Shqiptaret gjithnjë e më shumë po i tolerojnë burrat që divorcojnë gratë e tyre për t'u martuar përkohësisht me të huaja që të marrin status rezident në Perëndim. Prishtinë, Pejë, Skënderaj, Beograd dhe Shtutgart
Sa herë që shkon të flejë, Valbona 35-vjeçare sheh foton e saj të martesës marrë 13 vjet më parë. Përbri vetes sheh burrin e buzëqeshur. Sot, ai moment i përket historisë. Dy vjet më parë i shoqi u martua me një grua gjermane. J
o vetëm që Valbona, nëna e katër fëmijëve të tij me moshë nga 4 në 11 vjeç, e dinte planin e tij, por edhe e miratoi. Kjo sepse Valbona nuk është e ndarë me të vërtetë në sytë e familjes së saj apo bashkësisë së gjerë. Shumë shqiptarë të Kosovës i ndajnë gratë e para me pajtim të përbashkët, duke u larguar për në Evropën Perëndimore ku gjejnë nuse të reja që ua mundësojnë marrjen e letrave rezidenciale. Ata i lënë fëmijët në Kosovë që të hiqen si beqarë dhe të martohen shpejt. Sapo të kenë rezidencë të përhershme në Gjermani apo shtetet tjera të BE-së, ata i ndajnë gratë e dyta, kthehen tek e para dhe e marrin familjen me vete në Perëndim. Gjermania është destinacion popullor për kosovarët që kërkojnë gra të huaja dhe me gjasë një pasaportë evropiane, sepse aty jeton një popullsi e madhe shqiptare. Gratë, me të cilat martohen këta shqiptarë të Kosovës besojnë se kanë gjetur bashkëshortin ideal e besnik. Gjithsesi, sapo fitojnë rezidencë të përhershme në vendin pritës, pas pesë vjetësh martesë me një qytetare gjermane, ata shpesh kërkojnë divorcin. Valbona ka besim se i shoqi do të bëjë të njëjtën gjë: ta braktisë gruan e re mbas tre vitesh dhe të kthehet në Kosovë që ta marrë atë dhe fëmijët për t'i çuar në Perëndimin e pasur. "Ishte i vështirë 'divorci', por ngaqë të dy e dinim qëllimin e tij, u bë disi më i lehtë", - shpjegon Valbona, e cila jeton te dera ngjitur me vëllezërit e të shoqit bashkë me fëmijët. "Është sakrificë e madhe por po e bëj për hatër të një të ardhme më të mirë për mua e fëmijët", - shton ajo. Pa dijeninë e gruas gjermane, Valbona ka kaluar një pushim veror me ish të shoqin në Kosovë.
Përfitimet mposhtin tabunë
Në të kaluarën, familjet shqiptare nuk e pranonin divorcin kaq lehtë. Por tabuja është harruar tashti që shqiptarët e Kosovës kanë zbuluar dobinë e divorcit dhe martesës me të huaja për të marrë letrat që të jetojnë në Evropën Perëndimore. Sigurisht që jo të gjitha bashkëshortet e huaja janë njëlloj të pranueshme. Një martesë e dytë me një jo-shqiptare shihet e pavlerë në mos pastë nusja e re shtetësi të Bashkimit Evropian. Por, nëse burrat i ndajnë gratë kosovare për atë arsye, shoqëria mbyll njërin sy. Çdo muaj ish-burri i nis Valbonës para për fëmijët. Dërgesa të tilla vlejnë shumë në një vend të varfër si Kosova, ku 40 për qind e popullsisë është e papunë dhe paga mesatare mujore e atyre që punojnë është rreth 200 euro. Kosovarët që janë zhvendosur në vendet e Evropës Perëndimore sjellin në shtëpi 530 milionë euro çdo vit. Këto remitenca llogariten si rreth 13 për qind e PPB-së së vendit, sipas Bankës Qendrore të Kosovës. Sokol Havolli, zyrtar i lartë në këtë bankë, thotë se 30 për qind e ekonomive shtëpiake kosovare marrin rregullisht para nga të afërmit që jetojnë jashtë. Në sfondin e vështirësive të tilla ekonomike, shumë njerëz kërkojnë me dëshpërim të kenë të drejtën të jetojnë e të punojnë në Evropën Perëndimore. Por marrja e një vize për të hyrë në BE është e vështirë. Ndryshe nga fqinjët e tyre ballkanikë, kosovarët nuk gëzojnë të drejtën e udhëtimit pa viza brenda zonës Shengen të BE-së. Nuk shihet në horizont ndonjë zbutje e afërt e regjimit të vizave. Është pothuajse e pamundur që kosovarët të marrin shtetësi gjermane në mos të kenë lindur aty apo të kenë hyrë të vegjël dhe të kenë ndjekur shkollën aty. Por, kosovarët e rritur, si të huajt e tjerë në BE, mund të kërkojnë status rezident në Gjermani, apo Niederlassungserlaubnis, nëse kanë qëndruar legalisht në Gjermani për më se pesë vjet, arsyet për të cilën normalisht janë ose studimet e arsimit të lartë apo martesa me një shtetas gjerman.
Rritje e përqindjes së divorceve
Në kryeqytetin kosovar të Prishtinës, një qytet me popullsi rreth 600.000 banorë, zyrtarët regjistruan 127 divorce në 2007-ën. Ky numër mund të duket i ulët sipas standardeve evropiane, por është i lartë për kosovarët. Zyrtarët komunalë në Prishtinë regjistruan vetëm 36 divorce në vitin 2003. Paralelisht me numrin në rritje të divorceve, martesat me shtetas të huaj janë rritur, kryesisht me rezidentë në vendet perëndimore. Në 2009-ën, zyrtarët në Prishtinë regjistruan 98 martesa të tilla mes kosovarëve dhe grave nga Perëndimi. Shefqet Buqaj, zyrtar i komunës, pranon që di raste ku kosovarët janë rimartuar me gratë e tyre, pasi janë divorcuar nga gratë e huaja. Aftësia e zyrtarëve të monitorojnë motivet pas martesave me të huaj është e dobët, pranon ai. Kur kosovarët duan të rimartohen me gratë e para, çifti thjesht duhet të deklarojë se janë pajtuar. Por Buqaj këmbëngul që kur ata dyshojnë në motivet pas martesës së një kosovari me një grua të huaj, ata bëjnë pyetje. Një rast veçanërisht i dyshimtë përfshinte një burrë që po martohej me një të huaj e cila ishte 15 vjet më e madhe se ai, kujton ky zyrtar. Bashkime të tilla janë praktikisht të panjohura në Kosovën patriarkale, ku martesa me një grua më se një dekadë më të madhe i dhunon të gjitha traditat. Por Buqaj thotë se nuk mundën të gjenin asnjë arsye bindëse për ta penguar martesën. "Folëm me ta dhe u bindëm që nuk ishte martesë e trilluar", - thotë ai.
Gra të vetmuara perëndimore
Sonja, gjermane nga Shtutgarti, ishte cak i një shqiptari të Kosovës që kërkonte rezidencë të përhershme në Gjermani. Tashti në moshë të hershme tridhjetëvjeçare, ajo u martua me një shqiptar nga Mitrovica e veriut të Kosovës 13 vjet më parë. E papunë dhe paksa e vetmuar në atë kohë, ajo u mrekullua kur një burrë i pashëm, zijosh, pak vjet më i madh se ajo, iu afrua në një kafene në Shtutgart dhe i tha: "tung". Ajo nuk ia kishte idenë që ky burrë me gjasë beqar, në fakt, ishte martuar në moshën 18-vjeçare në Kosovë dhe ishte divorcuar para se të vinte në Shtutgart. Ajo, gjithashtu, nuk e dinte se ai kishte dalë në kërkim të një gruaje gjermane për arsye që pak kishin të bënin me dashurinë. Ata së shpejti bënë martesën, pas së cilës Sonja u zhyt në mësimin e shqipes dhe në përvetësimin e mënyrës modeste të jetesës së një shtëpiakeje kosovare, duke mos dalë më nga banesa për të takuar shoqet për kafe. "U bëra më shqiptare se një grua shqiptare", - kujton ajo. Në mënyrë të pazakontë, burri i Sonjës nuk kërkoi divorc pas pesë vitesh. Me sa duket për arsye se atëherë kishin një djalë të vogël, i cili i ndërlikonte punët. Burri i Sonjës donte të sigurohej që ai do të gëzonte kujdestarinë e plotë të të birit para se të largohej. Ata më në fund u ndanë dy vjet më parë, mbasi Sonja u pajtua t'ia linte djalin, atëherë dy vjeç të shoqit. Ai u rimartua shpejt me të shoqen e parë dhe tashti jeton jashtë Shtutgartit me të dhe djalin që ka bërë me Sonjën. Sonja nuk e di krejt historinë e martesës së saj, por disa shqiptarë të Kosovës që jetojnë në lagje i dinë mirë sekretet e ish-të shoqit të saj. Ajo di vetëm që ish-bashkëshorti i saj u martua me "një grua shqiptare që nuk kishte letra". Ajo ende beson se ajo grua u martua për dashuri dhe nuk e kupton se çka shkoi gabim.
Tradita e mënjanuar
Shumë shqiptarë të Kosovës e mbrojnë praktikën e burrave që shkojnë jashtë për të kërkuar gra të huaja të përkohshme për të përmirësuar perspektivën e tyre. Valdrin Hoxha, 23-vjeçar i papunë nga Prishtina, tha se do të bënte të njëjtën gjë po të mundte. "Do t'ia shpjegoja familjes se pasi të merrja dokumentet (e BE-së) do ta divorcoja gruan e huaj dhe do të martohesha me një vajzë kosovare", - thotë ai me vetëbesim. Vite më parë, vetëm steriliteti mund të legjitimonte ndarjen e çifteve, thotë 71-vjeçari Hamdi Veliu, nga Polaci, fshat në Kosovën qendrore. "Nëse gruaja s'mund të lindte fëmijë ajo kishte dy alternativa, të divorcohej ose të rrinte", - shpjegon ai. "Por, nëse vendoste të rrinte, duhej ta pranonte faktin se bashkëshortit i duhej një grua e dytë". "Nëse pranonte se të shoqit i duhej një grua tjetër dhe qëndronte në të njëjtën shtëpi, ajo mund ta mbante rolin kryesor në shtëpi", - thotë ai. "Sot gjendja është shumë e keqe", - thotë Veliu, duke folur me keqardhje për një kosovar që njeh, familja e gruas së parë të të cilit i bëri presion ta merrte bashkëshorten para se të ishte divorcuar nga gruaja e dytë gjermane. Ai thotë se di raste të tjera të ngjashme ku bashkëshortet kosovare jetojnë diku në Gjermani ndërsa burrat e tyre janë diku tjetër me gratë e dyta gjermane. "Situata të tilla nuk bazohen në traditën tonë", - ankohet ai. Veliu thotë se zotërimi i letrave të rezidencës në BE i jep burrave prestigj të paparë në Kosovën moderne. Me to, një burrë në të dyzetat mund të zgjedhë vajzën që do edhe nëse është 20 vjet më e re se ai. Burra të tillë shpesh përdorin mesitët për të gjetur një nuse të re. Smajl Shatraj, 60-vjeçar nga Llausha, e ka bërë këtë detyrë shpesh në të kaluarën. "Tani që shumica e vajzave duan të jetojnë jashtë, është shumë më e lehtë të bëhet [kur burri ka letra të BE-së]", - thotë ai. Në kohët e vjetra, shton Shatraj, zgjidhnin çifte që ishin pak a shumë në të njëjtën moshë dhe që dukeshin të përshtatshëm për njëri-tjetrin. Sot faktori më i rëndësishëm është nëse burri i ardhshëm i ka dokumentet e duhura. "Po e mënjanojnë traditën në favor të interesave", - psherëtin ai. Në fakt, martesat e përziera dhe veçanërisht martesat për të përmirësuar perspektivën shoqërore dhe ekonomike të burrave nuk janë krejtësisht të reja në mesin e kosovarëve. Më parë, këto martesa prireshin të bëheshin brenda kornizës së shtetit të vjetër jugosllav. Ato zakonisht ishin në formën e kosovarëve që martoheshin me serbe, të para si pjesëtare të bashkësisë më të fuqishme etnike në ish-Jugosllavi. "Përmes një martese në ish-Jugosllavi, mund të fitoje prestigj shoqëror", - shpjegon Anton Berishaj, profesor sociologjie në Universitetin e Prishtinës. Disa njerëz i hynë këtyre martesave edhe për të provuar besnikërinë e tyre ndaj idesë multietnike jugosllave, kujdeset të shtojë ai. Një dallim i rëndësishëm mes këtyre martesave dhe atyre që po bëhen me gjermanet sot, është që burrat nuk kishin shtysë të divorconin gratë pas një periudhe të caktuar. Mbesnin bashkë, shpesh duke u zhvendosur në kryeqytetin jugosllav, Beograd. Disa, si Selimët, ende jetojnë bashkë. Por, ndërsa martesa shqiptaro-serbe ishte lëvizje me përfitim shoqëror në vitet 1960 - 1970, për të cilën as që bëhet fjalë sot, pas shpërbërjes së Jugosllavisë, shpalljes së pavarësisë së Kosovës dhe rënies së marrëdhënieve serbo-shqiptare në përgjithësi. "Sot këta çifte jetojnë të stigmatizuar", - thotë profesoreshë Nada Raduski e Qendrës së Kërkimeve Demografike në Beograd.
"As morale, as të sakta"
Anton Berishaj, profesor sociologjie në Universitetin e Prishtinës, i dënon ashpër kosovarët që martohen me gra të huaja, me qëllim të marrjes së rezidencës së përhershme në Perëndim.
"Një martesë 'e dyfishtë', ku njëra palë nuk e di situatën e plotë dhe ku familjet pretendojnë se s'po ndodh asgjë nuk është njerëzore, as morale e as e saktë", - shprehet ai. Drejtuesit e të gjitha besimeve kryesore në Kosovë gjithashtu e dënuan me forcë këtë prirje. Shumica e shqiptarëve të Kosovës janë myslimanë, por ka edhe një pakicë të vogël katolike. Kleri i të dy besimeve e sheh martesën si të shenjtë. "Martesa është e përhershme dhe nuk ka kufij kohorë, ajo është e përjetshme", - thotë Bedri Syla, imam nga Skënderaj. Imami i quan të ashtuquajturit "të divorcuar", të lidhur kryesisht për të marrë letra, si tallje dhe sakrilegj. "Këto janë lojëra që shpërbëjnë familjet dhe moralin", - thotë ai, duke cituar vargje nga Kurani. Punë të tilla nuk mund të justifikohen kurrë në Islam, shton, pavarësisht nga përfitimet potenciale. Pikëpamjeve të tij i bën jehonë plotësisht Don Shan Zefi, prift katolik në Prishtinë. "Martesat si këto nuk janë të lejueshme moralisht, psikologjikisht apo ligjërisht", - thotë ai.
"Sakrifica ia vlen"
Megjithatë, Agroni 40-vjeçar thotë se ia vlen kompromisi për moralin dhe traditat me qëllim të arritjes së ëndrrës evropiane. Gdhendës i gurëve të varreve, ai tashti jeton me të shoqen në një fshat rreth 30 km larg Shtutgartit, duke pas kaluar një proces të gjatë e të vështirë të divorcimit të gruas së tij të dytë gjermane me qëllim të rimartesës me gruan e parë kosovare. Agroni përpiqet ta harrojë faktin se i është dashur ta lërë gruan e parë dhe fëmijët në Kosovë për pesë vjet ndërsa ishte i martuar me një grua gjermane. "Sakrifica ia vlen për sa kohë që nuk e harron gruan [e parë] dhe fëmijët në Kosovë", - shprehet Agroni. "Për mua, të jetosh këtu është si në parajsë", - shton ai, duke iu referuar fshatit të vogël gjerman që tashti është shtëpia e tij. Me qëllim të arritjes së një "parajse" të ngjashme, Valbona dhe katër fëmijët e saj duhet të presin edhe të paktën tre vjet të tjerë.
Duke shpresuar për një jetë të re jashtë, ajo nuk shqetësohet për kombësinë e të huajës, me të cilën është martuar burri i asaj, për sa kohë që përfundimisht ajo të shkojë në Perëndim. "Për mua, thjesht nuk më intereson", - thotë ajo. "Kushtet e mjera ekonomike na detyruan ta bëjmë këtë."
Shekulli, Jeton Musliu