E pikëllueshme dhe e pabesueshme - përdhunim në Gjinokastër mbi varret e atdhetarëve të shquar! Kodrën e Rilindasve ku ata preheshin të qetë dikush e ktheu në ‘kodrën e turpit’! Edhe më e pikëllueshme - kjo të ndodhë në kohën e ‘demokracisë’ e të lirisë!
Vendin aq të nderuar e sheh si pas një katrahure lufte, e thua kanë rizbritur hunët e lashtë! Por dhe barbarët mesa dimë vranë popuj mbi tokë e s’u morën me të vdekur nën tokë. Aq më tepër, të dhunosh heronjtë e tu të ndritur që të dhanë lirinë. «
Populli që vret të parët e tij është i paracaktuar të zhduket» thotë Balzaku. La Martini plotëson: «
Atdheu është krijuar nga hiri i të rënëve»…
Atdheun ne e kemi nga ai ‘hir martirësh’ te Kodra e Rilindasve e nga tërë heronjtë ku ka Shqipëri. T’u prishësh e t’u hapësh varret atyre ke hapur varrin e kombit tënd, i ke hapur gropën të ardhmes sate si shqiptar. Kurse kjo gjëmë marrëzie ka ndodhur në Gjinokastër, kryqendra zonjë e Labërisë, qyteti ku harmonizohet aq fisnikërisht atdhetarizmi, trimëria e mençuria.
Varri i Çercizit dhe kater Rilindasve (Arkivi i Revistes MAPO)
Ndjej dhe më tepër dhimbje nga larg qytetit tim aq të dashur kur kujtoj tim atë, ndjesë pastë që merrte përdore dy nipërit e vegjël i çonte gjer lart te Kodra me Rilindas e u thoshte:
«
Ky këtu, ka thënë ‘Ku kemi lerë, ku na bëjnë nderë? Në Shqipëri’.
Ky këtu thoshte ‘
Gjuha jonë sa e mirë, sa e ëmbël, sa e gjerë’…
Ky këtu i ka dhënë emrin shkollës suaj ‘Koto Hoxhi’.
Ky këtu ngrinte koburen në ajër e thirrte ta dëgjonit dhe ju
‘Shtiva shtatë e vrava tetë… pam-pam-pam’ mbi armiqtë që ju të gëzoni të lirë»…
Dhe gjyshi qeshte si fëmijë tok me ta. Tek i dëgjonte, mbi Kodrën e Rilindasve dielli qe më i bukur se mbi çdo vend tjetër të qytetit… Sot aty çdo gjë u është kthyer përmbys. Eshtrat lëvizur nga vendi i thonë njera tjetrës «
Ngrihi o të vdekur t’u vijmë në ndihmë të gjallëve se kanë vdekur para nesh»!
Ato pesë figura të çmuara lart nuk janë masakruar si njerëz të zakontë por si shqiptarë të shquar (ndryshe do trazoheshin varret e thjeshtë poshtë buzë xhadesë). Bashkë me ta vrasësit kanë masakruar dhe shqiponjën sipër tyre, i kanë prerë kokë e krahë, ngjashëm me prerjen e Shqipërisë si komb. Ata që e kanë bërë këtë gjë, gjer shkatërrimin e Shqiponjës, sigurisht nuk janë shqiptarë; janë armiq të Shqipërisë a vegla të tyre. Nëse do t’i kërkoni, pyesni veten se cilët janë të interesuar sot për të shuar gjurmët e ndritura të Shqipërisë brenda Shqipërisë!
Ata ‘poshtë’ për vite të tëra bënin gjumë të qetë tek ndjenin se shqiponja e tyre në krye u pëshpëriste vargjet e Naimit: «
Ti Shqipëri më ep nderë…» e Koto Hoxhi u kish kënduar aq bukur frashërllinjve: «Tre vëllezër prej ari…»!
Tani atij i prishet varri në mes të qytetit!
As atyre s’u besohet, dhe të hapur e të gjymtuar në truallin e tyre po rrinë të hutuar midis vdekjes e jetës: Për këta njerëz e shkrimë jetën!? Mirë i ligu, bën punën e tij, po të tjerët!?...
Më tepër se plagët që morën përsëgjalli nga armiqtë u dhëmb braktisja e eshtrave mes popullit të tyre! Shqiptari varret, të kujtdo qofshin, i ka të shenjta. Prekja e tyre është si prekja e Zotit - lëndim i shpirtrave të Perëndisë.
Shqiptari në zakon nuk ka prekur as varrin e Sulltan Muratit në Fushë Kosovë, as të Ballaban Pashës në Petrelë; as të pushtuesve fashistë e të grekëve shovinistë. Me armiqtë është marrë me dinjitet sa qenë gjallë, kurse trupat në varr ua ka lënë të qeta (me shpirtin apo gjyqin e tyre pas vdekjes merret Perëndia).
Trazimi i gjumit të varreve bëhet qetësisht prej vandalëve modernë, prej atyre që kanë bërë aq të zeza sa kanë frikë edhe prej të vdekurve. Rastet rrotull nesh janë përmendur.
Shkrimtari amerikan Fred Rid thotë se mbi varret izraelitë në Selanik shteti grek ka ndërtuar Universitetin dhe studentët venë në leksione diturie duke shkelur mbi eshtra. Aristidh Kola thotë se në vitet 1980 zyrtarët grekë në Selanik i zhdukën varret e shqiptarëve për të mos rënë erë ‘Shqipëri’ gjëkund.
Në Paramithi publicisti Sali Bollati kërkoi varret e të parëve, por mbi varret çame kishin ngritur fushë basketi e luanin me top si duke luajtur gëzueshëm me kafka shqiptarësh të vdekur! Studjuesi i nderuar Mexhit Kokalari shkruan se kërkoi në Gjinokastër varret e të parëve, e ato qenë shkulur se do ngrihej Konsullata e re e fqinjit! Dihen më tej, dhunimet e varreve shqiptare në Kosinë të Përmetit, të Boboshticës duke i kthyer eshtrat shqiptare në ‘ushtarë grekë’ apo duke i flakur ndër hendekë…
Në këtë logjikë si gjëkund tjetër përfshihen dhe varret e shqiptarëve të shquar ulur te Kodra e Rilindasve si në prehër të Diellit të vendlindjes. Ata do besonin më shumë se mund të prishej dielli lart se sa t’u prisheshin varret mes njerëzve të tyre!
Çfarë ‘borxhi’ duhej të lanin për këtë dhunim!?
Nëse ju ka mbetur ende për të bërë për Atdheun, ata do ngriheshin vetë të gjallë, pa pritur që t’i lëviznin të vdekur! Bajo Topullit s’i zunë këmbët dhè brenda e jashtë Atdheut për të bashkuar shqiptarët në udhën e lirisë. Fjala e tij e zjarrtë dhe e urtë ngrinte kombin më këmbë. U shkri i tëri e mbeti vetëm frymë në këngë… dhe atë që iu bë eshtrave të tij në qytetin e lindjes s’e mendonte as nga armiqtë! Çerçizi pushonte në krah të vëllait të madh si pushka pranë penës. E vranë në pabesi sllavët në Veri. Ia prunë eshtrat në vendlindje dhe i ngritën Monument. Ushtarët grekë që pushtuan Gjinokastrën më 1940 e qëlluan te monumenti në bronz duke e vrarë dhe të vdekur për t’u siguruar mirë që arma e tij s’do ngjallej më. Ai s’lëvizi e dorën e mbajti prapë te koburja në brez, për t’u thënë bashkëqytetarëve se mbetej i gjallë, kurse brima te kofsha e statujës u kujtonte se armiku mbetet ende gjallë…
Dhe gjetën kohën, i prishën varrin. Ai tërë merakun e kish për të tjerët («
Leni djemtë e mi të shkojnë/ se ju skuq, ju bëj me bojë»)!
Mitropoliti i Korçës mallkoi gjuhën shqipe, pastaj helmoi atdhetarim e ndritur Petro Nini Luarasi. Populli e mallkoi: «
Foti mos të zëntë moti»! Çerçizi me Mihal Gramenon zbatuan vendimin e popullit që Fotin ‘mos ta zinte moti’…Dikush dhe pas 100 vjetësh mori hakun e misionarit të zi Foti - Çerçizit i prishet varri!
Çajupi, i ëmbël si ai la amanet nga mërgimi që të prehej në vëndlindje, siç iu lut nga larg në vjershë: «
Dërgomë një gur, dërgomë/ ta vë jastëk ndënë krye», dhe pas vdekjes e prunë te gurët e ëmbël të vendlindjes. Ai dalloi me kohë plagën shqiptare të mohimit të kombësisë e thirri me zë të lartë te Parathënia e Baba Tomorrit: «
Shqipja është gjuhë si dhe të tjerat, në mos më e mirë. Po fajin më të madh e kanë ata shqiptarë që besojnë të huajt dhe shiten e kërkojnë të shesin dhe Shqipërinë». E plotësoi mendimin më saktë e më fuqishëm përballë fqinjit shoven kur deshi të na pushtonte: «O burra o shqipëtarë/, greku kërkon të na marrë»!..Kundër kësaj thirrjeje që mbetet e ditës, sot dikush i merr qetësinë e gjumit në vendlindje, i prish varrin!
Pandeli Sotiri qe drejtor i Shkollës shqipe në Korçë. Qeveria Osmane më në fund e dha lejen të çelej po Patrikana nuk ia ndau të zezat për ta mbyllur, sepse gjuha shqipe qe ringjallja e legalizuar e kombit shqiptar. Nëpër kanalet e errëta bizantine, si mësues gjimnastike iu fut një oficer grek i asfalisë, për t’i përgatitur fundin. Për fat të keq, Mësuesi i ndritur qe martuar me një greke shovene, e pështirë që nga emri - Buçerraqe. Ajo e çoi të shoqin si vizitë tek i ati në Stamboll, agjent i Patrikanës. Aty i dhanë helmin dhe e hodhën nga ballkoni në udhë, si i vetëvrarë!..Pikëllim i tij nuk qe ajo vdekje sado e lemerishme te portat e Patrikanës…Qe prishja e varrit të tij në vendlindje.
Koto Hoxhi qe në ajkën e rilindasve që shkrinë jetën për Shqipërinë. Sulltani e degdisi në burgun e tmerrshëm të Jedi Kules e ai iu përgjigj me trimëri shenjtori: «
Ju keni në dorë trupin tim, po shpirtin tim s’e keni në dorë»!
Në vendlindje në Lunxhëri bëri çmos për hapjen e shkollës shqipe. Me shtytjen e mitropolitit grek, një lavire fshati e quajtur Kate hapi fjalë për plakun e shenjtë se ‘e kish ngacmuar’(!)…dhe turma histerike e droguar dhe e paguar iu turrën e ç’nuk i bënë rilindasit të thinjur nga hallet e atdheut…Që krahinarët e tij të mos i shihte kështu të shpërbërë e të gënjyer duke ngrënë veten e Shqipërinë, para se të mbyllte sytë tha: «
Ju, o djem, do më kujtoni/ kur të zbardhetë liria…».
Ndër ata djem të Lirisë që do t’i mbanin amanetin rilindasit martir janë djemtë e mrekullueshëm sot të Gjinokastrës që u dolën zot eshtrave të tij dhe nderit të Atdheut (akti i veçantë kaq dinjitoz e fisnik i tyre do mbetet i paharruar). Për atë amanet e për dashuri ndaj të parëve të shquar, përkushtimi i tyre do çante dhe gurin e Gjinokastrës e do dilnin dhe që nga brenda gurit për t’u shfaqur te Kodra e Rilindasve si bij të denjë të tyre. Zyrtarë bukëngrënës u njoftuan që të vinin dorë te ajo lemeri antikombëtare e antinjerëzore, e ata thanë se ‘nuk qe në detyrën e tyre’ (!). Heronjtë e martirët që për Shqipërinë prishën jetën e shtëpinë nuk thanë se ‘mbrojtja e Atdheut nuk qe detyrë e veçantë e tyre’!
Akti i zi ka shumë dhimbje, por jo habi. Ai është pjesë e shkatërrimeve antikombëtare nga qarqe të dyshimta të këtyre 20 viteve, në harmoni të zezë me to. Demokracia aq e dëshiruar në Shqipëri erdhi si një epokë e ndritur qytetërimi, por për fat të keq tek ne, dhe me një faqe të errët shkatërrimi. Ky shkatërrim u turr kryesisht në objektet dhe pasuritë kombëtare. Synimi ka qenë dhe mbetet zhdukja e rrënjëve të ndritura si dëshmi Shqipërie, humbja e thesareve kombëtare. Vëndasit i dinë vetë pikat e shkatërruara apo të lënduara. Kujto «humbjen» e Kryqit të Shenjtë të Labovës, thesar historik që nga Perandori ilir i shekullit 6, Justinianit; apo zhdukja nëpër kishat shqiptare e thesareve të ikonave, dëshmi e lashtësisë paragreke të kristianizmit shqiptar (kujtojmë, në Peloponez hapet periodikisht ekspozita me thesare nga Vorio-Epiri grek (!).
Ky akt grabitjeje e çkombëtarizimi bëhet dhe më i lehtë kur në shtetin shqiptar Prefekti grek i Gjinokastrës shkon në Sillogje Vprio-Epiri, shpall hapur se është «Prefekt i Vorio-Epirit» e për këtë gradohet Ministër!
Kujtojmë atë që është botuar kaq herë me dëshmi dijetarësh të huaj të pakundërshtueshëm: rrënjët e Gjinokastrës njihen që para 2300 vjetësh te Pirrua shqiptar i Epirit kur qyteti quhej ‘
Phyro-Castra’ (kështjella e Pirros). Kjo përforcohet nga brilanti i sotëm arkeologjik Antigonea, ngritur në nderim të së shoqes së tij. Ndjekim lidhjen zinxhir: Antigonea qe vajza e Berenikës dhe e Ptoleme Lagosit (Ptolemeu qe bir i Filipit të II të Maqedonisë, pra vëlla me tjetër nënë i Aleksandrit të Madh, siç i përcakton qartë Sami Frashëri). Pyrrokastra dhe Antigonea - i shoqi dhe e shoqja u ngritën si dëshmi epiro-shqiptare karshi njeri tjetrit mbi luginën e bukur të krahinës pelazge. Për vulosje historie, populli emërtoi me emrin ‘Burri’ dhe malin karshi - Burreto…Më pas në sh. 14 erdhi si zot sovran Gjin Bua Shpata. Më afër qytetit sundoi Gjin Zënëbisha, e qyteti u quajt me emrin e tyre «Gjinokastra» (Kështjella e Gjinit), si dikur «Kështjella e Pirros», me emrin e të zotëve të Mëdhenj rrënjës. Teorikët fqinjë emërtimin «Phyrrocastra» u munduan ta shpjegonin greqisht «Pyrro-haraks» (Vija e Pirros), pa pasur asnjë afri logjike apo fonetike! Nuk bindi njeri, dhe me ëndër të gjatë te ky qytet kyç shqiptar kërkuan ndihmë te legjenda «Argjiro». Gjinokastritët kështu do t’i vinin në gjumë përmes mallëngjimit të një princeshe të shpifur!
Dhe mendjeshkurtrit e papërgjegjshëm në Gjinokastër që qarkullojnë mediat si ajkë kulture ende mbajnë më këmbë këtë trillim të fandaksur mesjetar alla Lefter Dilo - «Princesha jonë Argjiro», si ta kishin teze gjiri me qumësht floriri nga nëna e nga baba! Legjenda e kurdisur që të largon nga rrënjët e tua kombëtare e nga të parët e tu (gjersa t’u prishësh dhe varrin), të kujton teorinë e ideologut shoven mes nesh dikur, Jorgo Panajoti që thoshte se Legjenda e Kordhocës (legjendë e pastër e lashtë e vendasve gjinokastritë) është e minoritetit(!). Donte të vërtetonte me grabitje folklori, se pakica greke në Gjinokastër ka moshën mijëvjeçare të legjendave!..E të tjera në vazhdimësi mbi të zezën Shqipëri… gjer te dhunimi i Kodrës së Rilindasve.
Ajo rini e nderuar e Gjinokastrës që i doli zot me aq dinjitet piedestalit të Rilindasve të tyre plotëson porosinë e veçantë të Luigj Gurakuqit thënë më 1923 për tërë kohërat e brezat: «
Një popull që nderon Burrat e vet, një popull që pavdekëson kujtimin e tyre, jo vetëm në faqet e historisë por dhe mbi rrasa e monumente, ai popull tregon se ka ndërgjegje, se ka ndjesi të holla, se njeh miradijen e ka dëshirë me u sjellë e me u drejtue mbas shembullit të të mëdhenjve të vet».
Agim Shehu, G. Sot