Tuesday, March 15, 2011

Gërdeci, njolla e pashlyer e turpit

Sot, në tre vjetorin e shpërthimit të Gërdecit Shqipëria nuk ka zemër, më mirë me thanë nuk ka fytyrë të përkulet mbi varret e 26 burrave, grave, fëmijëve dhe pleqve që humbën jetën atje.

Njëmijë e njëqind ditë dhe nuk ka ende asnjë fajtor të shpallur nga gjykata.
Nuk ka asnjë marrje të hapur përgjegjësie dhe shprehje të hapur ndjese nga qeveria "Berisha". Nuk ka asnjë kumpt për ata që nuk kthehen më, a thua se i ka vrarë rrufeja apo përpirë toka. Jo,nuk jam krejt i saktë. Ka një lajm të ri në këtë tre vjetor të Gërdecit. Të pandehurit janë kthyer në shtëpi dhe po gjykohen në gjendje të lirë për shkak të kalimit të afateve !
E di se në kuptimin e përgjegjësisë, "Shqipëria" është një nocion abstrakt. Nuk ka fajtorë në fajin e atdheut. Faji i të gjithëve është shpeshherë faji i askujt, sikurse është strofkulla më e mirë për fajtorët konkretë.
Por dua të nënvizoj se mungesa edhe pas tre vjetësh e drejtësisë dhe ndjesës për tragjedinë e 15 marsit 2008 rëndon tashmë si njollë, si dështim dhe si turp mbi Prokurorinë dhe Gjykatën, mbi Këshillin e Lartë të Drejtësisë, mbi Minisitrinë e Drejtësisë, mbi Qeverinë në tërësi, mbi partitë, mbi shoqërinë civile. Për të mos thënë më shumë.
Natyrisht, nuk mund të futen të gjithë në një thes. Nuk janë njëlloj si ata që kanë bërë çmos për degradimin e procesit, si ata që kanë heshtur. Nuk është e njëjtë përgjegjësia e e organeve të drejtësisë me atë të shoqërisë civile, përgjegjësia e qeverisë me atë të opozitës.
Dallimin këtu e kupton kushdo. Por duhet ta themi se guximi i disa politikanëve dhe gjyqtarëve për të kaluar pa të keq mbi të vrarët na përfshin të gjithëve në bashkëfajësinë e oportunizmit dhe konformizmit.
Nuk ka asnjë mister në faktin se Gërdecin si aferë e ka krijuar qeveria "Berisha" në tryezën vezake të mbledhjeve të saj me 12 shkurt dhe 14 mars 2007 kur u miratua projekti i ripunuar.
Mund ta kishim menduar si një vepër të pakujdesisë dhe nxitimit- tragjeditë me zanafillë vendimet qeveritare kanë ndodhur e ndodhin, edhe pse gjithnjë e më pak. Por pas shpërthimi tragjik, në vend që të jepte shembullin e trasparencës edhe atje ku nuk i kërkohej, meqenëse humbjet ishin shumë të mëdha , kryeministri Sali Berisha nuk gjeti asnjëherë forca ta bënte këtë.
Në të kundërtën, përballë shpërthimit që do të ndante në dysh qeverisjen e tij dhe raportin e tij me të vërtetën, ai konturoi një fushatë sulmesh kundër Prokurores së Përgjithshme, Ina Rama. Sot ne kemi në mendje sulmet dhe fyerjet e fresketa të Berishës ndaj Ina Ramës për shkak të 21 janarit, 2011.

Por po të kthehemi prapa në kohë, në muajt maj dhe qershor të vitit 2008, do të shohim se ajo ka qenë edhe atëherë nën të njëjtin agresioni verbal të kryeministri dhe shpurës së tij.  
Gërdeci ndihmon shumë për të kuptuar pozicionin e qeverisë ndaj vrasjeve të 21 janarit sikurse 21 janari ndihmon shumë për të kuptuar pozicionin e qeverisë ndaj tragjedisë së Gërdecit.


Aleks Nika, prostestues i 21 janarit, i vrarë në mes të bulevardit!!!
E përbashkëta e këtyre qëndrimeve qëndron në të njëjtën teknologji politike të orjentimit të hetimeve në një hulli të caktuar nepërmjet intimidimit dhe nënshtrimit të prokurorëve. Në vitin 2008 ishte në rendin e ditës zbardhja e Gërdecit.
Prokurorja e Përgjithshme po kërkonte heqjen e imunitetit të ish ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu. Edhe ateherë, ashtu si sot, ajo mbështetej me forcë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në pamje të parë dukej sikur kryeministri Berisha po bëntë vetëvrasje politike me sulme, që kishin kuptimin e marrjen në mbrojtje të Fatmir Mediut.
Në të vërtetë në rrethanat e krijuara Berisha nuk mund të mos e jepte imunitetin e Fatmir Mediut. Me sulmet kundër kryeprokurores, që dukeshin pa kuptim teksa shumica po votonte me të dyja duart kërkesën e firmosur prej saj, Berisha dhe shpura e tij po krijonin një qëndrim, që ishte njëkohësisht edhe një politikë në lidhje me zbardhjen e Gërdecit.
Nuk do të rrinin të varur nga hetimi, nuk do të drejtoheshin nga hetimi, por do të bënin çmos ta drejtonin ata hetimin dhe gjykimin e Gërdecit.


Kjo ishte politika e mbledhjes se hetimit dhe gjykimit në një pistë anësore, në një pistë të tillë, që në një anë publiku dhe të afërmit e viktimave të mendonin se Gërdeci po zbardhet, ndërsa nga ana tjetër të lihej jashtë procesit gjithçka dhe gjithkush që imlikonte moralisht apo penalisht Berishën dhe qeverinë e tij. Kjo ishte një zgjidhje e përshtatshme edhe për ata privatë apo zyrtarë të rangjeve të dyta e të treta që do të viheshin përkohësisht prapa hekurave.
Më mirë të dilnin para drejtësisë dhe të sakrifikonin paksa duke ruajtur mbështetjen e shefave, se sa të gjykoheshin e dënoheshin bashkë me shefat.
Mbetet e paharrueshme buzeqeshja e presidentit të firmës Albademil, Mihal Delijorgji, kur po dilte me duart në pranga nga dyer e gjykatës ku sapo kishte marrë vendimin e burgut pa afat për 26 të vdekurit në fabrikën e tij.
Shumë shpjegime dhe komente janë bërë për atë buzeqeshje intriguese si të Mona Lizës. Më ka mbetur në mendje shpjegimi që thoshte se Mihali buzeqeshte ashtu sepse ndihej si trimi i mirë me shokë me shumë, kishte marrë siguri dhe po u kthente siguri shokëve jashtë.
E shoqëruar me forma të shumllojshme presioni dhe me manovra të ulëta për djegien e afateve ligjore të gjykimit, politika e mbledhjes së Gërdecit në një pistë të dorës së dytë ka patur e ka një rol të dorës së parë në dështimin e deritanishëm të procesit.
Në gjykatë kanë përfunduar si të pandehur drejtuesit e ndërmarrjes MEICO dhe Albademil, që janë akuzuar respektivisht për favorizim dhe për shkelje të rregullave të mbrojtjes së jetës me pasovë vdekjen e personave.
Kurse ajo pjesë e historisë që ka të bëje me vendimet e Këshillit të Ministrave, me urdhrat e ministrit të Mbrotjes, me kontratën e dytë të 31 dhjetorit 2007, me funksionimin e çuditshëm të fabrikës, ku një palë e ka përdorur për demontim fishekësh, një palë tjetër për paketim fishekësh, një palë për të shitur barut dhe tunxh e një palë tjetër për të shitur fishekë- pra gjithë pjesa që e tregon Gërdecin si një histori korrupsioni nuk shohim të këtë përfunduar në gjykatë.
Zvarrisjet flagrante të procesit shpjegohen rëndom me mungesën e qëllimshme të avokatëve në seancat gjyqësore.
Kryeministri bën sikur revoltohet.
Minsitria e Drejtësisë bën sikur revoltohet. Këshilli i Lartë i Dretjësisë bën sikur revoltohet. Të gjithë bëjnë sikur. Edhje gjyqtarët bëjnë sikur po gjykojnë. Avokatët kanë përgjegjësinë e tyre, por problemi është më i thëllë. Sjellja e avokatëve u vjen përshtat të gjithë të lartpërmendurve.
Vetë Gërdeci si proces gjyqësor ka katandisur në një "sikur" të madh, ku gjytarët vinë vërdallë pa qenë të qartë ç`do të bëjnë me të. Gërdeci është konceptuar i tillë për t'u zvarrisur. Është ndërtuar i tillë që të degradojë.
Po të ishte ndryshe, gjykata do të kishte shpallur me kohë gjykimin e panderprerë, për t'ua djegur llogaritë në xhep avokatëve. Po të ishte ndryshe, do të ishte gjetur patjetër rruga për të sjellë në Shqipëri pronarin e shoqërisë amerikane SAC, Partik Henri, pronarin e madh të Gërdecit që ka krijuar të vegjlit, atë të cilit qeveria "Berisha" i ka dhënë formalisht të drejtën e demontimit të fishekëve në Gërdec.
Si është e mundur që edhe pas tre vjetësh ky zotëri nuk ka dhënë ende një dëshmi për fabrikën që qeveria shqiptare ia dha me aq bujari dhe ku një ditë të bukur gjetën vdekjen 26 njerëz!
Zhdukja e tij, distanca e tij me drejtësinë shqiptare apo fshehja e tij bien erë të keqe.
Lind pyetja përse nuk është kërkuar arrestimi i tij , sa kohë që ai e ka pas përfituar njëqind për qind kontratën e Gërdecit për të ndarë pastaj me shqitarin Mihal Delijorgji?
Kam frikë se Patrik Henri ka humbur apo ka munguar në Shqipëri sepse askush nuk e ka kërkuar serjozisht.
Ardhja e tij në Shqipëri apo një dëshmi e tij e dretpërdrejtë do ta hapte historinë e Gërdecit në zonën tash për tash të ndaluar për zbardhje ligjore. Një mori pyetjesh kuptimplote e kërkojnë atë.
Jo se nuk mund të sqarohen pa të, por gjithsesi përgjigjet e të zotit të punës do t'i jepnin me shumë dritë së vërtetës. Përse Gërdeci që ishte dhënë nga qeveria shqiptare për demontim fishekësh, është përdorur nga një palë shqiptare edhe për paketim fishekësh për shitje? Ç'ishte ajo fabrikë që kishte jo vetëm punëtorë por edhe pronarë në të zezë?

Cili është roli i Patrik Henrit në kontratën e dytë të Gërdecit, në kontratë që në një përqeshje tragjike me fishekzjarret e vitit të ri 2008 dhe si një paralajmërim kobzi i kërpurdhës që do të ngrihej në qiell dy muaj e gjysëm me vonë, u lidh pikërisht me 31 dhejtor 2007?
A mos vallë Patrik e kishte mbaruar punën e tij dhe ndërkaq zotërinjtë shqiptarë të fabrikës ishin sulur si të ndërkryer për të mbushur xhepat në të zezë?


Ka edhe një pikë tjetër që mund të sqarohet më mirë nga Patrik. Në 30 prill të vitit 2007, pa dalë ende urdhëri i ministrit të mbrojtjes për hapjen e fabrikës, ai ka autorizuar si përfaqësues të tij në Shqipëri biznesmenin Rrahman Selmanllari, shokun e Shkëlzen Berishës, djalit të kryeministrit.
Është interesant të mësohet si dhe në ç'kushte ky amerikan ka ndarë biznesin apo u ka deleguar përfaqësimin individëve shqiptarë me të cilët nuk mund të ndërronte asnjë fjalë për shkak të mosnjohjes së gjuhëve.
Rrahman Selmanllari ka mohuar çdo lidhje me Gërdecin në Prokurori. Ka mohuar autorizmin, edhe pse ka emrin e tij në të. Ka mohuar lidhjen me pjesëtarët e "grupit hije" që punonin kryesisht natën në Gërdec, edhe pse ka dhënë e ka marrë me dy prej tyre.
Kuptohet se kjo e Selmanllarit nuk është gjë tjetër veçse pjesë e një perbetimi më të gjerë për të mohuar gjithçka që nxjerr në skenën e Gërdecit djalin e Berishës, Shkelzenin.

Është një budallallëk. Në Gërdec ka vdekur edhe baxhanaku i Berishës, Muhamet Hoxha. Berisha mund të mos e ketë njohur, siç ka deklaruar vetë, por Shkëlzeni e ka çuar me punë në "grupin hije" të miqve të Rrahmanit. Gjithçka mund të mohohet, madje edhe të fshihet. I vdekuri nuk mund të mohohet.
Muhamet Hoxha është një viktimë, por edhe një dëshmitar i së vërtetës së Gërdecit. I asaj pjese të së vertetës që nuk është hetuar. Ose është hetuar me ndrojtje, sa për të kaluar radhën, por nuk është dërguar në gjykatë. Ose është dërguar në gjykatë, por është mbyllur me procedurë, në përputhje me politikën qeveritare të zvarritjes dhe degradimit të procesit.
Në trevjetorin e shpërthimit, kur nuk ka ende asnjë fajtor për vrasjen e 26 njerëzve, Gërdeci tregon me gisht shkaktarët e vërtetë të tragjedisë, të gjithë ata që të vërbuar nga ethet e pasurimit të përshpejtuar kurdisen një minë gjigante pranë një zone të banuar, të gjithë ata që s'lanë gur pa luajtur që të mos merret vesh çfarë ndodhi e të mos bëhet drejtësia, të gjithë ata që kanë qenë përbetuar për të vërtetën mbi varret e të rënëve, por që harruan gjithçka në karriget e pushtetit dhe kusarisë.



Një vit më parë Gjykata e Lartë pushoi çeshtjen në ngarkim të ministrit Fatmir Mediu për shkak të riveshjes së tij me imunitet parlamentar.




Këtë vit lanë qelitë dhe u kthyen në shtëpi për shkak të kalimit të afateve të pandehurit kryesorë. Nuk përjashtohet mundësia që vitin e ardhshëm, në përvjetorin e katërt të tragjedisë, ndoshta edhe më parë, ndoshta edhe më vonë, në vartësi të kalkulimeve që do të bëjnë avokatët, të kemi një lajm tjetër të ri: një pjesë e të pandehurve do të marrin pafajësinë, ndërsa tre katër prej tyre do të dënohen me afatet e paraburgimit, që do të thotë se do ta mbyllin çeshtjen në liri.


Ky do të jetë kulmi i një provokimi, që edhe pa këtë është bërë i padurueshëm.
Për familiarët e viktimave, për ndergjegjën qytetare, që nuk mund ta konsiderojë tragjedinë e Gërdecit si një problem privat i individëve që kanë humbur të dashurit në atë tragjedi.

Preç Zogaj, G. Shekulli

Pensionet bëjnë vllehët grekë

Prej vitesh, popullsia vllehe është tentuar të përdoret nga qarqe të caktuara për t’i dhënë udhë një teorie të rreme se ata janë grekë.
Siç zbuloi reportazhi i edicionit qëndror të lajmeve, “Shqipëria Tjetër”, plani është vënë në jetë në mënyra të ndryshme, jo vetëm në trajtë deklaratash mediatike.

Qëllimi është i njëjtë si me shqipëtarët ortodoksë, të cilet së bashku me vllehët synohet t’i shtohen artificialisht numrit të minoritetit grek në Shqipëri.

Udhëtimi i kamerave të Top Channel nisi nga Boboshtica e Korçës , fshati aq shumë i trazuar pas dhunimit të varreve të banorëve të zonës dhe betonizimit të tyre në emër të një memoriali të ngritur nga Omonia për dy ushtare grekë, të vrarë diku në pyjet përreth 71 vjet më parë.

Pavarësisht se të bezdisur nga zhurma e kohëve të fundit që i ka vënë në fokus të gjerë, sidomos pas deklaratave të konsullit grek të Korçës, Ikonomu, banorët vllehë të Boboshticës nuk druhen të flasin mbi prejardhjen e tyre, përkundrazi ata thonë hapur se shtet mëmë kanë Greqinë dhe jo Shqipërinë, e aq më pak Rumaninë a ndonjë vend tjetër.

”Shumica jonë e kemi prejardhje nga Greqia, shumica e vllehëve janë prej andej”, thotë Ilia Petro, një nga banorët e zonës.

Në rrugicat karakteristike të Boboshticës, duket se Greqia ka hedhur rrënjë të forta ndër vite, duke u bërë vllehëve apo çobenjeve, siç njihen ndryshe, një ofertë të mirë të cilën shumica e tyre nuk e kanë refuzuar.

”Greku na ka quajtur homogjenë dhe na ka dhënë karta homogjeni”, thotë Thanas Shaka, një tjetër banor, ndërsa përgjigja e vllehëve në fshat duket kudo e njëjtë.

”Unë jam grek dhe të gjithë vllehët janë greke. Të gjithë këtu janë me pasaportë greke”, shtoi Dine Marku, një tjetër rezident i Boboshticës.

Pak minuta udhëtim, në fshatin e Drenovës, vllehët i gjejmë shumicën duke luajtur, ndërsa pensioni i majmë që marrin nga shteti grek u lejon të mos punojnë në masë.

Mes pensionit 250-300 euro që marrin vllehët nga grekët dhe atij 8 mijë lekësh që jep shteti shqiptar për pensionistët e tij, diferenca është e madhe dhe thuajse ka vënë vulën në zgjedhjen e tyre.
”Ne vllehët jemi të gjithë grekë dhe të gjithë kemi pasaporta greke e marrim pension nga Greqia”, thonë edhe në Drenovë.

Tek disa, lidhja me Greqinë ka shkuar shumë më larg, deri tek egzistenca e të ashtuquajturit “Vorio-Epir”.

”Saranda është e krishterë, Korça është e krishterë dhe të gjitha këto janë zona vorioepiriote”, thonë. Për ironi, himni i flamurit ka lindur pikërisht në këtë fshat, i shkruar nga një vlleh siç ishte Asdreni.

Poeti dhe publicisti i shquar që aq shumë vargje i kushtoi këtij vendi, vështirë se do të imagjinonte kur vdiq 66 vjet më parë, se do të vinte një kohë kur pasardhësit e tij do të ndiheshin grekë.

Në Floq, një tjetër fshat jo larg Drenovës nuk gjejmë qoftë edhe një familje të vetme vllehe. Banorët thonë se ata janë larguar të gjithë vit pas viti. Megjithatë, edhe në fshatin musliman të boshatisur nga arumunet, grekët kanë lënë shenjat e tyre.

”U detyrova që emrin nga Fahri t’a ktheja në Vangjel kur shkova në emigracion, pasi greku nuk më pranonte me emrin musliman, kështu që ndryshova pasaportën. Dhashë 7 mijë lekë dhe e ndryshova”, rrëfen një banor i Floqit.

Nga Floqi, ku dikur jepte mësim edhe këngetarja vllehe Eli Fara, kamerat udhëtuan drejt Voskopojës shekullore. Në fshatin aq shumë të mpleksur mes historive e pretendimeve greke, arumunëve e shqiptarëve, realiteti është krejt i ndryshëm nga ai i Boboshticës e Drenovës.

”Faktikisht ne jemi shqipëtarë, jemi me kombësi shqipëtare dhe mbetemi shqipëtarë. Nuk ka sesi te jemi ndryshe”, thotë disi i tërhequr e i drojtur për shkak të pozicionit si prift i kishës ortodokse të Voskopojës At Thomai, edhe ai vlleh, lindur e rritur në Voskopojë.

”Edhe unë jam vllah, por jam shqiptar. Me aq sa di unë, gjuha vllehe është latine. Jam vllah lindur dhe banues në Voskopojë dhe këtu do të mbetem”.

Menjëherë pas viteve 90, Greqia vrapoi të kthente në grekë edhe popullsinë vllehe, sidomos në fshatrat përreth Korçës, Sarandës, Gjirokastrës e më tej, duke ofruar në këmbim pensione të majme.
Vllehët e sotëm, në një pjesë të madhe duket se kanë harruar paraardhesit e tyre, Mihal Gramenon, Themistokli Gërmenjin, Kostandin Kristoforidhin, Naum Veqilharxhin, Asdrenin, Spiro Ballkamenin, Kol Idromenon e shumë e shumë të tjerë që bënë histori me pushke e me penë në emër të flamurit të kombit shqipëtar.
Asnjë nga këta burra vllehë të shqiptarizmës nuk ishte grek, ashtu si të sotmit, që vetëm pensionin kanë të tillë.

Top Channel

Paganizmi ndër shqiptarë: Festohet masivisht Dita e Verës.

Kur Vaso Pasha do të shkruante në fund të ‘800 se “feja e shqiptarit është shqyptaria’’ besoj do të kishte parasysh më shumë se një thirrje kombëtare për shpëtimin e kombit, faktin se bashkëkombësit e tij nuk ishin edhe aq fetarë sa ky element të përbënte një çelës propagande apo thirrjeje për zgjim kombëtar por ishte e kundërta, pra fakti që nuk ishin fetarë aspak.

Në ditët e sotme ndajmë të gjithë të njëjtin mendim se tek shqiptarët edhe pse të ndarë në disa fe ekziston tradita e mirë e tolerancës fetaredhe e një harmonie bashkëjetese midis feve të ndryshme, gjë që na bën të krenohemi dhe ta trumbetojmë si një vlerë të madhe të shoqërisë sonë. Dhe padyshim që është e tillë.Ne shqiptaret pavaresisht se te “ndare” ne dy fe e kater komunitete fetare, jane të shkëputur nga feja, që nuk ka rëndësi të madhe në jetën tonë të përditshme e deri diku edhe në sensin e të thënit si të ‘pa fe’, jo në kuptimin negativ të fjalës.
Shqiptarët kanë qenë dhe janë tolerantë është se atyre nuk u bëhet shumë vonë për fenë, nuk e kanë atë si tregues të identitetit të tyre dhe as pjesë përbërëse e jetës së tyre të përditshme. E kam fjalën në përgjithësi duke mos marrë parasysh grupe të caktuara religjozësh apo besimtarësh që janë një pakicë shume e vogël, sidomos ne Shqiperine londineze.


Gjithashtu, janë të shumtë ata që mendojnë se shqiptarët janë popull pagan dhe kjo shihet në shumë artikuj dhe forume ku njerëzit shprehen për këtë temë. Termi ‘paganizëm’ haset shpesh,  ai perdoret masivisht, por shpesh here ne menyre te gabuar. Paganizmi nuk eshte prapambetje një nga format më të vjetra të besimit në botë, praktikuar pothuaj në të gjitha kulturat e hershme. Fakti qe Shqiptaret jane kaq pagane sot, eshte nje tjeter deshmi si shume te tjera,per vjetersine e ketij populli e lidhjen e forte qe ka ky i fundit me te kaluaren e tij.

Festimet ne Tirane
E faktin me kokeforte per paganizmin nder shqiptare e per cka thame me siper, mund ta vereje dje vecanerisht ne Tirane e Elbasan, ne Diten e Veres. Nje festim masiv, me i madhi qe prej kohes kur kjo date u shpall si Feste Kombetare, ashtu sic i kishte hije te ishte, nje feste etnike, e lashte, pan-shqiptare, nje feste e races sone, sic do te shprehej Konica i madh. Dita e Verës është dita ne te cilën stërgjyshërit tanë, -shprehej Konica -kur s’kish lindur ende Krishterimi, kremtonin per perëndite e luleve, te shelgjeve. Kur shkrin dimri, kur qaset vera e buzëqeshur, e holle dhe e gjate si ne pikture te Boticelit. Zemra e njeriut shkarkohet nga një barre, shijon një qetësi, një lumturi te ëmbël. Në këtë gëzim stërgjyshërit tanë ndjenin një detyre, tu faleshin perëndive qe sillnin këto miresi. Dhe ashtu lindi festa hiroshe qe e quajnë Dita e Verës.

 Rrugët e sheshet kryesore u tejmbushën nga të gjithë shqiptarët pa dallim moshe, besimi fetar dhe krahinor, tw bashkuar si një trung i vetëm duke treguar se janë një komb i vetëm dhe që kanë vetëm një identitet, atë shqiptar, i cili rrjedh nga qytetërimi antik Ilir, ndër më të vjetërit në Evropë. Dita e Verës e vërteton këtë lidhje, sepse vetë " Dita e Verës" është shumë e lashtë për nga koha e kremtimit dhe mënyra. Është festë pagane që rrjedh nga lashtësia dhë që është ruajtur me shumë fanatizëm deri në ditët tona, kryesisht ne VALM (Elbasan) i cili eshte kryeqyteti I kesaj feste me embelsiren tradicionale, ballokumen, shume te kerkuar tanime ne cdo treve shqiptare.

Festimet ne Tirane
Dita e verës, pavarësisht se e festuar kryesisht ne Elbasan, ajo eshte feste mbare shqiptare, ku cdo krahine e feston me menyren e vet. Ne veri ajo festohet me ndezjen e zjarreve purifikuese dhe kercimin rreth tyre, nje rit teresisht pagan dhe si gatim tradicional eshte dupa me kembe te thata dhie. Ne jug ajo festohet edhe me veze te lyera me shume ngjyra. Ne Tirane e Durres, ajo festohej ne menyre te ngjashme. Ne mengjes here tai qw zgjohej i pari duhet te kepuste nje dege me lule kumbulle e nje dege ulliri ose caraci e ta vite ate ne hyrje te shtepise. Ai qe e bente kete, do ti shkonte viti i mbare. Femijet shkonin dere me dere, e duke bere si zogj lajmeronin ardhjen e veres. Nuk duhet harruar edhe verorja aksesori i kesaj fete, ku diku behej me ngjyre te bardhe e te kuqe e diku me shume ngjyra.

Shoqeria shqiptare është më tepër pagane sesa e kundërta. Po të shohim kalendarin e festave e veçanërisht se çfarë ndodhgjatë tyre vëmë re se shqiptarët festojnë të gjitha ditët fetare sipas mënyrës së tyre. Kështu ndodh kur është Bajrami. E bëjnë në mënyrë pagane pa qenë nevoja të shkojnë në xhami. Kur janë krishtlindjet edhe
pse jemi një shoqëri me shumicë myslimane përsëri gjithë vendi zien nga atmosfera e festës. Dhe mesazhe urimi u dërgojmë të gjithë të dashurve, duke harruar se çfarë besimi u përkasin.

Gjatë komunizmit ne ishim i vetmi vend ateist në botë. Edhe Bashkimi Sovjetik e vendet e tjera të diktaturave komuniste pavarësisht se denigruan fenë dhe propogandonin kundër saj, nuk arritën kurrë ta ndalonin atë, të mbyllnin vendet e kultit e të shpallnin të jashtëligjshme praktimin e riteve te saj. Dhe jo çuditërisht shumica e popullsisë shqiptare gjatë asaj periudhe e mbështeste këtë duke bërë që dhe sot numri i atyre që konsiderohen ateistë të jetë jo pak i ndjeshëm.

Pelegrinazh ne Kishen e Lacit
Po ashtu festojmë edhe Vitin e Ri që është festë me origjine pagane bazuar në kalendarin Gregorian si dhe ditën e verës apo ndonjë festë tjetër që nuk ka lidhje më fenë. Shqiptari mjaftohet te shkoje ne nje vend te mire, po se janë xhami, teqe bektashinjsh, kisha ortodokse apo katolike nuk bëjnë dallim. Pelegrinazhet thaujse epike, ne Kishen e Shen Ndout ne Lac, ne malin e Tomorrit etj. e deshmojne kokefortesisht kete. Vitin e kaluar keto dy destinacione shpirterore te shqiptareve arriten te benin bashke, afro nje milion Shqiptare nga te gjitha trevat shqiptare, per nje kohe record prej vetem dy-tre ditesh.

Ja pra që ne shqiptarët më shumë se monoteistë, pavarësisht fesë që i përkasim veprojmë si pagane. Per ne feja ka fare pak rendesi. Shqiptari nuk bën diferencim rëndësi ka që beson.Nje arsye me shume edhe per te treguar se regjistrimi mbi baza fetare, eshte kaq i pa vlere ne keto kushte.

Shqiponja e shenjte dhe Zeusi

Ku t'i kërkojmë heronjtë?

Ka një minierë që shumë politikanë, në vetëdijen e tyre e konsiderojnë, floriri. Ato janë ndjenjat e qytetarëve.
Në mënyrë të veçantë, eksplorimi më rezultativ dhe më i thjeshtë i tyre, ndodh në moment stresi, varfërie, mungese informacioni. Këto ndjenja, kanë një fuqi të tillë që mund të lëvizin dhe male.
E midis tyre, sidomos për popuj të vegjël e me histori të jashtëzakonshme mbijetese, atdhedashuria mbetet më e forta. Me këtë ndjenjë nuk duhet luajtur, çdo herë e për çfarëdo arsye.
Janë këto ndjenja që të nxitura nga mëndje të ndritura kanë sjellë revolucione demokratike në të katër anët e botë. Por jo rrallë, kanë sjellë edhe diktatura, nga më të egrat e më gjakataret. Shpesh keqpërdoren edhe për cështje më të vogla.
Psh për të ndryshuar drejtimin dhe qartësinë e shikimit të opinionit publik për ngjarje dhe fenomene politike të ditës. Kur lodhja jonë është e madhe, kur vështirësitë e jetës janë një ortek që s'ndalet, kur vuajtja nga e gjitha kjo s'ka fund e kur s'ka më besim tek askush, ne jemi më vulnerabël se kurrë ndaj rrezikut, që mendje të caktuara, të na "ndihmojnë" të jetojmë në një realitet virtual, që na pengon ti shohim gjërat drejt.

A na kujtohet Gërdeci?
Lajmeve për shtyrjen e gjyqeve të tij as nuk iu hedhim më sytë se na lodhin. E pra, a ju kujtohet zhurma e jashtëzakonshme që e pasoi atë.
Ndjenjat tona? Ku janë ato? Ku mbeti dëshira jonë për drejtësi? Ku ngeci?

A ju kujtohet 21 janari?
Lëmshi i ndjenjave që na zuri fytin. Ishte aq i qartë 21 janari kur ndodhi para syve tanë. Një sekondë më vonë ne qeshëm me "përshkrimin" që i bënë atij. Sepse e kishim jetuar vetë, e kishim parë vetë e kishim prekur vetë e kishim qarë vetë.
Të gjithë njësoj.
Po sot, a ju kujtohet më?
Ne jemi të ndarë: dikush mendon se e prodhoi opozita, dikush qeveria. Ne kemi harruar ç'kemi parë. Ne "kujtojmë" ç'na thanë. Ne e jetojmë këtë datë, siç na u tha nga partitë që duam. Kjo nuk na rrit. Si qytetar, si shoqëri.
Sot jemi mobilizuar të gjithë, në shtyp, në blogje, në ekrane për të zgjidhur cështjen e regjistrimit të popullsisë.  
A kemi të drejtë të shqetësohemi nga regjistrimi i popullsisë sot?
Po. Pa asnjë dyshim.
Sepse me të drejtë, numri i minoriteteve mund të na dalë më i madh se ç'është dhe në vazhdim të kësaj, mund të na ndodhë pas disa vitesh, kur t'i kërkojmë Europës integrimin e plotë, për shkak të vendimmarrjes me unanimitet të saj, në procedurat e anëtarësimit, ndoshta Greqia do të vërë veton e saj, me kusht autonominë e jugut të vendit. Sikurse po vepron me Maqedoninë fqinje.
Ndjenjat tona janë tashmë prekur. Dhe siç ndodh rëndom, ne kemi tashmë vendosur kush do të jetë heroi ynë i radhës. Dhe kush do të jenë tradhtarët gjithashtu. Ai që sakrifikon gjithçka për kombin dhe ata që e shesin atë.

S'ka gjë, s'ka gjë se po shkelen një numër parimesh, të cilat përbëjnë thelbin e sistemit demokratik. S'ka gjë, s'ka gjë, se drejtësia jonë është ajo që është dhe ne, përveç të tjerave, jemi larg Europës edhe për këtë. S'ka problem, aspak pse për Gërdecin nuk do të ketë drejtësi. Dhe me sa duket, as për 21 janarin. A mos vallë i harruam që tani?
Sigurisht. Sigurisht, gjithashtu, as që ja vlen të kthesh kokën, kur qytetarët e këtij vendi nuk kanë më besim tek një drejtësi e pavarur, e paanshme, efektive dhe transparente.

Por, përse nuk kemi një drejtësi siç duhet? A nuk kemi në krye të saj, njerëz që për kombin sakrifikojnë edhe veten? Ku janë ata?
Tani s'ka kohë për këtë, do të thotë dikush. Një rrezik më i madh se një drejtësi e kalbur po i drejtohet kombit tonë.
Kush mendon ndryshe e ka gabim ose nuk e do vendin. Si gjithmonë, s'ka kurrë kohë të ndalemi e të protestojmë për këtë drejtësi që kemi. Ndjenjat tona nuk i prek mungesa e saj.
Në fakt, një drejtësi e kalbur i sjell një shoqërie dhe një populli situata si kjo që ne po jetojmë çdo ditë. Një drejtësi e kalbur dhe e bërë njësh me politikën, nuk mundet kurrë të luajë një nga rolet më thelbësore për të cilin ekziston në një sistem demokratik: të kontrollojë pushtetin politik.


Ku është fshehur kjo lloj drejtësie? Kush po e kontrollon këtë pushtet, dje dhe sot? Pse ka heshtur ajo? Pse s'ka funksionuar, gjatë gjithë këtyre viteve? Çfarë e ka penguar? Përse duhet të vinte çështja e regjistrimit për të kuptuar se çpo ndodh në gjykatat tona?
Me drejtësinë tonë?
Puna e heshtur dhe profesionale e të cilës do të duhej të ishte shpëtimtari ynë, shumë e shumë herë më tepër se konferencat, mitingjet dhe debatet televizive. "Sakrificat" e drejtuesve të saj do të duhet të ishin të një natyre tjetër.
Jo në retorika gjithë "zjarrmi", në studio luksoze të televizioneve modernë, por në sallat e "ftohta", të pavarura, të paanshme e gjithë dinjitet të drejtësisë së vendit. Dhe mos harrojmë: pa zhurma patriotike, pa intervista që të ngjethin mishin, pa bujë e pa gazetarë, njëzet vjet më parë, në vendin me të cilin na ndajnë vetëm 40 milje, një tjetër jurist i madh me emrin Di Pietro, në salla të tilla të mbyllura, ndërronte republikat e një vendi. Disa të tjerëve iu dëgjuam emrin vetëm pasi u masakruan.
Kjo drejtësi nuk lind papritmas. Atëherë, kur se pret njeri dhe për më tepër, jashtë sallave të saj. Është një drejtësi që lind nga qytetari, nga arsyeja dhe kultura demokratike dhe jo ndjenjat që aq lehtësisht provokohen. Kjo drejtësi mban shtetin në këmbë.
Drejtuesit e saj, nuk kanë nevojë të dalin në shesh e ti vënë gishtin shtetit fqinj apo qarqeve të tij nacionaliste, që dihet që s'do rreshtin asnjë çast të vetëm së provokuari. Aq më tepër të dalin e të flasin për Europën e Bashkuar dhe miqtë e tjerë të këtij vendi duke rrezikuar, përhapjen e një sentimenti të vjetër ndaj kontinentit, të cilin shqiptarët duhet ta harrojnë.  
Askush në Europën e Bashkuar ka thënë apo nënkuptuar se rruga e Shqipërisë dhe Kosovës kalon nga Athina apo Beogradi.
Asnjë drejtues drejtësie nuk ka të drejtë të dalë e të përhapë në eter ide se mosdhënia e statusit të kandidatit Shqipërisë, janë arsye krejt të tjera nga ajo që dimë të gjithë dhe gjendet e shkruar në raportin e BE-së, midis të cilëve një krizë e pashembullt politike dhe një drejtësi e kalbur qëndrojnë në të njëjtin nivel.
Nxitja e ndjenjave në këtë drejtim shkon veç në të kundërt të interesave tona kombëtare. Vetëm një drejtësi e vërtetë e guximshme e pavarur nga politika shpeton Shqipërinë tonë nga situata të tilla që prodhohen nga politikanë që janë të gatshëm të shesin çdo gjë për pak pushtet.
Askush nuk na e bën Shqipërinë tonë më të vogël. Vetëm ne mund ta zvogëlojmë atë.
Ne "burat" e këtij vendi të lashtë e gjithë histori, që bëhemi "burra", vetëm kur "veza" mbërrin, ngadalë-ngadalë drejt daljes.
Ne burat, që se pyetëm kurrë veten, kur shëllohemi, lyer e zhgërruer me gjithfarëlloj vajrash, nën diellin e jugut tonë, me se jetojnë ata njerëz? Me se mbahen?
Përse burat e këtij vendi kërrusen dhe lëpihen para punonjeseve të gjendjeve civile të atyre zonave për të ndryshuar emra e sorrollop?
Ne burat që edhe sot e kësaj dite, nuk na bën përshtypje përse drejtuesit e drejtësisë edhe pse kanë dalë tashmë nga "toga e zezë", kanë guximin e madh ti vënë gishtin tradhtisë e nuk kanë forcën të deklarojnë fajtorin. Sepse ky ligj i gjendjes civile, ka një fajtor. Siç ka një fajtor edhe formulari i regjistrimit i cili, në një Shqipëri të ndryshme nga kjo e sotmja, s'do të kish kurrfarë problemi.
Kjo luftë patriotike, këto ndjenjat tona na trondisin dhe ngrenë në këmbë me të drejtë. Por ato nuk duhet të na errësojnë deri në atë farë feje sa të mos kuptojmë se sot Shqipërisë sonë, Shqipërisë sonë Europiane nuk i duhen heronj të papritur tribunash pas ngjarjesh të rënda, kur po u vjen fundi. I duhen heronj në zyrat që u janë besuar.
Përveç votës sonë, drejtësia është mjeti i fundit që na mbron nga abuzimi gjithfarësh me pushtetin. Nga djersa jonë, në një jetë tmerrësisht të vështirë, ne u "heqim bukën" fëmijëve tanë për të paguar rrogat e majme një numri të madh njerëzish, që të jenë patriotë në vendin e tyre të punës, aty ku militojnë ata.
Dhe të jemi të sigurtë, nëse gjithkush do të punonte si patriot, gjithmonë, gjithë kohës, aty ku i është besuar, ngjarje të tilla nuk ndodhin. Dhe ngjarje të tilla, ligje të tillë, formularë të tillë, ata që i konceptuan dhe miratuan më shumë se përballjen në debate dhe intervista gjithë bujë, meritojnë përballjen e ftohtë, të heshtur, të pavarur, të paanshme, pa pasion me togat e zeza.
Historia duhet të na ketë mësuar besoj.
Se kur ngjarjet e rënda që na bien mbi shpatulla, fillojnë e bëhen objekte vetëm të deklaratave apo intervistave patriotike, si pa kuptuar, nën furinë e ndjenjave që na nxisin dhe prodhojnë ato, truri ynë i heshtur, harron më pas, ngadalë-ngadalë, se rezultati nuk vjen e se drejtësia nuk jepet, gjithashtu.
Jo rrallë, historia jonë na ka mësuar se zhurma të tilla, bëhen pikërisht për këtë. Për të mbuluar zullumin dhe për të fshehur fajtorët e vërtetë. A do të ndodhë kështu edhe kësaj radhe?
Le të shpresojmë që jo.
Regjistrimi kështu, me këtë formular ndoshta do të ndalet e do të bëhet me standarde objektive. Po kështu, ndoshta Gjykata Kushtetuese do ta shpallë si antikushtetues, ligjin apo nenin në fjalë.


Po më pas?
Më pas çdo të bëhet? A do të kemi fajtorë për këtë? A kemi shpëtuar nga ngjarje të tilla? A do ta lëmë "fertil, barkun" që e polli këtë situatë të shëmtuar? A do të funksionojë drejtësia?
Apo do të vazhdojmë, të vetëkënaqur, të shëllehemi në brigjet e mrekullueshme të jugut, duke tretur vështrimin "larg", të ngazëllyer për gjetjen e heroit të radhës dhe të "tradhtarëve" gjithashtu.
Duke harruar ashtu, nën diellin verbonjës, se ngjarje të tilla vijnë se s'kemi heronj në zyrat e këtij shteti. Ngjarje që do të vazhdojnë të vijnë, pikërisht për këtë, ashtu ngadalë-ngadalë, gjithmonë, sic vijnë vaporët e mëdhenj, një pas një, në Vlorën apo Sarandën tonë, mbushur me turistë të zhurmshëm e gjithë hare.

Igli Totozani, Shekulli

Sondazhi i GALLUP: 49 % e shqiptarëve japin ryshfet

Shqipëria konsiderohet si vendi i rajonit, ku jepet më shumë ryshfet për shërbimet publike.
Sipas sondazhit të publikuar së fundi nga kompania e mirënjohur GALLUP dhe Lëvizja Evropiane në Shqipëri, 49% e shqiptarëve japin ryshfet në shërbimet publike. Në biseda të përditshme të qytetarëve janë të zakonshme pyetjet dhe përgjigjet lidhur me ryshfetin, që ata dhanë në spital, gjykatë, universitet apo tek zyrat e tatimeve.


Sondazhi
Sondazhi në fjalë nuk bën  gjë tjetër veçse shpreh me gjuhën e saktë të shifrave praktikën e ryshfetit, të kthyer për fat të keq në një tipar të shoqërisë së sotme në Shqipëri. Gledis Gjipali, drejtor Ekzekutiv i Lëvizjes Europiane në Shqipëri, partnere e GALLUP-it, në sondazhin rajonal për përhapjen e dukurisë së ryshfetit thotë për programin shqip të DW-së se nga 49% e qytetarëve të intervistuar në Shqipëri thanë se japin ryshfet për të marrë  shërbime në sektorin publik.

Krahasimi
Kjo shifër është pothuajse dy herë më e lartë se në vendet e tjera të rajonit: “ Sipas sondazhit niveli i dhënies së ryshfetit në B-H është 18%, në Maqedoni 13%, në Mali të Zi dhe në Serbia 12%, në Kroaci 10% dhe  në Kosovë 9%.” thotë Gledis Gjipali. Në sondazhin e GALLUP-it disa sektorë rezultojnë të jenë më tipikët për dhënien e ryshfetit në këmbim të marrjes së shërbimit. Pikërisht Mjekësia dhe drejtësia konsiderohen si sektorët, ku dominon më shumë ryshfeti.

Sektorët
“Në vend të parë për marrje të ryshfetit janë shërbimet mjekësore, 645 e të intervistuarve kanë thënë që kanë paguar ryshfet për të marrë një shërbim mjekësor.

1. Në vend të dytë vjen gjyqësori.
2. Më pas sistemi i taksave,
3. Policia,
4. Sektori publik i marrjes së licensave
5. Hipoteka,
6. Doganat
7. Sistemki arsimor”

thotë z.Gjipali.
Po sipas sondazhit ryshfeti vjen si pasojë e mungesës së një legjislacioni të plotë. Një kombinim rrethanash sociale, ekonomike, kulturore dhe psikologjike e kanë bërë në Shqipëri dhënien e ryshfetit në këmbim të shërbimeve nga sektori publik një dukuri zotëruese, që për fat të keq po fiton terren aq sa të duket si  normale dhe e pashmangshme.

Shkaqet
Sociologu Kosta Bajraba, me titullin Profesor, rreshton një sërë arsyesh pse praktika e dhënies  dhe marrjes së ryshfetit vazhdon të fitojë terren. Në krye të tyre qëndron kalimi nga një shoqëri e mbyllur dhe ekonomi e centralizuar në një shoqëri të hapur dhe ekonomi të tregut të lirë. “Ritmi shumë i shpejtë i kalimit nga gjithçka publike në regjimin e kaluar në private ka sjellë që punonjësit në sektorin publik, pra shtetëror të sillen me pasurinë dhe të mirat publike, sikur të jenë private. Dua të them që të sjellurit në mënyrë private me publiken ka arsye ekonomike, shoqërore, kulturore, politike,  madje edhe psikologjike” thotë z.Bajraba. Kombinimi i varfërisë, papunësisë me ndryshimet kulturore, psikologjike të një shoqërie ende në tranzicion duken të jenë shkaqet e kthimit të ryshfetit në një praktikë pothuajse legjitime. Por ka një element tjetër, që është shkaku kryesor i kësaj situate.

Mungesa e legjislacionit
“Ajo, që i jep ryshfetit përmasa dramatike në Shqipëri, është mungesa e një legjislacioni të plotë, që do t’i pengonte nëpunësit publikë të silleshin  me pasurinë dhe të mirat publike në mënyrë private.” thotë Kosta Bajraba. Ndërkohë edhe ato ligje, që ekzistojnë në Shqipëri herë zbatohen dhe herë jo. Kjo  ka sjellë fenomenin e krijimit të një kulture pandëshkueshmërie. “Kultura e pandëshkueshmërisë është bërë në Shqipëri diçka e hasur dendur. Askush nuk mban përgjegjësi, nëse nuk zbaton dhe shkel ligjin. Nëpunësit në sektorët publikë duhet të edukohen dhe të detyrohen që të zbatojnë ligjin", thotë më tej z. Bajraba. Por edhe qytetarët kanë rolin e tyre në lulëzimin e praktikës së ryshfetit në Shqipëri. Çdo qytetar, që jep ryshfet për të marrë shërbimet, që i nevojiten nga sektorët publikë, vepron si individ pa e konsideruar veten pjesëtar aktiv të një komuniteti, që duhet të denoncojë dhe godasë këtë praktikë. Për të dyja palët: ata, që marrin dhe ata, që japin ryshfet, ka një fillim për t'u thënë: "Ndal".  
"Ky është zbatimi me dorë të hekurt, zbatimi i pamëshirshëm i ligjit,” përfundon argumentin e tij Kosta Bajraba.

T. Observer

“Faleminderit” Bollano!

Nuk na ka mbetur  gjë  tjetër  veçse të të ulemi në  gjunjë  e  të themi:

Për ty përgjërohemi, për ty do të lutemi  Bollano... Vërtetë duhet “të të përgjërohemi”, por jo vetëm ty...  Duhet të “përgjërohemi” edhe për qeverinë  tonë  që të bën sehir dhe të  lë  që “të  livadhisësh,  të bredhësh,  të  lëpish kocka”, duke vazhduar  gëlltitjen e  çorbës që mund të  ketë  ngrënë  ndonjëherë, gjatë gjithë historisë,  ndonjë shqiptar politik i fëlliqur, i sojit dhe llojeve të tilla...

“Të përgjërohemi dhe të lumturohemi” pa masë, aq sa, na duhet të dalim në majën e malit të Korabit, të Gramozit, apo të Vetëtimës, e të thërrasim sa të kemi fuqi, për “gëzimin” e madh që ka Presidenti, politika e politikanët e vendit, që “relaksohen”, “kënaqen e ngrenë dolli”, “të shtërgojnë dorën e të përqafojnë” për “bëmat dhe sipërmarrjet” e tua politike ndaj vendit…
Nuk mund të ketë “forcë” në botë, që të mund të na ndalë “gëzimin”,  të na “pushojë harenë”, për partitë  politike shqiptare që të përkrahin, mbështesin, apo të propozojnë për të qenë pjesë e qeverisjes dhe e përfaqësimit…

“Të përgjërohemi”, për të gjithë ata shqiptarë e bashkatdhetarë, të cilët do i gërryejë ndërgjegjja nga brenda dhe as në botën tjetër s’do prehen rehat, që jo vetëm të mbështetën e të votuan, të cilët kanë mohuar apo mohojnë vendin e tyre për ca Euro të “qelbura”, që ua jep “ti”, apo ndoshta ata që të vënë e të iniciojnë “ty”

… Ata, që mohuan nënë e babë, motër e vëlla, sot po mohojnë edhe veten e tyre...
Edhe sikur shpirtin e tyre të shesin, përsëri Qazim, Shaban, Shahin, Myslim do mbeten, e kurrë ndonjëherë sdo mund të bëhen Spiro, Janullatus, Kristo e Vangjel...
“Të krenohem e të mburrem” për prokurorinë, policinë, për të famshmen “drejtësi” në Shqipëri, të cilët “rrinë e tulaten” si pula të lagura në shi, përpara “bëmave  dhe veprave të tua”,  që “qëndrojnë dhe mbeten” më lart se sa ligji…  E si të mos “përgjërohemi” ne për ty…  Nga të katër anët e globit, askush nuk e ka marrë dot iniciativën apo ta ketë çuar ndërmend, të ketë guxuar apo të ketë shansin e mundësinë, që ta quajë vendin e vet “zaptues, pushtues”, ashtu siç e quan vetëm ti…“Të përgjërohem” edhe për një fakt të madh, se nuk kam as edhe një cikë forcë më shumë, se këto rreshta të shkruajtura në këtë gazetë të vërtetë shqiptare.  Me padurim po pres “të të falënderoj”, për  “bombat dhe dasmat e mëdha”, që  kërkon të  bësh e të arrish për Shqipërinë...
Ngrihem në këmbë për mediat vizive shqiptare, që edhe pse “kursyen” pak pudër e një paruke,  nuk hezituan, por të dhanë mundësinë “të bilbilosh” pa tu dridhur syri, të  flasësh  “broçkulla” e të tregosh përralla për historinë e Shqipërisë, sic tregon gjyshja për Nastradinin... Deklaratat e intervistat e tua, të japin përshtypjen sikur flet nga Spitali Psikiatrik në Vlorë, e jo nga Himara me krenari shqiptare.
Zjarr e flakë më merr zëmra, për profesorët e nderuar të historisë, për miqtë e mi historian, që më kanë mësuar historinë e vërtetë, e në këto momente heshtin kur të dëgjojnë, kur ti me “fakte dhe argumente” ke filluar jo vetëm t’ua tregosh historinë, por realisht “t’ua mësosh”,  jo ashtu siç e di ti, por siç e “duan” apostujt e tu…
Se di, se sa “krenarë” ndjehen Papuliasi, Papandreu, qytetarët, politika dhe qeveria e tyre, që  kanë vendosur zgjidhjen e “halleve” të kusuremadhes  Greqi, përmes dorës dhe  besës  së një njeriu, të një “burreci apo dordoleci”, që për ironi te fatit se di as origjinën e tij…  Jo vetëm një ekstremist Grek, por edhe një qytetar i thjeshtë, s’do i besonte të përfaqësohej në “luftën për greqizimin e Shqipërisë” nga një “grek”, me mbiemrin më mysliman se myslimani, si: Dule dhe Bollano. Nuk besoj që të kenë kaq zemër të madhe, të lënë këtë hapësirë e mundësi minoritarët e vërtetë grek në Shqipëri, sa të “besojnë” që ti, të përfaqësosh ata... Ata, i luten dhe i përgjërohen zotit njësoj si unë, që të mos ulesh e të bëhesh pjesë në “sofrën” e tyre, pasi  një njeri që s’do vendin e tij, nesër mund ti shesë dhe ata,  tek ndonjë “Binlanden bythëzi”… Vetë Jezu Krishti do “të të kishte zili”, pasi për shekuj me radhë, nuk mundi t’i ndërrontë emrin dhe  mbiemrin kaq shpejt askujt njëherazi. “Filozofi Bollano”, sa hap e mbyll sytë, quan jo vetëm Tiranën, por rrezik Shkodrën e Kukësin Greqi.
Eh, mallkuar qoftë kudo në botë, kjo “farë e farsë” si kjo që je ti…Nuk e di se si unë vazhdoj të besoj e respektoj organizata dhe organizma ndërkombëtare për të drejtat e njeriut që aderojnë në Shqipëri, kur ato heshtin e dëgjojnë, nga një njëri kaq i “vogël”, që nxjerr nga goja e tij “sa një çorape” budallallëqe e turpe. Si nuk i vjen “turp” ndonjë përfaqësuesi apo diplomati të huaj në Shqipëri, që ka kurajon e i jep dorën një “krimbi të zi”,  që ndoshta për pesë aspra, do t’ia  nxirrte edhe vendin e tij në “treg të zi”… Jam i sigurt se nesër, as Janullatosi nuk do të të mbështesë e të jetë në krahun tënd, kur sheh se si merr kurajon për të “poshtëruar e tjetërsuar” Progonatin, Himarën, Bregun, Labërinë, Vatanin dhe gjithë Shqipërinë.E ndërsa shqiptarët nuk gjejnë dot hapësirë në shpirtin e zemrën  e tyre që të përtypin “vrerin dhe helmin” që vjell e nxjerr Nikolla Geixh, nuk arrijnë të suportojnë “nismat dhe lëvizjet” e Janullatosit, papritur e pa kuptuar del një shqiptar “kopil” si ti, që i kundërvihet vendit të tij.
Ndoshta, je i vetmi ti në rruzullin tokësor, ai që thua “këto që thua”, kur akoma nuk ke hequr nga këmbët opingat tela-tinga, te cilat të kanë bërë kallo në “kokë” dhe jo në këmbë…
Përse po ja “ha” shpirtin Sabri Godos, i cili luftoi me pushkë dhe penë për vendin e tij???
Përse ma “veremose” Kristo Frashërin në këtë moshë???
Përse duhet ta bësh këtë ti? Përse nuk e lë të madhin Dritëro, ta shijojë deri në fund rakinë e prodhuar nga rrushtë e tokës së tij???
Përse se lë Rexhep Qosen të merret me hallet e gjysmës së nënës sonë Shqipëri???
Pse duhet të na bëhesh barrë edhe ti???
Përse e detyron Kastriot Bezatin të luftojë natë e ditë, që dhe Himara të mos ketë fatin e Shtëpisë së Kulturës e të madhit Naim Frashëri???
Mbase ndonjë politikan, shtetar, qytetar, Berisha, Rama, Dulja e Janullatosi, mund të të kenë ndonjë “borxh”, por jam i sigurt se Shqipëria s’të ka kurrë borxhe e as do të të ketë… 
Si ka mundësi që po ia “punon” kaq keq Shqipërisë, me “pordhët” që vazhdimisht lëshon??? Si ka mundësi që ligji ka kaq shumë hapësirë dhe është kaq tolerant me mostra e farsa si ti? Përse mundohesh që të na e bësh “nënën” më të mirën në botë e më të vjetrën në Ballkan, me damkë e bojë të zezë??? Këtë nuk mund ta bëjë “biri” i saj, por veç një “gjarpër i zi”.  
Përse Bollano, përse nuk i lë të prehen të qetë te paret e rilindasit tanë???
Të kam zili, që di “ta shesësh” kaq shtrenjtë “lëkurën tënde të qelbur e të paskrupullt”, ndërsa Shqipërinë e shet kaq lirë… “E fale” Progonatin, Labërinë, Bregun, Himarën, ballin e krenarinë e Shqipërisë, sikur të ishte “motra më kurvë e shtëpisë”...
T. Observer, Fejzo Subashi

14 Marsi, Elbasani në festë

Netë vere për t'u mbajtur mend kanë qenë koncertet e njëpasnjëshme të zhvilluara në sheshin kryesor të qytetit të Elbasanit me pjesëmarrjen e këngëtarëve dhe grupeve vendase, por edhe të këngëtarëve në nivel kombëtar.
Ajo që ka bërë më shumë përshtypje në dy netët e festës ka qenë skena gjigante e ardhur nga Greqia dhe fonia që mbulonte të gjithë qytetin e Elbasanit.
Gjithçka e ka ndihmuar edhe koha e mirë. Këngëtarët si Maja, Eranda Libohova, Valbona Mema, Endri e Stefi, Noizy etj, kanë performuar më shumë këngë duke bërë që i gjithë sheshi të kthehet në një shesh vallesh. Edhe këngëtarët elbasanas një natë më parë i kanë dhënë ritmin festës, duke sjellë performancat e tyre më të mira. Mehdi Zena, Englantina Toska, Obama dhe këngëtarë të tjerë të rinj, si dhe grupet e kërcimit kanë dhënë shijen e parë të Ditës së Verës.

Festën e ka përshëndetur Kreu i Bashkisë, Qazim Sejdini, me një urim për të gjithë elbasanasit për një verë të mbarë. Koncertet janë sponsorizuar nga bizneset e mëdha, si dhe nga Bashkia Elbasan. Këtë vit veç aktiviteteve tradicionale, do të ketë një panair të dytë të traditës në shesh.



14 Marsi, Bashkia Tiranë: Ja si do të festohet Dita e Verës në kryeqytet

Duke filluar nga ora 10:00 e deri në orët e para të pasdites, bulevardi "Dëshmorët e Kombit" do të jehojë nga tingujt e muzikës dhe festimet tashmë tradicionale. Këngëtarë e grupe të njohura të muzikës moderne do të performojnë në skenën e urës së madhe. Zona pedonale e Bllokut do të ofrojë shumë argëtim e surpriza për të rinjtë.
Ballokumeve të Elbasanit dhe veroreve që Bashkia e Tiranës ofron çdo herë gjatë kësaj feste, do t'i shtohen dhe produktet e shumë kompanive të njohura, të cilat në "Ditën e Verës" do t'i ofrojnë falas për qytetarët.

Fëmijët, si gjithmonë qytetarët e preferuar të kryeqytetit, do të gjejnë koncertet e tyre të dashura, Xhaxhi Piktorin dhe shumë lojëra të tjera përgjatë bulevardit.
Në Lulishten e "Vëllezërve Frashëri" harqet, muzika klasike dhe stendat e librave, do të jenë edhe nesër, duke filluar nga ora 10:00.
"Dita e Verës" në Tiranë, nuk është më vetëm një arenë gjigante argëtimi, por edhe një vend ku të gjithë të interesuarit mund të informohen për tendencat më të fundit të modës dhe estetikës. Nesër, do të keni mundësinë të shihni nga afër modelet më të reja për këtë vit dhe të ndërroni pamjen tuaj nga parukierët dhe estetistët e njohur, që do të performojnë në një skenë gjigante.
Kërkojmë mirëkuptimin e të gjithë qytetarëve për bllokimin e bulevardit "Dëshmorët e Kombit" dhe mbështetjen e Policisë Rrugore, për mbarëvajtjen e këtij eventi të rëndësishëm për Tiranën.

Shekulli

Rudolf Virchow: Kafkat e shqiptarëve tregojnë racën më superiore të Europës

Rezultatet e shkencëtarit Rudolf Virchow, krijuesit të shkencës së kronologjisë, një prej shkencëtarëve më në zë të viteve 1800, politikanit e antropologut të famshëm gjerman, për racën shqiptare

 Shumëkujt mund t’i ketë rënë rasti të lexojë librin e Mit’hat Frashërit, “Shqiptarët” (Zenit Editions 2005) i cili është përkthyer nga origjinali i shkruar në frëngjisht “Les albanais dans leur pays et â l’etranger”.

Ndër shumë citime autorësh – duke bërë komente e përshkrime – që Mit’hat Frashëri sjell për të dhënë një përshkrim të natyrës e karakterit që ka kombi shqiptar, aty nga fundi, ai ruan si diçka të veçantë një citim të cilin e thekson. Ky citim që ai bën, ngjan me ato fjongot që u vihen mbi krye vajzave të vogla, pasi i kanë veshur me hijeshi. Duke qenë se ka folur për tiparet, doket, zakonet, kulturën, aftësinë, jetën e frymën e një kombi që ka prodhuar histori e që ka lënë gjurmët e tij te kjo e fundit prej shumë shekujsh, ai, ndoshta, mendon që për të dhënë edhe një përgjigje përfundimtare për karakterin e shqiptarit, po aq mirë – e ndoshta më shumë se historia – mund të na vijë në ndihmë shkenca. “Po e ruajmë për në fund opinionin e një dijetari dhe antropologu të madh, profesor Virchow. Blowitz, korrespondent i “Times”, na kujton takimin e tij me doktorin” – shkruan Mit’hat Frashëri në librin e tij.
Fragmenti që sjell Mit’hat Frashëri në këtë libër, është një pjesë e shkëputur prej shkrimit  “Virchow chez lui (La danse des crânes- Les peuples des Balkans - La perle de la collection Vivent les Albanais!- Le sa- vant et l'homme politique)”, shkrim i cili u botua në faqen e parë të numrit 6442 të gazetës “Le Matin”, Paris më 15 tetor 1901. Në artikullin e “Le Matin”, kjo pjesë e shkrimit që flet për tiparet e kafkave të shqiptarëve mban nëntitullin “La race supérieure” (raca superiore). Shkrimi origjinal i Blowitz, është botuar në gazetën “Times” që në vitin 1878, shumë vite më parë sesa ribotimi i këtij artikulli në “Le Matin”, 1901. Më poshtë do të sjellim si artikull të plotë, pikërisht botimin më të hershëm të tij.
Përse “Le Matin” e ribotoi, madje në faqe të parë, këtë artikull i cili - bazuar në kërkimet shkencore - flet për superioritetin e madhështinë e racës shqiptare, karshi të tjerave?
Emri i Rudolf Virchow, personit që bën këtë vlerësim është përgjigjja e duhur. Nëse një përfundim të tillë do ta kishte thënë dikush tjetër, pak gjasa do të kishte që të merrej për bazë, por emri i Virchow, është i përmasave të tilla sa vështirë të besojmë se një shkencëtar i tillë kishte “lajthitur”, kur i shikonte shqiptarët me mahnitje, si racën më të përsosur.
Në vitin 1915, pas ndarjes së padrejtë të trojeve shqiptare, Shqipëria kërcënohej sërish nga një copëtim i ri. Ishte viti i Traktatit të  fshehtë të Londrës, i cili i falte Italisë Vlorën me qarkun e saj dhe i lejonte një lloj protektorati mbi Shqipërinë e Mesme, teksa grekët merrnin Shqipërinë e Jugut dhe serbo-malazezët atë të Veriut. Në këtë vit, Faik bej Konica, intelektuali i njohur shqiptar, ngre zërin për padrejtësitë e radhës që po bëheshin ndaj shqiptarëve. Në atë kohë ai ndodhej në Lozanë, Zvicër. Më 12 nëntor 1915, duke i dërguar një letër të hapur, zotit Hans Delbruck, këshilltar i afërt i qeverisë, profesor i historisë moderne në Universitetin e Berlinit, ai demaskon politikat e gabuara gjermane. Letra e shkruar dhe e botuar në frëngjisht - “Gjermania dhe Shqipëria” (L’Allemagne et L’Albanie) – është botuar këto vite nga studiuesi Jup Kastrati në studimin e tij “Mbi krijimtarinë letrare të Faik Konicës”, si pjesë e veprës “Studime për autorë të ndaluar” botim ky i Qendrës së Studimeve Albanologjike. Arsyeja që e përmendëm këtë letër të Konicës, është se ndër të tjerë ai i referohet edhe Virchow, për t’i treguar profesorit gjerman, Hans Delbruck, tiparet e kombit shqiptar. Ja seç shkruan ndër të tjera Faik bej Konica:
“...mund t’ju vë në dijeni për ekzistencën e një traktati bullgaro-grek për ndarjen e Shqipërisë, traktat i sugjeruar, miratuar, vulosur dhe garantuar nga Gjermania. Për këtë arsye, marr guximin t’ju drejtoj, i lutur nga bashkatdhetarët e mi një pyetje: “Si do të arrini ju të pajtoni deklaratën tuaj me planin brutal të copëtimit të Shqipërisë?”
Ja një vend, ja një popull që hyn në kategorinë e “kombësive të vogla” dhe që do të meritonte, në mënyrë të veçantë, mirësinë dhe vlerësimin tuaj. A nuk ka thënë Mommseni juaj se kombi shqiptar është më i vjetri në Ballkan? A nuk a ka quajtur shpesh Virchow-i juaj “kombin me të vërtetë më superior” të Europës Lindore? A nuk e kanë përsëritur në çdo kohë, dijetarët tuaj, që dallohet nga fqinjët e tij për nga gjuha dhe shpirti?”
Para se të lexojmë takimin e Blowitz, gazetarit të “Times”, me profesor Virchow, le të shohim shkurtimisht diçka për jetën e shkencëtarit gjerman. Kjo gjë na ndihmon për të kuptuar më qartë përfundimet e tij mbi shqiptarët dhe rëndësinë e punës së tij.

Kush është Rudolf Virchow?
Rudolf Ludwig Karl Virchow (1821-1902) ishte një doktor gjerman, antropolog, patolog, prehistorian, biolog dhe politikan, i njohur për shpënien para të shëndetit publik. Atij i referohen si “babai i patologjisë moderne” dhe konsiderohet si një nga themeluesit e mjekësisë sociale. Vinte nga një familje bujqish me origjinë gjermane dhe polake. Virchow studioi për mjekësi dhe kimi në Berlin në Akademinë Ushtarake Prusiane. Kur u diplomua në 1843, shkoi për të shërbyer si asistent i anatomistit të njohur, Robert Froriep. Një nga kontributet e tij më të mëdha për arsimin mjekësor gjerman ishte inkurajimi i përdorimit të mikroskopit nga studentët, duke u bërë thirrje studentëve të tij për të 'menduar mikroskopikisht'. Virchow ka meritën e shumë zbulimeve të rëndësishme. Kontributi shkencor më i njohur gjerësisht i Virchow është teoria e tij për qelizën, e cila ndërtoi punën e Theodor Schwann. Ai përmendet si i pari që njohu qelizat e leucemisë. Virchow botoi në vitin 1858 studimin e tij mbi qelizat në “Omnis cellula e cellula ("çdo qelizë e ka origjinën nga një tjetër qelizë ekzistuese si ajo"), bazuar në shpikjen e François-Vincent Raspail. Ky ishte një refuzim i konceptit të lindjes spontane, i cili mbronte idenë se organizmat mund të lindin nga materia e pajetë, i kundërshtuar fillimisht nga Francesco Redi dhe hedhur poshtë përfundimisht nga Virchow, për të deklaruar se burimi i vetëm për një qelizë të gjallë ishte një tjetër qelizë e gjallë.
Një zbulim tjetër i rëndësishëm (i madh) i Virchow, është edhe ai që bëri përafërsisht në të njëjtën kohë me Charles Emile Troisier, në lidhje një nyje të zgjeruar supra-calvicular dhe kancerin në mushkëri. Kjo njihet si nyja e Virchow. Virchow është gjithashtu shumë i njohur edhe për sqarimin e funksionimit të mekanizmit të thromboembolism-it të  mushkërive. Për më tepër, Virchow themeloi fushat mjekësore të patologjisë qelizore dhe të patologjisë krahasuese.
Në vitin 1869 ai themeloi shoqërinë e antropologjisë, etnologjisë dhe parahistorisë (Gesellschaft für Anthropologie, Ethnologie und Urgeschichte), e cila pati shumë ndikim në koordinimin dhe intensifikimin e hulumtimit arkeologjik gjerman. Në vitin 1885 ai zhvilloi një studim të kraniometrisë (matja e studimi i kockave të kafkës), i cili dha rezultate të habitshme që kundërshtonin teoritë bashkëkohore shkencore raciste mbi "racën ariane", duke e shtyrë Virchow që të denonconte "misticizmin nordik" në Kongresin e Antropologjisë në vitin 1885 në Karlsruhe. Në vitin 1861, ai u zgjodh anëtar i jashtëm i Akademisë Mbretërore suedeze të Shkencave e në 1892 u nderua me Medaljen Copley. Mes studentëve të tij më të famshëm ishte edhe antropologu Franz Boas, i cili është quajtur si “babai i antropologjisë amerikane” dhe “babai i antropologjisë moderne”. Virchow ishte një studiues i palodhur dhe ka lënë një numër shumë të madh veprash të shkruara.
Ai zhvilloi gjithashtu një metodë standarde të procedurës së autopsisë, e cila mban emrin e tij e që është ende një nga dy teknikat kryesore të përdorura sot. Por më shumë se një mjek eksperimentues, Virchow ishte edhe një avokat i pasionuar për reformat sociale dhe politike. Ai konsiderohet gjerësisht si pionier i mjekësisë sociale dhe antropologjisë. Virchow kundërshtoi fort Darvinizmin nëpërmjet një lekture të tij ku theksonte faktin se mungojnë provat e fosileve për një prejardhës të përbashkët të majmunit e njeriut.
Virchow ka meritën edhe për themelimin e mjekësisë shoqërore, duke u përqendruar në faktin se shpesh sëmundja nuk është thjesht biologjike, por një rrjedhim shoqëror. Si një bashkëthemelues dhe anëtar i partisë liberale (Deutschen Fortschrittspartei) ai ishte një antagonist kryesor politik i Bismarkut. Thuhet se Bismarku e sfidoi Rudolf Virchow në një duel dhe Virchow, duke pasur mundësinë e zgjedhjes së armës, sepse ishte pala e sfiduar, zgjodhi dy salsiçe, ku njëra prej të cilave ishte me kolerë. Bismarku, thuhet, se u tërhoq nga dueli. Një fushë ku ai ka bashkëpunuar me Bismarkun ishte Kulturkampf, fushata anti-klerikale kundër Kishës Katolike duke pretenduar se ligjet anti-klerikale sillnin "karakterin e një lufte të madhe në interes të njerëzimit". Virchow ishte një person i respektuar në qarqet masonike dhe ka burime që pohojnë se mund të ketë qenë një mason. Vdiq nga pushimi i zemrës dhe u varros në varrezat Matthews St., Schöneberg, Berlin. Shoqëria për Mjekësi e Antropologji jep një çmim vjetor në emër të Virchow-it (Rudolf Award Virchow).

Shqiptarët, raca superiore
Që profesor Virchow ishte një prej emrave më të shquar të shkencëtarëve të kohës, vihet re lehtë. Këtë ide e përforcon edhe më tepër Blowitz në artikullin e tij. Duket se ky emër i famshëm kishte bërë që artikulli i Blowitz, të botohej, në të njëjtën kohë me Times, edhe në cepin më të largët të botës, në Zelandën e Re (“Dr. Virchow on skulls”, New Zealand Tablet, Volume VI, Issue 290, 22 November 1878, faqe 17). Është po i njëjti artikull që ribotohet në vitin 1901 në “Le Matin”. Më poshtë është artikulli i plotë. Ja se si e përshkruan Blowitz takimin në shtëpinë e profesor Virchow:
“Unë pranova gjithë padurim ofertën e dr. Liebreich për të më njohur me dr. Virchow. Pritëm disa minuta në një prej laboratorëve. Në dhomën e parë nëpër të cilën kaluam gjendej një koleksion me eshtra njerëzore, të rregulluara në mënyrë simetrike si të ishin oaze. Një ndihmës ishte i zënë me punë në kryerjen e llogaritjes së përmasave të një kafke të vendosur në mënyrë precize në një mbajtëse qelqi. Dhoma e dytë ishte si një miniaturë e Luginës së Jozafatit (shënim i përkthyesit, A.H: Jozafati ishte mbreti i katërt i Mbretërisë së Judës, ndërsa Lugina e Jozafatit është vendi ku: sipas Joel 3:02, Perëndia e Izraelit do të mbledhë të gjitha kombet për gjykim) në momentin e shfryrjes së parë të trombës së ringjalljes. Kishte aty skelete të ngritura drejt, të lakuara, të ulura, të përkulura, si njerëz të zënë në çorodi mes gjumit të tyre teksa shtriqeshin para se të zgjoheshin tërësisht. Eshtra të çdo lloji mbulonin tavolinat, raftet e karriget dhe për të gjetur karrige për t’u ulur duhej t’i pastroje nga mbetjet njerëzore të cilat i ngarkonin ato.
Kafka të panumërta kurorëzonin këtë koleksion magjepsës, duke zbardhur mes pjesëve të paforma të shpërndara mbi mobilie dhe mbi dysheme. Duke soditur këtë spektakël dhe duke kujtuar fjalimet elokuente e të mprehta të dr. Virchow, prisja të shihja një siluetë gjigante, të veshur në mënyrë të çuditshme, me sy xixëllues dhe fytyrë ndriçuese, që të personifikonte fuqinë e dyfishtë të njeriut i cili depërton në sekretet e vdekjes dhe lëvdohet duke mbrojtur ekzistencën e jetës, lirinë. Dera u hap, dhe unë nuk pashë asgjë nga tërë këto. Njeriu i cili vinte drejt meje ishte i veshur si një antikuarian i zënë me organizimin e koleksioneve të tij; me kokën disi thatanike dhe eshtake; flokët e mjekrën të shkurtra e të thinjura; ballin e nxirë nga dielli – në vend që të ishte i rrudhur – të dalë para dhe pak të ngjeshur anëve; venat e dukshme në tëmtha; sytë e vegjël e të futur, gojë të palëvizshme, hundë të mprehtë dhe i palodhur; duart e nxira nga dielli, të shkathëta e të holla, që shfaqnin vendosmëri, energji dhe shkathtësi. Sidoqoftë, origjinaliteti i situatës, u shfaq shpejt.
Biseda u drejtua menjëherë mbi Kongresin (shënim i përkthyesit, A.H: Kongresi i Berlinit, 1878) që po mbahej asokohe. Diskutuam  mbi rivalitetin e kombeve të vogla që përpiqeshin të fitonin supermaci në Turqinë Europiane (shënim i përkthyesit, A.H: bëhet fjalë për Perandorinë Osmane në Ballkan).
Në kabinetin e tij ose më mirë në muzeun e tij në vitin 1878, gjatë kohës që po mbahej Kongresi i madh në Berlin, të nesërmen e luftës ruso-turke, (shënim, A.H: pjesa në vijim është ajo që citon edhe Mit’hat Frashëri në librin e tij “Shqiptarët”, Zenit Editions 2005, faqe 66-67) kur po flitej për racat e ndryshme të Ballkanit, doktori dijetar u ngrit papritur: "Shikoni! - tha ai. Ja raca me të vërtetë superiore e këtyre vendeve. Shikojini këta!" Përpara na vuri tri kafka me një konformacion të barabartë. "Njëri nga kolegët e tu më ka dërguar të parën, pastaj shtiva në dorë dy të tjerat. Janë kafka shqiptarësh të vrarë nga turqit. Vështrojini me kujdes! A s’janë të bukura?! A s’janë madhështore?! Kur mora këtë të parën, mendova se ishte një përjashtim. Por janë të gjitha si kjo këtu! Ja raca superiore, madje shumë më lart se gjithë të tjerat!" Dhe doktor Wirchov e përkëdhelte me një butësi entuziaste dhe me shikim plot dashuri kafkën jo të plotë që mbante mbi gjunjë. Pastaj, duke e ngritur dhe duke e ulur me kujdes filloi të përcaktojë në një fjalim të shpejtë dhe me imazhe popullatat e ndryshme të Turqisë europiane dhe, në mbështetje të çdo opinioni që shprehte, ai kërkonte një, dy, tre kafka: malazeze, boshnjake, dalmate, serbe, bullgare, rumune, turke e hungareze. Pak e nga pak ai i kishte shtuar provat në mbështetje të këtyre opinioneve dhe më në fund, në qendër të këtij rrethi të plotë dhe të formuar prej kafkash të madhësive të ndryshme, pak a shumë të prera nga armë të bardha dhe nga zjarri, ai plotësoi demonstrimin e tij. Edhe pse Kongresi e gjykoi jashtë pikëpamjes kranologjike (kafkore), ai gjithnjë u kthehej kafkave të veta shqiptare dhe kur fliste, ulej për t’i prekur me gishta, ndërkohë që të tjerat i konsideronte të padenja; dhe më duhet të shtoj se Konti Andrasi (shënim i përkthyesit, A.H: Kryeministër hungarez dhe ministër i jashtëm i Jashtëm i Hungarisë, 1871–79) nuk do të lëvdohej sikur të dinte sërën e caktuar nga dr. Virchow për hungarezët. “Times”
Kjo dëshmi e sjellë nga ky artikull do të ishte akoma më e plotë po qe se do të kishim mundësinë të lexonim studimet e plota të profesor Virchow mbi racën shqiptare. Këto studime presin ende ditën që të zbardhen e të botohen në gjuhën shqipe.

Deputeti britanik, Cowen: Shqiptarët janë më i vjetri komb i Lindjes
Ndërkohë, aq i bindur ishte Virchow në lidhje me përgjigjet shkencore për racën shqiptare, saqë i drejtohet Kongresit të Berlinit që të ruante këtë racë të rrallë. Atë, nuk e dëgjuan. Natyrisht që Shqipëria u copëtua si mos më keq. Shkenca para politikës (interesave, pazareve) është thuajse gjithmonë e zhvleftësuar. Po kaq vlerë kishte edhe drejtësia e Fuqive të Mëdha. Do të ishte me shumë interes për publikun shqiptar të dinte kumtesën e mbajtur nga Virchow në lidhje me racën shqiptare dhe përpjekjet që ai ka bërë për vlerësimin tonë, nga Kongresi i Berlinit, si racë me tipare të veçanta. Por profesori i ditur, nuk ishte i vetmi që i shikonte shqiptarët si një racë tejet të lashtë. Më poshtë, sjellim një fragment në të cilin britanikët diskutojnë pikërisht mbi këtë gjë, shqiptarët. Pjesa është shkëputur “Nga bisedimet në Dhomën e Komuneve të Britanisë së Madhe më 4 shtator 1880”, e pasqyruar në botimin me rastin e 50-vjetorit të Pavarësisë Kombëtare, “Rilindja Shqiptare” (Përgatitur: Kristo Frashëri, Ndërmarrja Shtetërore e Botimeve “Naim Frashëri”, Tiranë 1962):
“Joseph Cowen: Besoj se qëllimi i anijeve luftarake që do të mblidhen në Raguzë është që t’u kallin frikën turqve. Po sikur të mos i zërë frika Turqit? Çdo të bëhet atëherë? Forca detare e Anglisë, e Anglisë së lirë dhe konstitucionale, a do të përdoret për të djegur a për të shkatërruar kasollet e gjahtarëve, peshkatarëve ose barinjve shqiptarë të Ulqinit? Për këtë qëllim të poshtër do të përdoret fuqia e Britanisë?

Për fitim të kujt do të bëhet kjo padrejtësi? Për fitim të malazezëve...

Malazezët janë rrethuar prej një populli tjetër, i cili është aq trim sa ata, dhe historia e të cilit humbet në brymë të kohës. Shqiptarët janë më i vjetri komb i Lindjes. Ishin atje më parë se grekët e vjetër. Shqiptarët kanë legjenda, gjuhë e karakteristika të veçanta të tyre. Kanë ca cilësi që ndryshojnë fare nga ato të malazezëve, po janë aq trima sa ata dhe dashuria e tyre për liri, as u vu as mund të vihet në dyshim. Plani i fuqive të mëdha është të marrin një copë të Shqipërisë dhe t’ia japin Malit të Zi, pa i pyetur shqiptarët dhe pa u marrë atyre leje.
Një deputet: Shqiptarët nuk janë komb.
Joseph Cowen: Nuk janë një komb, thotë Zotëria e tij. Atë fjalë tha edhe princi Bismarck në Berlin. Princi Bismark tha se nuk kishte dëgjuar që ka një komb shqiptar. Po princi Bismarck nuk kishte dëgjuar as për kombësinë e Holandës a të Danimarkës. Një tjetër princ, aq i fuqishëm sa është princi Bismarck sot, pretendoi në Kongresin e Vjenës që s’dinte ndonjë komb italian. Pas mendjes së atij diplomati, Italia nuk ishte veçse një “shprehje gjeografike”. Dhe me gjithë këtë sot dimë të gjithë se Italia është një komb i madh e i bashkuar. Ajo që u vërtetua në pak më tepër se pesëdhjetë vjet për popullin e një ane të Adriatikut, mund të vërtetohet me një mënyrë të ndryshuar edhe për anën tjetër në aq kohë e sipër.Pas mendjes time do të ishte një padrejtësi aq e madhe të viheshin shqiptarët nën zgjedhë të malazezëve sa sikur të viheshin malazezët nën zgjedhën e shqiptarëve...”

Si e siguroi Virchow kafkën e parë shqiptare - një kryetar fisi shqiptar
Në librin e tij Mit’hat Frashëri, nuk jep hollësi të mëtejshme në lidhje me punën e Virchow apo mënyrën se si ai siguroi kafkat shqiptare. Në artikullin e “Times”, ribotuar edhe në “Le Matin”, Virchow i thotë Blowitz:  
“Njëri nga kolegët e tu më ka dërguar të parën, pastaj shtiva në dorë dy të tjerat. Janë kafka shqiptarësh të vrarë nga turqit. Vështrojini me kujdes! A s’janë të bukura?! A s’janë madhështore?!
Kur mora këtë të parën, mendova se ishte një përjashtim. Por janë të gjitha si kjo këtu! Ja raca superiore, madje shumë më lart se gjithë të tjerat!”.
Pas një kërkimi mbi punën e Virchow, ajo që vjen si diçka e re dhe e pathënë më parë, është dëshmia e gazetarit i cili i siguroi Virchow kafkën e parë shqiptare. Cili ishte kolegu i Blowitz? Po dy kafkat e tjera si i erdhën në dorë Virchow? Kolegu i Blowitz, ishte një korrespodent amerikan që mbulonte lajmet nga Ballkani. “Le Matin” e ribotoi artikullin në vitin 1901. Po këtë vit është botuar libri me kujtime, në dy vëllime, i gazetarit amerikan, William James Stillman, (“The Autobiography of a Journalist” (Autobiografia e një gazetari); William James Stillman 1828-1901; Vol. 2; Boston Houghton, Mifflin and Co. ; Cambridge Mass. Riverside Press, 1901). Stillman hedh dritë mbi mënyrën se si Virchow siguroi kafkat shqiptare. Ai i çoi atij të parën. Stillman është personi që e ka befasuar profesorin (sipas asaj që Virchow i rrëfen Blowitz) me kafkën që i dërgoi.
Ishte koha kur shqiptarëve po u merreshin viset veriore për t’ia dhënë Malit të Zi. Stillman ishte korrespodent për Ballkanin dhe ndiqte zhvillimet që po ndodhnin (qëndrimet e tij – ndoshta për mungesë informacioni – shpeshherë janë pro malazeze, por kjo gjë nuk është objekti i shkrimit). Pas një prej betejave të shumta shqiptaro-malazeze, ai dëgjon historinë e vrasjes së një shqiptari dhe këtu zë fill historia që ne kërkonim. Kafka e atij shqiptari është kafka e parë e koleksionit të Virchow. Pjesa e mëposhtme është marrë nga libri i lartpërmendur (faqe 611-613) me kujtimet e gazetarit William J. Stillman:
“Kapiteni më tregoi për një shqiptar trim, që kishte rënë i plagosur nga kali i tij dhe ishte strehuar në një të çarë të shkëmbinjve, i cili kishte vrarë dy malazezë dhe kishte plagosur një të tretë para se sa të shfaqej i pambrojtur ndaj njërit prej tyre, që i kishte dalë pas shpine dhe që e kishte qëlluar nga një e çarë mes shkëmbinjve që e strehonin. Mënyra e vdekjes së tij dhe ajo e sulmuesve të tij, ilustrojnë mënyrat e luftës së malazezve kaq plotësisht sa që unë isha i interesuar për këtë gjë më shumë sesa për detajet heroike të luftimit.
Malazezi e ka çështje sedre sulmin e armikut të tij ballë për ballë dhe mundësisht me armë të ftohtë. Armiqtë që bien në përleshje të përgjithshme nga të shtënat e pushkës, ai nuk i konsideron kurrë si “kokat” e tija; “ai deklaron vetëm ato që ai ka vrarë në një luftim me duar”. Ky shqiptar ishte bajraktari i fisit të tij, kryetari trashëgimor dhe ta vrisnin atë në një luftim me duar ishte ambicia e të treve atyre që e sulmuan atë radhazi; vrasja në shpinë ishte vetëm një çështje nevojshmërie.
Kujtova në atë moment një korrespodencë që kisha pasur vite më parë me Virchow, në lidhje me Pellazgët; dhe duke menduar për koleksionin e tij të kafkave, e pyeta kapitenin nëse ai e dinte vendin se ku kishte rënë shqiptari dhe nëse eshtrat ishin akoma atje, e kur ai më siguroi se ato ishin aty ku ai kish rënë, unë i ofrova atij dy florinj për të më sjellë kafkën, gjë të cilën ai e bëri. Ishte kafka e një burri në moshë të re, me qepjet e kockave të kafkës thuajse të mbyllura, vetëm me dy dhëmbë që i mungonin e asnjë prej tyre të sëmurë dhe unë ia dërgova atë kraniologut të madh, i cili m’u përgjigj me falënderime të ngrohta.
Kafka, tha ai, ishte më e shkëlqyera e koleksionit të tij për sa i përket zhvillimit mendor dhe ai lexoi një kumtesë në lidhje me të, para Akademisë Perandorake Gjermane. Atij i kishin bërë aq përshtypje karakteristikat e asaj kafke sa që ishte i prirë ta konsideronte si një kafkë të jashtëzakonshme dhe i shkroi një prej oficerëve austriakë në Malin e Zi për ta pyetur nëse mund t’i dërgonte disa të tjera, dhe këto, edhe pse jo si ajo e kryetarit të fisit, prej fisi padyshim puro shqiptar, – për shkak se aristokracia nuk martohej kurrë me gjak tjetër përveç atij të së njëjtës racë e kategori shoqërore – zotëronin të gjitha të njëjtat karakteristika intelekti, duke vërtetuar vendosjen e shqiptarëve prej tij, në krye të racave të Evropës, për kapacitet mendor.”
Në këtë mënyrë kemi zbardhur një pjesë të rrugës së kryer nga profesor Virchow në lidhje me studimet e racës shqiptare. Por ka edhe diçka tjetër që tërheq vëmendjen në pjesën e mësipërme të kujtimeve të Stillman. Ai përmend një bisedë që ka bërë me profesor Virchow në lidhje me Pellazgët dhe nisur nga kjo i dërgon atij kafkat e shqiptarëve. Nuk duhet shumë mprehtësi për të kuptuar se raca pellazgjike për të cilën Stillman kishte biseduar dikur me profesorin ishin pikërisht shqiptarët. Në të kundërt përse do përmendte këtë gjë kur synonte të shtinte në dorë kafkën e shqiptarit? Nga ana tjetër, profesor Virchow, ashtu si e përmendëm edhe më sipër, në vitin 1869 themeloi Shoqërinë e antropologjisë, etnologjisë dhe parahistorisë (Gesellschaft für Anthropologie, Ethnologie und Urgeschichte). Kjo Shoqëri pati shumë ndikim në koordinimin dhe intensifikimin e hulumtimit arkeologjik gjerman. Një emër shumë i njohur i arkeologjisë gjermane është edhe Henry Schliemann. Ky i fundit ka bërë disa nga zbulimet më të mëdha në fushën e arkeologjisë. Njihet si zbuluesi i Trojës dhe i thesarit të Priamit. Ka bërë gërmime e zbulime të rëndësishme në Thyros dhe ka zbuluar thesaret e qytetërimit të lashtë mikenas etj. Schliemann ishte një mik i profesor Virchow, i cili e ka shoqëruar në shumë prej gërmimeve që ka bërë, që prej Ilios (Trojës) e deri në Greqi. Virchow ishte një autoritet i padiskutueshëm në fushën e antropologjisë së kohës dhe në këtë mënyrë ai studionte skeletet e gjetura gjatë gërmimeve duke e pasuruar arkeologjinë kësisoj, me rezultate shkencore. Pas një kërkese të Schliemann – e cila ndihej si një nderim që do t’i bëhej librit – Virchow ka shkruar hyrjen e librit “Mycenae” të Shliemann. Këto detaje të pakta shërbejnë për të dhënë idenë se Virchow ishte një person i cili kishte njohuri arkeologjike të mjaftueshme, për të arritur në përfundime mbi racën pellazgjike shqiptare.

Shqiptarët, sa pak të njohur prej europianëve
Përfundimet e Virchow për shqiptarët, nuk ishin më diçka e thënë me zë të mekur, por ishin rezultate me të cilat ambienti shkencor njihej. Kumtesën e tij para Akademisë Perandorake Gjermane në lidhje me racën shqiptare, e gjejmë të cituar më poshtë, nga Stillman, kolegu i Blowitz, të cilin profesor Virchow e përmend edhe në artikullin e “Times”. Kjo kumtesë nuk është botuar ende në shqip. Megjithatë, rasti i shqiptarëve tashmë ishte bërë një njësi krahasimi nëpër seminaret shkencore. Një fragment ku shqiptarët merren si shembull nga Virchow, gjatë punimeve të një konference të rëndësishme të antropologjisë, po e sjellim edhe në këtë material:
"Në Kongresin e fundit Antropologjik në Vjenë, u shkaktuan disa ndjesi nga fjalimi i biologut të madhe berlinez, profesor Virchow. Rreth një vit më parë Virchow, gjatë një rasti të ngjashëm, bëri një sulm të ashpër ndaj qëndrimeve darviniane dhe këtë vit ai foli në mënyrë të njëjtë po kaq hapur. Pjesa e sjellë më poshtë është e shkëputur nga fjalimi i tij i gjatë në Kongres:
Njëzet vjet më parë, kur u takuam në Innspruck, ishte pikërisht momenti kur teoria darviniane kishte lënë shenjën e saj të parë fitimtare anembanë botës. Miku im, Vogt, nxitoi menjëherë brenda radhëve të kampionëve të kësaj doktrine. Qysh atëherë, ne kemi kërkuar më kot për fazat e ndërmjetme të cilat supozohej se duhet të lidhin njeriun me majmunët; proto-njeriu, pro-anthropos nuk është zbuluar ende. Për shkencën antropologjike, pro-anthropos nuk është madje as një temë diskutimi. Antropologu mund, ndoshta, ta shohë atë në një ëndërr, por sapo të zgjohet nuk mund të thotë se ka bërë ndonjë qasje ndaj tij.
Në atë kohë në Innspruck perspektiva ishte, me sa duket, që rrjedha e prejardhjes nga majmuni te njeriu do të rindërtohej e gjitha njëherësh, por tani ne nuk mund ta provojmë madje as prejardhjen e racave të ndara nga njëra-tjetra. Në këtë moment, ne jemi në gjendje të themi se mes popujve të lashtësisë as edhe një i vetëm nuk ishte më afër me majmunët sa ç’jemi ne. Në këtë moment unë mund të pohoj se nuk ka mbi tokë asnjë racë absolutisht të panjohur për njeriun. Më pak të njohur prej të gjitha racave janë banorët e zonave malore qendrore të gadishullit të Malajzisë, por nga ana tjetër ne i njohim banorët e Tokës së Zjarrtë po aq mirë sa edhe eskimezët, bashkirët, polinezianët dhe lapët. Jo! ne njohim më shumë për këto raca sesa ç’njohim disa fiseve të caktuara europiane. Më duhet të përmend vetëm shqiptarët...” (Oriental Religions and Christianity; Frank F. Ellinwood, New York, 1891)

Mihai Eminesku: Raca e pastër shqiptare, e para nga perandoria e lashtë e Lindjes
Aq të njohura ishin bërë për kohën pohimet e Virchow, saqë kishte raste kur merreshin si treguese krahasuese të superioritetit. Qëllimet se përse bëheshin këto krahasime nuk janë më të rëndësishme sesa fakti që i referoheshin shkencës antropologjike si element i pakundërshtueshëm. Këtyre krahasimeve nuk iu shmang as poeti kombëtar më i madh rumun, Mihai Eminesku. Ai thërriste shkencën në ndihmë (shembulli i mëposhtëm sillet thjesht për të treguar jehonën e kërkimeve të Virchow, dhe nuk ka lidhje me antisemitizmin) për të shpëtuar atdheun e tij që e konsideronte të rrezikuar prej hebrenjve:
“Mihai Eminesku (1850-1889), poeti kombëtar i nderuar i Rumanisë, modernizuesi i Rumanisë dhe rapsodi i shtetit të mitur, besonte se vendi i tij ishte mbërthyer mes socializmit dhe liberalizmit dhe duhet të shmangte rreziqet e të dyve në favor të feudalizmit, “...sistemi i lirisë më të madhe, i decentralizimit, i autonomisë shoqërore, i pavarësisë së klasave. Njerëzit nuk ishin të barabartë dhe për këtë arsye ata ishin të lirë”. Rumania feudale ishte një vend i një pastërtie të shëndetshme, e panevojshme për ta thënë – pa hebrenj. “Çifuti nuk meriton të drejta askund në Europë, sepse ai nuk punon”. Hebrenjtë në Rumani ishin “të huaj në trupin e saj,” një “racë, qëllimi i menjëhershëm i së cilës ishte që të merrte pasuritë e patundshme rumune dhe qëllimi afatgjatë i së cilës ishte që mbërthente vendin e tij”.
"Çfarëdo që kushdo të mund të thotë", shkruante Eminesku, "në mes nesh dhe çifutëve ka një dallim racor që nuk na lejon të kemi ndonjë ndjenjë ndaj tyre – në rrethana ku nderi është në rrezik – por përbuzje dhe asgjë tjetër veçse përbuzje”. Poeti, si shumë europianë romantikë të kohës së tij, nuk hezitoi t’i bënte thirrje edhe shkencës: "Etnografi Hoffmann mbronte idenë se zhvillimi i kafkës së racës rumune ishte i admirueshëm, se ato lloje kafkash meritonin të ishin në ballë të qytetërimit... Virchow, një natyralist i famshëm, i jep kafkës shqiptare vendin e parë ndër të gjitha kafkat e racave të pastra nga perandoria e lashtë e Lindjes, dhe kafka shqiptare është identike me atë të racës rumune, me atë të popullit tonë sot.” (Scott L. Malcolmson; “Empire's edge: travels in South-Eastern Europe, Turkey and Central Asia”; fq. 17; Verso, 1995)
Shembuj të tillë krahasues nuk janë të rrallë. Robert Matteson Johnston (1867-1920) ishte një prej autorëve të shumtë që u referohet përfundimeve të profesorit Virchow, në lidhje me kapacitetin kafkor më të zhvilluar të shqiptarëve.
Johnston, një historian amerikan e studiues i rëndësishëm i historisë ushtarake u lind në Paris e u arsimua në kolegjin Etoni College dhe Pembroke College, Cambridge. Johnston gjatë karrierës së tij dha mësim edhe në Harvard e Mount Holyoke College. Në librin e tij “The Napoleonic Empire in Southern Italy and the Rise of the Secret Societies” (ribotim i READ BOOKS; 2010; faqe 3,4), në një fragment ai u referohet kërkimeve të Virchow teksa përshkruan aftësitë e racës shqiptare.  Ja se si shprehet ai:
“ ...‘Kampaniani i gjallë, abrucezi kursimtar, puliezi brutal, kalabrezi arrogant ngjallin lehtë diskutim dhe tregojnë heterogjeni të racës’, shkruante Cantù. Ndryshojnë jo vetëm temperamentet e tyre, por edhe dialektet e tyre, deri në pikën e pakuptueshmërisë së dyanshme. Prej elementeve të ndryshme të popullsisë, asnjë nuk tregon tipare më karakteristike se shqiptarët, një racë që shfaq, sipas Virchow, kapacitetin kafkor më të madh në Europë. Vendbanimet e tyre ishin rezultat i emigracionit që kishte ndodhur nga përtej Adriatikut midis shekujve të gjashtëmbëdhjetë dhe tetëmbëdhjetë nën presionin e pushtimit turk.”
Studimet dhe përfundimet e profesorit Virchow janë marrë në konsideratë nga shumë studiues të tjerë seriozë, gjë që në tregon rëndësinë e këtyre përfundimeve shkencore. Punimet e plota dhe kërkimet e Virchow mbi shqiptarët, nëse do të botoheshin në shqip do të ishin një element i rëndësishëm shkencor që do të shërbente për të forcuar përfundimet mbi lashtësinë e shqiptarëve, një race enigmatike që vjen nga thellësitë më të humbura të kohës si një linjë e pandërprerë etnokulturore.

Albert Hitoaliaj, G. Shqip

Barbarizmat e ofendojnë gjuhën shqipe!

Megjithëse shkrimin e parë e kam botuar qysh më 1956, përsëri nuk pretendoj të jem gazetar.
Përse?
Sepse gazetar është një emër i madh që kryen një detyrë fisnike, detyrë të cilën unë nuk e përballoj dot. Nëqoftëse Gazeta apo Televizori është edukatore dhe organizatore kolektive, të tilla ato i bëjnë gazetarët. Ata janë formuesit e opinionit publik, dhe sqaruesit e fenomeneve shoqërore nga më të komplikuarat.
Rolin e tyre e ka kuptuar e gjithë shoqëria dhe në mënyrë të veçantë Partitë kryesore politike. Të gjitha ato kanë gazetat e tyre.  
Atëherë?
Ata duhen dëgjuar. (Natyrisht gazetarët e vërtetë)
Gazetarët nuk janë përpilues të thjeshtë lajmesh. Ata janë personalitete që mbi bazën e analizave nxjerrin konkluzione dhe parashikojnë drejtimin e proceseve të ndryshme. Ata ruajnë demokracinë nga devijimet dhe janë zëri më i fortë kundër korrupsionit dhe shkelësve të ligjit. Për këtë ata edhe janë kërcënuar e kanë pësuar dhunë fizike. Prandaj ata duhen respektuar!
Siç thashë edhe më lartë unë nuk jam gazetar. Megjithatë duke qenë në gjendje t’i lidh dy fjali me njëra tjetrën, gjykoj se kam të drejtë të jap një mendim, të bëj një sugjerim apo edhe një kërkesë miqësore atyre që shkrimet në gazetë i kanë profesion.

Cila është kërkesa?

Ju lutem në shkrimet tuaja mos përdorni fjalë të huaja. Barbarizmat e ofendojnë gjuhën shqipe!

Kush më shumë se ju duhet ta mbrojë pastërtinë e gjuhës tonë?

Mos harroni: bisedat tuaja në TV dhe shkrimet në gazetë kanë një lexues shumë të gjerë. Nga këta edhe fëmijë, të cilët mbasi kanë dëgjuar një fjalë të huaj shkojnë dhe pyesin mësuesen e cila as ajo nuk di t’ua shpjegojë.

Lexoni më poshtë: “Kliche Televizive”, “Sublimim suigeneris”, “Marifetçinjtë e polimpsesteve”, “Momenti i Cout Doën-it”, “Kemi një fatal attraction”, “Që të ketë secappealinë e politikës”, “Mos e merrni për një frazë Oxymor-ike”, “Ishte një Oneman Shoë”, “Shoë-bis”, “De ja vy”, “Klejdi paraqet “step passi di danza”, “Që punoi si guest editor, ON LINE”.
Doni më?

Sepse e kam të vështirë t’i shqiptoj e aq më shumë t’i shkruaj. Më duket se më kanë mbërthyer akrepat e po më marrin shpirtin. Pse lejohet kjo, aq më tepër nga njerëz që e meritojnë emrin e gazetarit të vërtetë. Lexoj në gazetë, megjithëse të rralla shkrimet e deputetes Rudina Seseri. Jo vetëm nga përmbajtja që nuk guxon njeri ta kundërshtojë, por edhe nga forma, përdor një gjuhë të kulluar aq sa të duket sikur ka derdhur mbi të një det me dashuri!

Po disa gazetarëve tanë ku u vajti dashuria për gjuhën e tyre?
Nuk arrij ta kuptoj sepse ndodh ky fenomen i shëmtuar. Këtu kam parasysh gazetarë e analistë që nuk shquhen për paaftësi, përkundrazi.

Atëherë?
Të them që shesin mënd nga që dinë gjuhë të huaja, praktika nuk ma vërteton. Sot në Shqipëri ka me mijëra që dinë gjuhë të huaja. Të them që nuk ka apo nuk gjejnë dot sinonime korresponduese në gjuhën e tyre edhe kjo nuk mund të qëndrojë “Fjalorin themelor të Gjuhës Shqipe” mbi tavolinë e kanë. Të them se këto barbarizma i japin forcë e bukuri shkrimit, përvoja nuk ma pranon.
Si lexues nuk e kuptoj fare se çka dashur të thotë autori. Atëherë, për kë shkruajnë këta, për njerëzit e thjeshtë apo për të ashtuquajturën elitë! Miq, mos e detyroni të lëngojë gjuhën tonë!


Nga Alban SHUSHICA, G. Sot