Monday, November 8, 2010

Shqiptarët dhe heqja e regjimit të vizave.

Heqja e vonuar e regjimit të vizave ndaj Shqipërisë është padyshim një lajm i madh për të gjithë shqiptarët.

Sot Ministri i Brendshëm i Bashkimit Europian, sapo dha vendimin e tij përfundimtar, mbi lëvizjen e lirë të shqiptarëve në zonën Shengen. (që do të realizohet para festave të fundvitit).
Që prej afro një shekulli, shqiptarët janë të "burgosur" në kufinjtë e tyre të cunguar nga Konferenca e Londrës më 1913-ën, ku Shqipëria humbi më shumë se gjysmën e territorit dhe popullsisë së saj!

Janë me mijëra shqiptarë, që kanë humbur jetën për të emigruar në mënyrë të paligjshme. Janë mijëra të tjerë, që humbën jetën si pamundësi për të përfituar vizën, për t'u kuruar diku gjetkë në Europë. Janë me mijëra shqiptarë të detyruar të ndryshojnë identietin për një vizë, të tradhëtojnë idealet dhe besimet e tyre.
Janë me mijëra shqiptarë, që nuk kanë mundur dot të kthehen tek njerëzit e tyre, qoftë për të marrë pjesë në festimet, por edhe në fatkeqësitë familjare. Janë me mijëra shqiptarë, të ndarë prej vitesh, pa u parë. Rradhë, sakrifica, shpresa...

Janë me mijëra shokë fëmijërie të humbur, miq të ndarë nëpër Europë, prej vitesh e dekadash.
Janë me mijëra nëna, që nuk kanë parë fëmijët e tyre, janë me mijëra mbesa e nipçe që nuk kanë njohur ende gjyshërit e tyre.

Arsyet pse kjo datë, do të mbetet një datë historike janë me mijëra, që vetëm shqiptarët e dinë sa kanë vuajtur, sa janë diskriminuar, vjedhur, mashtruar, sa herë janë shkelur, vetëm sepse nuk ishin të lirë të lëviznin në Europën e tyre.

Ky proçes i nisur prej 20 vitesh, na gjen pothuajse tek të fundit në Ballkan, që përfituam heqjen e këtij regjimi vizash, prandaj të tregojmë qytetari, duke mos na mbytur euforia dhe entuziazmi.
Gjithashtu doja të shtoja se ky është një rast shumë i mirë që të gjithë shqiptarët, pavarësisht shtetit ku jetojnë, të nxitojnë të marrin pasaportat shqiptare, për të përfituar nga ky lirim. Nuk mundet të qëndrojnë të burgosur shqiptarët e Kosovës dhe tani nuk ka pse detyrohen të marrin pasaportat serbe, që të udhëtojnë të lirë.

Heqja e rregjimit të vizave, një lajm vërtetë i madh për shqiptarët, la në hije një lajm shumë të kobshëm. Shqipëria nuk plotësoi asnjë nga kriteret, si vend kandidat për në Bashkimin Europian!!!

Pra, përpara se entuziazmi t'iu  errësojë logjikën, duhet të kuptoni se ne kemi shumë e shumë punë për t'u bërë pjesë e Europës, e asaj Europe tek e cila natyrshëm kemi qenë, jemi dhe do të jemi pjesë.

Por gjithashtu është një pikë(?) e madhe, që dua t'a ndaj me gjithë shqiptarët që kanë mundësinë të më lexojnë.

Megjithëse ky lirim vizash ka në vetvehte një kontrroll shumë diskriminues e të diskutueshëm, për t'u parë me kalimin e kohës, ne do të kemi mundësinë të udhëtojmë lirshëm, sipas afatit të caktuar në gjithë zonën Shengen, shqiptarët megjithatë u diskriminuan sërish prej shtetit të tyre, duke mos u rimbursuar tek pasaportat ekzistente dhe duke vendosur një çmim të lartë të pasaportës biometrike, më të lartin në rajon.

Do të shikojmë dhe prekim për së gjalli arritjet, kulturën, traditat dhe gjithë këtë realitet të ndaluar... Mos harroni të mbeteni shqiptarë, të ndjeheni shqiptarë dhe krenarë për të qenë të tillë. Mos harroni të flisni shqip dhe t'a tregoni me krenari identitetin tuaj. Merrni gjithçka të mirë prej botës së zhvilluar dhe ofrojini  fisnikërinë, vlerat e virtytet tuaja.

Ashtu siç përfituam heqjen e këtij rregjimi, ashtu edhe rrezikojmë t'a humbasim, pasi Shqipëria është 6 muaj në provë, nisur nga fakti se kur u hoq regjimi i vizave me Serbinë e Maqedoninë, ata që u dendën të parët në Europë duke braktisur tokat e pronat e tyre, ishin shqiptarët.

Mos u tregoni racistë, diskriminues dhe shpalosni tolerancën, që na karakterizon! Tregoni dhe shpalosni kulturën tuaj!
Vizat hiqen vetëm për turizëm, as për punësim dhe as për efekt studimesh. Mos kërkoni azil politik. Informohuni rreth kohëqëndrimit dhe të gjitha rregullave të tjera, përsa i përket kësaj lëvizjeje. Mos hidhni mbeturina në rrugë, as nga dritarja e shtëpisë apo mjetit të udhëtimit. Mos pini duhan në vende publike dhe mos konsumoni alkool nëpër parqe. Mos shkelni vizat e bardha dhe respektoni kalimtarët. Repsektoni sinjalistikën rrugore. Mos tentoni të korruptoni punjonjësit e ndryshëm të shërbimeve sociale. Respektoni rregullat dhe ligjet. Pasi ti respektoni këto ligje, siç i respektojnë njerëzit e kulturuar, pasi të keni parë se sa mirë është për të gjithë mbarëvajtja, urdhëroni dhe respektoni edhe ligjet dhe rregullat në vendit tuaj Shqipëri.
Mos derdhni paratë tuaja në Europë për të shuar kuriozitetin, mos merrni para borxh për të udhëtuar. Jetojmë në një botë që po shkon drej globalizmit total, në një shoqëri kapitaliste dhe vendi ynë edhe pse me pasuri që ia ka falur natyra, sot na gjen ende të varfër ekonomikisht.
Duhet të punojmë, të luftojmë, të fitojmë dhe të çlirohemi nga robëria e varfërisë, që na ka kaplluar. E atëherë do të jemi realisht, të lirë, si shkaba në flamurin tonë.

Ne jemi diplomatët e vërtetë të shqiptarisë!
Mos harroni se Shqipërinë mund dhe duhet t'a bëjnë, vetëm shqiptarët!

Shkroi : Stop Injorancës http://www.facebook.com/NdalPaditurise2

Thirrje antishqiptare për "Vorio-Epirin"

ATHINE- Rreth 200 të rinj të ashtuquajtur anëtarë të rinisë vorio-epirote, protestuan tre ditë më parë përpara ambasadës shqiptare në Athinë, duke kërkuar të "drejtat e mohuara të Epirit të Veriut" dhe duke hedhur slogane kundër qeverisë shqiptare.

Me parullat e tyre ata kërkonin drejtësi për Aristotel Gumën, dënimin maksimal për autorët e ngjarjes së Himarës, më 12 gusht të këtij viti, mbrojtjen e pronave të vorio-epirotëve dhe mbrojtje për grekët e Shqipërisë.
Protestuesit akuzuan qeverinë shqiptare se diskriminon minoritarët. "Në Shqipëri anëtarët e minoritetit pushohen nga puna vetëm sepse janë grekë, kurse pronat e tyre janë në duart e grabitësve qeveritarë", shkruante një nga pankartat që ata mbanin në duar.

Të rinjtë minoritarë i kërkuan qeverisë shqiptare të plotësojë kushtet për mbrojtjen e minoritetit grek që jeton në Shqipëri. Ata kërkuan lejimin e tabelave në gjuhën greke në rrugët e Shqipërisë, të drejtën e shënimit të kombësisë dhe fesë në dokumentet e identifikimit, të drejtën e shkollave greqisht në gjithë jugun e Shqipërisë. Sipas organizatorëve të tubimit, në Shqipëri është mbjellë klima e frikës pas "vrasjes" së të riut nga Himara Aristotel Guma, në një aksident automobilistik, për të cilin janë para drejtësisë disa të rinj nga Vlora.
Protestuesit të mbledhur para ambasadës shqiptare në Athinë për shumë minuta mbajtën të bllokuar rrugën, duke hedhur parulla kundër autoriteteve shqiptare dhe duke kërkuar respektimin e të drejtave të "vorio-epirotëve" në Shqipëri. Presidenti i "Ne.V", shoqatës që mbron të drejtat e Epirit të Veriut, Theofanis Kaliviotis, lexoi një rezolutë që iu dërgua ambasadorit të Shqipërisë në Athinë si dhe kryeministrit shqiptar Sali Berisha dhe Presidentit të Republikës Bamir Topi. Për mëse 90 minuta protestuesit bllokuan rrugën "Kifissias" për ta mbyllur protestën me këndimin e himnit kombëtar grek.


Në paradën e festës Kombëtare të Greqisë, bashkë me koret raciste të ushtrisë greke kanë parakaluar edhe anëtarët të shoqatës "Vorio-Epiri". "Vorio-Epiri" është një shoqatë ekstremiste greke që ka pretendime territoriale, në jug të Shqipërisë prej shumë dekadash. Pak muaj më parë anëtarët e kësaj shoqate gjatë parakalimit për festën kombëtare të Greqisë, mbanin parullën "Epirin s'e falim", ndërkohë që mbajtën flamurin e shtetit të Vorio-Epirit, sipas pretendimit të tyre.
Po ashtu pjesëtarë të ushtrisë greke gjatë paradës lëshuan thirrje antishqiptare "Gjakun tënd do derdhim, more derr shqiptar" e të tjera deklarime skandaloze, që shkaktuan reagime të shumta në Shqipëri, por edhe në Greqi ku jetojnë prej vitesh rreth 1 milion shqiptarë. Thirrje të tilla nuk janë bërë vetëm në Athinë dhe qytete të tjera greke. Pas vrasjes aksidentale të të riut nga Himara, Aristotel Guma, rruga në Himarë u mbajt e bllokuar për një ditë dhe në krye të këtij akti antiligjor ishin emigrantë të rikthyer, të njohur si anëtarë të shoqatës greke SFEVA, që lufton për të ashtuquajturin Vorio-Epir.

GALERI FOTO: Protesta e ekstremisteve per Vorio Epirin Drejtuesi i Shoqates NEV, Theofanis Kaliviotis duke lexuar rezoluten kunder Shqiperise

Shekulli

Liberalizimi i vizave, sot BE-ja vendos për Shqipërinë e Bosnjen

Ministrat e Brendshëm të Bashkimit Europian do t'i japin paraditen e sotme "ok" përfundimtar lëvizjes së lirë të shqiptarëve.
Pas votimit të raportit për liberalizimin e vizave nga Parlamenti Europian, i cili e miratoi atë me 538 vota pro dhe 47 kundër, tashmë propozimi për heqjen e vizave për Shqipërinë dhe Bosnjë Hercegovinën pritet të miratohet në samitin e ministrave të Brendshëm të Bashkimit Europian në Bruksel.

Paraditen e sotme, rreth orës 10:00 zyrtarët e lartë të vendeve anëtare të BE-së do të japin "ok" përfundimtar çështjes së vizave për shqiptarët dhe boshnjakët. Heqja e vizave kërkon 2/3 e votave të deputetëve të pranishëm. Megjithëse ka pasur vende skeptike si Franca dhe Holanda, në këtë samit nuk priten kundërshtime, pas janë marrë të gjitha garancitë se vendi ynë do të qëndrojë nën vëzhgim dhe nuk do të ketë përsëritje të rastit të Maqedonisë dhe Malit të Zi, qytetarët e të cilëve vërshuan për në vendet e BE-së.

Nën rregulla të forta shqiptarët do të mund të lëvizin lirisht dhe pa viza në vendet e hapësirës Shengen. Diplomatë të Bashkimit Europian bëjnë të ditur për mediat ndërkombëtare se lëvizja e liria pritet të hyjë në fuqi pak përpara Krishtlindjeve dhe kjo mund të konsiderohet si një dhuratë e BE-së për festat e fundvitit. Lëvizja për në vendet e hapësirës Shengen do të duket të jenë sipas rregullave, në të kundërt do të ketë dënime individuale që mund të shkojë me pezullim deri në 5 vjet për të hyrë në vendet Shengen.  

Çdo qytetar shqiptarë mund të qëndrojë në një vend të Bashkimit Europian 90 ditë nga 180. Nëse nuk zbatohen këto udhëzime atëherë do të hyjnë në fuqi sanksionet. Në rast se propozimi votohet pozitivisht, ashtu siç edhe pritet, atëherë vendimi për heqjen e vizave do të hyjë në fuqi 20 ditë pas botimit në fletoren zyrtare.


Propozimi për heqjen e vizave për Shqipërinë dhe Bosnjën u bë më 27 maj nga Komisioni Europian. Ai erdhi si rezultat i një pune intensive 2-vjeçare në kuadër të dialogut për liberalizimin e vizave.
Sipas Komisionit Europian, Shqipëria dhe Bosnja kanë bërë progres në përmirësimin e sigurisë së pasaportave forcimit të kontrollit të kufijve dhe luftën kundër krimit të organizuar. Zona Shengen përbëhet nga 28 vende europiane vendet e unionit me përjashtim të Britanisë dhe Irlandës dhe tre vende të tjera jo anëtare si Islanda, Norvegjia dhe Zvicra. Përpara marrjes së dritës jeshile për hyrjen në listën e vendeve që mund të qarkullojnë pa viza Shqipërisë iu vendosën tre kushte të rëndësishme. Së pari, zbatimi i plotë i marrëveshjeve ekzistuese për ripranimin e emigrantëve të paligjshëm. Së dyti, është siguria e dokumenteve të identifikimit dhe së treti është bashkëpunimi i ngushtë në luftën kundër krimit të organizuar. Në raportin e fundit të raportuesve të Bashkimit Europian vlerësohet se të tria këto kushte janë plotësuar dhe vendit iu hapën dyert për t'u futur në procesin e liberalizimit të vizave.



Ja kriteret që duhet të plotësojnë qytetarët shqiptarë për të lëvizur në vendet e BE
Kushtet për të lëvizur pa viza
Një shtetas shqiptar nuk mund të qëndrojë në hapësirën Shengen më shumë se 90 ditë për 180 ditë kalendarike. Kjo do të thotë se për çdo shqiptar që duhet të lëvize jashtë vendit, duhet të ketë parasysh se nëse qëndron për 3 muaj në një vend të zonës Shengen, atëherë nga dita e hyrjes duhet të mbushen 6 muaj që të ketë mundësi të dalë përsëri.
Asnjë qytetar nuk ka të drejtë të punësohet.
Këto ditë mund të konsumohen të gjitha njëherësh, të hyhet ditën e parë dhe të dilet ditën e 90-të, ose mund të hyhet një numër të pakushtëzuar herësh, por po t'i mbledhësh të gjitha së bashku, nuk mund të kalojnë 90 ditë në 180 ditë kalendarike. Nëse personi do të qëndrojë në varësi të qëllimit, nëse ka një kontratë punësimi, ose nëse bën bashkim familjar, ose nëse bën pushime të gjata mbi 90 ditë në 180, ai duhet të marrë vizë në ambasadë përpara se të niset. Viza është e vetmja që konvertohet në leje qëndrimi. Asnjë mënyrë tjetër hyrje nuk ka për të qëndruar në mënyrë të ligjshme më shumë se 90 ditë. Në rast se një rregull i tillë shkelet, ashtu sikurse faji është individual, penaliteti është individual. Nëse dikush shkel rregullat e qëndrimit, ai përballet drejtpërdrejt si person me penalitet në varësi të shkeljes që ka bërë. Në çdo rast personi duhet të jetë patjetër i pajisur me një pasaportë biometrike. Ai mund të pyetet në kufi nëse ka mjete të mjaftueshme financiare, mund të pyetet për qëllimin e udhëtimit. Oficeri kufitar mund të kërkojë të shohë që personi ka apo nuk ka një sigurim shëndetësor, i cili mbulon shpenzimet në rast aksidentesh.
Nëse jeni i ftuar nga dikush si person fizik apo juridik, duhet të tregoni ftesën. Nëse nuk keni para të mjaftueshme për të përballuar shpenzimet tuaja, atëherë duhet të tregoni se kush ju ka ftuar dhe që merr përsipër të gjithë qëndrimin tuaj. Një tjetër kujdes që duhet t'i kushtojnë shqiptarët në daljen e tyre jashtë vendit, duhet të jetë dhe shuma që duhet të kenë me vete, përveç sigurimit të fjetjes. Mbi shpenzimet për fjetur dhe në varësi të vendit, si rregull midis 50-70 euro në ditë quhen të mjaftueshme për të përballuar shpenzimet e tua ditore.
Nëse personi deklaron se do të rrijë dhjetë ditë, duhet të ketë përveç fjetjes dhe 500-700 euro. Mund të kesh kartë krediti, nuk duhet që të kesh patjetër para në dorë.


Shekulli

Foto Strakosha, kandidat i PASOK-ut për zgjedhjet vendore

Zgjedhjet në Greqi, sprovë për qeverinë e Jorgo Papandreut

Të dielën në Greqi zhvillohen zgjedhjet për pushtetin lokal, ku për herë të parë do të votojnë edhe emigrantët. Por emigrantët marrin pjesë edhe si kandidatë për këshilltarë në listat e partive më të mëdha greke. Ndërkaq, ndonëse të drejtën për të votuar e përfitonin më shumë se 150 mijë emigrantë, vetëm një numër i vogël,i tyre është regjistruar në listat e zgjedhësve. “Emigrantët... për herë të parë do të kenë zë, prezencë, do të na shohin ne grekëve në sy, në kushte të barabarta,” tha Andreas Takis, sekretar i përgjithshëm i emigracionit në ministrinë e Brendshme greke. Në listën e PASOK-ut është edhe ish-portieri legjendar i kombëtares shqiptare, Foto Strakosha. 
“Sprovë për Papandreun”

Zgjedhjet kanë dalë tashmë jashtë problematikës së pushtetit lokal dhe po konsiderohen si një test i rëndësishëm për qeverinë Papandreu dhe politikat ekonomike për daljen nga kriza e thellë. Kryeministri, gjatë gjithë ditëve të fundit ka theksuar se fati i përpjekjeve të Greqisë për daljen nga kriza varet pikërisht nga zgjedhjet. “Vota jonë në zgjedhjet e 7 nëntorit është votë e një përgjegjësie të madhe ndaj atdheut dhe të ardhmes,” tha ai. “Qytetarët e vendit, të gjithë ne, do të votojmë e do të vendosim nëse atdheu do të realizojë përpjekjen e madhe për shpëtimin dhe transformimin e vendit, apo këtë përpjekje do ta lemë në mes”. Mirëpo, përtej karakterit vendimtar për të ardhmen e vendit që i atribuuan këtyre zgjedhjeve liderët e dy forcave më të mëdha politike, më 7 nëntor do të shënohet një risi që për kushtet e Greqisë. Në këto zgjedhje do të votojnë për herë të parë edhe emigrantët. Për më tepër, ata kanë fituar edhe të drejtën e kandidimit, deri në nivelin e këshilltarit bashkiak, apo të periferisë. 

Kandidatë shqiptarë
 Në gjithë zonat e mëdha zgjedhore të Greqisë kandidatët për kryetarë bashkie apo periferie kanë vendosur edhe emigrantë shqiptarë në listat e tyre. Në listën e PASOK-ut në pushtet për periferinë e Atikës, që përfshin 4 milionë banorë, është edhe ish portieri i kombëtares shqiptare, Foto Strakosha. Ndërkohë, nga rreth 150 mijë emigrantë që e përfitonin këtë të drejtë, të dielën do të drejtohen në kutitë e votimit rreth 13 mijë emigrantë. Ky numër i pakët ndoshta mund të shpjegohet me vonesat në përmbushjen e të gjitha procedurave burokratike të nevojshme në kohë për t'u përfshirë në listat e votuesve. Fakti se në këto zgjedhje vota e emigrantëve nuk do të jetë përcaktuese, ngase ata nuk u regjistruan masivisht në listat e zgjedhësve, megjithatë duket se ka evidentuar një element të rëndësishëm. Emigrantët po konsiderohen si partnerë të respektueshëm në shoqërinë greke, gjë që para disa vjetësh as që mund të imagjinohej.

“Kushte të barabarta”
Sekretari i përgjithshëm i emigracionit në ministrinë e brendshme greke, Andreas Takis, megjithatë, nuk brengoset nga numri i vogël i emigrantëve votues. Ai shprehet optimist se edhe ata që nuk arritën të regjistroheshin tani, do ta bëjnë këtë në zgjedhjet e tjera, pra pas katër vjetësh. Zoti Takis thotë se rëndësia e pjesëmarrjes në emigrantëve në votime qëndron tek filozofia pas vendimit të qeverisë. “Do ta konsideroja të pakonceptueshme nga pikëpamja e të drejtave të njeriut dhe Kushtetutës tonë, që dikush, që jeton ligjërisht për një kohë të gjatë në Greqi, të privohet nga shprehja e zërit të tij për çështjet që kanë të bëjnë me të, ashtu si dhe me të tjerët,” tha ai. “Prandaj mendoj se emigrantët që fitojnë të drejtën e votës në këto zgjedhje, për herë të parë do të kenë zë, prezencë, do të na shohin ne grekëve në sy, në kushte të barabarta. Dhe do të jenë një auditor i cili jo vetëm dëgjon autoritetet lokale, por edhe i vlerëson, i gjykon dhe ndikon me votën e tij në zgjedhjen e tyre”, tha ai. 

Robert Goro  “BBC, Athinë” 

Rritet çmimi i pasaportave biometrike

Pasaporta në kohë rekord, tri herë më shtrenjtë se viza Shengen


Rritet çmimi i pasaportave biometrike. Që prej 8 nëntorit 2010, në këmbim të 15 mijë lekëve, pasaportat biometrike për qytetarët do të jenë gati brenda 48 orëve.
Ministria e Brendshme dhe kompania “Aleat” e prodhimit të dokumenteve biometrike ka bërë publike dje procedura të reja për marrjen e pasaportës në kohë rekord. Kuponët e ‘vjetër’, me vlerë 6 mijë lekë do të vazhdojnë të shiten për qytetarët në postën qendrore, por strategjia e re e qeverisë u ka kushtuar prioritet shërbimit ekspres për nxjerrjen e dokumenteve biometrike të identitetit. Në rast se qytetarët do të aplikojnë me procedurën e vjetër, pra me kuponin 6 mijë lekësh, atëherë pasaporta e tyre biometrike do të jetë gati për 15-30 ditë. Në rast se qytetarët do të tërheqin kuponin pranë postës qendrore prej 15 mijë lekësh, atëherë ata do të kenë në duar pasaportën biometrike brenda 48 orëve.

Procedura e aplikimit
Vetëm çmimi dhe ngjyra e kuponit ka ndryshuar dhe asgjë nga modalitetet e përcaktuara më parë nga Ministria e Brendshme dhe kompania “Aleat”. Kuponi me vlerë 15 mijë lekë ka ngjyrë portokalli dhe që prej ditës së hënë do të gjendet në filialin e Postës Qendrore të Tiranës dhe në zyrën postare të njësisë bashkiake nr. 3 në Tiranë. Aplikimi do t’u mundësohet të gjithë shtetasve shqiptarë pa asnjë përjashtim, por do të aplikohet dhe kryhet vetëm pranë zyrave të “Aleat” në tri njësi bashkiake të Tiranës. Njësia bashkiake nr:3, nr:4 dhe nr:10 në Tiranë do të pranojnë aplikimet e qytetarëve shqiptarë me kuponët portokalli me vlerë 15 mijë lekë. Në rast se shtetasi aplikon deri në orën 11.00, atëherë pasaporta do të jetë gati brenda dy ditëve. Ndërsa në rast se shtetasi do të aplikojë pas orës 11.00, atëherë pasaporta do të prodhohet për tri ditë. Pasaportat e prodhuara në mënyrë të përshpejtuar do të mund të tërhiqen nga qytetarët çdo ditë në orën 16:00 në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Tiranë. Kuponi jeshil me vlerë 6 mijë lekë do të vazhdojë të jetë në qarkullim për pasaportat biometrike, por afati ligjor i parashikuar për tërheqjen e pasaportave është minimalisht 15 ditë dhe maksimalisht 30 ditë që nga momenti i aplikimit.
Ndërkohë, vlen të theksohet se fushata për aplikimin e pasaportave ka nisur që prej vitit të kaluar. Në mars 2009, qytetarët shqiptarë kanë pasur mundësinë për të aplikuar dhe për të tërhequr pasaportën biometrike me vlerë 6 mijë lekë. Për shkak të fluksit të madh të aplikimeve dhe njerëzve që duan të kalojnë Krishtlindjet jashtë Shqipërisë, marrja e pasaportës me kuponin 6 mijë lekë që pas momentit të aplikimit mund të tejkalojë edhe afatin maksimal të 30 ditëve.

Kostoja e një vize
35 euro është tarifa për vizën. 10 euro maksimumi siguracioni. Nëse me pak fat nuk të refuzohet viza, ateherë me 45 euro shkon drejt vendeve të Bashkimit Europian. Pra, në rast se më parë viza kishte një kosto prej 45 eurosh, këtë herë do të ketë një kosto pothuajse trefish për të marrë pasaportën biometrike si faturë për të udhëtuar jashtë Shqipërisë. Qytetarët shqiptarë nuk do të përballen më me ambasadat dhe më frikën e rrezikimit të mosmarrjes së vizës, por me pasaportën biometrike do ta kenë të sigurt udhëtimin në zonën Shengen. Përpos kësaj, problemet për shqiptarët nuk kanë të sosur, pasi këtë herë ata nuk do të përballen me refuzimin e vizës, por me koston e lartë që ka marrja e vizës në kohë rekord.

Në pamje të parë, duket se kjo më tepër se një favor nga qeveria shqiptare për qytetarët është kthyer në një biznes fitimprurës.


Erjon Ajazi, Shqip

Brezi i djegur dhe piramida teatrale

Këtaaa, këta janë brez i shthurur! Gjithmonë këto fjalë dëgjoj për brezin tim, por ja që në të vërtetë nuk jemi ashtu siç na thonë. Dhe pse qenkemi ne të tillë, se nuk dinë se çfarë të bëjnë me ne?

Pse qenkemi ne brez i shthurur, kur baballarët tanë, nuk lanë gjë pa prishur, hekur pa shitur, art pa fyer dhe veprime shëmtie në pa dashuri të pa menduar. Dhe kur e fyejnë artin nuk është se dinë ata ta bëjnë më mirë…
Pse qenkemi një brez i shthurur?
Se ju ngjajmë juve që nuk dilni rrugëve të protestoni? Se dilni vetëm sa herë që e kërkon politika e njërës anë? Apo se edhe ne jemi si ju, pasi as ne të rinjve nuk është se na shkon ndërmend të protestojmë ndonjëherë!Sa ngjajmë!
Çfarë kërkoni?
Ata na lanë kështu, ata dhe brezi i djegur i baballarëve të tyre. Edhe brezi im e ka një lidhje mendore me komunizmin sepse mamatë dhe baballarët tanë atë lloj ere kanë thithur. A duan të bëjnë një dhuratë për shqiptaret për 100 vjetorin e Pavarësisë? Shumë mirë, le të bëjnë stadiumin e ri, dhe si dhuratë për shqiptarët të restaurojnë atë ndërtesë dhe të merren më shumë me trashëgiminë kulturore. Pse të mos hapin një muze të ri? Pse të mos u shkojë në mendje xhanëm për të ndërtuar vetëm një teatër të ri?!

Meqë Tirana e ka humbur fatin të ketë një Kuvend të ri rrethuar me një park të madh, sot për sot është idea për të ndërtuar një ndërtesë të re që të ketë një funksion për të gjithë qytetarët. Ka ende plot vende ku mund të ndërtojnë një Kuvend të ri, dhe nëse duan të zënë parqet ashtu siç i kanë zënë nuk është ndonjë problem i madh. Kam shumë kujtime buzë Piramidës. Aty më çonin prindërit e mi kur isha i vogël veshur me paliçeta, aty haja në verë bukë me gjalpë, aty kam mësuar edhe biçikletën, kam rrëshqitur buzë saj dhe sa e sa herë kam ndrydhur këmbën, aty bëja edhe patina, aty shkoja edhe kur isha në Lice për të lënë orët e mësimit. Herët e fundit pasditeve, mbushja edhe ujë për zonjën Pa, aty kam pirë edhe disa herë... Nëse prishja e “varrit të Piramidës”, është lëvizje e radhës në këtë REPUBLIKË GJITHËSHKATËRRIMESH, (nga ku të gjithë e dimë lukun dhe përpjekjet e reja të kësaj qeverrie, për t'i bërë gjërat më mirë), nuk është se ndjell ndonjë pakënaqësi, por veç një fytyrë të re që nga dita në ditë, gati të gjithë po fillojmë ta pëlqejmë. Një shije qeverrie e munguar, një përpjekje që më shumë shëmton!

Çfarë duhet të tregohet me prishjen e Piramidës?
As që nuk e kuptoj, por edhe nuk arrij të mendoj, se me shembjen e saj, pushteti do të thotë se po bën një vepër tjetër.Aq ide e mire është, që do të ndërtohet një Kuvend i ri për këtë vend, një figurë e re qytetarie, sa të duket çudi e bukur! Por puna është pse duhet prishur ajo vepër? Si mund të ketë kaq pak ndjeshmëri mendore dhe estetike për prishjen e një ndjesie të tillë?! Madje po më çudisin shumë edhe grushtakët, që nuk po reagojnë, sepse ndoshta u heq vëmendjen nga Sheshi Skënderbej, që një zot e di se çfarë po bëhet me të!
Dy vendime për të njëjtën çështje? Pse e lanë Piramidën në atë farë mënyre, duke i zhgërryer të gjitha pllakat, që të shtronin edhe pllaka çimentosh më pas?!  
Çfarë është gjithë ky kompleks për betonin, mos është një frustrim seksual?
Ajo që të çudit me hapat e radhës, është se pse duhet të prishet një ndërtesë e tillë? Është fiks një veprim si ato të kohës së Enverit, është njësoj sikur ta hedhin në erë atë ndërtesë, është njësoj si të prishin një vepër që ka lidhje me jetën e gjatë publike! Përveç të tjerash, është më shumë se një veprim si ato të kohës së diktaturës, për të shkatërruar çdo gjë të kohës së Zogut dhe të Italisë. Gjej vend të prishim, dhe të ndërtojmë gjërat tona, sepse ajo nuk është një gërmadhë, apo një banjo publike, apo qerpiç me kallama! Megjithëse edhe këta të fundit nuk janë më në Tiranë!
Një problem tjetër është fakti se nuk kemi një Teatër Kombëtar, pse mos bëhej aty? Është më i bukur veprimi, që kur një ndërtesë që ka një funksion alla varri monumental të kthehet në shumë veprime për artin. Është pothuaj njësoj me Kombinatin Tekstil në Tiranë, vend i shkëlqyer që mund të bëhej shumë mirë si një qytet arti, për çdo gjë që mund të duan të rinjtë…

Mos vallë pas prishjes së Piramidës, duhet të merremi edhe me Muzeun Historik Kombëtar, me Pallatin e madh të Kulturës, apo me pallatin jo edhe aq të bukur të Kongreseve?

Janë ndërtesa jo edhe aq të bukura, që nuk më pëlqejnë, por që nuk duhen prishur! Po Presidencën, a duhet ta prishim? Edhe ajo u restaurua shumë shëmtuar, dhe madje nuk është edhe aq e bukur, madje i bënë një restaurim me një suva që ditën ngjan shumë e pisët!
Duket dëshira për të bërë lukun e ri të këtyre vendimeve!Një anë tjetër më thotë, se nuk ka për të ndodhur asgjë me Piramidën sepse është një nga lojërat e radhës së qeverisë dhe babait të madh, për të hequr vëmendjen. Por ndoshta nuk është një sharlatanizëm, sepse ai vetë do të tregojë që njerëzit kujtojnë se është heqja nga vemendja e rradhës, dhe për këtë këmbëngulje do të çojë fjalën e tij siç do ai vetë.
Por nga se?
Duket sikur gjërat po shkojnë mirë?! Një sharlatanizëm si ky që do ndërtohet, i munguar për teatrin e vërtetë që të bën të mendosh më shumë.Më shumë po e shkruaj këtë shkrim, si një i ri i këtij vendi, si me dëshirën ndaj atyre pak gjërave të bukura të mbetura në këtë qytet. Si metoda të vjetra të këtyre vendimeve, apo si një heqje larg mendimeve të përditshme politike, njerëzit duhet ta marrin seriozisht trashëgiminë e qytetit të tyre. Pse duhet shkatërruar dhe ndërtuar një objekt tjetër? Mos duhet të vijë ajo ditë që të shohim pamjet e një ndërtese qe hidhet ne ere me dinamit, dhe te fillojmë të kujtojmë po ato xhirime kur hodhën në erë ish ndërtesën e Bashkisë. Herë-herë ngjan edhe si një lëvizje e menduar mirë që të harxhojmë apo të vjedhim disa para më shumë, dhe në fund ta lëmë për një kohë të gjatë atë ndërtesë ashtu gërmadhë nga jashtë, ta zhveshim nga mermeri. Pra qëllimit ia arritën, objektin e shkatërruan!
Po sikur t'i çojnë këta qeveritarët tanë andej nga periferia se shumë zhurmë bëjnë?
Si ka mundësi që e kemi me kaq shumë dëshirë këtë idenë se çfarë kanë bërë të tjerët para nesh, edhe ne duhet ta prishim? Ta heqim qafe, ta zhdukim, të mos ketë më asgjë. Në vend që Tiranës t’i shtohen vepra të rëndësishme, më shumë i pakësohen. Si ndërtimi që është më prodhues në kohën e Enverit, dhe më cilësori, nuk është aspak bindëse që të kërkohet prishja e saj, sepse po të qe kështu, do të na duhet të prishim disa dhe të lëmë disa të tjera. Puna është se të ndërtosh një Kuvend të ri në ditët tona, është më shumë mbetëse historike, dhe jo aq ndërtuese. Nëse ajo ndërtesë ka baza për kohën e shkollës së arkitekturës në Shqipëri, atëherë le të lihet ashtu, dhe të tregohet se çfarë dinim të bënim mirë apo keq.

Më kujtohet shumë mirë koha kur filluan të zhvishnin nga pllakat e mermerit në atë vepër, dhe mendoja se çfarë po bëjnë me këto blloqe të mëdha pllakash? Pse duan t’i heqin në këtë mënyrë dhe ku do t’i çojnë xhanën? Mos vallë edhe Hotel Dajti do ketë një fund të tillë si Piramida?

Nipi, nuk mund ta prishë varrin e gjyshit dhe të babait, sepse ndryshe nuk mund ta dije nga ka ardhur dhe si ka qënë…

Eljan Tanini Për Gazetën TIRANA OBSERVER 5 Nëntor 2010. 

Kultura e Vinçës - hieroglifet ilire

Artifaktet ilire të gjetura në Vinçë datojnë nga mijëvjeçari VII deri IV p.e.s, ndërsa ato të shkruara me hieroglife dhe shenja datojnë nga 6000 deri 4500 p.e.s.

Siç shihet ky shkrim është më i vjetër se shkrimi sumer dhe ai egjiptas.

Artifakte të tilla janë gjetur në Vinçë afër Beogradit, Greqi, Bullgari, Rumani, Panoni lindore, Moldavi, Ukrainë jugore.
 Burimi: http://www.omniglot.com/writing/vinca.htm
Qendra ku lulëzoi dhe arriti zhvillimin kulmor kultura Vinçës shihet në këtë hartë:


Në pamjen e parë të bien në sy:
1. Svastika (kryqi gremç), simbol i ilirëve, si dhe shenja tjera të kultit të diellit, fakt i pakundërshtueshëm se ata që shkruanin me këto shkronja ishin paraardhësit e pellazgëve/ilirëve të mëvonshëm.


2. Sistemi i numërimit, nga një deri në pesë me anë shenjash, që flet për një zhvillim jo të vogël të diturisë, në atë kohë.


Hieroglife tjera dhe një shenjë e përdorur si nuskë (amulet):


Shtrirja e kulturës së Vinçës në Dardani Mysi dhe një pjesë të Panonisë. Krahinat tjera nuk janë përfshirë, në hartë.


Këtu shohim një figurë shpeze dhe dy figura kafshësh nga Vinça:

Ja çfarë thuhet këtu:
Citim:
Mbasi religjioni ilir i periudhës pararomake asht nji sektor ma pak i njohtun dhe pak i hulumtuem deri tash, simbolet e shumta diellore (kryqi gremç dhe rrathët koncentrikë), varëset e ndryshme në forma kuajsh të vegjël ... shpezësh të ujit si dhe antropomorfe, dokumentojnë nji mendim religjioz mjaft primitiv.Mbeturinat e këtij religjioni primitiv gjinden me shumicë edhe në epokën historike. P.sh. Maksimi i Tiritvërteton se Peonët e adhurojshin diellin, të paraqitun në formë rrethi.

Nga vepra ilirët e Aleksandër Stipqeviç.

http://vargmal.org/

"Lufta e karagjozëve..."

Duhet një memorial ku të jenë të shkruar të gjithë emrat e të vrarëve të 1997-ës.

Pse nuk propozohet të ngrihet një memorial për këtë, në krah të Piramidës?

Këtë pyetje unë po ia bëj dhe zotit E. Rama. Një memorial ku të jenë emrat e gjithë të vrarëve nga shteti që u shkërmoq në duart e kryeministrit aktual.

Me çfarë kuraje diskutoni të nderuar parlamentarë për E. Hoxhën kur keni një mori ngjarjesh në këto 20 vitet e fundit që i kanë bërë "konkurrencë" tronditëse asaj periudhe?

Ku është sot vendi im, në cilën rrugë është drejtuar? Cili nga ju e jep këtë përgjigje?

Asnjë, sepse ju jeni të mpirë, të deformuar disa nga paraja, disa nga frika dhe disa nga dreqi e di se çfarë. Kur shoh që kërkojnë të shembin Piramidën në emër të antikomunizmit më vjen për të qeshur e për të qarë.

Aty ishte ajo godinë e bukur prej 20 vjetësh, pse pikërisht tani?
Dhe si mund ta kuptojmë që vetë përfaqësuesit e diktaturës u dënuan me ca muaj burg për teprimet me disa kg kafe, kurse Piramida na qenka kaq fajtore sa duhet shembur?

A e dini që tingëllon marrëzi vetëm duke e menduar?

Seriozisht e keni që shkoni pas kësaj ideje të çmendur? Mjaft! Mjaft, ju injorantë që rrini në pushtet. Mjaft dhe ju të tjerët që i mbani iso kësaj qeverie që tallet me gjithçka të gjallë që ka ky vend.
Unë përmenda 1997-ën për faktin e thjeshtë se banoj në një lagje (Çole) (që ishte e lidhur ngushtë me ngjarjet e 1997-ës).

Asnjë qeveritar, asnjë politikan, asnjë vendimmarrës nuk është dënuar për atë çka ndodhi në atë periudhë.
Kjo të tmerron! Ai ishte viti i tmerrit dhe sot nuk ka përgjegjës. Dhe sot kërkojnë të merren ende me Enver Hoxhën. Turp!
Kjo është një luftë karagjozësh, të cilën ne po e duartrokasim për hir të përkatësisë politike.


Dorian Hitaj Shekulli

Deklarata e Athinës zyrtare: Duam të miratoni marrëveshjen e ujërave

Teksa situata mes Shqipërisë dhe Greqisë po tensionohet nga incidenti i varrezave, shteti helen shfrytëzon rastin të rikthejë edhe një herë për diskutim paktin detar.
Marrëveshja e ratifikuar me shumë zell nga qeveria shqiptare i hiqte vendit tonë një sipërfaqe shumë të madhe ujore. Për këtë arsye, kjo marrëveshje u rrëzua me unanimitet nga Gjykata Kushtetuese. Por Greqia duket se nuk është dorëzuar dhe dje i ka kërkuar sërish Tiranës zyrtare që të zgjidhë çështjen e kufijve detarë. Zëdhënësi i ministrisë së Jashtme greke, Gregoris Delavekuras, deklaroi dje në Athinë se ratifikimi i marrëveshjes do t'i hapë rrugë shfrytëzimit të pasurive natyrore.


"Nga ana jonë dihet tashmë se marrëveshja e nënshkruar nga të dyja qeveritë në përputhje me dispozitat e ligjit të detit është për të mirën e të dy vendeve. Siç dihet, çështja është komplikuar pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese shqiptare, por ne mendojmë se i takon Tiranës të gjejë zgjidhje për ratifikimin e kësaj marrëveshje në parlamentin e saj. Ne mendojmë se ratifikimi i kësaj marrëveshje i hap rrugë shfrytëzimit prej dy vendeve të pasurive natyrore që ndodhen në zonë. Ashtu siç e ka pohuar edhe vetë ministri i Jashtëm shqiptar, ratifikimi i kësaj marrëveshje ndikon për mirë në rrugën europiane të Shqipërisë", - tha Delavekuras.

Gjatë negocimit të parë, dy vjet më parë, grekët nuk përmendën në asnjë rast pasuritë natyrore dhe faktin që në këtë zonë ndodhen vendburime nafte, ndërsa dje e pranuan zyrtarisht këtë gjë. Pak kohë më parë, ministri i Jashtëm, Haxhinasto, pohoi se marrëveshja me Greqinë është në fazë rinegocimi dhe se shumë shpejt do të ketë një zgjidhje. Por i pyetur për këtë gjë, Delavekuras pohoi të kundërtën. Sipas tij, nuk do të ketë asnjë rinegocim të marrëveshjes dhe se ndarja është bërë një herë dhe nuk ka ndarje të dytë. Ky pretendim i Greqisë është pothuajse i pamundur, pasi Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar si ndarjen e kufijve, ashtu edhe të gjithë procesin e negocimit.


Pak kohe me pare, Komisioni i Sigurisë i ka dërguar Ministrit të Jashtëm Edmond Haxhinasto një kërkesë ku i kërkon sqarime për marrëveshjen e ujërave. Letra. sipas rregullores së Kuvendit i është dërguar më parë kryetares Jozefina Topalli. e cila më pas ja ka paraqitur Ministrisë së Jashtme. Letra mban datën 5 tetor dhe nuk është kthyer ende asnjë përgjigje. Nënkryetari i Komisionit të Sigurisë Ilir Gjoni e ka bazuar kërkesën e tij në rregullore, sipas së cilës, çdo deputet ka të drejtë t'i bëjë pyetje Kryeministrit ose çdo anëtari tjetër të Këshillit të Ministrave.

Pas rrezimit te paktit me Greqine si antikushtetues nga ana e Gjykates Kushtetuese, Ilir Meta, atehere ne krye te diplomacise, deklaroi se "Pavarësisht pretendimeve dhe rezervave, qeveria do të respektojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese, e cila rrëzoi Paktin detar me Greqinë".

Sa për marrëdhëniet me Greqinë, Meta u shpreh i bindur se ato do të ecin përpara. 

Shekulli

Friday, November 5, 2010

...atë natë 4 nëntori

Si do mundem t'a harroj
Atë natë 4-nëntori
Kur vetmia lë
ngoi

E nje klithmë mortore kumboi...

Si do mundem ti harroj duart e tua

Tentakula shpirtgllabëruese

Që një çast e përgjithmonë

Më joshën mua.

E buzët e tua që me aq ëndje i vëreja

Pranë tyre dridhesha i tëri

Por të ftohtin nuk e ndjeja.

Dhe te dy u perqafuam

Si dy trumcake te trembur

Te etur, te lire e te bashkuar.

Une tashme isha alkoolizuar

Ndersa ti droga ime,

Une rendja si i marre

Per tek ti, mberritja ime intime.

Si do mundem vallë

Të harroj natën tonë të parë

Përpëlitje hormonesh deri në agim

Kur buzët tona kishim çarë.


Si do mundem ti harroj

Lotet e pafajshem feminore te tua

Une isha shkaktari

E ato me druheshin mua

Si ti harroj netet kur ti

Rropateshe aq shume

Qe parajsa qe me ofroje

te mos me prehte ne gjume

harroje se ti ishe paqja

e paketuar ne nje doze valium

tejet emocion apokalipt

per nje djale si une

ndonese ndizeshim ne seks

sepse per njeri-tjetrin

kishim cmendurisht oreks

e une shkrihesha tek ty

dhe epshi rinor

na dehte qe te dy.


Si mund te harroj

sa eger ishe xheloze

pse une qeshja ne shoqeri vajzash

ty te bente fort nervoze

por valle harrohet

ajo aftesi qe kishe ti

kur une te pyesja i shqetesuar

ti zgjidhje te vuaje ne fshehtesi

edhe pse syte te tradhetonin

apo tregonin ciltersi

s'te bindej as zeri

qe dridhej gjithe kersheri

e pas cdo debati

gjeje kurajo ne ndonje mesazh te ri

nje akustike qe u shnderrua

ne miken e neteve-larg

te mallit, te pasionit.



Me një shqipe emocionalisht të gjymtuar

Më the : "TE DUA"

Kjo frazë që rend mes mijëvjeçarësh

Ndali botën për mua.
Kur ti ktheje goten e veres

te blere me para hua

Me aq delikatese

Keto caste nuk i zhduk dot

Nuk mund ti zhyt ne harrese


Hej, ti më bëre

Duhanin ta le

Dhe unë të bëra

Ta nisësh atë.
 

Te shtrire ne gjelberim

Prane insekteve qe kishe fobi

Yjet veshtronim

E kalimtaret jo perhere te rastesishem

Me xhelozi na shikonin

Se nga larg gjithcka duket magjike

Por nga prane me magjike

Ne te dy e jetonim

Kur ti prekje trupin tim

Bota rritej e tkurrej tek ne

Koha humbiste sens e logjike

Dhe si e marre nxitonte

Priste te ndaheshim per takimin e rradhes

E te c'lodhej te perfitonte.


Nje meteor une pashe

Dhe shpreha fshetaz per ty nje deshire

Je nje vajze fantastike

Meriton dicka me te mire

Dhe une ta urova

Kur ti quaje mekat

te shuhej kjo histori

une cuditshem mekatova

vrava lotet e mi

qe per here te pare

per ne te dy u derdhen

i injorova

dhe ata me urrejne

qetesi nuk gjejne

emocionet me rrembejne

kur kujtoj si ledhatoja

lekuren tend qe renqethej

e pushtoja

per buzeqeshjen tende

ne zemer renkoja

ti më do

dhe unë kam frikë të të dua

sepse të dua

e çdo gjë që dua më largohet

e imagjinoja

te dy te perqafuar me zerin qe na dridhej

jo nuk doja...

E lotet tona u bene zjarr

fjalet tona magjike

te putha dhe njehere

e kerkova te me mbetesh mike

se s'mund ta perballoj

te te humb plotesisht

ndaj dy fjale te mekura

le ti ndajme shoqerisht.

sepse une dua

ate qe me ben te vuaj

sepse lumturia deri me sot

per mua ka qene fjale e huaj

dhe unë jam një frikacak

që kam frikë të jem dy

që kam frikë të ta them në sy

që kam frikë që të dua

"Vetem ty"!



Kjo poezi është shkruar në vitin 2002, dedikuar datës 4 nëntor, kur një puthje e rrëmbyer pa rezistencë më dhuroi mikeshën e jetës, në krahë.
Uroj të gjithë njerëzit që me nëntorin i lidh diçka dhe të shpresojmë që pas 4 ditësh Europa do vendosë të lejojë qytetarë shqiptarë të lëvizin lirshëm në Europën e tyre.

Shkroi: Stop Injorancës - Ndal Paditurisë http://www.facebook.com/NdalPaditurise2