Tuesday, December 14, 2010

Punoj për një histori pa falsifikime

Sapo promovuat librin “Çështja shqiptare nga këndvështrimi i diplomacisë dhe gjeopolitikës së Austro-Hungarisë 1699-1918”. Na flisni diçka më shumë rreth përmbajtjes së tij.
Heroina franceze e shek XV-të, e provuar botërisht si një falsifikim i ndyrë

Shën Zhoan falsifikim http://www.dailygalaxy.com/my_weblog/2007/04/joan_of_arc_rel.html
Prof. Zenelaj: Libri “Çështja shqiptare nga këndvështrimi i diplomacisë dhe gjeopolitikës së Austro-Hungarisë 1699-1918”, libër i cili përfshin një periudhë mjaft të gjatë që nga viti 1699-1918. Është fjala për të drejtën e kultprotektoratit ndaj shqiptarëve dhe të Shqipërisë që lind që me traktatin e Karlovcit, në vitin 1699 në nenin 13 të tij me të cilin traktat Austria e fiton të drejtën e kultprotektoratit mbi të krishterët në Perandorinë Osmane e që shqiptarët atëherë ishin me shumicë të krishterë. Kjo e drejtë u vërtetua pastaj me luftërat dhe fitoret tjera të Austrisë ndaj Perandorisë Osmane qoftë me Traktatit e Sistoves, Beogradit etj. Dhe jo rastësisht më 1913 ishte Austro–Hungaria ajo që sponsorizoi dhe mbështeti fuqishëm themelimin e një shteti të pavarur në Ballkan në Konferencën e Ambasadorëve, gjë që ky shtet shqiptar i vitit 1913 në të gjitha dokumentet gjermanofone edhe quhet si:”Shteti fëmijë i Austro-Hungarisë”.
E veçanta kryesore në këtë periudhë dhe kaq të gjatë, është se për ta botuar këtë libër janë shpenzuar gjithsej 6 vjet kohë, si dhe janë shfrytëzuar dhe hulumtuar gjithsej 14 arkivat më kryesore në Evropë, që ka libri rreth 200 deri në 300 dokumente kryesore autentike të vjetra, materiale, skica, faksimile, traktate, memorandume etj.

“Bota sot”: Në përgjithësi veprat tuaja trajtojnë historinë, por që këto nuk përdoren në tekstet shkollore. Ju e shihni si mangësi këtë dukuri?
Prof. Zenelaj: Duhet të theksoj se në vitin 1956-57 kur ishte koha e Aleksandër Rankoviçit e deri në hapjen e Universitetit të Kosovës, po të gjendej një abetare në një familje shqiptare në Kosovë, ai person do të dënohej si armik i shtetit jugosllav dhe do dënohej si për një armë pa leje. Në Kosovë ka vepruar ish-sistemi jugosllav shtypës, ndërsa në Shqipëri ka ekzistuar diktatura komuniste, ndër më të ashprat në Evropë, andaj shqiptarët që shkolloheshin në Perëndim nga shteti komunist trajtoheshin dhe quheshin si të infektuar me ideologjinë mikroborgjeze ose spiunë të Perëndimit. Andaj në historinë tonë kombëtare të vërtetën e origjinës dhe të autoktonisë sonë si iliro-pellazge e zbuluan pikërisht që nga shek.15 gjermanofolësit duke filluar nga Lajbnitzi e deri Georg von Hahn më 1856. Por duhet theksuar se të gjithë arkivat e botës edhe sot e kësaj dite i mbajnë ato të vërteta arkivore mbi historinë e një populli autokton, e një populli pasardhës të iliro-pellazgëve, pra të Shqipërisë dhe të shqiptareve.

E pikërisht kjo është ajo që më ka shtyrë që të përkushtohem me mision shkencor dhe historik duke kaluar edhe pasion timin. Unë kam gjatë punimeve të mia dhe publikimit të tyre si edhe të këtij libri vazhdimisht kam përdorur gjithmonë dhe do përdor vetëm burime të vjetra e autentike arkivore të arkivave të vjetër perëndimorë. Sepse për mua historia e mesjetës lidhur me shqiptarët dhe trojet e tyre akoma përshkruhet me të meta, dobësi dhe me falsifikime, pra kjo histori mund të shpjegohet edhe më mirë e më qartë dhe të debatohet.
“Bota sot”: Sa e vështirë ishte qasja e juaj ndaj këtyre arkivave botërorë dhe ku u përqendruat konkretisht?
 Prof. Zenelaj: Në fillim, natyrisht, që kam hasur në vështirësi, sepse më është dashur të mësoj gjuhën gjermane dhe disa gjuhë të tjera dhe të mësohet mënyra profesionale e qasjes në këta arkiva, kërkohet edhe licencimi, pastaj të mësohet edhe kaligrafia. Unë kam frekuentuar deri sivjet gjithsej 14 arkiva të vjetër, ndërsa këtë vit isha 35 ditë edhe në Arkivin e Londrës që përbën tani arkivin e 15-të.

Libri që është promovua para ca ditësh, është publikimi i dytë imi gjatë hulumtimit 14-vjeçar, ndërsa në vazhdim kam edhe dy libra të tjerë në dorëshkrim. Njëri nder ta quhet: “Gjenerali shqiptar i Dinastisë së Habsburgëve” në kohen e Rudolfit II-Gjergj Dhimitër Bashta”, i cili ka qenë një kryestrateg i Evropës, janë shkruar 15 libra për të, ishte edhe guvernator i Hungarisë(Siebengürgen) dhe Rumanisë (Vllahise), i cili edhe ka folur shqip.





Projekti i fundit imi që është bërë në këta 14 vjet është “Gjenealogjia e familjes Vlora” që nga Sinan Pashë Shqiptari e deri te Babai i Pavarësisë së Shqipërisë (1912) Ismail Bej Vlora, në të cilin do të jem bashkautor me pinjollin e familjes Vlora dhe stërnipin e Ismail Qemalit, z.Darling Ismail Vlora.
Intervistoi: Bruna Merko Intervistë me prof. Eqrem Zenelajn “Bota sot”:

Zhvillimi i luftës italo-greke i vjeshtës së vitit 1940 në kufirin Shqipëri-Greqi

Përgatitja e pushtimit të Greqisë nga ana e Italisë fashiste
Në dritën e sukseseve të Hitlerit në rajone të tjera Mussolini formoi edhe më tej bindjen se lavdia perandorake italiane kërkonte ndërhyrje në Ballkan. Roli i Cianos, ashtu si për pushtimin e Shqipërisë, duket se ka qenë vendimtar për këtë.
Mirëpo, ndonëse veprimi në Ballkan përputhej me ambiciet e përgjithshme të Duçes, përcaktimi i kohës dhe drejtimi i sulmit të tij mbetej i vagullt. Duket se vetë Musolini e kishte shumë të vështirë të merrte vendime dhe Ciano ka ndikuar së tepërmi që ai të merrte vendime fatkeqe.

Aty nga prilli 1940, duket se Ciano filloi të mendonte seriozisht për një sulm ndaj Greqisë. Nisur nga konsiderata politike, veçanërisht nën trysninë gjermane, Ciano vendosi se Kosova dhe Jugosllavia duhej të prisnin ende. Ngjarjet u zhvilluan në mënyrë të ngjashme si edhe në rastin e pushtimit të Shqipërisë. Pa pritur ndonjë fjalë prej Mussolinit, Ciano nisi të mblidhte informacione, duke hedhur bazat e nevojshme dhe duke krijuar skenarët e ndryshëm të mundshëm. Gjatë vizitës së tij në Tiranë në maj të vitit 1940, Ciano përfitoi nga rasti për të pyetur gjeneralin që komandonte forcat italiane në Shqipëri, gjeneral Carlo Geloso, se sa trupa do të duheshin për të pushtuar Greqinë. Geloso, i cili vlerësonte se kjo gjë do të kërkonte dhjetë ose njëmbëdhjetë divizione dhe shfaqte pak entuziazëm rreth një projekti të tillë, u largua menjëherë nga detyra dhe u zëvendësua me Sebastiano Visconti Prascan, i cili nuk do ta bënte të njëjtin gabim. Visconti Prasca tregoi një emtuziazëm pa kufi për këtë projekt dhe nuk e vrau shumë mendjen për të mbledhur ushtrinë e nevojshme për realizimin e tij.
Besimi i Cianos u shtua edhe më kur Jacomoni i raportoi rreth shpirtit tejet luftarak të milicisë fashiste shqiptare si dhe rreth dëshirës së saj të paduruar për zgjerimin e Shqipërisë dhe të perandorisë italiane.
Por i gjithë ky raport nuk shkoi më tej sesa kaq për momentin, pasi Mussolini ishte natyrisht më i preokupuar prej shpalljes së luftës Aleatëve si dhe lëkundjeve të tij të zakonshme se ku duhej të godiste më parë. Ndërkaq entuziazmi i Cianos u dhjetëfishua kur i ra në dorë një mesazh grek i kapur nga italianët, në të cilin gjenerali Metaxa, njeriu i fortë i Greqisë, bënte fjalë për “sjelljen brutale dhe harbute” të Cianos.
Më 10 gusht, Ciano i paraqiti Duçes versionin italian të vrasjes së patriotit shqiptar nga Çamëria Daut Hoxha dhe të nesërmen Mussolini kërkoi të dhëna rreth Çamërisë si dhe i dha urdhër agjencisë italiane të lajmeve “Stefani” të niste transmetime agjitative për këtë çështje.
Brenda ditës shtypi italo-shqiptar botoi artikuj të pafund me tituj me shkronja të mëdha, që kritikonin ashpër shtypjen greke mbi popullin e Çamërisë.
Më 12 gusht 1940 Mussolini i deklaroi Cianos, Jacomonit dhe Prascas se kur Korfuzi dhe Çamëria të mos i dorëzoheshin Italisë pa luftim “Italia do të kapërcente pragun”. Lufta u afrua edhe një hap më shumë kur një nëndetëse italiane fundosi kryqëzorin e vjetër grek “Helli” në ujërat greke, në datën 15 gusht. Edhe pse kundërshtimet gjermane e patën bindur përkohësisht Mussolinin të pezullonte planet e pushtimit të Greqisë, aksioni gjerman në Rumani e nxiti atë të hidhej menjëherë në veprim. Kur, më 12 tetor 1940, trupat gjermane hynë në Rumani, Mussolini u bë si i tërbuar dhe i deklaroi Cianos se “Hitleri më vë gjithnjë përpara faktit të kryer. Kësaj radhe kam vendosur ta paguaj me të njëjtën monedhë. Ka për ta marrë vesh prej gazetave se unë kam pushtuar Greqinë.”

Lajmet nga Shqipëria ishin të gjitha pozitive. Jacomoni njoftonte se shqiptarët e Çamërisë i përkrahnin italianët dhe po gatiteshin t’i ndihmonin ata.
Jacomoni shkoi deri aty sa të deklaronte se të gjithë patriotët dhe trupat shqiptare po digjeshin nga dëshira për të çliruar Epirin njëherë e përgjithmonë.
Me gjithë këto raporte të shkëlqyera, të cilave u shtohej edhe zemërimi ndaj gjermanëve, më datën 13 tetor Mussolini caktoi 26 tetorin si datën e fillimit të pushtimit. Ndonëse ky veprim përbënte një gjë të re- në të kaluarën ai kishte vetëm direktiva- më 15 tetor Mussolini mblodhi këshillin e luftës për t’ishpallur vendimin e tij si dhe për të dëgjuar raportet e drejtpërdrejta prej ministrave dhe gjeneralëve. Ishin të pranishëm Ciano, Visconti Prasca, Jacomoni, Badoglio dhe gjeneral Mario Roatta, zëvendësshef i shtatmadhërisë italiane. Binte dukshëm në sy mungesa e përfaqësuesve të forcave detare dhe ajrore. Nga pikëpamja ushtarake Mussolini mori sigurinë se gjithçka ishe gati. Visconti Prasca njoftoi se ai e kishte përgatitur operacionin ushtarak të pushtimit në detajet më të vogla, me një përsosmëri që s’kishte se ku të vinte më, si dhe e njoftoi Mussolinin në konfidencë se grekët nuk mund të mobilizonin një ushtri më të madhe se 30.000 vetë (faktikisht kjo forcë rezultoi të ishte dhjetë herë më e lartë), forcë kjo që do të goditej dhe do të asgjësohej me disa veprime shumë të shpejta luftarake nga italianët.
Më 22 tetor,Ciano përgatiti një ultimatum që do t’i paraqitej Metaxasë. Ultimatumi në fjalë i ngjante ultimatumit që ai i kishte përgatitur edhe Mbretit Zog një vit më parë dhe në të nuk i lihej rrugëdalje tjetër Greqisë, ose pushtim ose luftë.
Greqisë i kërkohej të pranonte menjëherë pushtimin italian të disa bazave strategjike. Por kryeministri grek, Metaxaja, pa u këshilluar aspak me qeverinë e tij, dha menjëherë përgjigjen e tij të famshme “jo”. Në këto kushte mbetej vetëm fillimi i luftës...

Sulmi i ushtrisë italiane për pushtimin e Greqisë
Më 28 tetor, me tetë divizione - rreth 140.000 vetë - nën një shi të furishëm italianët shkelën Greqinë gjatë një fronti të gjatë rreth 200 km. Operacioni i këtij sulmi të parë ushtarak ishte tepër i çorganizuar, pa pika të qarta mbi atë se cilat pika të rëndësishme do të pushtoheshin, pa kurrfarë përpjekjeje për të pushtuar Korfuzin ose për të bombarduar pikat jetike të veprimtarisë ushtarake dhe administrative të Greqisë.
Megjithatë, në veprimet luftarake në bregdet italianët arritën një sukses të konsiderueshëm, duke depërtuar më 9 nëntor deri në 15 km në territorin grek. Por në qendër, përparimi i Visconti Prasca u frenua shumë shpejt. Forcat italiane që morën pjesë në këtë sulm ishin të përgatitura me nxitim, të stërvitura keq dhe të drejtuara prej oficerësh jokompetentë e me mendjen tek hierarkia. Ciano, duke e ndjerë veten keq, mbërriti në Tiranë me avion për t’u dhënë zemër gjeneralëve italianë. Frika e tij u fashit disi përkohësisht si rrjedhojë e optimizmit të vazhdueshëm të Visconti Prascas, i cili raportonte se pavarësisht prej vështirësive, trupat e tij po qëndronin mirë, madje edhe batalionet e milicisë këmishëzezë shqiptare kishin moral të lartë.
Në të vërtetë, gjendja luftarake e trupave italiane u keqësua shumë shpejt. Më 6 nëntor Ciano pranoi se iniciativa kishte kaluar në kampin e grekëve. Grekët kishin kundërsulmuar në frontin e Maqedonisë perëndimore, duke u shkaktuar disfatë pjesës më të mirë të trupave italo-shqiptare, konkretisht batalionit prej një mijë vetësh “Tomori”.
Badoglio dha urdhër që të dërgoheshin përforcime, por më kot. Beteja e Meçovës, e zhvilluar më 11 nëntor, shërbeu si model për të gjitha fitoret e tjera të njëpasnjëshme greke. Një ngjarje e veçantë që e meriton të nënvizohet për pasojat e saj negative që pati mbi popullatën shqiptare të Çamërisë në atë kohë dhe sidomos në vitet e mëvonshme ishte shpallja me dekret mbretëror në dt. 10 nëntor 1940 e ligjit 2636 për gjendjen e luftës me Italinë dhe Shqipërinë.
Ky ligj i sekuestroi pronat rreth 800 familje shqiptare të Çamërisë, duke i mbajtur në sekuestro konservative për 6 dekada me radhë, nën pretekstin qesharak se ata gjoja ishin bashkëpunëtorë të pushtuesve...
Më 14 nëntor, gjenerali Aleksandror Papagos, shef i shtatmadhorisë së ushtrisë greke, nisi kundërofensivën me një numër forcash disi më të mëdha sesa forcat italiane. Trupat e tij, të pajisura më mirë, të furnizuara më mirë si dhe të motivuara më mirë, jo vetëm që i detyruan italianët që të tërhiqeshin nga territori grek, por shumë shpejt vunë nën kontroll një pjesë të mirë të territorit shqiptar.
Korça, qyteti i tretë i Shqipërisë për nga madhësia, ra në duart e grekëve më 22 nëntor, gjë që përbënte një goditje të rëndë për prestigjin italian si dhe një ngritje të rëndësishme të moralit në radhët e ushtrisë greke. Vetëm në këtë betejë italianët patën 2000 robër, 35 topa që ranë në duatë e grekëve si dhe 600 mitraloza. Visconti Prasca, i cili fajësonte gjithkënd me përjashtim të vetes, u zëvendësua në detyrë, ndërsa Badoglio dha dorëheqjen, por pavarësisht prej këtyre lëvizjeve disfatat e italianëve ndoqën njëra-tjetrën.
Në dhjetor grekët morën Gjirokastrën,Pogradecin, Sarandën, si dhe gati 25% të territorit shqiptar. Udhëheqja italiane u kaplua nga paniku. Gjenerali Ubaldo Soddu, i cili pati zëvendësuar Visconti Prascan në detyrë, arriti në përfundimin se ky operacion ushtarak ishte i pamundur dhe se gjendja e krijuar mund të trajtohej përmes një ndërhyrjeje politike. Ciano në ditarin e tij citon Mussolinin, i cili në kulmin e poshtërimit pranoi se: “Nuk mbetet gjë tjetër për të bërë. Është groteske dhe absurde, por është fakt. Duhet të kërkojmë një armëpushim nëpërmjet Hitlerit”.
Duçja i shpëtoi poshtërimit të mëtejshëm vetëm falë motit, i cili e pengoi ofensivën greke duke e paralizuar thuajse krejt. Nga fundi i muajit dhjetor, Soddu u zëvendësua për paaftësi të përgjithshme, dhe më pas Mussolini zbuloi se ai i kalonte orët e mbrëmjes duke kompozuar muzikë filmash. Me qëllim që të rikthente moralin e humbur, në janar 1941 Mussolini u dha urdhër ministrave, zyrtarëve të lartë të Partisë dhe anëtarëve të Dhomës së Fashove dhe Korporatave që të gjithë ata që ishin nën moshën dyzet e pesë vjeç të shkonin në front në Shqipëri.
Elita fashiste, e hutuar dhe e zemëruar nga ky urdhër, u dërgua në këtë mënyrë që të luftonte në baltën, shiun dhe dëborën e maleve të Shqipërisë pa shërbyes dhe pa valixhe.
Më në fund, më 9 mars italianët, në praninë e vetë Mussolinit, nisën një kundërofensivë të fuqishme, me pjesëmarrjen e njëzet e tetë divizioneve me rreth 300.000 ushtarë, gati një e treta e krejt ushtrisë italiane.
Me gjithë epërsinë në numër e me organizim më të mirë, kjo ofensivë nuk solli ndonjë rezultat të ndjeshëm, ndaj u dha urdhri që ajo të ndalej pas pesë ditësh. Qysh prej atij çasti morali luftarak i trupave italiane u dëmtua në mënyrë të pandreqshme dhe Mussolini tashmë i ktheu sytë nga gjermanët për shpëtimin e tij. Humbjet e italianëve ishin mjaft të mëdha, 14.000 të vrarë, mbi 25.000 të humbur dhe mbi të gjitha 12.000 vetë të tjerë të ngrirë dhe gjymtuar prej acarit të dimrit.
Faji për këtë disfatë u shpërnda gjerësisht mbi të gjithë. Zenone Benini dhe Mussolini në bisedat e tij me Hitlerin ua hodhi fajin shqiptarëve.
Në të vërtetë, pavarësisht prej shpresave të mëdha të pabaza që ushqente Ciano, Jacomoni dhe Visconti Prasca, shqiptarët shfaqën një mungesë të theksuar entuziazmi qoftë për italianët qoftë për grekët.  
Forcat e armatosura shqiptare luajtën një rol fare të vogël në mbështetje të italianëve.
Mussolini pretendonte në deklaratat e tij se divizioneve italiane që pushtuan Greqinë fillimisht u ishin atashuar secilit nga dy batalione shqiptare. Ndonëse një gjë e tillë është e ekzagjeruar, të paktën dy batalione të milicisë fashiste shqiptare, “Tomori” dhe “Taraboshi”, morën pjesë në operacionet ushtarake që u zhvilluan kundër grekëve në rajonin e Korçës.
Mussolini shënonte më vonë se gjatë marsit 1941 ishin vrarë në luftime pesëdhjetë e nëntë shqiptarë dhe ishin plagosur shtatëdhjetë e tetë. Bashkëpunimi i rastësishëm i shqiptarëve me italianët ishte edhe ky mjaft i kufizuar. Megjithatë shumat e mëdha që Jacomoni shpenzoi për qëllime politike, rezultati ishte larg atij që pritej. Vërtet pati disa sabotime, veçanërisht në ndërprerjen e linjave telefonike dhe shërbimit telegrafik ushtarak grek, të kryera nga agjentë shqiptarë të paguar nga italianët, por kjo veprimtari nuk mundi të shkojë më tepër se kaq .
Gjithashtu pavarësisht prej pretendimeve të historiografisë socialiste shqiptare, e cila e vë theksin tek ndihma e madhe e popullit shqiptar për atë grek gjatë kësaj lufte, e vërteta është se shqiptarët i ndihmuan fare pak grekët gjatë kësaj lufte. Shumica e atyre veprimeve divesioniste në prapavijat e ushtrisë italiane si prerja e kabllove telefonike, rrëmbime municionesh, dhënie informatash për ushtrinë greke, etj u kryen kryesisht prej pakicës greke në jug të vendit, e cila e priti ngrohtësisht mbërritjen e trupave greke ne jug të vendit, mbështetja e pakët që shqiptarët treguan ndaj grekëve mund të kuptohet lehtësisht nga një numër qëndrimesh politike të mbajtura nga ana e qeverisë greke, të cilat ishin në vazhdën e qëndrimeve të njohura konfliktuale me shqiptarët.

Menjëherë sapo grekët kishin filluar t’i zmbrapsnin italianët drejt territorit shqiptar, gjenerali Metaxa shpalli se forcat greke po luftonin për çlirimin e Shqipërisë, por ai nuk tha asgjë për pavarësinë e Shqipërisë.
Ambasadori britanik në Athinë raportonte në Londër se “Ata (qeveria greke) nuk kanë deklaruar kurrë me saktësi se çfarë kanë ndër mend, por unë jam thuajse i bindur se i kanë drejtuar sytë nga Epiri i Veriut. Nuk e di se çfarë vije kufitare kanë ndër mend të përcaktojnë saktësisht...” Gjithashtu BBC, në një transmetim në gjuhën shqipe ditën e pavarësisë së Shqipërisë, më 28 nëntor 1940, thoshte se “grekët nuk po kërkojnë ekspansion në kurrizin tonë ose të dikujt tjetër”.
Pearson Dixon, shef i seksionit shqiptar në Departamentin e Evropës Jugore në Foreign Office, i tërbuar nga inati u shpreh se BBC-ja duhej të tregohej vigjilente ndaj propagandës së vendeve të Boshtit. Frika u shtua edhe me tej kur grekët krijuan në Korçë një këshill bashkiak në përbërje të të cilit kishte njëmbëdhjetë grekë dhe katër shqiptarë.
Gjithashtu grekët nuk i pranuan ofertat e ndryshme të shqiptarëve për ndihmë dhe bashkëpunim. Nga ana tjetër italianët, përveç akuzimit të shqiptarëve si fajtorë për humbjet e tyre, ia hidhnin fajin gjithashtu edhe njëri-tjetrit. Mussolini akuzonte si këshilltarët e tij politikë ashtu edhe ata ushtarakë dhe natyrisht kishte të drejtë, por në fund të fundit ai i kishte zgjedhur vetë këshilltarët të paaftë. Për Visconti Prascan, Mussolini arriti në përfundimin e mëposhtëm: “Çdo njeri e bën gabimin e tij fatal në jetë; gabimi im fatal është se dërgova Visconti Prascan... Materiali njerëzor me të cilin unë jam i detyruar të punoj, është i papërdorshëm, i pavlefshëm”.

Nën goditje u vendos gjithashtu edhe Ciano, duke u akuzuar se kishte përhapur dezinformim, aq sa mund të mendohet se Ciano do ta kishte humbur pozitën e tij nëse trupat italiane do të ishin flakur në det.  
Një nga shkaqet kryesorë të humbjeve që pësoi ushtria italiane ishte edhe mospërgatitja.
Mund të duket e pabesueshme, por dy javë para pushtimit Mussolini, pa u këshilluar fare me komandantin e shtatmadhorisë, urdhëroi një çmobilizim në shkallë të gjerë, duke dërguar rreth 600 000 ushtarë të stërvitur, ose gjysmën e ushtrisë në shtëpi. Ky proces do të vazhdonte deri në nëntor, kështu që të gjithë ata që morën pjesë në sulm ishin të sapo thirrur nën armë dhe krejtësisht të pastërvitur. Ndërkohë Badoglio i pranoi të metat e ushtrisë dhe vlerësimi që i bëri ai problemit ishte në thelb i drejtë, sido që nuk i doli ballazi Mussolinit. Ciano citon fjalët e tij vetëm pak kohë para dhënies së dorëheqjes: “Nuk ka dyshim se Jacomoni dhe Prasca kanë një pjesë të madhe përgjegjësie në çështjen shqiptare, por faji i vërtetë duhet kërkuar gjetiu. Ai gjendet krejtësisht te komandimi i Duçes”.
Ndërkaq, gjermanët e shihnin disfatën italiane në Shqipëri me acarim dhe alarm, pjesërisht, ndoshta, sepse ata mund të kishin qenë në gjendje ta ndalonin atë. Nga Tirana, përfaqësuesi gjerman Pannwitzi njoftonte me telegram se shpresat e italiane që shqiptarët t’i ndihmonin ishin kryesisht pa bazë dhe të paqena. Gjenerali Enno von Rinteln, atasheu ushtarak gjerman në Itali, i cili i ra kryq e tërthor Shqipërisë në fund të nëntorit 1940, shtoi shkaqe të tjera rreth dështimit italian. Në raportin e tij ai përfundonte se italianët ishin krejtësisht të papërgatitur për këtë sulm. Ai nënvizonte problemin e transportit për të cilin nuk shihte ndonjë zgjidhje të shpejtë. Ai komentonte se furnizimi me municione dhe ushqime i frontit ishte i pamjaftueshëm, ku një nga arsyet mund të ishte edhe korrupsioni në prapavija... Pas kërkimit të ndihmës, gjermanët u përpoqën t’i dilnin të keqes përpara si ushtarakisht ashtu edhe diplomatikisht. Deri në 9 dhjetor, 50 aeroplanë Junker 52S u transferuan në Romë dhe kryenin fluturimet nga Foggia në Shqipëri.

Njëkohësisht, gjermanët panë edhe mundësinë e një zgjidhjeje diplomatike në formën e një paqeje të posaçme vetëm mes Italisë dhe Greqisë, ku parashikohej që Greqisë t’i jepeshin disa territore shqiptare. Por pas puçit të organizuar në 27 mars në Jugosllavi dhe rrëzimit të regjentit, princit Pavël nga froni, të gjitha planet e gjermanëve ndryshuan tërësisht.  
Më në fund, italianët u shpëtuan nga gjermanët në prill të vitit 1941 nëpërmjet sulmit të armatosur gjerman dhe disfatës së shpejtë të Jugosllavisë dhe Greqisë. Grekët përballë sulmit gjerman pësuan disfatë të menjëhershme, u dorëzuan dhe kështu Greqia u pushtua nga trupat gjermane dhe ato italiane.


Petrit Kaziu, G. Standart

Saturday, December 11, 2010

Të Dua !

Ti
shpeshherë je bosh,
shpeshherë ndjehesh
"ashtu si kot".
Ballin
zakonisht të vrenjtur,
buzët,
përgjithsisht të shtrembëruara.

Të dhemb koka,
shpina e stomaku,
ti gjithmonë ke diçka
për t'u ankuar.

Ti gjithmonë pret,
çdo sjellje jotja është pasojë
sepse ti kurrë diçka
vetë nuk e ke nisur.

Ti nuk pyet,
e kur heshtjen vret
këto janë rastet e vetme
kur kërkon pak "muhabet".

Kur është për të ardhur keq
e përjeton shumë, më shumë,
kur është për të qeshur,
pak e më pak.

Ti gjithmonë kujtohesh
kur është tepër vonë,
kërkon të pamundurën,
por e do edhe në sekondë.

Nuk kursen asnjë fjalë
për të thënë fjalët e liga të tua
në ato pak fjalë,
që gjithmonë me zë të lartë thua.

Kur flet për veten
i drejtohesh gjithmonë në emër,
kur flet për të tjerët
u vendos epitete.

Thua "më fal"
kur padashur më shkel këmbën,
por nuk ul hundën kurrë
kur më shkel zemrën.

Përballë teje edhe koha dorëzohet
kur je e ngurtë,
me ty gjithçka e kurdoherë
nuk është e sigurtë.

E kupton botën, njerëzit,
pikërisht në çastet kur shfryn,
ti je nëna e hiperbolës
dhe mbesa e përgjithsimit.

Ti gërric ore e çast
herë pa takt e herë pa shkak,
urren monotoninë,
por prej teje  edhe ajo ndjehet xheloze.

Imagjinon dhe inskenon në variantet më perverse
për ndodhitë më të pafajshmet,
plot konspiracione e komplote
që të vërtiten veç ty nga pas.

Di të mbash inat
e t'a shumëfishosh atë rrezikshëm.
Kur ndjen dhimbje
dyfish e shfaq
kur ndjen kënaqësi,
i fsheh si amatore.

Ti ke alergjitë madhe
të të imitojnë,
por nuk ndjen fare keqardhje
kur si karikaturë shpjegon.


Në seks,
e turpshme si gjithmonë
përkëdhelesh në qindra sponde
vetëm për të mos treguar sa e dëshiron.




Kjo je ti,
në atë gjysmën s'e njeh, s'e thua,
e imagjinon tani sa e plotë je,
që unë përsëri e më fort
TE DUA ?!


Shkroi: Stop Injorancës http://www.facebook.com/NdalPaditurise2

Lotët e Shkodrës

Shkodra e përmbytur akuzon sot gjithë Shqipërinë dhe të gjithë shqiptarët.
Ishte një tragjedi ndoshta e paevitueshme, por përmasat e katastrofës mund të ishin padyshim më të zbutura. Ndihma dhe gatishmëria, më efikase. Solidariteti njerëzor dhe energjia shtetërore, shumë më intensive.

Drama shkodrane, përgjithësisht dramat e Shqipërisë veriore, janë një peshë e rëndë, gati historike, në ndërgjegjen e politikës shqiptare. Shkodra ka qenë dhe mbetet një tempull kulture shqiptardashëse, një kështjellë antikomuniste dhe pro-oksidentale në Vendin tonë, gjysmë feudal, gjysmë oriental, gjysmë bizantin, gjysmë komunist, gjysmë rrënjëdalë dhe hera-herës, krejtësisht i shtirur dhe hipokrit.
Duket sikur Shkodra qytetare, shkrirë ëmbël me malësinë e saj fisnike, me krenarinë e bëmave të saja historike, nuk është shkrirë dhe nuk “shkrihet” edhe sa duhet me frymën përgjithësisht mediokre që ka qeverisur Shqipërinë këto 100 vitet e fundit. Shkodra, Kryeqyteti i Veriut shqiptar, e dërrmuar  nga Diktatura Komuniste që vinte kryesisht nga Jugu, Shkodra e Fishtës apo pse jo edhe e Tuk Jakovës, Shkodra e At Zef Pllumit dhe e Migjenit, duket si një trevë e dënuar, sistematikisht e persekutuar, nga pjesa tjetër e Vendit.

Nga ana tjetër, askush nga “Miqtë” - “Armiq” që ka patur Shqipëria nuk e ka dashur Shkodrën, patriotizmin e saj të thellë, shpotinë dhe humorin e saj therës dhe njëkohësisht të etiketuar si një inteligjencë “reaksionare”.  
Shkodra e Katedraleve të shkatërruara, Shkodra e Tempujve të hedhur në erë me dinamit, Shkodra e klerikëve të arrestuar dhe të pushkatuar, ka patur gjithmonë mbi krye hijen e një krahine të braktisur, në fatin e vet të mjeruar.

Një diamant i hedhur në kënetë, kjo është Shkodra.

Është folur dhe shkruar shumë këto ditë për Shkodrën e përmbytur, deklarata false, lot krokodili apo premtime boshe, shumë pak apo aspak ndihmë reale, më së shumti fjalë, sepse Vendi ynë nuk është i përgatitur për situata emergjence dhe gërryerja e korrupsionit e ka goditur rëndë në të gjitha krahët.

Dhe mekanizmat e ndryshkur ngecin. Dhe mekanizmat që figurojnë veç ndër letra, janë si letra, letër! Shkodra, e goditur sot nga një hall i madh, duhet pra së pari ta përballojë vetë, ashtu si dhe po bën, këtë gjëmë që vjen nga qielli, toka dhe njerëzit e korruptuar. Shkodra dëshmon përmes mjerimit të saj të sotshëm, mjerimin e të gjithë Shqipërisë së pambrojtur nga hakërrimet e natyrës. Shqipërisë së përçarë, në principata dhe princa të vetëshpallur dhe fodullë, që luftojnë veçse për pushtet dhe para, para dhe pushtet.
Kjo goditje që Shqipëria mori në Shkodër, dëshmon se si dhe se sa është e keqndërtuar shoqëria shqiptare, se si dhe në çfarë dekadence është sot klasa politike e pafuqishme e saj.  
Në këtë tragjedi lëvizin vetëm dy protagonistë: Kryeministri, në siklet dhe tension të paparë dhe shefi i opozitës, i ndërsyer, kundër qeverisë dhe Kryeministrit. Një pamje e trishtueshme.

Shohim pastaj ca kukulla ministrish me zëra dhe gjeste inkompetente, që duke kërcyer si karkaleci shfarosës, nga një tender në tjetrin, hidhen të “përlotur”, e bëjnë një qokë përpara kamerave me sfond hallin e shkodranëve. Kjo emergjencë e gjeti qeverinë të dobët, paçka se Kryeministri është i fortë. Sado që Doktori e gdhin në Shkodër, ministrat dhe drejtorët kukulla flenë në pupla, sepse e rehatshme është vërtet, për pushtetin, të ketë shumë kukulla në kabinet, por kur pllakos halli, kur pllakos pra halli i madh, duhen burra dhe burrnesha.

Duhet një gardh profesionistësh dhe patriotësh që t’i vënë shpatullën dhe gjoksin hallit kombëtar që ka shpërthyer dhe po vret Shkodrën dhe gjysmën e Shqipërisë.

Duhen shqiptarë që të marrin gjak në vetull, që kanë dhimbje, që kanë përgjegjësi të thellë për Vendin e tyre dhe jo thjesht karkaleca të bindur si kukulla dhe që të vetmen zotësi kanë “besnikërinë” dhe nënshtrimin, si dhe kallot e duartrokitjeve servile të shefit ndër shuplaka.
Kjo i bën lotët e Shkodrës edhe më të hidhur dhe shpresën e saj edhe më të pashpresë.

Artur Zhei, Mapo

Thirrjet për Xhihad, dënohet me 5 vjet burg Artan Kristo

Tiranë- Artan Kristo është shpallur dje fajtor nga Gjykata e Durrësit për thirrje që nxisin terrorizmin.
Pretendimet e Kristos, apo siç njihet ndryshe, Muhamed Abdullahi se akuza e ngritur ndaj tij është e pabazë dhe e inskenuar, nuk e shpëtuan atë nga burgu. Mesditën e djeshme, Gjykata e Durrësit shpalli fajtor dhe dënoi me 5 vjet heqje lirie Artan Kriston, i akuzuar për “nxitje, thirrje publike dhe propogandë për kryerjen e veprave me qëllime terroriste”.
Kristo u shpall i pafajshëm për akuzën e vënies në përdorim të mjeteve apo fjalëkalimeve kompjuterike, vepër penale kjo që parashikon dënimin me 4 vjet heqje lirie. Ndryshe nga akuza e parë, për ndërhyrjen në sistemet kompjuterike të disa prej institucioneve më të rëndësishme në vend, prokuroria nuk mundi të çojë para gjykatës prova bindëse, duke bërë që trupi gjykues ta shpallë të pafajshëm hoxhën e Rrashbullit.

Gjatë gjithë procesit gjyqësor, por edhe pak minuta para shpalljes së vendimit përfundimtar, avokati mbrojtës i Kristos pretendoi se në akuzat që prokuroria i atribuon klientit të tij, nuk ekziston fakti penal. Një nga provat e paraqitura nga mbrojtja është fjala e vetë Kristos, i cili pasi i përgjigjet pyetjes së një besimtari nëse ka Xhihad në botën e sotme, në fund thotë se këto gjëra (lufta për xhihad) nuk janë të mundura në këtë kohë. Por prokuroria argumentoi se në një video të postuar në forumin “Albselefet”, e më pas në faqen “Youtube”, Artan Kristo mban një fjalim rreth 20 minuta, ku shpjegon përse xhihadi është detyrim për besimtarët myslimanë.
Kjo video do të çonte në pranga me bujë Artan Kriston, që nuk ishte personazh i panjohur për policinë, kryesisht për rastin e Salih Tivarit, ngjarje për të cilën është hetuar gjatë kohës që ka qenë përfaqësuesi i fondacionit “Al Haramain”.

Që prej vitit 2002, Kristo u shfaq si përfaqësues i “Al Haramain”, fondacion ky që vetëm dy vjet më vonë, me vendim të qeverisë hyri në listën e financuesve të terrorizmit.
Disa vite më pas, Kristo nisi të zhvillonte mësime teologjie me të rinj në zonën e Rrashbullit e Golemit, por paralelisht ushtronte edhe profesionin e “mjekut popullor”. Odiseja “Kristo” nuk do të përfundonte këtu, pasi në tetor të vitit të shkuar, 31-vjeçari përfundoi në pranga për akuzën e thirrjeve, me qëllim nxitjen e kryerjes së veprave terroriste.
Si provë për këtë akuzë, prokuroria përdori një video të postuar në forumin “Albselef”, ku Kristo i përgjigjet pyetjes së një prej besimtarëve mbi Xhihadin. “Myslimanët nuk duhet të shkojnë në luftë për t’u vrarë, por për të vrarë qafirët, që janë bërë pengesë për shtetin islam”, - thotë Kristo në këtë postim. Më tej, ai tregon se si ca grupe të vogla kanë mundur grupe të mëdha.

Leonard Bakillari, R. Mapo

Shqiptarët pa viza, ekstremistët grekë “protestë” në Parlament

E ndërsa shqiptarët po numërojnë mbrapsht për ditën e udhëtimit pa viza, partitë ekstremiste në disa vende të Europës kanë filluar tashmë fushatën kundër vendimit të BE-së.
Parlamenti grek është kthyer në arenë debati, të inicuar nga deputetët e partisë së LAOS-it, të cilët i kanë kërkuar shpjegime zyrtare ministrit të Jashtëm se pse nuk tha asnjë fjalë kundër liberalizimit të vizave për Shqipërinë.

Shkak për këtë kërkesë të partisë së njohur për qëndrimet antishqiptare është bërë deklarata e krerëve të PDU-së për kujtimin e “Ditës së Gjenocidit” në Igumenicë, në vitin 2011.

Gazeta greke “Proinos Logos” ka zbardhur fjalën e kreut të deputetëve të LAOS-it, Ioanis Korandis, në Parlamentin grek, jo vetëm kundër idesë së Partisë për Drejtësi e Unitet për të kujtuar në Greqi gjenocidin, por edhe kundër politikës së Greqisë, që, sipas tij, ka lënë në mëshirë të fatit minoritetin grek në Shqipëri.

“Vendimi i fundit i Këshillit të Ministrave të Europës e vendos Greqinë në një parametër shumë të rëndësishëm. Mbajtësve të pasaportave shqiptare u hiqen vizat për hyrjen në vendet e BE-së që nga java e ardhshme, dhe më saktë nga 17 dhjetori. Nga ajo ditë dhe më vonë shteti grek dhe çdo shtet europian nuk do të ketë më fjalën e vet se kush dhe sa shtetas shqiptarë do të mund të hyjnë në vendin e tij. Vlen të theksohet se vendimi në fjalë u mor unanimisht, ndërsa ministri i Jashtëm, z. Drucas, nuk tha asnjë fjalë kundër” - ka thënë Korandis në Parlamentin grek.

Ushtari grek me veshje kombëtare greke (?) Fustanellla shqiptare!
Më tej, në artikullin e kësaj gazete thuhet se pretendimet e çamëve për gjenocid janë vetëm në fillimet e tyre. “Por sigurisht, qeveria Berisha, e cila ka përfshirë partinë e çamëve në koalicion, do të përpiqet të nxjerrë në pah këtë çështje, duke organizuar të tilla festime. Por ajo që mund të ndodhë është më e rëndë se kaq. Një numër i pakontrolluar shqiptarësh mund të vijnë në Greqi, në mënyrë që të ndjekin këtë manifestim. Ngjarja të cilën çamët duan të zhvillojnë në shtetin grek, sigurisht që nuk ka qëllim tjetër, vetëm e vetëm që të manifestojnë gjenocidin që ata pretendojnë. Sigurisht që kjo gjë ngre një pikëpyetje të madhe në lidhje me “kthimin e pronave”, të cilat ata kanë vite që i kërkojnë, duke arritur kulmin vitin e shkuar gjatë vizitës së zyrtarëve grekë në Shqipëri” - shkruan gazeta greke, duke iu referuar pyetjes së bërë nga ana e deputetit të LAOS-it në Parlament.

Ai ka shtuar më tej se Greqia ka lënë në mëshirë të fatit minoritetin grek në Shqipëri dhe kjo gjë do t’i kushtojë shumë shtrenjtë vendit, në vitet e ardhshme. “Sot, në pjesën veriore të Epirit ka ende njerëz që vuajnë terrorizmin e shqiptarëve të armatosur” - është mbyllur fjala e kreut të deputetëve të partisë LAOS, Ioanis Korandis, në Parlamentin grek.
Partia LAOS e ekstremit të djathtë, e njohur për qëndrimet e saj antishqiptare, ka 15 deputetë në Parlamentin grek.

Thimi Samarxhiu, Mapo


Friday, December 10, 2010

Kisha Ortodokse, hetim i ri për dëmtim varresh

Pa u shuar ende jehona e skandalit të Boboshticës, një tjetër rast dëmtimi varresh shënohet në themelet e Kishës së Shën Premtes në Kavajë.

Prokuroria nis hetimet dhe dërgon eshtrat në Institutin e Mjekësisë Ligjore
Tiranë Pa u shuar ende jehona e skandalit të Boboshticës, Kisha Ortodokse përfshihet në një tjetër rast të dëmtimit të varreve në Shqipëri. Këtë herë, ngjarja transferohet në Kavajë, ku rikonstruksioni i kishës së Shën Premtes ka nxjerrë mbi sipërfaqe eshtra të një varreze të vjetër, duke regjistruar kështu një tjetër hetim të policisë dhe prokurorisë lokale.

Rasti në fjalë është mbajtur i fshehtë, jo vetëm nga strukturat shtetërore, por edhe nga vetë Kisha Autoqefale e Shqipërisë, përfaqësues të së cilës thanë dje se nuk ishin në dijeni për një ngjarje të tillë. Zyrtarisht konfirmohet se për këtë ngjarje, Prokuroria e Kavajës ka nisur një hetim penal, pas referimit të materialeve nga policia e këtij qyteti. Sipas të dhënave të policisë konfirmohet se në datën 28 nëntor të këtij viti, disa punëtorë që po rikonstruktonin Kishën e Shën Premtes në Kavajë, në territorin e saj kanë vënë re disa eshtra njerëzish, që dyshohet se i përkasin një varreze të vjetër. Në vendngjarje ka shkuar grupi hetimor, ku konstatoi eshtra të shpërndara, të cilat pas këqyrjes paraprake, i janë dërguar për ekzaminime të mëtejshme Institutit të Mjekësisë Ligjore në Tiranë, ku do të analizohet koha e vdekjes dhe numri i saktë i eshtrave që dolën në sipërfaqe, gjatë punimeve për rikonstruksionin e Kishës Ortodokse të Shën Premtes.
Rikonstruksioni i Kishës konfirmohet edhe nga Kisha Autoqefale, e cila zyrtarisht tha dje se ishin njoftuar për punimet që po kryheshin në Kishën e Shën Premtes, por jo për rastin e zbulimit të eshtrave. Por zyrtarë të Prokurorisë së Kavajës konfirmuan se menjëherë pas konstatimit të skeleteve, policia ka kryer të gjitha veprimet e nevojshme në vendin e ngjarjes dhe më pas materialet për këtë rast i janë përcjellë Prokurorisë së Kavajës.

Sipas këtyre të dhënave rezulton se eshtrat, që dyshohet se i përkasin një varreze të vjetër, kanë dalë në sipërfaqen e tokës pikërisht në kohën kur disa punëtorë po kryenin punimet për rikonstruksionin e Kishës.
Ky fakt është pohuar edhe nga vetë punëtorët, që janë marrë në pyetje nga policia, të cilët kanë mohuar që shkak i dëmtimit të varreve janë bërë punimet rreth kishës. Sipas tyre, synimi i punimeve ka qenë rikonstruksioni i Kishës dhe jo dëmtimi i varreve. Punëtorët kanë deklaruar në polici se eshtrat kanë dalë në sipërfaqe për shkaqe natyrale, që kanë të bëjnë me rrëshqitjen e tokës. Por këto pretendime pritet të verifikohen nga grupi hetimor, i ngritur posaçërisht për këtë çështje në Prokurorinë e Kavajës.  
Sipas burimeve zyrtare pranë këtij institucioni, mësohet se për çështjen në fjalë, që po hetohet me objekt “dëmtimin e varreve”, ende nuk ka një vendim.
Shkak është bërë mungesa e raportit mjeko-ligjor nga Instituti i Mjekësisë Ligjore, i cili aktualisht është duke ekzaminuar eshtrat e gjetura në territorin e Kishës Ortodokse të Shën Premtes, gjatë kohës kur aty kryheshin punime. Po ashtu, organi i akuzës pritet të zbardhë se kujt i përkasin varrezat e dëmtuara dhe cili ka qenë shkaku i daljes së eshtrave në sipërfaqen e tokës. Të gjitha pikëpyetjet e ngritura për këtë çështje pritet të hetohen nga Prokuroria e Kavajës, pas marrjes së rezultateve nga Mjekësia Ligjore, për eshtrat e gjetura fare pranë Kishës së Shën Premtes.

Kisha Ortodokse: Jemi në dijeni vetëm për punimet
I kontaktuar nga gazeta “MAPO”, zëdhënësi i Kishës Autoqefale të Shqipërisë, Thoma Dhima ka deklaruar se nuk ka asnjë dijeni për dëmtimin e varrezave në fshatin Çetë të Kavajës. Megjithatë, ai bëri të ditur se ishte në dijeni të faktit se pranë Kishës së Shën Premtes do të kryheshin punime për rregullimin e saj. “Nuk jam në dijeni të një fakti të tillë dhe nuk di se çfarë t’u them. E vetmja gjë që di, është se përpara 1 muaji jam njoftuar se do të kryheshin disa punime pranë kësaj kishe, për rregullimin e saj”, – u shpreh Dhima në prononcimin e tij.

Mapo, Habjon Hasani

Berisha: Pse u bëra komunist

Kryeministri Sali Berisha ka rrëfyer dje versionin e tij për anëtarësimin në Partinë Komuniste. Megjithëse ka qëndruar aty nga viti 1970 e deri në vitin 1991, z. Berisha e konsideron veten një disident, madje në një mbledhje ka mbrojtur, sipas tij, një berber që theu portretin e Enver Hoxhës.
Intervistën e mbrëmshme, një pjesë të së cilës mund ta lexoni më poshtë, z. Berisha e dha në emisionin "Opinion" në TV Klan. Këto ditë, në kuadrin e përkujtimeve për lëvizjet studentore të dhjetorit '90, disa ish-themelues të PD-së dhe drejtues të lëvizjeve të atëhershme, kanë hedhur dyshime të forta mbi rolin e Berishës. Në një seri artikujsh botuar në "Shekulli" këto, një nga drejtuesit e lëvizjes studentore, Shinasi Rama, prezantoi disa prova që, sipas tij, dëshmonin se Berisha ishte një nga njerëzit e infiltruar nga PPSH-ja për të marrë në dorë një lëvizje që regjimit i duhej për të përligjur rindarjen e pushtetit.


Zoti Berisha, kur u anëtarësuat në Partinë Komuniste?
Unë jam anëtarësuar në Partinë Komuniste në vitin 1970. Ka pasur dy arsye.
Arsyeja e parë, është sepse u ndikova në mënyrë shumë thelbësore nga pushtimi i Çekisë. E përjetova atë me një dhimbje dhe një emocion të paimagjinueshëm, sepse Dubçeku ngjalli shpresë në të gjithë botën komuniste. Ajo që u quajt pranvera e Pragës. Një natë, një ushtri prej 300. 000 trupash, tanke e të gjitha mjetet, pushtoi një vend që tentoi të dilte në liri ose të paktën kështu besonim. Ishte shumë e përhapur ideja se pas Çekisë do të ishte Shqipëria. Gjë për të cilën unë isha shumë i vendosur si qytetar të qëndroja në atë pozicion që duhet të qëndrojë çdo qytetar në rastin e një pushtimi kombëtar.
Së dyti, e vërteta është që në Shqipëri filloi një hapje.


Në cilin vit?
Kanë qenë besoj vitet 1969-1972, vite në të cilat në Shqipëri filluan të jepen filma italianë, si filmi "Më fal", apo dhe filma të tjerë.


Ju patët shpresë se do të ndryshonte?
Po, shumë shpresë, unë mjaft njëherë. Kisha shpresë se kishte filluar të jepej muzikë që nuk lejohej.


Pra, ju menduat një liberalizim i Partisë së Punës që ishte në pushtet, apo një përmbysje e saj?
Jo, një përmbysje në asnjë mënyrë, por mendoja se po shkojmë drejt hapjes. Meqenëse ne kishim dalë nga sfera ruse, mendoja se do të ecnim drejt Perëndimit. Këto filma që shfaqeshin, këto këngë që jepeshin, "Mami blu", Tom Xhons ose këngëtarë të tjerë. ...Pra, mendova se ne po ecim tashmë drejt perëndimit. Në të vërtetë, ne shkuam edhe më mbrapa. Filluan plenumet, me radhë, ekzekutimet, spastrimet masive, ecja drejt revolucionit kulturor kinez, u shfaqën me të gjithë shëmtinë e tij format e këtij revolucioni në Shqipëri dhe ky ishte fundi i besimit tim se do të mund të kishim ndryshime.


Po ju në atë kohë keni qenë Sekretar Partie dhe vazhduat të jeni deri në vitet 1990, apo jo zoti Berisha?
Sekretar Partie kam qenë gjithsej absolutisht jo më shumë se 3-5 muaj, me sa mbaj mend.


Në cilin vit?
Në vitin 1978 nga fundi dhe fillimi i vitit 1979. Detyrë, nga e cila më shkarkuan në mungesë.


Është thënë se keni qenë deri në vitin 1990 Sekretar Partie?
Absolutisht jo. Kjo është një gënjeshtër. Janë thënë shumë gjëra, se kam qenë shumë vite, se kam kuruar Enver Hoxhën...

Po në fakt, keni qenë apo jo pjesë e grupit që kuronin drejtuesit komunistë të kohës?
Unë kam qenë çdo ditë dhe çdo vit, pedagog në Universitetin Shtetëror të Tiranës. Nuk kam qenë, asnjë ditë, mjek i emëruar në klinikën e udhëheqjes. Kam qenë konsulent për të gjitha kategoritë e njerëzve, përveç Enver Hoxhës, duke përfshirë nga të burgosurit, politikë, apo ordinerë, në spitalin e burgut kur kishte nevojë, deri tek anëtarët e Byrosë Politike. Dua të theksoj se nuk kam qenë mjek i emëruar i Byrosë Politike, sepse nuk kam pranuar.


Nuk keni pranuar, apo nuk ju është ofruar?
Nuk kam pranuar.


Përse nuk keni pranuar?
Nuk kam pranuar, sepse unë kam dashur shumë profesionin e mjekut dhe ajo ishte një transformim tjetër. Unë kisha shokët e mi, të cilët punonin aty dhe ata në disa aspekte humbisnin shumë.


Ju është ofruar të ishit mjek në klinikën speciale, apo mjek personal i Enver Hoxhës?
Nuk më është ofruar kurrë të jem mjek personal i Enver Hoxhës, nuk më është kërkuar kurrë që të vizitoj Enver Hoxhën dhe as të kontribuoj në problematikën e tij shëndetësore. Ka pasur kritere shumë strikte Enver Hoxha në ata që përzgjidhte, dhe unë nuk përfshihesha, nuk plotësoja kriteret.


Çfarë kriteri nuk plotësonit?
Kriteret që më pengonin, ishin komplekse në fakt. Kishin të bënin me disa standarde të tij në lidhje me jashtë, ose me pozicionin gjeografik të shtëpisë sime, në Tropojë. Por unë kisha miq, pothuajse të gjithë ekipin që e trajtonte atë. Pra, unë refuzova që të isha mjek në organikën e tij speciale. Nuk pësova asgjë ç'është e vërteta, bëra shpjegimet e mia se nuk dua, pasi jam shumë i lidhur me shërbimin tim në spital. Kam qenë pesë muaj, kështu Sekretar Partie dhe u shkarkova në mungesë. Isha në Paris kur më zëvendësuan. Një berber përpara se të nisem, i ra me grusht portretit të Enver Hoxhës të vendosur nën një xham. Kjo u mor vesh. U kërkua që të bëhej mbledhja. Bëmë një mbledhje së bashku me të tjerët që drejtonin, vendosëm të themi se ky e bëri këtë akt, sepse i kishte syzet +11 dhe nuk pa se kë kishte nën xham. Kjo nuk u pëlqye, me sa duket. Nëse nuk do të ishte ky motiv, ai do të pësonte perkusione. Në fakt, ai nuk pësoi probleme, por mua më zëvendësuan.


Ka pasur komente se gjatë kësaj kohe, ose pas kësaj kohe, ju keni ndikuar në largimin ose internimin e disa kolegëve tuaj?
Në mënyrën më kategorike, kurrë. Asnjëherë s'kam ndikuar, asnjëherë nuk më është kërkuar dhe nuk kam dhënë kurrë mendim. Kjo është një shpifje e mirëfilltë, sepse nuk kanë guxuar kurrë të thonë një emër. E di pse nuk guxojnë, se është zero.


Ju e kishit njohur Ramiz Alinë përpara viteve '90?
Po.


Personalisht?
Po, personalisht.


Kishit shpresa se pas vdekjes së Enver Hoxhës, ai do të ndryshonte?
Fillimisht pas vdekjes së Hoxhës kisha iluzione. Vdekja e tij është pritur me gëzim në tërësi. Mos shih histerizmin që u ngjall nga vdekja. Por kam bindjen më të thellë, se qytetarët shqiptarë e pritën me gëzim vdekjen e Enver Hoxhës. Sigurisht që unë besova se Ramiz Alia, do të ndërmerrte një kurs ndryshimesh. Por ama, kam qenë nga të parët që hoqa dorë përfundimisht nga ky vendim, për dy arsye. Së pari, një mikun tim Spiro Deden, e ngarkuan që të shkruante biografinë e Enverit. Një libër, për biografinë e Enverit. Spiro ishte publicist, punonte në Institutin e Studimeve Marksiste Leniniste dhe mjaft i afërt me Enver Hoxhën, në redaktimin e veprave të tij dhe kështu që filloi punën. Por, me Spiron unë flisja hapur dhe kur vdiq Enver Hoxha, agjencitë e huaja kanë mbajtur qëndrimin më të shkëlqyer. D.m.th., e damkosën, përdorën të gjithë epitetet që ai meritonte. Spiro u trondit nga këto komente. Megjithatë, e ngarkuan të bënte biografinë. Pas disa kohësh, e takoj dhe i them, Spiro si po të ecën? Jo tha, iku nuk e kam më unë. Kush e ka? E mori shoku Ramiz, tha ai, që ta shkruajë vetë. Epo thashë me vete, ky paska ndryshuar. Në njëvjetorin, që ishte fundi i iluzionit tim, shoh Ramiz Alinë tek varri i Enver Hoxhës, të ulet dhe të puthë mermerin. Unë kisha një mik timin, Mehmet Elezin dhe i them, Mehmet, ky është totalisht në kontroll. Se qarkullonte një ide se ishte tërësisht në kontrollin e Nexhije Hoxhës. Ismail Kadare e zhvillonte edhe më tej këtë ide, që ishte në kontrollin e Nexhmijes dhe se Nexhmija i kishte një kasetë. Unë pas atij momenti, kam hequr çdo lloj besimi se Ramiz Alia do të mund të bënte qoftë dhe ndryshimet më minimale.


Përpara takimit tuaj shumë të diskutuar dhe komentuar të 9 dhjetorit 1990, kur e kishit takuar për herë të parë Ramiz Alinë dhe, a kishit biseduar me të?
Ramiz Alinë, nuk e kisha takuar ndonjëherë në takime pune, por gjatë vizitave mjekësore, kur kishe raste të sëmurësh të tjerë, në spital apo klinikë dhe e njihja.


Dhe cila ishte përshtypja që kishit krijuar për të nga takimet?
Takimet i pata para asaj ngjarjes, që pashë se puthi varrin e Enver Hoxhës dhe krijova përshtypjen e një gënjeshtari. Ky Ramiz Alia, në karrierën e tij politike, kishte mbijetuar nëpërmjet makinacionit dhe gënjeshtrës.


Ai ishte numri një i regjimit, përse duhet të gënjente?
Numri një ishte Nexhmija, nuk ishte ai. Problemi është se ai ishte vendosur në numrin një.


Është reale kjo, apo një legjendë?
Absolutisht reale. Ai zhduku të gjithë zonën e parë operative me ndihmën e Nexhmijes, sepse Enveri ishte debilosur. Nuk mund të them se Enveri kishte kapacitete intelektuale që të merrte vendime. Zhdukjen, për të cilën nuk kisha asnjë lloj keqardhje, sepse nuk mund të kishte keqardhje për zhdukjen e Mehmet Shehut, për atë qëndrim mizor. Përkundrazi ndjeje një lehtësim sepse po rrallohej oborri i tyre. Por në këtë kontekst Ramiz Alia, ishte një mashtrues ordiner në çdo gjë. Ai pati një betejë të brendshme me të gjithë, me Mehmet Shehun, me Kadri Azbiun e të tjerë, që të gjithë u likuiduan. Vetëm e vetëm, për t'i hapur oborrin. Po kështu u veprua edhe me Llambi Ziçishtin, që për hir të vërtetës ishte një intelektual pozitiv, unë e kam pasur edhe dekan edhe ministër. Ramizi e ekzekutoi me akuzën më monstruoze, se ishte agjent i CIA-s, sepse takoi një profesor të Skënder Shehut në plazh. Ramiz Alia, ishte për mua një njeri që po ekzekutonte njerëz, për të cilët unë personalisht nuk kisha asnjë lloj keqardhje, përveç Llambi Ziçishtit.


A është e vërtetë që Ramiz Alia, ashtu si ju, vinte nga Tropoja?
Ramizi është një person që ka frikë të thotë origjinën e tij. Kur po shkonte afër majës, Nexhijes, se Nexhmija ishte maja, u përpoq të gjente origjinën. Shkoi në Tropojë, mirëpo fshati i tij është karshi shtëpisë sime. Shkonte në Kasaj në lagjen Aliaj, se është një lagje aty. Njerëzit e mi, më thanë se këta u shpërngulën nga Kasaj, më duket për arsye gjaku, për në Gjakovë, e nga aty shkuan në Shkodër. Ky guxoi më së fundi të kërkojë rrënjët e tij, që nuk i gjeti. Ndaj, unë nuk mund të them, nëse është nga Kasaj, apo nga Shkodra.


Ju dhe Fatos Nano keni dhënë intervistë tek "Zëri i Popullit". Si ndodhi?
Shumë e thjeshtë, sepse gjërat kishin dalë të gjitha. Ishin thënë në takim. "Zëri i Popullit" kishte mbetur jashtë zhvillimeve. Për këtë, ata thirrën një grup 5 personash, ishte Alfred Uçi, Luan Omari, unë, Fatos Nano dhe një tjetër. Aty u ftuam për të dhënë mendime. Bashkëpunëtorët e mi, miqtë, më thoshin Sali nuk po kuptohet qartë ky pluralizmi politik. Dhe unë aty në atë intervistë, them që me sa duket, pluralizmi i mendimit nuk po mund të zhvillohet se s'po e lejonin. Ndaj, është e domosdoshme të krijohen organizata të strukturuara mbi bazën e mendimit politik të ndryshëm. Të hapet debati për pluralizmin politik.

Por, ndërkohë, ju dhe Nano ishit krejt të rastësishëm në këtë zgjedhje?
Nano ishte në sektorin ekonomik të Institutit të Studimeve Ekonomike...


A mund të thuhet që kjo ishte një bërthamë e përzgjedhur në rast ndryshimesh për t'u katapultuar në politikë?
Kjo është e pamundur.


Në shkurt të vitit 1991, ju u zgjodhët kryetar i Partisë Demokratike. A keni pasur ju ndonjë ndihmë nga jashtë, apo nga faktorë të tjerë, për të ardhur në krye të PD-së?
PD-ja u themelua si e tillë, por larg së qenit një parti. Ishte një lëvizje. Në komisionin drejtues, ku unë isha anëtar, kisha fjalën time dhe peshën time. Me 4-5 përfaqësues të PD-së, isha në një takim me Ramiz Alia dhe kur u kthyem ishte bërë një mbledhje e befasishme, ku ishte shkarkuar Azem Hajdari. Dhe vendosje në krye të partisë të Aleksandër Meksit.



Hipokrizia e kryeministrit Berisha ndaj ish-presidentit të fundit komunist. Ramiz Alia, pasaportë diplomatike me numër D 0000929

Akuza për masakra dhe ekzekutime, por edhe pasaportë diplomatike Ramiz Alisë
Marrëdhënia mes ish-sekretarit të partisë, Sali Berisha, dhe ish-presidentit të fundit komunist të Shqipërisë, Ramiz Alia, në dy dekadat e fundit ka qenë hipokrite. Në dhjetor 1990, fill pas kthimit nga Italia, sipas kujtimeve të Alisë, Sali Berisha u thirr në zyrën e presidentit për ta dërguar te studentët, që të "negocionte" meqë drejtuesi i protestës, Azem Hajdari ishte po tropojan, si mjeku kardiolog. Më pas, Berisha do të shprehej se kishte shkuar atje për t'u vënë në krye të lëvizjes që do të shënonte lindjen e pluralizmit partiak në Shqipëri. Pas ardhjes në pushtet me zgjedhjet e 22 marsit 1992, Sali Berisha do ta akuzonte për gjenocid ish-presidentin dhe ai bashkë me ish-anëtarë të tjerë të Byrosë Politike do të përfundonte në gjyq dhe në burg. Pak muaj më parë Sali Berisha, me cilësinë e kryeministrit do të niste një fushatë tjetër përndjekjeje ndaj ish-presidentit Alia. Ai do ta akuzonte si organizator të masakrës së Tivarit, një ngjarjeje të rëndë të kryer nga ushtria jugosllave, ku gjetën vdekjen rreth 4000 shqiptarë të Kosovës. Në atë kohë, Ramiz Alia ishte komisar politik i një pjese të ushtrisë partizane të Shqipërisë, që kishte shkuar deri në Bosnje për të ndihmuar në çlirimin e Jugosllavisë. Historianë nga Kosova dhe Shqipëria argumentuan me fakte historike se Alia nuk kishte tagrin të jepte urdhra të tillë dhe se kjo ishte vepër e serbo-malazezëve për të zhdukur një pjesë të nacionalistëve shqiptarë të Kosovës, që të mos kishin rezistencë pas çlirimit për të vendosur sundimin e plotë në Kosovë. Por, kjo nuk e pengoi Berishën që të urdhëronte ngritjen e komisionit hetimor parlamentar për të zbuluar dokumente dhe gjetur dëshmitarë që të implikonin rolin e Ramiz Alisë në ngjarjen e vitit 1945. Deri më sot, anëtarët demokratë të komisionit thonë se kanë mbledhur mjaft informacion, dhe ndonëse afati 3-mujor i funksionimit të komisionit po mbaron, nuk është bërë asgjë e ditur për rolin e ish-presidentit në masakër. Nga ana tjetër është po qeverisja e Sali Berishës që është përkrah Ramiz Alisë, madje edhe në thyerje të ligjit. Ish-presidenti i akuzuar kaq shumë (dje akuzave iu shtua edhe deklarata tjetër e Berishës se Alia ka ekzekutuar Llambi Ziçishtin) aplikoi për pasaportë diplomatike dhe kërkesa... iu pranua. Pasaporta e tij, mban numrin D0000929 dhe skadon në vitin 2016.





Shinasi Rama: Dhjetor '90, kur Berisha ruhej me operativë civilë në distancë *
"...Pika kyçe këtu është se studentët atë natë nuk e dinin se çfarë të kërkonin. Ato u takuan në mes të natës për një orë me presidentin Ramiz Alia por nuk kishin as edhe një kërkesë të mirëfilltë politike për t'i parashtruar. Për më tepër ato ishin kaq të nënshtruar dhe me respekt karshi tij sa që Alia e ndjeu të nevojshme të jepte urdhërat që të rriheshin mirë në mënyrë që fitonin ndërgjegjësimin e nevojshëm politik por jo me shume se duhej. Qëllimi ishte, natyrisht që t'i shtynte studentët që të fillonin të mendonin ndryshe, inlektualët të fitonin kohë, dhe që mekanizmat të viheshin në punë si duhet. Pra, udhëheqja më e lartë e parties, e cila çuditërisht kishte ndenjur zgjuar gjithë natën, e dinte se studentët ishin konfuzë dhe nuk dinin se çka donin - si u tha më lart, disa me ne krye Azem Hajdarin ishin takuar me Alinë dhe nuk kishin thënë ndonjë gjë interesante, ne fakt asgje me u mbajte mend - dhe prandaj 'duetet' e 'trojkat e intelektualëve që e kishin krijuar emrin e tyre si 'disidentë' në pesë muajt e fundit u vunë në punë dhe u dërguan që t'i udhëheqnin dhe t'i mësonin që të bënin 'çka duhej' dhe çka ishte më e mira për partinë, socializmin, dhe kastën sunduese. Gjithashtu, shumë kujdes u tregua për të kultivuar disa njerëz të besueshëm si udhëheqës të studentëve. Në fakt, zgjedhjet ishin bërë me kohë se kush do të ishin 'liderët' e studentëve dhe kjo ishte krejtësisht në rrjedhën normale të gjërave. Disa pedagogë të rinj filluan të përziheshin por shumica qëndruan në konviktet e tyre të bindur se kjo ishte 'loja' për të cilën flitej tash një muaj. Në mënyrë direkte dhe të drejtpërdrejtë, Sali Berisha, i derguar aty prej Xhelil Gjonit dhe i shoqëruar nga një i punësuar në Institutin e Studimeve Marksiste-Leniniste të Nexhmije Hoxhës, e njëkohësisht sekretar i KQ te BRPSH, Besnik Mustafaj, u dërguan që të qëndronin mbrapa ndërtesës së tashme të Ambasadës të SHBA. Berisha duhej të merrte udheheqësinë e studentëve dhe të bëhej lideri intelektual për të cilin regjimi kishte kaq shumë nevojë. Jo vetëm që këto të dy nuk u arrestuan por ruheshin edhe me operativë civilë në distancë..."

*Pjesë nga seria e kujtimeve për Dhjetorin '90 botuar në Shekulli në 7,8 dhe 9 dhjetor 2010 nga prof.Shinasi Rama

Shekulli

Vëllai i Topallit, konsull në Milano

Pas dhëndrit, "del" në sipërfaqe edhe vëllai i kryeparlamentares, z. Gjon Çobo, nga emigrant në zyrat e diplomacisë
Emërimi i dhëndrit në Ambasadën Shqiptare në Paris është vetëm 'maja e ajsbergut' në emërimet e ndikuara nga kryetarja e Kuvendit. Kësaj here bëhet fjalë për vëllanë e kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli, Gjon Çobo, i cili është emëruar konsull në konsullatën e Milanos. Z. Çobo nuk ka asnjë shkollim të lidhur me diplomacinë, madje për të emëruar atë si konsull në këtë konsullatë është bërë edhe një ndryshim i posaçëm i organikës së këtij institucioni. Kjo organikë nga 2+1 ka kaluar në 3+1 për t'i hapur një vend vëllait të znj. Topalli.


Me sa duket, "Shqipëria parajsë dhe Miss Bota" vlen si term vetëm për qytetarët që jetojnë këtu, sepse të afërmit dhe familjarët e predikuesve të "parajsës" nuk dëshiruakan të jetojnë në Shqipëri e as të shkollohen këtu. Duan të jetojnë jashtë, madje edhe me rrogë dhe status të paguar nga taksapaguesit shqiptarë. Në forumet e shkodranëve online, emërimi i z. Çobo është bërë objekt i bisedave të shumta të qytetarëve, madje disa veçojnë faktin që z. Çobo nuk ka arsim të lartë dhe ka kaluar nga emigrant i thjeshtë në Itali direkt në përfaqësues diplomatik i Shqipërisë në Konsullatën e Milanos. Po aty është emëruar edhe vajza e Ali Spahisë, një ish-politikan nga më të respektuarit e PD-së së dikurshme, i cili njihet edhe si personi që rekomandoi futjen e Jozefina Topallit në politikë.


Emërimet e tilla janë kthyer në rutinë edhe në administratën e Kuvendit, e cila është nga sektorët më të fryrë të administratës së shtetit sot në Shqipëri. Lista e organikës së kësaj administrate është vërtet surprizuese, për sa i takon përkatësisë familjare, krahinore moshës dhe statusit social shumë shpesh, fare pa lidhje me punën e ngarkuar. Ndërkohë, nuk ka asnjë reagim zyrtar nga Kuvendi lidhur me këto emërime. Dje, "Shekulli" botoi emërimin e z. Luis Ejlli, një këngëtar pak më shumë se 20 vjeç, në postin e sekretarit të parë për Turizmin dhe Kulturën në Ambasadën Shqiptare në Paris. Emërimi i z. Ejlli në një post që kërkon tjetër shkollim dhe tjetër eksperiencë, e afron z. Ejlli pranë vajzës së zonjës Topalli, e cila studion në Paris. Dy të rinjtë jetojnë prej kohësh bashkë. Burimet e "Shekullit" shtuan dje se z. Ejlli ka marrë madje pagën e postit të ri, për dy muaj rresht pa u paraqitur fare në zyrë, dhe vetëm pasi "puna është bërë baltë" i riu është paraqitur në Ambasadë.


Mero Baze: Si u fut Jozefina Topalli në politikë*
Nëse ka pasur ndonjëherë në historinë politike të një partie më shumë intelektualë dhe më pak politikanë, ky ka qenë Kuvendi dhe garnitura politike e dalë nga zgjedhjet e 26 majit. Pas kokëçarjesh të gjata me fraksione brenda PD-së dhe figura politike që e kontestonin vazhdimisht, Sali Berisha u mbyll i vetëm në vilën nr. 4 në Pallatin e Brigadave, për t'i dhënë PD-së një ekip të ri, që thuajse nuk kishte lidhje me politikën. Një mbrëmje, më thirri për kafe në vilën nr. 4. Ndihej qartë që ishte i kënaqur me vizat e panumërta që kishte hequr mbi dengun e listave që kishte përpara. - Do t'i lexoj një herë emrat, - tha. - Kam gjetur ekipin më të shkëlqyer që kemi pasur ndonjëherë për zgjedhjet! Po i dëgjoja. Gjysmën i kisha dëgjuar jo si politikanë, gjysmën tjetër as si politikanë dhe as si intelektualë. - Si të duken? - më tha. Donte doemos një përgjigje entuziaste. - E mirë më duket, - i thashë. - Do të kesh pak problem me këta të partisë. - Partisë... hë, ç'probleme do të kem? Ua kam thanë: "Më të shquarit, te zonat më të vështira." Ja, për shembull: Agron Musarajn e kam çue në Berat, Sadik Bejkon dhe Blerim Çelën në Tepelenë, Fatos Bejën në Gjirokastër, Leonard Demin në Sarandë, Genc Pollon në Përmet, Dashamir Shehin në Vlorë, Ridvan Boden në Korçë... se këta të Jugut ke merak ti... Nuk i bëra asnjë koment. Po përpiqesha t'i mbaja mend, se ndoshta më duheshin për raportin e mëngjesit te "Zëri i Amerikës". - Mirë e paske Jugun, - i thashë instinktivisht. - Këtë Boden nuk e njoh, por këtë Shehin pse në Vlorë? - Nuk e njeh Boden... i shkëlqyem! Ka mbarue në Francë, e kemi pas drejtor Dogane, superkorrekt, financier i zoti. Ndërsa Vlora ka shumë rëndësi, - tha. - Do një figurë të fortë, s'bëhet pa një figurë të fortë. Në të vërtetë, krisja mes Dashamir Shehit dhe Berishës kishte nisur. Aleksandër Meksi, që historikisht nuk duronte dot asnjë zëvendëskryeministër, për shkak se i dukeshin të gjithë të Berishës, po ashtu kishte probleme me të, por nuk kuptohej kurrë nëse i kishte me të apo me Berishën. - E ke mbyllur, me një fjalë? A mund ta citoj unë ndonjërin nesër në radio? - Jooo! - tha. - Se nuk e di njeri. Nuk duhet të dalë asgjë. Kam edhe ca probleme në Shkodër. Duhet me e mbyllë dhe atë. Më ka mbet ky Koleci, s'di ku ta çoj... - Në Shkodër, ku tjetër? - i thashë. - S'e di. Fola me Aliun... ai thotë se kemi një kandidaturë tjetër atje, një grua shumë e zonja thotë, po burri i saj qenka fis me Kolecin. - Kush është kjo? - Është një pedagoge... për matematikë më duket, nuk e di... ose për juridik, juridik më duket. Ja, të pyes Aliun. Foli me Ali Spahinë. Toni i shtruar i Ali Spahisë dhe serioziteti që u kushtonte raporteve njerëzore e bënin atë figurën më të palëkundur të PD-së dhe njeriun më të qëndrueshëm nga pikëpamja politike për Berishën, edhe pse shpesh e xhindoste me kufijtë që u vendoste përpjekjeve të tij të përhershme për ta përdorur për çdo gjë. - Është e shkëlqyer, thotë Aliu. Jozefina Topalli quhet. Qenka kancelare në fakultet. Nuk e di, po ky thotë se është më mirë ajo se Koleci në Shkodër, pasi ajo paska familje shumë të njohur nga baba i vet... Ku ta çoj këtë Kolecin, ku ta çoj... - Filloi të hidhte sytë sërish mbi hartën elektorale. - Ah, po, e gjeta, - tha. - Në Mirditë e kam një vend. Të pyes një herë Aliun. Pas disa ditësh, lista iu lexua Këshillit Kombëtar. Përpara mbledhjes, në mëngjes, piva kafe me Azem Hajdarin në "Rogner". Ia thashë pak a shumë se ku mund të ishte. - Po në Shkodër, - tha, - kush është? - Ka futur një grua, - i thashë. - Jozefina Topalli quhej, më duket se ishte kunata e Kolecit. - Të ka mashtruar, - tha. - Koleci s'ka kunatë pedagoge. - Nuk më tha "kunatë", por e mora me mend nga mbiemri... diçka e kishte burrin e saj. - E di unë kush është, - tha Azemi. - Lene se e rregulloj vetë tani. Po e ftoj për një drekë në Vahinë, ta shikoj njëherë se ç'është. Nejse, shqipe, ti mos thuaj gjë për këtë muhabet, se di unë si e zgjidh... Në mbledhje, Berisha foli gjatë për qeverisjen katërvjeçare dhe për parimet, mbi ta cilat kishte ndërtuar listën. Lexoi edhe emrin e Azemit në zonën përkatëse. Pati reaksion. Azemi u ngrit nga vendi dhe kërkoi të sqarohej më qartë: për se ishte sajuar një zonë për të?

Dhëndri i Topallit, emërohet Sekretar i Parë në Ambasadën Shqiptare në Paris
Ambasada jonë në Francë, një çerdhe familjare për qokat e politikës. Këngëtari ende student, i bashkohet ish-bashkëshortes së Fatos Nanos


Luiz Ejlli, këngëtari i njohur edhe si i fejuari zyrtar i vajzës së Kryetares së Kuvendit Jozefina Topalli, sapo është emëruar në mënyrë të habitshme, Sekretar i Parë për Kulturën dhe Turizmin në Ambasadën Shqiptare në Paris. Dje kanë qarkulluar lajmet e para se z. Ejlli është emëruar atashe në këtë ambasadë dhe pas interesimit të "Shekullit", një burim nga Parisi konfirmon se dhëndri i znj.Topalli është emëruar në postin e sekretarit të parë të Ambasadës: "Jo atashe, se atasheu e ka rrogën të ulët, - shtoi me ironi burimi diplomatik i "Shekullit" në kryeqytetin francez. Qokave të politikës i shtohet kështu edhe një tjetër rast flagrant i emërimeve nepotike, për të cilin sigurisht shoqëria shqiptare dhe publiku do marrin si përgjigje vetëm arrogancën e emëruesit, në këtë rast zonja që drejton Kuvendin e Shqipërisë.


Vajza e saj, kalon bashkë me të fejuarin nga Strasburgu, ku studionte, në Paris, por Parisi është i shtrenjtë. Emërimi e ndihmon goxha çiftin e ri të bëhet me rrogë dhe shtëpi. A nuk është e bukur jeta? Sigurisht, po të kesh mamin apo babin me pushtet, në Shqipëri jeta është jo vetëm e bukur, por edhe e lehtë.


Por Luiz Ejlli nuk është i vetmi emërim nepotik në këtë ambasadë. Ambasada shqiptare në Paris është kthyer në një çerdhe familjare të politikës së Tiranës. Gjysma e diplomatëve shqiptarë në Paris, kryeqyteti ku luhet integrimi i Shqipërisë në BE, nuk kanë asnjë lidhje me diplomacinë, por vetëm me politikanë që i kane emëruar ata. Zonja Rexhina Nano, këshilltare ekonomike e ambasadës me banesë të përhershme në Francë është emëruar aty për të qëndruar pranë bijës së saj, qe ka mbaruar studimet në Francë. Emërimi në ambasadë qe mjaft oportun për ta bërë të lehtë këtë. Sa investitore franceze ka sjellë si zonja Nano në Shqipëri? Në ministri të jashtme fytyra e saj është e panjohur, z. Hqaxhinasto le të flasë, nëse nuk është kështu... Ka edhe persona të tjerë në këtë ambasadë, emrat e të cilëve mund të gjenden lehtë në faqen zyrtare të ambasadës dhe si për çudi kanë mbiemra shumë të njohur në Tiranë. Shqiptarët janë mësuar tashmë me pezmin që shkaktojnë këto emërime, por është për të vënë duart në kokë që në ambasadën më të rëndësishme në Europë, pas Brukselit, Shqipëria nuk ka as edhe një diplomat karriere.


Ambasadori Ylljet Aliçka, me gjithë cilësitë e larta humane dhe artistike që mund të ketë, nuk ka formim apo stazh diplomatik. Çdo të mendonte Shqipëria, sikur amerikanët, francezët, apo gjermanët, të sillnin në vendin tonë si ambasadorë njerëz pa lidhje me diplomacinë? Në Paris, në fakt, kjo që po ndodh në ambasadën shqiptare nuk shihet aspak mirë. Në listën e emërimeve në këtë ambasadë, veçojmë edhe emrin e atasheut ushtarak që ndodhet në atë post prej rreth 10 vitesh (!), një zyrtar dhe njeri jashtëzakonisht i mirë, siç përshkruhet nga kolegë dhe të njohur. E përshëndesim, e respektojmë, por një vend serioz ka rregulla dhe jo miq, nuk mund te lihet 10 vjet në një post në ambasadë i njëjti njeri, e sidomos në dosjet ushtarake (qoftë edhe për ato rreziqet konfidenciale që i kemi prekur pak ditë më parë në çështjen e laptopit misterioz të zhdukur nga selia diplomatike e Nju Jorkut).


Skandali, darka e 28 nëntorit me pagesë për shqiptarë në Paris
Që prej 20 vitesh është hera e parë në këtë 28 nëntor 2010, që në Paris, shqiptarët e atjeshëm kanë përjetuar një fyerje në identitetin si shqiptar. Është traditë që për festën kombëtare, diaspora mblidhet rreth ambasadorit. Nuk janë patatinat që i mbledhin njerëzit, por dëshira për të parë njëri-tjetrin një herë në vit; Kjo ditë është po ashtu rasti i vizitave që bëjnë në pritje dhe autoritetet e vendit pritës (diplomatë e funksionarë të larte francez). Niveli i përfaqësimit të tyre është tregues i vëmendjes që tregojnë ndaj vendit tonë. E pra, stafi aktual në ambasadën tonë në Paris, do të mbahet mend si stafi i parë që e preu këtë tradite vitale. Arsyeja? S'kemi buxhet. Shteti shqiptar harxhon 1 miliard e gjysmë euro për të bërë një rrugë që shembet dy herë në muaj, dhe nuk paska 2 mije euro për ca shishe me fanta e koka-kola, që shqiptarë Shqipërie e Kosove të gjinden njëherë në vit kokë më kokë në tokë të huaj e të bisedojnë?


Është një skandal dhe burracakëri ajo që ndodhi këtë vit kur në Tiranë trumbetohen suksese ekonomike dhe bollëk etj. Festën në Paris ambasada ja dha një "nënkontraktori", dy vëllezër shqiptarë maqedonas që kanë një teatër-restorant, ku bënë një darkë me "Pagesë". Të paguash për të shkuar tek festa e vendit tënd, ka qenë një gjë që nuk e kanë përtypur dot shqiptarët e Parisit. Nuk vajti thuajse askush nga diaspora e Shqipërisë përveç ambasadorit. Sikur pagesat që bën diaspora për dokumente konsullore të ruheshin për këtë ditë feste kombëtare që të organizohet denjësisht, problemi do të ishte vetvetiu i zgjidhur. Në këtë ditë pritje, vetëm nga takimet midis funksionarëve e investitorëve francezë dhe diasporës shqiptare, fitohej aq shumë me lidhje dhe shkëmbime kartëvizitash, sa puna që mund të bëjnë gjatë një shekulli Rexhina Nano apo dhëndri i Jozefinës.


Web site i ambasadës http://www.amb-albanie.fr/ambassade.html



Cilët janë, zoti Ejlli dhe zonjusha Topalli
Luiz Ejlli, këngëtari nga Shkodra, është bërë fillimisht i njohur tek "Ethet e së premtes mbrëma", në edicionin e dytë të tij ku edhe fitoi çmimin e parë, në vitin 2004. Në RTSH fitoi çmimin e parë tek festivali i këngës "Magjike" në duet me Juliana Pashën. Aktualisht është student për Juridik në Strasburg. Megi quhet vajza, me të cilën Luizi po jeton një histori dashurie trevjeçare. Kjo është vajza e kryetares së Parlamentit të Republikës së Shqipërisë, Jozefina Topallit. Dy të rinjtë moshatarë, mbase mund të kenë pasur edhe njohje të hershme, por ata kanë filluar të shihen në shoqërinë e njëri-tjetrit rreth tre vite më parë, pikërisht atëherë kur Luizi ishte në kulmin e suksesit të tij si këngëtar. Vajza brune simpatike, me mjaft ngjashmëri në portret me të ëmën, jeton në Francë, pikërisht aty ku Luizi tani mund ta arrijë dhe ku ka marrë një emërim të shpejtë në një post "pëllumbash" që mund t'i sigurojë çiftit jetesë të mirë me rrogën e paguar nga taksapaguesit shqiptarë. Megi, 20 vjeç, është në vitin e tretë të Universitetit "Luiz Paster".

Lindita Çela, G. Shekulli

Thursday, December 9, 2010

'Azil politik sapo të hiqen vizat'

100 ish-të persekutuar paralajmërojnë nisjen kolektive dhe veprimin ekstrem pas heqjes së vizave. Protestë me zinxhirë te Parlamenti Europian. Udhetimin e pazakonte e paguan biznesmeni Beqir Caushi


Thonë se u ka sosur durimi. Deri në atë pikë sa, sapo të hiqen vizat do të nisen ta kërkojnë shpëtimin dhe fatin drejt Brukselit.




E jo thjesht me ndonjë takim protokollar me krerët më të lartë drejtues të Europës së ëndërruar edhe kur shumë shqiptarë të tjerë e përbuznin. Por do të shpërthejnë shpirtin që iu vlon kaherë pa shpëtim në vendin e tyre, ku as dikur, as tash nuk po e gjejnë veten. Dhe do shprehen vërtetësisht, ashtu siç ndiejnë. Me një grevë të paqtë e njëkohësisht tronditëse urie, mu përpara Parlamentit Europian. Duke kërkuar deri azil politik, e jo në kohët e Shqipërisë komuniste, por paradoksalisht të asaj postkomuniste.
"Do të kërkojmë azil politik, do të futemi në grevë urie, që ta dijë Europa se në ç'gjendje i ka katandisur ish-të burgosurit politikë shqiptarë atdheu i tyre, në të cilin as ka pasur, as ka demokraci dhe drejtësi. Një vend ku fitojnë e janë ende në pushtet ata që na vranë e persektuan. Një vend ku ndihesh i huaj, pasi fitojnë vetëm hajdutët, imoralët, kontrabandistët, servilët, spiunët", shprehet për 'Shekullin' Gjergj Ndreca, sekretar i Shoqatës së Rehabilitimit për Drejtësi dhe Dinjitet të ish-të persekutuarve politikë, e cila numëron 450 anëtarë. Dhe jo thjesht me fjalë, por me vepra për këtë qëllim janë mbledhur 100 ish-të burgosur të komunizmit, të cilët fill pas 16 dhjetorit, ditës kur s'do të ketë më viza, do ta kenë të afërt ditën e nisjes për rrugë drejt Brukselit. Në këta 100 të parë, 15 janë anëtarët e kryesisë së shoqatës, si për shembull kryetari 82-vjeçar i shoqatës, Xhaferr Agaraj, Fatmir Lamaj, Bedri Blloshmi, Edmond Halimi, Haxhi Baxhinovski, Gjon Kola, Mëhill Gjini etj.

Ndërkohë që në kryeqendrën e institucioneve europiane, Bruksel, i presin edhe 50 ish-të burgosur të tjerë, të cilët do të mblidhen aty posaçërisht nga diaspora. "Shpenzimet e rrugëtimit tonë kolektiv do t'i marrë përsipër biznesmeni i njohur shqiptar në SHBA, Beqir Çaushi, nipi i Hysen Haxhisë, i cili ka bërë 16 vjet nëpër burgjet komuniste", thotë Ndreca. Dhe jo vetëm grevë urie. Si simbolikë të protestës në Bruksel janë blerë edhe 220 metra vargonj hekuri, nga ai që përdoret për të lidhur makinat në dëborë, dhe me të do të rrethojnë simbolikisht Parlamentin Europian. "Disa njerëz të qeverisë, të cilët e kanë marrë vesh gjithë sa u tha më sipër, për të na zmbrapsur na pëshpërisin se po të shkojmë atje do na rrahin policët e BE-së. Por ne do kërkojmë të drejtat tona paqësisht. Edhe po na rrahën, neve na kanë rrahur komunistët në Qafë të Barit, Spaç, Burrel. Na e kanë thyer kurrizin, kështu që nuk kemi frikë. Jemi të frymëzuar që të çojmë në vend amanetin e bashkëvuajtësve tanë", thotë ish-i përndjekuri politik, anëtar i shoqatës, Fatmir Lamaj.


Dëshmshpërblimet, arsyeja që i shtyn ish-të persekutuarit drejt protestës
Greva e paralajmëruar: Në Shqipëri ka aparteid politik
Çfarë i detyroi të futeshin pak muaj më parë në grevë urie në Tiranë e tani drejt grevës së paparë të urisë në Bruksel? Ja si u shprehën pak ditë më parë për "Shekullin' disa prej ish-të persekutuarve, që tani kanë vendosur pa kthim realizimin e kauzës së tyre dhe jo vetëm të tyres:
Gjergj Ndreca:
"Kërkojmë të dëmshpërblehemi sipas ligjeve dhe Kushtetutës. Ne sot kemi humbur statusin e qytetarëve normalë. Nuk jemi as qytetarë të dorës së tretë apo të katërt dhe ky është përsëri një aparteid politik. Ne nuk duam lëmoshë, por rehabilitim, integrim dhe drejtësi me dinjitet. Ka katër ligje në fuqi për dëmshpërblimet dhe për ne është miratuar ligji që jep vlerën më të vogël, që llogarit punën e detyruar në burg, por jo dhunën, torturat, mungesën e lirisë dhe dinjitetit.
Është dëmshpërblyer më shumë Fatos Nano e të tjerë byroistë këto kohë, se sa ne që kemi bërë burg në kohë më të vështira. Ministri i Drejtësisë, Bujar Nishani, na premtoi që çdo një muaj do të dilnin një mijë emra dhe një listë e saktë e të persekutuarve, por kanë kaluar 3 muaj nuk është bërë asgjë. Ne kemi shokët tanë që kanë bërë nga 30 vjet burg e kanë me dhjetëra të pushkatuar në familje dhe nuk kanë marrë kokërr leku e janë duke vdekur në mjerim. Ndërsa gjithë fëmijët e ish-byroistëve si pasardhësit e Feçor Shehut, Mehmet Shehut etj. kanë marrë. Në këtë vend mjafton të jesh ish-komunist spiun, servil dhe gojëkyçur dhe të hapen dyert. Ndërsa kur vdes një nga ne gëzojnë se thonë: 'vdiq dhe një armik'.  

Fatmir Lamaj
- Ne duam ta marrim brenda vitit dëmshpërblimin që na takon, jo në tetë vjet, sepse jemi specie në zhdukje.
Kemi qenë rreth 6000 ish-të përndjekur në vitin '90, sot kemi mbetur 1800. Të tjerët kanë vdekur. Dhe imagjinoni, ka tre vjet që ka dalë ligji dhe nuk ka mbaruar së dhëni akoma kësti i parë.
Po marrin inkuzitorët tanë nga 30.000 lekë pension. Merr ish-prokurori famëkeq Aranit Çela pension të posaçëm prej afërsisht 75.000 lekë në muaj. Ndërsa ne, të vuajturit edhe në pseudodemokraci marrim nga 15.000 lekë/muaj. Më mirë të kërkojmë strehim politik në Korenë e Veriut, se sa në një neokomunizëm hipokrit si ky shqiptar. Ne gjendemi vazhdimisht nën opiumin e gënjeshtrave të qeverisë në pushtet. Nëse hapet toka e këtij vendi nga Saranda në Tropojë gjen kockat tona. Por ne nuk morëm asgjë që meritonim.


 Na drejtojnë akoma vrasësit tanë. Nuk është e habitshme që në çdo zyrë të shtetit shqiptar janë ose ish-zyrtarët e kohës ose pinjollët e tyre. Nuk është habi që edhe ata pak ish-të persekutuar që punësoi zoti Berisha në fillim të ardhjes në pushtet për imazhin e tij, tani janë pushuar nga puna në administratën e lartë
Magdalena Alla, G. Shekulli