që po shpërndajnë panik ...”,
“.... tension dhe gjendje pasigurie në Berat, në Elbasan, në Trikalla e gjetkë….”. “….Në Vlorë kundërshtarët mobilizohen dhe marrin qytetin,…”, “….. tension në burgje dhe rebelim të burgosurish….”, “….kundërshtim nga fshatarë dhe provinca për t’u mobilizuar dhe shkuar në fronte luftrash…..”
Në rreshtat e këtyre dokumenteve ndihet klima që sa vjen e rëndohet, tensioni, pasiguria, frika, pesimizmi dhe një atmosferë e mbushur me emocione ku parandjehet një tragjedi e pritshme…..
Por, aty lexohet gjithashtu qëndresa e njerëzve të tij besnikë, që nuk u tërhoqën për asnjë çast gjer në orët e fundit të Pashait… Thanas Vaja, Tahir Abazi, Meço Bono, Zylyftar Poda, Ago Vasjari, etj.
* * *
Këto e shumë të tjera ngjarje të panjohura do t’i prezantojmë në shkrimet e ardhshme, ku do të flasim për evenimente të pazbuluara më parë, diplomaci sekrete e mbajtur në fshehtësi për arsye që do të bëhen tashmë të njohura, kurthe dhe komplote të padeklaruara, që i ka ditur vetëm Pashai dhe njerëzit e tij besnikë, marrëdhëniet brenda gjirit të familjes së monarkut, grindjet, konfliktet dhe mosmarrëveshjet, personazhe kalimtarë, por edhe të tjerë që janë të pranishëm nga fillimi dhe gjer në fund të jetës së Tepelenasit.

Le t’i hapim fletët e këtij dokumentacioni brilant ngadalë dhe të bëjmë të njohura opinionit shqiptar shumë të panjohura në shkrimet e ardhshme....



Dr. Irakli Koçollari

Burimi: http://shkupipress.posterous.com/ali-pashe-tepelenathyhet-heshtja-e-gjate-e-nj

Guida, ja çfarë ofron Durrësi

Qyteti bregdetar i Durrësit tashmë është në përgatitjet e tij të fundit për të pritur pushuesit e shumtë të sezonit turistik veror, si një qytet që ka ngarkesën më të madhe të turistëve.


Dielli, rëra janë ndër të parat "thirrje", por gjithsesi nuk mbeten më pas ushqimi i detit e më tej mundësia për të shijuar vende të ndryshme. Ashtu si çdo vit, nuk do të "zbarkohet" vetëm në zonën e Shkëmbit të Kavajës, por edhe në Currila, në plazhin e Shën Pjetrit e në zona të tjera, që ofrojnë më tepër kënaqësi të natyrës në këtë fillimsezoni.


Përgatitjet


Në prag të fillimit me kapacitet të plotë të sezonit turistik veror, ka nisur procesi i plugimit dhe dezinfektimit e rërës që pritet t'i mundësojë plazhit kushte maksimale pastërtie. Sipërfaqja e plazhit që i nënshtrohet këtij plugimi arrin në 10 ha. Kryebashkiaku i Durrësit, Vangjush Dako, thotë për "Shekulli"-n se në këtë fazë po punohet intensivisht në plazhin e Durrësit me qëllim që sezoni turistik të shkojë sa më mirë. Ai u shpreh se po punohet për t'i paraprirë të gjitha problemeve të mundshme. Mësohet se në këtë sezon pushuesit do të kenë mundësinë e një plazhi publik më tepër, duke e çuar në katër numrin e tyre: "Turizmi është një nga përparësitë e bashkisë. Po punojmë me intensitet për krijimin e kushteve sa më të mira për të gjithë turistët vendas dhe të huaj që do të vizitojnë Durrësin gjatë këtij sezoni",- u shpreh kryebashkiaku. Edhe këtë vit Durrësi pritet të shënojë një numër rekord pushuesish. Përveç turizmit të banjave diellore, Durrësi ofron turizmin kulturor për shkak të trashëgimisë historike dhe kulturore që ka ky qytet.


Turizmi i kroçierave

Këtë fillim muaji në Durrës ka nisur sezoni i turizmit të krocierave. Bashkë me përurimin zyrtar të stinës së nxehtë, qyteti bregdetar ka nisur të vizitohet nga turistë të shumtë evropianë, shumica e të cilëve skandinavë, gjermanë, anglezë dhe francezë. Vetëm gjatë një dite, në kalatën numër katër të Portit detar janë ankoruar njëherazi dy anije kroçiere të quajtura "Spirit of Oceans" dhe "Arion". Nga këto dy anije luksoze zbarkuan në Durrës për një vizitë 12-orëshe afro 500 turistë. Shumica e tyre u ndal në qytet dhe sitet e tij arkeologjike, por nga ana e këtyre turistëve nuk munguan as vizitat e shkurtra në Krujë dhe Tiranë. Që të dyja këto anije ishin duke ndjekur lundrimin nga ishujt e Kroacisë drejt arkipelagut grek. Durrësi është një ndalesë natyrale në Adriatik mes Kroacisë dhe Greqisë. Në krahasim me vitet e shkuara, gjatë këtij sezoni ka një dyfishim të turizmit të kroçierave në Durrës, aq sa për përballimin e situatës Autoriteti portual ka vënë në dispozicion kalatat perëndimore të tij. Ky numër do të ketë një rritje të pritshme progresive gjatë stinës së verës. Krahas tyre është i pranishëm edhe turizmi elitar me jahte.

Çmimet në restorante

Çmimet në plazhin e Durrësit variojnë. Gjithsesi këtë vit, të paktën për muajin maj dhe qershor, rezulton që të ketë një ulje të çmimeve krahasuar me një vit më parë për disa përbërës të kuzhinës bregdetare. Kështu një pjatë me merluc të freskët, barbun etj kushton 350 lekë krahasuar me 400 lekë që ishin vjet, teksa për kocën e levrekun qëndron i njëjti çmim. Një ulje jo e paktë vërehet edhe në çmimet e karkalecave të detit ku pjata shkon në 500 lekë. Zakonisht këto janë çmimet e lokaleve të zakonshme, por ka edhe lokale me prodhime deti ku mund të konsumosh peshk të freskët me çmime më të ulëta për shkak se pronarët kanë anije dhe e gjuajnë vetë peshkun duke siguruar edhe klientë më të shumtë. Durrësi ka dhe një potencial të madh të flotës së peshkimit që është një ndër furnizueset e tregut me peshk të freskët. Në bankinat e portit ndodhen rreth 140 peshkarexha, gjysma e të cilave kur është kohë e mirë dalin rregullisht për gjueti dhe nga kjo Durrësi është një ndër qytetet e privilegjuara për prodhime deti të freskëta, duke pasur si rezervë edhe prodhimet e lagunave dhe të rezervateve në bregdet që janë një furnizues i përditshëm, por me peshk më pak cilësor se peshku i thellësive. Në këtë treg gjithsecili mund të kënaqë shijet e veta me llojin dhe çmimin që dëshiron.


Kafenetë, larmia e çmimeve

Në plazh ka kafene që tregtojnë kafe nga 40 lekë. Por fare pranë këtij lokali gjen një tjetër me çmime 60-70 lekë apo 100-130 lekë. Kjo kategori çmimesh varion nga menaxhimi i pronarëve ose nga shërbimi i ofruar. Një shishe birrë varion nga 100 - 250 lekë, por edhe birrat normale që më parë kanë pasur çmime 100 lekë kanë pësuar një rritje prej 20 lekësh në shumë prej lokaleve. Po kështu edhe pijet e vendit: konjak, fërnet që më parë tregtoheshin me 50 lekë, tashmë kanë filluar të kenë një rritje nga 10-20 lekë, ndërkohë që pijet e tjetra variojnë sipas cilësisë por kryesisht kanë një çmim 200-250 lekë.


Paketat turistike ditore

Në Këshillin e Qarkut të Durrësit është programuar një paketë turistike ditore në të cilën nëpërmjet agjencive dhe operatorëve turistike një vizitori do t'i mundësohet një vizitë në të gjithë qarkun duke filluar nga qyteti i Durrësit në atë të Krujës dhe në zonën më veriore të komunës së Ishmit në të cilën ndodhet edhe kepi i Rodonit me vlera të mëdha natyrore historike. Për këtë, sipas kryetarit të këshillit të qarkut, Seit Kërtusha, po punohet për zhvillimin e një konference rajonale për çështjet e turizmit, me qëllim që të kemi një kohezion dhe një bashkëpunim midis komunave dhe bashkive, që ofrojnë shërbime turistike. Synimi është përgatitja e paketave turistike ditore dhe javore me operatorë turistikë me qëllim që turisti që mbërrin në Durrës, të shkojë edhe në Krujë të shikojë edhe turizmin balnear, arkeologjik dhe historik, me qëllim që vitin tjetër të kthehet sërish për pushime. Gjithashtu, Kërtusha u shpreh se përqendrimi i forcave për të mbajtur sa më pastër bregdetin në të gjithë linjën gjatësore të tij prej 62 kilometrash do të bëjë që edhe plazhet e rralla me një natyrë të egër, por edhe mjaft të bukur të zonës së Durrësit, të bëhen më shumë të frekuentuara sesa tani. Zona e thellë e Ishmit afron edhe një lloj turizmi të kërkuar nga shtetet evropiane: agroturizmin dhe prodhimet bujqësore bio.


Gjuetia në zonën e Currilave

Një ndër zonat më pak të frekuentuara, por që fsheh vlera të mëdha për banorët dhe turistët është edhe plazhi i Currilave. Ai ka vlera jo thjesht për pastërtinë e ujërave dhe funddetin e mbushur me përthyerje relieve, si dhe mure antike brenda basenit të gjirit ku po ngrihet një port jahtesh, por edhe për gjuetinë me mjete të thjeshta që mund të bëhet, kryesisht për oktapode, si dhe peshq të llojeve të ndryshëm që preferojnë guvat e shumta të gurëve të nënujshëm. Por krahas peshkimit të thjeshtë turistik, Currilat të ofrojnë edhe një reliev arkeologjik të rrallë. Pikërisht këtu kanë filluar për herë të parë në vendin tonë kërkimet nënujore arkeologjike, 143 vjet më parë, nga arkeologu Leon Hezej. Këtu në afërsi cekëtira e njohur edhe si cekëtira e Talbotit është realisht një muze i vërtetë nënujor ku janë zbuluar objekte të rralla të cilat kanë qenë transportuar edhe nga anijet e mbytura në lashtësi.


Transporti në qytet dhe në plazh

Transporti, ashtu si edhe një vit më parë, është thuajse i zgjidhur në rastet kur pushuesit nuk zotërojnë një automjet. Kështu, një taksi Durrës-Plepa kushton 500 lekë, ndërsa Durrës-Shkozet rreth 300-400 lekë. Po ky çmim për lëvizjet brenda qytetit është rreth 300 lekë. Shërbimin e taksive mund ta kesh në çdo orë të ditës e të natës. Mjafton që të përdorësh telefonat e shoqërive, të cilat janë të afishuara kudo. Po kështu në dispozicion në çdo 3 minuta është edhe një autobus që bën linjën Durrës-Plepa e kthim me një kosto prej 30 lekësh. Ky shërbim urban është në funksion prej orës 05:00 të mëngjesit deri në orën 22:00 të mbrëmjes. Këtë vit janë futur në qarkullim edhe rreth 6 autobuzë të sapoblerë nga Bashkia, si dhe është hapur një linjë urbane në unazën e re që kalon nga zona e ish-kënetës, e populluar tashmë nga rreth 40 mijë banorë. Nga Durrësi ka edhe linja të shumta autobusësh për në të gjitha rrethet e vendit, ndërsa pika e nisjes së tyre është tek stacioni i trenit. Për një vizitor që do të shohë Tiranën dhe Kavajën, mund të udhëtojë me furgonë ose me autobusë në çdo kohë me një biletë prej 100 lekësh. Për pasagjerët e trenave, me gjithë problemet e sotme që përballon hekurudha, gjatë verës do të vihen trena shtesë për linjat e Tiranës, Elbasanit.


Parkime me mesazh në qytet

Për të disiplinuar lëvizjen e mjeteve në qytetin e Durrësit, Bashkia ka bërë një organizim të ri të metodës së parkimit. Ajo e ka klasifikuar territorin në tre zona dhe respektivisht ka bërë edhe normimin e kapaciteteve të tyre duke i ndarë në zonën A me kapacitet 1762 automjete, në zonën B me 1636 automjete dhe C me 1934 automjete. Gjithsej, normon parkimin në qytet të rreth 5332 mjeteve. Tarifat jane të normuara sipas zonave dhe kohëzgjatjes së parkimit. Një leje parkimi javore për turistët për zonën A është 2000 lekë, në zonën B 1500 lekë dhe në zonen C ku parkimi është edhe pa limit 1000 lekë. Sipas organizatorëve kjo bëhet që të zgjidhet problemi i trafikut dhe i mbipopullimit në zonën e qendrës. Çmimet e parkimit dhe kufizimet kohore të tre zonave janë bërë duke u bazuar në standardet ndërkombëtare të zonave me parkim në rrugë. Ndër të tjera, ky sistem do të ulë koston e mirëmbajtjes dhe riskun e vjedhjes. Në këtë standard hyn edhe parkimi SMS, i cili do të jetë i lehtë në përdorim. Mësohet se përdoruesi duhet të dërgojë një mesazh në forme teksti me kodin e zonës së parkimit dhe targën e makinës me një kod të veçantë të shkurter. Sistemi llogarit në mënyrë automatike kohëzgjatjen e parkimit dhe faturën që duhet paguar.

Plazhi i qytetit të Durrësit ofron kushtet më optimale për të kaluar pushimet 15-ditore ose më gjatë. Sipas të dhënave statistikore, në Durrës janë ligjërisht rreth 100 hotele që afrojnë një shërbim me 3000 shtretër. Ky numër mund të jetë edhe më i lartë, pasi shumë biznese nuk i raportojnë faktikisht kapacitetet e tyre për t'iu shmangur detyrimeve tatimore. Statistikat flasin se në Durrës, duke përfshirë edhe bizneset familjare ku shtëpitë ofrohen për turistët, çdo natë gjatë pikut të verës flenë rreth 20 000 pushues. Në fundjavë pushuesit ditorë arrijnë rreth 150 000 - 200 000 vetë. Çmimet e banesave të dhëna me qira variojnë sipas hapësirës që kanë në rreth 15 - 20 euro në natë. Ndërsa një dhomë në hotel varion nga 25-50 euro, gjithsesi ka hotele me çmime edhe më të larta, kjo në funksion të komoditetit si dhe të afërsisë nga bregu i detit. Hoteleritë janë të lehta për t'u gjetur sapo një turist hyn në qytet. Në dispozicion të turistëve janë shumë shoferë taksish të cilët bëjnë njëkohësisht edhe agjentin e shumë hotelerive, pasi bashkëpunojnë me pronarët për t'iu siguruar klientë. Ose punohet përmes agjencive turistike që kanë informacione të plota rreth hotelerive apo banesave që lihen me qira për pushuesit. Afërsia e qytetit bregdetar me aeroportin e bën atë edhe më të dëshiruar për turistët. Ky qytet këtë vit po përgatitet që të presë rreth 1,2 milionë turistë.


Vlerat e Durrësit për turizmin

Sipas statistikave, vitin e kaluar në Durrës pushuan rrethi 1 milion turistë, ndërkohë që pritet që këtë vit ky numër të jetë në rritje. Bregdeti durrsak është i karakterizuar nga një bukuri plot variacione. Plazhet ranore dhe ato shkëmbore janë të alternuara dhe kushdo mund të zgjedhe sipas dëshirës. Këto brigje dhe gjire të shumta të mbrojtura nga era i kanë dhënë Durrësit një pozitë gjeografike mjaft të lakmueshme që është shfrytëzuar që nga lashtësia duke e shndërruar Durrësin në kryeurën ballkanike për vendet e perëndimit evropian. Arkeologu Evans duke pasur parasysh këtë pozicion të këtij qyteti të veçantë nga ana tregtare në antikitet ka shkruar se Durrësi ka luajtur ndaj bregut italian një rol të rëndësishëm ashtu si "Nju Jorku i sotëm ndaj Liverpulit", duke qenë një nga "ambiciet e Evropës Latine", "nxitje e përhershme e botës perëndimore".


Shekulli