Tuesday, September 21, 2010

Na kanë mposhtur...

Edhe jetës i kanë vendosur çmim. Edhe lindjes e vdekjes.  GJITHÇKA NE TREG !

Të rregullosh dhëmbët, duhet të paguash. Nëse nuk ke para, mund të vdesësh edhe nga një qelbëzim dhëmballe.
Të jesh i bukur, të jesh i mirë sa kushton?
Ka lindur një profesion, vrasës me pagesë quhet.
Kushton një sasi e caktuar parash, që të vrasësh dhe të mos gjykohesh si vrasës.

Të blesh një arkivol të hijshëm, të blesh respektin.

Të korruptosh punën e dikujt, të ndërhysh me para, për të shkatërruar sistemin e meritokracisë, barazisë në mundësi, apo vetë drejtësisë.
Të duash më tepër paratë, se sa njeriun. Të duash më tepër një copë letër të pajetë, të cilën e kanë krijuar njerëzit, më tepër se sa vetë një njeri të gjallë.

Të blesh zhgënjime e shesësh ëndrra. Të blesh dëshirat dhe të shesësh pasionet.
Të blihet dija.
Jo çdokush mund të ketë mundësinë ta blejë, pavarësisht etjes dhe aftësisë për të nxënë.
Ti vesh çmim dashurisë, ti vesh çmim seksit.
Të shesësh dinjitetin, të blesh të vërtetën. Të dëmshpërblesh gënjeshtrën.

Të të dhurojnë një stilolaps e një fletë, por të të vjedhin mendimet.

REVOLUCION

Vlera nuk është shumë parash,
Pasuria nuk është vetëm materiale,
malli nuk është vetëm një plaçkë, gjësendi e tregtueshme.

Malli është ndjenja, kur ke larg njeriun që e do, për vlerat e tij, virtytet, pasurinë e tij shpirtërore.
Kjo ndjenja jonë, ose për ju, ky produkti juaj, NUK MUND TE KETE ÇMIM!



Shkroi: Stop Injorancës http://www.facebook.com/NdalPaditurise2

Në sytë e një fëmije



Me lexoni ju lutem,se jam zeri dhe vuajtja e shume femijve,jam deshmimtare e dhunes psikologjike dhe fizike mbi ne femijet dhe nenen tone te dashur .Kush nga ju ne keto rreshta me lote qe po shkruaj do gjej nje fjale te vetme dhe te perbashket me realitetin e familjes time duhet ti beje vetes pyetjen :" A jam dhe une i demshem per familjen ,ne keto fjale te nje femije pasqyrohen veprimet dhe sjellja ime ?" te jeni te sigurt qe koshienca juaj do ju pergjigjet me zerin e bashkeshortes dhe engjejve qe keni sjelle ne jete.




Prinder te dashur keni ne dore jeten tone ,te ardhmen e nje femije qe nuk ka kerkuar te vije ne bote ,ia keni dhene ju mundesine te shikoje jeten me te gjitha ngjyrat ."Jam klithma pa ze e nje vajze te" rritur "11 vjeçare.Jam zeri i mbytur i nenes time.Jam shikimi i trembur i motrave te mia me te vogla".Ty "qenie njerezore" qe" jeten" na ke dhene nje dite jeta do te ndeshkoje dhe une do jem deshmimtare e vuajtjeve te tua,ta premtoj...Pyes gjithmone veten valle eshte e drejte qe nje njeri qe ka konsumuar 5 minuta per te te krijuar te jete ne gjendje te te vdes ne shpirt.
A mund ti mesosh femijes pasi ke perdorur dhunen fizike ,vish bluze me menge te gjata dhe thuaj ne shkolle qe ke ftohte kur eshte ngrohte?


A mund te duash te jetosh me nje njeri qe nenen tende perdhos ç'do dite me ofendime dhe dhune .Kthehem nga shkolla e tmerruar per ajrin qe me mungon brenda mureve te shtepise,gjej motrat te strukura dhe qe flasin me ze te ulet,gjej nenen qe qan ne heshtje dhe lotet e saj dua te fshij njehere e pergjithmone.Syte e saj kane humbur shikimin,ngjyra ka ikur prej loteve ,buzeve u eshte larguar ngjyra dhe buzeqeshja ,shpirti i saj nuk merr me fryme, dhe ,"qesh" brenda meje kur degjoj ne televisor qe ambjenti jashte eshte ndotur ,mushkerite e mia marrin ajer jashte dhe per kohen qe rri brenda ne "folene" qe keni krijuar ju dy prinderit e mi.Jam e vetedijshme qe ti nena ime nuk ke force se krahet ti ka prere,syrin ta ka xjerre,buzqeshjen ta ka nderprere dhe shpirtin ta ka bere vrer por une jam lodhur me kete jete se nuk e zgjodha une per ty ,por ju per mua .Une jam deshmimtare e nje familjeje te dhunuar dhe zeri im do luftoj qe motrat e mia mos te pesojne fatin tend dhe timin .Jam nje femije qe kerkoj trasfuzion gjaku dhe nderrim mbiemri se te çarat e shpirtit nuk ka kirurg te mi mbylli .Uroj femijeve te gjithe botes mos pesofshi fatin tim!

E-mail i dërguar tek adresa e faqes Stop Injorancës, nga një anëtare.

Kërkohet sërish rritja e çmimit të energjisë, OSSH: 11.9 për qind

Operatori i Sistemit të Shpërndarjes në Tiranë ka bërë publike kërkesën për rritjen e çmimit të energjisë elektrike me 11.9 përqind si dhe heqjen e dy niveleve të tarifimit të saj.

 OSSH propozon që çmimi të jetë 10.09 lekë për kilovat pavarësisht sasisë së harxhuar por konsumatorët thonë se një tjetër rritje e çmimit të energjisë është krejt i papërballueshëm.
 Në propozimin e tij Operatori i Shpërndarjes së Energjisë që administrohet nga investitorë të Repubikës Çeke thotë se kërkesa për rritjen me 11.9 përqind e çmimit të energjisë vjen prej investimeve të larta, sipas tij, të bëra në sistemin e shpërndarjes për përmirësimin e këtij rrjeti dhe se propozimi bëhet mbi bazën e kostos reale të energjisë në Shqipëri.

Vendimi për rritjen apo jo të çmimit të energjisë do të merret nga Enti Rregullator i Energjisë i cili paraprakisht thotë se do ta marrë mbi bazën e metodologjisë së përllogaritjes së tarifave të shpërndarjes së energjisë elektrike.

 Aktualisht konsumatori paguan 7.7 lekë për çdo kilowat deri në pragun e 300 kilowatëve dhe 13.5 lekë/kw mbi këtë prag.OSSH thotë se 70 përqind e konsumatorëve nuk e kalojnë këtë prag dhe se propozojnë heqjen e dy niveleve të tarifimit të energjisë.

 Konsumtorët e vlerësojnë shumë të lartë edhe çmimin aktual të energjisë ndërsa thonë se një rritje tjetër sado e vogël e saj është krejt e papërballueshme.
 Altin Goxhaj, Drejtor i Shoqatës së Konsumatorëve thotë se kërkesa për rritjen edhe më të çmimit të energjisë i intereson OSSH por dëmton interesat e konsumatorëve të cilët po paguajnë çmime shumë të larta për energjinë.




BBC

Grumbuj plehrash arrijnë deri në dritaret e pacientëve

Bluzat e bardha fajësojnë papërgjegjshmërinë e prindërve të pacientëve që hedhin mbeturinat. Po rrezikohet seriozisht shëndeti i pacientëve
Pamje e trishtë sa është vështirë ta besosh se je në mjediset e një spitali fëmijësh. Grumbuj të mëdhenj plehrash ngrihen shumë afër dritareve të pacientëve të shtruar në Pediatrinë e Qendrës Spitalore Universitare "Nënë Tereza". Madje, pikërisht, pacientët që kanë imunitet shumë të dobët, fëmijët më sëmundje të rënda gjaku, këto plehra i kanë shumë afër.

Bluzat e bardha të Pediatrisë theksojnë se një ambient i tillë është shumë i rrezikshëm për pacientët dhe për këtë situatë fajësojnë në radhë të parë prindërit, të cilët hedhin mbeturina nga dritarja, por edhe drejtorinë e QSUT-së, e cila nuk merr masa për t'i pastruar.
Në fakt, burime zyrtare pranë kësaj drejtorie theksojnë se ky ambient është pastruar shpesh herë, por prindërit e papërgjegjshëm të fëmijëve vazhdojnë dhe hedhin mbeturinat në këtë zonë.
Ndërsa, disa nga prindërit e pacientëve të vegjël të pyetur nga gazeta, kjo situatë u duket krejtësisht e papranueshme dhe për këtë fajësojnë edhe njerëzit që hedhin mbeturinat nga dritarja, por edhe drejtorinë që nuk merr masa emergjente për ta pastruar.
"Është e turpshme që është ky mjedis në spital. Fajtorët kryesorë jemi vet ne njerëzit që e krijojmë, por edhe drejtoria duhet të marrë masa për t'i pastruar së më shpejt mbeturinat", - pohon nëna e Joanës, pacientes së shtruar në shërbimin e Onko-hematologjisë.
Ndotja
Plehrat janë bërë grumbuj sa të krijojnë idenë se kanë shumë kohë aty. Është pamje vërtet aspak e këndshme, sepse shikon gjithfarë gjërash të hedhura në një mënyrë të shëmtuar sa edhe fëmijëve të vegjël nuk do t'iu falej.
Një hapësirë e tërë e rrethuar nga muret e larta të spitalit ngjan si një kazan i stërmadh plehrash ku të gjithë kanë hedhur sa kanë mundur mbetjet. Nëse je në katin e dytë të pediatrisë mund të ndjesh erën e mbeturinave që kundërmon.
"Është e tmerrshme. Shikojeni vetë ambientin. Mund të them se fëmijët janë të parët ata që e vuajnë këtë ambient, sepse ata vuajnë sëmundje të rënda dhe higjiena për ta duhet të jetë në maksimum, ndryshe mund t'iu rrezikohet edhe jeta.
Për fat të keq, ata duhet të vuajnë këtë mjedis që e prodhojnë të rriturit, madje prindërit e tyre, sepse i hedhin plehrat nga dritarja me papërgjegjshmërinë më të madhe", - pohon një nga mjekët e shërbimit të Onko-hematologjisë në Pediatrinë e QSUT-së, duke shtuar se kjo situatë është e pafalshme dhe se njerëzit duhet të ndërgjegjësohen që të mos ndotin ambientin, sepse veprimi që bëjnë në radhë të parë vret fëmijët e tyre.
Sipas bluzave të bardha, është e pamundur për të ndaluar hedhjen e mbeturinave që bëjnë prindërit e pacientëve, sepse ata nuk mund të rrinë roje gjithë kohës, ndaj dhe kërkohet ndërgjegjësim për ta ndalur këtë veprim.
"Para pak javësh erdhi vetë drejtori i spitalit në Pediatri dhe ne i treguam grumbujt e mëdhenj të plehrave që ishin krijuar. Në fakt, urdhëroi menjëherë punonjësit që të vinin t'i pastronin dhe kështu ndodhi. Nuk kaluan as dy ditë dhe situata u përsërit sërish dhe u arrit në këtë gjendje që po e shikoni edhe vetë", - pohon njëra nga infermieret e Pediatrisë.

Drejtoria: Prindërit të mos ndotin ambientin e fëmijëve të tyre
Prindërit e pacientëve duhet të jenë më të përgjegjshëm në radhë të parë për fëmijët e tyre, sepse janë ata që po u krijojnë një ambient aspak pozitiv, por të rëndomtë dhe të pistë. Kështu u shprehen burime zyrtare të drejtorisë së Qendrës Spitalore Universitare "Nënë Tereza", të cilët theksuan se ai ambient është pastruar disa herë, por sërish papërgjegjshmëria e qytetarëve e ka katandisur në atë mënyrë. "Është lënë sërish që të pastrohet me firmën private edhe sanitaret e spitalit.
Por, duhet të dini se kjo nuk varet vetëm nga pastrime që do të bëhet sërish, por kjo varet nga ndërgjegjësimi i njerëzve për të mos kryer veprime të tilla në një mjedis publik, aq më tepër në spital ku janë të shtruar fëmijët e tyre, sepse janë këtë të fundit që do ta vuajnë më shumë se të gjithë", - pohojnë burime zyrtare të drejtorisë së QSUT-së, duke shtuar se ky mjedis u pastrua para dy javësh dhe sërish u ndot në atë mënyrë.
Ndërkohë, burime zyrtare të QSUT-së pohojnë se në dhomat e spitalit ndodhen koshat e mbeturinave, ku njerëzit mund të hedhin plehrat në mënyrë që të mos krijojnë një ambient armiqësor për vete dhe fëmijët e tyre.
Sipas drejtorit të QSUT-së, Dashi, shefat e pavijoneve t'i dorëzojnë deri në fund të shtatorit, në të kundërt do të ketë masa administrative


Eglantina Bardhi, G. Shekulli

Sunday, September 19, 2010

Greqi, fëmijët shqiptarë pa abetare

Ne tetor, rreth 100 mijë vogëlushë shqiptarë të cilët jetojnë në Greqi, do të nisin shkollën ku do të mësojnë si të shkruajnë dhe të lexojnë në gjuhën shqipe, por ata nuk kanë tekste.


Drejtuesi i Keshillit Pedagogjik te Mesuesve ne Greqi, deklaron se Ministria e Arsimit nuk ka asnje fond per blerjen e abetareve dhe gjuhes shqipe. Vlera e parave per blerjen e abetareve dhe teksteve te gjuhes shqipe por edhe mjeteve te tjera didaktike nuk eshte me e larte se 25 mije euro.

Profesor Jovan Mehilli shton se shteti grek ka miratuar nje ligj per minoritetet, ku i jep te drejten cdo femije qe lind ne Greqi te marre shtetesine por jo te drejten e mesimit te gjuhes se vendit te tij.

Ne Greqi mendohet se jane mbi 100 mije femije shqiptare qe nuk dine te shkruajne dhe te lexojne ne gjuhen shqipe’, pohon profesori. 

T. Channel

Greqia kërkon sërish ujërat

Marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Greqisë vlerësohen nga të dyja vendet si marrëdhenie të një niveli shumë të mirë dhe partneriteti të ngushtë.
Megjithatë, hijet e nacionalizmit jo rrallë kanë shqetësuar këtë marrëdhënie, sic ndodhi 40 ditë më parë, pas vrasjes në Himarë të të riut minoritar Aristolel Guma.

Këtë shqetësim e ka ngritur gjatë takimit me kryeministrin Sali Berisha, sekretari i përgjithshëm i Ministrisë së Jashtme të Greqisë, Janis Aleksios Zepos.
Çështja nuk është trajtuar si shqetësim i qeverisë greke, por si shqetësim i rretheve politike greke.

Sic thuhet në njoftimin zyrtar, “ambasadori Zepos i bëri me dije kryeministrit Berisha për shqetësimin që ka shkaktuar ngjarja tragjike e vrasjes së të riut Aristotel Guma në rrethet politike greke, si një akt individësh të frymëzuar nga ndjenja nacionaliste”.

Por kryeministri Berisha, duke dënuar vrasjen si një akt barbar, e ka cilësuar atë një akt të izoluar, që nuk përfaqëson ndjenjat e miqësisë dhe të vlerësimit që shqiptarët ruajnë ndaj popullit fqinj grek dhe ndaj kontributit dhe ndihmës që Greqia i ka dhënë Shqipërisë në vazhdimësi.

Por, nëse vrasja e Aristotel Gumës është trajtuar nga Athina zyrtare si shqetësim i rretheve politike greke, marrëveshja për ujërat territoriale është ngritur në takimin me kryeministrin Berisha si shqetësim i qeverisë greke.

Trajtimi në këtë formë i marrëveshjes së anuluar nga Gjykata Kushtetuese shqiptare, konfirmohet në njoftimin zyrtar të Keshillit të Ministrave, ku thuhet se, “ambasadori Zepos i shprehu kryeministrit Berisha edhe një herë shqetësimin e qeverise greke për marrëveshjen e ujërave territoriale, duke e vlerësuar këtë si një marrëveshje shumë të mirë e rigoroze”.

“Pala greke, thuhet në njoftim, shpreson që edhe për këtë çështje të arrihet në një zgjidhje sa më të shpejtë”.

Megjithatë, si në takimin me kryeministrin Berisha, edhe në takimin me ministrin e Jashtëm, Edmond Haxhinasto, Zepos rikonfirmoi qëndrimin e qeverisë greke në mbështetje të plotë të integrimit sa më të shpejtë të Shqipërisë në BE, si dhe në mbështetje te heqjes sa më shpejt të vizave për qytetarët shqiptarë.

Vizita e ambasadorit Zepos në Shqiperi koincidon me ceremoninë përkujtimore që do të zhvillohet të dielën në Himarë, 40 ditë pas vrasjes së të riut minoritar Aristotel Guma.

Për ambasadorin Zepos dhe ministrin e Jashtëm shqiptar, komuniteti shqiptar në Greqi dhe minoriteti grek në Shqipëri konsiderohen si ura të forta lidhëse në miqësinë mes dy vendeve.
Në këtë kontekst, sic thuhet në njoftimin e Ministrisë së Jashtme shqiptare, Zepos dhe Haxhinasto ndanë të njëjtin mendim se dy qeveritë, shoqëria civile në të dy vendet, si dhe opinioni mediatik duhet të punojnë bashkë për të mënjanuar dhe dekurajuar cdo retorikë manipuluese, me ngarkesë nacionaliste, që nuk pasqyrojnë marrëdhëniet e shkëlqyera shqiptaro-greke dhe që mund të cënojnë perceptimin publik të këtyre marrëdhënieve.



Top Channel 

Drejtori sherr me prindërit,kyç 30 nxënës në bodrum

Ky është skandali i dytë në shkolla, pas atij të Klosit me përjashtimin e 13-vjeçarit
Një ngjarje e pazakontë ka ndodhur dje në një shkollë 9-vjeçare të Korçës. Drejtori i shkollës 9-vjeçare “Servasti Qirjazi” ka ngujuar dje në qilarin e shkollës 30 nxënës të klasës së parë. Ngjarja ndodhi pas një debati mes tij dhe prindërve të fëmijëve lidhur me kushtet e këqija në të cilat ata mësonin. Mësohet se drejtori ka reaguar në këtë mënyrë, për të mos lejuar praninë e mediave të filmonin kushtet në të cilat mësonin vogëlushët. Klasa mësohet të ketë qenë pa dritare dhe e mbuluar nga lagështira dhe errësira.

Në shenjë hakmarrje drejtori Albert Damianeci ka mbyllur dyert e shkollës, ndërsa nxënësit e klasës së parë i ka ngujuar në qilar për rreth 1 orë. Duket se ngjarja është bërë më e madhe kur ky i fundit ka lajmëruar policinë, duke ngritur një padi për dy nga prindërit. Sipas pretendimeve të drejtorit, dy nga prindërit kanë ushtruar dhunë mbi të. Policia ka shkuar menjëherë në shkollë duke liruar nxënësit që u mbajtën të mbyllur për rreth 1 orë. Në prononcimin e tij për mediat vizive drejtori ka deklaruar se nxënësit janë mbyllur në qilar pas vendimit për të lyer klasën ku mësonin, meqë ajo nuk kishte dritare dhe ishte në errësirë të plotë. Nga vlerësimi që i bëri Instituti i Higjienës, ambienti rezultoi me nivel të lartë lagështire dhe pa ndriçimin e duhut. Por ky nuk është i pari skandal që ka përfshirë këtë fillim viti shkollor shkollat në rrethe. Vetëm pak ditë më parë drejtori i një tjetër shkolle në Klos të Burrelit nuk lejonte një nxënës 13-vjeçar të hynte në mësim. Problemi nuk kishte të bënte me nxënësin por me interesa vetjake të drjetorit të shkollës dhe të bashkëshortes së tij, edhe ajo drejtoreshë në një tjetër shkollë, ku kishte mësuar më parë nxënësi 13-vjeçar.

U desh ndërhyrja e Ministrisë së Arsimit për ti dhënë zgjidhje këtij problemi. Tashmë nxënesi Mariglen Kola, vazhdon shkollën normalisht së bashku me bashkëmoshtarët e tij. Pas apelit të bërë në media Ministria e Arsimit ka lëshuar një vendim që 13-vjeçari të regjistrohet në shkollën 9-vjeçare “Tahir Hoxha”. Drejtori i kësaj shkollë Nexhmi Çollaku nuk lejonte që nxënësi të hynte në shkollë. Kundërshtimi i drejtorit prej fakteve që paraqitën prindërit e fëmijës, ishin më tepër se absurde. Sipas tyre, bashkëshortja e drejtorit Çollaku, drejtoreshë në një tjetër shkollë në fshatin Cerujë ku ka studiuar më parë Marigleni (ndërsa jetonte tek të afërmit), nuk donte që 13-vjeçari të largohej prej kësaj shkolle, pasi kjo mund të çonte në shkarkimin e një mësuesi nga puna (për shkak të numrit të vogël të nxënësve në klasë). Por këtë vit, familja Kola kishte vendosur që djalin ta shkollonte në Klos, gjë që prishte planet e drejtoreshës në Cërujë, e cila në bashkëpunim me të shoqin, drejtorin e shkollës në Klos, nuk lejonin për më shumë se 2 javë që 13-vjeçari të shkonte në shkollë. Publlikimi i lajmit në gazeta dhe televizone, vuri në lëvizje Ministrinë e Arsimit, me urdhër të së cilës, Marigleni ka të drejtë të ndjekë shkollën, duke mos u iu përplasur sërish dera në fytyrë.


T.Observer:, Entela Duraj

Skandali: Shumica shkel kushtetutën. Dy votime për të rrëzuar Presidentin e Republikës.


Pas një debati të ashpër mes pozitës dhe opozitës, i cili përfundoi me daljen e opozitës nga parlamenti, kryetarja e kuvendit,  Jozefina Topalli hapi votimin për rrëzimin e dekretetit të presidentit. Shkelja e pare flagrante e kryetares së Kuvendit, është çasti kur ajo “mëson” deputetët duke u thënë: -Votoni pro. Kjo është një shkelje sipas rregullores, sepse për ligjet bipartizane, siç ishte ligji i pronave, kreu i parlamentit, nuk mund të bëjë asnjë sugjerim.
Pasi është shpallur votimi, dhe pasi është votuar nga deputetët e shumicës, kryetarja e kuvendit, ka vërejtur se nuk kishte votat e mjaftueshme për rrëzimin e dekretit, dhe shmang deklarimin e rezultatit të votimit.

Duket se dy deputetët e Partisë për Drejtësi dhe Unitet, Shpëtim Idrizi dhe Dashamir Tahiri, nuk kishin votuar pro rrëzimit të dekretit.Thuajse në të njëjtën kohë, zyra e shtypit të PDU, shpërndan një njoftim,  sipas të cilit thuhej se deputetët e PDU, votouan kundër rrëzimit të dekretit të Presidentit në Kuvend.

Pas disa minutash, kryetarja Topalli, shpall sërish hapjen e votimit, për rrëzimin e dekretit, dukshëm, pas një telefonate të Kryeminstrit Berisha. Pas këtij votimi të dytë, dekreti është rrëzuar.


Kështu, shumica ka shkelur nenin 85 te Kushtetutes, ku shkruhet se dekreti i presidentit per rishqyrtimin e nje ligji e humbet fuqine kur kunder tij votojne shumica e te gjithe anetareve te kuvendit. Vec ketij neni ka edhe pika te tjera te rregullores qe tregojne shkeljen flagrante te kryetares se kuvendit. Rastii djeshem eshte ne vazhden e shkeljeve kushtetuese te mazhorances aktuale.

Mospasja e numrit të duhur për të kaluar një ligj a për të rrëzuar një dekret të presidentit, do të konsiderohej në çdo vend demokratik, si rënia e shumicës parlamentare e qeverisëse. Votimi i dyfishtë në rrëzimin e dekretit të Presidentit të Republikës, Bamir Topi është anti-kushtetues dhe në kundërshtim të plotë me rregulloren e kuvendit. Votimi i mbrëmshëm është një atentat ndaj parlamentarizimt shqiptar , votës së lirë, dhe një atentat ndaj ligjit themeltar të shtetit, Kushtetutës.

Korrupsioni ulet “këmbëkryq” në fakultete, pedagogët 300-700 euro kurs për një provim

MASH “dorëzohet”, 60 për qind e pedagogëve bëjnë kurse të shtrenjta si ryshfet për provimet

Pedagogët e pothuajse të gjithë fakulteteve prej vjetësh po zbatojnë një skemë abuzive duke kryer kurse private para provimeve të vjeshtës. Për shkak se një numër mjaft i lartë studentësh janë mbetës në disa provime duket se për ta mënyra më e mirë për të siguruar marrjen e tyre është frekuentimi i kurseve private para provimeve shtetërore me pedagogët e lëndës apo me pedagogë të fakulteteve të tjera.
Ky është një ritual i përvitshëm i pedagogëve e studentëve dhe një mundësi mjaft fitimprurëse për pedagogët, të cilët ushtrojnë aktivitetin e mësimdhënies pa licencë.
Studentët paguajnë rreth 300-700 për çdo kurs që zgjat rreth dy muaj.
Praktika e kurseve private të cilët dënohen me ligj dhe shprehin, korrupsion në auditorët e fakulteteve aplikohen në bazë të një regjistri që përkrah emrit të studentit shënohet paraqitja e studentit nëpërmjet shenjës së shumës së paguar. Burime nga Ministria e Arsimit dhe e Shkencës, kanë deklaruar ditën e djeshme për gazetën “SOT” se përpara këtij fakti ky institucion nuk ka asnjë skemë për të marrë masa pasi kjo gjë i takon vetëm task-forcës në Ministrinë e Financave. Edhe pse burimet e MASH i quajnë kurset private në fakultete si shkelje sërish nga ky institucion nuk është ndërmarrë asnjë masë për abuzimet, madje edhe pe pedagogët janë pushuar nga puna për këtë problem sërish pas disa vitesh ata janë futur sërish në arsim.

Abuzimi
Sipas ligjit, asnjë pedagog nuk mund të ushtrojë profesionin e mësimdhënies jashtë auditorëve të fakulteteve. Gjithçka që bëhet nga ana e pedagogëve është e paligjshme dhe abuzim me punën e kryer. Kurset zakonisht kryhen në ambientet e apartamenteve të pedagogëve por ka edhe raste banale kur kurset kryhen në orët e mbrëmjes apo të pasdites në ambientet e fakulteteve. Sipas vetë studentëve kurset variojnë nga 200 euro që është më i liri i cili i përket degëve të shkencave sociale. Sipas studentit Kristi Hasani i cili studion në vitin e katërt inxhinieri ndërtimi, një kurs i ka kushtuar plot 800 euro për dy lëndë të quajtura Analiza 1 dhe Analiza 2.
Sipas këtij studenti pedagogët edhe pse kryejnë korrupsion të rregullt nuk kontrollohen nga asnjë instancë. Sipas këtij studenti mësimdhënia mund të bëhet vetëm me licencën përkatëse, ndërsa veprimet e tjera janë në kundërshtim me ligjin për arsimin e lartë. Ky fenomen është i përhapur edhe në arsimin e mesëm, përveç arsimit të lartë. Mësuesit i adresojnë nxënësit te kolegët e tyre, “për të fshehur gjurmët” e veprimeve kundër ligjit. Ndërsa kurset më fitimprurëse janë ato të studentëve të universiteteve, ku orët e mësimit kanë një kosto më të lartë dhe kërkesa e studentëve për marrjen e provimeve është e domosdoshme.

Auditorët
Kurset zhvillohen në ambiente të marra me qira nga pedagogët që japin mësim me turne dhe orare të caktuara për çdo grup, që është ndarë sipas një numri të caktuar. Auditorët ndodhen në ambiente pallatesh, në katet e sipërme të tyre. Janë të padukshme për syrin e lirë të qytetarëve të zakonshme, ndërsa studentët i gjejnë me rekomandimet e njëri-tjetrit. Ato janë të shpërndara në disa zona të kryeqytetit, ku mund të përmendin ambientet pranë nëntë katësheve, apo pranë rrugës “Myslym Shyri” për nxënësit e shkollave të mesme. Pedagogët më të kërkuar janë ata që kanë lëndë të vështira dhe të pakapshme gjatë orëve të mësimit nga të gjithë studentët. Të tilla janë matematika, fizika, lëndë të inxhinierive, të Politeknikut, Ekonomikut etj. Këto degë janë më të paguarat dhe më të kërkuarat, madje kanë dhe një numër tepër të lartë të studentëve që i frekuentojnë. Studentët e kanë të vështirë të identifikohen për shkak të problemeve që mund t’u shkaktohen.
Një student, i cili nuk pranon të identifikohet, shprehet se zgjedhja e tij është bërë për arsye se ka mjaft provime të ngelura dhe e vetmja mënyrë është që të kryejë kurse private me pedagogë. Studenti tregon se në listat e notave të provimeve gjatë dy sezoneve, lëndët që u përkasin shkencave ekzakte kanë numrin më të lartë të studentëve mbetës. Kjo është një shtysë edhe më e madhe për të siguruar marrjen e provimeve dhe shmangien e humbjes së vitit shkollor.


Arta AGOLLI G. Sot

Varësia ndaj teknologjisë ndikon tek shëndeti

Duke nënvizuar seriozitetin e rritjes së rasteve të cilat kanë lidhje me përdorimin e aparaturave teknologjike gjatë tre viteve të fundit, Prof.Dr. Mansur Beyazyurek nga spitali Rum u shpreh me këta fjalë: "përhapja e kësaj vartësie veçanërisht tek të rinjtë përbën një problem tepër serioz për shoqërinë’.
Duke pohuar se viteve të fundit fjalët më të përdorura nga familjarët e të sëmurëve janë ‘ulet para televizorit apo kompjuterit dhe nuk di të ngrihet’  Beyazyurek u shpreh kështu :  "numri i personave të cilët nuk ngrihen për orë të tëra nga kompjuteri apo tv dhe që e harxhojnë kohen në këtë mënyrë sa vjen e rritet me kalimin e kohës. Lidhen shumë me kompjuterin apo televizorin. Ndërsa ato që nuk e lëshojnë telefonin nga dora , bëjnë fotografi apo hyjnë në internet shfaqin vartësi në lëvizje.

"Shumicën e rasteve e përbëjnë vartësia ndaj lojërave të kompjuterit dhe internetit. Duke theksuar se shoqëria jonë është e prirur dhe  e hapur ndaj ndryshimeve teknologjike prof. Dr. Beyazyurek pohoi se pajisjet teknologjike përdoren  shpejt dhe pa informacion. ‘

P.sh të gjithë kanë televizor në shtëpi. Televizorin mund ta gjeni edhe në shtëpinë e atyre personave me probleme ekonomike dhe të shtresave të varfra. Nuk mund të mendohet një shtëpi pa televizor. Unë kam jetuar ca kohë në Paris dhe kam parë profesorë që nuk kishin tv në shtëpinë e tyre. Persona të tillë nuk kanë nevojë për tv. Ato e kalojnë jetën me gjëra të tjera dhe TV i duket i panevojshëm dhe i tepërt’ – u shpreh Beyazyurek.

Beyazyurek nënvizon rëndësinë e edukimit dhe arsimimit të fëmijëve , brezit të ardhshëm sa më larg aparaturave teknologjike si kompjuteri, PlayStation, telefoni celular . Ai theksoi se vartësia ndaj produkteve teknologjike lidhet me edukimin dhe ndikon negativisht tek ai dhe përveç kësaj i pengon të jenë persona të lumtur kur të rriten.  
Beyazyurek pohoi se terapia që aplikohet për përdoruesit e tepërt të teknologjisë është e ngjashme me terapinë e aplikuar tek përdoruesit e drogës.




aa/ZAMAN - G. Start