Ish-ministri i Ekonomisë Dritan Prifti, pas publikimit të kasetës së skandalit “Meta”, ka hedhur dje akuzat më tronditës ndaj Ilir Metës, ku e nxjerr zëvendëskryeministrin si njeriun më të rrezikshëm dhe më të inkriminuar në Shqipëri dhe Ballkan.
Pasi pranoi publikisht se ai është autori i regjistrimit të bisedës, Prifti theksoi se Meta i kishte kërkuar 500 mijë marka borxh në vitin 2001 për të blerë KPD e PS, me qëllim për të rrëzuar Nanon. Më tej, Prifti publikoi një sërë aferash për Metën, që nga 2001 e deri në 2010.
Sipas Priftit, Ilir Meta në kohën kur ishte konflikti brenda Partisë Socialiste me ish-kryeministrin Fatos Nano i kishte kërkuar 500 mijë marka gjermane. “Më tha më duhen 500 mijë marka për të blerë disa anëtarë të KPD-së së Partisë Socialiste. I thashë ku ti marr unë? Më tha gjeji ku të duash, merri borxh”, theksoi Prifti.
Ai theksoi gjithashtu se në kohën ku po përmbytej Shkodra, Meta shkoi në Çeki për të bërë një tjetër aferë me CEZ. Ish ministri i Ekonomisë tha gjithashtu se Meta është një person tepër i rrezikshëm, pasi zyra e tij është e mbushur plot me kriminelë që kanë bërë burg dhe që kanë vrarë njerëz.
- Ju keni qenë për shumë orë në prokurori dhe i jeni përgjigjur pyetjeve?
Mora njoftim nga Prokuroria e Tiranës që ditën e djeshme ku mu kërkua të paraqitesha si dëshmitar për videon që u shfaq në Fiks Fare dhe shpreha gatishmërinë që të shkoja dhe të tregoja çdo gjë që di në lidhje me të. Kam depozituar sot kasetën, videon, të shkarkuar nga origjinali, dhe pastaj për 3-4 orë kam dhënë përgjigje, pyetjeve të prokurorisë për pjesë të ndryshme të kësaj video dhe marrëdhënieve të mia me metën apo personat e tjerë të përmendur në këtë video.
- Përfshirë dhe Berishën?
Për të gjithë, pa tjetër.
- Deklarata e Ilir Metës? Me z. Tom Doshi ç`lidhje keni?
Ky është një nga karakteristikat kryesore të një njeriu mafioz që mbrohet duke goditur, përmend zotin Doshi që gjatë jetës sime kam ndenjur 3 herë me të. Ma ka prezantuar Meta. Me zotin Doshi kam marrëdhënie sipërfaqësore shoqërore, asnjë marrëdhënie politike dhe Doshi nuk ka asnjë kontroll mbi mua, vetëm se kemi një marrëdhënie të muajve të fundit me njëri-tjetrin. Ilir Meta më akuzoi se kam shkuar tek prehri i Tan Leprit. Unë atë nuk e njoh. Ai ka qenë shoferi i gruas së Ilir Metës. Kjo është strategji e një njeriu të rrezikshëm, mafioz i cili i shmanget të vërtetës dhe sulmon për të larguar vëmendjen nga ajo që ka bërë ai. Nga e vërteta tronditëse e tij. Kam marrë një mesazh nga një diplomat i huaj në Tiranë, më thoshte: Gjëra rrëqethëse. Ai kujton se duke sulmuar ditë tjetër, opinioni publik do të çojë mendjen tek personat që përmend ky zotëria për të mbuluar qelbsillëqet e veta. Toma ka hyrë me votat e veta në parlament. Ai ka marrë një pjesë të madhe në Shkodër se e duan shkodranët, atij Tomës ky i ka privatizuar në 2001 antibiotikë, Profarmën dhe ka bërë paratë që ka. Tom Doshi, Ilir Metës i është gjetur pranë shumë herë në kohë të vështira.
- Ju i keni bërë presion Metës siç ai ju akuzon?
Nuk e kam çuar ndërmend t’i bëj presion Ilir Metës. Ka qenë detyra ime të dokumentoj presionet mafioze, kërkesat për shkelje ligji, për favore të pandershme që më ka bërë Meta gjatë një viti rresht. Që muajin e parë të detyrës, ai më ka rrahur me kërkesa këtë koncesion të tij, presion i jashtëzakonshëm dhe unë e kam pasur për detyrë para opinionit publik, fëmijëve të mi, të dokumentoj se me çfarë mafiozi kam punuar dhe të pranoj në prokurori ato që kanë ndodhur.
- Ju e keni regjistruar videon?
Videon e kam regjistruar me ndërgjegje të plotë për të dokumentuar se kush është ky lloj burri. Ai burrë është sot mbase nga njerëzi më të rrezikshëm në Shqipëri, më i korruptuar në Shqipëri. Ka 10-12 vjet që vjedh, abuzon, kërcënon, abuzon, mashtron dhe deri tani ia ka hedhur.
- Pse i keni qëndruar pranë Metës për kaq kohë?
Nuk është se nuk kam pasur episode të Metës që në vitin 2000. Isha drejtor KESH. 10 ditë u largova në Amerikë. Meta bëri 10 milionë dollarë energji për 10 ditë që unë u largova. U ktheva nga Amerika dhe e kundërshtova dhe kam pasur luftë të ashpër me të. Më ka thirrur në zyrë duke pritur për të shkuar në parlament, më ka thirrur në zyrë dhe më ka thënë: Na duhet të blejmë anëtarë të KPD të PS. Më tha, më duhen 500 mijë marka. I tash se nuk kisha ku t’i gjeja. Merri borxh më tha. Kam menduar se kanë qenë episode të veçuara që mbase ndodhin nga një papjekuri rinore. Çfarë kam parë këto vite dhe çfarë dëgjoj tani, nuk mundet ta mbaja në arkivin tim këtë video. Nuk mund ta mbaja më.
- Pse nuk e denoncove videon ato ditë kur ndodhi kjo. Pse e mbajtët kaq gjatë videon?
Kam tentuar disa herë për ta bërë publike dhe gjatë kohës që isha ministër, tentova të bindja kryeministrin të vepronte, pasi kjo ndodhi, kam njoftuar kryeministrin. Me kryeministrin kam pasur marrëdhënie që çdo javë raportoja për çka ndodhte. Ai është në dijeni të çdo kërcënimi që më ka bërë Meta mua. Më vjen mirë që ai e ka pranuar se unë i kam dhënë një kopje të videos, por ai nuk pranoi ta shihte.
- Keni koment për kryeministrin Berisha?
Nuk e kam më. Pas këtij deklarimi sot (dje) të kryeministrit më vjen keq. Shoh që ai duhet të ketë më shumë anë me Ilir Metën se sa kam menduar unë. Duhet të jetë i lidhur në mënyrë të sëmurë me Metën. I lidhur për gjëra jo të mira. Nuk mundte, ai kryeministër që fluturoi për pak minuta Ylli Pangon, që nuk ka peshën e kësaj që ka dalë, se i ndodhi diçka në banesën e vet që i shkoi me dëshirë, ai kryeministër duhet të jetë në hall tepër të madh për këtë deklaratë që ka bërë. Ndjej zhgënjim, nuk e prisja që zoti Berisha të fliste para drejtësisë. Nuk e prisja që ai të merrte anë. Ai me këtë i drejtohet drejtësisë. Ti thua se është e trukuar, se kështu them unë. Është e rrezikshme. Më vjen mirë që e pranoi se i kam çuar kasetën.
- Kur ia keni ofruar Berishës kasetën?
Në kohën e duhur që kishte mundësi për të reaguar në kohën e duhur. Me këtë që ka bërë sot ka rënë miti i atij njeriu si njeri i pastër. Deri dje ka dal me duar të pastra, por unë tashmë e them me shumë keqardhje, po filloj të kujtoj dhe episode të tjerë në marrëdhëniet tona që më bëjnë të dyshoj.
- Cilat janë?
E kam informuar për kontrabandën e naftës Virgjinia, që bëhej në Shqipëri, që mbrohej nga doganat, policia, tatimet. Që mbrohej nga policia ai nuk reagoi edhe pse përmenda badigardin e tij, që sot është zv/drejtor i policisë, ai nuk reagoi. Vetëm për interesa elektorale merr në mbrojte Metën që mund t’i japë shans t’i afrohet ndopak Ramës. Kur isha ministër i kam çuar një raport kontrolli të brendshëm të koncesioneve që janë kontrolluar vetëm muajt e verës së vitit 2009. Kur shkova në ministri jam mbytur me ankesa për ish ministrin Genc Ruli. Kontrolli i brendshëm i ministrisë aty ka gjetur gjëra të tmerrshme, ia çova kryeministrit e auditit të brendshëm ia dha departamentit të vet antikorrupsion e deri më sot nuk kam dëgjuar asnjë fjalë për të. Vetëm gjatë dy muajve të verës dha 40 koncesione, gjatë mungesës së parlamentit nga pas zgjedhjeve deri në krijimin e qeverisë së re.
- Disa prej tyre i ka akuzuar opozita?
Mund të jenë dhe disa prej tyre, por janë gjëra të reja që si ka parë asnjëherë. Ia dhashë kryeministrit raportin e auditit, ai ia dha departamentit të antikorrupsionit, ata janë marrë por asnjë përfundim. Jam shumë i zhgënjyer prej Berishës.
- Videoja?
Ia kam thënë Metës dhe atë ditë që më dërgoi me sms i kam thënë po me sms se do të më shkarkosh mua se do të vjedhësh, do të marrësh vendin tim se do të vjedhësh. Ai ka shkuar atje vetëm për të vjedhur.
- Koncesion dhënë një miku, këtë koncesion Meta nuk e ka bërë?
Nëse do të qëndrojmë këtu po e them se ai këtë nuk e ka bërë sepse unë atij disa herë i kam thënë se këtë bisedë ia kam regjistruar për ti dhënë vëllezërve Tolaj këtë koncesion. Por është tepër e qartë si kristali kërkesa që ka bërë ai që këtë koncesionin, sot mbaroje sot se ata janë gati për të dhënë lekët. Shumë e qartë, është tepër e qartë. Më vjen mirë që është me sekonda dhe nuk ka asnjë shkëputje. E kanë fituar unë këtë punë e kam studiuar, kjo punë ka mbaruar. Më vjen keq që ka dal emri i një zonje të nderuar, Shpresa Becit është e vërtetë që vajza e saj ka shkuar në Vjenë dhe është e vërtetë atë që deklaroi Meta se këtë punë e mbyll unë deri në fund. E filloi me një kërkesë, për punësim të Tur Handarit që është oficer policie sot që ka qenë shef i madh në armo, Albpetroli kur ka qenë Meta kryeministër, iku nga puna dhe i ka sot Albetrolit 9 % mijë lek sot është në gjyq si ta merrja unë këtë dhe ta bëjë drejtor të inspektoratit të naftës për Tiranën ose për Durrësin. Ai sot është në policinë e shtetit me atë historik problematik në sektorin e naftës unë nuk mund ta bëja. Ndaj erdhi Meta i inatosur në zyrë për të kërkuar llogari. Episodi tjetër për të anulluar një tender tjetër në Albpetrol. Më thotë anulloje mos e zvarrit. Po të kesh një post politik nuk ka rëndësi as ligji, as morali, as konkurrenca e tregut, unë të jam urdhër jam kryetari yt zbatoje. Nëse do e doja atë më tepër se fëmijët e mi do e zbatoja. Nuk mund të ndërhyja në një tender të Albetrolit ku ishin ftuar më tepër se 15 kompani, unë kisha 2 muaj që nuk i jepja rrogat Alpetrolit se nuk shitej asnjë litër naftë, Albetroli ishte para shkurtimeve. Si të anuloja tenderin. Për këto qejfmbetje erdhi ajo që erdhi nga pas që u prishën marrëdhëniet dhe që unë u largova.
- Qytetarët e Fierit?
Gjysma e Fierit është pa drita. Ishalla nuk ka gisht Meta që ua ka prerë që të mos shohin emisionin sot (dje).
- Në Amerikë regjistrimet në pronën tënde nuk ka nevojë të marrësh leje nga askush. Përgjigjen ligjore do e japë prokuroria. Biseda juaj me Metën, komportimi ndaj presioneve të tij me lisën e kërkesave rezistenca e tij duket e pakët ndjehet bashkëfajtor prifti?
Qëndrimi im, doja që Meta të fliste nuk mund ta bëja të dyshonte se isha duke regjistruar. E vërteta është se asnjë nga kërkesat e tij për favorizime të jashtëligjshme unë nuk e kam zbatuar. Jo vetëm këto që janë të përmendura në këtë video, por në asnjë rast asnjë nga kërkesat e paligjshme të tij nuk i kam zbatuar. Kam bindjen e plotë se në atë detyrë jam shërbëtor dhe jo për të shkelur ligjin. Më vjen mirë që meta nuk më kuptoi se po e regjistroja dhe e zbrazi barkun.
- Shifra 700? Meta e përmendi shifrën 700 si dëm shkaktuar këtij biznesmeni për shkak të zvarritjes?
Mund të sajojë çdo justifikim për 700 mijë euro që ofroi për të dhënë këtë koncesion. 7% dhe 700 mijë euro zotëri mi ofronte mua, sesa ishte pjesa e tij në para nuk e di, ai kishte 20% dhe i kishte vënë në emrin e Fatmir Merkaj, ose në emër të firmës së tij. Është person i mirë, më duket se ka qenë ish shofer i metës, shumë pallate në tiranë, Dhërmi më thonë se janë të Metës por nuk e di. 20% që ka tek kompania e vëllezërve Tolaj është i tij dhe i Ilirit, Ilir Meta e kishte pjesën e tij veç.
- Prokuroria bëri deklarim për hetimet, deklaroi se hetimet do të vazhdojnë për koncesionet. Mendoni se ky koncesion i pa dhënë do të përfshihet në hetimet?
Ilir Meta ia ka dhënë një bashkimi tjetër kompanie, Kurum dhe kompanisë Doko nga Elbasani, ai ia ka dhënë tenderin të tjerëve.
- Akuza ndaj këtyre që e kanë marrë?
Nuk kam informacion si e kanë marrë, ka vendosur komisioni apo jo, është bërë pasi kam ikur nga ministria, akuza ime është se meta më ka bërë presion dhe ofertë të paligjshme për t`ia dhënë vëllezërve Tola.
- Meta tha se nuk ka të drejtë zv/kryeminsiri të ndjekë problemet e miqve të tij?
Ka të drejtë të plotë, por nuk ka të drejtë të kërkojë gjëra të paligjshme,e ka të drejtë dhe e ka bërë këtë rëndom por nuk ka të drejtë të bëjë gjëra të jashtëligjshme.
- Meta përmend kryeministrin dhe prokurorinë në bisedën tuaj. Biseda është e marsit 2010, flitet për prokurorinë, më duket sikur dëgjoj një herë emrin Belegu një herë mbiemrin Stojku? Është zhdukur dhe Eduart Belegu në mars të 2010?
Kam diskutuar në prokurori vetëm për pjesën e zbardhur nga emisioni Fisk Fare, jam i disponueshëm të shkoj sa herë të jetë e nevojshme. Përmendja e kryeministrit kur bisedonin për të zëvendësuar drejtorin e KESH, u përmend Stojku. Meta më kërkonte të emëroja drejtorin aktual të bëjë këtë ndryshim dhe unë i thashë se është mirë të kemi konfirmim nga kryeminsiri, ai më tha se kryeministri është dakord. Një ok për një emërim, drejtor të përgjithshëm të KESH. Kontekstin e prokurorisë nuk e mbaj mend plotësisht mund të ketë qenë për Belegun. Bëhet fjalë për të tjerë, mund të ketë qenë Belegu, ku Meta më thoshte se ki kujdes se prokuroria mund të veprojë. Meta ma ka përmendur mikun tim disa herë, më ka kërkuar disa herë ta largoja nga detyra, mbase m,und të ketë qenë në kontekst me atë. Pjesën e prokurorisë të jem i sinqertë nuk e mbaj mend mirë.
- Nikoll Lesi ka deklaruar se do të deklarojë emrat e 3 ministrave të korruptuar, keni dijeni për emrat e tyre?
Ilir Meta dhe Genc Ruli, për të tretin nuk dëshiroj të abuzoj.
- Reagimi i kryeministrit si mendoni se do të ishte nëse prokuroria vërteton autencitetin e kasetës?
Prokuroria ta deklarojë para se të mbyllë hetimet,për 3-4 ditë mund të verifikohet, nëse nuk ka ekspertë të merren ekspertë të huaj. Prokuroria për vërtetësinë e tyre që ka dhënë fiks fare, duhet të jap një deklaratë. Nëse thotë se faktet e Fiks Fare konfirmohen nga versioni origjinal mendoj se qeveria e gjithë duhet të japë dorëheqjen dhe Berisha të vijë në parlament të kërkoj mazhorancë të re. Për Shqipërinë do të ishte mirë të shkonim në zgjedhje të parakohshme. Kjo qeveri nuk jep shumë shpresa siç është ngjizur.
- Deklaratat e Metës?
E mora vesh që kishin fituar vendimin e apelit, ma thotë ai dhe personi në telefon i them meqë e keni fituar ma dërgoni me protokoll.
- Keni pasur kërcënime të reja?
Kam pasur 2-3 mesazhe që pas videos së fiks fare, sharje, ofendime, jo kërcënime të drejtpërdrejta. Ky mafiozi, më duket kaq komik që flet se e njoh kush është, hiqet komplet si njeri tjetër, ky vazhdon përditë e kërcënon. Nga celulari i tij më kanë ardhur kërcënime, mos i turpëro katër fëmijët e tu. Njësoj si mesazhet e mafies, ka tre muaj që kur ka shkuar atje, ka kthyer përmbys ministrinë, ka kontrolluar çdo firmë timen. Ka marrë policë në administratë, ata kanë vendosur kamera të fshehta dhe thërrasin administratën për ti bërë presion, të gjitha firmat që për një vit mund të kenë pasur marrëdhënie me ministrinë. Ky dhe Agron Kuliçaj, disa nga firmat më kanë thënë. I kërkojnë të shpifin për mua, po kthejnë çdo gjë përmbys për të më bërë kërcënime që ta çojnë në prokurori. Terror.
- Posti i ministrit të Ekonomisë para dhe pas jush është përfshirë nga këto skandale, vetëm pjesa juaj ka mbetur e pa prekur?
Për një vit që kam qenë në detyrë nuk ka pasur akuzë publike, për pasurinë kanë qenë akuzat para se të bëhesha ministër. Pasuria nuk ka pasur lidhje me detyrën. Por ky burri që flet se do vijë një ditë që do të bëhen gjërat transparente, është pjesë e një skenari ogurzi për Shqipërinë. Bashkë me Berishën, Bashën dhe me ndonjë tjetër, kanë bërë plan me çdo mënyrë ti marrin Ramës bashkinë e Tiranës, ndaj ky dhe Luli rrinë nga mëngjesi deri në darkë bashkë. Në çdo mënyrë, pastaj Meta po të them skenarin që e kam dëgjuar prej tij, me disa njerëz që janë brenda PS dhe jashtë do të marrë fushatë për tu bërë kreu i opozitës. Ai ka skenar, që pasi Rama të humbë bashkinë ti sulet Ramës për të marrë kreun e opozitës. Imagjinoni sa skenar është ogurzi për Shqipërinë. Që këta njerëz të kenë opozitën dhe qeverinë. Në atë kohë nëse kjo do të ndodhë nuk do të jetoj më në Shqipëri. Është një skenar i paparë.
- Bëni deklaratë për një skenar që është thënë nga Meta mbi të ardhmen e opozitës pas marrjes së bashkisë së Tiranës me ndihmën e Metës?
Skenar i Metës që të rikthehet në drejtim të saj, të marrë PS dhe të drejtojë opozitën shqiptare. Kam informacion tepër të saktë dhe në takimet që ka pasur me Nanon kjo ka qenë pjesa kryesore, sesi ata do të kthehen njëri president dhe tjetri kryetar opozite. Fiksimi i Metës, dhe ndaj ai nga mëngjesi në dark i shërben Bashës, është që Rama të humbë bashkinë e Tiranës që ai ta sulmojë për ta hequr nga kreu. Do i blejë votat nga asambleja në KPD. Në 2001 më ka kërkuar 500 mijë marka gjermane për të blerë votat. Ai është njeriu që shqiptarët vetëm nëpërmjet kësaj video e njohin se kush është në të vërtetë. Asnjë efekt tjetër nga drejtësia, më mjafton që shqiptarëve i kam treguar se kush është ai burrë. Ai këtë skenar e bisedon edhe me njerëzit brenda grupit parlamentar të PS.
- Në video-kasetë keni përmendur një emër, me një numër telefoni, Bekim Halilaj. Personi që ju keni përmendur në videokasetë. Kur është bërë ankandi i parë në Albpetrol a më ka ftuar ndonjëherë në shtëpi dhe ç’më ka thënë për zotin Tom Doshin që më ka mik?
Bekimi ka qenë disa orë dje me Metën. Ka marrë në telefon Doshin dhe i ka thënë: Jam me atë mikun tonë dhe kur do të pimë një kafe. Është mik me Tom Doshin, është prezantuar nga unë. Jemi takuar disa herë në hotel “Rogner” me Bekimin. Nuk e mbaj mend ta kem ftuar në shtëpi mund të ketë ardhur kur kam qenë pa qejf, është miku i Ilir Metës. Fakti që Meta kërkonte t’i jepte atij ankandin e 30 mijë tonë të Albpetrolit, ky ka marrë pjesë në atë ankand. Nuk ka pasur dokumentet në rregull dhe komisioni atje e ka skualifikuar.
- Do i kërkoni shtetit 8 mijë lekët?
Berisha nuk kishte lek t’i jepte shpërblim për fundvitin pensionistëve. Buxheti i shtetit është bosh. Nuk kam nevojë të marr 8 mijë lekëshin.
- A ka Prifti ndonjë hobi si gjuetia apo peshkimi? Keni frikë për sigurinë tuaj personale?
Përafrohet me ish mikun tim Kosta Trebickën që u vra kur shkoi në gjueti. Ai u vra. Për këtë unë nuk kam informacion, as prova. Unë jam i frikësuar për familjen time. Nuk kam absolutisht frikë nga vdekja për veten time, nuk dua t’ia dij fare. Njeriu një herë lind, një herë vdes. Jam i frikësuar për familjen time, brenga e vetme që atyre i kam çuar rrezikun e jetës. Por me mënyrën time përpiqem që t’i mbroj. Ilir Meta është njeri jashtë mase i rrezikshëm. Mjafton të shkosh të marrësh videot, që regjistrohen kush hynë e kush del, për një javë në zyrën e ministrisë së tij, do të kuptosh se njerëzit që hyjnë tek zyra e tij i kanë bërë 100 vjet burg.
- Do përballeni me Metën?
Ilir Meta është një person me intelekt nën mestar. Nuk mund të më afrohet fare mua në këtë kuptim. Ka mbaruar shkollën, është bërë deputet dhe nuk ka bërë asnjë ditë punë si gjithë shqiptarët. Direkt me politikë është marrë e ka pasur lehtshëm. Meta i është dukur misterioz njerëzve se ka pasur kokëfortësi që ngulte këmbë për diçka dhe e bënte. Vetëm kjo është pjesa e dhunës. Përsa i përket nivelit të intelektit, në çdo lloj konkursi njohurish, të dalë me mua jam i gatshëm të dal nesër përballë tij.
- A ka video të tjera?
Meta ka marrë në punë Astrit Banushin si drejtor të përgjithshëm. Ai rrinte pas derës sime se donte t’i firmosja një pagesë prej 200 milionë lekë për abuzime për gjoja kursim e këmbimit, unë nuk ia bëra. Më pak se një muaj pas largimit tim, Meta i firmosi 200 milionë lekë nga buxheti i shtetit. Dhe ky burri, ka rolin e policit dhe e thërret të gjithë stafin dhe i thotë ç’të ka thënë Dritani. Di çdo firmë që ka hedhur ai. Javën e fundit kompania CEZ bëri një mbledhje bordi. Meta ka shkuar në Çeki kur Shkodra ishte e përmbytur për t’i kërkuar CEZ, Kastriot Ismailaj, që t’i jepte një kontratë. Ka dosje për aktivitetit e tij. Do që CEZ t’i japë kontratë për të mbledhur borxhet e vjetra, 50% i merr ky 50% i shkojnë CEZ. Borxhe janë shumica e institucioneve shtetërore. Ai çdo ditë, çdo firmë që hedhë bënë abuzime. Të shkojë prokuroria për lejet minerale, nuk lejohet të jepet asnjë leje. Ai ka dhënë leje minerale kur ligji nuk e lejon sot. Procesi i privatizimit i bllokuar komplet, ai nuk firmosë asnjë. Në ministrinë e Financave ka 3 muaj që nuk ka çuar asnjë dosje për privatizimi të ri. Ai nuk do të privatizojë Albpetrolin se i duhet për të vijuar tenderat e ankandit.
Po të them për videon. Kam dokumente të tjera që do i publikoj shumë shpejt, brenda disa ditëve.
G. Sot