Friday, June 18, 2010

Historia e Shkodrës dje dhe sot

Është qyteti që prej shekujsh njihet si djepi i kulturës dhe civilizimit të lartë brenda trojeve etnike shqiptare.

Historia e saj është e mbushur me ngritje dhe ulje ndër shekuj. Ajo gjithnjë ka qenë në qendër të vëmendjes gjatë gjithë historisë kombëtare shqiptare. Shkodranët kanë qenë ndër shekuj nderi dhe lavdia, të parë në të gjitha këndvështrimet, duke zënë në këtë mënyrë një vend nderi në histori.


Do të mundohem që të cek nga pak majat e krenarisë së qytetit dhe të vetë banorëve të saj ndër shekuj, duke u bazuar në shumë burime historike, që janë dëshmi e mbijetesës së lavdishme të zonës dhe qytetit dhe të vetë banorëve vendas kulturëdashës.

Shkodra, ky qytet i lashtë 2500-vjeçar, është një nga qendrat më të shquara qytetare të Shqipërisë e të Ballkanit, i njohur si kryeqendër tradicionale e kulturës shqiptare.

Duke ndier në këmbët e saj përplasjen e dallgëve të liqenit të Shkodrës dhe në gjoks gurgullimën e lumenjve të Bunës, Drinit e Kirit, me një dorë të mbështetur në bedenat e kështjellës legjendare të Rozafës dhe tjetrën në Alpet shqiptare, Shkodra të ofron bukuri të virgjëra natyrore që rrallë i has në një vend tjetër të globit.

Në rrjedhë të shekujve, veç etjes së saj për liri e pavarësi, ka afirmuar vlera të patjetërsueshme në rrafshin e kulturës e të artit, tradita të cilat kanë ardhur me bukurinë e tyre deri në ditët tona.

Gjurmët më të hershme të veprimtarisë njerëzore të zbuluara në pellgun e Shkodrës i përkasin periudhës së paleolitit të mesëm, por duke filluar nga periudha e bronzit, ato kanë një prezencë intensive e të pandërprerë.

Ky territor ka qenë i banuar nga fisi ilir i Labeatëve, lundërtarë e tregtarë të zotë. Ishin shkëmbimet tregtare me zonat e tjera, që u bënë shkak për themelimin e qytetit të Shkodrës si një treg e vendbanim ilir. Kështu, që në shekullin e IV p.K. e fillon jetën ky qytet ilir, i cili njihej në histori me emrin Scodra, Scobre, Skodrai, Skodre, Skydreonopolis, sot Shkodra.

Pushtimet e ndryshme ia kanë ndërprerë zhvillimin, e kanë shkatërruar shpesh dhe nga themelet, por Shkodra është ngritur edhe nga hiri. Në afro pesë shekuj të pushtimit osman shkëlqimi i qytetit u venit, por në shek. XVII do të jetë përsëri një qendër e rëndësishme jo vetëm administrative, por edhe ekonomike e Shqipërisë. Në këtë periudhë kishte 1800 shtëpi dhe 25.000 banorë dhe gradualisht bëhet një qendër e rëndësishme kulturore. Në Shkodër lindën institucionet e para kulturore në vend.

Qyteti është themeluar në shek e IV para Krishtit, prej fisit të Labeatëve, gjatë sundimit të Gentit (181-168) përreth kështjellës Rozafa.

Zona përreth vendit ku ndodhet sot Shkodra ka qenë e banuar që në kohët parahistorike. Këtu janë gjetur gjurmë të paleolitit të mesëm, ndërsa që nga neoliti gërmimet kanë zbuluar vazhdimësi jetese që vjen deri në ditët tona. Objektet e gjetura ruhen në muzeun e qytetit, në atë të Tiranës dhe në muzetë e Evropës. Kjo, sepse zona ka një kombinim të rrallë faktorësh fizikë për jetesë. Rrëzë kodrave të Tepes, në anën jugore të qytetit të sotëm, materialet arkeologjike fillojnë nga bronzi i hershëm (2000 para Krishtit). Në shekullin V-IV para Krishtit filloi ndërtimi i kalasë me gurë ciklopikë të puthitur pa llaç. Kalaja është e vendosur mbi një kodër në hyrje të qytetit, në një lartësi 130 m.

Në atë periudhë treva banohej nga fisi ilir i Labeatëve. Në këtë kohë qyteti merr një zhvillim ekonomik, gjë që dëshmohet nga prerja e monedhës në qytet që në vitin 230 para Krishtit. Nga monedha mësojmë emrin që ka pasur qyteti në atë kohë, Scodrinon.

Në vitin 181 para Krishtit bëhet kryeqytet i Mbretërisë së Ilirisë, me sundimtar Gentin, dhe kishte një shtrirje të madhe në pjesën veriore. Gjatë shekullit II para Krishtit, në kalanë e qytetit zhvillohen luftërat me Romën dhe në vitin 168 pushtohet nga Roma dhe bëhet një nga qendrat e njësive administrative të Perandorisë Romake. Me reformat e Dioklecianit bëhet qendër krahinore. Aty kalonin rrugë tregtare të rëndësishme drejt bregut Dalmat, nga veriu, dhe nëpërmjet luginës së Drinit për në Kosovë, nga lindja.

Ajo pushtohet dhe bëhet kryeqendër e shtetit të Zetës në shekullin e Xl. Më pas vjen pushtimi i shkurtër bullgar. Në shekullin XIV bëhet qendër e rëndësishme autonome me institucione të zhvilluara dhe në vitin 1360 bëhet kryeqendër e principatës së familjes Balshaj. Më 1396 kalon nën sundimin e Republikës së Venedikut, e cila rikonstrukton kalanë dhe qytetin e quan Scutari. Qyteti ka institucione dhe ligje si çdo qendër e zhvilluar veneciane në Adriatik.

Mbas vdekjes së heroit kombëtar Gjergj Kastrioti, i cili drejtoi rezistencën e popullit shqiptar ndaj pushtimit të Perandorisë Osmane, në vitin 1479 Sulltan Mehmeti II rrethon përsëri Shkodrën me mbi 100.000 ushtarë, si qyteti i fundit shqiptar i papushtuar.

Mbrojtja vazhdoi mbi shtatë muaj nga një garnizon prej 1600 vetash, i cili u dorëzua me kusht. Kjo qëndresë u përshkrua nga historiani i parë shqiptar dhe dëshmitar i kësaj ngjarjeje, shkodrani françeskan, humanisti At Marin Barleti. Libri i tij "Rrethimi i Shkodrës" u botua në Evropë në vitin 1504.

Pas pushtimit qyteti u rrënua, por dalëngadalë u rimëkëmb dhe në shekullin e XVII u bë qendër sanxhaku e Perandorisë Osmane. Në këtë periudhë qyteti ka mbi 1800 shtëpi dhe ka filluar të shtrihet në fushën ku është sot. Zhvillohen zejtaria, punimi i armëve, punimi i mëndafshit, i bakrit dhe i stolive prej argjendi.

Në shekullin XVIII bëhet qendër pashallëku nën sundimin e familjes vendase të Bushatlinjve. Më 1787, Mahmut Pasha i Bushatlinjve tentoi për herë të parë krijimin e një principate të pavarur shqiptare, që më vonë u shtyp nga Perandoria Osmane.

Më 1718 janë hapur në Shkodër agjencitë e para konsullore. Më 1730 krijohet Dhoma e Tregtisë. Nga viti 1807 deri më 1809 ndërtohet bexhisteni në zonën tregtare në rritje të qytetit.

Në shekullin e XIX rritja ekonomike ecën me ritme të larta. Qendra tregtare, ose pazari, ka rreth 2500 dyqane dhe është më i madhi në Ballkan. Qyteti arrin në 50, 000 banorë dhe bëhet qendër vilajeti. Këtu prodhohen veshje kombëtare, pëlhurë, lëkurë, duhan, barut, që eksportohen. Ushtrohen 80 profesione. Në qytet janë 6 konsullata të fuqive evropiane dhe vendeve fqinje. Në vitin 1867 qyteti bëhet qendër e Arqipeshkvisë. Ka institucionet tregtare të kohës, gjykatë, drejtori postale, doganë.

Më 1865 kalaja braktiset, pasi lumi Drin ka ndryshuar shtratin. Qyteti është kthyer në port lumor dhe tregton me botën nëpërmjet skelave ndërmjetëse si ajo e Obotit, Shëngjinit, Ulqinit, Tivarit. Qyteti shquhet për mjedise të gjelbëruara dhe oborret me lule.

Në vitin 1878 krijohet Lidhja e Prizrenit për moscopëtimin e trojeve të Shqipërisë. Shkodra bëhet një vatër e rëndësishme e lëvizjes kombëtare. Ushtritë e Shkodrës luftojnë për mbrojtjen e territoreve shqiptare të Plavës, Gucisë, Hotit, Grudës, Ulqinit dhe Tivarit. Fillon kështu një periudhë trazirash për qytetin, që reflektohet në rënien e shpejtë të numrit të popullsisë. Shkodranët morën pjesë aktive në luftën për shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë, duke luftuar me armë dhe duke nxjerrë figura të shquara udhëheqësish dhe njerëzish të pendës.

Pas fillimit të Luftës së Parë Botërore Shkodra sulmohet nga ushtritë malaziase, të cilat më 1915 hyjnë në qytet. Në janar të 1916-ës pushtohet nga austriakët, të cilët e bëjnë Shkodrën qendër të zonës së tyre të pushtimit. Me mbarimin e Luftës së Parë Botërore, në Shkodër vendoset një administratë ndërkombëtare. Mbas Kongresit të Lushnjës, më 1920, qyteti administrohet nga qeveria shqiptare që doli nga ky kongres.

Në vitin 1945 u vendos diktatura komuniste dhe qyteti vuajti për 45 vjet nga represioni që donte ta privonte qytetin nga prirjet e tij demokratike dhe kulturore, nga marrëdhëniet me botën dhe nga ekonomia e tij tradicionale. U persekutuan personalitetet më të spikatura të qytetit. U vu dorë mbi institucionet e kulturës dhe të kultit, duke i transformuar sipas ideologjisë së re. U bë çdo gjë që qyteti të humbiste identitetin e tij mijëravjeçar. Megjithatë, ishin shkodranët që dhanë sinjalet e para në Shqipëri për rrugën e re të demokracisë, që në janar të vitit 1990.

Trashëgimia kulturore e Shkodrës për kombin shqiptar fillon që në shekullin XV, me shkrimet e para në gjuhën shqipe. Kemi në këtë qytet shkrimtarët, gjuhëtarët, historianët e parë të vendit. Në shekujt XVIII-XIX kemi institucionet e para shtetërore që pasqyrojnë lidhjet e Shkodrës me botën e qytetëruar evropiane. Për herë të parë në Shqipëri zhvillohet arti, sporti, lindin muzetë dhe bibliotekat. Fillon arti fotografik, shtypshkrimi dhe më vonë kinemaja dhe energjia elektrike.

Firmat e fuqishme tregtare bëjnë tregti me të gjithë botën deri në Japoni, duke sjellë në qytet prodhime ekzotike. Në familjet shkodrane nuk mungojnë pianofortet dhe pikturat e klasikëve botërorë.

Zanafilla e Shkodrës...

Në kohën kur popullsia ilire e territorit shqiptar kishte arritur zhvillimin më të lartë ekonomik e kulturor, në vitin 181 para Krishtit bëhet kryeqytet i Mbretërisë Ilire.

Me ndarjen e Perandorisë Romake, Shkodra, sikurse e gjithë Iliria e jugut kalon nën kontrollin e Bizantit, por vazhdoi të varej nga Kisha Katolike e Romës.

Duke përballuar pushtimet e shumta të barbarëve, që pushtuan territoret shqiptare ndërmjet shekujve XI-XIV, Shkodra përjeton edhe një periudhe vetëqeverisjeje.

Në vitin 1040 qyteti u bë kryeqendra e Zetës, qendër e rëndësishme, komunë autonome me institucione të zhvilluara. Ajo në vitin 1360 bëhet kryeqendra e shtetit feudal të familjes Balshaj. Po në këtë kohë rikonstruktohet kështjella legjendare dhe qyteti merr emrin Scutari.

Në vitin 1396 qyteti antik do të pushtohet nga Venediku, sundimi i të cilit u ndërpre nga një varg kryengritjesh të popullsisë.

Kështjella Rozafa është monumenti historik më i vjetri, e cila filloi të ndërtohet në shek V-IV para Krishtit, ndërmjet lumit Drin dhe Buna. Ajo është vendosur në pikë strategjike për të kontrolluar fushën bregdetare, hyrjen në liqenin e Shkodrës, si dhe kalimin në thellësi të vendit e të Ballkanit në Lindje. Kështjella ka një histori të gjatë luftarake dhe lidhur me qytetin e Shkodrës ka një gojëdhënë popullore.

Në muret rrethuese të kalasë, të cilat përfshijnë rreth 9 ha tokë, dallohen qartë ndërtimet e katër periudhave: Balshajve (shek. XIV), zotërimi venecian (shek. XV), pushtimi osman (shek. XVI-XVII), dhe e Bushatlinjve (shek. XVIII-XIX).

Kisha më e vjetër në Shkodër është ajo e Shna Ndout dhe Kisha e Shën Kollit, në anën tjetër të Bunës.

Nuk ka ndonjë dokument konkret për të argumentuar të dhënat e ndërtimit të Kishës së Zojës së Këshillit të Mirë, që njihet si Pajtorja e Shqipërisë. Por nga brezi në brez besimtarët katolikë kanë mbajtur gjallë me veneracion bindjen në mrekullinë e datës 25.04.1467, ku këtë ditë figura e Zonjës së Shkodrës, që gjendej në një afresk të Kishës në fjalë, u shkëput nga vendi dhe e ndjekur prej dy katolikëve shkodranë të quajtur De Xhorxho dhe De Skavis, shkoi e zuri vend në kishën e Genazzano (në Itali).

Karnavalet në Shkodër festohen që para ardhjes së pushtuesve osmanë.

Më 1499-1500 ndërtohet ura e Bunës nga osmanët. Thuhet se ka qenë ndërtuar një tjetër më parë përballë ish-fabrikës së çimentos, por se kur nuk dihet.

Që në vitin 1565 Shkodra do të ketë shtypshkronjë. Në shek. XVII, në Shkodër ndërtohet rruga “13 Dhjetori” nën ndikimin venecian.

Më 1718 Shkodra do të ketë 7 selitë e konsullatave të Fuqive të Mëdha të Evropës. Si port përdorej Oboti e Ulqini e më vonë Shëngjini. Në vitet 1757-1831 Shkodra është nën sundimin e Bushatlinjve. Familja feudale shkodrane e qeverisi pashallëkun e Shkodrës në formën e një dinastie të trashëguar thuajse të pavarur.

Më 1807-1809 ndërtohet bexhisteni, i cili përmbante 2.500 dyqane të stilit persian (iranian). Pazari i Vjetër ishte një kompleks i rëndësishëm, i ngritur përbri kodrës mbi të cilën ngrihet kalaja Rozafa, dhe ku ushtroheshin rreth 80 lloje zejesh. Afër Pazarit ekzistonte një molo në lumin Bunë, ku akomodoheshin barka e anije të vogla, ndërmjet të cilave Shkodra dhe Pazari i saj lidheshin me Adriatikun.

Rreth viteve 1840 ngrihet ndërtesa e bibliotekës së Bushatlinjve. Biblioteka kishte afro 3 000 volume teologjike, jurisprudence, tekste shkencore, filozofike, astronomike e deri në ekzemplarë. Libra me vlera u grumbulluan më vonë edhe nga bibliotekat e urdhrave katolike jezuite e françeskane. Po këtë periudhë u themeluan shoqëritë letrare, kulturore e sportive, si “Bashkimi” dhe “Agimi”.

Arkitekti, piktori Pjetër Marubi fillon punimet e tij të para fotografike në vitet 1858-1859. Ai lidh miqësi me familjen e Rrok Kodhelit, fshatar nga Kodheli i Zadrimës. Djemtë e Kodhelit, Matia dhe Mikeli, të pasionuar pas fotografisë, do të drejtojnë punimet fotografike në vitet e mëvonshme dhe do të njihen me mbiemrin Marubi. Më 1970, fototeka e pasuruar prej 150.000 negativash iu dhurua shtetit.

Më 7 prill 1858 themelohet katedralja e Shkodrës, një ndër objektet kristiane më të bukura në Ballkan asokohe.

Fillimet e institucionit të Bashkisë në Shkodër datojnë në vitin 1865. Në fillim u quajt “Beledie”, deri në vitin 1913.

Prej këtij viti e deri më 1920 “Perlimtare” dhe më pas Bashki.

Shkodra në vitin 1870 kishte 50.000 banorë. Në vitin 1875 fillon ndriçimi i rrugëve natën me llamba vajguri nga Bashkia e Shkodrës. Deputetët e parë shkodranë në parlamentin turk në vitin 1877 janë: Jusuf Podgorica, Selim Gjyrezi, Ejll Paloka dhe Filip Risto Vuçkoviq. Në vitin 1878 ngrihet në Shkodër banda e parë muzikore e vendit. Po këtë vit hapet shkolla e jezuitëve, e para për popullin.

Themelohet më 1880 Muzeu i Jezuitëve, i cili ishte i ndarë në disa seksione me përmbajtje shumë interesante e tepër të hershme.

At Shtjefën Gjeçovi, diletanti i arkeologjisë, i cili ka qenë edhe mbledhësi dhe përpiluesi i Kanunit të Lekë Dukagjinit, themelon Muzeumin e Françeskanëve, në vitin 1890.

Sahati i Inglizit, objekt historik i periudhës së aristokracisë mesjetare, është ndërtuar me fondet e Lordit anglez Paget, i ardhur këtu rreth çerekut të fundit të shek. XIX.

Në Shkodër, në vitin 1890 ndërtohet “Teatri i Kolegjit Saverian”.

Qyteti më 1 qershor 1905 përjeton ngjarje katastrofale nga tërmeti që shkaktoi dëme të mëdha, vdesin 159 vetë dhe plagosen 250 të tjerë. Lëkundjet do të zgjasin afro një vit. Lagjet e vjetra pothuaj u sheshuan, si dhe u përmbytën shumica e tokave.

Shfaqja e parë kinematografike në Shqipëri njihet në Shkodër në vitin 1912 nga Kol Idromeno. Shkodra ka në vitet 1913-1914 shkollën e parë laike. Po në nëntor të këtij viti ngrihet për të parën herë flamuri kombëtar në bashkinë e vjetër. Më 1913-1914 qyteti administrohet nga Fuqitë e Mëdha, nga Komisioni Ndërkombëtar. Po në këtë periudhë u themelua seminari jezuit dhe kuvendi françeskan, me mbështetjen e klerit katolik.

Shkodra, si qytet i lashtë përkrah disa qyteteve të rëndësishme të Ballkanit dhe Evropës, ka luajtur një rol ekonomik, politik dhe kulturor shumëdimensional, që duket nga burimet e ndryshme që citova pak më lart. Shkodra e Gentit dhe e Teutës është sot për ne shqiptarët nderi dhe krenaria e përhershme, përpara së cilës unë dhe të gjithë shqiptarët përulemi me respekt të thellë.

GJON FRANI IVEZAJ, G. Metropol

E fejuara e Erion Korinit: “Më rrahu se i hapa adresën e Facebook-ut”.

“ S`e kam dhunuar, po ajo iku nga shtëpia”


Këngëtari që dhunonte të fejuarën është lënë i lirë nga Gjykata e Tiranës.

Erion Korini ka treguar mosmarrëveshjet me vajzën që desh të vetëvritej.

Pas ndalimit me shumë bujë, 34 vjeçari Erion Korini është lënë i lirë ndërsa ka shpjeguar para trupit gjykues se nuk e ka rrahur vajzën që është i fejuar me të, por ajo ka ikur vetë disa herë prej shtëpie.

Ndërsa historia e mosmarrëveshjeve mes çiftit të të fejuarve tashmë është thuajse ngjarje, gjykata e Tiranës ka vendosur ta lërë të lirë 34 vjeçarin, edhe pse tri ditë më parë ai u akuzua se kishte shtyrë në vetëvrasje vajzën me të cilën ishte fejuar. Korini është lënë me detyrim paraqitje ndërkohë që pritet të sqarohet saktë pozicioni i tij në aktin “kriminal” që në të vërtet tronditi policinë e Tiranës, aq sa në vendin e ngjarjes do të mbërrinin përveç bluve edhe forcat speciale RENEA. 24 vjeçarja kishte marrë përsipër vetëflijimin pasi sipas saj ishte dhunuar tmerrësisht nga i fejuari i saj, ndërsa nuk ka mundur më të durojë dhunën e tij. Dje i riu u la i lirë, ndërsa ende nuk dihet se çdo të bëhet me vazhdimësinë e tyre, pas gjithë asaj ngjarjeje që frikësoi policinë kryeqytetase.

Ngjarja sipas palëve
Këngëtari Erion Korini që doli dje para gjykatës për caktimin e masës së sigurisë ndaj tij pasi mbi të rëndonte akuza e “shkaktimit të vetëvrasjes, mbetur në tentativë” ndaj të fejuarës së tij Marvina Stefa, 24 vjeç, lihet i lirë, pasi 48 orësh mbajtjeje në qeli. Këngëtari i ka thënë policisë dhe më pas edhe gjykatës se kishte më se një muaj që nuk shkonte mirë me vajzën por ka mohuar kategorikisht të kishte ushtruar dhunë mbi të. “Më ka ikur dy herë nga shtëpia”, është shprehur këngëtari. Ai ka mohuar të ketë ushtruar dhunë ndaj 24-vjeçares duke thënë se edhe pse kishte ikur dy herë, ajo ishte kthyer sërish në banesën e tyre tek rruga “Babë Rexha” në kryeqytet. Këngëtari ka pranuar vetëm kontradiktat me vajzën por ka mohuar në mënyrë të përsëritur ushtrimin e dhunës. Ndërkohë e fejuara e tij, ka thënë se Erion Korini ka ushtruar ndaj saj dhune sistematike ç`ka është bërë shkak edhe për tentativën e vetëvrasjes duke u hedhur nga kati i katërt i ballkonit të shtëpisë.

Tentativa e vetëvrasjes
Vazhdohet të flitet edhe pse tashmë Korini ka lënë qelinë për ngjarjen që desh tronditi kryeqytetin. E ndërsa policia e Tiranës u lajmërua se në katin e katërt të një pallati gjendej një femër që donte të hidhej, shkoi atje dhe më pas nisen edhe negociatat që binden vajzën të mos vetëhidhej. Ndërkohë që pas marrjes në pyetje u mësua se personi që deshi ti merrte jetën vetes me vetëvrasje ishte 24 vjeçare dhe se shkak për këtë ishte dhuna që ushtronte sistematikisht i fejuari i saj mbi të. Pas rrëfimit të saj mësohet se dhunuesi ishte këngëtar dhe policia e arreston duke e akuzuar për shtyrje në vetëvrasje të një perosni.

Korini mohoi të kishte ushtruar dhunë ndërsa tjetër gjë dëshmone vajza e cila ka thënë se: “Më rrahu se i hapa adresën e Facce Book”. Megjithatë gjykata e ka lënë të lirë djalin ditën e djeshme, derisa të sqarohen rrethanat e ngjarjes.


Nikoleta Kovaçi, T. Observer

Thursday, June 17, 2010

Ushtria greke në Shqipëri, pushtuesit apo çliruesit?

Kjo temë lë shumë për të dëshiruar, jo vetëm mes personave tani te pakët që i kanë jetuar ato momente të një lufte të gabuar, por dhe ne mes të rinjve që janë të interesuar të mësojnë mbi ato ngjarjet.

Historia duhet të shkruhet siç është e bazuar në dokumente zyrtarisht të njohura pa anësi politike.
Sot ekzistojnë materiale të publikuara dhe të papublikuara që në një formë ose ne tjetrën mund të vlejnë për të njohur më mirë si erdhën ngjarjet e luftës italo-greke. E themi këtë se ajo shpesh herë është paraqitur me vështrime politike jo reale.

Në vitin 1923 marrëdhëniet e Greqisë dhe Italisë ishin keqësuar së tepërmi. Shkak qe bërë vrasja nga pala greke e gjeneralit Enriko Tellinit, në afërsi të kufirit me Shqipërinë. Ai qe caktuar nga Konferenca e Ambasadoreve si kryetar i komisionit italo-anglezo-francez për fiksimin e kufijve jugorë të Shqipërisë.
Fan. S. Noli që në vitin 1924 kërkonte ushtarakë të Italisë në mbrojtje të kufijve tokësorë të Shqipërisë.(fanoliada)

Më 28 tetor të vitit 1940 kryeministri i ardhshëm i Greqisë, Metaksas, i bënte thirrje popullit të tij duke i thënë “do luftojmë jo vetëm për ekzistencën tonë, por dhe ne favor të popujve të tjerë të Ballkanit, edhe për çlirimin e Shqipërisë. Luftojmë për vlerat që i kalojnë kufijtë tanë dhe kufijtë e Ballkanit për të zgjeruar në tërë njerëzinë”.

Nga ana tjetër Italia si protektore e Shqipërisë nuk mund të qëndronte e heshtur (gjer në atë kohë më Italinë fqinje ishin nënshkruar marrëveshje të njohura ndërkombëtarisht si: “Pakti i miqësisë dhe i sigurisë” ndërmjet Italisë dhe Shqipërisë, si një pakt protektorati më 27 nëntor 1926; “Aleanca ushtarake” ndërmjet Italisë dhe Shqipërisë në muajin nëntor të vitit 1927.

Indro Montenelli në librin e tij të historisë thotë se “dy ishin arsyet e luftës me Greqinë: 1- se Greqia strehonte flotën angleze në ishujt e saj të panumërta dhe 2- se ne Epir ekzistonte një minoritet çam i shtypur në të drejtat e tij.
Grekët në muajt e parë të luftës arritën të futeshin në territorin e Shqipërisë së Jugut duke u shtyrë deri ne Himarë, për të thënë më vonë se na kanë çliruar etj.

Pyetja me të drejtë bëhet:

“Ishte çliruese apo pushtuese, kur dihet që me Greqinë deri në atë kohë nuk ekzistonte asnjë marrëveshje apo pakt siç kishim me Italinë?”
Ushtarë grekë
Qeveria shqiptare e atyre viteve duke mos pasur tjetër alternativë i bënte thirrje popullit shqiptar për luftën kundër Greqisë, për çlirimin e trojeve shqiptare te Çamërisë. Në këtë thirrje lexojmë : “ëndrrat e të parëve tanë, shpresat me ankth të moshës së rinisë e të pjekurisë po realizohen me rikthimin e popullatës shqiptare të Çamërisë në gjirin e atdheut shqiptar”

Mbas luftimesh të ashpra divizionet që kishin pushtuar një të tretën e Shqipërisë u dorëzua më 22 prill 1941. Ata u sprapsën nga ushtria italiane deri në kufijtë e sotëm. Më 10 qershor u deklarua në Romë bashkimi i Çamërisë dhe Kosovës me Shqipërinë (lufta e harruar, fq 205)

Kjo luftë e gabuar nuk ishte vetëm një luftë ndërmjet Italisë dhe Greqisë, por ishte një luftë koalicionesh. Nga njëra anë Italia kishte aleate Anglinë më kolonitë ë saj të Australisë Zelandës së Re, Filipinet etj, të mbështetur edhe nga Franca. Në atë luftë të përgjakshme u vranë shumë italianë grekë, por edhe shqiptarë që në këtë kohë më siguri meritojnë të jenë të nderuar. Sot grekët kërkojnë gjetjen dhe sistemin në varre të eshtrave të të rënëve të tyre.

Po për eshtrat e shqiptarëve kush duhet të mendojë e të kërkojë?!
A nuk do të ishte më mirë që në Manastirin e Përmetit, ku u zhvillua njëra nga betejat më të përgjakshme, të ngrihet një përmendore për të gjithë të rënët ë pafajshëm?
Kaluan shumë vite nga ajo luftë e gabuar që për faje të një diktator,i dhanë jetën e tyre mjera ushtarë nga të dyja palët.

Çështja çame sot duhet të shihet si një lidhëse ndërmjet Shqipërisë dhe Greqisë, dhe secila palë në kërkesën e tyre të jetë e barabartë.

Zhuzepe Kotorri, G. Shqiptare

Vasil Bollano shpallet i pafajshëm, Apeli rrëzoi vendimin për dënimin

VLORË- Shpallet i pafajshëm kryetari i bashkisë së Himarës, Vasil Bollano. Vendimi është marrë sot nga Gjykata e Apelit të Vlorës, e cila ka rrëzuar vendimin e Shkallës së Parë, që e dënoi Bollanon me 6 muaj burg, 5 milionë lekë gjobë si dhe i hoqi për 3 vjet të drejtën e funksioneve publike.


Trupi gjykues nën drejtimin e relatores Iliba Bezati ka marrë vendimin e pafajësisë, duke ju referuar faktit se nuk është provuar fakti se kreu i bashkisë së Himarës të ketë konsumuar elemente të veprës penale, duke mbyllur njëkohësisht edhe "çështjen Bollano", aq shumë të përfolur vitet e fundit.

Bollano u akuzua se hoqi tabelat shqip në rrugën Qeparo-Llogara dhe vendimi për fajësinë në shkallën e Parë u mor nga gjykatësi Shkëlzen Selimi.

Sipas vendimit të Gjykatës për 3 vjet, Bollano nuk do të mundte të ushtronte asnjë funksion administrativ që deri më tani ja ka lejuar funksioni i tij si kryebashkiak i Himarës, por ndërsa vijoji çështjen në shkallën tjetër të gjyqësorit, në Apel, Bollano vijon të ushtrojë të njëjtat funksione. Sipas vendimit të sotëm të Apelit të Vlorës, të gjitha vendimet e shkallës së parë bien poshtë.

Shkak për hetimin dhe më pas gjykimin në Gjykatën e rrethit të Vlorës është bërë një urdhër, që është lëshuar prej kryetarit të Bashkisë, Vasil Bollano në muajin tetor të vitit 2007 për heqjen e tabelave në gjuhën shqipe në aksin rrugor Qeparo-Llogara, gjë që, sipas Prokurorisë, ka sjellë një dëm prej rreth 2.1 milionë lekësh.

Këto tabela ishin vendosur në kuadrin e një projekti për zhvillimin e turizmit i shtrirë përgjatë gjithë bregdetit nga Vlora në Sarandë, i financuar nga Ministria e Transportit, Punëve Publike dhe Telekomunikacionit dhe Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë e Sporteve.

Gjatë fazës së hetimit, Bollano ka pranuar se ka dhënë një urdhër për heqjen e tabelave në gjuhën shqipe, por ai ka pretenduar se për vendosjen e tyre nuk ishte marrë leje nga bashkia.

Shekulli

Turqia nuk tërhiqet: Do dërgojmë flotilje tjetër humanitare në Gaza

Turqia nuk tërhiqet në qëndrimin e saj pro palestinezve. Një grup turk propalestinez tha sot se do të dërgojë një flotilje tjetër në Gaza muajin e ardhshëm.


Fondacioni për të Drejtat dhe Liritë e Njeriut dhe Ndihmë Humanitare (IHH) u tha anëtarëve të Parlamentit Evropian se ka mbledhur gjashtë anije për flotiljen e re, dhe u bëri thirrje të tjerëve që t'i bashkangjiten.

Flotilja e fundit e grupit u ndalua nga Izraeli jashtë brigjeve të Gazës në 31 maj. Flotilja e radhës pritet të lundrojë nga mesi i korrikut.


Ndërkohe që Izraeli thotë se IHH ka lidhje me militantët myslimanë, gjë të cilën grupi e mohon.


Shekulli

Tiranë, policia: Diplomat false të Juridikut shiteshin për 7 mijë euro

Drejtoria e Policisë së Tiranës në një konferencë për media tha sot se katër personat e arrestuar në kryeqytet për falsifikime shisnin me shtatë mijë euro një diplomë false të Fakultetit Juridik.

“Në kuadër të operacionit policor të koduar “Juristi” i realizuar nga Seksioni Kundër Korrupsionit në Drejtorinë e Policisë Qarkut Tirane, pas nje hetimi disa mujor në bashkëpunim me Njësinë Taks Forcë, në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë, u bë e mundur kapja dhe më pas arrestimi i shtetasve :
- Medat Ruzhdi Kasa, 54 vjec, lindur ne Korce dhe banues ne Tirane,
- Anai Ramadan Muca, 46 vjec, lindur e banues ne Tirane,
- Fadil Isuf Gurri, 43 vjec, banues ne Domje Tirane, me pune ne sektorin privat – tregtare,
- Adriatik Resmi Koci, 45 vjec, lindur dhe banues ne Tirane, me profesion perkthyes ne disa gjuhë të huaja.

Sipas policisë, këta shtetas në bashkëpunim me njëri tjetrin si dhe persona të tjerë, bënin të mundur sigurimin e diplomave të Fakultetit të Drejtësisë kundrejt përfitimit të shumës së parave prej 7000 eurosh.

“Nga hetimet e kryera nga ky seksion, ka rezultuar se këto shtetas e kryenin këtë aktivitetet duke i depozituar këtë shumë eurosh, paraprakisht në filiale të ndryshme të bankave në Tiranë, si garanci për pregatitjen dhe dorëzimin e diplomës, afat i cili zgjaste rreth 2 muaj”
, deklaroi policia.


Sipas saj, në cilësinë e provave materiale u gjetën dhe u sekuestruan :
- Diplomë e Fakultetit të Drejtësisë e plotësuar.
- Listë notash e plotësuar.
- Shuma prej 7000 eurosh ( në këmbim te një diplomë ).
- Një sërë dokumentash të ndryshëm, si certifikata, fotografi, dokumentacion pronash, vula etj.

Policia tha se po vazhdon kryerja e veprimeve hetimore per zbardhjen e plote te kesaj veprimetarie kriminale, si dhe identifikimi dhe arrestimi i personave te tjere te implikuar.

lajmiifundit.com

Vrasjet në shifra rekord

Ende pa u mbyllur gjashtë muajt e parë të vitit 2010, Shqipëria rezulton të jetë në një rritje të krimit të vrasjeve, krahasuar me 1, 2, 3 dhe kater vjet me pare.

Niveli i vrasjeve ka shkuar në atë të 2005-ës. Të paktën 53 vrasje janë regjistruar në vend, ende pa u mbyllur muaji i gjashtë i vitit. Kurba e krimit të vrasjes nuk ka qenë asnjëherë kaq i lartë që kur drejtimi i Ministrisë së Brendshme është marrë në fund të vitit 2005, nga ministra të maxhorancës aktuale. Dy prefektura mbeten në kuotat zero të këtij krimi janë Gjirokastra dhe Berati.

Ndersa vitin e shkuar Shqiperia arriti ne total ne 79 vrasje gjithsej, ne pese muajt e pare te ketij viti ka regjistruar vetem 25 me pak te tilla ose po ta krahasosh me të njejten periudhe 18 vrasje me shume.

Nje nga arritjet e qeverise aktuale, ne fushen e rendit dhe qetesise publike, ka qene fakti i uljes se ketij krimi ne nivele te ndjeshme. Shqiperia nuk kishte regjistruar qe pas vitit 1997, me pak se 100 vrasje, dhe e arriti kete ne 2006-2007, por vrasjet e ketij viti edhe pse perqindja e zbulueshmerise se tyre ka qene e larte japin një sinjal negative.

Edhe pse vrasjet po shtohen ne cdo muaj te ketij viti, ende ne polici nuk ka patur nje analize te thelle ne lidhje me kete rritje dhe aq me pak nje analize publike, apo terheqje vemendje nga ministri aktual i brendshem ndaj policise shqiptare. Te gjitha vizitat publike te tij deri me tani ne polici kane qene ne kuader te zhvillimit teknologjik qe po merr policia shqiptare ne kohet e fundit, si edhe per sigurimin e kufijve shqiptare.

T. Channel

Wednesday, June 16, 2010

Shqiptarët e Maqedonisë: Të na jepet shtetësia shqiptare

Shqiptarët në Maqedoni kërkojnë që Tirana zyrtare të mundësojë përfitimin e shtetësisë shqiptare nga gjithë shqiptarët jashtë kufijve. Një plan i tillë është zbatuar nga shtetet fqinje siç janë Maqedonia, Bullgaria, Serbia dhe vendet tjera ish-jugosllave.


Partitë politike shqiptare në Maqedoni nuk dëshirojnë të diskutojnë mbi këtë çështje, mirëpo ata theksojnë se vetë shteti shqiptarë duhet të vlerësojë se a duhet apo jo të krijohet mundësia nëpërmjet rrugëve konstitucionale, që të gjithë shqiptarët kudo që janë të pajisen me shtetësi shqiptare, pavarësisht se ata jetojnë në dy shtete apo më shumë shtete, por pajisja me shtetësinë shqiptare të bëhet sipas modelit të shtetësisë së dyfishtë, që lejohet nga shumë shtete.

Juristë dhe avokatë shqiptarë nuk përjashtojnë mundësinë që kryeministri Sali Berisha me dekretin e presidentit Bamir Topi të përmbush premtimin e dhënë në vitet e 90-ta, kur kishte pohuar se çdo shqiptar në botë është shtetas i Shqipërisë.

"Duhet të realizohet kjo, sepse kemi rastin konkret edhe të maqedonasve, të cilët kudo që janë posedojnë edhe shtetësinë e Maqedonisë. Sidomos një mundësi e tillë po shfrytëzohet nga shqiptarët që jetojnë në kufirin me Maqedoninë, të cilët deklarohen se kanë origjinë maqedonase", ka theksuar juristi Numan Limani.

Kohë më parë burime të afërta me Qeverinë në Tiranë nuk kanë përjashtuar mundësinë që Qeveria shqiptare të shqyrtojë një plan të tillë për dhënien e shtetësive për gjithë qytetarët shqiptarë edhe jashtë kufijve të shtetit shqiptar.

Ligji për dhënien e shtetësisë është një e drejtë që dekretohet nga Presidenti i Shqipërisë dhe se të drejtën e përfitimit të saj e ka ai shtetas i huaj që ka plotësuar 5 vjet të qëndrimit të rregullt në territorin e shtetit shqiptar. Në asnjë nen të ligjit të ndryshuar në vitin 1998, nuk parashikohet përfitimi përmes etnitetit dhe që mundëson që çdo shqiptar të ketë të drejtën e posedimit të shtetësisë shqiptare.

Në rast të ndryshimeve të paralajmëruara, atëherë të drejtën e pajisjes me shtetësi shqiptare do ta kenë mbi 5 milion shqiptarë në rajonin e Ballkanit.

(N.Pajaziti/INA)

Greqi, emigrantët shqiptarë aplikojnë për nënshtetësi greke

ATHINE-Në gjithë Greqinë kanë filluar aplikimet për marrjen e nështetësisë greke nga fëmijët e emigrantëve, ku shumica e të cilëve janë shqiptarë. Ndërkohë që kanë filluar edhe regjistrimet në listat zgjedhore, ku emigrantët pritet të votojnë për herë të parë në zgjedhjet për pushtetin lokal, këtë vjeshtë, madje dhe te kandidohen per tu zgjedhur.

Seksioni në shqip i BBC bën të ditur sot se për mënyrën se si funksionojnë strukturat shtetërore në Greqi, fakti i zbatimit shumë të shpejtë të ligjit për pjesëmarrjen politike të emigrantëve, që hyri në fuqi para një muaji, përbën një befasi të këndshme.

Ligji parashikon procedura të thjeshtëzuara për marrjen e nënshtetësisë greke nga fëmijtë e emigrantëve që kanë lindur në Greqi, apo që kanë kryer 6 vjet mësime në sistemin arsimor grek.

Sekretari i shtetit për politikën e emigracionit në ministrinë e brendshme, zoti Andreas Takis, thotë se ka një numër të konsiderueshëm, shumica e të cilëve shqiptarë, që po shkojnë të bëjnë aplikimin për nënshtetësinë, apo ndodhen në fazën e plotësimit të dokumentacionit.

“Kanë filluar të aplikojnë jo vetëm fëmijë që kanë lindur këtu, por edhe brezi i parë i fëmijve që erdhën në Greqi me prindërit, tani janë të moshës 25-28 vjeç dhe i përmbushin kushtet për marrjen e nënshtetësisë. Por kryesisht janë ata që i afrohen moshës së maturisë (18 vjeç) apo e kanë arritur atë dhe që objektivisht kanë ankthin më të madh për të ardhmen e tyre”.

Sekretari i Politikës së Emigracionit, shprehet optimist se procedura do të avancojë pa probleme. Ai shton se është bërë gjithë parapërgatitja e nevojshme njerëzore dhe logjistike, si dhe është rënë dakord me ministritë e tjera që implikohen në këtë proces, për të përshpejtuar dhënien e dokumentacionit të nevojshëm.

Sipas BBC, një tjetër risi, që shkaktoi disktuime të shumta dhe debate të ashpra parlamentare, është ajo që u mundëson emigrantëve pjesëmarrjen në zgjedhjet lokale, ku ata jo vetëm do të votojnë, por kanë të drejtë edhe të kandidojnë për anëtarë të këshillave komunale. Në të vërtetë, këtë drejtë emigrantët nuk e kanë masivisht, por vetëm ata që janë pajisur me leje afatgjata dhe që përllogariten në rreth 260 mijë vetë. Gjysma e tyre janë emigrantë me origjinë greke, por shtetësi të një vendi tjetër, homogjenë siç quhen këtu. Gjithsesi, ky ishte një vendim shumë i rëndësishëm politik i qeverisë Papandreu, por edhe përmbushje e një angazhimi paralektoral, që kryeministri i sotëm e kishte shpallur në prag të zgjedhjeve të tetorit të kaluar që e sollën në pushtet.
Për sekretarin e politikës së emigracionit, Andreas Takis, sanksionimi i të drejtës së votës, ishte një ndërhyrje e rëndësishme.

“Ky vendim, me gjithë reagimet që ishin të pritshme, është një akt ligjor që e nderon Kushtetutën dhe sanksionimin për të drejtën e pjesëmarrjes politike që sanksionohet në të. Tashmë kjo pjesëmarrje nuk përcaktohet mbi bazën e nocioneve abstrakte të gjakut apo të dheut apo ku ta di unë. Por përcaktohet me realitetin e jetesës së përbashkët dhe interesave të përbashkëta midis vendasve dhe emigrantëve, të shtrira në kohë.

Në këtë sens, besoj se është një ndërhyrje totale, e cila jo thjesht fillon, por përfundon një cikël. Përfundon moshën e trazuar adoleshente të shtetit grek dhe e vendos atë në një periudhë të re, ku demokracia, pjesëmarrja politike e gjithë komponentëve të jetës shoqërore, është themeli i bashkëjetesës tonë, i vendimeve tona të përbashkëta”, thotë sekretari për politikën e emigracionit, i cili për një kohë të gjatë ka punuar si ndihmës i Avokatit të Popullit dhe është marrë kryesisht me problemet e emigrantëve.

Sipas zyrtarit të lartë grek, dhënia e të drejtës së votës emigrantëve, do të thotë që ata tash e tutje të kenë zë dhe prezencë.
“Mendoj se emigrantët që fitojnë të drejtën e votës në këto zgjedhje, për herë të parë do të kenë zë, prezencë, do të na shohin ne grekëve në sy, në kushte të barabarta. Dhe do të jenë një auditor i cili jo vetëm dëgjon autoritetet lokale, por edhe i vlerëson, i gjykon dhe ndikon me votën e tij në zgjedhjen e tyre”.

Ministria e Brendshme ka filluar një fushatë sensibilizimi për t’i nxitur emigrantët që të shkojnë të regjistrohen në listat zgjedhore pranë bashkive të vendbanimit, madje, ministri i brendshëm nënshkroi një vendim që e zgjat afatin e regjistrimit edhe dy muaj të tjerë, deri më 31 gusht.

Ndërkaq, BBC ka komunikuar me emigrantë shqiptarë në zona të ndryshme të Greqisë, të cilët thonë se do të kandidojnë me formacione të ndryshme politike, për anëtarë të këshillave komunale, në zgjedhjet që do të zhvillohen më 14 nëntor.

Në bashki si Athina, apo në disa ishuj, emigrantët shqiptarë, përbëjnë një komunitet numerikisht të konsiderueshëm. “Dhe, nëse ligji i kufizon ata që të kandidojnë për kryetarë bashkie, me siguri duke votuar aty do të luajnë rol përcaktues në zgjedhjen e autoriteteve lokale”, citon BBC.

(d.b/BalkanWeb)

Kur në Oliena flitej shqip

Vëzhgoni periferinë e Sardenjës qëndrore që shihni këtu të fotografuar, e famëshme për verën e saj, për djathërat e saj, për eskursionet malore, për aktivitetet e saja kulturore dhe për faktin e të qënit vëndlindja e futbollistit sardenjas më të njohur në botë.



Besoj e keni kuptuar edhe vet (sepse e thot edhe vet titulli), në të kundërt ua them unë: kjo qelizë e vogël sardenjase është Oliena, ose ashtu si shqipërohet në ditët e sotëme Ulìana.

Ashtu gati si të gjitha qendrat e Sardenjës, mban një emër i cili i shpëton hetimeve të kryera shkencërisht, e dikush mendon se ka të bëje me vajin meqënëse zona është e mbushur me pemë ullinjsh (por ato i kanë sjell Pizanezët kur emri Olian egzistonte prej kohësh).
Po në zonat e Sardenjës ku nuk egzistojnë?
Të tjerëve u ka ardhur në mend Iliens-ët (bijt e …Ilio, nga ku thonë se rrjedhin një pjesë e sardenjasve Nuragic).

Hetimi im, që nis pikërisht këtu përpiqet të vëjë në dukje se si prapashtesa –ena, -ana është shumë e dendur në toponimet e substratit pre-romak; dhe pikërisht këtu shkolla mediterraneiste ka kundërshtuar: “punë afrikanësh”, ndërkohë hipoteza orientalizuese, e mbrojtur në Sardenjë vetëm nga Pittau përgjigjet : “punë etruskësh”.

Por le të shohim temën (pjesën e fillimit), e cila është Oli- dhe për momentin le të ndalemi këtu.

Duket sikur parardhësit tanë të largët, kanë dashur të na lënë qëllimisht aty këtu ndonjë gjurmë të kalimit të tyre mbi tokë, pasi duke gërmuar në nëntokën e Olienës në mesin e tetëqindës (shek. 19-të) arkeologu Giovanni Spano nxori në dritë një statujëz të epokës romake, e cila pas ribashkimit të pjesëve të thyera, u përcaktua në fillim se i përkiste Belzebù-s, mbretit të mizave të traditës semite (meqënse dukej i mbuluar nga mizat). Pastaj u përcaktua se i përkiste një figure, për të cilën deri në atë moment dyshohej nëpërmjet burimeve greke, se i përkiste Sardenjës prehistorike: asaj të Aristeo-s, prurës mitik i teknikave të reja në bujqësi, në vreshtari dhe sidomos në bletari, i ardhur, kushedi se kur nga Tebe në Boeci (klasikja dritë e lindjes “ex oriente lux” 1). Bletët e skalitura mbi gjoks tregojnë se bëhej fjalë për një statujëz kushtuar këtij shpikësi lindor; Jo vetëm kaq, por edhe vendi ku u gjet statujza fliste qartë: lokaliteti Su medde (ose “sa 'idda de su Medde”), është një variant lokal i gjuhës sarde “su mele” (mjalti) (dysor i latinishtes “Mel(l)e”). Por ajo për të cilën askush nuk u thellua në studime ishte fakti se statujza ishte gërmuar brenda në një fushë (salto 2) e njohur ndryshe: Dule (edhe sot njihet kështu).



Kjo fjalë nuk ka asnjë zbërthim të përshtatshëm në latinisht, ndërsa lexuesi shqipfolës e di që ajo bashkëtingëllon në mënyrë perfekte me shqipen: dyllë (që eshte fjalë origjinale shqiptare dhe nuk ështe huazim as latin, as turk dhe as sllav)

Atëherë, kjo mund të jetë nje rastësi, bota ështe e mbushur me ngjashmëri të rastësishme: ngjashmëria e famshme anglosaksone me atë persiane e fjalës “bad” që ka të njëjtin kuptim “i keq ”, por që origjinën etimologjike e ka të ndryshme. Pra mund edhe të jetë rastësi.

Por në librin tim gjenden edhe rrethana të tjera rastësore si këto. Madje, nëse nga një gjurmë e vogël duhet patjetër të nxirret një element deduktiv përfundimtar, unë rikthehem sërisht në Oliena për të bër një pyetje retorike: “ Një territor i cili na sjell që nga periudha e lashtesisë një statujëz kushtuar hyjnisë së bletarisë, a mund të ketë në thelb ndonjë arësye për tu përcaktuar si “vend i huallive të mjaltit”?

Përgjigja ime është po, pasi lexuesi shqiptar e njeh mire, sidomos e njeh mirë edhe ai Arbëresh (shqiptarët e Italisë), të cilët kanë ruajtur një variant akoma më të pastër të fjalës “huall” që në gjuhën e tyre tingëllon: hol-i !!!

Edhe kjo fjalë (ashtu si mendojnë studjuesit Meyer, Çabej, Demiraj dhe Orel) është indoeuropjane, e përafërt me latinishten alveus, me greqishten aulos, e mbi të gjitha me sllavishten ulьjь dhe lituanishten aulys që nënkuptojnë ”huall bletësh”.

Unë e di që në këtë pikë lexuesit skeptik do shtrembërojnë fytyrën, pasi natyrisht është e vështirë të bindesh; dhe kanë të drejtë duhet më tepër: toponomastika ka qënë gjithmon një argument i squllët me të cilën rezikon të rrëshqasësh dhe të mos ngrihesh më në këmbë.

Dakord o mosbesues, ja ku e keni të servirur.

Atëherë, në territorin e dëftuar (Oliena, Orgosolo dhe Ogliastra), ekziston një fjalë që prej dhjetra vjetësh ka çmendur në fillim Wagner (kontrollo të famëshmen DES në faqe 489), dhe më pas të gjithë gjuhëtarët: “eni”, “enis” ose “eniu”. Me këtë fjalë misterioze në këtë krahinë të Sardenjës dëftohet pema e Bërshenjës (klasifikuar, dhe ështe e rastit ta themi, me emrin taxus bacchata). Dikush mendonte se kishte lidhje me gjuhën Baske, e dikush tjetër ka thënë: nuk e di.

Është e kotë që ta them unë, shqipja e njeh tashmë: pasi për të njëjtën bimë përdor emërtimin e një (që tingëllon si emri i një këngëtareje irlandeze), e cila është një fjalë misterioze edhe për shqipen, dhe në librin tim kam kërkuar ta interpretoj ( me anë të zbërthimit indoeuropjan).

I dashur lexues, nëse deri këtu nuk kam mundur të të bind atëherë vijo të më ndjekësh: kjo ështe vetëm kopertina, faqe të tjera do vijnë, e kush e di, ndofta përgjatë rrugës për në Damastion 3, do konvertohesh edhe ti në ilirizëm!!!



1) ex oriente lux, është një frazë që përdoret për të treguar se kultura njerëzore e ka patur origjinën e saj në lindje.

2) salto, ështe një term sardo-latin me të cilin nënkuptohej një territor jashtë territorit qytetar.

3) Damastion, ishte një qytet antik në rrethinat e liqenit Ohër i banuar nga iliro-dardanët në të cilin mbreteronte në shek. e 4-ët para erës sonë mbreti ilir Bardhyli.

Bibliografia e përdorur:

Angiolillo S., “Aristeo in Sardegna” in Bollettino di Archeologia 5/61(1990), 1-9
CASTIA S., "Aristeo il protos euretes" in La Sardegna e i miti classici, Olbia 1996, 19-22
Çabej E., Studime etimologjike në fushë të shqipes, Tiranë 1982
Demiraj B., Albanische Etymologien, Amsterdam-Atlanta 1997
Meyer G., Etymologisches Wörterbuch der Albanesischen Sprache, Strassburg 1891
Orel V., Albanian Etymological Dictionary, Leiden-Boston-Köln 1998
Pianu G., “Il mito di Aristeo in Sardegna” in Zucca 2004, 96-98
Pittau M., I nomi di paesi città regioni monti fiumi della Sardegna significato origine, Cagliari 1997
Sanna S., “La figura di Aristeo in Sardegna”, in Zucca 2004, 99-111
Spano G., “Statuetta d’Aristeo in bronzo” in Bullettino Archeologico Sardo I (1855) 65-71 [testo in http://www.comune.oliena.nu.it/conosci_secondo.php?mpos=50&id=20&bar=arch]
Spiggia S., Le api nella tradizione popolare della Sardegna, Sassari, 1997
Wolf H. J, Toponomastica barbaricina, Nuoro (1998)
“ “ “La toponomastica preromana in Sardegna”, in Max Leopold Wagner. Lingua e cultura sarda, Atti Conv. Int. di ling. sarda (a cura di D. Turchi), Oliena 23-3 2003, 49-58 (2004)
Zucca R, (a cura di) LOGOS PERI THS SARDOUS. Le fonti classiche e la Sardegna, Roma 2004

(traduzione di Brunilda Ternova)

http://web.tiscali.it/sardoillirica/sardoillirica/oliena.ilirike.htm